SPJUNLLIQE

Sipas një njoftimi të shpërndarë nga Gazeta Shqiptare, reforma e propozuar e drejtshkrimit të shqipes standard do të prekë edhe fjalë si dioqezë dhe spiun, të cilat tash e tutje u dashkan shkruar djoqezë dhe spjun.

Njoftimi nuk citon ndonjë burim as dokument të besueshëm, por vetëm radhit një sërë ndryshimesh, disa prej të cilave përkojnë me ato që kish sjellë Shekulli një ditë më parë.

Unë nuk e besoj këtë farë ndreqjeje, por nuk besoj edhe që shembujt t’i ketë sjellë nga xhepi gazetari: dikush do t’ia ketë thënë.

Dy fjalë të veçuara edhe mund të drejtshkruhen keq, ose sipas po atij parimi të drejtshkrimit agrar, që fjalën Ismail e përfundon në Smajl (kështu quhej superintendenti shqiptar i një pallati ku kam pasë banuar në NYC; dhe qiraxhinjtë, kur i shkruanin pusulla, i drejtoheshin: Dear Smile!).

Por nuk ka asnjë shans që gjuhëtarët e Këshillit të trajtojnë fjalë si spiun dhe dioqezë në të njëjtin grup me fjalë si italian dhe materjal (që tashi na vijnë si italjan dhe materje); meqë kalimi hipotetik nga spiunspjun do të ndryshonte edhe strukturën rrokjesore të fjalës (nga dy në një), sa kohë që fjalën e shqiptojmë spi-un, ose me grupin zanor iu të padiftonguar.

Megjithatë, nuk është hera e parë që mbledhjet e Këshillit Ndërakademik të shoqërohen nga dizinformacioni. Çështja këtu është se nga buron dizinformacioni, kush e “rrjedh” dhe çfarë synohet të arrihet me këtë psy-op.

Logjike do të ishte që lajme të tilla për ndryshime absurde, që cingërisin mendjet e njerëzve, të përhapen pikërisht për t’u përgënjeshtruar më pas; ose në mënyrë që kur të bëhen të ditura ndryshimet e mirëfillta, opinioni publik të thotë i çliruar: ah, këto nuk qenkan gjë, kujtuam se do të bënit ato të tjerat…

Pa përmendur, pastaj, figurën qesharake që do të bënin të gjithë ata të cilët do ta kishin shprehur, publikisht, revoltën e tyre ndaj këtyre ndryshimeve imagjinare.

Një teori komploti pra, që nuk po e sjell këtu krejt me shaka.

Nuk ka komente

  1. Kurse për fjalën “bulmet”, nëse që tani e tutje do të shkruhet kështu apo “bylmet”, nuk paskërkan rënë dakort, mësova nga shtypi. Po vendosën për “bylmet, mos do të ishte mirë që fjalën “bylme” = mur ndarës, ta bëjnë “bulme”, që të mos ngatërrohen? Një sugjerim, tha.

  2. I dashur XhaXha,

    me kapi nje si zenie makine mbreme nga kjo urdheresa gjitheperfshirese me stilin ‘mos i fol shoferit’, e shpresoj qe projektet te mbesin ne leter e ta lene me aq.

    Gjithsesi, per sa me takon, edhe sikur vertet te mos materJalizohet projekti, nuk ka nuske e hoxhe qe me ben derman te m’i nxjerre nga koka keto J-te qe kapa gafil neper fjale, e te me ruaje nga dyshimi para cdo i-je me pas, thua nuk mjaftonte makthi grafantomatik 20 vjet qe ma ka shkrehur sistemin imunitar me themeli

    Me si ka ardhur dita, sahatin per vete do vij ta kurdis ketu, e na pac ne qafe sa me te lehte:) . Kete vend, sido te shkoje puna, e cilesoj si xhep rezistence gjuhesore, si strehim (jo bunker – Mehmet Elezi) antiberthamor, ne kuptimin jo me dramatik se te mbrojtjes se turinjve nga katerqindmije goje elektronike shqiptaresh qe me peshtyjne berthama shalqiri 24 ore rresht ketu ne ekran.

    Ps: Sot po mbaj shenim, per cdo rast:

    “një pallati ku kam pasë banuar në NYC”

    dhe

    “që tashi na vijnë”

  3. Mire spjun dhe djoqeze qe jane te neveritshme, por nuk mund te imagjinoj se c’mund te ndodhe me opinion apo maniak.

  4. Kush sp(i)junon, ke sp(i)junon e cfare sp(i)junon e si sp(i)junon, ndoshta do te kishte rendesi me te vertete….

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin