ÇFARË FILMASH SHEH?

KSEmisionin Jamais Vu M. Nanoja e nis me një paraqitje të shkurtër të mysafirit të radhës; paraqitje e cila mbështetet në përgjigjet që ky, mysafiri, ua ka dhënë disa pyetjeve të thjeshta, që ia ka bërë mikpritësi para se të niste emisioni.

Vjet, kur isha në Tiranë, shkova edhe unë i ftuar në Jamais Vu, dhe më bëri përshtypje që, mes pyetjeve paraprake standard, ishte edhe njëra nëse e kisha zakon apo jo të shihja, në TV, filma shqiptarë të para 1990-ës.

Përshtypje s’më bëri aq pyetja, sa implikimi i saj; dhe pikërisht se paska shqiptarë, pak a shumë të kategorisë sime, që sot zbaviten (edhe) duke riparë filma të Kinostudios “Shqipëria e Re”.

Nuk i njoh mirë shijet televizive të bashkatdhetarëve të mi, përveç një lektisjeje të shumëpërfolur pas telenovelave turke; por premisave të pyetjeve televizive kam prirje t’u besoj.

Edhe në shkrimin e mëparshëm, sidomos në diskutimet pasuese, e cekëm pak dukurinë e konsumit sot të kulturës totalitare të djeshme, pa pretenduar t’i japim përgjigje shterruese.

Nëse ka një publik të tanishëm të filmave të realizmit socialist të Kinostudios, atëherë ky publik do të ketë pika takimi me atë të estradës së atyre viteve, ose të muzikës së lehtë dhe të tjerave produkte artistike.

Ka një kult masiv të kësaj kulture, të cilin nuk e likuidojmë dot vetëm si nostalgji; për shumë arsye, mes të cilave edhe fakti që mes konsumatorëve rishtas ka edhe shumë të rinj, të cilët periudhën totalitare nuk e kanë jetuar.

Unë, që e kam jetuar, e pranoj se filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re” e kam pasur zakon të mos i shihja edhe kur dilnin në kinema, edhe kur i jepte RTSh-ja më pas, të diel pas të diele në drekë.

Ishte një lloj refuzimi i heshtur i propagandës së regjimit, jo aq nga unë individualisht, sa nga krejt brezi ynë; i përzier me një lloj snobizmi të moshës.

Natyrisht as sot nuk ulem të shoh filma të tillë, përveçse për t’i “studiuar”, ose për t’i përdorur si dokumente.

Do ta kuptoja pasionin e pak të zgjedhurve, njohësve të rafinuar të kinemasë, që do të gjenin në ato filma tipare të papërsëritshme të një shkolle minore, por kryeneçe të kinemasë europiane; një flutur të rrallë dhe tashmë të zhdukur nga faqja e dheut, për koleksionet e tyre lepidopterike.

Sikurse do ta kuptoja pasionin e disa pak të tjerëve, të cilët të zbaviteshin, perversë, me dobësitë e atyre filmave, dialogun e drunjtë, shëmtinë, naivitetin dhe gabimet teknike.

Me një fjalë, do ta mirëprisja një niche publiku me një shije pak a shumë dekadente, për kinemanë shqiptare të totalitarizmit.

Përkundrazi, çfarë ndodh në Shqipëri, është që pas produkteve të tilla apasionohen jo les connoisseurs, as estetët, as kritikët socialë, as koleksionistët e kurioziteteve; por publiku i thjeshtë dhe njerëzit pa pretendime ndaj artit.

Nostalgji për periudhën komuniste?

Shpjegimi nëpërmjet nostalgjisë jo vetëm që nuk mjafton, por edhe mund të gënjejë – sepse ndonjëherë më me interes sesa të konstatosh praninë e një nostalgjie të caktuar, është të gjesh arsyet e saj.

Një përgjigje do të ishte se këta filma, të viteve 1970 dhe 1980, janë bërë për publikun e thjeshtë, ose janë produkte të qepura sipas masës së këtij publiku; jo si disa filma të sotëm, bie fjala, që janë krijuar për të impresionuar juritë e festivaleve ndërkombëtare.

Publiku mund të mos dijë të shpjegojë pse i pëlqen një produkt, por që mesazhi i drejtohet pikërisht atij e ndien menjëherë.

Në kuptimin që njerëzit i ndiejnë këta filma si të vetët.

Një përgjigje tjetër, do të ishte se filmat e periudhës komuniste ishin pjesë e një sistemi të komunikimit artistik që funksiononte në mënyrë pak a shumë organike – dhe publiku identifikohej me temat, autorët dhe aktorët, duke u mësuar t’u hapte vend në dhomën e ndenjjes.

Ky lloj publiku ka nevojë për familjaritet dhe përsëritje, më shumë se për të renë estetike, eksperimentin dhe thyerjen e tabuve.

Filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re”, me pak përjashtime të shënueshme, ishin në thelb rimarrje të së njëjtit film rrënjë, me variacione të lehta narrative dhe në kolonën zanore.

Deri edhe aktorët ishin po ata – Ndrek Luca, Margarita Xhepa, Reshat Arbana, Kadri Roshi, Violeta Manushi, Sandër Prosi, Yllka Mujo.

Ishin produkte konvejeri, të destinuara për t’u konsumuar nga një konvejer tjetër; po aq identike mes tyre sa edhe shapkat ose kutitë me sardele.

Konsumi i tyre sot i ka disa pika të përbashkëta me konsumin, njëlloj të apasionuar, të telenovelave – në të dy rastet, rëndësi ka konfirmimi ose ngushëllimi që vjen nga rimarrja: e temave, e aktorëve, e linjave narrative.

Një përgjigje e tretë do të merrte në konsideratë disiplinën artistike të këtyre filmave, që vinin pa pretendime të mëdha, por që ishin bërë, gjithsesi, nga profesionistë të regjisë dhe të kameras dhe të aktrimit.

Regjisorët shqiptarë përgjithësisht vinin nga shkollat lindore të filmit, ku kishin përvetësuar teknika të kalibrit bashkëkohor, së paku për vitet 1950-1960.

Më tepër se kaq, për arsye ideologjike, por edhe për shkak të kufizimeve materiale, filmat e Kinostudios i nënshtroheshin një rreptësie estetike; dhe, sikurse e ceka në shkrimin tjetër, disiplina shpesh bëhet premisë për cilësi.

Meqë i kam përjetuar ata filma si produkte të propagandës të një regjimi që e konsideroja si të keqe publike në Shqipëri, nuk jam në gjendje të them nëse ndokush, sot, mund t’i konsumojë ato si të ishin produkte estetike të mirëfillta.

Këtë mund ta bënte, besoj, brezi i ri; që nuk e ka përjetuar atë realitet, të cilit pretendojnë “t’i referohen” filmat.

Nuk dua të them se këta filma kanë synuar ndonjë të vërtetë, përtej kanuneve soc-realiste dhe ngojëzave të censurës; por vetëm të vë në dukje se ne, bashkëkohësit e tyre, i kemi përjetuar zakonisht si gënjeshtra.

Por brezi i ri nuk është e thënë t’i përjetojë kështu; meqë nuk është i detyruar ta krahasojë materialin në film me çfarë ka dëgjuar për periudhën totalitare.

Nëse të rinjve filmat e Kinostudios u pëlqejnë, kjo do të thotë se ka disa vlera aty, që kanë të bëjnë me formën jo me përmbajtjen.

Një përgjigje e katërt, do t’i referohej rreptësisë morale që përcjellin këta filma; ose dëlirësisë, në rrafshin ndërpersonal por edhe gjetiu – duke paraqitur një shoqëri shqiptare të pastër, si të porsalyer me gëlqere.

Kjo dëlirësi, sado hipokrite ose fantastikisht e rreme që të jetë, hyn në kontrast me zgjyrën e sotme morale, nga e cila askush nuk sheh ndonjë rrugëdalje.

Filmat e realizmit socialist pikturojnë një utopi etike “të realizuar” pa ndërmjetësinë e fesë – çka shumë shqiptarë do ta kishin dëshiruar edhe sot, sidomos në rrethanat kur feja është trazuar keq me identitetin dhe lokalizmin.

Nëse është kështu, atëherë tërheqjen pas tyre, dhe në përgjithësi pas produkteve kulturore të realizmit socialist, do ta shihja si efekt të nevojës njerëzore, universale, për etikë dhe spiritualitet.

E megjithatë, do të ishte ironike sikur filmat në thelb propagandistikë të një ofiçine të artit totalitar, si Kinostudioja “Shqipëria e re” të përfundonin të konsumuara si të ishin skripturë

P.S. Argumentin se filma të tillë sot shihen dhe shijohen, si pjesë e dëfrimit televiziv, edhe ngaqë publikut nuk i ofrohet asgjë tjetër e kësaj natyre do të doja ta trajtoj veçan.

Shënim: Kam ndrequr, më lart, emrin e aktores Violeta Manushi, të cilin e pata dhënë gabim në versionin fillestar.

Nuk ka komente

  1. “publiku identifikohej me temat, autorët dhe aktorët, duke u mësuar t’u hapte vend në dhomën e ndenjjes.

    Ky lloj publiku ka nevojë për familjaritet dhe përsëritje, më shumë se për të renë estetike, eksperimentin dhe thyerjen e tabuve.”

    Besoj se kishte elemente realiste neper filmat soc-realiste, por ishin pak. Nuk besoj se njerezia mund te identifikohej kollaj me ta; une s’e kam pare veten asgjekundi dhe nuk kam menduar ndonjehere se ndokush qe une njihja ngjante me personazhet e filmit; eshte keshtu edhe ne rastin kur filmat me pelqenin. Ajo qe filmat benin me shume se t’u lejonin audiencave identifikim, eshte se krijonin per to modele te kendshme (sado te parealizueshme), jo kontradiktore, me te ardhme te embel e te paqme. Ne kete menyre sheqerosnin me pseudo-identifikim qe, ne rastin me te mire, do kryhej ne te ardhmen, nje kohe prezente te shemtuar ku shikuesi nuk mund te gjente prehje individuale.

    Ndoshta nuk eshte familjariteti me temen, aktorin, teknikat etj, qe shtyn rishikimin e tyre, por nevoja per te pare endrren e thjeshtezuar e te sheqerosur, qe per grupe te gjera njerezish eshte nevoje jetike. Realiteti i sotem, ne eksperiencen e perditshme dhe ne art, eshte i zhveshur nga cfaredolloj endrre dhe ka nje ngarkese e rendese te tille qe nuk pjell dot enderr te gjalle por e lind ate te vdekur.

    Besoj se eshte tamam sic thua ti per te gjitha arsyet e tjera.

    1. Mund të jetë që shpjegimin më të thjeshtë ta kërkojmë se krijimi në shtrëngim, censurë (politike), i jep hapësirë më shume ndjenjës te idealizimit, hulumtimit të diçkaje që nuk të është dhënë mundësia ta shijosh ne realitet.

      Kjo është karakteristikë e sistemeve represive që të drejtojnë drejt ëndrrës, idealizimit te një sistemi harmonish, vëllazërimi njerëzor.

      Kurse në një sistem te hapur, ku çdo gjë është e mundur, idealizimi nuk ka asnjë terren për sukses, bota është e zhveshur, spartane, është një luftë e përditshme për të mbijetuar, për të pasur sukses.

      Prandaj është më e vështirë të ndërtosh suksesin ne art, nuk ka asnjë lloj qoshku të ngrohtë, të qetë, të gënjeshtër, qoftë edhe artificialisht të ngritur, të mbrojtur nga doktrina e izolimit.

  2. Read Me: shpjegimi yt me siper, sado i thjeshte ose jo, i sakte ose jo, eshte perpjekje per psikanalize. Kjo e fundit ka gjithnje nje doze te larte subjektiviteti (edhe kur kryhet nga me te persosurit psikanaliste te sotem), por une nuk kam njohurite e duhura qe ta bej, sidomos ne nivel te thjeshtezuar. Di me siguri vetem qe problemi qe ngre xhaxhai ketu, me mire se kudo do ta gjente pergjigjen ne metoden e interpretimit psikanalitik. E tille eshte natyra e problemit, qe nuk analizohet dot pa iu drejtuar nenvetedijes, represionit, uneve te niveleve te ndryshme, lidhjes mes subjektit dhe grupit, forcave nga jashte dhe perkthimin e tyre brenda subjektit, dhe lidhjes se tyre me krijimin artistik.

    1. Presja, tema e hapur nga Xha Xhai prek një sëre aspektesh të dukurive të kalimit nga një shoqëri e pa ekspozuar, nën guaskën e kontrollit totalitar, drejt e në një shoqëri të hapur.

      Jam i sigurt që këto dukuri janë studiuar edhe nga psikanaliza, por eksperimenti shqiptar mund të shtonte veçantitë që vinin prej ekseseve shqiptare, rezultat i paranojës që totalitarizmi e ktheu në ideolatri.

      Personalisht nuk e di se sa e shtrirë është kjo kapje pas të kaluarës e brezit të ri, ne rastin tonë e filmave socio-realist. Por kam një ide që mund të jetë krejtësisht e gabuar: ka një farë sponsorizimi, inkurajimi, që bën që të kthehet koka shpesh nga e kaluara letrare-artistike e periudhës totalitare.

      Motivet mund të jenë ndoshta krejt banale, por ndoshta edhe të sofistikuara.
      Ato pak herë që ndjek apo kam ndjekur televizorin shqiptar, kam parë programe ku flitet me nostalgji për muzikën, festivalet, filmat e periudhës totalitare, ku ftohen artistët, kompozitorët, këngëtarët, aktorët, prezantuesit, etj.

      Flitet për jetë dhe kontribute njerëzish, dhe nuk ka asgjë të keqe. Kjo e kaluar e artit socialist merr vlerat e kujtimeve dhe nostalgjive të jetëve të jetuara, për më shumë, në sytë e publikut prezantohet me një dekor bashkëkohor, kontekstualizohet në një realitet tjetër, dhe i ofrohet publikut për atë që nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë, një lloj “land of Oz” të zhvillimit të artit në përgjithësi.

  3. Xha-xha edhe une bej pjese ne ata persona qe refuzoja me vetedije shikimin e filmave te Kinostudjos; per fat te keq te njejtin qendrim mbaja edhe per muziken popullore per te cilen me vone e kuptova se kisha gabuar. Por kur dicka te serviret me force per ta pare apo shijuar, sigurisht qe reagimi imediat do te jete ne te kunderten e saj.
    Me kete rast, desha te di mendimin tend ne lidhje me muziken ne pergjithesi qe shoqeronte filmat tane te asaj kohe. Ndoshta ketu mund te kete dicka per te lavderuar apo admiruar. Muzika e filmave tane per mua ishte nje nga gjerat e pakta qe me ka shijuar. Kjo mbase sepse muzika nuk shoqerohej me tekse dhe se muzika eshte shume me e veshtire ta ideologjizoshe.

    1. Muzika e filmave më ka pasë pëlqyer shumë – për të njëjtat arsye me ato që sjell ti. Kompozitorët ishin më të lirë, kur u duhej të krijonin kolona zanore.

      Për fat të keq, muzikën shqiptare nuk kishe ku ta gjeje, nëse e kërkoje për ta regjistruar. Ka qenë një kohë, në Tiranë, kur më lehtë mund të gjeje një album të Claudio Baglioni-t, sesa muzikën e një filmi.

      Prandaj duhej t’i faleshim Radio Tiranës, por Radio Tiranën s’e dëgjonim kurrë.

      Sa për muzikën e filmave, më kujtove një histori. Kam pasur një mik që kish mbaruar për kompozim, por e kishin degdisur në pallatin e kulturës të një rrethi të vogël. Megjithatë, që andej, kish arritur të siguronte një ftesë, për të shkruar kolonën zanore të një filmi vizatimor.

      Kur më qëlloi që shkova një ditë në atë rreth, me shërbim, e takova dhe më çoi në zyrën e vet, ku kishte edhe një piano. U ul dhe luajti kompozimin që kish bërë, për filmin vizatimor – që, në mos gabohem, ishte një rimarrje satirike e motivit të Robinson Cruzoe-së.

      Mua më pëlqeu shumë pjesa, dhe ia shpreha admirimin. Qeshi dhe më tha se kjo muzikë e kompozuar prej tij nuk kish ndonjë vlerë kushedi çfarë, pse nuk sillte gjë të re. Ishte ripërtypje motivesh dhe skemash të njohura, Perëndimore, që i përshtateshin atij filmi.

  4. Meqe brezi i refuzimit te heshtur permes televizonit hyri ne Perendim sa si nevojtar i hapesires shpirterore, materiale dhe etike, aq edhe si turisti i pare virtual, keshtu edhe brezi i ri mund te performoje nje turizem te anasjellte me oficinen e artit totalitar. Nuk eshte ripertypje kulturore besoj, por nje leksion i vizualizuar i nje historie te vertete. Te vertete, sepse propaganda si aspekt formal mbushte jeten e shqiptareve, dhe si e ketille ajo sot eshte lehtesisht e kompromentuar nga realiteti qe jetojme. Pra vetezhvishet per te lene zbuluar te verteten qe na perqesh. Serish i vertete dhe ngacmues ne planin historik, pasi permes disave prej tyre ne sot mund te shohim nje projeksion te sapo skicuar te atij qe sot eshte establishmenti politik dhe intelektual. Diku nje drejtor qe vjedh, nje martese qe thurret me nje dipomat, miku dhe shoku, tarafi dhe mashtrimi, hileja qe jane ne lufte me sistemin shoqeror, e shkuara qe perpelitet dhe sendergjohet ne oazet muzeale njerezore te te deklasuarve, qe piketakohen me dukurine mikoroborgjeze te Njeriut te Ri me te cilin ripodhon antitezat morale, aq sa dhe ndertojne nje lufte te re, brenda nje lloji te ri. Nje dialektike e pafrenueshme, qe mundet edhe ta perjetojme ne rolin e produktit, apo edhe te mund te sodisim dy pamje te vetes: naivitetin e djeshem, apo edhe shtirjen.
    Nga ana tjeter ne ato filma rinia gjen edhe disa heronj shqiptare, qe jane te tille sepse kane privilegjin historik te konstituimit ne nje fushe beteje te pamohueshme: Lufta. Nderkohe sot jetojme ne nje kohe ku cdo vlere matet me kritere sodomike. Ndaj mundet qe ne teresi dashamiresia per keto filma te jete edhe nje fije deshire per rithemelim te moralit, sado qe po kerkohet ne sfondin e gabuar. Ketu edhe vlera e shumefishte e kinemase, qe tejkalon qellimin fillestar dhe toleron lirine e interpretimit si shenje mirekuptimi fatlum per kompleksitetin e jetes ne cdo sistem politik. Cfare denoncon propaganda e ketyre filmave eshte nje marredhenie historike qe kerkon te riperkufizohet ne funksion te se ardhmes. Ideologjikisht, natyra polemiste e temave, lufta me problemet perputhet me kriterin e socializmit si “faze tranzitore”, por qe ne ndryshim nga vullneti per nje happy end dhe nje avenir te paracaktuar nga historia, ne sot kemi realitetin te jetuar si antipropaganden e atij regjimi. Mund ta shfrytezojme si nje kuader nga i cili gjithsesi mund te mesohet shume, te pakten per veten, sesa per qellimet e sistemit, te cilat ne disa drejtime nuk mund parimisht dhe moralisht te denoncohen.

  5. E kam degjuar disa here kete legjenden post komuniste se brezit te ri i pelqekan filmat e realizmit socialist. Sidoqofte une personalisht nuk kam takuar as edhe nje te ri qe t’i pelqejne filma te tille. Ne fakt nuk e di nga ka mbire kjo teori. Ah, po. Para disa kohesh ne Top Channel u be nje kuiz me pyetje nga filmat e vjeter shqiptare. Cuditerisht ishte vetem nje konkurent i ri (19 vjec me sa kujtoj). Cuditerisht ai doli fitues megjthese ekzistojne teori konspirative e video ne Youtube sipas te cilave cdo gje ishte e stisur nga organizatoret si nje menyre per te promovuar filmin shqiptar tek te rinjte.

    E gjitha kjo na con tek nje tjeter shpjegim. Ate qe e verteta se filmat e vjeter u pelqekan edhe nga brezi i ri nuk eshte gje tjeter vecse nje e genjeshter e gatuar nga brezi i vjeter per te rilegjitimuar kinematografine e atij regjimi.Njefare vazhdimi banal i gatimit te njeriut te ri qe ne fakt eshte riciklimi i te vjetrit me negativ. E ngjashme me fasaden e partive politike qe mburren para kamerave se e kane pasuruar partine me gjak te ri. Nje politike disa dekadash kjo ne Shqiperi dhe fatkeqesisht e suksesshme ne kontekstin e ketij vendi. Por sepaku keta “te rinjte” e partive politike i sheh sa per fasade. Ndersa keta “te rinjte” e filmave komuniste nuk i sheh kurrkund per bese.

      1. Lulian, nese me lejohet te te pyes sa vjec je? Kur une them “brez i ri” ne lidhje me pelqimin ose jo te filmave te kinostudios kam parasysh ata qe tani jane 25 vjec e poshte. Ata qe jane mbi 30-tat edhe pse jane akoma te rinj, nuk besoj se futen tek “brezi i ri” persa i perket kesaj teme per arsye nga me te ndryshmet qe tashme dihen. Natyrisht qe caktimi i grupmoshes eshte disi edhe subjektiv ne lidhje me kete teme. Por ky eshte mendimi im.

    1. Taku, përgjithësisht, kam po të njëtin mendim.
      Pjesa më e madhe e atyre që po quhen të rinj këtu, janë formuar e indoktrnuar – si persona- që para ndërrimit të sistemeve; liria mediatike, nëse e percetojmë si liri zgjedhjeje e njëkohësisht si kurë për pa-lirinë e zgjedhjes për ta erdhi shumë vonë.

      Unë të vetmit “të rinj” që kam parë të pëlqejnë filmat, ose më saktë batutat e atyre filmave, janë një grup personazhesh të PPU, të cilëve nuk u shpëton asnjë rast për të filluar luftën, se kush kujton batutën më të mirë, e kush e thotë i fundit, batutën. (Këtë jo sepse i ndjek apo kuptoj; ma kanë vënë në dukje të tjerë persona.)
      Mbase për këta të rinj e ka fjalën edhe Lulian Kodra.

  6. Filmat e soc-realizmit shqiptar tashme jane bere pjese e se ashtuquajtures “tradite klasike e kinemase shqiptare”. Ne te gjithe boten filma te tille shihen thjesht per kete arsye. Besoj kjo eshte arsyeja per ty, Lulian. por nuk jam e sigurte. Sidoqofte, Read Me, ajo qe une diskutoja me lart si ceshtja qendrore e shkrimit origjinal te Xhaxhait dhe se nen cfare metodologjie mund te shpjegohej, nuk ishte se perse te rinjte shohin sot filma te tille (ose nese i shohin apo jo), por cfare dreqin ishte ajo gjeja pozitive qe nen dhune lejonte krijimtari me interesante sesa kjo e sotmja ne ditet e lirise. Lirise?

    1. Nuk e kam shumë të qartë se çfarë ke ndërmend me “krijimtari më interesante”.

      Sistemi kishte mekanizma për të përzgjedhur talente në fushat elitare të artit. Pra kishte disiplinë në përzgjedhje.

      Kjo është shthurur fare sot. Nuk ka ndonjë kriter për të nxjerrë në pah meritokracinë në art.

      Talentin publiku i dallon, por sot në një shtet pa shtet, është e vështirë qe talenti të zhvillohet dhe të piqet vetvetiu, do mbështetje.

      Arti eshte metodik, didaktik; nën një disiplinë te tille behej rekrutimi i artistëve te ardhshem dhe kultivohej e përgatitej talenti.

      Këtë e bënte të mundur dikur shteti, sepse i duhej nje armate e tille.

      Kjo nuk është e mundur në një Shqipëri të çoroditur nga liria qe askush nuk di ta administroje.

      Sektori privat eshte akoma i papergjegjshem, i paafte te zhvilloje talente.

  7. atëherë tërheqjen pas tyre, dhe në përgjithësi pas produkteve kulturore të realizmit socialist, do ta shihja si efekt të nevojës njerëzore, universale, për etikë dhe spiritualitet.

    E megjithatë, do të ishte ironike sikur filmat në thelb propagandistikë të një ofiçine të artit totalitar, si Kinostudioja “Shqipëria e re” të përfundonin të konsumuara si të ishin skripturë…

    E verteta eshte qe ata qe jane nen 30 vjec jetojne ne nje realitet krejt te pakuptimte. Heren e fundit qe isha ne Tirane, mesova prej nje studente te mjekesise se doktoret qe jane edhe profesore, refuzojne te ndajne njohurite me studentet e tyre per shkak se mund t’u bejne konkurrence. Pare ne kete prizem, realizmi socialist del vertet si skripture.

  8. Ka edhe një arsye tjetër, pse shihen këto filma – ato ndihmojnë për t’i mbajtur së bashku familjet me disa breza dhe për t’i riprodhuar ato.

    Ndodh që një film shqiptar nga të Kinostudios ta shohin bashkë gjyshja dhe mbesa. Është një nga shumë të paktët programe që mund t’u pëlqejnë njëkohësisht të dyjave.

    Duke parë filmin, gjyshja dhe mbesa flasin mes tyre dhe kjo është gjë e mirë në vetvete.

    1. Po, ashtu mendoj. Eshte ideja e vazhdimesise. Dhe jo vetem nga njeri brez tek tjetri, por edhe brenda koshiences dhe kujteses se nje njeriu. Keshtu qe pyetja ngrihet jo thjesht se “c’te bej me filmat e prodhuar ne ate kohe, t’i shoh a mos t’i shoh me?” por edhe “c’do bej me kujtimet e mia te femijerise/adoleshences/jetes qe kalova ne komunizem?” A me lejohet (moralisht flas, ne ndergjegje, se realisht s’te pengon njeri) te kem nje sens vazhdimesie te vetes, nje sens te nje llogjike te kohes qe shkon e kaluara-e sotmja-e ardhmja, qofte ky vektor me shume ulje-ngritje s’ka problem, por a mundem ta kem si linje te pakeputur brenda meje, dhe njekohesisht te ruaj sensin e te ndjerit njeri, me respekt per veten? Ndoshta me nje ndjenje komplekse faji a pengu te fshehur diku aty, por prape me nje sens plotesie ku nuk kam pse te “shqelmoj” ne nenndergjegje ne menyre permanente nje pjese te tere te se kaluares time, ate pjese pra te kaluar nen diktature. Dhe, per me teper, a mund te jem njekohesisht sot nje anti-komunist apo nje jo-komunist me bindje pa qene nevoja te shtyp brenda ndergjegjes, ne sensin ‘repress’, a kujteses shume e shume episode, mbresa, histori, si edhe filma ne kete rast, vetem e vetem per t’u ndjere i lare, i paster, i kulluar?
      Personalisht e kam zgjidhur problemin ne fjale duke ju pergjigjur “po” te gjitha ketyre pikepyetjeve. Nuk e di nese si kolektivitet mund ta bejme kete, apo edhe nese duhet ta bejme a jo. Thjesht po dua te them se sensin i vazhdimesise me duket dicka e rekomandueshme. Me gjithe kompleksitetin e pareduktueshem te se kaluares sone, dhe pa qene nevoja te lekundesh nga bindjet e sotme prej jehonave qe sjellin kujtimet e se djeshmes. Eshte thjesht e shendetshme.

      1. Veshtire te thuhet se eshte e shendetshme. E natyrshme po, por e shendetshme me duket si justifikim. Eshte e vertete ajo qe thua se ka nje element vazhdimesie tek vepra e artit. Ajo kurre nuk na pelqen vetem se na ka pas pelqyer dikur por edhe se me te lidhen kujtimet, se fundja fundit kujtimet funksionojne nepermjet asosacioneve (shoqerizimeve). E ne njefare menyre kujtimet jane te lidhura me identitetin tone por ky i fundit nuk eshte nje mase e ngurte.

        Ka dy probleme te medha me pelqimin e filmave te socializmit. I pari ka te beje me rafshin kryesisht estetik. Qe t’i pelqesh ato estetikisht do te thote te mos kesh konceptin e filmit ne koke. E ne fakt shqiptaret (nese mund te flasim kaq gjere) nuk e kane konceptin ne koke se c’eshte nje fim i mire. Te mos harrojme se fajtori kryesor per kete ishte pikerisht Kinostudio. Akoma edhe sot ne ngaterrojme nje film te mire me nje film qe ka batuta te mira. Ose personazhe popullore nga ato qe na pelqejne aq shume. Dmth detaje qe nuk bejne diferencen. Kjo reflekton edhe njelloj handikapi kulturor nese mund ta quajme keshtu: ate qe shqiptaret si popull merren shume me detaje, me dukje apo edhe me cikerrima dhe priren te anashkalojne thelbin.

        Se dyti, eshte problemi i mosberjes akoma te nje katarsisi. Ose me mire ne refuzojme ta bejme nje te tille. Dhe pjese e ketij refuzimi eshte edhe justifikimi i tipit “he mo se ka pasur ca gjera te mira ne to”. Po fundja c’do gje e keqe e ka nje te mire dhe kjo me kujton pergjigjen e Beningni-t qe i ftuar ne nje studio ku fliste per Berluskonin u pyet nga moderatori “Po nje gje te mire nuk paska bere ky Berluskoni?”
        “Po edhe monstra e Firences* mirmengjes i ka thene dikujt”-ia ktheu komediani

        * Nje kriminel i cili kreu nje seri krimesh te perbindshme mbi ciftet ne Firence vite me pare
        http://it.wikipedia.org/wiki/Mostro_di_Firenze

  9. Historia gjithmone ka nevoje per t’u kujtuar; ndac per te gjetur rrenjet, ndac per krenari e ndac per te mbyllur syte. Edhe kinematografia e asaj kohe te para eres demokratike mendoj se bene pjese ketu.

    Duke perjashtuar moshen e madhe qe sa me shume kalon koha i kthehen nostalgjise, duke treguar kujtimet ‘heroike’ te rinise, mosha e re ndryshe nga e meparshmja kerkon te njohe rrenjet e prejardhjes, adn-ne e saj dhe per rrjedhoje dhe i sheh, i studjon dhe reflekton.

    Nje sipermarrje si filmi artistik kerkon nje pjesmarrje te gjere kontribuesish si skenarist,regjizor,muzikant,operator,piktor,etj.Dhe sot historiografia mburret me disa syresh si me te shkruar,si me rrefime,si me gojedhena…Midis pjesmarresve te produktit kishte artista qe do te mbeten ne kujtesen artistike per arritje te mrekullueshme profesionale edhe pse te pakta.

    Duke perjashtuar nje moshe qe e kishte bezdi te shihte fima ne tv sa u be si anektode, qe sa pjestare jeni ne famije merrte pergjigjen kater plus Rikardi (ljarja) pese,sepse nate per nate ate do te shihje,duke mos ja mohuar vlerat, pasardhesit te ushqyer se kemi patur nje duzine artistash te kalibrit boteror si mund t’a njo ate pa pare produktin ?!Detyrimisht do t’i shoh.Ndikimi ? Nuk e di.

    Pjesa me e dobet e produksionit te nje filmi kane qene skenaristet.Mediokritet ne origjine a ne shperfaqje per shkak te kushteve e censures.

    Regjizoret, kishte dhe keshtu dhe ashtu, pra kane sjelle dhe risi ne krijimtarine regjizoriale krahasimisht me kohen.Duke mos pretenduar per te bere diferenca,ka patur krijimtari ne fushen e rinise e femijeve dhe ne disa tema te realitetit te cilat mund te shrbejne dhe si ilustrime te realitetit te kohes.

    Aktoret,pergjithesisht te talentuar, dhe te niveleve bashkekohore.Aktore ishin profesionisht te prurjes se rolit ne besueshmerine maksimale,pavaresisht se cfare interpretonin.Dhe nga do te njihet virtiuziteti i tyre nga ai brez qe nuk i ka pare hap pas hap por vetem ndigjon per ta ,pa pare produktet?Do shohin filmat.

    Mire per kompozitoret se mund tegjenden dhe te shkeputur nga produksioni.Dhe atje ka patur talente pasi kane qene te shkeputur nga teksti a poezia dhe po t’i degjosh te shkeputur e pa nohuri se perse kane sherbyer si ilustrim te sjellin dhe kenaqesi estetike.

    Etj,etj ,etj per pjesmarresit e tjere.

    Shikueshmeria jo gjithmone tregon se ka nostalgji, ka pelqim,ka imitim, ka klonim me produktin dhe propaganden e tij.

    Jo pak ndjekim vepra artstistike te shekujve,ne te gjitha fushat, dhe ndjejme kenaqesine apo pakenaqesine me shijet e sotme te kultivuara.

    Le t’ja ofrojme produktet tregut, konsumatori eshte ai qe vendos, vecse kritika kinematografike te kryej funksionin e saj duke rekomanduar shijet.

    Mes plehrave celin dhe lule…

  10. Pothuaj te gjitha arsyet e evokuara qofte nga artikulli, qofte nga komentuesit, kane nje te perbashket: behet fjale per arsye subjektive te cilat, diç me shume e diç me pak, qendrojne.

    Megjithate, mendoj se arsyeja kryesore e deshires se publikut te sotem shqiptar per te pare filmat ne fjale, eshte mbi te gjitha e natyres objektive, pra ka te beje me vete natyren e kinemase, te kinematografise, me natyren e vete filmit.

    Eshte jo pak e ngaterruar per tu shpjeguar, por per ti rene ca shkurt: vete kinemaja, vete filmi per nga natyra e tij, ne vlere absolute nuk eshte politik. Ose per ta thene më shkoqur e per te mos u keqkuptuar: aktin e mbylljes se nje dere shtepie, nje kineast hollywwodian, nje kineast sovjetik apo nje nazist, vertet qe mund ta filmoje ne menyra te ndryshme, por gjithsesi, ne fund te fundit (ne vlere absolute), behet fjale “per nje mbyllje dere”, dhe kaq. Dua te them se, kinemaja, lenda e saj, arrin te kaloje pertej ideologjive, eshte arti i ‘tejkalimit’ te tyre (si te thuash), sepse pikerisht, pershfaq jeten ne menyren më komplete (te pakten deri më tani) se te gjithe artet e tjere. Pra, ne nje fare menyre, eshte ‘bigger than life’ – siç thuhet me te drejte (apo per ironi te fatit ??) pikerisht ne… Hollywood!

    Ose e gjitha kjo e thene ndryshe : nese fjalen ‘komunizem’ do ta zhvishnim nga ngarkesa historike, fare mire mund te guxojme e te themi se kinematografia, filmi, eshte komunizmi i arteve, stadi final i tyre (te pakten, derime tani). I cili, edhe pse mund te keqperdoret (dhe ka qene dhe vazhdon te keqperdoret rendshem!), prap se prap, “ne vlere absolute”, mbetet i ‘papolitizueshem’, i ‘pa neshtrueshem’. Ose siç eshte thene me lart, terheqes. Shpjegimi i kesaj ‘kokefortesie’, i kesaj ‘rezistence’ qe ushtron kinemaja (ose me sakt, lenda e saj) mbi ne, pa dyshim qe duhet te kete lidhje me faktin se, si ‘sinteze’ ultime e te gjithe arteve te tjere, si art total qe eshte, ai arrin te fitoje ‘virgjerine’ (ajo puna e “mbylljes se deres” qe shpjegova me lart) dhe thjeshtesine absolute te arteve fillestare.

    1. Stalker, e vlerësoj shumë ndërhyrjen tënde këtu (madje e prisja); por arsyeja që sjell më lart – dhe që nuk po e gjykoj nëse qëndron apo jo – më duket sikur zbatohet ndaj krejt filmit si art; dhe jo ndaj kategorisë specifike të filmit shqiptar që sjellim këtu.

      Ka edhe më. Këta filma nuk shihen më në kinema, por në TV; dhe televizioni i zhvesh filmat nga shumë karakteristika themelore.

      Dhe, më në fund, me arsyen tënde njerëzit do të apasionoheshin pas çdo filmi, gjë që në fakt nuk ndodh; dhe mua pikërisht kjo përzgjedhshmëri e publikut (parapëlqimi i filmit shqiptar të RS) më tërhoqi vëmendjen.

      1. Xhaxha, ‘kategoria specifike e filmit shqiptar’ (siç e quaje) e ka vete brenda fjalen ‘film’, keshtu qe detyrimisht edhe arsyeja qe solla me lart (te cilen e quajta arsye objektive, pra qe lidhet me vete natyren e kinematografise, pra te filmit) doemos qe zbatohet edhe per ata shqiptare. Pak, aspak ose sadopak artistikë te kene qene ata.

        Duam apo nuk duam ne, edhe filmi me i keq (dhe mendimi im eshte se ai shqiptar nuk ka qene as me i miri, as me i keqi; por edhe sikur te kete qene, prap asgje nuk ndyshon nga arsyetimi ne fjale), pra qofte dhe filmi me i keq ne bote, perceptohet nga spektatori, diku me shume diku me pak, ne forme artistike. Qofte edhe permes TV. Biles qofte edhe permes nje katrori ne youtube! Dhe qe te mos keqkuptohemi: nuk them se detyrimisht behet fjale per art, KURRSESI! (sepse ky eshte krejt tjeter debat).

        Sa per ate qe, nese kjo do te ishte arsyeja kryesore, njerezit do te apasionoheshin pas çdo filmi (gje qe nuk ndodh- siç shkruan ti me te drejte), kjo nuk ndodh thjesht pasi sot prodhimi shqiptar i filmave eshte pothuaj zero. Por nga ana tjeter, njerezit duan te shohin jeten e tyre shqiptare ne fiksion dhe, pikerisht per arsyen qe permenda me lart (pra per vete natyren e filmit, e lendes me te cilen ai behet), arrijne ti ‘tejkalojne’ pa piken e sikletit kufijte ideologjike.

    2. Deleuze, në një leksionin të xhiruar (http://www.youtube.com/watch?v=7DskjRer95s), thotë se (ndjesë për ndonjë lajthitje nga përkthimi i përkthimit) kinematografia krijon blloqe lëvizje-kohe, me anë të të cilëve mund të tregojë një histori; më tej, thotë se vepra e artit nuk ka aspak lidhje me komunikimin apo informacionin, perveçse si akt rezistence; dhe në fund, thotë se jo çdo vepër arti është akt rezistence, e prapëseprapë, në një farë mënyre, është e tillë.

      Deleuze duket se e mbivlerëson këtë aspekt të errët e subversiv të kinemasë, por ndoshta, është pikërisht po ajo që nënvlerësohet nga censurat apo regjimet. Përcjellja e informacionit apo propagandës bëhet me anë të këtyre blloqeve, në kodin gjenetik të të cilëve është shkruar kjo rezistencë.
      Do thoja, jo pa një dozë spekullimi, se vetë arti, është shprehje e të famshmit (për mirë apo keq) vullnet për pushtet, se ai vetë krijon një pushtet të tijin, të një rendi ndoshta edhe më të lartë se p.sh. pushteti politik, përderisa arrin ta lërë atë pas.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin