LUTJE NGA NJË LEXUES I BLOGUT

[Këtë kërkesë e kish dërguar, si koment, lexuesi Tjetër. Mendova ta nxjerr më vete. 2Xh]

U kërkoj ndjesë për ndërhyrjen, por duke qenë një lexues i ri i këtij blogu dhe duke parë tashmë me admirim nivelin intelektual të shumë pjesëmarrësve këtu me lejoni t’u drejtohem miqësisht me një thirrje. U lutem, këtë muaj mundohuni të fokusoni, jo në këtë blog, por në hapësirën më të gjerë publike, kontributin tuaj që Shqipëria në këtë moment tepër historik të mund të lërë pas një obskurantizëm fatal për të sotmen dhe të ardhmen e saj. Shpresoj të lemë pas ngurimet tona legjendare, dyshimet dhe pakënaqësite tona njerëzore me njerëz të caktuar dhe të shohim më të madhen, të përgjithshmen. E shkruaj këtë sepse shoh i alarmuar sesi nje pushtet i degraduar dhe cinik po mobilizon të gjithe forcat e njerëit nga skutat më të errëta e të degraduara intelektualisht, shpirtërisht dhe mendërisht, për t’i përdorur si fasadë e një shpëlarje totale truri e propagande të pashoq në formën e saj më të pacipë. Pra, u lutem, ndoshta vetëm për një javë, dy apo një muaj mprihni penat dhe bëhuni të gjallë në ndërhyrje të drejtpërdrejtë në hapësirën publike më të gjerë të vendit. Kushtojini në maksimum një muaj një përpjekjeje në ‘praxis’ dhe uroj të lëmë egot tona e sedrat e prekura patjetër në ndonjë formë apo tjetër nga ndoshta edhe shpërfillje të justifikueshme ose jo të politikës dhe të bëjmë bashkë atë që është roli dhe pozicioni jetik i intelektualit në kohë vendimtare. Shpresoj të më kuptoni, dhe besoj se është koha për një goditje të përqendruar, përtej kurioziteteve dhe informacioneve shumë të vlefshme intelektuale, por për të cilat do të kemi kohë të merremi gjithë jetën. Është momenti për t’iu drejtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë realitetit të një vendi që të gjithëve na prek, na trondit e shqetëson dhe mos bëjmë strucin. Duhet veprim i drejtpërdrejtë dhe i duhet folur popullit të shkretë që po përpëlitet të shpëtojë shpirtin e një Shqipërie të lirë dhe në format e tij po lufton.

Nuk ka komente

  1. Jam nga ana që mendojnë se forcave të ndryshme politike u duhet dhënë shansi për qeverisje, por këtë duhet ta meritojnë dhe ta provojnë nëpërmjet një programi të qartë, jo duke na shtyrë të veprojmë nën instinktin e frikës.
    Se ka gjëra që nuk i kuptoj në problemin që ngre Tjetri. Në të vërtetë ai flet për obskurantizëm që duhet ta lëmë pas. Ose Shqipëria ka shkuar aq mbrapa dhe kjo ka ndodhur ndërkohë që ne nuk kemi pikasur gjë dhe duke ecur me kokën nga qielli kemi rënë në gropë, ose Tjetri është një demagog dhe nuk ngurron të në marrë të gjithëve për copa idiotësh.
    Ai shkon deri atje sa nuk ngurron të na kujtojë edhe se “…është koha për një goditje të përqendruar… gjë që të shtyn të mendosh se e dimë mirë se çfarë lëmë pas por nuk kemi asnjë siguri se ai që na del përpara është një fytyrë apo një maskë.

    1. Lyss, Tjetri e kish lënë këtë koment te shkrimi i Read Me; dhe unë mendova ta nxjerr më vete, si shkrim përfaqësues i një rryme mendimi të caktuar, sado anonime.

      Tjetri është i ri në blog dhe nuk ka pasur mundësi, besoj unë, të rrokë problematikat që kemi trajtuar gjatë viteve, as rrugën që kemi ndjekur.

      Prandaj edhe nuk arrin dot të ndiejë kontekstin e shkrimeve që nxirren këtu.

      Për mendimin tim, bie fjala, kontributi i fundit i Read Me ishte jashtëzakonisht në sintoni me ngjarjet e ditës në Shqipëri ; me kusht që të lexohet sipas një çelësi të caktuar.

      Dhe këtë çelës ta jep, besoj unë, vetëm koha e kaluar këtu.

      Prandaj m’u duk e çuditshme që Tjetri kish zgjedhur ta shtonte thirrjen e vet pikërisht në përgjigje të një shkrimi në thelb politik, si ai i Read Me.

      Përndryshe, blogu merr pjesë, në mënyrën e vet, në dinamikat politike dhe sociale të shqiptarëve; dhe e bën këtë duke qëndruar jashtë partizanllëkut histerik, që i kaplon mediat e Tiranës në prag të zgjedhjeve.

      Zgjedhjet vetë janë të rëndësishme, por jo aq sa të na bëjnë të veshim uniforma dhe të dalim me megafonë.

      Unë nuk besoj që roli dhe detyra morale e intelektualit janë të përfshihen në politikë drejtpërdrejt; sikurse nuk besoj që këtë rol mund t’ia sugjerojë seriozisht intelektualit një anonim çfarëdo.

      Roli dhe detyra morale e intelektualit janë të sillet dhe të veprojë si intelektual, jo si mercenar i partive politike.

      Zgjedhjet e tanishme, siç thashë, janë të rëndësishme; por nuk kemi pse t’i shohim si luftë të së mirës me të keqen; ose të dritës me errësirën.

      Kam thënë, si autor në blog, që është në interesin e shqiptarëve që të ketë rotacion; por ky nuk është gjë qëndrimi “kolektiv” i blogut, sepse blogu nuk ka qëndrim kolektiv.

      Dhe nuk ka, sepse i vetmi qëndrim dhe zotim “kolektiv” i blogut është që të shërbejë si hapësirë e mendimit të lirë.

      Politika ka punën e vet; në rrafshin intelektual dhe etik, një marrëveshje si ajo e 1 prillit nuk mund të përligjet; por në rrafshin praktik mbase ka qenë e vetmja zgjidhje.

      Prandaj unë kam qenë dakord, që në fillim, me shprehjen tënde, Lyss, se qytetarët në Shqipëri duhet të votojnë “turandoci il naso”, ose duke zënë hundët.

      Në rrethana normale, do të kisha përkrahur një grevë të votës, ose votë të bardhë, kundër partive dhe partitokracisë, që po ia marrin frymën shtetit dhe institucioneve, si shushunjat.

      Nëse nuk e bëj këtë tani, kjo vjen ngaqë mendoj se regjimi që ka instaluar Berisha duhet të çmontohet sa më shpejt; dhe kjo nuk mund të bëhet pa votuar njerëzit.

      Një përkujtesë edhe për Tjetrin, edhe për të tjerët si Tjetri: shqiptarët kanë një zakon të keq, që u kërkojnë llogari intelektualëve, edhe kur refuzojnë që t’ua njohin meritat si të tillë.

      Bëni këtë, bëni atë. Harrojnë që këta intelektualë nuk bëjnë dot gjë, pa ndier mbështetjen dhe solidaritetin e përditshëm të qytetarëve; qoftë edhe një fraksion të vogël të mbështetjes dhe të solidaritetit që u jepet politikanëve dhe të fortëve.

      Përndryshe, Peizazhe të Fjalës është një blog i lirë, që nuk varet financiarisht as nga lexuesit, as nga reklamat; dhe autorët kanë përgjegjësi vetëm ndaj vetes dhe miqve të tyre.

      Ne as taksojmë, as përfaqësojmë njeri; dhe mbase për këtë edhe vlejmë diçka në këtë epokë zhvlerësimesh të pandalshme.

      1. “Zgjedhjet vetë janë të rëndësishme, por jo aq sa të na bëjnë të veshim uniforma dhe të dalim me megafonë. ”

        Pikerisht kete nuk kupton Tjetri kur flet “i alarmuar” per “moment historik” e per nevoje nderhyrjeje te ngutshme te intelektualeve ne fushate.
        Perfshirja e drejtperdrejte e intelektualeve ne fushate perkrah njeres apo tjetres parti mendoj se do t’i ndynte ata, do t’i bente te humbisnin besueshmerine dhe gjykimin e pavarur. Nuk kam pare asnje intelektual shqiptar deri me sot qe te kete hyre ne batakun e politikes partiake dhe te kete dale qe andej i paster qelibar.

        Personalisht mendoj se nese ky blog eshte i vetem ne llojin e tij ne hapersiren mediatike shqiptare, kjo ndodh sepse nuk eshte ndotur nga partizanlleqet politike.

        Tjeter, qetesohu, merr fryme thelle, e kujtohu se keto jane zgjedhje te zakonshme. Te tilla kemi pasur e do te kemi çdo kater vjet. Kushdo te fitoje, jeta do te vazhdoje edhe pas tyre.

        1. Relapso, nuk po flas për përfshirje në fushatë, por për qëndrime më solide e të guximshme, e artikuluara në mënyrë të drejtpërdrejtë përballë ‘vendit’ dhe ‘praxisit’ në kontekst praktik. Natyrisht që jeta vazhon, dhe sejcili mban në fund përgjesitë e veta, si në raport me realitetin ashtu edhe me ndërgjegjen e vet. Në rast se nuk kupton që në histori ka dhe momentume ‘historike’, pra të rëndësisë së veçantë në kontekste të caktuara, uroj të bësh kërkime edhe më te thella në lidhje me historinë e evolucionit apo edhe atë të qytërimeve. Ju shpreha një mendim timin, dhe njeriu me njeriun ndan qoftë edhe lutje, pasi njeriu me lutje ka të drejtë t’i drejtohet edhe zotit, jo më të vdekshmëve të vegjël siç jemi të gjithë. Nuk besoj në zot por besoj tek Njeriu, dhe njeriu formohet e konstruktohet nga vetë realiteti të cilin ai e bën të mundur si pasojë dhe si proçes i kreativitetit të tij. Nuk ka zgjidhje shabllon, duhen krijuar, dhe ky është një moment për të vënë disa piketa. Uroj t’u lidhë ndonjëherë puna dhe jeta me Shqipërinë në të ardhmen e afërt, e të vëreni se disa prej nesh që u hodhën në praxis për një çast, të kenë ndikuar që ky realitet të jetë pak më i pastër dhe i favorshëm edhe për ju.

          1. Do te ishte e tepert te kujtoja ketu Voltaire-in dhe gatishmerine e tij per te mbrojtur deri ne vdekje mendimin e kundert, sikur te mos isha i bindur se ti nuk e ke idene se ç’eshte respekti per mendimin dhe voten e te tjereve.

            Sipas teje, thuajse gjysma (diç me pak a diç me shume se gjysma) e shqiptareve qe nuk mendojne dhe nuk votojne si ti, jane “obskurantiste”, “te degraduar intelektualisht, shpirterisht e menderisht”, trushpelare, viktima te shkreta te propagandes se armikut, batakçinj qe u dashkan goditur ne menyre te perqendruar etj.
            Me sa po shoh une, ti je i vetmi prej nesh ketu qe nuk e ke nje mik, kusheri te dashur a koleg te nderuar qe mendon e voton ndryshe prej teje, sepse keta i konsideron automatikisht te padenje per lartesine tende “morale dhe intelektuale”.

            Zoti na ruajt prej intelektualesh te tille!

            1. (?) Relapso, shkruajta një kritikë/replikë që i drejtohej atyre që mendojnë si unë, jo drejtuar atyre që mendojnë kundërt. Nuk ka lidhje fare kjo me ‘respektin per mendimin e te tjereve’, përkundrazi.

            2. Është në respekt të mendimit të të tjerëve kur kritikon ata që mendojnë ngjashëm me ty. Çështja, sidomos në ndonjë moment të veçantë, është te flasësh e shkruash jo vetëm për ata që mendojnë njësoj, por edhe për një masë më të gjerë, që nënkupton njerëzinë që mendon kundërt. Përndryshe ajo pjesë e madhe që mendon ndryshe nga unë, do të lexojë e dëgjojë vetëm virtuozët pafund të pushtetit dhe nga ana tjetër vetëm antarët, me teserë të PS gjë që do t’i heroizonte ca më shumë se ç’duhet këta të fundit.

            3. Tjetër, ka një problem teknik me këto që thua dhe mënyrën si diskuton.

              Ke zgjedhur të japësh këshilla dhe të bësh thirrje, çka nuk është problematike në vetvete; por bëhet problematike në kontekstin specifik të komentit tënd.

              Dhe pikërisht – ngaqë ty nuk të njeh askush. Si autor i atyre që shkruan, ti nuk ke personalitet, as hije: nuk e ke krijuar akoma.

              Ky ishte edhe thelbi i përkujtesës sime për “moshën” tënde në blog.

              Tani, edhe këshillat edhe thirrjet, që të funksionojnë si akte gjuhësore, duhet që subjekti nga vijnë (ose pulpiti, siç do të thoshin italianët) të ketë një farë dinjiteti, autoriteti ose pranie.

              Vlera e tyre varet nga opinioni që ka lexuesi për subjektin që i thotë, po aq sa ç’varet edhe nga përmbajtja objektive e thënies.

              P.sh. ndryshe është të japë këshilla mjekësore dr. Myftar Barbullushi, dhe ndryshe, bie fjala, dr. Flori. Kjo edhe sikur, objektivisht, dr. Barbullushi të japë një këshillë mjekësore të gabuar, ndërsa dr. Flori ta ketë mirë.

              Në ato që thua ti, unë gjej një kontradiktë midis tonit të thënies dhe personalitetit tënd, si autor i tekstit. Toni është pak solemn (ose pompoz, varet nga këndvështrimi); por personaliteti yt si autor komentesh që shkruan me pseudonimin ‘Tjetër’ është ende i pazhvilluar; ose në gjendje larve.

              Kjo kontradiktë krijon, dhe nuk mund të mos krijojë, hilaritet.

              Ti gjithashtu ngatërron personalitetin tënd real, ose në jetë, me atë embrionalin, që ke krijuar në komentet. Kur dikush i thotë një gjë ‘Tjetrit’, ti e merr personalisht – dhe reagon në mënyrë të ekzagjeruar.

              Për shembull, brenda dhjetë radhëve të një komenti të mëparshëm, arrite të thuash (1) se blogu nuk ka asnjë vlerë për çështjen që të shqetëson ty; (2) se unë si moderator i komenteve e kam mendjen të mbyllur dhe duhet ta hap; (3) se ata që vijnë këtu për t’u ushqyer mendërisht janë ‘lumëdhenj’; (4) se unë duhet të kem kujdes nga hubris-i; (5) se duhet të gjej mënyrën (monetare) për t’u bërë pak më ‘humble’; (6) se mund të jetë vonë për mua, meqë jam rritur dhe edukuar në një kulturë të paktën diktatoriale; (7) e cila mbetet e dukshme dhe alarmante pothuajse në çdo koment timin.

              Me një fjalë, i harxhove të gjitha fishekët! Madje duke qenë i vetëdijshëm se unë jam këtu krejt i ekspozuar, si njeri dhe si autor; ndërsa ti je një anonim që nesër mund të zhdukesh krejt, me një klik të miut.

              Nga sa shkrove më lart, unë arrita në përfundimin se ty të është hapur rastësisht parashuta këtu; meqë nuk e ke pjekurinë e nevojshme për të përballuar pasojat e atyre që bën, që tenton të bësh, që kujton se po bën dhe që nuk e kupton se po bën. Ti rrëmbehesh dhe e shpraz automatikun kuturu.

              Por kije parasysh se nuk të njeh askush; dhe nga ato që shkruan, ende nuk je kristalizuar si muzikant i mendimit: i bie cules, shpejt dhe fort; por je krejt i stonuar. Orkestra nuk di ç’të bëjë me ty!

    2. Lyss, pikërisht kjo është arritja më e madhe e Obskurantizmit, të krijojë frikë për të ecur përpara dhe ndryshuar. Të kujtoj se që nga koha e Francis Bacon, jo vetëm shkenca, por edhe shoqëria njerëzore avancon me ‘trial and error’. Nuk mund të ketë garanci të dhëna nga asnjë pushtet, e aq më pak tek ne. Por në rast se do të kishte patur frikë nga stuhitë dhe nga monstra gjigande të detit, nuk do të ishin ybuluar kurre kontinentet e reja dhe as që toka ështe e rrumbullakët. Kemi historinë që kemi të satrapëve dhe diktatorëve që kanë zëvendësuar njëri-tjetrin,patjetër, por triumfi më i madh i obskurantizmit të sotëm, është jo vetëm se ka mbytur jetën akademike, intelektuale dhe kulturore duke e kthyer ne shërbëtore e çingije të qejfeve të veta, por mbi të gjitha sepse përpiqet me nje propagandë gëbelsiane të mbytë çdo ëndërr e aspiratë kolektive duke na i vizatuar si të pamundura me refrenin, mbylle gojën (!), shpëto veten. Garancia e vetme është trysnia dhe lufta e vazdhueshme për rifreskim dhe rotacion, dhe mos lejimi i instalimit perfundimtar të një pushteti virusal që ka mjeshtëri të blejë këdo. Kundershtarët e tij nuk i linçon por i liçencon. E rëndësishme është që askush të mos besojë më se Shqipëria mund të bëhet një vend normal, por mundësisht të gjithë të korruptohen e ndyhen deri në palcë, si mënyra e vetme për t’u mbarjtur nën kontroll. Të kërkosh seriozisht të të mbushet mendja nga programet, kur jeton nën një pushtet që të detyron të votosh duke fotografuar votën, duke marrë me vete aq e kaq njerëz për të votuar për pushtetin, për të ruajtur vendin e punës, apo thjeshtë asistencën sociale në fshat, me një pushtet që paguan e kercënon edhe nxënës e studentë, apo që shkon deri atje sa të nxjerrë me zor nëpër rrugë edhe orkestrën e RTSH për të bërë video për dr. Florin, unë nuk e kuptoj fare relevancën e gjykimit gjakftohtë të programeve në këtë moment. Pushteti është përgjegjës për frymën që ekziston, për mendësinë mesjetaro- obskuranitste dhe triumfin e saj pothuaj të plotë në Shqipëri. Falë zotit ka akoma zgjedhje dhe falë zotit ka akoma Amerikë dhe Perëndim që beson e promovon vlerat e lirisë dhe jo të disa monstrave të dala boje e të njohur si fenomene të kudogjendura në botën e tretë.

    3. Mendoj se obskurantizmi qe sheh komentuesi lidhet me nje situate jo normale, ku pushtetari me i rrezikshem i ketyre dy dekadave (sipas logjikes shtetformuese), po keput cdo fije qe e lidhin pushtetin me qytetarin: bindja ndaj ligjit dhe ndaj votes. Sado elokuence dhe “paanshmeri” te perdorim, situata po del nga kontrolli. Kjo shoqeri po humbet konceptin mbi ligjin dhe mbi te drejten. Kam bindjen se krimet qeveritare dhe mbeshtetja e elektoratit edhe pas tyre, ka krijuar nje percarje te thelle, kemi dy pjese te medha te shoqerise pa emerues te perbashket, dhe vijimi i kesaj qeverie ka vetem rezultat te keq, ne shtetformim e ne cdo ane…
      “Ajo qe i duhet te keqes, per te triumfuar, eshte heshtja e njerezve te mire”. Opozitarizmi eshte fisnikeri, sidomos ne keto rrethana…

  2. Është çështje e sejcilit, natyrisht, të ndjejë ç’ndjen përbrënda në lidhje me vokacionin e tij personal dhe shoqëror, publik apo privat. Iu drejtova lexuesve dhe kontribuesëve këtu individualisht dhe jo kolektivisht, por jam njëkohësisht i vetëdijshëm se nuk mund të zgjohen thjeshtë me disa rreshta, koshienca të fjetura e të mbytura nën renë e gazrave vetë-kënaqës të frikës dhe kolaboracionizmit të vazhdueshem me çdo sistem dhune. Kjo po që karakterizon fatkeqësisht intelektualin shqiptar. Në fund të fundit gjithçka mbetet çëshjte vokacioni dhe integriteti. Për këtë, ‘populli’ në kuptimin e gjerë të tij, nuk mund të japë mbështetje të drejtpërdrejtë apriori, por aposteriori. Kjo përktheht në trajtimin e emrin në histori dhe në rastin më të yakonshëm e të pritshëm për lenien e përjetshme në anonimitet. Mendoj dhe kam bindjen se shume emra ketu që do të mbeten përjetësisht të tillë, anonimë në analet e historisë së një vendi, pikerisht ashtu siç i takon. Pra populli ka kritere të tjera vlerësimi që shpesh herë janë të ashpra por gjithmonë mbeten të drejta, pra sipas kokës kapelën. Patjetër që intelektuali mund të gjendet në të njëjtat kushte të vështira mbijetese si populli i gjerë dhe ndonjëherë edhe më keq se ai, pavarësisht nëse ai ndodhet në Shqipëri apo jashtë saj, por ky nuk ështe justifikim sidomos për njerëz që shpenzojnë kohë dhe energji të shkruajnë në të shkruajnl e të lexojnë një blog. Çështja e qëndrimit publik në këtë moment është në nindjen time, përgjegjësia më e madhe Morale dhe Etike përkundrejt Shqipërisë. Flasim këtu për një të ardhme kolektive ku fatet tona janë të ndërlidhura e të pandara dhe besoj është dhe arszeja pse njerëz ne këtë blog angazhohen dhe të shkruajnë pao qoftë dhe lexojnë, e nuk besoj se qëllimi i vetëm teleologjik i këtij aktiviteti është fryrja e egos personale në një botë virtuale. Këtu në këtë pikë, Morali dhe Etika e Intelektualit ndahet nga ajo e Politikanit sidomos ne raport me influecën kundrejt realitetit. Për këtë jam shumë dakord. Por nëse nga njëra anë për politikanin një veprim politik përkthehet dhe gjykohet duke marrë në konsideratë efektet që ajo pritet të sjellë në realitet, pra ka një kut tjetër gjykimi final, për një Intelektual steka është shumë më e lartë, pasi ky i fundit mbetet sërish përbrenda një realiteti kulturor e rrjedhimisht abstrakt e teorik. Janë dy qënie që luftojnë në drejtime të kundërta, njëri për pushtetin e drejtpërdrejtë për ndërhyrje në realitet, ndërsa tjetri për të reformuar dijen. Më kujtohet një tekst-dialog mes Habermas dhe Derrida, pak pas 9/11. Diku Derrida thoshte se, të lësh të tjerët të vdesin duke kthyer kohën nga ana tjetër, duke mos i parë ose bërë sikur nuk shikon, pra të lësh tjetrin të vdesë, është krim krejtësisht i njëjtë me vrasjen e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe aktive. Unë mendoj se Berisha ka instaluar dhe përfaqëson një regjim OBSKURANTIST. Pjesë e këtij sistemi apo regjimi është edhe individualizmi ekstrem i përkthyer në cinizëm kolektiv, eskapizmi i kudogjendur, frika thelbësore deri në palcë për reagim. pritshmëria për shpërblim vetëm me para në dorë për çdo akt, zhdukja e përgjegjësisë morale, etike dhe shoqërore dhe zëvendësimi i saj me përulësi ndaj dorës të hurit dhe litarit të pushtetit. Tekstin më lart e shkruajta jo pa qëllim si replikë në rradhë të parë duke iu drejtuar atyre që e kuptojnë si shkrimin tim ashtu edhe nëntekstin e shkrimit mbi Çezarin. Besoj se, në rast se Shqipëria ka intelektualë të vërtetë, nuk duhet pritur që rrugën për gjithëka t’a tregojnë Çezarët e politikës, por Intelektualët të dinë të veprojnë në momente historike për të patur, nga njëra anë akses e autoritet të mjaftueshmëm publik për të ndërhyrë në orientime të përgjithshme kursi të politkës dhe opinionit më të gjerë, e nga ana tjetër për të fituar legjitimitetin për të bërë diçka të tillë. Nqs Intelektuali pret në mënyrë pasive nga Politikani rrokopuja është marrë që në këtë moment. Çfarë duhet të ndodhë është e kundërta, Politikani duhet të ketë drojë e ti trembet qëndrimit intelektual, i cili domosdoshmërisht duhet të vendosë stekat më të larta morale dhe etike por mbi të gjitha duhet të krijojë rrugët konceptuale drejt së cilës duhet të ecë populli e politikani bashkë me të. Por kjo nuk bëhet duke qëndruar ne shtëpi tek fustani i gruas apo tek hekurosja e këmishës së burrit, por në angazhim publik, të guximshëm në momente vendimtare, kur të gjithë të tjerët ndiejnë frikë, qoftë edhe politikanët. Sa më i madh të jetë risku, aq më i madh është shpërblimi, dhe atë e jep historia.
    Jam i sigurt, se një pjesë e madhe e njerëzve nuk e tejkalojnë dot veten, e as frikën nga hija e kudogjendur, në çdo cep të mendjes se tyre, e pushtetit. Tekstin më lart e shkrova për ata që do të më kuptonin, duke marrë shkas ngë një shkrim mbi Çezarin etj histori që thjeshtë shtojnë frikën dhe skepticizmin, duke i kthyer ato në “virtyte” natyrisht shumë të favorshme mbi të gjitha për pushtetin e një të ligu të rrjedhuri ligsht mendsh, dhe diktaturën e shtrëngimit të dhëmbëve, e frikës të servirur prej servilëve më të paprincipë të tij në pushtet. Kush nuk e kupton se Shqipëria ndodhet jo përpara një palë zgjedhjeje të zakonshme, por përpara një zgjedhje kursi, që shkon përtej rëndësisë politike, por hyn dhe përbën një imperativ në rradhë të parë mbi orientimin kulturor të vendit, mjerë për të, e mjerë për ne.

    1. Mik, me këto qe po lexoj tani me binde plotësisht se e beson vërtet atë qe thua. Më ngjan me ata milenaristet e eksituar qe trokisnin dere me dere (se kështu duket se gjete edhe deren tone) dhe po na jep lajmin se po nuk bëmë ndonjë goditje te përqendruar, bota do të përmbyset më… 23 qershor, toka do te çahet, uji i zi do te shpërthejë ne qiell, dielli do të zihet dhe te gjithëve do te na gllabëroje oskuratnisti (belzebuti). Ne mesazhin e pare te mora ndryshe, si nje antar i agjitpropit qe vjen nga shekulli i shkuar, tani qe te njoha me mire, te kërkoj ndjese. Nga ana ime propozoj te kapemi doreperdore dhe ashtu te lutemi deri me 23 qershor. Se kushedi punët mund te marrin për te mire.
      Me interesante do te ishte te bëhesh vetja tënde dhe njëherazi do te ndihesh me mire se sa Tjetri. Se edhe kur e ngjyen kallamarin tënd me pak emra filozofësh, kjo nuk te ndihmon dot. Ngjan si një i dehur mbi akull.
      Me drejtohesh personalisht, duke me thënë: Të kujtoj se që nga koha e Francis Bacon, jo vetëm shkenca, por edhe shoqëria njerëzore avancon me ‘trial and error’.
      Kisha menduar se njerëzimi dhe shkenca kane ecur kështu qe ne lindje, tani po mësoj se këtë hata e paskemi nga F. Bacon.
      Kjo, megjithatë nuk te pengon që njohuritë e tua t’i konfeksionesh edhe ne formen e këshillave duke na treguar se si duhet te sillet dhe veproje intelektuali.
      Mentaliteti i obskurantistit të vërtetë është ai që mendon se intelektualet i ka si oborrin e pasmë të shtëpisë së tij. Përpiqu të kuptosh se fakti qe nuk shprehet, nuk do te thotë se intelektuali nuk ka opinionet e tij. Ato janë aty dhe ai nuk ka nevojë për shiringat e tua gjithë infeksion. Heshtjen e tyre duhet ta kuptosh si mungese dëshirë për t’u bere pjese e punëve tuaja të pista!
      M’u duk sikur më pështyn njeri në fytyrë kur lexoj ndërhyrje të tilla! .

      Xhaxha

      Meqë e permende, së fundi më njoftuan se ka edhe nje autor tjeter të: « Zini hundët e votoni… »
      Zbulojeni :
      http://express.mk/2013/05/zini-hundet-dhe-votoni-per-hipokritet-dhe-batakcinjte/

      1. Fatkeqësisht Shqipëria të paktën që prej 1913-tës e deri më sot, është sunduar me bekimin e përfitimin e vazhdueshëm të njerëzve si ti.

        1. Tjetër, sulme të tilla personale ndaj autorëve zakonisht nuk i lejojmë në blog. Si anonim që je, të lutem kufizohu me vërejtje me natyrë të përgjithshme. Qëndrimi yt më lart, në fakt, është tipik anti-intelektual, ose prej harbuti standard.

          1. XhaXha përveç jush si personazh tashmë i njohur dhe me kontribut të hapur publik, nuk njoh askënd në blog, përtej pseudonimeve që mbahen këtu. U siguroj se nuk kam asgjë personale me askënd. Lyss shkruan; “Heshtjen e tyre duhet ta kuptosh si mungese dëshirë për t’u bere pjese e punëve tuaja të pista!” E para, jo të gjithë janë të heshtur. Biles shumë prej tyre kanë riskuar jo pak në prononcime publike, këto 8 vjet, përfshi këtu kontributin tuaj dhe të shumë të tjerëve, psh reagimin ‘historik’, por që u kuptua pak, të Kadaresë ndaj zgjedhjeve të 8 majit dhe u anashkalua nga pushteti duke bërë thirrje indirekt se intelektualët nuk duhen të “përzjehen” e i takonte më shumë heshtja. Natyrisht që ai do të jetë qëndrimi zyrtar i çdo kohe.
            E dyta, është futur një frymë e tmerrshme hedhëse balte ndaj çdokujt që përpiqet të flasë hapur, sikur kjo të ishte pjesë e domosdoshme “punësh të pista”. Kjo është tragjikja në këtë mes dhe këtë po që e shoh si një harbutëri kraekëput anti-intelektuale. Gjithë të mirat

            1. E kuptoj që nuk e njeh Lyss-in, por kjo vjen ngaqë ke pak kohë në blog. Të tjerët, si unë, që e njohin (thjesht ngaqë shkrimet që ai nxjerr në blog dalin edhe gjetiu, ku ai prezantohet me emrin e vet real), skandalizohen menjëherë me fjalët e tua. Lyss është pen name, jo nofkë çfarëdo.

              Qëndrimi zyrtar i politikës ndaj intelektualëve, këto kohë, ka qenë jo t’i lërë ata jashtë, por përkundrazi, t’i mobilizojë në gjithfarë thirrjesh kolektive dhe peticionesh. Pozicioni im është komod, sepse unë jetoj larg Shqipërisë; por ata që jetojnë aty, shpesh duhet të zgjedhin mes alternativash të vështira.

              Edhe në këto zgjedhje, të dy shtabet politike kërkojnë të mobilizojnë intelektualë si dhe ku të munden; qoftë edhe vetëm ngaqë militantët i kanë tashmë me vete.

              Por ti gabon, dhe gabon rëndë, kur e sheh blogun si të paangazhuar. Shkrimet tona, pothuajse gjithnjë, janë më afër realitetit dhe mendjeve sesa budallallëqet dhe platitudat që thonë politikanët në tribuna e para mikrofonave, ose hartimet që shkruajnë ca të tjerë në gazeta.

              Vetëm se duhet kohë. Ty të duhet, ma merr mendja, nja një vit që të sintonizohesh me blogun. Deri atëherë, më mirë mos u prononco në lidhje me të dhe angazhimet e autorëve aty; meqë blogu është selektiv për nga natyra e vet, jo masiv; nuk kërkon shifra, por individualitete.

              Kohët e fundit, një blogtar i njohur në ShBA, Andrew Sullivan, vendosi ta bëjë me pagesë blogun e vet – duke kërkuar fare pak, ose $1.99 në muaj për akses. Realisht, sa shans do të kishte që të ndodhte një gjë e tillë me blogun tonë? Mbaj mend një herë, dhe nuk do ta harroj kurrë, kur një person të cilit ia vlerësoja fjalën, pat deklaruar, këtu në komentet, se ai nuk do të paguante as edhe një cent, për t’u futur në Peizazhet. E pra, ky person, i cili ende shkruan në PTF ndonjëherë, ka shtatë vjet që ushqehet mendërisht në blog…

              $1.99 në muaj; ose 3-4 ditë bakshish që lëmë në kafe! Pa përmendur bakshishin në restorant, ose atë që i japim taksistit. Por ne ende nuk jemi mësuar të paguajmë për t’u ushqyer mendërisht. E duam ushqimin gratis, dhe pastaj indinjohemi, kur na ushqejnë me pleh.

              Doemos, unë dhe të tjerët që shkruajmë këtu, e nxjerrim bukën ndryshe. Nëse e përmend pagesën, e bëj sepse ajo vendos edhe një marrëdhënie përgjegjshmërie midis autorit dhe lexuesit – për të cilën edhe po flasim tani.

            2. “Doemos, unë dhe të tjerët që shkruajmë këtu, e nxjerrim bukën ndryshe.”

              Blogu eshte njeherazi forme shoqerizimi dhe mjet komunikimi mediatik. Te dyja keto forma zakonisht paguhen. Gazeta blihet, por edhe kafeneja ku kryesisht shkohet per shoqeri e jo vetem per te pire kafe, paguhet. Nese do ta konsideronim blogun nje lloj club-i, edhe anetaresia ne club paguhet. Prandaj une nuk do te çuditesha sikur blogger-at te kerkojne kuote anetaresimi.

              Gjithsesi varet nga blogu dhe nga numri i lexuesve.
              Tash se fundi gazeta “Il sole 24 ore” llogariti se blogu i Beppe Grillo-s, qe ka rreth 200 mije vizitore ne dite, arketon nga 5 milion deri ne 10 milion Euro ne vit, perfshire shpenzimet. Grillo me siguri “e nxjerr buken” me blogun. 🙂

            3. Fjala ime XhaXha nuk ishte për këtë blog, pasi ky për mua nuk ka asnjë vlerë për çështjen në fjalë, por për ‘hapesirën e gjerë publike’ ku edhe ju personalisht jeni angazhuar e nga ku jeni bërë edhe i njohur publikisht. Shpresoj vërtet ta bësh me pagesë XhaXha dhe të të ndhmojë për të jetuar më mirë e për të të hapur mendjen paraja apo dollari në mënyrë që t’i hapësh mendjen akoma më tej këtyre lumadhëve që ardhkërkan këtu për t’u ushqyer mendërisht. Nuk e vë në dyshim që ashtu është, dhe urime për këtë sukses. E keni përsëritur disa herë këtë punën e ardhjes këtu nja një vit, që mesa duket e paskeni vendosur si stazh në mendjen tuaj, por të lutem miqësisht që në këtë moment, fshiji të gjitha ndërhyrjet e mia, komente apo replika, pasi ky nuk është një forum ku dëshiroj të mbetet asgje e thëne apo shkruar nga unë. Duke qenë se nuk janë në lartësinë e duhur intelektuale, të cilën ju synoni të ruani mes miqve tuaj, u lutem miqësisht të fmë bëni këtë nder e të mos ndihem fajtor se po ul vlerën tregtare të blogut. Në drejtime të tjera meqe kalova nja nje ditë ketu mund t’u them po miqësisht, kujdes nga ‘Hubris’ se është shenjë katundarie dhe injorance ekstreme e shpresoj që paraja që do të fitoni hipotetiksisht me pagesat e të zgjedhurve këtu, të cilët e ndritën në Shqipëri me kontributet e tyre shumë të vlefshme në këtë blog, të ju bëjë pak më ‘humble’, e zbritni disi në tokë, qoftë edhe për t’u formuar e azhornuar disi më thellësisht e pa shumë zhurmë e probleme, intelektualisht. Kjo gjithmonë në lidhje me veten, se mirë i bën, gjithkujt. Sigurisht nëse mundeni, pasi mund të jetë dhe shumë vonë për këdo të rritur e edukuar në një kulturë të paktën diktatoriale si ju. Kjo kulturë mbetet mjaft e dukshme dhe alarmante pothuaj në çdo koment tuajin, përjashto shkrimet ku shpesh herë për hir të së vërtetës është e kamufluar mjaft mirë. Gjithe te mirat dhe fshijini komentet! Urgjent.

            4. Komentet nuk mund të hiqen se ndërrove ti mendje. Janë pronë e blogut; nuk t’i kemi kopjuar nga ditari, as nga blogu yt; as t’i kemi marrë me shtrëngim. Ke ardhur vetë dhe i ke lënë me dëshirën tënde. Të tjerë kanë komentuar për to ose u janë përgjigjur. Madje në qoftë se do të arrij të shes ndonjë prej tyre, do të të jap një përqindje të arsyeshme.

            5. Dua te di o Tjeter se sa intelektualeve te tjere u ke trokitur tek dera me megafon ne dore per ti zgjuar nga gjumi? Ne sa porta te tjera virtuale ke ndaluar per te perhapur fjalen e shenjte? Si ka qene reagimi? A ke patur ndonje sukses qe do mund ta riprodhojme dhe ketu meqe nuk paskemi efektin e duhur. Na meso!

              Kam frike se po perdor faktin qe eshte lene e hapur dera ketu per ti rene pragut qe te te degjojne dhe portat e tjera.

              Po ngarkon gjynah. Nese e lexova mire kerkesen tende origjinale ishte qe fjala e thene ketu te gjej vend e jehone ne hapsiren e gjere publike. Kete deri diku mund te na e kerkosh pasi ne nuk zotojme celsat e hapsires publike e as besoj se kemi lene gje mangut per te qene prezent ne te. Po te pyes ty dhe te tjereve: a ke percjellur ndonjehere shkrimet e ketij blogu/autori tek miqt e tu me e-mail apo FB, dhe jo vetem kur ke qene dakort me te? Sikur cdo lexues ketu ta bente dicka te tille do arrihej pra problem zgjidhja qe kerkon. Te jesh prezent ne hapsiren publike sot nuk do te thote te nxjerresh nje shkrim ne dite ne gazete thjesht per te konkuruar kakofonine e militanteve te paguar apo me Fevzite qe te urdherojne te pushosh.

        2. Per çfare e ke fjalen, miku im, per çfare perfitimi po flet? Vij në Tirane dhe fle hoteleve se ne ate dhome e guzhine qe kam trasheguar ka filluar te bjere suvaja dhe me ze perfund.

          1. Lyss, po edhe unë as jam, as kam qenë, dhe as kam lidhje me çështje “punësh të pista”. Nuk të njoh dhe të them të drejtën e kuptoj qëndrimin tënd, se jam për vete besomë ose jo, skeptik i “sëmurë” (dhe kjo është një “sëmundje” e shëndetshme për ta patur kushdo që ka aspirata intelektuale), por në këtë moment praktik, mendoj se skepticizmi, të pakten në sipërfaqe, duhet tejkaluar. Edhe unë nuk jam nga Marsi, po nga kjo botë, e nga i njëjti qytet. Thjeshtë mendoj, gjithsesi se angazhimi intelektual duhet të jetë imponues dhe jo garniturë pushtetesh të sotme apo të ardhshme.
            Mendoj se është momenti pë t’u imponuar në publik, sado e pamundur të duket, duke kërkuar, ndryshim, rotacion, apo quaje si të duash, e duke fituar legjitimitet nesër, për të bërë të mundur diçka tjetër, për jetën e kulturën shqiptare. Nuk kemi përse të mos flasin edhe për një qytetërim të ri. Përndryshe jemi të “mbaruar” e të dënuar me vetmi të përjetshme, të gjithë. Do të flasim e do të shkruajmë, siç edhe kanë bërë shumë prej nesh në forma të ndryshme këto kohë, e nuk ka për të na e vënë veshin njeri.

  3. Tjeter,
    pate kohe ta lexosh shkrimin VOTONI ME PROSTATË? A nuk t’u duk se kur flitej per Dr. Barbullushin ne te vertete flitej per ate Doktorin tjeter? A nuk t’u duk se aty ku Xha Xhai ngrinte shqetesimin se PSA po rekomandohet nga doktori pa asnje rezervim dhe pa marr parasysh gjetjet me te fundit ne fushe ne te vertete po bente nje analize paralele te shume e shume “testeve” ekonomike e politike qe jane huazuar nga perendimi pa teklif? Aty ku Dr. Barbullushi perdor DeNiron si “testimonial” politikanet permendin Bushin, Reagan e Blair. Nuk po vazhdoj me se do te fyej inteligjencen, por te lutem lexo mes rreshtave sa here qe futesh ketu. Sic ka thene Foucault, pushteti funksionon ne cdo nivel dhe eshte po aq i rrezikshem ne doren e Dr. Barbullushit sa ne doren e Dr. Berishes.

    1. Other Wise, artikulli qe ju referoni është teper i holle, ne kuptimin fin dhe elegant, ne ate mase, sa eshte me duket e panevojshme për t’u komentuar qofte edhe ne formen qe e beni ju. Patjeter ia vlen te rekomandohet dhe u falenderoj se me bete ta rilexoj. Persa i perket nderhyrjes tuaj ne lidhje me ceshtjen qe unë ngre, besoj se nje pergjigje mund te gjeni nese lexon midis rreshtave tek komenti im i mesiperm dhe i fundit per Lyss.

    2. Kjo ishte e pacmueshme ! 😀

      Edhe nqs Xhaxhai shkruan per harpen ne qytet ( me ka mbetur ne mendje ai shkrim ), do dali dikush ta lidhi me Salen apo Edin ; e pacmueshme sinqerisht !

      1. Ne fakt me vjen ndot nga vetja qe po detyrohem(i) te bejme nderhyrje te tilla nderkohe qe as blogu e as Xha Xhai nuk e lypin. Interpretimi banal alla doktor per Doktor, politike per Politike erdhi natyrshem per te ilustruar shemtine qe do gjenim ketu nese do ndiqnim modelin e propozuar per t’i thene gjerat me ze te larte!

  4. Ok, mirë, ateherë për një sqarim të vogël më shqip: Kritika nuk ishte ndaj blogut, e as e menduar si temë më vete. Kritka në formë replike, ishte ndaj mungesës së theksuar të zërave të freskët, në diskursin më të gjerë e më popullor se forumet online. Cështjet e tjera i shkruajta për këdo që e di mirë se ç’dua të them dhe e kupton. Të tjerët të bjnë gallatë sa të duan e të haen me fantzmat e tyre të komunizmit, fashizmit e mesjetës bashkë se do kenë kohë të merren me to dhe do duhet shumë punë për t’i tejkaluar. Shpresoj të tejkalohen dhe për pasojë të mësojnë dhe si të lexojnë një tekst për ato që thuhen nga kushdo që shprehet e jo për ato që projekton mëndja e ngarkuar me lodhjen e ngarkesën e madhe mendore të paragjykimeve. Kritika nuk kishte të bënte me këtë blog, por mori shkas nga një shkrim i djeshëm këtu. Ishte një replikë. Të gjithë forumet kanë funksionet e tyre, patjetër, dhe shumë mirë që është kështu.

  5. Zotni i nderuar,

    Na le pa fryme me kete vrull komsomolas. Nje here vjen e lutesh per angazhim intelektual/qyetetar gjithmone ne krahun e krrabes tende. Pastaj vjen e turfullon e nuk le gje pa thene majtas e djathtas, kur dikush replikon. Dhe ke nje vete-ndierje shume superiore sa merr persiper te gjykosh, denosh, matesh, presesh, qepesh etj. gjithkend qe te del perpara. (kane nje mallkim andej nga Shkodra, “te hypte vetja ne qejf!”)

    Ky eshte blog ku njerzit flasin shtruar, pa parrulla e pa megafone. Me “para partizane!” e “ja vdekje, ja liri” nuk shkon dot shume larg. Xhaxhai ka te drejte kur thote qe te duhet nja nje vit “stazh”, pastaj do kuptosh e do ftillohesh (mbase) se si ndricohet mendja duke dialoguar me te tjeret, ose thjesht duke degjuar c’thone ata qe dine me shume.

    PS. Une jam gati te paguaj per pjesmarrje ne blog. Dhe ma merr mendja se edhe shume te tjere jane te gatshem.

    1. LG, për saktësi me “para partizane!” e “ja vdekje, ja liri” u çlirua dy herë Shqipëria, një herë nga nazistët, një herë nga otomanët. Nuk janë fjalë turpi, përkundrazi. Por ama tani, të rrimë e të mbahemi fort tek kultura e ‘odës së burrave’, ku flet më i madhi e dëgjojnë të tjerët duke ndenjur squk, apo më keq akoma duke shprehur servilizëm tafti-bafti, vend e pa vend, kjo po që është problem i madh.
      Kam mjaftueshëm respekt për XhaXha-në si autor, (brënda kontekstit të temës) dhe si intelektual i angazhuar (!); mos u shqetëso për këtë.

  6. Ja ketu ngaterrohesh, Tjeter, dhe shpalos mangesi elementare ne te kuptuar te muhabetit. Ne perfytytimin tend, rendi i gjerave eshte me “i madhi” dhe “servilet.” Prandaj edhe “lutja” jote ra ne vesh te shurdher ketu, se ne nuk jemi mesuar te vemi pas askujt. dhe jemi ne parim kunder tufezimit. Prandaj te duhet stazhi qe te marresh vesh qe “respekti” nuk kushtezon asnjehere renien ose jo dakord me mendimet e askujt. Nuk kane lidhje. Respekti per oden e burrave dhe burrat qe flasin shprehet duke i matur fjalet dhe duke e shprehur kundershtimin ne forme intelektuale, pa sharje, gjykime, peshtyrje etj. Se prishet muhabeti pastaj, dhe merremi me gic-mice elementare te komunikimit, ne vend qe te merremi me “rreziqet” qe po i kanosen kombit 🙂

  7. Do apo nuk do ti LG, kombit nuk po i kanosen rreziqe, por eshte pre dhe nen thundren e mesjetes se ringjallur e kataplutuar ne shekullin e 21. Kjo vjen ne rradhe te pare nga pa-aftesia e plote ne drejtim dhe manaxhim, e ne rradhe te dyte nga nje tradite patriarkale e trasheguar keqas, e cila ne cdo epoke merr trjata nga me te papriturat, per tu shfaqur serish ne forma te reja, e per te sunduar. Murtaja ka rene, nuk eshte dicka qe riskon te vije. Ky blog nuk eshte as kutia e votes, e as qendra e zerit ne kampit te madh te perqendrimit indelektual. Kush ka integritet shfaqet ne format e tij, kush eshte i verber dhe i tulatur nga interesa te lidhura me pushtetin ne forme balsami mpires qofte edhe ne forme rroge te permuajshme apo kontrate pune, qofte edhe ne forme shprese per nje te tille apo i lidhur koke e kembe me shpresa se do te marre dicka nga kjo qeveri, le te vazhdoje te fleje mbi dafinat e permjera te fitoreve olimpike te atleteve te propagandes dhe korrupsionit. Arritja me e madhe e tyre eshte se kane futur bindjen vete-percmuese per nje popull te tere, se kjo situate do te vazhdoje njesoj e njetrajtshem edhe nese nderron i pari i vendit. Fatkeqesisht kjo mund te jete edhe e vertete, persa kohe askush nuk merr mundimin te luftoje per dicka tjeter. I vetmi shans per t’u shkeputur nga kjo murtaje eshte instrumenti i sistemit qe ende, me paterica e i te mbajtur ne krahe nga asistenca perendimore, kemi ne kembe; ky eshte rotacioni politik. Ne rast se doni te groposni edhe kete te vetmin shans qe ky sistem na jep edhe pse sot e mot me nje kembe ne varr, ok mbetet zgjedhja juaj. Pyetja eshte dhe mbetet: Ne nje vend ku te gjithe majtas e djathtas jane te bindur se nuk ka drejtesi, a meriton te pakten nje qeveri me pushtet absolut te ndeshkohet me vote, ne nje dite te vetme kur te pakten 3 milione njerez kane te drejten te jene gjykates?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin