DE GUSTIBUS

KaliopiRastësisht lexova të thuhej për një këngëtare, përndryshe të panjohur për mua, se “ka pasur sukses në diasporë,” një pohim që më ngacmoi, aq sa më bëri të pyes veten se çfarë duhet të bëjë një këngëtare, ose artisti në përgjithësi, për të pasur sukses në diasporë; dhe se çfarë përfaqëson, në thelb, diaspora shqiptare si publik, në këtë moment pikërisht.

Pranoj se shumë rrallë më qëllon të ndjek shfaqje këngëtarësh shqiptarë në NYC dhe se nuk e njoh fare skenën e këtushme të muzikës shqip, qoftë folk qoftë të lehtë; por di, megjithatë, që shpesh ftohen këngëtarë nga Shqipëria, Kosova dhe vise të tjera shqiptare në Ballkan, të cilët zbukurojnë, me artin e tyre, ngjarje dhe kremtime publike dhe private.

Po çfarë arti pëlqen pikërisht diaspora; dhe, më tej akoma, çfarë arti besohet se do t’i pëlqejë diasporës? A mjafton folklori vetëm, i çuar deri në etnografizëm; apo duhen edhe doza të forta patriotizmi? A mjafton shqipja standarde, apo lypet me çdo kusht dialekti? A mjafton tualeti gati në 3-D, apo duhet edhe pak kolagjen? A duhen shpalosur të gjitha ngjyrat e spektrit në (zh)veshje, apo mjafton daltonizmi kuqezi i flamurit kombëtar?

Pyetje të cilave nuk u përgjigjem dot. Nëse diasporën shqiptare e përkufizojmë në mënyrë të tillë, që atje të futem, bie fjala, edhe unë, atëherë nuk ka kuptim të flitet për diasporë, përveçse në aspektin e emigracionit ose demografik. Përndryshe, besoj se ka një kategori njerëzish të cilët jo vetëm janë diasporë në kuptimin demografik; por edhe identifikohen si të tillë dhe kanë qejf e dëshirë që të njihen ashtu me njëri-tjetrin, me gratë dhe në raport me shqiptarët në Ballkan; dhe kur flitet për diasporë zakonisht mbahen parasysh këta të dytët, të cilët do të mund të quheshin kështu edhe diaspora model, ose ideali i shqiptarit të mërguar, i cili merret me real estate dhe flet me zë jashtëzakonisht të lartë, kur gjendet në shoqëri të meshkujve të tjerë si vetja.

Kjo lloj diaspore gjithnjë ngul këmbë që të njihet për patriotizmin e saj të pashoq dhe qëndrimet e vendosura, parimore dhe intransingjente ndaj çështjes kombëtare. Sa më e largët të jetë diaspora nga atdheu, aq më e afërt është me flamurin; dhe në olimpiadën kombëtariste, ekipet e shqiptarëve të mërguar në Greqi e në Itali s’kanë asnjë shans përballë shqiptarëve të ShBA, të Kandasë dhe të Australisë.

Nga këto arsyetime, të cilat i kemi bërë edhe gjetiu, mund të nxirrnim përfundimin se diaspora ka nevojë, para së gjithash, për atë lloj arti ku të shihet në pasqyrë dhe të konfirmojë arsyen e ekzistencës së saj – ose atdhedashurinë sa të pakufishme, aq edhe deklarative; ose mesazhe që t’i këndojnë heroizmit, luftës për çlirim, Shqipërisë, Kosovës, gjakut të të rënëve, xhamadanëve, besabesës, shkrepave të malit, rrufeve dhe Mic Azem Dedë Pal Gjergj Elez Ali Pashës.

Këtë lloj arti, që është ekzagjerim i madh ta quash kitsch, po e lëvrojnë sot me intensitet të shtuar, nën dritën edhe të zhvillimeve të reja politike në Shqipëri dhe në Kosovë; ku patriotizmi ka mbetur i vetmi ideal ende i pakomprometuar, pas fiaskos së europianizmit dhe të modernizimit të viteve 1990 në Shqipëri, dhe pak më vonë edhe në Kosovë.

Çfarë intrigon, në këtë mes, është se, në skenat e diasporës, mesazhi i muzikës patriotike përcillet ndonjëherë në format vulgare të tallavës, turbofolkut, seksualitetit crudo dhe një atmosfere prej feste në katund, ku patriotizmi nuk shërben veçse si pretekst orgjiastik. Ajo këngëtarja, për të cilën lexova se “pëlqehet në diasporë”, më ka tërhequr vëmendjen jo për muzikën e saj, të cilën siç e thashë nuk e njoh; po për disa foto të saj të tulta, që janë qarkulluar me zell në mediat; dhe në të cilat ajo kurrsesi nuk i ngjan imazhit që kemi, bie fjala, për Nënën Shqipëri ose Shote Galicën.

Patriotizmi është shtysë fisnike, sidomos kur vepron në sinergji me qytetarinë, ose përkushtimin qytetar; por çuditërisht, bash në fushën e artit, ai u hap derën krijimeve dhe performancave jashtëzakonisht të dobëta, të cilave tashmë edhe si parodi u ka dalë boja. Më ka qëlluar të lexoj vjersha “patriotike”, nga autorë përndryshe të respektuar në fushat e tyre dhe me dinjitet të pacen; por që, nga pikëpamja artistike, i përkasin një letërsie të nivelit foshnjor, prej së cilës edhe foshnjat duhen mbajtur larg; sikurse më ka qëlluar të gjendem përballë pikturash dhe skulpturash “patriotike” të një vulgariteti të pashembullt; ose edhe videosh muzikore që mesazhin kombëtarist e përcjellin me një estetikë prej cirku.

Nuk shoh pse duhet të lidhet doemos patriotizmi me artin e keq dhe vulgar, ose me megalomaninë e të patalentuarve; por ndoshta bindja e të qenit patriot (që nuk përkon gjë me të qenit vërtet patriot) mjafton, për të katalizuar gjithfarë mani të madhështisë dhe për ta narkotizuar kritikën ndaj vetes, që çdo krijues duhet ta kultivojë sa kohë që shpreson se ka diçka për t’u thënë të tjerëve, në regjistrin artistik.

Për analogji, ndoshta do të më duhej të vëreja, në këtë pikë, se njëlloj sikurse në politikë nacionalizmi është streha e fundit e horrave, edhe në art patriotizmi (i shprehur) do të jetë streha e fundit e të patalentuarve; çka mbështetet, të paktën, nga moria e artit publik me temë atdhetare e patriotike, që ka mbushur sheshet e shqiptarisë anembanë në Ballkan, dhe që nga pikëpamja artistike është i tillë që t’i ftojë të ndjeshmit të ndërrojnë rrugën.

Përndryshe, edhe pse jashtë Ballkanit sot për sot jetojnë disa nga artistët më të mirë që ka nxjerrë ndonjëherë shqiptaria – në artet vizuale, në muzikë, në letërsi – niveli i diasporës si publik i artit shqip lë shumë për të dëshiruar; dhe nuk ka asnjë shans që të vijë gjë duke u përmirësuar, sa kohë që kjo e vetëquajtur “diasporë” nuk e sheh artin që konsumon, veçse si një lloj dopingu të çështjes kombëtare. Që këtej, nuk jemi aq larg rrethit vicioz, ku artistët në nevojë t’i ofrojnë këtij farë publiku atë art që ai dëshiron, duke kultivuar, deri në ekstrem, një sub-kulturë kuqezi, e cila veç i dëmton artistët mirëfilli, duke i margjinalizuar ose duke i elitizuar kushedi edhe kundër prirjeve të tyre dhe aspiratave që kanë.

Diaspora, nga ana tjetër, ka mëkatet e veta, por ka edhe dollarë, të cilat kërkon t’i shpenzojë sipas midesë; ndërsa artistëve, të mirëfilltë dhe të shtirur, dollarët sa u duhen, aq edhe u mungojnë – që këtej edhe frekuentimi i çuditshëm që u bëjnë, disa artistë përndryshe kalibri, dasmave, syneteve, ditëlindjeve dhe festave të tjera fshatarake të diasporës. E bëjnë, si të thuash, për bukën e gojës – dhe ashtu përmbushin edhe një nga funksionet sociale më tradicionale të artit: zbavitjen e të ngeshmëve.

Dhe meqë flasim për art dhe artistë, te një tubim shqiptarësh në Manhattan ndesha një natë, gjithnjë rastësisht – rasti është mbret – në këngëtaren Rona Nishliu, një nga ato produkte të shqiptarisë që kanë shkëlqyer përnjëmend në botë këto vitet e fundit. Me sa kam arritur të kap nga reagimet në rrjetet sociale, diaspora e këtushme ka mbetur e dyzuar mes refuzimit epidermik të një stili të kënduari që nuk i përket e ku nuk e gjen dot veten; dhe suksesit të asaj këngëtareje në Festivalin Europian, të cilin ajo literalisht e nderoi me pjesëmarrjen e saj – sepse është karakteristikë e diasporës që të lektiset menjëherë pas suksesit të dikujt si Nishliu (edhe pse atë sukses gati do të kish paguar që ta zëvendësonte me ndonjë çifteli).

Artistit shqiptar sot i duhet vërtet shumë, po shumë fat.

Nuk ka komente

  1. Shkrim vërtetë i goditur. E vetmja gjë që pak më ngrysi ishte kjo frazë”…por edhe identifikohen si të tillë dhe kanë qejf e dëshirë që të njihen ashtu me njëri-tjetrin, me gratë dhe në raport me shqiptarët në Ballkan..”.
    “Me grate”, pra diaspora e lartpërmendur është e përbërë vetëm nga meshkujt e këtij grupi. Ne gratë kemi një qasje tjetër ne lidhje me këtë tematikë apo thjesht nuk jemi llogaritur si në stilin më të mirë të sjelljes së kësaj diaspore?

    1. Vërejtje me vend – kisha ndërmend ta zgjeroja idenë (raportet mes shijeve të kësaj diaspore dhe patriarkalizmit), por pastaj e lashë për një shkrim tjetër.

  2. Shkrim dhe pyetje te shkelqyera. Disa reagime:

    Mjaft me dallimin klasist te artit te larte dhe atij katundar “orgjiastik.” ‘Nuff said.

    Mos harroni nje pjese te mire shqiptaresh te cilet ose jane lindur jashte ose rritur kryesisht jashte. Pavaresisht se identiteti diasporik ka nje doze te mire zgjedhjeje nga subjektet, grupi me lart ka me pak mundesira krahasuar me disaporaket (?) qe u rriten ne “atdhe.”

    Mos harroni qe ne shtetet perendimore, sidomos ne Amerike, modeli popullor i differences eshte etnik. Pra sistemi i ketushem i shtyn shume grupe drejt “rrenjeve” te tyre etnike, nderkohe qe injoron identitete te tjera teorikisht te mundshme, si per shembull bazuar ne klase shoqerore, fe, etj.

  3. Shumë i mirë artikulli XhaXha. Nacionalizmi, me sa duket, është streha e fundit, jo e horrave, por e mediokërve.
    Ajo që më bën gjithnjë përshtypje është zelli i këtyre të fundit për tubime e organizim. Ndoshta mungesa e individualitetit çon në simptoma të tilla.
    Tashmë zotërojnë disa gazeta, dy televizione e dhjetëra faqe në internet. Normalisht dallohen nga “… vjen nga një familje patriotike e të ndershme”, apo bëjnë si edhe të persekutuar.
    Mirë do ish të përmendeshin me emër e mbiemër, jo për t’i stigmatizuar, por thjesht sepse janë po ata vetë që na shfaqen tani gjithkund. I gjen të punësuar në gazeta, në televizion e kudo. Problemi nuk është se janë të tillë siç janë, por heshtja e indiferentizmi i pjesës tjetër, a thua se e marrin këtë si të keqen më të vogël, duke harruar se, nëse vazhdon kështu, kultura shqiptare rrezikon të ndotet pa kthim.
    Mund të postoja tani këtu me dhjetëra linke për të ilustruar këtë, por nuk po dua të ta përdhos faqen, e cila, për fat të mirë, ka mbetur ende pa u mësyrë nga këta azapë.

  4. Problemet qe ngre Xhaxhai jane teper aktuale. Sic tha dikush ketu, diaspore nuk eshte vetem brezi qe ka kaluar shumicen e jetes ne Shqiperi, dhe eshte gjithsesi me me kembe ne toke, por edhe femijet e tyre qe ose kane lindur jashte ose kane ardhur shume te vegjel. Ndikimi i ketyre lloj artistesh mbi te ardhmen e diaspores eshte shume negativ. gjithnje nen sebepin e kultivimit te atdhedashurise dhe duke abuzuar me naivitetin e ketij grupi, natyrisht pa qellim e dashakeqje, thjesht se aq dine.

    Para ca kohesh lexova nje shkrim ne nje gazete shqip, ku nje specialist muzikolog shpjegonte teknikisht se si trualli i muzikes se lehte shqiptare ka ndryshuar nga ai tipik per Mesdheun (ai specialisti shpjegonte ritmet etj. qe une nuk di ti them tani) ne nje tjeter strukture qe eshte tipike per kenget tallava ose kenget e jevgjve/cingive. Dhe une hoqa keq te bindja tim bir qe kenge si “Te ka lali shpirt, te ka lali xhan” ose “Une jam playboy, baby, une jam ai bosi” s’kane asnje lidhje me muziken e vertete shqiptare.

    E mori lumi kete pune, tha. Amanet shqiponjen!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin