MELANKOLI

Muzika, thoshte Oscar Wilde, na sjell në mendje kujtimet për ngjarje që s’i kemi jetuar kurrë.

UlyssesKëto javë i jam kthyer albumit Les Amants, të pianistit italian Enrico Pieranunzi, të shoqëruar me kuartet harqesh, si dhe nga basisti Marc Johnson dhe saksofonisti Rosario Giuliani.

Për t’u shënuar La canzone di Nausicaa, një pjesë e dashur që Pieranunzi e ka kaluar nga albumi në album, përfshi këtu edhe një version me trumbetistin Enrico Rava, një tjetër solo, dhe një të katërt në duet me Marc Johnson.

Një tjetër piano nostalgjike për të pamundurën, është ajo e grekut Vassilis Tsabropoulos, të paktën në albumin Melos, të regjistruar me violonçelisten gjermane Anja Lechner dhe perkusionistin indian U.T. Gandhi. Tsabropoulos njihet edhe si interpretues i muzikës së mistikut Gurdjieff – Melos e ruan, në mos gjakimin për të përtejmen, indiferencën ndaj së përditshmes.

Nga Mesdheu në Skandinavi – për të rekomanduar një nga albumet e vona të saksofonistit norvegjez Jan Garbarek, In Praise of Dreams, ku ai shoqërohet nga armeno-amerikania Kim Kashkashian në viola, dhe perkusionisti franko-afrikan Manu Katché. Garbarek është nga heronjtë më solidë të jazz-it europian, pa çka se te ky album tingëllon më i përmallur se zakonisht.

Dhe meqë flasim për të, viola e Kashkashian-it nuk ka tingëlluar kurrë aq melankolike, sa te kolona zanore e filmit të Theo Angelopoulos Ulysses Gaze, kompozuar nga Eleni Karaindrou.

Këtë të fundit vështirë ta klasifikosh si jazz; madje puristët do ta kundërshtonin etiketën edhe për tre albumet e tjera më sipër – por muzika e mirë nuk ka nevojë për kategori.

Les Amants është prodhuar nga Egea; tre albumet e tjera nga ECM.

Nuk ka komente

  1. Me duket intersante te diskutohet se prej nga ku mund te fillohet eksplorimi i muzikes, sipas preferencave te gjithesecilit. Ne mungese te te qenit pjese e botes se muzikes zgjedhjet kushtezohen nga informacioni qe merret. Tani qe jemi ne epoken e internetit informacioni dhe (mire apo keq) vete muzika jane te arritshem nga te gjithe pa “shume shpenzime”. Megjithate eshte nje sfide me vete te orientohesh ne kete informacion te pafund. Wikipedia eshte nje burim shume i mire kam vene re, te pakten si pikenisje kerkimi. Televizioni ne kete drejtim s’sherben pothuaj aspak, ndersa radio eshte nje burim shume i mire aty ku ka stacione te specializuara. Me duket se Xha Xhai ka zgjedhur menyren e kerkimit ne shtepite prodhuese qe me ka bere edhe mua per vete kohet e fundit. Nderkohe jam ne pritje te pasjes / degjimit te albumeve te mesiperm …

  2. Po marr leje nga fjalia mbyllëse e postimit, se “muzika e mirë nuk ka nevojë për kategori”, për të postuar një listë pjesësh që i bën tok fryma tejet e pikëlluar:

    Melankoli

    Pjesë të cilat më kanë bërë shpesh shoqëri – e vetmja shoqëri e pranueshme në gjendjet përkatëse, por që besoj janë shumë më të padëmshme se anti-depresivët që shiten tashmë me kile.

    Më para postimit të Xha Xhait nuk pata vënë kurrë re se është e pamundur të shtiresh melankolik. Ndoshta kjo është arsyeja që pjesët e mësipërme tingëllojnë kaq të natyrshme, plotësisht larg gjërave të sipërfaqshme dhe pa sforcim, qoftë kur vijnë nga partitura gjigantësh si Bach apo Rachmaninov, qoftë nga emra me më pak libra akademikësh për ta.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin