ABSTENIMI ZGJEDHOR

Herët a vonë në demokraci zgjedhjet hasin dukurinë e abstenimit, me fjalë të tjera mospjesëmarrjen në votim. Në Shqipëri ka plot qytetarë që abstenojnë e nuk shkojnë në qendrat e votimit. Para se të vlerësohet si zgjidhje, duhen analizuar arsyet që e shtyjnë individin për të shmangur të drejtën e votës.

Studimet politologjike i kanë skeduar tashmë të gjitha format e abstenimit elektoral. Mbetet vetëm të hulumtojmë karakteristikat e veçanta që shfaqen në shoqërinë shqiptare. Megjithëse pyetja kryesore që bëhet në kësi rastesh është nëse abstenimi ka të bëjë me apatinë apo me protestën, ka edhe lloje të tjera të shprehjes së tij.

I ashtuquajturi abstenim demografik lidhet me pamundësinë e qytetarëve për të shkuar në qendrat e votimit për arsye moshe, ose sëmundjesh të tjera penguese. Kjo dukuri u përket të gjitha vendeve, por në Shqipëri mund të rëndohet për arsye se mungojnë transportet e shërbimet specifike që mund të ofrohen në kësi rastesh. Qytetari i moshuar ose invalid e ka të vështirë të votojë, ndaj parapëlqen të abstenojë.

Në kategorinë e mësipërme nuk ka arsye politike që e shtyjnë individin të mos shprehet nëpërmjet votës. Kemi të bëjmë, si të thuash, me arsye teknike, sikurse ndodh në rastin kur vetë procesi i votës (listat, certifikatat, etj.) perceptohet si i ndërlikuar. Si rrjedhim, qytetari vendos t’i braktisë qendrat e votimit.

Pavarësisht se këto lloje abstenimi kanë karakter “fiziologjik”, nuk duhet harruar se janë gjithsesi të induktuara nga shkaqe të tjera, që shkojnë përtej dëshirës së mirëfilltë të qytetarit. Për shembull në qoftë se të moshuarit ose invalidët do ta kishin infrastrukturën e nevojshme dhe asistencën e duhur, një pjesë e tyre me siguri do ta merrte mundimin të votonte. E njëjta gjë mund të thuhet për ata që e shikojnë votën si barrë të rëndë. Në qoftë se emri nuk do të fluturonte pa kuptim nga një qendër tek tjetra, e nga një lagje tek tjetra, çdo katër vjet, ndoshta dëshira për të votuar do të ishte më e madhe. Ndoshta qytetari nuk abstenon për qëllime politike, por është vullneti politik ai që e shtyn në mënyrë indirekte të mos marrë pjesë në votime.

Le të kthehemi tek pyetja qendrore (shenjë apatie apo proteste?), e cila kërkon interpretim të sjelljes elektorale të qytetarit. Apatia zgjedhore verifikohet tek ata individë që nuk kanë kurrfarë interesi për politikën. Teorikisht, kjo kategori në Shqipëri duhet të jetë në rritje e sipër, meqë supozohet se interesi për politikën ka qenë maksimal pas rënies së regjimit totalitar. Që nga ai moment e tutje lakorja e apatisë normalisht duhet të tregojë vlera më të larta. Gjithsesi, politika është mjaft e pranishme në shoqërinë shqiptare, çka e shtyn këtë të shprehet gjatë votimeve.

Natyrisht, indiferenca ndaj politikës në përgjithësi dhe aktit të votimit, që është një nga mënyrat e pjesëmarrjes në jetën e komunitetit, sipas politologëve, varet nga shumë faktorë që lidhen me pozitën sociale, gjininë, punën, lidhjet me politikën, vendbanimin, etj. Gjithsesi, këta faktorë analizohen zakonisht pas zhvillimit të zgjedhjeve, ngaqë bashkë me fituesit e humbësit dalin edhe shifrat e abstenimit. Në Shqipëri abstenimi elektoral është i vështirë për t’u matur e për t’u studiuar, sepse në listat zgjedhore rezultojnë edhe emigrantët, të cilët në një pjesë të rasteve nuk votojnë jo sepse janë apatikë, por sepse e kanë të pamundur të kthehen në atdhe për të votuar.

Rritja e abstenimit i faturohet zakonisht mosbesimit të qytetarit ndaj politikës. Në qoftë se mosbesimi vjen për arsye individuale atëherë kemi një qëndrim apatik, por kur qytetari nuk voton sepse ka mbetur i zhgënjyer nga politika e deritanishme atëherë kemi të bëjmë me shenjat e para të protestës. Në fakt, dukuria e abstenimit elektoral si protestë, ndryshon kryekëput me apatinë. I pari është veprim i vetëdijshëm (nuk shkoj të votoj për inat), i dyti është indiferencë e plotë (nuk shkoj se nuk më intereson); qytetari i parë e di shumë mirë datën e votimit, i dyti nuk e ka idenë; i pari shkon në plazh si alternativë, i dyti shkon në plazh si zakonisht.

Si edhe në vende të tjera, në Shqipëri duhet të ketë patjetër abstenues për pamundësi përditësimi me politikën. Edhe pse ka mëse njëzet vjet që dy partitë kryesore nuk ndryshojnë emër, ofertat partiake janë të shumta. Si shembull mund të jepen formacionet e fundit politike shqiptare, ose kalimet rokamboleske nga një koalicion tek tjetri, që për njerëzit e painformuar nuk janë të thjeshta për t’u kuptuar.

Abstenimi si protestë është përdorimi i mosvotimit si votim. Njerëzit e zhgënjyer nga politika vendosin të mos votojnë, madje nuk joshen as nga opsioni montanelian i votimit duke zënë hundët. Shpeshherë e bëjnë me dëshirën për t’i dërguar një mesazh të fortë politikës. Sipas gjasës, edhe kjo kategori duhet të ketë një farë numri në Shqipëri. Nuk është e thënë që abstenuesit e nxehur e të dyzuar të mos kthehen më në qendrat e votimit. Mungesa e tyre mund të jetë e përkohshme.

Llojet e abstenimit të përshkruara më sipër mund të hasen çdo ditë në xheste si ngritje supesh, mbledhje buzësh, ose në fjali të thjeshta si: “Nuk e kam idenë”, “Jam plakë e nuk lëviz dot”, “Nuk e kisha emrin”,  “Kam punë”, “E ç’rëndësi ka vota ime?”, “Janë të gjithë njëlloj”, “Janë të gjithë mashtrues”, “Nuk di kë të votoj”, etj. Janë të gjitha të kuptueshme, të ligjshme, njerëzore.

Megjithatë, cilado qofshin format e abstenimit zgjedhor, cilado qofshin arsyet e abstenuesve, mosvajtja në votim është dështim i politikës dhe i qytetarisë. Pjesëmarrja në jetën e bashkësisë, përfshirë atë politike, më shumë se e drejtë është detyrë që duhet ushtruar nga çdo qytetar për të mirën e përbashkët.

Nuk ka komente

  1. Kot. Ne shqiperi ka deshtuar procesi i demokratizimit,ketu hapen manualet e demokracive te konsoliduara. Shqiperia eshte si roma republikane ku patricet blinin vota plebejsh, jepnin buke e benin spektakle gratis per institucionet ku duhej vota. Nuk te ben demokraci e drejta e votes.

  2. Pishak,

    “Abstenimi si protestë është përdorimi i mosvotimit si votim. ” dhe paragrafi i fundit nuk me rakordohen. Detyren dhe pergjegjesine qytetare e kryen edhe duke abstenuar (pa vajtur ne plazh fare dmth). Abstenimi eshte qendrim, si ne rastin e votes elektorale, si edhe ne cdo votim tjeter, shpreh nje pozicion te caktuar qe nuk perputhet me alternativat e ofruara ne votim. Fakti qe alternativa e trete apo e katermbedhjete nuk eshte pjese e votimit apo eshte utopike, e parealizueshme etj., nuk me heq mua te drejten qe te refuzoj votimin e alternativave te ofruara. Ky eshte pozicion i ligjshem, i moralshem dhe meriton te njejtin respekt si votat e tjera.

    1. Shumë individë abstenojnë për të protestuar dhe kujtojnë se mosvotimi është votim. Thjesht iluzion. Në fund të zgjedhjeve llogariten votat, jo mosvotat. Praktikisht kush nuk shkon të votojë, vetëm sa ia delegon dikujt tjetër këtë detyrë. Teorikisht kandidatët mund të zgjidhen edhe me 8% të zgjedhësve, ose më pak. Politika do t’ua dëgjonte zërin abstenuesve vetëm në një vend ideal, që po të ekzistonte nuk do të prodhonte abstenues. Si të thuash, vetë arsyet e abstenuesve të çojnë në përfundim se duhet votuar.
      Nuk ka diskutim që abstenimi zgjedhor është i ligjshëm. Askush nuk ka të drejtë t’i penalizojë ata që nuk duan të shkojnë në votim. Por abstenimi (mosvotimi), edhe pse i mirëkuptueshëm, nuk mund të vihet në të njëjtin plan me votimin; ky i fundit është e drejtë e qytetarit, por edhe detyrë njëkohësisht. Nuk duhet ngatërruar, gjithsesi, mosvajtja në votim, me abstenimin nëpërmjet votës. Janë dy fenomene të ndryshme.

  3. Shumë individë abstenojnë për të protestuar dhe kujtojnë se mosvotimi është votim. Thjesht iluzion-Pishaku

    Po pse votimi ne Shqiperi cfare eshte? Nuk eshte iluzion?

    Në fund të zgjedhjeve llogariten votat, jo mosvotat.-Pishaku

    Gabim. Ne fund te zgjedhjeve ne Shqiperi llogariten jo votat por NUMERIMI.

    Tani i dashur, me thuaj ne Shqiperi cfare na mbetet te bejme ne keto kushte? Perndryshe mire e ke shkruar kete artikullin.

      1. Abstenimi ne Shqiperi nuk ka te beje vetem me protesten ndaj paleve politike, por edhe me pasigurine e plote ne vete procesin. Edhe kjo e ka paradoksin brenda: nese deri me dje ishin partite qe dekurajonin njerezit, apo nje kategori njerezish per te marre pjese ne votime, duke patur si rezerve sigurie berthamen e militanteve dhe masen e madhe te njerezve qe potencialisht asociohen me njeren nga te dyja per arsye sociale, e kulturore, sot jane po keto parti qe apelojne per pjesemarrje ne zgjedhje. Dje PD-ja ne opozite, sot PS-ja ne opozite. Por duke mos e ndryshuar oferten dhe duke mos u distancuar nga te gjitha hupet e ketyre 22 viteve, ne thelb ato edhe kete apel, qe parimisht aplikohet si lende e zbatimit te parimeve dhe detyrimeve qytetare, ta kovertojne ne nje rreshtim militant, duke polarizuar artificialisht te gjithe shoqerine. Ndertimi ciklik i te keqijave me te vogla qe nderrojne vendin i ndihmon kesaj filozofie qe meton te shfaqet si evolutive ne kontributin per permiresimin e sistemit, por thjesht e ndihmon ate te ruaje gjendjen me forca te reja. Eshte nje teknike qe konsumon kapilaret e mbetur te shoqerise dhe eliminon protesten subversive, e si ketille progresiste ndaj ketij sistemi, qe ne momentin kur votimi si akt filtrohet nga autocensurimi i brendshem dhe nevoja per te bere kompromis mes dy alternativave. Dhe po te vihet re, ne momentin qe sistemi zgjedhor, qe eshte ne pararoje te ekulibrit politik, ka ceduar llogarite e te dyja paleve, eshte kaluar ne reformim te tij, ne zbatimin e nje logjike qe vetem sa e thellon marzhin e padrejtesise dhe ul normen e perfaqesimit. Sot skena politike, po te shihet nga votat nuk eshte dypolare, por po te retifikohet me mandate ajo eshte vetem dypolare. Si ta rregullosh kete problem me pjesemarrje? Qe tani kane nisur te thone se vota per AK-ne, apo vota per FRD-ne, apo vota per nje parti tjeter, eshte nje vote e Djegur. Atehere? Cfare te bej une, te shkoj e te votoj per veten? Jo, ore pse ta djeg veten, kur mund te bej ate qe Duhet: o te hyj me PS-ne o me PD-ne.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin