MIDIS VJEHRRËS DHE MULLIXHINJVE

Polemikën për Koliqin e vazhdonte sot Rafaela Marteta në gazetën MAPO, me një shkrim të titulluar Kolaboracionist apo letrar? Mbi të gjitha Ernest Koliqi.

Autorja, mes të tjerash, e krahason fashizmin e Koliqit me komunizmin në Shqipëri, duke shtuar:

[N]uk kuptoj se përse një kolaboracionist qenka më mëkatar se një bashkëpunëtor i komunizmit, i cili mund të jetë akoma gjallë në pozicione drejtuese.

Ky është qëndrim tejet i djathtë, por legjitim – të cilit unë do t’i shtoja vetëm se fashizmi, me ndihmën e kolaboracionistëve, jo vetëm pushtoi një vend deri atëherë sovran si Shqipëria, por edhe krijoi kushtet për triumfin e mëpasëm të komunizmit atje.

Vazhdon Marteta:

Zija komuniste që ngërtheu çdo eshtër në Shqipërinë e pas Çlirimit, e lehtëson e biles justifikon veprimtarinë politike të Koliqit me shokë. Si intelektual, Koliqi ishte në dijeni të rrezikut komunist që përparonte, dhe do të kishte qenë e pafalshme për të mungesa e angazhimit për parandalimin e këtij rreziku.

Kjo tezë shtyhet edhe më tej se e para – meqë tani angazhimi haptazi pro-fashist i Koliqit (dhe të tjerëve si Koliqi) shihet si një lloj përgjigjeje ose reagimi ndaj rrezikut komunist; në kuptimin që Koliqi dhe të tjerë “mendjendritur” si ai, “e panë të udhës që për hir të së keqes më të vogël të bashkëpunonin me fashizmin kundër murtajës komuniste.” Fraza e fundit, në thonjëza, është e Albert Nikollës, nga një shkrim i tij para pak ditëve sërish në MAPO.

Edhe Nikolla i interpreton simpatitë fashiste të Koliqit në kontekstin e antikomunizmit të tij. Shkruan autori:

Nuk ka as dyshimin më të vogël se duke u nisur nga ndershmëria e personazheve politike shqiptare që bashkëpunuan me fashizmin, qëllimi i veprimtarisë së tyre ka qenë i mirë: moslejimi i komunistëve për të marrë pushtetin, krijimi i hapësirave për zhvillim në një vend tmerrësisht të varfër e të prapambetur, krijimi i urave orientuese perëndimore për një zhvendosje shpirtërore përfundimtare të Shqipërisë drejt Europës etj.

Kjo bie ndesh me tezën që kam mbrojtur unë, dhe pikërisht se ishte pushtimi fashist i Shqipërisë ai që krijoi kushtet e nevojshme për masivizimin e idesë komuniste në vend dhe fitoren e komunistëve në 1944.

Tek e fundit, bashkëpunimi i Koliqit dhe të tjerëve me italianët kishte filluar që para 7 prillit 1939; dhe nuk kemi arsye të vëmë në dyshim simpatitë e disa shqiptarëve për dritën (e zezë) që vinte nga Roma. Nga ana tjetër, që të gjithë këta burra e bënë “sakrificën” të shtyrë nga bindjet e tyre anti-komuniste, kjo mbetet për t’u provuar.

Rreziku komunist në Shqipërinë zogiste ishte minimal; siç u pa edhe gjatë gjyqit kundër Qemal Stafës, kur u dhanë sentenca të lehta, dhe komunistët u trajtuan si çunakë të pabindur, jo kundërshtarë vdekjeprurës të rendit ekzistues në vend.

Madje, në vitet 1930, pak njiheshin në Europë edhe praktikat dhe pasojat e totalitarizmit komunist në Bashkimin Sovjetik të Stalinit; sikurse shihet nga dashamirësia me të cilën e kishin përshkruar atë regjim vizitorët e shumtë të shquar nga Perëndimi (Shaw, Russell, Gide, Duranty, Wells).

Revista “Leka”, organ i rëndësishëm kulturor i katolikëve të Shkodrës, gjatë atyre viteve i kushtoi rrezikut komunist shumë më pak vend se rrezikut të liberalizmit europian, për të cilin ka harxhuar me qindra faqe, kryesisht të përkthyera; çka mjafton, besoj unë, për të nxjerrë përfundimin se Vatikani në përgjithësi dhe jezuitët (që drejtonin “Lekën”) nuk shihnin ndonjë rrezik komunist iminent për Shqipërinë e kohës.

Më shumë vend i hap antikomunizmit “Hylli i Dritës”, organ i françeskanëve; ku mbaj mend të kem parë të botuara dëshmi të viktimave të dhunës staliniane në BS.

Natyrisht, bazohem në kujtesë dhe nuk vë dorën në zjarr për sa më lart, meqë nuk i kam ato revista në duar.

Sa për Koliqin vetë, unë nuk di që ai të jetë angazhuar haptazi si antikomunist, para angazhimit të tij pro-fashist, lidhjeve me Italinë e Mussolini-t dhe pjesëmarrjen në administratën fashiste. Asnjë prej autorëve që kanë shkruar tani vonë për këtë çështje nuk kanë sjellë shembuj konkretë.

Në fakt, do të mirëprisja, si drejtpërdrejt në shërbim të ndriçimit të kësaj figure dhe në përgjithësi të rolit që ka luajtur antikomunizmi në qëndrimet e kolaboracionistëve shqiptarë, ndonjë dëshmi që antikomunizmi te Koliqi ka qenë i pavarur prej pushtimit fashist të Shqipërisë; ose të jetë zhvilluar vetvetiu, si pjesë e personalitetit të tij kulturor.

Natyrisht, ky autor u bë antikomunist pas përfshirjes së tij në administratën fashiste dhe veçanërisht pas largimit të tij nga Shqipëria; sepse kushedi antikomunizmi i jepte, a posteriori, një ngushëllim shpirtëror për angazhimet e tij pro-fashiste; por edhe ngaqë e pa si i trajtoi komunizmi katolikët në Shqipëri, disa prej të cilëve Koliqi i kish miq të ngushtë dhe bashkëpunëtorë të afërt: gjyqet e kurdisura dhe dënimet me vdekje, burgjet dhe internimet, shkatërrimin e institucioneve dhe masakrimin e asaj kulture që e kish formuar Koliqin, dhe që vetë Koliqi kish kontribuar për ta pasuruar dhe lartësuar.

Por kjo është çështje tjetër – për të cilën nuk besoj se mund të ketë kush dyshime.

Ka edhe më. Që Shqipëria e pasluftës do t’i përkiste kampit komunist, kjo nuk përfaqësonte ndonjë domosdoshmëri, as rezultat të marrëveshjeve të Jaltës. Sovjetikët nuk kishin asnjë interes për Shqipërinë dhe nuk shpenzuan asnjë kacidhe ndihmë për partizanët shqiptarë gjatë Luftës; ndryshe nga anglezët, bie fjala.

Madje, sikur forcat jokomuniste në vend të kishin treguar gjysmën e vendosmërisë së komunistëve dhe të ishin organizuar në luftë kundër fashizmit, në vend që t’i futeshin këtij në sqetull (ndonjëherë edhe me arsyen se ashtu luftonin komunizmin), kushedi Shqipëria e 1945-ës nuk do të kish qenë krejt e dominuar nga komunistët pro-jugosllavë të Enver Hoxhës.

Për mendimin tim, ta përligjësh antikomunizmin e Koliqit me nevojën për të kundërshtuar komunizmin, do të thotë ta lexosh historinë së prapthi.

Përkundrazi, duke i lidhur fatet e tyre me Italinë e Mussolini-t, paritë katolike, qoftë politike qoftë kulturore gabuan; ky ishte një gabim i dhimbshëm, dhe që i kushtoi shumë shtrenjtë jo vetëm protagonistëve, por edhe një komuniteti të tërë. Natyrisht, vetë gabimi nuk mjafton për të përligjur dhunën që ushtruan më pas komunistët ndaj komuniteteve katolike; sikurse edhe dhuna komuniste ndaj këtyre komuniteteve nuk mjafton për të përligjur kolaboracionizmin e Koliqit dhe të tjerëve si ai.

Megjithatë, e pranoj padijen time relative në këtë fushë dhe mirëpres bashkëpunime, sqarime dhe referenca.

Nuk ka komente

  1. “Përkundrazi, duke i lidhur fatet e tyre me Italinë e Mussolini-t, paritë katolike, qoftë politike qoftë kulturore…”

    Edhe ky eshte nje pohim qe duhet provuar.

    Sa per kolaboracionistet, po te merren ata nje nga nje, do te vihet re se i bashkonte antizogizmi dhe jo antikomunizmi.
    Madje edhe antizogizmi qe karakterizon te shkruaren e tyre politike, shpesh nuk buronte nga bindje a qendrime parimore a ndonje republikanizem i shpallur, por thjesht nga pakenaqesi dhe hatermbetje personale (p.sh. Merlika, Mulleti), nderkohe qe ASKUSH prej tyre nuk ishte shquar si antikomunist para pushtimit.

    Kishte ne Shqiperi antikomuniste te vertete e te deklaruar, si fjala vjen Branko Merxhani, autori i te famshmit artikull “Pse nuk jam marksist” (Perpjekja shqiptare, 1937) qe nuk u bene kurre fashiste e kolaboracioniste.

  2. “Kjo bie ndesh me tezën që kam mbrojtur unë, dhe pikërisht se ishte pushtimi fashist i Shqipërisë ai që krijoi kushtet e nevojshme për masivizimin e idesë komuniste në vend dhe fitoren e komunistëve në 1944.”

    shume dakort ketu. te gjithe mbrojtesit e koliqit, mbase edhe koliqi vete, bejne ate gabim llogjik qe quhet ”post hoc ergo propter hoc”. pra mbrojne koliqin se ky ka qene antikomunist pa permendur se komunistet erdhen ne fuqi ngaqe italia (dhe gjermania) pushtuan shqiperine dhe koliqi dhe te tjere bashkepunuan me ta.

    te njejtin gabim e verren edhe autori anglez antony beevor ne librin e tij per betejen e berlinit dhe fundin e rajhut te trete, qe e bejne gjeneralet gjermane. keta te fundit ishin te bindur se luftonin per nje evrope te lire nga komunizmi/ bolshevizmi pa kuptuar se ishte lufta qe kishin filluar ata ishte ajo qe solli sovjetiket ne qender te europes.

  3. Përshëndetje Z. Vehbiu,

    nuk mund të mos parashtroj qëndrimin tim pozitiv për vazhdimin e këtij debati me një interlokutor të denjë.

    Në fakt, në shkrim nuk më duket se kam tërhequr paralele mes fashizmit dhe komunizmit, nuk do të mundesha, nëse në mes hyn ideologjia. Vetëm i kam përafruar në cilësinë e dy regjimeve që i karakterizon totalitarizmi.

    Në cdo rast, në shkrim bëhet fjalë për pohime në perceptim të djathta, por jo për “një qëndrim tejet të djathtë”. Pohimet në shkrimin e perparshëm nuk shprehnin qëndrime me ngarkesë ideologjike.

    Më duket sikur pohimi Juaj, që fashizmi “(…) krijoi kushtet për triumfin e mëpasëm të komunizmit (…), e dobëson ngarkesën ideologjike të komunizmit në Shqipëri dhe metafora që më vjen ndër mend është ajo e mullixhinjve që flirtojnë me komunizmin për inat të vjehrrës… . Gjë që nuk ndodhi në Italinë postfashiste, e cila i shpëtoi për qime regjimit komunist, një “qime” që në të vërtetë bëri ndryshimin në historinë e popullit italian, me triumfin e demokracisë kristiane.

    Stili “për inat të vjehrrës” karakterizon jo pak mendësinë tonë feudale të atëhershme dhe të sotme, guxoj të them (epitetin “antishqiptare” e kam garantuar me këtë pohim). Në ditarin e G. Ciano-s, ky i fundit përshkruan në pak rreshta një vizitë të Verlacit tek Duce: “Natyrisht (Verlaci) e urren Krujën, por nuk ka argumente të vlefshme kundër tij. Mjaftohet vetëm me fjalët, që s’mund të udhëheqë vendin një burrë , që është biri i një shërbëtori, i cili i paska shërbyer Verlacit një kafe, në shtëpinë e Esat Pashës. Verlaci është feudal dhe për të janë të shenjta parime, që ne mund të na duken opinione apo paragjykime”. (Galeazzo Ciano, Diario 1937-1943, 570)

    Pyes veten, me çfarë parimesh duam të gjykojmë Koliqin? Feudale apo gjithpërfshirëse. Ajo ç’ka jam munduar të vë në dukje në shkrimin e përparshëm është mospajtimi me “prioritetet” që përcakohen nga etiketimi i Koliqit si “kolaboracionist”. Prioriteti, është përmasa njerëzore e Koliqit, përfshirë përmasën e tij “kolaboracioniste”, apo bashkëpunuese – sipas pikëpamjes – për hir të arritjes së një qëllimi, që nuk pajtohem kurrë të ketë qenë për përfitime vetiake, apo kundër interest të përgjithshëm.

    Këtë herë po e lë jashtë çdo aludim tjetër për komunizmin, përqafimi i të cilit ishte shumë domethënës e mbetet i tillë: një përqafim, që edhe pse i ngrirë, as të shtrëngon as të lëshon.

    Me respekt
    Rafaela Marteta

    1. Me duket se po te diskutohet ne kete menyre i bie qe asgje nuk eshte pergjegjesi e njerezve, vec e rrethanave…

      Ne fakt me teper me terhoqi vemendjen nje detaj; permendni Italine, zgjedhjet e para ku triumfoi demokracia kristiane. Ne fakt, dyshohet fortesisht se zgjedhja popullore ishte ajo qe doli. Kjo thenie mund te quhet e pavertete, pasi edhe kutite e votave (me gjithe materialet zgjedhore) do ti kene egzekutuar, por mendohet se me ndihmen e mafies (qe ne ate kohe ishte nje organizim deri diku modest) u kontribua ne fitoren pales jo komuniste. Fakti qe mafia punoi e qete deri sa u be kjo qe eshte, dhe fakti qe te majtet nuk erdhen ne pushtet as per 30 (e kusur) vjetet ne vazhdim, e perforcon kete version te te vertetes.

    2. Rafaela, ju falënderoj që ndërhytë në këtë debat.

      Jam dakord me ju, që paritë shqiptare, historikisht, kanë lëvizur si lavjerrësi, nga e majta në të djathtë dhe nga Lindja në Perëndim; herë me qëllime të mira e herë tjetër thjesht për të siguruar dhe konsoliduar pushtetin. Kjo ndodh edhe sot e kësaj dite.

      Ka munguar, në praktikën tonë politike, ai dimension etik që disa katolikë të mëdhenj shqiptarë kanë dashur ta sjellin dhe ta kultivojnë.

      Sikurse thashë, mirëpres dëshmi që mbështetin idenë se qëndrimet e Koliqit gjatë Luftës janë vijim i atdhetarizmit të tij ose ndonjë virtyti tjetër (qoftë edhe antikomunizmit) të Paraluftës. Unë vetë nuk njoh të tilla, por e pranoj padijen në këtë fushë.

      Një koleg këtu përsiati, shumë bindshëm për mua, se antikomunizmi këtu nuk hyn aq sa antizogizmi; ose gërvishtjet prej macesh të këtyre parive mes tyre, pa e kuptuar sa shtrenjtë do ta paguanin flirtin me fashizmin; ata dhe komunitetet e tyre!

  4. Kurse une znj. Marteta kete qe ju e parashtroni si prioritet ne vleresim, pra aspektin njerezor ne vleresimin e Koliqit e shoh vetem si nje miniteze te argumentuar pas premisave te rehabilitimit te tij si nje Katolik i Mire sic do te thoshte ndonje raport i Ministrise se Jashtme Italiane. Dhe kam bindjen se kljo eshte premisa kryesore nga niseni edhe ju qe beni kete shkrim.

  5. Pavaresisht qendrimeve te ndryshme, personalisht mendoj se debati publik mbi kolaboracionistet ne thelb eshte pozitiv. Vetem se ky debat do te duhej te zhvillohej fillimisht ne mjedise me te specializuara historianesh, me botime monografish dhe dokumentesh mbi secilen figure me vete. Vetem pas kesaj do te ishim ne gjendje te dilnim ne perfundime te pergjithesuara mbi kolaboracionistet dhe do te merrte kuptim edhe shtrirja e debatit ne mediat publike.
    Çdo rast eshte i ndryshem nga tjetri. Motivet, shkaqet, arsyet, angazhimi dhe veprimtaria konkrete e kolaboracionisteve ndryshojne.
    Tjeter gje jane, fjala vjen, Koliqi, Merlika, Toçi, Mulleti, spiune te vjeter te fashisteve, qe punuan intensivisht per te pergatitur pushtimin italian te Shqiperise, e tjeter gje jane Anton Harapi dhe Bahri Omari, qe bashkepunuan me nazistet pa qene naziste, me nje ndjenje e çuditshme patriotizmi dhe veteflijimi tragjik, te sigurt se gjermanet po e humbisnin luften dhe vendi kishte nevoje te qeverisej ne menyren me te mire te mundshme.

  6. Ky diskutimi per rehabilitimin e kolaboracionisteve ngjan pak me ato bisedat shume-oreshe me specialiste gjithefaresh qe enden te shpjegojne vrasjet masive te kalamajve ne shkolle apo njerzve ne kinema duke u futur ne lloj lloj aspektesh sociale, mjekesore etj. te vrasesit. Deri me sot nuk kam degjuar njeri te thote shkurt dhe qarte “ishte i lig, ishte kriminel” (djali im pyeti “po te ligjte c’u bene, ku vajten ata qe historikisht jane quajtur te ligj, kriminela pa bishta semundjesh e prinderish mbrapa.”)

    Kolaboracioni me pushtuesin eshte gabim, eshte faj, eshte krim i denueshem (kam nja dy ne fisin tim une, qe te sqarohemi per ane-mbajtjen) Nuk ka fort rendesi sot nese e bene nga anti-komunizmi, anti-serbizmi, interesi, drite-shkurtesia, megalomania e plot arsye te tjera te mundshme. Pavarsisht motivimit e justifikimit qe i bene ata vetes (dhe keta sot qe perpiqen ti rehabilitojne), rreshtimi ishte i gabuar dhe mbetet i denueshem ne cdo kohe. Kjo eshte bardhe-e zi klasike, s’ka vend per gri fare.

  7. Kjo polemikë tregon se shqiptarët ende nuk i kanë bërë hesapet me historinë e tyre. Ne duhet të biem dakord fillimisht mbi parimet që duhet të përdorim në analizën dhe rishkrimin e historisë, duke e lënë këtë të fundit sa më larg mendimeve politike aktuale. Pastaj, në vlerësimin e personaliteteve komplekse, për aq sa është e mundur, duhen ndarë aspektet letrare nga ato politike, familjare nga ato shoqërore, partikulariste nga ato të përgjithshme…

  8. Eksponentet shqiptaret te asaj kohe ishin pjese e nje loje qe ishte shume me e madhe se sa aftesite apo kapacitet e tyre qofte etike, morale apo intelektuale.
    They were out of their depth and out of their league.
    Elementit katolik I do hequr kapelja per qartpamesine e tyre se komunizmi ishte nje perzierje e nje ideologjie aliene me kulture slave, qe po u zaptonte dhe kercenonte vendin ( te lexosh pamfletat e te majtes angelze ne 33-45, eshte per te vene duart ne koke ).
    Sa per te bere te qarte kontekstin e asaj kohe, ia vlen te permendet vizita e Curcillit ne Moske, ne tetor te 1944. Ky quhet perndryshe takimi I “perqindjeve”.
    Curcilli I sugjeroi Stalinit qe t`i ndanin zonat e influences ( me turravrapin e vet, ushtria e kuqe kish rrezik te dilte ne Pas de Calais), dhe shenon ne nje cope leter: Rumanian 90/10, per ruset; Greqia 10/90 per britaniket. Stalini e merr letren dhe pa folur, me nje laps blu shenon nje “checkmark” te madhe.
    Curcilli u largua nga Jalta me idene se e kish bere “mik” Stalinin.
    “Poor Neville Chamberlain believed he could trust Hitler. He was wrong. But I don’t think I’m wrong about Stalin”, do shkruante ca dite mbas Jaltes.
    Kurse Rusvelti, para Jaltes kishte idene se ” une kam nje parandjenje qe Stalini s’kerkon vecse sigurine e vendit te tij, dhe se nese une I jap atij cdo gje qe une te mundem, dhe te mos kerkoj asgje nga ai ne shkembim, …. ai nuk ka per te provuar te aneksoje ndonje vend, dhe do te perpiqet per nje bote demokratike dhe ne paqe…”
    Nuk me bind ideja se qendrimi I kolaboracionisteve krijoi kushtet per ardhjen e te kuqve ne pushtet. Komunistet do e kishin marre pushtetin qofte nga aftesia apo paaftesia e tyre. Ishte the order of things, dhe asgje tjeter.
    Por edhe njehere tjeter do te doja ta perseris se ajo qe bie ne sy ne kete rast, dhe qe eshte ne karakter te tyre, eshte bindja e patundur pro-perendimore e katolikeve shqiptar. Si ne shek 20 ashtu edhe ne ate te 15 e ndermjet.

    Nje tjeter aspect qe terheq vemendje ne kete teme, dhe qe ne kete blog eshte diskutuar edhe me heret , eshte pranimi intelektual qe I behet faktit se po qe per te zgjedhur midis diktatures se kuqe dhe asaj te hirte( blu), e para eshte me e preferuar se e dyta. Ne nje fare menyre, 30 miljon ruset/ ukrainasit dhe 50-60 miljon kinezet e vrare nen regjimet e tyre te kuqe, peshojne me pak se sa ata qe u vrane nga Nazi/fashizmi.
    Pse nuk quhen kolaboracionist edhe Enver Hoxha @ co?

    1. Shkruan:

      Nuk me bind ideja se qendrimi i kolaboracionisteve krijoi kushtet per ardhjen e te kuqve ne pushtet. Komunistet do e kishin marre pushtetin qofte nga aftesia apo paaftesia e tyre.

      Me sa di unë, por më korrigjo po ta kem gabim, në asnjë vend të Lindjes, me përjashtim të Jugosllavisë, komunistët nuk do të kishin ardhur në pushtet pa ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të sovjetikëve.

      Shkruan:

      Pse nuk quhen kolaboracionist edhe Enver Hoxha @ co?

      Sepse nuk bashkëpunoi me pushtuesin, por e luftoi atë.

      Shkruan:

      Nje tjeter aspect qe terheq vemendje ne kete teme, dhe qe ne kete blog eshte diskutuar edhe me heret , eshte pranimi intelektual qe I behet faktit se po qe per te zgjedhur midis diktatures se kuqe dhe asaj te hirte( blu), e para eshte me e preferuar se e dyta.

      Ky aspekt as që ceket fare në këtë temë – ti po lexon gjërat që dëshiron, në vend të atyre që janë thënë. Në Shqipërinë e Zogut, si fashizmi si komunizmi ishin në trajta embrionale, dukuri politike të parëndësishme. Teza ime është fare e thjeshtë: u desh të vinte fashizmi, i sjellë nga jashtë prej pushtuesve, që të merrte hov komunizmi dhe të triumfonte politikisht.

      Komunizmi erdhi kështu si reagim i brendshëm ndaj një dhune fashiste të ardhur nga jashtë – prandaj edhe fitoi, sepse bëri masat për vete. Natyrisht, edhe komunizmi nxitej nga agjentë të jashtëm (jugosllavët) sikurse mbështetej mirë nga të tjerë agjentë të jashtëm (britanikët) – por kjo nuk krahasohet me atë që bëri Italia dhe bashkëpunëtorët e saj.

      Shkruan:

      Elementit katolik I do hequr kapelja per qartpamesine e tyre se komunizmi ishte nje perzierje e nje ideologjie aliene me kulture slave.

      Shprehja kulturë sllave ka qenë ndeshur zakonisht në pamflete naziste. Jam i sigurt se ti e ke përdorur me kuptim tjetër; por ende nuk e kam të qartë këtë kuptim tjetër. Ma shpjego të lutem.

      Njëlloj nuk kuptoj edhe shprehjen ‘ideologji aliene’. Shqiptarët të gjitha ideologjitë e tyre i kanë marrë prej të tjerëve, sepse kanë qenë në bisht të zhvillimeve – ndoshta me përjashtim të familizmit, që unë s’do ta quaja tamam ideologji.

      1. …”Me sa di unë, por më korrigjo po ta kem gabim, në asnjë vend të Lindjes, me përjashtim të Jugosllavisë, komunistët nuk do të kishin ardhur në pushtet pa ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të sovjetikëve….”

        E vertet. Por jo perjashtuese. Por premisa ishte qe prej kohes se Kominternin, ku Russia e kuqe do te ishte burimi i pashtershem i frymezimit dhe mbeshtetjes per te riprodhuar pushtetin e kuq kudo qe te ishte e mundur. Pa Rusi nuk ka sovjet, pa sovjet nuk revolucion, nuk ka komunizem, as lufte te ftohte etj etj.

        …”Sepse nuk bashkëpunoi me pushtuesin, por e luftoi atë…”

        Ceshtje perspektive. Ka shume burime te pavarura qe luften e komunisteve ne Shqiperi e shohin nen nje drite tjeter

        …”Shprehja kulturë sllave ka qenë ndeshur zakonisht në pamflete naziste. Jam i sigurt se ti e ke përdorur me kuptim tjetër; por ende nuk e kam të qartë këtë kuptim tjetër. Ma shpjego të lutem…”.

        Komunizmi nuk mund te shihet i ndare nga historia e popujve sllave ne shek e 20. Ne nje moment te caktuar te kesaj periudhe , nuk ka as edhe nje popull nga ky grup qe te jete jashte suaze se pushtetit, ideologjise dhe kultures komuniste: rus, chek, sllovak, polak, ukrainas, biellorus, bullgar, serb, slloven, kroat. Cfare i bashkon tere keta popuj nen nje “cati”?

        Pa tjeter qe ishte ideoligji aliene. Dhe jo aq ne kuptimin intelektual te fjales, se sa ne zbatimin praktik te saj: heqja e prones private ne te gjitha format,abolimi i fese, supremacia e partise mbi gjithshka e mbi te gjithe., zhdukja e klasave etjetj Shkon kunder cdo gjeje qe populli yne kish njohur per mijra vjet. Ishte si te thuash, nje kapercim pindarik.

          1. .Ke ngaterruar kalendar..

            -Por e kane fajin librat, … tha.

            -Te rinjte apo te vjetrit?

            -Kush e di..!, … tha.

  9. ipare :
    “Por edhe njehere tjeter do te doja ta perseris se ajo qe bie ne sy ne kete rast, dhe qe eshte ne karakter te tyre, eshte bindja e patundur pro-perendimore e katolikeve shqiptar. Si ne shek 20 ashtu edhe ne ate te 15 e ndermjet.”

    Sigurisht se Vatikani eshte perendim ,por edhe fashizmi nga perendimi erdhi.
    Per klerin tone asokohe me shume se idete properendimore vlejten parate e Duçes. Dhe jo vetem per kreret e klerit.

    Xhaxhai:
    “Sikurse thashë, mirëpres dëshmi që mbështetin idenë se qëndrimet e Koliqit gjatë Luftës janë vijim i atdhetarizmit të tij ose ndonjë virtyti tjetër (qoftë edhe antikomunizmit) të Paraluftës. Unë vetë nuk njoh të tilla, por e pranoj padijen në këtë fushë.”

    Kam frike se do te duhet te presesh pafund Xhaxha.
    Nga te gjithe mbrojtesit (lexo justifikuesit) e Koliqit eshte R.Gurakuqi qe pretendon ta beje kete ne menyre shkencore me ‘fakte’ te qemtuara per cudi vetem ne faqet e “Shejzat”-ve te Koliqit.

    Mbasi e fillon crescendo.me pohimin se :
    “Këto personalitete amortizuan përplasjen fatale të fashizmit mbi kombin. Mbi këto personalitete nuk rëndojnë urdhra vrasjesh, spiunimesh apo dhunimesh ndaj shqiptarëve. Vepra e tyre, edhe në këtë rast, është një shërbim shembullor dhe rilindas ndaj atdheut.”(sic!)

    e perfundon ne stilin e gafores se :
    “. Në stadin aktual të kërkimeve dokumentare, unë nuk mund të përcaktoj arsyet e drejtpërdrejta që e kanë shtyrë Koliqin në marrjen e këtij vendimi, apo në detyrimin për marrjen e këtij vendimi”

    Te tjeret i binden nje inspirimi te brendshem pa u shqetesuar shume per faktet.

    Koliqi nuk ishte aq i rastesishem ne flirtin me fashizmin. Kishte miqesira te forta.
    R.Gurakuqi citon : “Giro, shkruan Koliqi, pat protestue rrebtësisht sa herë për veprën teme tepër nacjonaliste si arsim, por Jacomoni s’e lente me na qite pengime në Ministri ”
    ( Me sa duket pervec Duces, edhe Jakomoni e kishte Shqiperine ulur galiç ne zemer)

    Kete lidhje e thote edhe della Rocca:
    “..E.Koliqi, nje nga politikanet e pakte shqiptare, qe do te gezonin e besimin e Jakomonit. ”

    Italianet zgjodhen e afruan ata qe iu benin punen se nuk kishin ardhur ne Shqiperi per syte e bukur te Geraldines. Dhe Koliqi ishte nga te paret, ne mos i pari qe gezonte kete besim te mekembesit fashist qe komandonte Shqiperine.

    Koliqi fliste per Shqiperine etnike por aq sa i lejonte bossi qe e kishte ne bordero. Fliste per Kosoven e Camerine sepse ishin ne planet strategjike te Italise , po nuk foli ndonjehere per trevat shqiptare ne Maqedoni sepse Romes nuk i interesonte te konfliktohej me Sofien.
    Interesant ky nacionalizmi selektiv i kolaboracionisteve. Ajo qe perserisim sot sa here te na duhet se ‘nacionalizmi eshte streha e fundit e horrave’ me sa duket nuk paska fuqi prapavepruese.

    Koliqin e vleresojne se hapi shkolla ne Kosove, dhe eshte e vertete, por A.Plasari thote se ka djegur edhe libra.( Me vjen keq qe nuk e kam ruajtur ate shkrim te tij)

    Koliqi ishte minister i Arsimit , po ishte edhe zv.minister i Brendshem. Dhe qarkorja qe i perjashtonte nga te gjitha shkollat e Shqiperise te rinjte demonstrues antifashiste shkodrane me 28 nendor 1939 mban firmen e tij.
    Per ironi disa nga keta djem te perjashtuar nga shkollat prej ministrit atdhetar rane me pas deshmore ne luften antifashiste(N.Mazi,E.Duraku,..)

    Me ardhjen e M.Krujes ne postin e k/ministrit , Koliqi e la ministrine e arsimit por u be u be gjerarku me i larte fashist shqiptar ne krye te keshillit te eperm korporativ. Me c’qellime atdhetare valle ? Ndofta per te propaganduar Rendin e Ri e per t’u mburrur se kombi yne,sipas tij, ishte nga te paret qe e kishte perqafuar.

    Kuislinget e qeverise se Verlacit e bene Shqiperine aleate te fuqive te Boshtit, i shpallen lufte gjithe shteteve qe ishin ne lufte me Italine fashiste, midis tyre edhe Frances . Dihen akuzat e Greqise pas lufte. Pyetja eshte : a mban pergjegjesi Koliqi si ministri me i kultivuar i asaj qeverie dhe si i besuari i nenmbretit?

    Sikur te aplikonim kete model te shplarjes nga mekatet ne te gjitha rastet
    , te djathta apo te majta,do te na merrte malli per nje fajtor te races shqiptare, edhe po te ishte kapur me presh ne dore si Koliqi.

    Sa per ate qe thote Xhaxhai se gjasat jane qe fashizmi solli komunizmin ne Shqiperi , duhet te merret parasysh edhe vendimi Kominternit per aktivizimin e levizjeve antifashiste nen drejtimin e partive komuniste, vendim qe kishte per pasoje edhe krijimin e partise komuniste shqiptare, pra pasoje direkte e pushtimit fashist.

  10. Xhaxha, me duket shume e zorshme te pohosh se “Hoxha luftoi pushtuesin”. Hoxha luftoi per pushtetin e vet personal, per mendimin tim ai ishte teper horr per te bere dicka mbi bazen e nje ideali per te miren e pergjithshme dmth te kombit. Ai s’kishte ndonje formim komunist te mirefillte, ne ndryshim nga mjaft bashkepuntore the tij. Rasti e solli te vihej ne krye te komunisteve dhe keta doemos do viheshin ne anen e sllaveve ne konfliktin midis dy elefanteve. Pra miu shqiptar u gjend ne anen e elefantit historikisht dhe egzistencialisht armik te tij: sllavit. Vetem keshtu Hoxha rezultoi te dilte luftetar kinder pushtuesit. Per ate vete s’kam dyshim se po ta kish bere fashizmi kryefederal te Shqiperise, do ta kish perqafuar Ducen me po ate zell qe perqafoi Miladinin, Titon e Stalinin.

    1. Qe partizanet luftuan fashizmin kete besoj se e beson. Qe Hoxha u zgjodh apo u emerua (mere ti te duash) kryetari i PKSH-se edhe kete e ke te dokumentuar. Pra i bie qe ka luftuar fashizmin. Ah nese halla do te kishte k*qe, sigurisht qe do te quhej xhaje. lol

  11. Une mendoj se edhe Enveri si njeri eshte shume lehte i rehabilitueshem. Kush e njohu e di sa i sjellshem ishte. Hante pak, jo si shumica e shqiptareve qe nuk gjejne derman mbi kusi, lexonte shume dhe kjo vlen edhe sikur te kete bere gjoja se dicka i ka mbetur ne mendje. E tregojne qe ishte i komunikueshem dhe kur ishte mesues, ishte liberal. Nje nder shqiptaret me te sinqerte. Foli perhere per demokraci, por te gjitha kundershtimet e mundshme, i sanksionoi si vepra penale. D.m.th ishte shume i hapur. Nje xhentelmen i vertete, madje i vetmi nder shqiptare. Nuk shkroi dhe nuk i perfoli kurre te dashurat e tij. Gje e rralle kjo ne keto ane. Mori pjese personalisht ne Kongresin e Drejtshkrimit duke ndaluar me cdo kusht manine e gjuhetareve tane per te diskutuar moteleve. Nuk shkruante keq, por edhe aq mire jo. I vetmi qe e ekzagjeroi me manine per te pare te shqiptaret talente te padegjura.
    Ka kontribute te pacmuara ne disa drejtime qe perndryshe ne Shqiperi nuk do kishin pare driten e ekzistences. Dhe kjo vlen edhe ne publicistiken politike. Ta zeme, sado qesharake te duket Enveri eshte autori i vetem, i monografive te vetme ne shqip, per Lindjen e Mesme, Kinen, Bashkimin Sovjetik dhe Jugosllavine. Jane vepra qe kane rol historik, sepse shqiptaret sillen me shtetin si puna e kafshes qe sic thote nje njeri i mencem: kane kujtese, por nuk kane asnje kujtim. Plus, qe jane gjenuine si vepra ne cdo drejtim.
    Dale mo ca ka bere tjeter ai…Po edhe kjo. Beri shtet, d.m.th shtet ishte ai sido qe te themi ne. Ishte njeri i religjionit. Ne praktike flas.Te perjashtonte nga partia per cene morale dhe etike. E padegjuar ne historine tone kjo. Kete e aplikon se fundmi vetem Kisha Katolike, e cila ka vendosur te Shkisheroje ata qe vrasin per gjakmarrje. Por ata qe shkisheronte ai edhe ne vdekje benin be per koke te tij. Duhet t’ia njohim qe kishte aftesi ndikuese edhe ne planin personal. Todi Lubonja ne librin e tij “Nen peshen e dhunes” thote se ne burg i lexova te gjitha veprat e Enver Hoxhes, me vemendje te madhe, per te kuptuar sic thote ai “aftesine e ketij manipulatori nder me te medhenjte ne histori”. Edhe Cvajg ka bere monografi brilante, e ka heroizuar ate qelbesiren Fushe. Pse rehabilitim eshte ky? Ah edhe nje gje e fundit. Eshte prodhimtar dhe bujar i madh. Kushdo qe mund te beje nje liber per te do fitoje leke. Por edhe egoist i madh.Imagjono, njeri me dy varre. Nuk eshte aq e lehte.

  12. Komunizmi ne Shqiperi nuk u instalua per shkak te kolaboracionisteve (nga 39-41 nuk pati ndonje rezistence komuniste ndaj pushtuesit) dhe as nuk triumfoi politikisht. Komunizmi mori me dhune pushtetin, duke eleminuar cdo kundershtar dhe vendosur cdo gje vete. Komunizmi ne Shqiperi ishte i huaj, s’kishte perkrahje ne popull, shikohej me dyshim edhe kur vinte rasti te shpalosej per shkak se vinte me direktiva sllave dhe perplasjes me fene qe ne ate kohe sigurisht kishte me shume peshe tek shqiptaret sesa sot. Komunizmi ose PKSH filloi si nje levizje nacionaliste dhe shfrytezoi rezistencen e nisur ndaj italianeve nga grupe e individe jo komuniste, kryesisht ishin njerez me probleme me ligjin, bicim kacakesh qe kishin dale malit. Shqiperia eshte pushtuar ne 39, grupet komuniste (qe ekzistonin para themelimit te pksh) nuk kane shkrehur nje plumb dhe as bere ndonje gje tjeter perpara se te hynte ne lufte BS e Stalinit. Komunistet nuk e fshehin qe luften po e benin per te marre pushtetin por ngaqe trembeshin nga populli, fshiheshin pas Frontit. Megjithate kjo nuk eshte justifikim per kolaboracionizmin shqiptar. Per ata qe e kane bere me ndergjegje dhe binje te plote kete pune dhe as “perendimorizmi” nuk sherben ndonje gje ketu. Si fashizmi si nazizmi dihet qe jane prodhime perendimore por ti kesh ndjekur keto ideologji nuk tregon per ndonje vlere te Perendimit, perkundrazi. Une kam dyshimin qe disa prej ketyre qe bashkepunuan me pushtuesin, e bene s’e nuk kishin zgjidhje tjeter jo si bindje. Pastaj ka qene edhe kohe e ngaterruar athere, ka pasur edhe komuniste qe perpara se te beheshin te tille kishin te veshur uniformen e fashizmit. Ka pasur edhe organe shtypi te shqiptareve te diaspores qe botonin fotografine e Musolinit me veneracione, vete Noli, sic e thote Plasari, ne nje interviste qeka dhene per nje gazete greke shpreh levdata per fashistet e Musolinit. Te mos harrojme qe kur moren pushtetin fashistet ne Itali nuk kishte terror si ne BS ku komunistet bene gjema te medha. Ne Itali denimet me vdekje per arsye politike numerohen me gishtat e dores. Prandaj me qete, me ne kontekst ti shikojme gjerat.

  13. Një vërejtje për të gjithë kolegët që u hodhën, më lart, “t’ia tregojnë vendin Enver Hoxhës.”

    Lutem lexojini komentet në kontekst.

    Çështja që diskutohej, dhe ku ndërhyra unë, ishte se pse të mos konsiderohej edhe Enver Hoxha kolaboracionist.

    Kësaj pyetjeje iu përgjigja me argumentin se Enver Hoxha nuk bashkëpunoi me italianët dhe gjermanët, por luftoi me ta.

    Këtë luftë ia njohën edhe aleatët.

    Besoj se ia ka njohur edhe Koliqi vetë.

    Nuk ngre fare peshë nëse luftoi për qëllime personale, për të marrë pushtetin, apo për të impresionuar të dashurën e vet. Fakt është që u rreshtua në anën antifashiste.

    Prandaj, le të fokusohemi prapë dhe të mos e përhapim debatin në tema që janë bërë me kohë telef. Në fakt, nga disa prej jush, prisja argumente të një niveli pak më të ngritur, sesa “po Enveri,” që është argument prej kopshti fëmijësh.

    1. besoj qe kolaboracionizmi i EH konsiston ne bashkepunimin me sllavet duke demtuar interesat e kombit te tij jo me fashistet apo nazistet. Prishet Mukja, fillon vellavrasja, shitet Kosova, vriten shqiptaret ne Masakren e Tivarit, behet bashkimi doganor dhe monetar me Jugosllavine etj.

      1. Me përkufizim, kolaboracionist është ai që bashkëpunon me pushtuesin, jo ai që bashkëpunon me iblisin. Që Enver Hoxha ka qenë ai që ka qenë, nuk e bën të jetë edhe ashtu si nuk ka qenë.

        1. jo, kolaboracionist eshte nje forme tradhetie dhe sherbimi per armikun. Nuk eshte ekskluzivisht per ata qe bashkepunojne me pushtuesin.

      2. Me ka bere pershtypje shpesh pretendimi se komunistet “shiten” Kosoven. Me sa dihet, qe prej momentit qe egziston nje shtet shqiptar ai nuk e ka patur ndonjehere Kosoven si pjese te territorit (te njohur nderkomberarisht flas). Akuze e ngjashme i behet edhe Ismail Vlores, per mua qesharake edhe keto… Historia eshte e qarte, pervec nje rasti te shtetarit Zog (dhe nje rasti te koheve te fundit, ne shqyrtim) nuk rezultojne akte te tilla. Tentativa si te Toptanit, qe nuk rezultuan me pasoja te mbetura, mund te kete, por ato realet keto jane.

        1. te heqesh paralele midis I. Qemalit dhe E. Hoxhes, me duket guxim prej te marri. Pavaresia e 12 ishte pavaresi kombetare, sa u arrit eshte tjeter, ndersa Kosova u be pjese integrale e shtetit shqiptar gjate luftes se dyte boterore dhe komunistet nese nuk do te ishin kolaborator te jugosllaveve do te kerkonin bashkim me cdo kusht ose se paku status republike per Kosoven. Ne fakt ndodhi e kunderta, komunistet shqiptare, kolaborator te zellshem te jugosllaveve e thane me gojen e tyre qe Kosova duhet te ngelet nen Jugosllavi (E. Hoxha) dhe se kosovaret qe ishin te gjithe reaksionare duhet tiu bindeshin pa shume llafe shokeve jugosllave (H. Lleshi).

          Mukja parashikonte bashkim me Kosoven dhe Konferenca e Bujanit me perfaqesues edhe serbe vendosi qe Kosova deshiron te bashkohet me Shqiperine.

          Kosova mund te shitet edhe sot nga shteti shqiptar nese nuk mbron interesat e saj. Mund te dale edhe ndonje Enver Hoxhe i ri e te thote qe si shenje emancipimi Kosova duhet te kete president Tadicin.

          Historia eshte e qarte, shume nga ne jane te paqarte se snjohin histori tjeter pervec atryre qe shkarraviten historianet e regjimit.

          1. Si fillim do doja te tregoje me teper kujdes me etiketimet per guximin, e me rradhe…se edhe pse e paske shtepine lart, shikimin e paske te turbullt.
            Ndersa per vijimin mund te them qe realisht me duket si nje perralle qe mund tua tregosh femijeve deri ne ate moshe kur formohen dhe kuptojne mbi shoqerine, historine dhe shkencat e natyres. Nuk e di se me cfare analize dilni e na thoni qe Kosova varej (vetem) nga vullneti i shqiptareve te Shqiperise. Aleancat internacionaliste kane qene te forta, situate lufte me nje pushtues jo te kollajte. Nese e quan te mundshme qe prej atij internacionalizmi te ishe me afer Kosoves, prano edhe te keqiat e atij inernacionalizmi…Me pas konflikti civil nuk besoj se u be per te fshire ate piken e marreveshjes per Kosoven…Mos te fantazojme dhe te mos themi vetem pjeseza (te perzgjedhura) te te vertetes, se nuk arrihet asgje vec zhytjes ne izolim dhe moskuptim. Disa fenomene te te kaluares mund ti gjykosh duke ditur edhe mekanizmat se si funksionon njerezimi, jo thjeshte duke lexuar prej atyre qe “snjohin histori tjeter pervec atryre qe shkarraviten historianet e regjimit”…
            Ne natyre (prej zanatit jam ne fushen teknike) eshte nje parim i rendesishem: pesha shkon aty ku mund te perballohet. Tek ne, kushedi, ky fenomen mund te jete shtremberuar, pesha ka shkuar ne kolona te gabuara, tek ato qe sollen keto procese (qe ti i quan tradhetare), dhe jo tek njerez qe do i zgjidhnin ndryshe, dhe mire.
            Megjithese nisa te dialogoj, nuk besoj se do vazhdoj me tej repliken, se e shoh qe s’kemi c’mesojme me shume prej njeri tjetrit.

  14. Ju lutem, mos e prishni këtë debat kaq të mirë deri tani, duke folur për Enver Hoxhën. Po merremi me Koliqin dhe të tjerët si Koliqi.

    Këtë lutje mund ta lexoni edhe kështu: komentet e ardhshme për Enver Hoxhën nuk do të kalojnë.

  15. Për të kuptuar natyrën e kolaboracionizmit të shqiptarëve(dhe klerit katolik me pushtuesin) një reference e mirë është ditari i Kontit Ciano, siç edhe është përmendur këtu.

    Ne ditët e para të pushtimit ai shkruan: .. “Por ata(paria, shqiptarët) e kuptojnë se duke i dhëne kurorën mbretit Viktor Emanuelit të III, kjo do të thotë fundi i pavarësisë të Shqipërisë. Pata biseda të gjata me shumë kapedanë(bajraktarë), por më kokëfortët janë ata të Shkodrës( të cilët janë të cytur nga kleri katolik). Megjithatë do të jetë e lehtë për t’i bindur ata, sapo t’i shpërndaj tufa me franga shqiptarë që kam sjellë me vetë.”

    Kush i kishte ndërgjegjësuar shqiptaret e veriut për etnicitetin, kombësinë e tyre në shekuj (mund të gjykojmë kështu edhe për tradhtinë e klerit që u bashkua me okupatorin sipas historiografisë komuniste) …?

    Më poshtë ai shkruan në lidhje me dhurimin e kurorës mbretit të Italisë….”ky sukses(bashkimi juridik dhe dhurimi i kurorës) i referohet masës(turmës), sepse (ndryshe) shoh sytë e disa patriotëve të ndezur prej zemërimit dhe lotëve që rrjedhin poshtë faqeve…”

    Kur përshkruan gjendjen e delegacionit shqiptar në Romë të kryesuar nga Vërlaci, Çiano shkruan… “shqiptarët arritën. Disave prej tyre i dallohet dëshpërimi….Vura re se ata dëgjonin në ankth për (të kapur) fjalën “pavarësi”, por kjo fjalë nuk u përmend, dhe ata u dëshpëruan(u mërzitën)….”

    “Shqiptarët dukeshin te humbur në korridoret e Kuirinales, …duken të dëshpëruar… veçanërisht Verlaci, kur shqipton me një shprehje të lodhur dhe me mosbesim(pa bindje) fjalët që duhet të thotë kur ofroi kurorën. …Ata nuk e kuptojnë se për çfarë behet fjalë.”

    Më poshtë vazhdon: … “Fola me Duçen në lidhje me gjendjen mendore të shqiptarëve. Edhe ai ishte i vetëdijshëm për atë gjë, e ai më siguroi se do të fliste me ata sot rreth pavarësisë kombëtare dhe sovranitetit në një mënyrë të tillë që do t’i niste mbrapa ne atdhe të siguruar(me mëndje të qetë).”

    Më poshtë lexojmë:.. “Prita Koliqin me të cilin diskutova problemin e Kosovës dhe Çamërisë. Ai do të përgatisë një memorandum mbi planet tona…”

    Në lidhje me trazirat që sillnin intelektualët duke iu referuar incidenteve, demonstrimeve në Liceun e Korçës, Çiano komenton…”Intelektualët shqiptarë siç është logjike, janë ata që kundërshtojnë situatën e re, është e nevojshme t’i bëjmë për vete, ose të marrim masa të rrepta ndaj atyre që nuk duan të binden. Nuk është ndonjë problem serioz, flitet për rreth 200-300 individë. Populli shqiptar nuk na krijon ndonjë problem. Ata punojnë, fitojnë dhe gëzojnë një jetë komforte, që nuk e kishin deri tash, dhe shumica janë të kënaqur.”

    Në maj të 1940 Çiano flet për pritjen e ngrohtë te shqiptarëve dhe vazhdon… “Ata(shqiptarët) duan Kosovën e Çamërinë. Është e lehtë për ne të rrisim popullaritetin duke u bërë kampionët e nacionalizmit shqiptar.”

    Për situatën e re të krijuar shkruan.. “Jakomoni propozon ndërrimin e qeverisë shqiptare, Kruja në vend të Vërlacit. Çka do të thotë një lëshim tjetër ndaj ekstremistëve të nacionalizmit shqiptar…. Kur ai u caktua (kryeministër) pati kritika të konsiderueshme: ndër italianë ai është konsideruar shumë nacionalist, ndër shqiptarë për shkak të origjinës se tij të thjeshtë (shtresës së ulët) kur shoqëria shqiptare tradicionalisht është akoma feudale.”

    Një nga kërkesat e Krujës ishte heqja e simboleve fashiste dhe te mbretërisë italiane.

    Çiano komenton më poshtë…”Nacionalistët shqiptarë kundërshtojnë flamurin siç është tani, shqiponja e burgosur nga fashiot dhe kurora e Savojës dhe protestojnë për tu respektuar simbolet e tyre kombëtare.”

    Në 1 shtator të 1942, ai mban këtë shënim ne ditarin e tij…”.propaganda armike po synon Shqipërinë, që përfaqëson të vetmin oazë te paqes në të gjithë Ballkanin. Britanikët po përpiqen të shkaktojnë turbullira dhe kryengritje, me qëllim që të jenë ne gjendje, që kur paqja të vijë, të venë në pozicion të vështirë ata që kanë qenë në favor të bashkimit me Italinë, dhe të shkatërrojë çdo bazë legale të marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe nesh.”

    Çiano, nuk duket se përmend ndonjë aktivitet, rrezik serioz të armatosur në radhët e shqiptarëve, përveçse një nxitje për turbullira që vinte nga jashtë. Partia komuniste nuk ishte fare në hartë. Duke i tërhequr vëmendjen për situatën në Shqipëri dhe për ndonjë të papritur që mund të vijë nga shqiptarët, ai përmend se numri i ushtarëve italianë në Shqipëri ishte vetëm 11,000 dhe të vetmin premtim që kishte ishte t’i shtoheshin edhe 50 tanke, që nuk mjaftonin.

    Vetëm në janar të 1943 përmend një situatë më të nderë në Shqipëri. Shkruan…”Do të shohim se çfarë do të dalë nga kjo situatë, por është e qartë se edhe në Shqipëri po i ndjejmë pasojat e ngjarjeve në botë.”

  16. Desha të sjell një kujtim familjar (po qe se lejohet). Tim gjysh e zuri 7 prilli student në Padova. Të nesërmen Federali i Padovës i mblodhi gjithë studentët shqiptarë në rektorat dhe ua dha lajmin e pushtimit. Kërkoi që t’i dërgonin një telegram falenderimi Duçes për këtë. Gjysma e bënë sakaq (nuk dua të jem malinj, po 3 prej tyre mbanin mbiemrin Koliqi), të tjerët refuzuan. Jo vetëm aq, por organizuan edhe një manifestim proteste nëpër rrugët e qytetit, me flamurin shqiptar dhe duke kënduar këngë patriotike (midis të tjerash edhe këngën: “Vlora-Vlora”). Sigurisht i arrestuan të tërë. Një pjesë ia hodhi me dënime të lehta, por ata që u konsideruan organizatorë i hëngrën 5 vjet në Ventotene. Gjyshi (ka 30 vjet vdekur) ishte i prerë: “Ia di për nder fashizmit, që më bëri komunist; përndyshe unë as dija ç’ishte komunizmi”.

  17. Arben Dedja:…“Ia di për nder fashizmit, që më bëri komunist; përndyshe unë as dija ç’ishte komunizmi”.

    Edhe une po rrefenj shkurt nje histori personale. Me te zbritur italianet ne Shqiperi, e kapen prej zvergu te shkretin gjyshin tim dhe e internuan ne Itali megjithese jo fort i ri ne moshe. Akuza: patriot, nacionalist, antifashist.

    U kthye nga Italia pas internimit disa vjecar, shume shpejt e kapen komunistet, biles ata me keq, e rrasen ne burg. Akuza perseri, nacionalist (sepse kerkon bashkimin me Kosoven, Shqiperine e Madhe, etj).

    Internimi e beri me antifashist, me nacionalist, me patriot. Kur erdhi ne Shqiperi e dalloj shume shpejt fatin qe po e priste Shqiperine, por s’kishte arsye dhe ku te mbytej. Ishte ne atdheun e tij. Nder cilesite e tjera qe fitoi ne Shqiperine komuniste, cilesine antikomunist.

    Thoshte: “Midis fashizmit dhe komunizmit ndryshon vetem ngjyra. Ne rastin tim ka vetem nje ndryshim. Italianet me internuan, me larguan, me syrgjynosen nga Atdheu, kurse komunizmi me futi ne burg ne Atdheun tim, i burgosur nga vete shqiptaret sepse doja dicka ne te miren e shqiptareve.”

    Historira kurioze te ndryshme…

  18. Se pari, qendrimi i Vatikanit ndaj fashizmit dhe nazizmit eshte nje nga çeshjet me te diskutueshme dhe kontroverse sot nder historianet specialiste te fushes. Jane derdhur lumenj boje shkrimi mbi kete çeshtje me argumente e kunderargumente nga te dyja anet dhe nuk mund te gjykohet e te likuidohet me nje koment blogu.
    Se dyti, qendrimin e Ndreces ndaj kesaj çeshtjeje une e kuptoj, per sa kohe qe Vatikani eshte punedhenesi i tij i drejtperdrejte. Ajo çka une nuk kuptoj eshte qendrimi i tij kokekorte ne mbrojtje te kolaboracionisteve fashiste, qofshin keta katolike a muslimane. Nga pikepamja epistemologjike eshte kontradiktor: sa relativist paraqitet ne apologjine e kolaboracionisteve, aq absolutist e moralist tregohet ne te gjitha çeshtjet e tjera historike dhe politike te dites, qe nga Skenderbeu i Schmitt-it e deri te fushata e zgjedhjeve.

    1. Nje reference e mire prej ku mund te nisen historiografet shqiptare per te analizuar rolin negativ te Vatikanit ne Shqiperi dhe ne bote, bashkepunimin me fashizmin dhe arsyet perse Enver Hoxha dhe regjimi i tij i ra kokes klerit katolik shqiptar, patjeter qe duhet te niset nga puna shkencore-studimore e prof. dr. Hulusi Hakos.

      Vatikani jo vetem i kishte censuruar librat e ketij ateisti kaq te pergatitur per tu perballuar me sfidat filozofike per t’iu kundervene dogmes kishtare dymijevjecare, duke ia futur ne listen e zeze, por ne Shqiperi qarkullonte edhe nje si lloj legjende urbane, qe inati i Vatikanit kishte shkuar deri atje sa edhe ta denonte me vdekje ne mungese.

      Megjithate profesori i nderuar kishte arritur te pranonte se kjo ishte thjesht nje shaka e kripur, qe dikur qarkullonte si nje lloj medalje e ateizmit krenar dhe qe perkedhelte sedren edhe te vet udheheqesit qe nuk i ekspozonte kollaj bestytnine e veta.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin