MOS I FOL SHOFERIT

Çfarë mësuam nga polemika e prostatës? Shumë gjëra, e pak kanë lidhje me problemet e prostatës. Për ata që nuk e kanë ndjekur, kryesisht për lexuesit e rinj të blogut Peizazhe të fjalës, po bëjmë një përmbledhje të shkurtër. Më dt. 24 maj 2013 në gazetën “Panorama”, Dr. Myftar Barbullushi boton artikullin “Telefonata e tmerrshme”. Dy ditë më vonë në blogun Peizazhe të fjalës, Xha Xhai nxjerr një shkrim me titull “Votoni me prostatë”, shkrim që rimerret nga një e përditshme në Tiranë. Më datë 30 maj, “Panorama”  publikon shkrimin “Doktor Vehbiu dhe analiza filologjike e testit të prostatës”, me autor Mark Markun. Një ditë më vonë, Xha Xhai i jep përgjigjen me titull “Zëri i qytetarit”, që pasohet nga shkrimi “Kur të ikën shkrimi nga blogu”, i datës 1 qershor.

Mësimi i parë lidhet me keqkuptimet që lindin gjatë kalimit të tekstit nga gjendja numerike (digjitale) në letër. Në një shkrim të gjatë për aventurat e tekstit online, pata mundësinë të shpjegoj se zhvendosja e një shkrimi çfarëdo nga hapësira e internetit tek ajo e letrës, sidomos kur kemi të bëjmë me internim pa lejen e autorit, e shpërfytyron qëllimin e autorit e të tekstit njëkohësisht, për faktin e thjeshtë se ishte konceptuar për një lexues tjetër. Mjedisi “intim” që të krijon blogu, klima bashkëbisedimit të lirë me lexuesit, është shumë larg ftohtësisë së hapësirës tradicionale të letrës, ku veprojnë ligje të tjera gravitacionale. Për natyrën e vet, një shkrim në blog mund të luhatet nga përmasa konfidenciale deri në atë debatuese, meqë autorët herë e përdorin blogun si rrëfyestore, herë si laborator ku çojnë ide për analiza të mëtejshme. Është afërmendsh, madje e parashikueshme, që botimi në gazetë i tekstit në internet – siç i ndodhi shkrimit të Xha Xhait meqë u ribotua në gazetën “Dita” pa lejen e tij – krijon keqkuptime e reagime të shpërpjesëtuara në raport me idenë fillestare të autorit.

Në këtë pikë nuk është keq të analizohet, me respektin e duhur natyrisht, replika që i bëri Mark Marku shkrimit “Votoni me prostatë”. Notat fillestare tingëlluan jashtë pentagramit, sikurse toni u duk i papërshtatshëm. Publicisti Marku nuk duhet ta kishte personalizuar çështjen në atë mënyrë, për hir të temës serioze që ngriti. Që në fillim, nëpërmjet titullit, ose fillimit të artikullit, ndihej se diçka nuk shkonte ndaj Xha Xhait, duke e quajtur “publicist e filolog”, çka në pamje të parë nuk përbën asnjë problem. Personalisht e kam të vështirë ta përkufizoj figurën publike të Xha Xhait, ndaj edhe përcaktimet si “publicist e filolog”, edhe pse të vërteta, më duken reduktive, aq më shumë që në këtë rast tingëllojnë disi instrumentale; në fakt këto përkufizime nuk janë aq të sinqerta, për sa kohë i shërbejnë përqasjes krahasimore me titullin “profesor” të Barbullushit, duke lënë të nënkuptohet një farë hierarkie midis dy profileve. Duke pasur parasysh kompetencat e studiuesit Mark Marku, dhe duke ia vlerësuar veprën, do të prisnim me dëshirë që të fliste për tema madhore si shkenca në sferën publike shqiptare, komunikimi midis mjekut e pacientit, shëndeti publik në media, përdorimi i informacionit mjekësor nga qytetarët, edukimi shëndetësor, etj.

Me sa kuptova unë, Xha Xhai e ngrinte zërin në rolin e tij prej intelektuali, në qoftë se me “intelektual” nënkuptojmë zëdhënësin e publikut. Ndoshta ky është mësimi i dytë. E pra problemi i mbidiagnostikimit është shqetësues për të gjithë qytetarët, madje edhe për shtetin vetë. Nga ana tjetër, nuk duhet të harrojmë diçka që e kemi përsëritur shumë herë në blog: në sallën e ligjëratës publike, intelektualët janë ata që bëjnë pyetje, kurse ekspertët janë ata që japin përgjigje. Nga kjo pikëpamje, shkrimi “Votoni me prostatë” përbën një pyetje të madhe, për mjekët shqiptarë në veçanti e mjekësinë botërore në përgjithësi. Pyetjet janë mëse të ligjshme e mund të bëhen nga kushdo, aq më tepër që tani për temën qarkullojnë informacione të përkundërta. Në çastin kur prof. Barbullushi, për profesionalizmin e të cilit nuk kam asnjë dyshim, mori mundimin dhe e parashtroi në media problemin e prostatës, pra për  publikun e gjerë, bëri një pakt me lexuesit, që ka të bëjë edhe me pyetjet e shumta që mund të lindnin nga një temë e tillë. Pyetje si këto janë jo vetëm të natyrshme e të kuptueshme, por kërkojnë edhe angazhim për t’iu përgjigjur me durim. Roli i shkrimit tek Peizazhe të Fjalës, për mendimin tim, kishte vetëm këtë rol, t’u jepte zë dyshimeve e pyetjeve që qarkullojnë në mendjet e qytetarëve, duke cituar mediat e huaja lidhur me propozimin e profesorit shqiptar. E këtë mund ta bënte edhe një inxhinier, psikolog, shkrimtar, nëpunës, pa qenë nevoja për të qenë filolog. Natyrisht, mjedisi i blogut të ndihmon që t’i bësh më hapur disa pyetje, që në media të tjera ndoshta do të ishin formuluar ndryshe.

Tema e lartpërmendur u hodh në median e përgjithshme nga vetë prof. Myftar Barbullushi. Gazeta “Panorama” nuk është e përditshme mjekësore, ku shkruajnë specialistë të fushës, të cilëve nuk u lejohen gabime metodologjike. Propozimi mjekësor iu bë publikut të gjerë, nga i cili mund e duhet të pritet çdo pyetje, duke filluar nga “Çfarë është prostata?” deri tek “Përse pohimet tuaja, ndryshojnë nga ato të kolegut tuaj të huaj?”. Përgjigjja e mirëpritur duhet të shpjegonte, midis të tjerash, jo vetëm se ku gjendet organi por edhe arsyet e mendimeve të ndryshme. Ndoshta polemika do të ishte çminuar që në fillim sikur të thuhej diku se “ka disa shkolla mendimi… por unë parapëlqej këtë zgjidhje… për këto arsye…”.

Problemi që ngre kolegu Marku pa dyshim qëndron kur flet për “sëmundjen e berberëve të Stambollit” të cilët, sipas Konicës së cituar, “meqë ua qethnin kokën njerëzve me profesione të ndryshme, mendonin se mund të bënin të tyret edhe mendimet dhe dijen që ata fshihnin poshtë rrënjës së flokëve”. Mirëpo këtu kemi të bëjmë me një keqkuptim, sepse “berberi ynë” nuk më duket se donte të bëhej mjek, madje e deklaronte “injorancën” e vet fare qartë nëpërmjet shënimit përfundimtar (…Unë nuk jam mjek, as kam ndonjë opinion timin të përftuar individualisht).

Po ta skajëzonim arsyetimin e mësipërm do të binim në një kurth fatal për ligjërimin publik, sepse do ta ndanim hapësirën publike me dhoma të izoluara nga zhurmat, brenda të cilave flasin vetëm ekspertët e fushave të ndryshme: mjekët flasin me mjekët, pacientët me pacientët, inxhinierët me inxhinierët, policët me policët, automobilistët me automobilistët, profesorët me profesorët, e kështu me radhë. Në qoftë se automobilisti ngrihet nga dhoma fqinjë e pyet se përse ka trafik ose ndërtime pa rregull, urbanisti do t’i thotë se nuk ka të drejtë të bashkëbisedojë me të, për sa kohë nuk ka marrë diplomën për urbanistikë. Të vijnë ndër mend ato tabelat që urdhërojnë “Mos i fol shoferit”, ose “Mos e shqetëso manovruesin”, së bashku me pasojat e rënda të kësaj mendësie. Kjo nuk do të thotë se çdo person me tastierë/megafon në dorë mund të komunikojë me dikë tjetër. Pyetjet kanë artin e vet. Megjithatë, po ta ndërtonim komunikimin me kasta, nuk do ta ndihmonim të mirën publike, e ndoshta të gjithë do të flisnim me vete.

Mësimi tjetër? Një pyetje më tepër, një komunikim më shumë, veçse mirë i bën shëndetit publik e qytetarisë shqiptare.

Nuk ka komente

  1. Duke lexuar komentet dhe shkrimet që pasuan shkrimin e dr. Barbullushit (Xhaxhai, Marku, perfshirë edhe komentet e lexuesve), më është kujtuar një libër i Umberto Eco-s, “Kufijtë e Interpretimit” (I limiti dell’Interpretazione).

    Ai merret me rolin e lexuesit dhe i mëshon shumë idesë që, në mënyrë të pashmangshme, krijohet një hendek midis asaj që ka dashur të shkruajë(të thotë) autori dhe interpretimit që i bëhet tekstit prej lexuesit. Kjo është një fushë që merret edhe Marku edhe Xhaxhai, fusha e komunikimit dhe semiotikës.

    Tashti libri, artikulli, studimi, etj, shkruhet për konsum publik, pra si stacion të fundit kanë lexuesin. Roli i lexuesit është i rëndësishëm, në fund të fundit, është ai që do të interpretojë tekstin, dhe vendos në një farë mënyre fatin e tekstit dhe suksesin e shkruesit. Nga reagimi dhe mënyra se si do të lexojë tekstin dhe do të interpretojë kuptimin e tij, do të përcaktohet edhe funksioni, misioni i tekstit, domethënia dhe suksesi i tij.

    Titulli i librit “kufijtë e interpretimit” transmeton idenë qendrore të librit, duke na paralajmëruar se zelli i tepërt për të lexuar përtej tekstit mundet fare mirë të na çojë në shkatërrimin e kuptimit dhe mundësine e komunikimit. Duke e kontekstualizuar fatin e shfaqjeve të tilla ekstreme, – zellin e tepruar për të lexuar përtej tekstit te autorit, – Eco arrin të shkoj deri sa ta quajë edhe “kancer të interpretimit të pakontrolluar”.

    Ka një kapitull mbi presupozimet, një aplikim me kompleks se përdorimi që i bëjmë ne kësaj fjale. Në një vend ai shkruan së është e rëndësishme të behet dallimi midis dy llojeve të ndryshme presupozimesh (a ka ndonjë mënyrë tjetër për të thënë këtë fjalë ?)

    Eco dallon midis presupozimeve të folësit(autorit) dhe njohurive te folësit kundrejt presupozimeve të fjalisë(të folësit) në vetvete.

    Në interpretimin e tekstit merret parasysh vetëm presupozimet e fjalisë, të zezës në të bardhë. Është krejt ndryshe me tekstin e shkruar. Teksti i shkruar nuk përfshin intonimet morfologjike dhe inferencat (hamendjet) e tjera, duke përfshire këtu shtrirjen e njohurive dhe qëllimin e autorit, që lidhen me shumë aspekte që kanë te bëjnë qoftë me bio-n(profesionale apo eksperiencën jetësore) të autorit dhe kontekstin historik/ambiental të asaj që është shkruar.

    Ai sjell disa shembuj interesante duke analizuar struktura te ndryshme fjalish. Unë listova poshte disa pjesë prej shkrimit të dr. Barbullushit. Në gazetari por edhe në zhvillimin e literacy-s bëhen pesë pyetje bazë: Kush? Përse? Çfarë? Kur? Ku? Si? Duke gjykuar për të gjetur përgjigjet, kuptojmë se janë disa limite përtej te cilave nuk kemi përse t’i çojmë interpretimet, hamendjet tona.

    Përgjigjet e analizave të bëra nga ju pak ditë më parë vënë në dukje praninë e kancerit të prostatës.
    ………
    Sa të shumta janë viktimat e gjëndrës së prostatës, të kësaj gjëndre të vendosur në pjesën e poshtme të fshikëzës së urinës, funksioni kryesor i së cilës është prodhimi i lëngut të spermës – i domosdoshëm për të krijuar jetë – pa të cilën mashkulli bëhet infertile, të kësaj gjëndre që në kushte të veçanta mund të prodhojë vdekjen.
    ……….
    …mjeshtri Kirby e kishte kontrolluar prej vitesh gjendjen e kësaj gjëndre nëpërmjet një analize të thjeshtë të quajtur PSA (Antigjeni Specifik i Prostatës). Që nga mosha 50-vjeçare ai çdo vit bënte matjen e PSA-së dhe, kur 6 muajt e fundit niveli i saj filloi të rritet, ai ju nënshtrua një sërë ekzaminimesh të tjera që konfirmuan diagnozën e kancerit të prostatës. Zbulimi i hershëm i sëmundjes i garantoi suksesin e operacionit.
    ……….
    PSA (Antigjeni Specifik i Prostatës). Që nga mosha 50-vjeçare ai çdo vit bënte matjen e PSA-së dhe, kur 6 muajt e fundit niveli i saj filloi të rritet, ai ju nënshtrua një sërë ekzaminimesh të tjera që konfirmuan diagnozën e kancerit të prostatës. Zbulimi i hershëm i sëmundjes i garantoi suksesin e operacionit.
    ……..
    Në Amerikë, burrat i ndjekin rezultatet e nivelit të PSA-së ashtu siç ndjekin rezultatet e sportit. Rreth 70% e tyre mbi moshën 50 vjeç dinë gjithçka mbi analizën e PSA-së, “spiunen” e hershme të kancerit të prostatës.
    ……..
    …u diagnostikova me kancer në prostatë. Babai im…kishte vdekur nga kanceri në prostatë. Diferenca ndërmjet meje dhe tim ati?Babai im i urrente mjekët,… nuk vizitohej kurrë. …Unë jam shembulli më i mirë i rëndësisë së kontrolleve të rregullta.
    …….
    …ndoshta më mirë PSA. …do t‘u rekomandoja meshkujve mbi 50 vjeç të bënin një analizë të PSA-së

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin