LOST IN STATISTICS

grafike te ndryshemPa vënë ende në buzë kafen e mëngjesit, numrat na heqin dëshirën për të vazhduar me dy biskotat e zakonshme. Edicionet informative, para se të japin temperaturat e ditës, na komunikojnë treguesin Nikkei në Tokio, pastaj me mbarimin e parashikimeve të kohës, mes temperaturash në gradë celcius e shpejtësi erërash, na sjellin shifrat e papunësinë, për të vijuar me sondazhin e ditës së mëparshme, ose me kursin e këmbimit… Ndërkohë bursa në Europë sapo ka nxjerrë në ekranet e veta shifra të freskëta, kurse konferenca e paradites për demografinë sapo ka komunikuar luhatje të rëndësishme të popullsisë, në pritje të simotrës pasdite, që do të flasë me Power Point për ekonominë dhe shoqërinë. Leximi i gazetës që do të blejmë poshtë pallatit, do të kthehet në garë interpretimi shifrash të interpretuara nga dikush tjetër.

Fakti është se bombardohemi çdo ditë me tonelata të dhënash eksplozive, jemi të zhytur deri në grykë në një det me shifra, shpërqendrohemi nga grafikë me ngjyra në trajtë tortash e kallamash sheqeri, na merren mendtë përballë tabelave me përqindje dhjetore, verbohemi nga numrat gjithnjë e më të saktë pas presjes… Qytetari global është përnjimend në ditë të hallit. E jo vetëm për faj të mediave. Mirëpo, kjo botë plot të dhëna e numra është bërë vallë më e kuptueshme për ne vdekatarët e thjeshtë?

Luksi përtej detit

Sikur ta zhvendosnim në Shqipëri debatin për të dhënat e statistikat, që u zhvillua në Itali para disa kohësh, do të gjendeshim përballë një situate surreale. Në të vërtetë një debat i tillë ndoshta nuk do të lindte kurrë, duke pasur parasysh realitetin aktual të statistikave në vend.

Një nga qendrat më të njohura studimore në Itali, Censis (Centro Studi Investimenti Sociali), zhvilloi një përsiatje për vlefshmërinë e të dhënave të shumta që qarkullojnë sot në media e gjetiu. Sipas qendrës Censis, po ndodh një farë inflacionimi të dhënash, shkaktuar nga hiperprodhimi i tyre.

Rasti i Italisë është flagrant në këtë pikë: një sondazh në ditë, katër studime në javë nga Istat, botime në rritje çdo vit, me mijëra të dhëna online, pa llogaritur të dhënat nga Fondi monetar ndërkombëtar, Osbe, Banka Europiane, Eurostat, Dhomat e tregtisë, shoqatat përfaqësuese, qendrat studimore, fondacionet, universitetet, e kështu me radhë. Të dhënat, natyrisht, kanë të bëjnë me sektorë të ndryshëm. Ajo që i bashkon është dukuria e prezantizmit, në kuptimin e rendjes për paraqitjen e të dhënave me synim dokumentimin e situatave të ndryshme.

Ky lloj përshkrimi, thotë Censis, na jep kuadrin e pjesshëm të realitetit, nuk e interpreton atë në tërësinë e vet komplekse. Kemi më shumë numra, më shumë informacion, më shumë mendime, por ndalemi tek efekti i njoftimit mediatik, pa i lexuar thellë të dhënat, pa i interpretuar dobishëm statistikat.

Arsyet e shumëfishimit të informacionit janë të njohura për të gjithë. Së pari, kanë ndikuar teknologjia informatike dhe interneti, të cilët mundësojnë jo vetëm shkarkimin me një klik të miut megabyte pa fund të dhënash, por edhe konsultimin e tyre në gjithfarë formatesh e aplikacionesh. Të dhënat janë rritur si nga ana sasiore, ashtu edhe nga ajo cilësore. Gjejmë në internet databaza të hollësishme, që mund t’i ripërpunojmë me programin e parë që na vjen për shtat, nga Excel tek Access, nga Oracle tek SQL Server.

Hiperprodhimi i të dhënave duhet parë edhe në kuadrin kulturor. Në botë kërkesa për transparencë, sidomos në vendet demokratike, ka bërë që institucionet e ndryshme t’ua hapin dyert publikut për të parë çfarë kanë brenda e çfarë shifrash prodhojnë. Në qoftë se shoqëria kërkon më shumë informacion për veten, edhe institucionet i pretendojnë, së paku nga pikëpamja e dobishmërisë njohëse. Partitë gjithashtu janë të interesuara për ta njohur korpusin elektoral dhe kërkesat e qytetarëve, sikurse janë të interesuara administratat vendore për politikat që duhet të ndjekin në nivel lokal.

Nuk duhet të harrojmë se bota ekonomike është jo vetëm prodhuese, por edhe porositëse, e të dhënave, po të kemi parasysh interesat e ligjshme ekonomike të ndërmarrjeve që duan ta njohin konsumatorin nga disa pikëpamje për ta kalibruar strategjinë e menaxhimin. Në këtë kuadër, interneti dhe studimet statistikore kanë bërë të mundur njohjen gjithnjë e më të nyjëtuar të konsumatorëve, çka e ka rritur kapicën e të dhënave të disponueshme.

E megjithatë, sipas Censis, gjithë ky bollëk informatik nuk ka vyejtur shumë. Për krizën e fundit dimë pak gjëra, edhe pse çdo ditë na serviren numra pa hesap që tregojnë bursën, spread-in, aksionet, obligacionet. Për ekonominë ka të dhëna pa fund, por politika të efektshme ekonomike ka pak.

Skamja këtej detit

Në Shqipëri një debat i tillë për përdorimin e të dhënave do të ishte luks i vërtetë, madje në disa aspekte i papropozueshëm. Personalisht do të kisha dëshiruar që të ishim në atë pikë sa të merreshim me debate kulturore për mënyrën se si duhen përpunuar dhe lexuar të dhënat. Gjithsesi, duhet pranuar se gjatë viteve të pluralizmit janë bërë shumë hapa përpara lidhur me prodhimin e të dhënave statistikore. Nga pikëpamja statistikore as që mund të bëhet krahasim me periudhën totalitare. Megjithatë, krahasimi është i pambajtshëm në rast se bëhet vetëm në planin sasior, për sa kohë problemi i të dhënave në kohën e regjimit nuk ishte sasia, sesa besueshmëria e tyre, meqë dihet se shifrat ishin gjithnjë në shërbim të propagandës zyrtare.

Polemikat e shumta që ndoqën procesin e Censusit të vitit 2011 treguan se edhe në Shqipëri ka probleme me të dhënat. Mirëpo, problemi i parë vijon të jetë ai i besueshmërisë, çka nuk u shkaktua vetëm nga aspekti fetar i Censusit. Në fakt, kur themi besueshmëria e të dhënave nënkuptojnë në realitet besueshmërinë e institucioneve që i përpunojnë të dhënat. Në këtë pikë krahasime me vende të tjera perëndimore vështirë të bëhet, edhe pse nuk mungojnë as në ato anë akuza për pasaktësi e ndikim të politikës ndaj prodhuesve të numrave. Në përgjithësi, objektiviteti i institucioneve që përpunojnë të dhënat merret si i mirëqenë, duke pasur parasysh objektivitetin e tyre dhe etikën profesionale me të cilën kryejnë operacionet e rilevimit të të dhënave.

Pavarësisht nga besueshmëria e gëzuar, duhet pranuar se ka pasur rritje sasiore të të dhënave shqiptare. Jo vetëm institutet shqiptare, por edhe organizatat ndërkombëtare, kanë prodhuar mjaft të dhëna dy dhjetëvjeçarët e fundit. Megjithatë, jemi shumë larg bollëkut për të cilin ankohen të tjerët, madje bollëku do të ishte përnjimend urim i mirëpritur. Edhe pse me profesionalizëm të lartë, ata pak staticienë që ka Shqipëria, punojnë në një boshllëk të dhënash që nuk i ndihmon në përpunimin ose interpretimin e tyre.

Ndryshe nga vende të tjera, në Shqipëri ende nuk ekziston “kultura e numrave”, në kuptimin e respektit që duhet pasur ndaj shifrave që na ndihmojnë në njohjen e realitetit. Këtu ka ndikuar jo vetëm instrumentalizimi i tyre, por edhe mosbesimi i trashëguar. Të dhënat në Shqipëri shihen përgjithësisht si shprehje të politikës – qoftë kur bëhen nga qendra studimore, qoftë kur bëhen nga organizma të tjerë – jo si numra e statistika që duhen interpretuar fillimisht nga ekspertët, e më pas të trajtohen politikisht, në kuptimin që në bazë të tyre të ndërmerren politika të caktuara. Në vende të tjera, vështirë të dëgjohen fjalë të rënda për manipulim të dhënash, ndërkohë që në vendin tonë kjo akuzë bëhet në mënyrë periodike.

Nuk mungon gjithsesi në Shqipëri botimi i të dhënave nga mediat, madje shpeshherë në faqe e në plan të parë, duke emfatizuar shifrën e rastit. Por kjo ndodh shpeshherë me sipërfaqshmëri të llahtarshme, duke “djegur” tema thelbësore për shoqërinë shqiptare. Në kahun tjetër, studime e anketime tejet të vyera kyçen në revista të specializuara, harrohen nëpër rafte bibliotekash, ku mbulohen gradualisht nga pluhuri i harresës. Në këtë mënyrë statistikat kthehen për fat të keq në qëllim në vetvete. Në qoftë se sondazhi i fundit politik krijon polemika partiake, kjo është e kuptueshme, sikurse janë të kuptueshme analizat afatshkurtër që rrjedhin prej tij. Mirëpo, nuk duket normale që shifra për rritjen e divorceve, ose uljen e blerjeve të banesave, të kalojë vetëm si meteorit në trajtë titulli nëpër media, pa iu nënshtruar analizave sociologjike dhe ekonomike, para se të kalojë në duart e politikës për të marrë masat eventuale.

Nuk duket që trysnia për transparencë e bollëk të dhënash të jetë e lartë në Shqipëri, çka me siguri lidhet edhe me gjendjen e shoqërisë civile e me kulturën e munguar të numrave. T’u kërkosh institucioneve përkatëse sasi e cilësi të dhënash, çka nënkupton edhe përditësimin e pandërprerë të tyre, do të thotë fillimisht dëshirë për ta njohur vetveten. Kjo njohje bëhet detyrim edhe për politikën, për sa kohë kjo duhet t’i përgjigjet fotografisë që i është bërë realitetit përkatës, për të cilën publiku është në dijeni.

Le të marrim një shembull sa të thjeshtë nga kuptimi, aq edhe “të lehtë” nga rëndësia. Temat që gjenden në faqen e internetit të Instat-it janë të shumta. Disa përmbajnë më shumë materiale se të tjerat. Në temën “Kultura”, gjenden të dhënat për aktivitetin e institucioneve të kulturës e të artit. Shifrat që paraqesin gjendjen e bibliotekës kombëtare, të bibliotekave në rrethe, të teatrit, galeritë e arteve, muzetë, kinematë, janë shumë interesante. P.sh. mund të shikohet ecuria e anëtarëve të bibliotekës kombëtare, titujt e skedarit në vite, sasia e spektatorëve, numri i sallave, etj. Kjo do të ishte e dobishme jo vetëm për studiuesit e mediat, por edhe politikëbërësit kombëtarë e vendorë njëkohësisht. Për fat të keq, të dhënat shpeshherë paraqiten të paplota e për më tepër ndërpriten në vitin 2007, ose ndoshta gjenden me vështirësi në faqen e internetit, çka shpie sërish në pamundësinë e përdorimit të informacionit.

Nuk mund të lihet në harresë fakti se shqiptarët janë nga një anë të mbiekspozuar ndaj të dhënave që vijnë nga mediat e huaja nëpërmjet mediave dhe internetit, nga tjetra u mungojnë shifrat e duhura për t’u orientuar në realitetin e vendit të vet. Përsa u përket aktiviteteve të biznesit shqiptar, nuk duket që të kenë arritur ndonjë nivel kërkimor e studimor të të dhënave për qëllime tregu.

Disponueshmëria masive e të dhënave nuk çon detyrimisht në leximin e saktë të tyre; ky proces mund të degradojë në inflacion total, përderisa mediat çirren me përqindje e shifra bombastike të përkundërta, sa për të tërhequr dy shqisa më shumë, por nuk ulen për t’i përkthyer seriozisht numrat për të mirën e publikut. E njëjta gjë vlen për studiuesit profesionistë dhe institucionet. Të dhënat e ndryshme statistikore janë mjete njohëse, pasqyra të njëmendta, por nuk kanë asnjë vlerë në rast se mungon dëshira për të njohur.

Nuk ka komente

  1. Te dhenat statistikore ne regjimin monist kane qene pothuajse pasqyrim i reales apo i se vertetes. Kjo per shkak te sistemit te centralizuar mbi pronesine dhe mjetet e prodhimit, kontrollit rigoroz dhe ndeshkimor mbi financat dhe inventaret ekonomike, si dhe te teresise se ligjeve, regullave dhe udhezimeve qe mundesonin grumbullimin e te dhenave e deri ne perpunimin e tyre. Por nga ana tjeter, berja publike ose jo e tyre apo e nje pjese te tyre ishte monopol i kastes drejtuese, qe sigurisht per efekte propagande apo ideologjike ne shume raste i manipulonte shifrat per publikun.
    Ndersa sot situata eshte krejt ndryshe. Kemi 20 vjet coroditje totale te cdo gjeje jo vetem materiale por edhe shpirterore. Pretendohet se nxirren te dhena e tregues, ka transparence per metodiken, raportimin e analizat, por le shume per te deshiruar cilesia apo vertetesia e te dhenave. Nese psh do te besh nje studim tregu mbi bazen e te dhenave te INSAT-it per te pare fizibilitetin per nje investim te caktuar sigurisht qe qe ne nisje je i mashtruar dhe konkluzionet rjedhimisht do te cojne ne marrjen e nje vendimi te gabuar. Prandaj, per sa kohe do te vazhdoje shkalla e larte e informalitetit ne cdo aspekt te jetes do te ishte me mire qe te behej nje “qethje” e tregueseve statistikore dhe te dalin publikisht vetem ato qe kane nje koeficient vertetesie te larte. Ndersa te tjerat me mire te mos publikohen fare sepse vetem ngaterojne.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin