HESHTJA PASZGJEDHORE

Ligjet elektorale në vendet demokratike sanksionojnë që ditën para votimit të ndalohen të gjitha veprimtaritë e fushatës, si p.sh. tubime, takime me mediat, etj. Njihet prej të gjithëve si heshtja zgjedhore.

Kodi zgjedhor i Shqipërisë e përcakton heshtjen zgjedhore në nenin 77 ku thuhet shprehimisht:

Fushata zgjedhore fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve. Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të subjekteve zgjedhore.

Cila është arsyeja e këtij rregulli të drejtë? Qytetari ka nevojë të reflektojë qetësisht pas fushatës zgjedhore, ndaj i duhet një ditë “pushim”, pa poteren e zakonshme propagandistike. Pra kodi zgjedhor u jep mundësinë qytetarëve të mendohen jashtë ndikimit të propagandës së partive politike, të cilave u mbyllen megafonat dhe amplifikatorët e fushatës, derisa qendrat e votimit të mbyllen.

Ka gjithmonë nga ata që akuzojnë për thyerje të heshtjes elektorale, por nuk më duket se pati zëra të tillë në Shqipëri, ose gjithsesi problemi duket aq i vogël nga pikëpamja relative saqë nuk ia ka vënë veshin kush. Në përgjithësi, përjashto teprimet e zakonshme alla shqiptarçe, pra duke pasur parasysh standardet e politikës shqiptare, fushata zgjedhore shkoi mirë. E njëjta gjë mund të thuhet për ditën e votimit. Tragjedia e Laçit, ku sipas mediave u vra një simpatizant e u plagosën të tjerë, nuk arriti ta kthejë në tendencë të përgjithshme kombëtare shqetësimin për problemet në votime. Deri në këtë moment që po shkruajmë, pak orë pas mbylljes së qendrave të votimit, situata paraqitet e qetë. Të paktën mediat nuk raportojnë për situata serioze, por vetëm për disa parregullsi.

Dita e sotme e votimit u karakterizua nga deklaratat e partive për fitore. Të gjithë fituan: PD, PS, LSI, FRD, AKZ, e të tjerë. Deklaratat u bënë nga shtabet partiake kryesore me entuziazëm paraelektoral, përballë militantëve, pa komunikim të dhënash, por me bindjen e palëkundur për fitoren e partisë përkatëse. Nga pikëpamja matematikore ka gjithsesi diçka groteske. Të paktën një koalicion duhet të ketë humbur, e tjetri duhet të ketë fituar, edhe pse në politikë matematika ndonjëherë nuk ekziston, ka raste për shembull që humbasin të gjithë.

Sipas gjasës, njëra nga palët duhet t’i kthejë mbrapsht fjalët e fitores që lëshoi e duhet ta pranojë humbjen. Por kjo vetëm teorikisht. Ekziston gjithnjë mundësia që fajin e humbjes ta ketë kundërshtari, si mundësi daljeje nga situata të nesërmen e rezultateve.

Deklaratat për fitore nuk bazohen në të dhëna konkrete, sepse numërimi i votave nuk ka filluar ende. Partitë bazohen, gjithnjë sipas tyre, nga të dhënat operative, exit poll-et, sondazhet, etj. Të gjitha këto janë megjithatë të parëndësishme në funksion të deklarimit të fitores, ndaj edhe maturia është e detyrueshme. Mirëpo, siguria e deklaratave për fitore është asgjësuese. Nga të gjitha palët. Asnjë prej tyre nuk lë ndonjë shteg të hapur, që nesër të mos përgënjeshtrohet nga rezultati. Asnjë dyshim, asnjë hamendje. Siguri totale.

Deklaratat për fitore ka gjasa të jenë mesazhe që dy kampet ia dërgojnë njëri tjetrit. Pra nuk janë kumte që ia drejtojnë publikut, meqë tashmë fushata elektorale mbaroi, kush kishte për të votuar votoi. Kampet kundërshtare gëzohen, gazohen, hakërrehen, skërmiten, brohorasin, për t’i treguar palës tjetër se loja nuk ka përfunduar ende. Ndoshta ka të bëjë edhe me procesin e numërimit të votave, ku marrin pjesë përfaqësuesit e partive që kanë nevojë për entuziazmin e partisë. Sidoqoftë, tonet paszgjedhore duhet të ulen, sepse militantëve të ndezur çdo gjë u vjen e amplifikuar.

Në botë nuk ndodh shpesh që palët konkurruese ta deklarojnë njëkohësisht fitoren, ndërsa kutitë e votimit janë ende të mbyllura. Zakonisht partitë tregohen të matura, në pritje të rezultateve përfundimtare nga komisioni zgjedhor. Kjo edhe për shkak se shumë forca politike janë djegur ngaqë fillimisht e kanë deklaruar fitoren, por më pas rezultatet nuk u kanë dhënë të drejtë.

Këtë rregull e njeh edhe politika shqiptare, që rrjedh nga logjika e praktika, por ndoshta kemi të bëjmë me taktika komunikuese, që e anashkalojnë kujdesin që duhet pasur në kësi rastesh. Deklaratat për fitore mund të jenë edhe preventive (parandaluese), në kuptimin që pohoj se fitova që të jem brenda, që të mos dukem sikur kam humbur, sidomos nëse kundërshtari deklaron se ka fituar i pari. Ose si presion i llojit: “Deklaroj që fitova. Nëse humbas fajin e kanë pisllëqet elektorale”. Lojë nervash. Megjithatë, ka ndonjë aspekt disi qesharak në deklaratat fitimtare të partive ende pa filluar numërimi, pra pa fitore. Më normale do të ishte heshtja, ose ndonjë koment fillestar për procesin, pjesëmarrjen, problematikat, etj.

Pikërisht për këto arsye mund të propozohet, në mënyrë provokuese, që kodi zgjedhor të parashikojë gjithashtu heshtje paszgjedhore. Një ditë heshtje para, një ditë heshtje mbrapa. Në mes zgjedhjet. Do t’i bënte mirë edhe politikës shqiptare, jo vetëm qytetarëve. Jemi të gjithë të lodhur. Kemi nevojë për qetësi. E maturi.

Nuk ka komente

  1. keni ju nevoje per qetesi, por jo numeruesit dhe anetaret e komisioneve, te cilet duhet te mbajne moralin dhe entuziasmin larte se perndryshe i dorezohen tundimeve, presioneve e te tjerave shtysave negative a pozitive kur “uraten e merr ferra”

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin