TË FLASIM SHTREMBËR E TË SHKRUAJMË DREJT

Deri më sot, ata që kërkojnë ta reformojnë drejtshkrimin, pavarësisht nga sa dhe si do të bëhen këto reforma, e mbështetin pozicionin e tyre me argumente kryesisht të natyrës gjuhësore: parimi fonetik, evoluimi i gjuhës, nevoja për thjeshtim dhe lëmim, e kështu me radhë; ndërsa ata që e kundërshtojnë reformën si të tillë, ose të paktën mendojnë se reforma nuk mund të kryhet në këtë moment, sjellin argumente më shumë të natyrës kulturore dhe sociologjike, kur nuk kuturisen në ad hominem.

Nëse kjo ndarje qëndron, atëherë debatin e kanë fituar tashmë të dytët; sepse çështja e drejtshkrimit dhe e reformës drejtshkrimore nuk është çështje gjuhësore, por kulturore dhe sociale; dhe ata që e parashtrojnë dhe shtjellojnë si çështje gjuhësore, ose nuk dinë për çfarë po flasin, ose janë në keqbesim.

Në fakt, çfarë është drejtshkrimi, në mos një sistem që përcakton si duhet shkruar gjuha; i cili në praktikën e përditshme të përdorimit të gjuhës shfaqet në trajta të një force ose imperativi, që na shtyn të shkruajmë gjuhë dhe jo gjuh; burrë dhe jo burë; tregtar dhe jo tregëtar (e as tregtaar), e që e ka burimin, tek e fundit, te legjitimiteti i një përmbledhjeje rregullash ose kodi, të miratuar formalisht dhe të shndërruar në një lloj ligji, sui generis; shkelja e të cilit, edhe kur nuk ndëshkohet administrativisht, sjell doemos pasoja të padëshirueshme për statusin social të shkelësit?

Vetë fjala drejtshkrim sjell me vete nocionin se ka një formë të drejtë për t’i shkruar fjalët, dhe se shmangia ndaj kësaj forme përfton trajta të padrejta; pra nocionin se duke i shkruar fjalët në pajtim me “kodin” jemi duke u konformuar me një parim të së drejtës gjuhësore, ose duke zbatuar një normë ose një ligj, që mund të merret edhe si mishërim i drejtësisë në të shkruar; e cila drejtësi i kundërvihet gabimit gjuhësor jo vetëm në rrafshin horizontal, por edhe vertikal (social).

Dhe nëse këtë forcë, këtë trysni ose imperativ për ta shkruar fjalën duke iu nënshtruar pa kushte një rregulli, parimi ose imperativi vërtet të arsyetuar disi në instancën teorike, por megjithatë arbitrar, e përjetojmë sikur na vjen prej një autoriteti të cilit ne ose prindët tanë ia kemi deleguar pushtetin “drejtshkrimor”, atëherë nevoja ose dëshira për ta reformuar, ose ruajtur drejtshkrimin ka të bëjë drejtpërdrejt me imazhin ose përfytyrimin tonë për këtë autoritet dhe marrëdhënien që vendosim ose kujtojmë se kemi vendosur me të.

Për disa prej nesh, autoriteti që na detyron të shkruajmë shkollë dhe jo shkoll, kumbull dhe jo kumbullë, zhvesh dhe jo xhvesh, është tradita kulturore që përfshin edhe historinë e pandërprerë të shqipes së shkruar dhe të letërsisë shqipe; për disa të tjerë, Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972; për disa të tretë qytetaria, ose përkatësia në Republikën e Shqipërisë; për të tjerë akoma, hegjemonia toske, e vendosur pas vitit 1945 dhe tani e vënë në diskutim nga revanshi gradual geg, në demografi dhe në politikë, edhe pse jo (ende) në kulturë.

Këtu, ose në identifikimin e këtij autoriteti, mund dhe duhet të kërkohet arsyeja pse drejtshkrimi është çështje social-kulturore, më shumë se gjuhësore e mirëfilltë; meqë pakkush prej nesh mendon se është gjuha vetë, ose shqipja si e tillë, që na detyron të shkruajmë rojtar dhe jo rojëtar; mësues dhe jo mësus; shtëpi dhe jo shpi; dhe të gjithë, në një mënyrë ose në një tjetër, e marrim me mend se aty ku flitet për drejtshkrim, ka edhe një agjenci njerëzore që përcakton se ku është e drejta dhe ku e padrejta (kushedi do të ketë edhe ndonjë shqiptar që e mendon drejtësinë e shkrimit si të buruar nga Zoti).

Nga ana tjetër, shqipes së sotme – pavarësisht nëse këtë e quajmë të njësuar, të përbashkët, standarde, të standardizuar, normative, ose zyrtare – nuk i duhet gjë të përballet me ndonjë formë alternative të drejtshkrimit, ose ndonjë sistem të organizuar a kod shkrimor të tillë që t’i kundërvihet zyrtarishtes ballazi, ose në krejt frontin e përdorimit; edhe kundërshtarët më radikalë të drejtshkrimit të sotëm duan ta reformojnë atë, jo ta zëvendësojnë me ndonjë sistem të tyrin; duan ta ndryshojnë nga brenda, jo ta shembin dhe të ndërtojnë një sistem të ri mbi gërmadhat; duan ta përmirësojnë, jo ta nxjerrin jashtë përdorimi; duke ia njohur, si të thuash, cilësinë e të mishëruarit, ekskluziv, të drejtësisë gjuhësore.

Këtu përvijohet doemos një kontradiktë; dhe pikërisht ajo midis karakterit social-kulturor të drejtshkrimit, si marrëdhënie pushteti midis njerëzve përdorues të gjuhës së shkruar (shtresave, klasave në daçi), dhe karakterit thjesht gjuhësor të ndryshimeve të propozuara në kuadrin e reformave. Kjo kontradiktë e bën të kotë debatin që pa nisur ky mirë.

Në fakt, e sikurse mund të merret lehtë me mend, autoriteti gjuhësor që na imponon të shkruajmë shkollë dhe jo shkoll, shprehet ose materializohet gjuhësisht pikërisht tek ë-ja fundore, të cilën ia shtojmë fjalës edhe kur nuk e shqiptojmë (dhe në fakt gjithnjë e më tepër nuk e shqiptojmë, sikurse e kanë provuar studimet në terren); është ajo –ë që, më tepër se shenjë grafike e një foneme a tingulli praktikisht të padëgjueshëm, funksionon si atribut ose distinktiv i autoritetit gjuhësor, ose ai atij pushteti të trupëzuar në gjuhë nëpërmjet sistemit arsimor dhe të fuqizuar orë e çast nga konteksti gjuhësor që i konformohet; dhe që e njohim dhe e ndiejmë edhe kur nuk e emërtojmë dot. Jo më kot mëritë e mëdha dhe qesënditë e entuziastëve për reforma të drejtshkrimit i drejtohen pikërisht asaj ë-je, të cilën disa kushedi do të dëshironin ta rrëzonin nga shkrimi shqip njëlloj si statujën e Enver Hoxhës në 1991-shin në Tiranë; për t’ua shkulur fjalëve të drejtshkruara spaletat policore që, sipas tyre, ia pat vënë dje totalitarizmi.

Nuk ka komente

  1. Ne morine e shkrimeve te Xha Xhait mbi kete çeshtje mendoj se keto pak rreshta japin thelbin e vertete te problemit, si te thuash, “i nxjerrin koken muhabetit”. Nuk ke ç’t’i shtosh e ç’t’i heqesh.

    Drejtshkrimi eshte konvencion socio-kulturor. Pike!

    Fakti qe ne e veme ne diskutim kete konvencion, nuk pranojme ate autoritet per te cilin flet Xha Xhai, nuk merremi vesh se si te shkruajme gjuhen, nuk jemi ne gjendje te mesojme ca rregulla drejtshkrimi, eshte nje simptome e nje te keqeje qe shkon pertej çeshtjes se drejtshkrimit: jemi nje shoqeri e papjekur, foshnjore, injorante. Turp e faqe e zeze!

    Kur me eshte dashur t’i pergjigjem ndonje kolegu te huaj qe me ka pyetur mbi “arsyet” e ketij diskutimi, sinqerisht me ka ardhur turp, sikurse jam turperuar kur me eshte dashur t’i shpjegoj se ne fillim te shekullit XX, nderkohe qe Ainshtajni botonte teorine e relativitetit, ne grindeshim per alfabetin qe duhej te perdornim. Mire e kishte Konica, Zululand ne mes te Europes!

    Sipas meje njerezit me mend ne koke nuk duhet t’i marrin seriozisht, duhet t’i injorojne ose me mire t’i trajtojne si idiote ata qe vijojne t’i bien ketij avazi.

  2. Peter Trudgill eshte nje sociolinguist anglez qe ka lene gjurme ne studimin e marredhenieve midis standartit dhe dialekteve. Nje nga temat interesante te tij eshte rreth miteve qe qarkullojne per gjuhes (standarte).

    Nder te tjera, ai thote qe ankesat per degjenerimin e gjuhes jane pjese e repertorit te te gjitha brezave. Ndryshimet gjuhesore jane pjese e natyreshme dhe e pashmangeshme, por disa njerez shqetesohen me shume se sa duhet. Kjo shpjegohet me paradigmat sociale qe udheheqin jetet e tyre, te krijimit te idese te ekzistences te nje gjuhe korrekte apo sic quhet, gjuhe standarte.

    Si shembull ai sjell cka ne anglisht quhet “glottal stops” qe eshte nje forme e “te ngrenit te fjaleve”, karakteristike edhe e dialektit “tirons” (perseri me glottal stop) dhe geg. Dikur ne Angli, kjo konsiderohej si nje e folur e paedukuar, e trashe nga klasat sociale me te larta. Por sot ka depertuar edhe ne keto nivele, pjese e privilegjit te te qenurit “klase”. Kjo ndodh edhe me shume forma te te folures “tironce”, qe perdoren nga jugore edhe veriore qe duan te tregojne statusin e tyre social “te ngritur” sot ne Shqiperi.

    Trudgill thote se disa njerez presupozojne pa te drejte, qe dialektet jane inferiore karshi standartit. Ne fakt, ne rastin e anglishtes, standarti i sotem fitoi paresine, per faktin e thjeshte qe vendi ku flitej ishte ne juglindje te Anglise, nje zone ku ndodhet Londra, Oksfordi, Kambrixhi, gjykatat mbreterore, parlamenti, etj. Nese kryeqyteti do te ishte Jorku, standarti i anglishtes do t’i ngjante dialekteve veriore te Anglise.

    Duke bere nje analogji, duket se standarti, sic e ve ne dukje edhe Xha Xhai diku ne lidhje me gjuhen qe flitet sot ne Tirane, do t’i pergjigjet gjithnje e me teper te folures te Tiranes(supozohet qe sot kryeqyteti ka rreth nje milion njerez nga te gjitha krahinat dhe ku eshte perqendruar pushteti dhe paraja).

    Mos ndoshta duhet qe edhe drejtshkrimi te konvergjoje drejt “tironces”?

    Trudgill thote qe mitet gjuhesore jane gjithshka cka besojne JOLINGUISTET, qe kontribojne edhe ne POLITIZIMIN e gjuhes.

    Nder to eshte edhe miti i nje gjuhe legjitime rezultat i nje ideologjie (pasoje e nje grupi apo klase sunduese). Duke qene se zhvillimet ne gjuhen shqipe ishin me shume ne gjysmen e dyte te shek XX, sic ndodh gjithmone me te vonuarit, kur te tjeret i relaksojne ndikimet ideologjike ne gjuhesi, ne i shtrengonim, sic edhe ndodhi edhe ne vitet shtatedhjete.

    Nder mitet qe akoma qarkullojne sot ne Shqiperi eshte qe gjuha standarte eshte e vetmja gjuhe legjitime e shtetit-komb, te gjitha format jostandarte jane jokorrekte, politikisht subversive, minojne unitetit kombetar, shqipja standarte (perfshire edhe drejtshkrimi) eshte superiore, etj.

    Cka e ushqen kete miti eshte edhe gjykimi se ekzistenca e disa formave te privilegjuara te kodifikimit te gjuhes(ku futet edhe drejtshkrimi) te ashtuquajtur standarte jane domosdoshmeri, jetike, etj.

    Te gjitha jane ndertuar mbi nje logjike preskriptive(pershkruese), njelloj si nje recete strikte per berien e nje embelsire gjuhesore, prej gramatikaneve dhe leksikografeve qe jane pjese e asaj qe quhet ne perendim ortodoksi linguistike.

    Drejtshkrimi si pjese e standartit mund te konsiderohet nje konvencion, por nuk eshte me socio-kulturor, kur legjitimitetin, kodifikimin e tij arbitrar e justifikon me prerogativat gjuhesore.

  3. Ndryshimet e propozuara per standatin e gjuhes , pertej nevojave qe dikton dinamika e gjuhes se folur, jane te frymezuara politikisht.Standarti, si autoritet rregullator gjuhesor eshte legjitimuar ne kontekstin e nje autoritet politik te asaj kohe, i cili sot, ne kontekstin e ri politik, perceptohet ose edhe konsiderohet, si revansh i toskeve mbi geget . Xha xhai e ka sintetizuar qarte ate cfare po tentohet te behet dhe kontekstin ne te cilin po ndodh:te flasim shtrember dhe te shkruajme drejt. Liria e gjuhes se folur ndjehet e shternguar ne kemishen e hekurt te drejteshkrimit , pra autoritetit. Me pak autoritet/shtet dhe me shume liri edhe ne fushen e gjuhes eshte ne koherence me neoliberalizmin politik. Standardi shikohet si keshtjella e fundit e sistemit te mbyllur totalitar.
    Nderkohe, nuk duhet te jemi aq shume te habitur me cfare po ndodh. Ne yrishin clironjes te fillimeve te demokracise e ne vazhdim, mjaft argumenta te drejta dhe shpesh te drunjta u hodhen ne oxhakun rreth te cilit kuvendonin gjuhetaret dhe gjuetaret e fantazmave te komunizmit. Dhe nje nga temat qe ushqeu kete zjarrmi ishte padyshim edhe ajo e persekutimit te gegnishtes. Tani zjarrit po i del tymi .

  4. Nuk më duket se ndarja e përshkruar në paragrafin e parë qëndron, sepse argumentet kryesore për shqyrtimin e standardit që shprehen në Kosovë janë të natyrës socio-kulturore: Gjergj Fishta, numri më i madh i gegnishtfolësve, përfshirja e gjymtë në vendimmarrje, e të tjera si këto.

    Për një pjesë të madhe të kosovarëve, por që ende nuk e bëjnë një masë kritike, Shqipnia më s’është as aspiratë as model, prandaj edhe ka rënë dukshëm vlerësimi i gjuhës letrare. Kurse, shqiptaria si ide është rrëmbyer nga do sharlatanë, kështu që mbetet për të kërkuar indin lidhës tjetërkund.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin