MIGRACIONI I HARRUAR

Në fund të prillit, në Tiranë, u mbajt një seminar me titull “Menaxhimi i migracionit ne Shqiperi: Parashikimet e reja politike”. Qëllimi i mbledhjes ishte të prezantonte arritjet e deritanishme në zbatimin e politikave migratore në vend dhe rekomandimet për politikat e reja migratore. Promovueses të nismës, IOM (Organizata Ndërkombëtare për Migracionin), nuk ke ç’i thua. Nisma ishte inteligjente, në momentin e duhur dhe me synime të dobishme.

Tingëllon vërtet e tepërt t’u kujtojmë kolegëve e lexuesve rëndësinë e migracionit në përgjithësi e të emigracionit në veçanti në vendin tonë. Nënvizime të tilla janë kohëhumbëse për një vend që një të tretën e popullsisë e ka jashtë kufijve shtetërorë. Ata që nuk e kapin që në fillim rëndësinë e emigracionit le të marrin një vend çfarëdo në botë dhe t’ia konsiderojnë 33% të popullsisë së emigruar. Përmasat janë vërtet biblike, edhe kur numrat jepen në vlera absolute: gjysmë milion shqiptarë jetojnë në Itali me dokumente të rregullta, më pak se një milion jetojnë në Greqi, e kështu me radhë nëpër vende e kontinente gjithnjë e më të largëta.

Për rëndësinë e migracionit është folur shumë, madje vlera e dukurisë është analizuar nga shumë pikëpamje, duke filluar nga ajo ekonomike, por me sa duket nuk paska qenë e mjaftueshme. Falënderimet IOM-it, së bashku me komplimentet, duhet t’i shkojnë për faktin se Strategjia kombëtare për  Migracionin (2005-2010) ka dy vjet që ka mbaruar dhe nuk po shihet në horizont ndonjë draft për planin e ardhshëm të punës.

Mbledhja e 30 prillit kishte parashikuar praninë e ministrive të përfshira në migracion, përfaqësues e studiues të komunitetit migrator shqiptar në Greqi dhe Itali, si dhe eksponentë nga shoqëria civile. Në tryezat e rrumbullakëta të pasdites iu la hapësirë diskutimi ekspertëve të fushës migratore për të prezantuar studimet, projektet, arritjet e zhvilluara deri më sot. Punimet u mbyllën me konkluzionet dhe me rekomandimet për politikat programatike në lëmin e migracionit.

Kronikën e seminarit mund ta ndiqni gjetiu, ose mund ta rindërtojmë më vonë, por ajo që binte në sy ishte në radhë të parë mungesa e politikës në rangun e saj më të lartë. Migracioni është prioritet i prioriteteve për një vend si Shqipëria, ku sipas anketimeve të fundit popullsia vijon ta shikojë emigracionin si mundësinë e vetme të suksesit në jetë. Si rrjedhim pritej që e gjithë politika të përfaqësohej nga nivelet më të larta, për të treguar jo vetëm sensibilitetin, por edhe vullnetin për të përpiluar një strategji të qartë për menaxhimin e këtij fenomeni kompleks e ndërsektorial.

Mirëpo do të ishim të njëanshëm, sikur të mos përmendnim edhe numrin relativisht të pakët të ndjekësve të kësaj mbledhjeje. Për temën që trajtonte, për përmasat e dukurisë migratore, për problematikat e mprehta që e shoqërojnë, pjesëmarrja e publikut ishte në nivele të pakënaqshme. Po të hiqje njerëzit që do të flisnin e shoqëruesit e tyre, numri reduktohej shumë. Gjithashtu, bota akademike nuk ishte shumë e pranishme. Me përjashtim të disa kolegëve të vyer për studimet e tyre për migracionin, pjesa tjetër kishte preferuar të mos vinte.

Po për mediat ç’të thuash? Telekamera kishte, sidomos në fillim kur personalitet politike hapën lojën e diskutimeve. Në fakt mediat elektronike e njoftuan publikun për nismën. Ajo që mungoi ishte përshkrimi i nismës së mësipërme në median e shkruar, e cila për natyrën e saj përputhet më shumë me analizën, ndaj edhe duket disi e çuditshme mungesa e shkrimeve për një dukuri që kërkon arsyetim e pak bojë shkrimi më shumë.

Të gjitha ndërhyrjet në mbledhjen ndërkombëtare, meqë kishte përfaqësues të Kombeve të Bashkuara, të Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, etj, nënvizuan rëndësinë e përpilimit të strategjisë kombëtare për migracionin. Mirëpo një strategji kombëtare kërkon edhe diskutim kombëtar, mbi të gjitha gjithëpërfshirës – sa për të përmendur një fjalë që është në modë aktualisht – për një nga dukuritë më të rëndësishme të shoqërisë shqiptare. Nga ana tjetër nuk duhet harruar se migracioni është në zhvillim e sipër, ndaj duhen përgatitur qasje e politika të reja, që deri dje ndoshta as që mund të mendoheshin. Kohët ndryshojnë, sidomos për lëvizjen e njerëzve. Pra planet e ndryshme të veprimit duhen përditësuar, duke e parë migracionin në kuadrin global e ndërsektorial, çka imponohet edhe nga karakteristikat e tij.

Vetë fjala strategji shkon përtej ndarjeve politike, pra kërkohet edhe një vizion i përbashkët, e mbi të gjitha vetëdije se emigracioni është nga ato fenomene që mund të shndërrohet në burim të jashtëzakonshëm nëse dimë t’ia njohim e t’ia “shfrytëzojmë” energjitë e shumta.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin