CILIDO PA FRIKË

Perspektiva që kam zgjedhur për këto shënime rreth drejtshkrimit të shqipes përkon, në disa pika, me atë të Mark Sebba-s (Spelling and Society, Cambridge University Press, 2007), sidomos në lidhje me raportet midis drejtshkrimit dhe alfabetizimit (literacy).

Momentet kyçe në historinë e drejtshkrimit të shqipes – kongresi i Manastirit i vitit 1908 dhe Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 – të dyja e shtruan problemin e shkrimit të njësuar të shqipes në kontekstin e alfabetizimit, ose të edukimit të masës folëse me shprehitë e nevojshme për ta lexuar dhe shkruar shqipen.

Megjithatë, ka një dallim kritik mes këtyre dy momenteve kyçe, dallim që, në analizë të fundit, gjen shprehje si dallimi mes vetë leximit dhe shkrimit; meqë kongresi i Manastirit kërkonte një mënyrë sa më efikase për t’ua mësuar masave të lexonin shqip; ndërsa në 1972 ishte shtruar për zgjidhje nevoja e pjesëmarrjes së masave në ligjërimin publik me shkrim, në një kohë që leximi masiv konsiderohej si i zgjidhur tashmë.

E gjithë kjo nuk mund të kuptohet jashtë zhvillimeve të së ashtuquajturës “luftë kundër analfabetizmit”, e cila konsiderohet si një nga sukseset e mëdha të regjimit të Hoxhës. Faza e parë e këtij aksioni alfabetizues doemos që synonte t’u mësonte shqiptarëve të lexonin, edhe pse tek leximi shpesh arrihej nëpërmjet shkrimit (shkrim e këndim). Gjithsesi, askush nuk u kërkonte këtyre viktimave të rehabilituara të padijes që të shkruanin, as priste që këta të shkruanin gjë. Deri nga mesi i viteve 1960, thelbi i alfabetizimit konsistonte në aftësinë për të lexuar pak a shumë rrjedhshëm (sikurse thelbi i aritmetizimit konsistonte në aftësinë për të bërë veprime të thjeshta aritmetike); dhe shkolla këtë synonte; në një kohë që të shkruarit mbetej prerogativë e një elite të ndritur (shkrimtarë, përkthyes, gazetarë, publicistë).

Në fund të viteve 1960 ndodhën disa zhvillime të reja, që tani mund dhe duhen parë si konteksti që i parapriu Kongresit Drejtshkrimor të vitit 1972: revolucionarizimi i shkollës dhe lufta kundër konservatorizmit, theksi te vija e masave në politikë dhe, çka na intereson më shumë, një lëvizje që synonte emancipimin e klasës punëtore dhe të fshatarësisë, grave dhe rinisë, e që në thelb drejtohej kundër intelektualëve, kuadrove dhe burokracisë (ergo, elitës deri dje të ndritur).

Kjo lëvizje e fundit, që nuk ish pa lidhje me revolucionin kulturor në Kinën e Maos, gjeti shprehje dhe mishërim në porosinë e njohur të Enver Hoxhës: “Cilido pa frikë dhe me shkronja të mëdha të shkruajë çfarë mendon ai për punën dhe për njerëzit,” duke e pasur fjalën, sikurse dihet, për fletë-rrufenë.

Si formë të ligjërimit totalitar, fletë-rrufenë e kemi analizuar gjetiu (ME SHKRONJA TË MËDHA); këtu po duam vetëm të vëmë në dukje se kjo formë gjithsesi i përkiste ligjërimit publik të shkruar, meqë në formulën e Hoxhës bëhej haptazi thirrje për t’i shkruar mendimet, kritikat dhe rrugëzgjidhjet; dhe se ftesa për të shkruar i bëhej tashmë cilitdo; çka edhe i jepte fund, de facto, hierarkisë që kish ekzistuar deri atëherë, midis një elite të vogël shkrimtarësh (shkruesish) dhe një mase të lexuesve. Nëpërmjet formulës së mësipërme, Hoxha i ftonte anonimët, masat popullore, njeriun e thjeshtë, që të bëhej subjekt i ligjërimit të shkruar publik.

Këtij subjekti do t’i duhej tani edhe një drejtshkrim, si garanci që fjala e tij e shkruar do të përcillej dhe kuptohej përtej kufijve të fshatit, mëhallës dhe fisit të tij; dhe një drejtshkrim aktiv, ndryshe nga ai tjetri, drejtshkrimi pasiv, që e kish lejuar të lexonte shqipen e shkruar deri atëherë. Dhe pikërisht ky drejtshkrim u propozua si projekt në 1968-ën dhe u sanksionua pastaj, në formë rregullash, nga Kongresi i vitit 1972.

Ka interes të vihet në dukje, këtu, se sa kohë që shkrimi ishte prerogativë e shkrimtarëve, këtyre u ishte lejuar përdorimi i varianteve letrare; Llazar Siliqi, Haki Stërmilli dhe Kolë Jakova – sa për të sjellë pak shembuj që më vinë tani në mendje – shkruanin në gegërishte deri vonë në vitet 1960; por njeriu i ri, që do të merrte penën në dorë për të qëndisur fletë-rrufetë me shkronja të mëdha, do të shkruante sipas drejtshkrimit të ri, i përgatitur dhe i hedhur në qarkullim pikërisht në momentin e kthesës kritike, kur shkrimi i shqipes do të masivizohej, si formë komunikimi.

Shtoj këtu edhe se, në vitin 1968, filloi të botohej edhe seria e Veprës së Enver Hoxhës – që do të vazhdonte e pandërprerë, me dhjetëra e dhjetëra vëllime, deri në fund të viteve 1980; vepra që, megjithë luhatjet e mëdha në drejtshkrim të vëllimeve të para (pa çka se drejtshkrimi i shumë dokumenteve të viteve 1940 do të jetë prekur nga redaktorët me pëlqimin e autorit, sikurse lihet të kuptohet në parathënien e Veprës 1), do të shërbenin si model i shqipes standarde publike, duke u përhapur edhe falë organizimit kapilar të leximeve kolektive, “punimit” të veprave dhe formave të edukimit. Gjatë këtyre praktikave të njëjtësimit diskursiv të masës me udhëheqësin, pjesëmarrësit nxiteshin që të përgatitnin komentet e tyre me shkrim – në trajtë konspektesh, të cilat shpesh nuk ishin veçse kopje të shkurtuara të tekstit të veprave.

Në thelb, alfabetizimi i riformuluar pas viteve 1960 synonte jo vetëm të përsoste format e indoktrinimit të masave në shkollat e regjimit, duke njësuar trajtat e ligjërimit shkollor dhe të vetë teksteve; por edhe të përfshinte më mirë “masat punonjëse” në jetën politike të vendit, duke i ndihmuar këto masa të artikuloheshin me gojë dhe me shkrim, në mënyrë të tillë që të komunikonin pa vështirësi nga njëri skaj i Shqipërisë në tjetrin. I kristalizuar, konsoliduar dhe sanksionuar veçanërisht në vitet 1968-1972, drejtshkrimi i shqipes së njësuar dha ndihmesën e vet në këtë proces të integrimit të masave në jetën qytetare, duke ofruar një standard të shkrimit dhe, a posteriori, edhe të shqiptimit politik publik.

Nuk ka komente

  1. Fshirja e kontekstit te kohes kur u caktua standardi fsheh nen rrogoz nivelin e cinizmit qe ngjall argumentet dogmatike te tipit kundra-ndryshimeve-drejtshkrimore. Sheshimi qe iu be larmise gjuhesore me nje imponim nga lart solli nga nje ane sheshimin e dallimeve krahinore por kjo u ba me mbisypranine e krahinave ku veproi LANÇ-i, pra u perligj fshirja e ligjerates n’emer te ligjerates. Pra, nje kolone e peste qe shitet per standard.

    Ndersa alfabetizimi ndodhi kryesisht per te lehtesuar lidhjen me diktatorin (saktesisht me idolatrine qe kishte per objekt ate), sesa perfshirja e masave punonjes ne jeten politike… nese “jete politike” mund te quhen dy fjalet e para qe mesonin kurset kundra analfabetizimit, pra “Parti” & “Enver”.
    Lidhja me diktatorin ishte e kuadrit skllav-faraon, pasojat e se ciles i vuajme ende sot nga pikepamja psiko-shoqnore. Pra, prirja t’i jepet nje atribut te atille Hoxhes qe na paskerka dashte me ftue njeriun e thjeshte ne ligjerimin publik me shkrim ne nje periudhe kur mendimi ndryshe denohej, eshte qartesisht nje absurditet. Burimin ky absurditet e ka nga deliri i dlire apo nga ndonje gje tjeter eshte çeshtje tjeter…

    Tehuajzimi nga tiparet e rraces dhe t’etnotipit u be edhe nepermjet gjuhes qe nuk pesoi nje kthese nje “kthese kritike” por “fshese kritike”. Çdo prirje per t’iu kthyer bazes burimore si shembull a pike referimi, duhet mbeshtetur dhe jo perndjekur siç behej me mendimin ndryshe dikur. Ani se mendim ndryshe eshte edhe ta shkruash arberishten me parimet e kongresit… por kornizimet ne kohe lirie jane vetem shembuj rincoglioniti-sh.

    1. Ndodhi një ngatërresë me përgjigjen time – sepse unë e redaktova, pikërisht kur ti u kundërpërgjigje. M’u desh t’i fshija të dyja. Gjithsesi, kam përshtypjen se je ngutur shumë në sa thua më lart; dhe sa për vlerësimin e raportit midis diskursit enverist dhe atij të shqipes publike nën totalitarizëm, unë kam shkruar një libër të tërë për atë temë (gjysmën e librit e gjen falas në blog), prandaj mos më trego arrat, të lutem, se nuk ta kam ngenë.

      1. Ndoshta eshte ajo, ndoshta edhe kompleksi i performances qe rritet ne proporcion me jehonen mediatike… gjithsesi, ti je zot shtepie.

        Ju lumshin duart per librin, ashtu edhe per pergjigjen nepermjet reklames.

        1. Libri nuk ka shumë nevojë për reklamë – ka dalë këtu e pesë vjet të shkuara, dhe ka marrë edhe një çmim kombëtar (“Gjergj Fishta”). Dhe nëse të intereson mendimi im i përpunuar për njësimin e shqipes dhe vendosjen e standardit, këtë e gjen në një libër të mëparshëm, “Fraktalet e shqipes”.

          Ti e kupton, shpresoj, se unë nuk mund t’i paraprij shkrimet e mia në blog me përmbledhje të librave që kam shkruar gjatë këtyre viteve; por nëse dëshiron të më kundërvihesh kështu siç vepron ti, atëherë më duhet të të referoj tek ato tekste menjëherë.

  2. Nje skicim alternativ shume intersant i konteksit me te gjere social e politik per te kuptuar strukturimet e konfigurimet qe pesoi shqipja pas L2B. Gjithsesi dyshoj se lidershipi komunist kishte kaq qartesi per t’i paparire me reforma gjuhesore te ardhmes se tij politike. Diçka, madje me shume se diçka do te kete ndikuar edhe pervoja sovietike ne kete mes. Besoj…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin