NJE SKANDINAV MIDIS NESH

Kreun në ngjitje të ekzekutivit shqiptar nuk kam patur rast ta njoh. Është gjë e mirë, të paktën për mua që e kam gjithnjë të vështirë të zhbëj opinionin që më lënë njerëzit në njohjen e parë. Kjo nuk do të thotë se nuk kam dëgjuar për të, sikundër të gjithë, edhe pse vlerësimi i realitetit shqiptar përmes gazetave është gjësendi pothuaj e pamundur dhe në më të shumtën e rasteve kur mbërrin në faqen e tyre të fundit, ndihesh më i painformuar se në faqen e parë. Në mos i keqinformuar.

Në këto kushte, deklaratat apo intervistat e personazheve publikë janë të mirëpritura si burime informacioni të dorës së parë. Si e tillë duhet parë edhe intervista e z. Rama dhënë dy gazetarëve tepër të specializuar në çështjet e Ballkanit, Ph. Bertinchamps dhe J. A. Derens. Veçanërisht ky i dyti është nga njohësit më të mirë në shkallë botërore i punëve tona, sepse ka ndjekur të gjithë dinamikën e zhvillimeve në Shqipëri e Kosovë.

Ndërmjet të tjerash, në intervistën e tij Z. Rama thotë se Unë isha Edi Rama përpara. Në rast se me këtë ai nënkupton se ishte një artist i madh dhe personazh i njohur publik, kjo nuk duket të jetë fort e saktë. Z. Rama bëri një emër vetëm nëpërmjet politikës. Që në sekondat e para të shijes së pushtetit të fillosh e të mendosh se jeta tënde ka qenë një zinxhir fitoresh njëra më e madhe se tjetra, ky mendoj se është hapi i parë që hodhi z. Rama në drejtimin e gabuar.

Natyrisht, kush merrej me pikturë e dinte se kishte edhe një piktor me emrin Edi Rama, sikundër kush merrej me sport e dinte se nga ata që vrapojnë me pasion pas një topi ishte edhe Edi Rama.  Për publikun e gjerë ai u bë i njohur me Refleksionet, që organizoi së bashku me A. Klosin në Akademinë e Arteve, gjatë periudhës së shtyrjes së ndrojtur në kanal që populli shqiptar i bëri diktaturës që i varej në qafë. Qe një formë origjinale dhe intelektuale e protestës, që më shumë synonte të formonte shpirtin antikomunist të të rinjve se sa natyrën militante të njeriut.

Gjithsesi, përmasa e kontributit të tij modest në art nuk parathotë gjë për të ardhmen e tij në politikë. Të paktën unë nuk kam asnjë paragjykim. Duke ruajtur përmasat, p.sh. pak veta e dinë se Napoleoni në rininë e tij aspironte të bëhej shkrimtar, madje ka shkruar edhe një roman (Klisoni dhe Evgjenia) që sot lexohet vetëm për kureshti. Kjo nuk e pengoi të bëhet ai që njohim.

Më tej, në intervistën e tij, z. Rama pasi shpjegon se gjatë viteve në opozitë është cilësuar si “skandinav”, në kuptimin, me sa duket që është përpjekur të jetë racional dhe jo emotiv, ballkanas (meqë jemi në derivate gadishujsh), thotë se ka një problem me vdekjen, se do të lërë një emër dhe se bën politikë për të luftuar idenë e vdekjes.

Në tersi mund të thuhet se çdo njeri, për nga natyra është i prirur drejt një gjëje të tillë, pra të kundërshtojë idenë e vdekjes, por shumica si armën kryesore në këtë fushë shohin atë armë që u ka dhënë vetë natyra, pra trashëgiminë gjenetike. Nëse z. Rama kërkon armë shtesë, kjo mund të merret edhe si shprehje e frikës më të madhe se të tjerët  ndaj vdekjes, gjë që përsëri mbetet njerzore

Në rastin konkret, nuk është fjala për këtë prirje parësore e natyrale, por për një tjetër, që z. Rama e shpjegon me faktin se është artist. Trashëgimia gjenetike, del në plan të dytë. Gjëja më e rëndësishme për z. Rama del të jetë  angazhimi i tij në politikë.  Më saktë veprat që do të lërë pas si shtetar.

Rrëfimi duket të jetë i sinqertë edhe pse i paorganizuar. Ka artistë që jetojnë realitetin dhe të tjerë që janë të obseduar nga ideja për të lënë pas një emër. A mund të thuhet se z. Rama kaloi në politikë pikërisht sepse nuk kishte asnjë siguri se mundë të linte emër në art? Nuk e di. Veçanërisht në fushën e arteve plastikë, njoh pak artistë që kanë hedhur tej pasionin e tyre për t’iu futur fushës së dyshimtë dhe shpesh pa moral të politikës, edhe pse për motive nostalgjikë mbajnë një kaçile lapsash me bojna në tavolinën e punës.

Në këtë pikëpamje, një intervistë të tillë nuk e gjen gjëkundi. Habitem se si dy gazetarët me përvojë të Courrier des Balcans nuk kanë këmbëngulur ta zhvillojnë më tej dhe të na hiqnin detyrën e vështirë të hamendësimeve. Në këtë intervistë nuk ka asgjë nga natyra e rezervuar e një skandinavi, por shfaqet një cilësi e rrallë e ballkanasve, sinqeriteti.

Nga interpretimet që i bëhen kësaj interviste vërej se shumë vetë e shohin si mjaft të dyshimtë, në mos të rrezikshme idenë se ai do ta përdorë politikën dhe funksionin e tij të ri (nga të dyja këto varet fati i miliona vetëve), thjesht për një motiv egoist e të rëndomtë të natyrës njerëzore, pra për lënien e një emri nga pas.

Nuk duhet nxituar. Meqë përmenda Napolonin më sipër, më vjen ndërmend një shprehje e tij: “Njerëzit i qeveris më mirë nëpërmjet veseve se sa nëpërmjet virtyteve”. Duket këtë sekret e përdor edhe natyra. E palogjikshme siç është, ajo pasionin e z. Rama e merr për ves, por si racionale, mendon të shfrytëzojë edhe atë.

Nuk shoh asgjë të keqe këtu. Për shumë arsye. Në radhë të parë sepse kurrë nuk kam patur besim te ata që klasifikohen si idealistë, madje dyshoj nëse ekzistojnë në të vërtetë, dyshoj te ata që thonë se nuk i zë gjumi për hallet e popullit, se duan ta shohin Shqipërinë zonjë dhe lloj lloj demagogësh të tjerë. Janë vetëm impulset vetjakë të jetës e vdekjes, ato që na drejtojnë në jetë. Nga kanalizimi që u bëjmë atyre varet vetë e ardhmja jonë. Dhe të atyre që varen prej nesh, kur qëllon që ka të tillë, si në rastin e shtetarëve.

Z.Rama do të lërë një emër. Pse, jo? Ky është një motiv i fuqishëm e i besueshëm. E vetmja gjë që më ftoh entuziazmin është se ai nuk e ka përcaktuar se për çfarë do ta lërë këtë emër. Për të mirë a për të keq? Kur është fjala për një person publik, të tilla gjëra duhen shpjeguar deri në fund.Edhe kur duket se janë të nënkuptueshme.

Eshtë një lloj profesionem fidei, të cilën latinët u kërkonin të zgjedhurve të tyre ta thonin me zë të lartë.

Nuk ka komente

  1. Nga perkthimi link qe i ka bere Panorama intervistes:

    Kam një problem me vdekjen dhe me historinë. Dua të lë një emër. Nuk më intereson për të tjerat. Bëj politikë për të luftuar idenë e vdekjes.

    Eshte ne nje linje me citatet e tij te meparshme kur nga kreu i PS-se dhe opozites deklaronte se s’eshte politikan.

    Qofte sinqeritet apo snobizem, te degjosh nga goja e kryeministrit te ardhshem se motivi i tij i vetem eshte te lere emer ne histori dhe se te tjerat s’i interesojne, le shije te athet.

    Nga ana tjeter, shyqyr qe timonin s’e ka vetem ne duart e veta…

  2. Origjinali:

    http://balkans.courriers.info/article22786.html

    Autorët e kanë vendosur edhe regjistrimin audio të pjesës më kritike të intervistës (kushedi të bindur se do t’u kontestohej si joautentike):

    http://balkans.courriers.info/IMG/mp3/Edi_et_la_mort_1.mp3

    Nga ku merret vesh edhe se Rama e ka dhënë intervistën frëngjisht.

    Në fakt, unë kisha mbetur pa fjalë, nga ato që kish thënë kryeministri i ardhshëm shqiptar – sepse kujt do t’i bëhej vonë e të ndiqte pas një njeri që i hyn politikës pse dëshiron të lërë emër?

    (Edhe Herostrati emër dëshironte të linte).

    Morali: dikush duhet t’u shpjegojë politikanëve në Tiranë që të mos japin intervista në gjuhë të huaj!

    Politikani duhet të japë intervista në atë gjuhë me të cilën e bën politikën; ose me të cilën përftohet si politikan.

    Nga pasazhi i mësipërm, kuptohet se Ramën e ka folur frëngjishtja.

    1. Plotesisht dakort xhaxha! Ishte gjeja e pare qe me erdhi ne mend, kur degjova ate copez bisede me ze: Edi, me teper se ka folur frengjisht, eshte frengjishtja qe e ka folur!

  3. Shqetësimin, apo ndonjë sinonim të tij me më pak ngarkesë për të quajtur se si do të bëhej qeverisja e ardhshme, e mundëshme e majtë e Shqipërisë, ja kam hasur vetes teksa kryesisht lexonte në të zezë e në të bardhë premtimet dhe lëvizjet zgjedhore të opozitës nëpër mediet online. Ndër premtimet ka pasur dhe ka shumë çështje me rëndësi, të cilat mediet na i përcillnin drejpërdrejt nga goja e opozitës, pa i cekur më tej. Nisa të shkruaj si koment mbas shkrimit të Xha Xhait “Një frikë” me idenë se ajo frikë e tij është asgjë përpara këtyre frikave të tjera, por e prisha. Mbase sepse i jap opozitës atë çka në komunikimin shqip zor se të jepet -the benefit of the doubt- për sa thotë, mbase sepse nuk doja të isha ndër të parët për të kritikuar, mbase si alibia e një pjesë të njerëzve të shtypit dhe opinionit që ndonëse ju tingëllon keq në vesh, kanë atë bindjen solide, mbas këtyre dekadave, se asgjë s’ka për të ndodhur.
    Por kishim një frikë dhe na u bënë dy frika, e deri në vjeshtë kur qeverisja e majtë të nisë punë do të na bëhet një stivë për ta djegur dimrit nëpër ekranet e ngrohta. Me sa duket e majta ka probleme me administrimin e fitores. Kreu i saj shpall publikisht gjëra që një mendje e ftohtë s’do t’ja lejonte, dhe mbështetësit e tij si M. Nano apo Xha Xhai, shprehin po publikisht mosaprovimin. Këtë shprehjen e tyre e marr pozitive, por kanalin nga kjo bëhet jo, faktin që kjo bëhet mbas trishtues. Nëse për gjëra që s’ka pse të thuhen kryetarit të të majtës i shkulet veshi mbas të thënit të tyre, për gjëra që s’ka pse të bëhen, që s’mund të bëhen, që s’duhet të bëhen (në qeverisje) atij i duhet tërhequr vëmendja më përpara. Unë besoj se kjo duhet të jetë puna e parë dhe së pari e të majtëve, dhe mundësisht jo në rrugë publike, të pakëtn për ti lënë kaq rol opozitës.
    Pavarsisht në ç’gjuhë i ka thënë, si i ka thënë gjithë sa ka thënë këto kohë, kryetari i të majtëve ka marrë përsipër të bëjë reformatorin. Nuk ka arsye në vetvete pse ta pengosh atë të bëhet i tillë përderisa ato që ai premton të bëjë do të jenë në favor të së mirës së përgjithëshme. Është ai krekosur, ka qënë gjuha që e ka folur, këto janë dytësore para atyre që ai po pregatitet të bëjë me të marrë pushtetin, e ndonëse nuk jam kundër korigjimit të aparencës siç e quante një komentues mbas shkrimit të M. Nanos, (bile diku këtu jam shprehur se mbase nëpërmjet shfaqjes mund të fusim veti të mira ndër shqiptarë) besoj se e majta duhet ndihmuar apo këshilluar për të kryer me maturi sa do të kryejë, të kritikohet për të mos kryer sa duken të dyshimta. I dalçin për mbarë, pastaj le të krekoset e flasë çapraz në do të dojë.
    S’kam bërë ndonjë listë problemesh të diskutueshme të të ashtuquajturës Rilindje, por po sjell në vëmendje sa për ilustrim disa.
    Taksimi i ndershëm. Ditën kur të gjendet taksimi i ndërshëm unë do të nis të kërkoj gjobën e sinqertë, por përtej shakasë, ndërsa një i tillë zor se gjendet përtej mandatit të një qeverisjeje, e ta çajmë vezën nga maja apo puçka ka taksë 0, sa do të ndryshohet sistemi i taksave dhe kur, tashmë nuk është më një çështje konfrontimi me palën tjetër politike.
    “Një shoqëri të ripërtërirë me arsim, shëndetësi e shërbime sipas nevojës jo sipas xhepit;” Këto janë fjalë të kryetarit të së majtës mbas fitores së zgjedhjeve. Nuk e di ç’nëkuptohet me arsim sipas nevojës, por di se shëndetësi sipas nevojës xhepi i shtetit shqiptar nuk përballon dot edhe sikur taksat dhe tatimet të rriten dhe të mblidhen lopkë më lopkë. Shërbime sipas nevojës meriton fjali më vete. Dikush mund ta fusë lehtësisht në fjalorin marksist, por unë do ta quaja lluks të panevojshëm.
    Edi Rama në Forumin Ekonomik “Perspektiva Ekonomike 2013-2017” : Ne jemi në gjendje, e këtë e them me shumë përgjegjësi, nuk flas më mbi bazën e dëshirave të përgjithshme apo ideve, por flas mbi bazën e thellimit në këtë drejtim, që të bëjmë së pari një operacion publik të rishikimit të kthimeve dhe kompensimeve korruptive. Kemi kontaktuar agjenci të specializuara ndërkombëtare dhe kemi marrë miratimin në parim që do të bashkëpunojnë me ne. Te kjo do të bazohemi edhe në shtënien në dorë të dokumenteve origjinale të pronësisë si motra të dokumenteve të falsifikuara që mbetën në Shqipëri pas ardhjes së komunistëve në pushtet dhe do t’i marrim nga një vend mik. “
    Për kë se di ky vendi mik është Italia. Për kë e di kjo është zgjidhja ndaj shëmtisë dhe padrejtësisë që prodhuan llamarinat ku shkruhej “e Zënë” në çdo dialket. Mirëpo mua kjo më ngjan po aq me një nga ato llamarina shëmtinë e së cilës nuk e sheh dot se i varet gjithë Shqipërisë ku jo domosdoshmërisht shkruhet “e Zënë” por shkruhet “e Bllokuar”, dhe mendoj se me një jodrejtësi nuk mund të ndreqet një padrejtësi. Është rasti për ti hedhur argumentet si armët në duel e për të zgjedhur njërën, drejtësinë, gjykatën.
    Probleme si këto ka me bollëk. Meqë koha kur ato do të fillojnë të zbatohen është ende larg, mendoj se nxjerrja e tyre si me marifet, veç e veç, për diskutim më të gjërë se sa tryezat e ngushta të punës së udhëheqjes të majtë, dhe analizimi më konkret dhe jopolitik do tu shërbejë si atyre që do ti implementojnë, që ti bëjnë drejt dhe mirë, si atyre që do tu mbajnë peshën. Rrethin e atyre që duhet ta ndërmarrin këtë punë e shikoj të tkurret, të djathtët janë në amulli dhe s’kanë përfitim të kundërshtojnë gjëra që mund të mos realizohen, të majtët e PS ndodhen nën trysninë e zgjedhjes një post një karrige, të majtët e LSI nën shtysën një post, një karrige.

  4. Jane dy momente: 1. c’est une façon de s’affirmer, non ?… dhe tjetri : 2. Je m’en fous du reste… qe nuk eshte percjelle i teri ne intervisten e transkriptuar per publikim. Nje ne fillim dhe nje nga fundi, qe i shtohen habise te pse-se te qendrimit ne politike dhe qe te bejne te vesh buzen ne gaz nga trishtimi, habia, meraku dhe pasiguria qe te kapllon.

    Ngjan me shume me nje rrefim intim, te sinqerte, por kur ndodhesh ulur ne divanin e nje psikiatri, kurrsesi, jo, sidomos para marrjes te timonit te shtetit.

    Eshte domethenese qe eshte dhene e regjistruar vecse kjo pjese qe fillon ne mbarim te pergjigjes te parafundit dhe eshte lene jashte, e pa transkriptuar dicka qe te gjithe e mendojme kur lexojme apo degjojme Ramen, por jemi shume te kujdesshem te mos ta permendim.

    Por ai e mendon vete, dhe e paraprin duke e permendur. Keto lloj personazhesh publike, qe jane “aware” ne menyre kaq bizzare te realitetit te tyre mendor, jane klientet me te veshtire per nje psikiater. 🙂

    Te shpresojme se ky regjistrim do mbetet dicka pa qeder, kur te ndjekim Edin ne rrugetimin e tij politik per te “affirmer” veten ne perballjen e vdekatarit me momentin e vdekjen.

    1. Le të kemi parasysh se gazetarët që morën intervistën nuk kanë asnjë detyrim që të transkriptojnë, me besnikëri, gjithçka që thuhet aty. Teksti i intervistës i përket ligjëratës së shkruar, ndërsa regjistrimi zanor ligjëratës së folur. Janë dy nivele të ndryshme. Ka edhe gjëra të tjera, në fragmentin e regjistruar, që nuk më duket se janë përcjellë në versionin e shkruar, por kjo nuk duhet konsideruar si problem, as ka nevojë të analizohet.

    2. “Te shpresojme se ky regjistrim do mbetet dicka pa qeder, kur te ndjekim Edin ne rrugetimin e tij politik per te “affirmer” veten ne perballjen e vdekatarit me momentin e vdekjen.”

      Brenda për brenda, them se, nuk do të ndryshoj shumë. Njerëzit që votojnë Edin do të jenë po aq të kllaposur në bindjet e tyre simil-fideistike, klanore, deri diku instinktive, të rrënjosura thellë në ndërgjegjen e klanit, sikur të kenë njëfarë përbërësi trashëgimor gjenetik.

      Nga ana tjetër, nëse Edi, edhe për mua, në kohët e para të drejtimit të bashkisë së Tiranës, ka qenë një simbol, më pas u duk qartë, të paktën për mua dhe ca të tjerë, se simboli po zvetënohej, degradohej e ndotej paturpësisht, nën korrupsionin dhe kapjen flagrante nga biznesi dhe krimi, e gjitha, virtualisht, nën rimet e “The ride of the Walkyries”.

      Parë në retrospektivë, ulërimat dhe daljet me sëpëatë në dorë, nën diellin me makiazh pluhuri të Tiranës, kanë, tanimë, tjetër efekt nga ai i shkaktuar asokohe.
      Janë, jo vetëm efekte, por edhe argumente të “prera me sëpatë të madhe” mbi paaftësinë tonë në zgjedhjen dhe kontrollin e ngjitjes në pushtet të vdekatarëve frikacakë.

  5. Kjo puna e tё qenit skandinav nё ballkan ёshtё njё llak snobizmi po aq i cekёt sa dhe vetё niveli i kёsaj interviste. Por pёrtej kёsaj, kёtu shihet qartё pretendimi pёr njёfare alteriteti qё Rama po thotё se e ka. Dhe nё fakt njё dozё tjetёrsimi, ta quajmё, i duhet çdo udhёheqёsi qё kёrkon tё sjellё reformat qё Rama ka propaganduar. Ky alteritet i tij nё raport me socialistёt ka sjellё ndryshime reale nё partinё e tyre. Paçka se kёto ndryshime janё pёrjetuar ca herё ligsht nga vetё socialistёt.

  6. Nuk do te isha marre me aspektet e transkriptimit te intervistes, por me cyti me shume linku i postuar ne PTF i fragmentit te regjistruar.

    Ne transkriptimin e intervistave, si rregull numer nje, eshte te mos lejuarit jashte te asnje fjale, aq me teper, te ndonje shprehje, as edhe parafrazimi nga ana e intervistuesit.

    Bile, i kushtohet kujdes edhe te mos lenit jashte te ” fillers-ve”, mbushesve, dhe aspekteve te disfluency-s ne te folur te intervistuarit.

    Te vetmen gje qe mund te justifikohet per te mos e perfshire ishte zhurma e kapakut te shishes qe rrotullohej deri sa ndalon me ne fund diku mbi tavoline, 🙂 megjithese mund te jete nje tregues i emocioneve dhe befasine qe ngjallnin fjalet e thena, tek te dyja krahet, te intervistuarit dhe intervistuesit.

    Gazetaret kane deshmuar profesionalizem, sepse transkriptimi eshte verbatum; cfare vjen pas “Je m’en fous du restee … ” eshte lene jashte jo kot per mendimin tim, per ndonje arsye te menduar nga ata, por eshte lene ama te degjohet ne regjistrimin e postuar.

    Gjithshka siper… per t’i hedhur pak kripe komentin.

  7. Koha na lejon te merreni me studime, lajthitje, opinione ose njefare psikologjie observative mbi Shqiperine. Eshte njefare te shkuari te kohes prej emigranti. Nderkohe Saliu me Edin e shkuan kohen me aksion, te lajthitur ndoshta, nen hyqmin e nje politike margjinale. Kane me shume rezultat se ne spektatoret; njeri humbi perkohesisht, tjetri fitoi perkohesisht te ben te rrosh 100% nje ndjenje e tille.
    Eshte pikerisht mosperfshirja e plote ne kampin e te humburit apo te fituesit, pasoje e mungeses se aksionit real dhe jo virtual qe krijon frustracione te tilla si kjo mania e analizimit te nje interviste te rendomte prej tipit 4 (tragjiko-romantik) sipas enneagrames se shumeperdorur prej sufijve per te arritur perfeksionin. Nuk eshte patologjike, eshte mbi te gjitha monologu i nje artisti me qellimin e vetem e unik qe ka ne jete artisti: te jete origjinal. Dua te pranoj se jashte cdo lloj llogjike personale, me pelqen nje e folur e tille, entièrement farfelue. Ku do mbitet vendi me nje krieminister te tille? ( afirmoj ketu perkatesine time prej fshatari madje dhe jugor pa komplekse ndaj races qytetare, apo qytetare veriore po ashtu ballkanase si dhe une me te cilen emerues te perbashket kam verbin=moton, “t’i biem” , te humburit apo te fituarit nuk jane vecse compléments de verbe). Nuk e di, vertet nuk e di, po prandaj dhe e kam lene anijen tek mbytej, si plot te tjere.

    1. Kur mendon përmasën tjetër, që personazhet në fjalë, pavarësisht se çfarë thonë apo bëjnë, tashmë janë dhe do të jenë pjesë e historisë, kjo i shtohet edhe më shumë frustracionit tonë, kontraston me liliputërinë tonë, me analiza tona meskine kur përqeshim (hi, hi hi, shih se cfarë thotë….) bajgat e mëdha dhe me erë që lëshojnë njerëzit e historisë.

      Nuk na ka faj askush. Jemi pikërisht ne që kemi bërë veten të mbetemi në pozicionin e tillë, të liliputit(njeriut që nuk do te lë emër), aq më keq, të emigrantit(njeriut qe nuk ka apo e ka humbur atdheun), duke mos qenë pjesë e aksionit të bërjes të diçkaje të përmasave… si të mëmëdheut.

      Po a na ka mbetur mënyrë tjetër për të “affirmer” ekzistencën tonë mbi tokë, hijen tonë dikur?

      Dënimi? Të vdesësh nën frustrimin dhe hijen anonimatit, pa të përmendur historia. Kjo është sentenca për njerëzit e zakonshëm. Kurse njerëzit e mëdhenj, nuk mund ta pranojnë këtë raport me vdekjen dhe harresën. Prandaj janë te mëdhenj, jo të zakonshëm. Varri nuk mjafton, vdekja i bën të përjetshëm.

      ( Sidomos në një vend plot histori e ngjyra si Ruritania.)

      Amen. So be it. 🙂

  8. Artisti vdiq. Dhe lindi politikani.
    Shqiperia eshte shume e vogel per megalomanine e Rames.
    Rama ka aspiratat e Cincinatit, armikut te perjetshem te plebeve, dhe vetebesimin e Neronit, mikut me te madh te tyre.
    “Qualis artifex pereo”, do u kete thene ky i yni atyre, tek flijohesh ne altarin e politikes shqiptare. Por s`do ta kene kapur ose transliteruar ata. Frengj hesapi…

    Te kishin pasur ndonje me fustan perpara, do e kishin bere lidhjen direkte e me Jean D’Arc.

    Speech is of Time, Silence is of Eternity, My Lord.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin