KULLA E LËNË PËRGJYSMË

Tower of Babel

John Borowicz, Tower of Babel (2010)

Ka shumë interpretime të mitit biblik të Kullës së Babelit (Zanafilla 11), por prej këtyre interpretimeve, ai që gjen te miti alegorinë e përpjekjeve të njeriut për të ndërtuar Qytetin, më duket më sublimi.

Ajo e kullës është histori ndërtimi dhe ndërtimtarësh; ambiciozë, aq sa të sulmojnë qiejt e të tërheqin vëmendjen e Perëndisë – dhe jo për mirë.

Aq sa Perëndia e mori pastaj në sy t’ua prishte këtyre ndërtuesve planet madhështore, duke ua ngatërruar gjuhët.

Deri atëherë, të gjithë njerëzit flisnin të njëjtën gjuhë dhe merreshin vesh për bukuri mes tyre; por kur gjuhët erdhën e u shumëzuan, edhe folësit e tyre reshtën së ndërtuari, meqë askush nuk po e kuptonte dot të folurit e tjetrit; dhe ashtu pastaj u shpërndanë nëpër botë.

Se çfarë ndodhi me kullën e Babelit të lënë përgjysmë dhe qytetin vetë, Bibla nuk e ftillon, pse kushedi nuk e gjen me vlerë dhe interes: një gërmadhë më tepër, në peizazhet tona të marrëzisë.

Nëse çdo qytetërim është i tillë, qytetërim, sa kohë që punon për të ndërtuar qytetin e vet, atëherë nuk mund të mos e shohësh dot shoqërinë si një kullë Babeli; e cila për t’u ngritur ka nevojë që ndërtuesit e saj të mund të flasin e të merren vesh mes tyre.

Historianët e gjuhëve dhe filozofët e komunikimit gjithnjë e kanë parë rrëfenjën e Kullës si një përpjekje për të shpjeguar shumësinë e gjuhëve sot në botë; pa çka se përçarja në komunikim dhe mosmarrëveshja shkojnë më tej se diferencat thjesht gjuhësore.

Në fakt, trajektorja në kohë e çdo qytetërimi të suksesshëm, është edhe kronika e një grupi të madh njerëzish që arrijnë të gjejnë mes tyre, madje të krijojnë, gjuhën e përbashkët që u duhet për të ngritur Qytetin.

Edhe pse mijëra vjet e ndajnë kullën e Babelit nga moderniteti, prapë teknologjia dhe eksperienca nuk kanë ndryshuar shumëçka në sfidat dhe kërcënimet që u shoqërohen rregullisht projekteve madhështore.

Ideja se nuk mund të ketë sukses kolektiv pa një gjuhë të përbashkët u ka bërë ballë shekujve, për të mbërritur në kohët e sotme, kur këtë përbashkësi komunikimi e gjen të riprodhuar dhe të amplifikuar nga mass mediat.

E megjithatë, rreziku vdekjeprurës i përçarjes, virusi i moskomunikimit dhe i keqkomunikimit, ose katastrofa e shpërbërjes së gjuhës nuk janë mënjanuar.

Në Bibël përçarjen mes ndërtuesve e mbolli Perëndia, duke ua bërë ndërtuesve gjuhën e tyre copë e thërrime; por ne tani e dimë se nuk ka gjë nevojë për ndërhyrje nga lart, ose hyjnore, për të na ndarë nga njëri-tjetri, teksa rrekemi të ngremë kullën.

Rolin e djeshëm të Perëndisë, sot e ka marrë përsipër politika, si gjakim për të kapur dhe mbajtur pushtetin ndaj Tjetrit.

Ndërtimin e kullës, si projekt lavdiplotë, nuk e përfytyron dot pa një ndarje të punëve: disa bëjnë tulla me argjilë, të tjerë i pjekin në zjarr, ca sjellin bitum dhe e shkrijnë, ca i transportojnë materialet në sheshin e ndërtimit me kafshë, të tjerë i vënë tullat në mur, të mbikëqyrur nga të tjerë akoma, që kujdesen për vijat pingule, nivelet, harqet dhe rrafshet e pjerrëta. Këtej çekiçi dhe mistria, andej plumbçi dhe lapsi i teknikut a inxhinierit.

Kush e ka parë orkestrën të luajë një simfoni, do ta ketë parë edhe shfaqjen unike të ndërtimit të Kullës.

Kjo ndarje rolesh, ky specializim brenda njëjtësisë së synimit, ky bashkërendim mes dallesave është shëmbëlltyra e pluralizmit – të cilin e kemi vënë në themel të shoqërisë që duam të ndërtojmë.

Është lexim i keq, i sëmurë, i përçudnuar i demokracisë, ai që e rrëgjon pluralizmin në segmentim, sikurse ndodh rëndom në kronikat politike të Shqipërisë së tanishme; sepse segmentimi i kthen palët kundër njëra-tjetrës, duke ua pështjelluar gjuhët dhe synimet.

Dhe fare mirë ndodh që krerët e palëve kundërshtare të flasin të njëjtën gjuhë, shqipen; por në gojën e tyre ta shndërrojnë në diçka tjetër, të veçantë, të kthyer me shpinë nga Tjetri; ose në një zhargon që nuk kërkon të komunikojë, por vetëm t’i bëjë thirrje këtij apo atij grupi të shtrëngojë radhët në fushën e betejës.

Palët nuk komunikojnë më, por veç ballafaqohen; dhe në ballafaqim e sipër, nuk kujtohen më për kullën dhe qytetin që ishin duke ndërtuar, dhe që i kish sjellë tek e fundit pranë njëra-tjetrës.

Në luftë mes tyre për pushtet, prijësit harrojnë që janë zgjedhur të tillë për të udhëhequr projektin; dhe gjuhën nuk e shohin më si mjet për të komunikuar me Tjetrin përballë, sa si mjet për të identifikuar e për t’u identifikuar; si të ishte teserë a tatuazh a fjalëkalim ekskluziv.

Orvatjet e herëpashershme, për të vënë në diskutim e në dyshim shqipen e njësuar, ose standardin në valën e revansheve krahinore janë fryt i të njëjtit egoizëm; dhe ia ekspozojnë kulturën të njëjtës katastrofë që pësuan edhe ndërtuesit legjendarë të Babelit.

Shqipja e njësuar, ashtu siç e kemi dhe me atë histori të njollosur nga totalitarizmi, funksionon, megjithatë, si shenjë e thjeshtë e përbashkimit; ose garanci se në kantierin tonë të Shqipërisë së nesërme, punëtorët do të merren vesh mes tyre, sikurse do të merren vesh edhe inxhinierët, mbikëqyrësit, tregtarët dhe sipërmarrësit.

Por vetëm shqipja e njësuar nuk mjafton, për ta mundësuar ndërtimin; sikurse nuk mjafton uniforma, për ta shndërruar turmën në ushtri.

Ajo diçka e përbashkët, që ua harmonizon ndërtuesve qëllimet dhe përpjekjet dhe teknikat dhe ritmet, ushqehet para së gjithash nga dëshira dhe vullneti për të qenë së bashku.

Pluralizmi në shoqërinë shqiptare të pas-1990-ës duhej të ish mishëruar në institucionet e larta të Qytetit – duke filluar nga Parlamenti; dhe për të vazhduar me pushtetet e tjera, shoqërinë civile dhe Agora-n e komunikimit, ose mass mediat.

Përkundrazi, çfarë u është ofruar rregullisht qytetarëve, nga ato tribuna, ka qenë e njëjta shfaqje e trishtuar e dëshirës jo për të qenë bashkë, po për t’u ndarë veç; e vullnetit jo për të ndërtuar Qytetin, po për ta prishur atë.

Pas 1990-ës qytetarët e Republikës nisën, jo pa entuziazëm, të ndërtonin Babelin e tyre; dhe atje ku të përbashkëtën s’ua jepte dot gjuha, ua jepte shpresa dhe vështrimi që kishin kthyer nga Europa.

Nisën të ndërtojnë Kullën – por tani rrezikojnë një situatë të tillë absurde, ku çdo esnaf, çdo inxhinier e çdo grup po kërkon të ngrejë kullën e vet, mundësisht të rrethuar me gardh e të mbrojtur me qen e truproje.

Çfarë dukej krejt e mundshme për t’u sendërgjuar mbi gërmadhat e rendit totalitar, para 20 vjetësh, tani është vënë në dyshim; pse komunikimit ia ka zënë vendin moskomunikimi dhe tullat nuk po i përdorim më për të ndërtuar mure, por për të goditur shoku-shokun.

Zallahia e fushatës së zgjedhjeve, cirku i ulërimave, çjerrjeve, sharjeve, përgojimeve, akuzave, flamujve, megafonave, ngjyrave, ushtrive të militantëve që mblidhen e çmblidhen në pllajat veç dëshmon se virusi i përçarjes tashmë na e ka infektuar vetë thelbin tonë si qenie sociale; dhe Qytetin nuk po dimë, as po duam ta ngremë më.

Lirinë e fituar, dhe pluralizmin, duket sikur po duam ta shfrytëzojmë veç për të rikthyer në jetë një lloj regjimi gjysmë-feudal, ku secili të mund të tundë flamurin e vet, mbi gërmadhën e vet personale. Pse të lodhemi me demokracinë, kur na mjafton karnavali i saj?

Rrëfimi i kullës së Babelit, në Bibël, nuk thotë gjë për fatin e kullës dhe të qytetit, përveçse që këto u lanë përgjysmë, pasi ndërtuesit e përçarë gjuhësh u larguan nëpër botë.

Nuk pati shkatërrim, shembje, rrënim spektakular; as rrufe prej qiellit – por veç ndërprerje. Komunikimi më parë u shndërrua në kakofoni, për t’u fashitur pastaj përfundimisht në heshtje. Kjo ishte edhe vetë katastrofa – e shfaqur si ndërprerje e një projekti, ose gijotinim i ftohtë i një ambicieje.

Ky vizion s’i shpëton dot një momenti të fortë melankolik; pse ndërtuesit që iu vunë punës për të ngritur një kullë aq të lartë e të madhërishme, sa të bënin deri edhe Perëndinë xheloze, jo vetëm desh ia arritën qëllimit falë gjuhës së përbashkët dhe komunikimit; por edhe ia dolën që, duke ngritur kullën përjashta, të ndërtonin edhe veten, tullë pas tulle, si shoqëri qytetare.

Dhe vërtet desh ia dolën mbanë; pse asgjë s’mund t’i pengojë në synimet, ata që arrijnë të merren vesh mes tyre – siç e kuptoi, tek e fundit, vetë Perëndia i rrëfenjës.

Një melankoli kjo ende e pashndërruar në kob, për të gjithë ata prej nesh që ende e mendojnë Shqipërinë si projekt ndërtimi të pambaruar, i cili nuk do të mbijetojë dot, pa gjithçka që ruajmë të përbashkët mes vedit.

Shënim: botuar së pari në gazetën Impakt, të dt. 20 qershor 2013

Nuk ka komente

  1. Nga shkrimet e rralle qe jo vetem ne kontekstin e sotem por ndoshta edhe historik tonin eshte thjeshte Gjenial. Te admiroj Xhaxha qe nje momentum te tille luciditeti e ndan me ‘boten’ kaq sakte. Ndjese per komentin e tepruar, por pertej leximit te ‘Kulles’ pata nje moment te thjeshte pothuaj feminor gezimi si kur sheh se ‘a shooting star has crossed the land’.

    1. Falemnderit. Më bëhet shumë qejfi. Këtë shkrim prej kohësh e kam pasur në mendje, por sikur nuk po gjeja momentin e duhur – madje ndërkohë prisja të më vinte edhe një libër i Paul Zumthor, pikërisht për kullën, për ta zgjeruar pak kornizën konceptuale; por pastaj shkrimi doli si vetvetiu.

  2. Edhe pse në trajta të ndryshme, idesë qendrore të shkrimit Xha Xhai i ka ardhur rrotull prej kohësh. Mirëpo metafora e Kullës së Babelit është tejet e goditur, e përshtatshme, tërheqëse, mahnitëse, plot autoritet. Aq më tepër që rrethpritet e ndërthuret aty këtu me traditën shqiptare, ku jehona e kullave të rrënuara dhe e kështjellave të mbetura përgjysmë ndihet ende sot.
    Për fatin e keq të shqiptarëve, kumti kryesor i shkrimit mbetet ende aktual.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin