GËSHTENJA

gështenjaÇfarë na vjen ndër mend po të dëgjojmë fjalën gështenjë? Me cilat pamje e përshoqërojmë këtë fjalë? Varet, natyrisht, nga përvoja personale e gjithkujt. Mua më kujtohet dimri, aroma e këndshme e gështenjave mbi sobë, kërcitjet karakteristike të pjekjes, shija e mrekullueshme… Personalisht, nuk e di përse, gështenjat më sjellin në mend një farë qetësie shpirtërore, çka mund të shpjegohet edhe me faktin se gështenjat i kam ngrënë afër zjarrit, si fruta dimri, pra në momente të këndshme. Rrallë herë i kam përdorur në vend të bukës, por ishte gjithsesi zëvendësim i mirëpritur.

Besoj se të paktë do të jenë ata që nuk i kanë shijuar ndonjëherë gështenjat, të pjekura, të ziera, ose të gjalla. Secili prej nesh ruan kujtime të pashlyeshme, shpeshherë të lidhura me fëmijërinë, për këtë fryt të mirënjohur, ndonjëherë delikatesë e vërtetë, që vijon të jetë i pranishëm edhe në ditët e sotme, por me sa duket pa vëmendjen e duhur nga shoqëria shqiptare.

Gështenja për qytetarët e sotëm vjen si fryt pothuajse ekzotik, sikurse vjen ananasi ose hurmat e Arabisë. Ku rritet? Si kultivohet? Çfarë problemesh ka? Qytetari europian nuk e ka shumë idenë. Ndryshe duhet të ishte shqiptari, disi më i ndjeshëm e më i përditësuar me gështenjën, për të vetmen arsye se ky dru është shumë i përhapur në Shqipëri.

Për arsye të ndryshme, më ra në dorë libri i porsabotuar me titull “Gështenja. Një mike e harruar”, me autor prof. Çaush Elezaj. Autori i librit është diplomuar në degën silvikulturë në Universitetin e Brashovës (Rumani), ka punuar në terren në Shqipëri për shumë vite me radhë, pastaj në Ministrinë e Bujqësisë (Drejtorinë e Pyjeve), e së fundi pedagog në Fakultetin e Pyjeve. Pa hyrë në detaje të tjera të jetëshkrimit, mund të themi se kemi të bëjmë me një specialist me përvojë të jashtëzakonshme në lëmin e pyjeve e të gështenjës në veçanti. Kur e mbarova së lexuari librin “Gështenja. Një mike e harruar”, e kuptova se njohuritë e mia për gështenjën ishin krejt fillestare.

Pikë së pari, gështenjishtat në Shqipëri janë shumë të përhapura; është më kollaj të përmendësh rrethet që nuk i kanë, se sa rrethet që gëzojnë praninë e tyre. Kur pashë hartën me ngjyra, që tregonte se ku gjenden, u habita pa masë. Gështenjat ishin kudo, nga veriu në jug.

Kopertina Gështenja. Një mike e harruar.Libri “Gështenja. Një mike e harruar” i Çaush Elezaj, e pasuron më tej literaturën shkencore shqiptare, duke ofruar informacione me interes për specialistët, gështenjëkultivuesit, studentët, dashamirësit, e çdo lexues kureshtar për historikun dhe përhapjen e gështenjës që në lashtësi; karakteristikat e dëmtuesve dhe masat mbrojtëse; vlerat e shumta dhe rolin e saj në jetën e përditshme, përfshirë aspektin social; gjendjen aktuale të gështenjishtave në Shqipëri; masat komplekse që rekomandohen në dobi të bashkësisë.

Për ata që nuk janë specialistë, një libër i tillë i ndihmon të kuptojnë se gështenja përbën përnjimend “minierë ari” për ekonominë shqiptare. Kjo pemë e mrekullueshme ka vlera të jashtëzakonshme dhe funksione të shumëfishta. Nga pema e gështenjës njeriu mund të nxjerrë shumë gjëra. Frytin e thamë, sepse është më i njohuri tek konsumatorët, i pjekur ose i zierë; por edhe druri vlen për mobilie cilësore. Pyjet me gështenja janë të dobishme, gjithashtu, për mjedisin e për tokën, për arsye që dihen (ajri dhe erozioni), por edhe për turizmin.

Lexuesit që nuk janë mësuar me problemet e silvikulturës do t’i lënë ndoshta mënjanë çështjet e shartimit, sëmundjet e gështenjës, myqet, insektet e kalbëzimet, por do t’iu duken tejet interesante disa aspekte të tjera, si p.sh. prodhimi i mjaltit. Siç dihet, gështenjat u ofrojnë bletëve lulet e tyre për prodhimin e mjaltit të murrmë, atë të gështenjës, që ka shije e cilësi të veçantë. Pyjet e gështenjës janë të lidhura me industrinë ushqimore kryesisht për frutat. Të gjithë e dimë se ç’janë marrons glacés, delikatesë e sukses ushqimor në rang botëror, por pak janë ata që dinë ta dallojnë gështenjën nga marronet. Të paktë janë ata që dinë se nga gështenjat prodhohet një birrë shumë e mirë dhe e veçantë. Të paktë janë ata që ia njohin vlerën e eksportimit.

Po si shpjegohet vallë që gështenjat po shfaqen gjithnjë e më rrallë në Shqipëri? Përse vallë blejmë në treg gështenja importi, kur kemi plot në vendin tonë? Libri trajton edhe problemet e gështenjës në vend, duke filluar nga problemet e drurit, për të vazhduar me ato të kultivimit, grumbullimit, organizimit, shpërndarjes e kështu me radhë. Nuk harrohen aspekte shoqërore siç është punësimi, por edhe politikat e duhura, që duhen ndjekur për t’i shndërruar pyjet e gështenjës në pasuri kombëtare. Nuk është e vështirë të kuptosh se “Gështenja. Një mike e harruar” është libër i domosdoshëm për ata që merren me pyjet, bujqësinë, industrinë ushqimore, turizmin, mjedisin, etj., çka vihet re, për karakterin pragmatik, sidomos në kapitullin e parafundit për trajtimin e gështenjishtave në vendin tonë dhe masat që duhet të merren.

Dulcis in fundo. Në shtojcën e vendosur në fund të kapitujve jepen disa receta gatimesh me gështenjë. Të pasionuarit e gatimit do të gjejnë receta shumë interesante për t’i zbatuar në dimër e në verë, kurse amatorët do t’ia zbulojnë me admirim vlerat e gështenjës edhe në kuzhinë: torta, bukë, polenta, petulla, biskota, ëmbëlsira, etj.

Pyjet, përfshirë gështenjishtat, janë të lidhura ngushtë me turizmin, mjedisin, shëndetin, territorin, natyrën, energjinë, industrinë, biodiversitetin, ekonominë, punësimin e kështu me radhë. Në thelb janë të lidhura me njeriun. Në fakt, nuk është rastësi që gështenja është kaq e pranishme në art e letërsi. Libra të tillë na kujtojnë se pyjet përbëjnë një pasuri të pallogaritshme. Shoqëria duhet të ndërgjegjësohet e të kujdeset për pyjet, duke filluar nga gështenjat. Deri dje, gështenjat në Shqipëri quheshin “buka e fukarait”, por sot përpunimi i tyre mund ta përmbysë shprehjen e dikurshme. Për këtë duhet vetëm pak inteligjencë e vullnet i mirë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin