KOMENTE PËR KOMENTE

Që nga momenti kur u bënë të zakonshme komentet e lexuesve anonimë, në faqet e mediave online, komunikimi masiv e humbi natyrën njëdrejtimshe, që e ka pasë karakterizuar dikur: nga teksti te publiku (masa); nga autori te lexuesi – të paktën, sa i përket shkronjës.

Kjo duket, më qartë se kurrë, te mënyra si komentet mund të ndikojnë, dhe në fakt ndikojnë, në pritjen e mesazheve; deri në atë shkallë sa edhe ato vetë të imponohen si mesazhe të komunikimit masiv dhe të trajtohen prej lexuesve si të tilla.

Lexuesi nuk është zhdukur gjë, as është transformuar; por tani, falë teknologjisë Web 2.0, ka mundësi të lexojë edhe veten, ose të shkruajë-lexojë publikisht, duke u çliruar nga fantazma e autoritetit, që i kanosej deri dje nga faqet e tekstit të shkruar.

Natyrisht, që nga momenti kur lexuesi s’ia njeh më autoritetin  tekstit që ka përpara, atëherë mediat informojnë më pak dhe dëfrejnë më shumë; së vërtetës (faktit) ia zë vendin kruarja e bishtit.

shkrimin tonë të mëparshëm, që i referohej edhe një artikulli të NYT, pamë si një komentues, ose më mirë akoma, një klikë komentuesish, është fare mirë në gjendje të marrë peng leximin e një teksti, duke e devijuar sipas një plani të caktuar, duke e zhurmuar dhe errësuar, ose edhe thjesht duke e bërë irrelevant.

Edhe më tinëzare është teknika e manipulimit të leximit nëpërmjet moderimit përzgjedhës të komenteve; sepse moderimi gjithnjë kryhet në privat, jo në publik, dhe askush nuk di se çfarë komenti është hequr pikërisht, edhe kur dihet se ka komente që janë hequr.

Formalisht, të heqësh një koment, për çfarëdo arsyeje, është njëlloj si “të mbjellësh” një koment, vetëm e vetëm për ta infektuar debatin; dallimi është se heqjen mund ta bëjë vetëm moderatori, ndërsa mbjelljen mund ta bëjë kushdo, madje edhe autori vetë.

Ironike do të ishte, në këtë kontekst, sikur lexuesit anonimë të lejoheshin jo vetëm të shkruanin komente, por edhe t’i moderonin ato. Në fakt, shkalla më e lartë e lirisë së shprehjes, në kontekste anonime, do të ishte liria për t’ia mbyllur gojën tjetrit drejtpërdrejt, jo nëpërmjet ndonjë argumenti.

Të lejosh lexuesin të moderojë hapësirën e komenteve, do të çonte – besoj – në shkallën zero të komenteve, ose të shkrimeve mbetur pa komente, por jo aq nga indiferenca, sa nga interesi total i publikut.

E megjithatë, ato media që i kanë mbyllur tashmë komentet nuk perceptohen si të tilla, as si modele të lirisë së fjalës të çuar në ekstrem, ose në lirinë e fjalës si liri për ta shurdhuar fjalën krejtësisht; përkundrazi, ato shihen si media që ende ndjekin parimin e komunikimit publik njëdrejtimsh, nga autori te lexuesi; duke parapëlqyer që komunikimi i përkundërt, nga lexuesi tek autori, të kryhet privatisht.

Për pasojë, edhe media që nuk i kanë mjetet financiare të moderojnë komentet, parapëlqejnë t’i lënë krejt të pamoderuara debatet, ndaj alternativës së artikujve me komente zero.

Gati-gati, duket sikur prania e komenteve tek një shkrim konfirmon leximin e tij; çka do të thotë se, në epokën e Web-it 2.0, të lexosh do të thotë të shkruash.

Kjo nuk qëndron; sikurse e dinë ata qindra mijëra lexues që nuk komentojnë kurrë, sepse nuk duan, sepse u vjen ndot, sepse nuk u jepet, ose ngaqë nuk kanë ngé. Të rrallë janë ata prej nesh që nuk komentojnë thjesht ngaqë nuk lexojnë.

Unë këtu do të shkoja edhe më tej, për të supozuar, a më mirë spekuluar, se shumë prej atyre që komentojnë nuk lexojnë; ose edhe kur lexojnë, nuk e bëjnë këtë si të tjerët, ose me dëshirën për t’u informuar (zbavitur, fyer etj.) nga teksti; por vetëm e vetëm për ta përdorur tekstin si trampolinë për t’u shprehur më tej, ose për ta realizuar veten – një ironi tjetër kjo – nëpërmjet identifikimit anonim (nëse më lejohet oksimoroni).

Në çdo medium të respektuar, në çdo faqe gazetash online, mblidhen tani personazhe të cilat janë kristalizuar hap pas hapi, nëpërmjet komenteve të shumta: zakonisht populiste, jopartiake, madje anti-partiake, me ngjyrim të shpëlarë kombëtarist, të pozicionuar kundër fqinjëve, por edhe kundër qeverisë (qëndrimi default), kundër politikës në përgjithësi, dhe kundër Tjetrit; pro dënimit me vdekje e pro dhunës si instrument për ndërhyrje sociale në përgjithësi; më në fund, super-egalitare dhe anti-intelektuale/anti-meritokratike).

Kohë më parë e kemi quajtur këtë dukuri “fashizëm nga poshtë”; këtu veç po duam të vëmë re se ky fashizëm ka tanimë maskat e veta të konsoliduara, të cilat dalëngadalë po u ngjiten autorëve në fytyrat, njëlloj si pseudonimet komunistëve gjatë Luftës (Tarasi, Furtuna, Deti, Delikatja). Të shohim çdo të dalë nga kjo metamorfozë.

Gjithsesi, tani mizëria e komenteve që u bashkëlidhen shkrimeve, sidomos atyre me tema të nxehta nëmos pikante, nuk i shërben më leximit; hyrje-daljet e shumta të “lexuesve” në faqet përkatëse, me të cilat mburren ndonjëherë administratorët dhe pronarët e faqeve, nuk kanë të bëjnë as me temën e trajtuar, as prestigjin e faqeve vetë ose besueshmërinë e teksteve dhe zërave; por thjesht u ngjajnë hyrje-daljeve të spektatorëve në nevojtoret e një kinemaje pornografike.

Kushedi edhe pa e pasur ndërmend, mediat online, së paku sa i përket mjedisit mendërisht të varfër të komunikimit shqip, i kanë dhënë hapësirë një lloji të komunikimit masiv që, as për nga përmbajtja as për nga forma, nuk ka të bëjë me mass mediat, së paku ashtu siç i kemi njohur, as me komunikimin masiv; mjedise eksperimentale, ku po ngjizen e bio-inxhinierohen viruset (dhe memet) e së nesërmes.

Nuk ka komente

  1. “Të lejosh lexuesin të moderojë hapësirën e komenteve, do të çonte – besoj – në shkallën zero të komenteve, ose të shkrimeve mbetur pa komente, por jo aq nga indiferenca, sa nga interesi total i publikut.”

    Mos me thuaj qe s’e ke degjuar ndonjehere emrin Slashdot?

  2. Jam dakord me Xhaxhain qe shfajeson disa gazeta qe nuk i kane mjetet financiare qe t’i moderojne komentet, por mendoj se ato mund te vinin poshte vetem numurin e klikimeve dhe ne rast se lexuesve u lindete deshira per te hyre ne temen e shkrimit le te shkruanin nje shkrim vete ata, me emer, mbiemer dhe adrese dhe le ta dergonin ne redaksi. Eshte e vertete qe shume gazeta prestigjioze lejojne komentet ne bisht te,artikujve, por ato duket jane me ne gjendje te mbajne nje ambient te paster edhepse polemik. Une mbeta pa u angazhuar nja kater pese vjet ne shtyp dhe vetem tani se fundi kur u riangazhova, nepermjet komenteve, e mora vesh se i kam sherbyer diktatorit Hoxha, se jam mosmirenjohes ndaj diktatoreve qe erdhen me pas, se kam vjedhur e kam abuzuar me parate shteterore, se une di te bej lexuesit vetem te qeshin dhe nuk jam asnjehere serioz. Me tej nuk e di se kush paska zbuluar te fshehten qe une mezi e mbaja te mbyllur,ate qe une synoj nje post te mire tani pas zgjedhjeve ne Shqiperi… Dhe jane komentues qe absolutisht nuk thone se une nuk kam te drejte ne ato qe ngre ne opinionin publik, bile duket sikur me urrejne qe une kam te drejte. Jane me se shumti militante politike te ngarkuar ose jo nga kryemilitantet politike per ta lodhur analistin apo opinionistin gati gati duke i thene: mos hkruaj! Dhe gati gati ia arrijne qellimit, se ne rast se nuk i shtyn dikush te perqendrohen ne teme, atehere njeriu ndihet i pambrojtur dhe trembet se do te behet maniak dhe te lexoj te tjera te zeza, qe ai mezi po i mban fshehur qe t’i dalin ne shesh. Per ne qe shkruajme rregullisht kerkesat e korrekteses ndaj opinionit publik serioz jane te rrepta. Te vertetat qe themi duhet te jene te bazuara dhe rregullat e drejtshkrimit te jene te zbatuara. Per “horrat” jo! Mua me duket ambienti me i ndohtur se sa i duket Xhaxhait qe duhet pergezuar per perseritjen e ketij shqetesimi. Dhe me duket vertet aq famekeq ky katrori ku po shkruaj,tani, sa jam pothuaj i sigurt qe do te pendohem qe nuk do ta nenshkruaj komentin me nje Anonim, por me emrin e vertete.

    1. Ashtu është, i dashur Pëllumb; dhe këto sulme të vijnë nga një publik që duket sikur kërkon vetëm viktimën e radhës. Është praktikisht e pamundur të lexosh komentet pas artikujve të dikujt që, për mirë a për keq, e ka bërë një emër me çfarë ka shkruar, dhe të mos ndeshësh në sulmet ad hominem. Të mendosh pastaj se sulme të këtilla mund të jenë edhe pjesë e një strategjie metodike, prej militantësh partiakë, e rëndon edhe më situatën – sepse i bie që partitë këtë rrugë të kenë zgjedhur, për t’u përfshirë në debatin publik: duke i hedhur tjetrit baltë; kujtdo që guxon të rrëmbejë mikrofonin, pa marrë urdhër nga padroni dhe protektori përkatës. Kaq e madhe dhe e përgjithësuar të duket urrejtja, sa të bën të humbësh çdo shpresë për rimëkëmbje; meqë me urrejtje veç pjata mund të thyesh dhe, sipas rastit, edhe të rrëzosh ndonjë statujë, por më tej nuk shkon dot; veç në mos e quajmë emancipim social edhe shkuljen e shinave të trenit.

      1. Personat publike, nuk eshte e lehte t’ua ndashe ate qe ben, ose thote, ne nje shkrim, nga ato qe ka bere, ose thene me pare. Zahten, ato te meparshmet e kane bere person publik. Me definicion.

        1. Ja, provoje vetë, Tabakhone, të vlerësosh situatën e këtij dialogu që po bëjmë tani bashkë.

          Ti më njeh mua, unë nuk të njoh ty.

          Unë nuk i shpëtoj dot Ardian Vehbiut, ti nesër mund ta mbyllësh llogarinë e Tabakhone dhe të nisësh një të re.

          Nëse ti më quan mua qelbësirë, spiun të serbëve ose “të privilegjiuar”, unë nuk të përgjigjem dot, madje as duke shpjeguar pse nuk jam as qelbësirë, as spiun i serbëve as i privilegjiuar.

          Nëse ti më shan, unë nuk ta kthej dot sharjen; nëse dua të të qëlloj me shpullë, nuk ta gjej dot fytyrën.

          Këtu ka një asimetri, e cila e prish komunikimin, e kalb nga brenda, e krimb, e gangrenizon.

          Si anonim, ti ndihesh i papërgjegjshëm; dhe rruga nga i papërgjegjshëm tek i paprekshëm është fare e shkurtër.

          Paprekshmëria përkthehet si megalomani; megalomania e ngordh nervin auditiv – dhe nuk vonon dita kur ti të ndihesh sovran; po aq sovran sa edhe mashkulli alfa i një çete babuinësh.

          Natyrisht, kjo nuk ndodh në rastin tënd (nuk ka ndodhur), sepse ti e frenon veten edhe sikur të të vijë ndonjëherë fjala në majë të gjuhës (spekuloj); ndoshta sepse je njeri i ndjeshëm dhe i arsyeshëm, ndoshta sepse vërtet e kupton asimetrinë e situatës dhe përpiqesh ta shmangësh… por nuk janë të shumtë ata si ti.

          E kundërta mbretëron: papërgjegjshmëria na kthen mbrapsht si të ishim xhaketa – duke na bërë t’u tregojmë të tjerëve astarin e grisur dhe të zgjyrshëm të mendimeve.

          Dhe, më keq akoma, paprekshmëria që vjen nga anonimiteti herët a vonë do t’i bëjë komentuesit të vihen në rolin e gjykatësve të autorit që komentohet – kjo ndodh përditë dhe kudo, edhe pse është groteske.

          Hakmarrje e hidhur e anonimitetit, ose e të qenit zero: kështu më duket mua.

  3. Xha Xhai e tepron ne qendrimin e tij kunder komenteve on-line. Gjerat nuk duhen pare bardhe e zi: disa komente justifikojne qendrimin e tij, por disa komente te tjera shtojne informacionin qe jepet ne shkrimin origjinal ose japin opinione alternative per nje ceshtje te caktuar. P.sh. tek nje artikull i Pellumb Kulles per denimin me vdekje botuar se fundmi ne gazeten DITA dhe me pas ribotuar tek RES PUBLICA, shumica e komenteve e kapercejne nivelin e vete shkrimit http://gazetadita.al/tek-ne-vrasja-eshte-e-ndaluar-me-ligj-por-kriminelet-nuk-e-dine/

    1. Ne fakt komentet qe i jane bere artikullit te NYT jane shume me interesante e me perndritese mbi dukurine ne fjale sesa vete artikulli.

      1. E besoj – sepse NYT i moderon me rreptësi totale; dhe kush komenton, e di që, po të shkruajë budallallëqe, kot që ia harxhon kohën kompjuterit.

  4. Sokrati : ” Eshte me mire te pesosh padrejtesi sesa te ushtrosh.”

    Gjyshi im : ” Kur ne sokak te pengon nje gur mos i bjer me shkelm, por kape me dore e vere me nje ane. ”

    Duke lexuar kete esse te 2xha m’u kujtuan ket shprehje te filozofit dhe te gjyshit time. Dhe po vazhdoj si komentuese qe jam me anonimat , aresyet s’eshte vendi per t’u spjeguar.

    E para : Domosdoshmeria e komenteve. – Jane te nevojshem per kete kohe, mendoj une. Ne ne jug te atmemedheut shtepite i ndertojme me mure guri. Gur i skalitur nga jashte e gur i skalitur nga brenda, nga mjeshtra apo artist ne ‘zanatin’ e vet. Me skalitesit e gurit nenkuptoj , me falni per sqarimin, ‘skalitesit’ e artikujve, esseve, opinioneve… te dhena nga ‘mjeshtrit e licensuar’…por (ah keto por !) duhet edhe mbushja mes tyre (haliqi) per t’u lidhur e forcuar e monolizuar . Pra, komentet sherbejne per ‘fortifikimin’ e idese, lidhjes se murit te gurit, fortesimit te tij qe s’e luan as ‘topi’.

    E dyta: Komentuesit sherbejne si ‘kelysha’. Kelyshat ne bujqesi jane nendegezime (sqetullore) ne procesin e vaditjes me rrjedhje te lire per pjese toke qe jane me te larta. Pra, per ‘vaditjen’ e tyre sipas filozofise se tyre, keta kelyshe jane si sqetulloret qe dhe mund t’i lesh o mund t’i krasitesh per te forcuar trungun , idene, por me dhembshurine, kujdesin, perkedheline e ‘krasitesit’ qe pa demtuar pemen ku marrin fuqine.

    E treta: Kur jemi para fushatash elektorale rriten ‘ujevjedhesit’. ‘Ujevjedhesit’ komentues jane ata qe deformojne rrjedhjen e lire te ujit per vaditje. Ne kete lloj ‘trimerie’ nevojitet nje proces i kujdesshem ‘memesor’ qe ‘te mos vritemi per nje vije uji’, qe eshte .komente per komente’ .

    Edhe pse nuk jam e fushes, edhe pse nuk jam e ‘tokes se djegur per uje’ nuk uleras vecse komentoj thjesht jo si ‘gur qe pengon ne sokak’ por si ‘kelysh’ per te vaditur sa me shume toke. Deshire e te gjithe qe luftojne per shoqeri e jo per individ, edhe pse dikush mund te kete ‘pastrues sokakesh’.

    Mbase te gjitha tipet e komenteve jane te domosdoshme, vetem e vetem te mos komentojne anen e pasme te medaljes, personalen, por anen e dukshme te medaljes, shoqeroren, edhe pse ndonjehere shkrihen te dyja. Po dole ne arene a ne stadium si lojtar je i pregatitur psikologjikisht per te pritur brohorima,fishekzjarre dhe sharje e munxe…

    Komentet jane ‘mbushje’ e murit te gurit dhe ‘kelyshe’ per vaditjen e tokes se larte.

    Sikur te kishte jetuar me shume gjyshi im !

  5. Se e nisa padashje…
    Te komentosh mbi bemat e nje personi publik ne nje shkrim te tij, qofte edhe per bema qe nuk kane lidhje te dukshme me shkrimin nen te cilin komenton, nuk eshte ad hominem. Edhe nese eshte, eshte…relevante, dhe per mendimin tim, jo e qortueshme.

    1. Këtë ad hominem nuk është se e kam shpikur unë si koncept; gjenden përkufizime kudo, mjaft t’i gjesh e t’i shohësh.

      Natyrisht, ad hominem në kontekstin tonë vjen në vështrim vetëm kur është fjala për persona publikë; dhe kjo përsëri me përkufizim.

      [Askush nuk më rezulton ta ketë përdorur hapësirën e komenteve për të sharë komshiun.]

      Ironikisht, sot më zuri syri në dy situata që ftojnë për sulme ad hominem: Fatos Tarifa kish dalë në Top Channel për të komentuar situatën në ambasadën shqiptare në DC; ndërsa Ylli Pango kish nisur një rubrikë më duket javore te MAPO-ja.

      Ka edhe një problem tjetër me ad hominem në Internet: fakti që vjen nga një burim anonim. Jemi mësuar që fjalës t’i qëndrojë mbrapa dikush – një njeri ose një institucion. Fjala e lëshuar kështu, përtej çdo lloj përgjegjshmërie, vret dyfish, sepse nuk i përgjigjesh dot duke ruajtur masën e dialogut.

      Më ka qëlluar shpesh, në blog, që pas një shkrimi të ketë ardhur dikush – ndoshta krejt i panjohur, ndoshta i njohur por i maskuar rishtas – dhe të vjellë vrer kundër meje në komentet.

      Ma thuaj në sy, do të ishte përgjigjja më e mirë, në këtë rast. Letrat anonime i inkurajonte Enver Hoxha, i cili e ngrinte pushtetin e vet edhe mbi shantazhin nga më ordinerët (sikurse këta të sotmit, që përgjojnë bisedat private).

      Asgjë më mirë se sulmi ad hominem, në komentet e sotme online, nuk e mishëron ndyrësinë e komunikimit publik, në kushtet kur liria e fjalës perceptohet sikur vlen më shumë se fjala vetë.

  6. Fenomeni i komenteve ne rrjet (online) eshte relativisht i ri, ashtu si dhe mediat dhe blogjet ne internet nuk jane fort me te vjetra, xhanem si vete interneti. Ndaj eshte mese e kuptueshme dilema e autoreve/editoreve te faqeve online per komentet; ti ndalojne, ti botojne vetem pasi i kane lexuar/moderuar (si ketu), apo ti lejojne te dalen direkt dhe te mundohen ti moderojne me pas (si tek PPU p.sh.). Si autoret dhe komentuesit jane akoma ne nje periudhe pershtatese (learning period) mendoj me mediumin e ri te mediave dhe komunikimit e shoqerizimit (socializing) ne internet.

    Nuk mendoj se ka nje te model ‘te arte’ qe eshte i aplikueshem per te gjitha platformat ne internet, varet nga natyra e nje faqe dhe padyshim nga strategjia publicistike e autoreve. PTF mendoj se ka bere zgjidhjen e duhur per nga natyra e faqes, por dhe per nga natyra e komentuesve ne pergjithesi dhe atyre shqiptare ne vecanti. Ne kete pike duhet vleresuar puna qe duhet per te lexuar cdo koment para se ta lejosh te botohet, anipse komentet ketu s’jane aq te shumta sa tek disa faqe te tjera.

    Ne arenen internet-ore shqiptare, PTF eshte padyshim nje faqe origjinale me artikuj dhe diskurse te qyteteruara; edhe kur s’je dakort i lexon me kenaqsi ato, pa ngelur me pas me nje shije te athet, shpesh i lexon me interes dhe te jepet mundesia te zgjerosh horizontin apo te shkembesh mendime pertej ‘muhabeteve tip kafeneje’. Shpesh s’ke interes dhe i kalon pa lexuar, prap pa u athetuar. Por, duhet vene re qe kjo mundesohet (apo zgjerohet si oportunitet) dhe nga komentet, anonime apo jo. Ndaj ne kete pike nuk me duket fort i balancuar qendrimi i 2xha dhe autoreve te tjere per ‘turmen’, sic i referohet 2xha; mbase i referohet me ‘turme’ per te vene ne pah masivitetin ne krahasim me autorin e artikullit, por gjithsesi toni le vend per te deshiruar.

    Sa per nje kendveshtrim nga ana tjeter, ajo e komentuesit, mjafton te lexosh pershtypjet e 2xha si komentues tek Mapo, apo te Pellumb Kulles ketu.

    Ne anen tjeter te medaljes, ashtu si ne jeten tone te perditshme jo-internetore, dhe ne internet kemi nevoje si per diskurse akademike dhe formale, ashtu dhe per muhabete kafeneje e shpotitje ‘pa lidhje’, ne fakt keto te fundit i bejme me shume ne jeten reale sesa diskurset formale. Ne kete pike pra ka vend ne internet per lloj-lloj blogjesh dhe modelesh te tyre, ndaj formatet e tjera nuk duhen pare patjeter me percmim apo perbuzje, pasi se paku s’do ishim te ndershem ndaj vetes me kete qasje.

    Tek e fundit, nuk behet fjale per te drejta njerezore tek komentuesit apo per qendrime humane ndaj tyre nga ana e autoreve te faqeve ne internet. Faqet private kane absolutisht te drejten morale dhe etike te bejne cte duan me komentet ne sofren e tyre. Lejimi i tyre, qofte te moderuara apo jo, deshmon mendoj per nevojen e tyre (nevojen e komenteve te perceptuar si te tille nga autoret/editoret). Bile as autori i artikullit NYT nuk me duket i ndershem kur thote qe tashme ‘shejtani ka dale nga shishja’. Ne fakt ky shejtan (komentet) jane pjese natyrale e mediave online, ashtu si bari ne nje lulishte; mundet te kujdesesh me mani qe te mos kete asnje fije bari dhe te kete vetem lule dhe trendafila, por do duket padyshim dicka e thate. Ndaj bari aty lejohet dhe kultivohet jo si shprehje e meshires bar-ore te bahcevanit, por si dicka qe e permbush dhe ploteson ambientin.

    Thene ndryshe, nuk me duket i ndershem qendrimi i autorit qe e do audiencen tja lexoje ligjeratat (artikujt) por mendimet e saj (komentet) ja shikon gjeresisht si turme-sore, si bajga qe vec e bejne pis dhe duhen pastruar. Padyshim qe ka shume syresh te tilla tek komentet, mbase me shume ne faqet shqiptare mbase sesa ato perendimore, por po ashtu ka plot artikuj dhe debate televizive shqiptare qe, nga podiumi i autorit te rafinuar, fekale-izojne trurin e audiences me agjitprop politik per qellime meskine te kamufluar si diskur publik, ashtu si ka plot formate te tjera qe mpijne ‘turmen’ me telenovela apo emisione neurone-vrastare si Big Brother e te tjera. [Apo mos padrejtesisht po blasfemoj dhe une kur i quaj ato si te tilla?]

    Per ta permbledhur, s’duhet humbur perspektiva e ngjyres gri; aty mendoj gjenden shumica e autoreve dhe komentuesve, jo tek e bardha dhe e zeza.

    1. Shkruan:

      nuk me duket i ndershem qendrimi i autorit qe e do audiencen tja lexoje ligjeratat (artikujt) por mendimet e saj (komentet) ja shikon gjeresisht si turme-sore, si bajga qe vec e bejne pis dhe duhen pastruar.

      E thjeshtove shumë. Komente të mira ka sa të duash, por (1) humbasin në mizërinë e plehrave dhe (2) mungon kritika horizontale, ose komentues që t’u thonë trollëve, provokatorëve dhe kokëtrashëve që ta mbyllin gojën.

      Xhibi, nuk ka asnjë lloj barazie mes autorit dhe komentuesve. Autori luan me reputacionin e vet, sa herë që shkruan; komentuesi anonim vetëm sa i lëshon fjalët e veta të fluturojnë. Fjalëve të tilla u mungon pesha, në kuptimin e mirë dhe të keq.

      Merr rastin tënd: ti je Xhibi. Unë nuk të njoh, por kushedi edhe të njoh. Ti flet me mua, dhe vetëm ngaqë unë të përgjigjem, të duket sikur jemi në një plan, edhe pse nuk jemi, as mund të jemi. Ti je një persona, një sendërtim, një personazh i sajuar, ose shuma e gjërave që thua; unë (si autor i identifikuar) jam më tepër se kaq, meqë unë (jam i detyruar të) veproj edhe në përmasën etike.

      Përdorimi i pseudonimit nuk është vetvetiu i dënueshëm, përkundrazi. Unë vetë i kam ftuar personat që komentojnë në blog që të mos përdorin emrin e tyre. Por ka një kufi; dhe ky kufi lidhet me iluzionin, që mund t’i krijohet dhe në fakt i krijohet komentuesit, se personazhi që ka krijuar gëzon të drejtat e krijuesit të vet (por jo përgjegjshmëritë përkatëse).

      [Ndryshe nga Xhibi, Xha Xhai është pen name; shumë njerëz e dinë se kush jam, por edhe ata që nuk e dinë, mjafton të pyesin.]

      Për mendimin tim, e vetmja e drejtë që ti ke, si Xhibi, është që ta përdorësh këtë pseudonim në publik, në vend të emrit real. Edhe kjo, në fakt, nuk është e drejta e personazhit “Xhibi”, por e krijuesit të këtij personazhi – i cili parapëlqen të mbetet pa emër. Përndryshe, të drejtat e tjera të këtij krijuesi nuk i kalojnë, as mund t’i kalojnë personazhit; nuk janë kalimtare (tranzitive); edhe pse po ky krijues mund të mbajë përgjegjësi ligjore, nëse bën zullume duke shkruar si Xhibi.

      Tema ka interes edhe filozofik: cilat do të ishin detyrimet, etike dhe juridike, të personit real kundrejt personazhit që ka krijuar?

      1. Qasja filozofike na largon goxha nga spektri i artikullit dhe diskutimit ketu. Per tu kthyer dhe nje here aty dhe ne lidhje ke komentin me siper, nuk e shikoj fare si ceshtje te drejtash te komentuesit apo si cdeshtje zemergjeresie te autorit te faqes, kjo qasje me duket perseri e pandershme. Autori ka nevoje per komente, ose i shikon ato (ne teresine e tyre) si + neto, se po ti shikonte si efekt total negativ neto, s’do ti lejojnte.

        Eshte kaq e thjeshte per mua, qofte per PTF, qofte per NYT, qofte per te gjitha faqet e tjera ne rrjet. Pasi ta kemi pranuar kete te vertete te thjeshte, mund te diskutojme per anet e tjera te komenteve; etike, filozofike, etj.

        Nese kjo qendron, atehere qendrimet e tilla mbi komentet ‘kercasin’.

        Gjithashtu, komentet ne rrjet behen gjeresisht ne anonimitet/nofke, kjo eshte gjendja ‘natyrale’ e komentuesve, kurse rastet e identifikimit te tyre me emra jane, ne mos perjashtime, ne minorance. Ashtu si eshte natyrale qe personat publike shkruajne me emrat e tyre, pasi sic thua vete, duan te akumulojne/shtojne kapitalin qe kane krijur parakisht (para/pertej faqeve apo artikujve ne rrjet). Kete e bejne dhe persona qe fillojne ‘publikllekun’ e tyre me shkrimet dhe komentet ne rrjet. Nuk ka asgje te piset ketu, eshte thjesht hesap, llogari. Por s’ka as virtyt ama, dmth nuk e ben kjo autorin apo komentuesin me emer + mbiemer me te virtytshem, apo me te larte, eshte thjesht zgjidhja e tij.

        Do thuash qe ka pergjegjsi me shume (nese ben komente, ‘negative’ ti quajme) ai qe identifikohet, po, po ashtu sic akumulon me shume kapital kur ben komente ‘pozitive’, pra eshte thjesht zgjidhja e tij, dhe keto te dyja jane pjese e paketes qe ka zgjedhur. Perndryshe i njejti autor qe identifikohet me emer ne nje faqe mund te shkruaje me nofke ne nje faqe tjeter.

        Sa per barazine qe shkrun, prap me duket disi ‘jashte teme’, ne kuptimin qe une s’kam asnje aludim se jam i barabarte me ty, ashtu si nuk me dukesh ti aspak i barabarte me veten time, bile barazia s’me ka shkuar ndonjehere ne mend sa here kam komentuar ketu dhe gjetke. Dhe mendoj se kjo vlen per shumicen derrmuese te komentuesve, te pakten ketu mesa i kam lexuar. Nga ana tjeter, fakti qe ne te dy po replikojme me njeri-tjetrin ketu eshte zgjidhje e perbashket e te dyve, pasi mund dhe te kishim injoruar komentet e njeri-tjetrit, ose ti lexonim pa i replikuar. Ne kete pike une do e kisha bere prap njesoj rolin e lexuesit, por dhe te komentuesit me komentin tim fillestar ketu, dhe ti padyshim qe e ke bere qe ne krye rolin e autorit duke shkruar artikullin.

        Pra dua te them, fakti qe mediumi ne internet i jep mundesine nje anonimi te flase me autorin (qofte ky anonim nje idiot, nje grindavec, nje autor tjeter, apo presidenti i Nikaraguas qe zbavitet me anonimitet tek faqja e NYT) nuk nenkupton ndonje shenje barazie, htu si nuk e ben automatikisht inferior anonimin per zgjedhjen e tij. Nese do fiksoheshim per barazine apo hierarkine ne kete diskurs te te dyve, do na duhej te thoshim qe i takon nje ‘jurie’ te vleresoje nga replikat e tyre, nga cfare shkruajne, dhe jo nga fakti qe njeri shkruan me nofke e tjetri me emer/pen name.

        Per ta permbledhur dhe nje here, mbase pak me shkoqur: Mua si komentues me bezdis qasja jote (si autor/editor) ndaj komentuesve, kur me duket sikur ti i shikon pergjithesisht ata si miza qe me se shumti bejne m*t dhe rralle bejne mjalte, per sa kohe qe je ti vete qe ke hapur kosheren te tille ku mund te futen insektet, me gjase se ashtu te leverdis. Kete nuk e kam dhe aq ne rastin konkret timin dhe tendin, pasi nuk do behej hic qameti sikur une te mos te te lexoja/komentoja ty dhe ti mua, por e them ne kuadrin e diskutimit te pergjithshem autor/komentues, packa se padyshim jam i vetedijshem per faktin qe ky diskutim i pergjithshem i yni ndikohet nga faktet tona specifike, qe ti ke vendosur te shkruash me emer + mbiemer e une me nofke, apo te autorit/komentuesit gjithashtu.

        Sa per diskutimin filozofik ne lidhje me detyrimet etike te personit ndaj personazhit/nofkes, besoj se eshte diskutim interesant, por dhe me vete.

        Ne lidhje me detyrimet ligjore, me c’kemi degjuar verdalle, varet nga faqja/autoret dhe shkelja penale e dyshuar, por ka patur plot raste kur shteti ka proceduar penalisht personat pas nofkave, ashtu sic ka patur raste kur autoret e faqeve kane rrefuzuar ti japin shtetit te dhenat e nofkes, kur s’kane qene te bindur nga argumentat e shtetit.

        1. Xhibi, ti flet për komente pozitive dhe negative; por komentet e dëshirueshme nuk janë as pozitive as negative, por vetëm të tilla që ta pasurojnë temën.

          Nuk e kam fjalën, pra, te kritika ndaj shkrimit që mund të përmbajë komenti, por te toni i komentit dhe mënyra si imponohet komentuesi, në raport me autorin.

          Ja një koment (nga një person i panjohur për mua dhe për blogun) që nuk e lashë të kalonte tani së fundi në PTF:

          Gati mbas cdo shkrimi e reagimi tek ty qendron ne themel paranojak urrejtja e perversiteti. Je i gjithi perbuzes, diskreminues, cinik. kerkon deri ne semundje psikopatike ti kontrollosh te gjithe ne blogun tend dhe nuk ngopesh. mbasi e ben kete te terbojne liberalizmi apo normaliteti i faqeve te tjera e merr e shkruan pacavure te tilla. Ne pergjithsi shkrimet tuaja nuk kane nerv, nuk kane energji nukl jane te kohes qe ne jetojme; po ta them te zbutur me gjuhen e nivelin tend: jane te sheqerosura. Te gjithe mastrubojne me seksin ti mastrubon me shpirtin e semure dhe nuk gjen qetesi dhe nuk ke per te gjetur qetesi se je i programuar si prevers. Je kaq pervers sa qe kekon ti kontrollosh dhe me kamera komentuesit. Enderron ne paranojen tende per sterilitet athua se po te vijner ne shtepi njerez te asaj katogorie qe kane virus vdekje prures dhe ti i fut menjehere ne kamerat e gazit e i djeg e karbonizon. I semure. Edhe titulli eshte pervers.

          E keqja e këtij komenti nuk ka të bëjë me kritikën që përmban, por me tonin, emocionin dhe frymën e njeriut që urren dhe tek urrejtja gjen motivimin për t’u shprehur.

          Në PTF këto gjëra unë nuk i lë të kalojnë, sepse përveçse më mërzitin mua, e molepsin edhe hapësirën e komenteve vetë.

          Me këtë rast, do të doja të dëgjoja edhe opinionin e Tabakhones, dhe pikërisht nëse ky koment është ad hominem apo jo.

          Shkruan:

          Mua si komentues me bezdis qasja jote (si autor/editor) ndaj komentuesve, kur me duket sikur ti i shikon pergjithesisht ata si miza qe me se shumti bejne m*t dhe rralle bejne mjalte, per sa kohe qe je ti vete qe ke hapur kosheren te tille ku mund te futen insektet, me gjase se ashtu te leverdis.

          Në fakt, unë kam respekt të madh për komentuesit në PTF; ose për një numër të madh kolegësh, të cilët shkruajnë lirisht dhe për çfarëdo teme që të dëshirojnë. Kur flas për komentet, nuk kam parasysh PTF, por koshin e plehrave të këtij blogu, ose vendin ku përfundojnë komentet e censuruara; dhe, natyrisht, të gjitha ato faqe komentesh, në mediat, ku moderimi ose mungon, ose bëhet sipas kriteresh të pakuptueshme.

          Dhe një gjë e fundit: komentuesit janë ata që janë. Në një komunitet ideal, komentuesit vetë do të protestonin ndaj një troll-i, ose dikujt që sulmonte autorin ad hominem, ose edhe një komentues tjetër; por kjo nuk ndodh. Mjafton që ti vetë, Xhibi, të pyesësh veten sa herë e ke bërë këtë – ose sa herë je ngritur t’i thuash dikujt, në forumet dhe blogjet që frekuenton, se po pëgër me fjalët e veta, sidomos kur shahet një palë e tretë, me libër shtëpie.

          Ka një frymë shumë të keqe në Internetin shqip – madje jo frymë, por flamë. Njerëzit sikur janë mësuar me të, dhe nuk u bën më përshtypje; ndoshta edhe ngaqë krejt hapësira e fjalës publike shqip është ndotur kështu, falë edhe ndërhyrjeve bujare të klasës politike, duke filluar nga Kryeministri Sali Berisha, që i shndërron ndonjëherë podiumet e veta në megafonë thashethemesh, përgojimesh dhe lapërdhish të padenja për postin publik që ka.

          Dua të them – komentet në mediat ndonjëherë nuk janë veçse vazhdim i diskursit të politikës dhe i mediave të lidhura pas karrocës së politikës; shan kryeministri dikë nga motra, shajnë edhe këta nga motra; e kështu me radhë, që nga familja, te tradhtia kombëtare, spiunllëku, shitja për tridhjetë aspra, mafia, komunizmi…

          Si t’ia bëj unë, tani, që refuzoj të jem pjesë e këtij cirku arixhinjsh, por që, megjithatë, edhe gojën të mbyllur nuk dua ta mbaj? A nuk është mbyllja në manastirin virtual të blogut e vetmja zgjidhje, në kushtet kur ligjin në hapësirën e diskursit “publik” e bëjnë barbarët dhe vandalët?

          1. Jam plotesisht dakort me kete koment 2xha.

            Sa i perket moslejimit te komenteve si ky qe ke sjelle per shembull jam dakort, jo se te shan ty, po se sic thua moleps diskutimin ose e con diku pa lidhje (p.sh. ne vend te temes ne pergjithesi, do diskutonim ty ne vecanti). Nje tjeter dhe mund ta kishte lene te kalonte komentin, ceshtje stili editorial.

            Ne kete pike e shpreha vete mirenjohjen per punen tuaj mirembajtese/moderuese te komenteve, qe ne krye te heres. Njeheresh, e shikoj ate si pergjegjsi tuajen se pari, pastaj edhe tonen, por vec se dyti, pasi sofra (faqja) eshte e juaja dhe ngelet prone e juaja, ne jemi vec bujtes. Une nuk komentoj aq rregullisht ketu, ndryshe besoj do i kisha adresuar dhe troll-et sic thua. Nga ana tjeter, nga pervoja ime virtuale, trollet (ne rastin kur komentet e tyre lejohen) duhen injoruar, se cdo angazhim me ta (qofte kritika ndaj tyre) dashje-padashje i ushqen per te troll-ezuar me shume.

            Rezervat e mia me siper ishin nga perceptimi qe une pata (shpresoj te gabuar) per qasjen tuaj ndaj komenteve dhe komentuesve ne pergjithesi, ndaj u reka te them qe si komentuesit ashtu dhe autoret kane nje fare interesi (jo material kuptohet) ndaj dhe angazhohen, dhe kete pike kjo duhet vleresuar si e tille. Bile ne fakt, nese do ishim maniake te barazise maje me maje, nje autori te nje faqeje i takon te jete me shume mirenjohes ndaj nje komentuesi, i cili perkunder gjithe faqeve te tjera, vendos te harshoje kohen, mendimet dhe ndjenjat tek faqja e tij/saj duke komentuar, e keto komente e diskurse ngelen ‘prone’ e asaj faqe (p.sh. kam parasysh nje rast konkret kur dikush me ka kerkuar te botoje gjetke nje shkrim timin ketu dhe i kam thene qe se pari duhet tju merrte leje juve, se ai s’ishte me tashme shkrimi im), perndryshe mund te ishte dhe nje frekuentues ‘memec’ qe thjesht lexon, dmth s’i kushton me kohe/vemendje faqes dhe autorit.

            Te kuptohemi, nuk pres qe autoret e blogjeve te na bejne temenara dhe te na servirin hors d’oeuvre ngaqe ne bejme komente, thjesht gjithmone ne perspektiven e pergjithshme te roleve autor/komentues.

            Sa i perket troll-eve, ka te tille plot dhe ne faqet e huaja ne fakt, dhe faqe te ndryshme zgjedhin stile te ndryshme. Huffington Post p.sh. relativisht heret vendosi qe te mos botoje me komente te pamoderuara paraprakisht, por nga ana tjeter ata jane faqe fitimprurese dhe kane plot njeres te punesuar, sic kane dhe qindra here me shume komente se nje faqe si PTF, apo dhe PPU.

            Sa i perket gjuhes harbutce, mendoj s’eshte thjesht nga politika sesa nga edukata jone e pergjithshme e komunikimit dhe qasjet ndaj sho-shoqit. Ne kete pike anonimiteti (sidomos i atyre qe komentojne me nofka te ndryshme) thjesht jep me shume liri per tu shprehur.

          2. Tani qe lexova kete “koment” te censuruar kuptova se po i biem njeri gozhdes e tjetri patkoit. Ti Xha Xha, me sa duket, kur flet per nevojen e moderimit te komenteve paske parasysh pikerisht raste si ky qe ke cituar. Ndersa une, por kam pershtypjen edhe te tjere, u referohem komenteve me se normale qe ne si lexues dhe komentues lexojme ne blog. Pra jemi ne perspektiva krejt te ndryshme.
            Sa per komentin e censuruar, aty sipas meje ka nje problem:
            Nese une lexoj shkrimet e ketij blogu dhe marr mundimin t’i komentoj, kete e bej sepse ato me interesojne, me terheqin, me stimulojne, me fjale te tjera, i vleresoj ato edhe atehere kur nuk jam i nje mendjeje me autorin.
            Komentuesi i censuruar duket qe nuk ka interes dhe vleresim per shkrimet e tua dhe te autoreve te tjere te ketij blogu. Lind pyetja: atehere pse i lexon? Dhe pse merr mundimin te komentoje ne kete blog?
            Keto lloj komentesh afermendsh duhen censuruar. Jo vetem per “tonin dhe emocionin” krejtesisht pa vend, por mbi te gjitha sepse nuk thone asgje me interes per bashkesine e lexuesve.

      2. “nuk ka asnjë lloj barazie mes autorit dhe komentuesve. Autori luan me reputacionin e vet, sa herë që shkruan; komentuesi anonim vetëm sa i lëshon fjalët e veta të fluturojnë. Fjalëve të tilla u mungon pesha”.

        Per sa me perket mua si komentues, mendoj se nuk kam leshuar ndonjehere fjale pa peshe. Jam i bindur se ato qe kam shkruar ne blog do t’ia thosha autorit ne sy po te me binte rasti. Mendoj se edhe shume komentues te tjere ne kete blog do te thoshin te njejten gje.

        Sa per dallimet mes autorit dhe komentuesve, vertet ka te tilla:

        Autori ben nje pune, i pergjigjet nje angazhimi a nje kontrate qe ai e ka pranuar me vullnet te lire, perfshire edhe perballjen me komentet e komentuesve. Per te mos thene edhe se ndoshta paguhet per kete pune.

        Ndersa komentuesi, pasi kthehet ne darke i lodhur nga puna, ulet para kompjuterit per te lexuar shkrimet e autoreve dhe kuturiset te thote mendimin e tij per ato qe lexon, me aq sa ia pret rradakja. Por kjo nuk e ben ate te pabarabarte, inferior, a me pak te denje se autori.

        Sipas meje, ne ndryshim nga komentuesi, autori do duhej te gezonte edhe autoritetin e autorit, mirepo Xha Xhai me se nje here ka deklaruar se ne kete blog nuk pi uje autoriteti 🙂

  7. Nuk duhet harruar se ekziston një farë mazokizmi i komenteve, midis të cilave ka nga ato që i bëjnë dëm vetvetes. Lexues të ndryshëm të PTF-së më kanë sugjeruar që të mos i moderoj të gjitha komentet, sepse “e shëmtojnë shkrimin” dhe “e devijojnë vëmendjen nga tema”. Disa të tjerë më kanë rrëfyer se faqja për ta mbaron me fundin e artikullit, ngaqë janë të lodhur me një takëm komentesh; pra nuk e marrin mundimin t’i lexojnë deri në fund. Natyrisht i kam kundërshtuar, sepse dihet që kategoria e komenteve përmban gjithashtu shënime e vërejtje shumë inteligjente, që e pasurojnë dhe e plotësojnë idenë qendrore. Përgjithësimi që i bëhet hapësirës së komenteve nuk i bën nder kategorisë, madje as shkrimit që komentohet, ngaqë nga dialogu i dështuar askush nuk del i fituar.

    1. Ne fakt mua, personalisht, keto kohet e fundit, qe ketu nuk po komentohet dhe aq dendur, me duket blogu me i paster, si me i pranueshem, me relaksues dhe me i pertypshem ne analizat qe botohen. Me gjithe mend. Me kete rast, une ndoshta po i heq ekzistencen personazhit qe kam krijuar, por ja qe personazhi funksionon si termometri: tregon saktesisht temperaturen time.

  8. Xhaxhai, meqë po e ndjek diskutimin dhe siç shpreheni më lartë “Kur flas për komentet, nuk kam parasysh PTF, por koshin e plehrave të këtij blogu, ose vendin ku përfundojnë komentet e censuruara;”, kuptoj se problemi mbetet vetëm juaji(moderatorëve), për sa kohë i censuroni dhe nuk na lini t’i shohim.

    Doja t’ju sugjeroja një ndryshim të vogël, si të thuash teknik, për të lehtësuar punën e moderimit, por që mund të ketë edhe anë negative.

    WordPress-i ka një opsion tek Dashboard-Settings-Discussion i cili mund të selektohet dhe të lejoi komentimin vetëm nga përdorues që janë të regjistruar, pra që kanë një llogari në gravatar, wordpress, facebook, apo tjetërkund. Pra që kanë njëfarë identiteti virtual, minimalisht, më të qëndrueshëm se ai që ka komentuesi i paregjistruar.

    Zgjedhja e këtij opsioni do të bënte që individët që kalojnë rastësisht e duan të nxjerrin inatin e vet, të lodhen e të hapin një llogari për ta bërë këtë. Dhe nëse e marrin mundimin ta bëjnë do të duhet ta bëjnë çdo herë që emri u “shënohet” në lisëtn e zezë. Kjo do të kufizonte një pjesë të mirë të komenteve të kqija, të pavlerëshme.

    Nga ana tjetër do të përbënte fillimisht një mundim të vogël për ata që komentojnë prej kohësh këtu, për të hapur një llogari “fikse”. Por edhe do të ishte një pengesë, përsëri e vogël, për ata që takohen për herë të parë me blogun.

    Edhe me këtë mënyrë, gjithsesi, mund të vazhdojë të kryhet moderimi i komentuesëve më të zellshëm, që janë munduar për të hapur një llogari të re.

    2. Users must be registered and logged in to comment – If this box is checked, only logged in WordPress.com users will be allowed to leave comments. If it is not checked, any visitor can leave a comment. këtu

    Komentin mund edhe të mos e publikoni. 🙂

    1. Në fakt, nuk ka asnjë problem me komentet në PTF. Në gjashtë javët e fundit (sepse aq e ka kapacitetin kohor kutia e trash-it) janë hequr vetëm dy komente për arsye të përmbajtjes; ndërsa 4-5 të tjerat janë mesazhe korrigjuese, nga vetë komentuesit, për komentet e tyre. Unë kur ngre problemin e komenteve, kam parasysh atmosferën e Internetit shqip në përgjithësi; ndërsa për komentet në PTF vetëm do të kisha dashur të kishte më shumë dhe të ishin më të angazhuara… por për këtë njerëzit nuk i detyron dot.

  9. Për mendimin tim ka vetëm një mënyrë se si një shkrim të pasurohet duke u komentuar nga lexuesit dhe kjo është nëpërmjet mundësimit dhe njëkohësisht moderimit të komenteve të lëna.
    Mundësia për të komentuar lirshëm nuk do të thotë, që t’i hapet dera derrit dhe dosës. Pak a shumë e njëjta gjë si edhe bindja, që e drejta e fjalës nuk e mbulon edhe të drejtën e fjalës së idiotit.
    Nuk duhet harruar se jemi duke folur për një hapësirë të pafund ku mund të ushtrohet e drejta e fjalës dhe autori i një blogu zë vetëm një pjesë shumë të kufizuar të saj.
    Përshtypja ime është, që trollët duan të përfitojnë nga reputacioni i autorit dhe të pozicionohen sa më dukshëm duke u bashkërenditur pas tij.
    Kësaj praktike mund (dhe duhet) t’i mbyllet dera. Të paktën dera e asaj pjese të kufizuar të hapësirës së pafundme të internetit që e pretendon të tijën autori. Përndryshe, do dikush të shajë, bujrum, pafundësia e uebit aty është dhe le ta bëjë këtë diku tjetër.
    Në rast se palët në një diskutim nuk bien dakord për mënyrën se si duan të replikojnë, atëherë rrugët e tyre duhen të ndahen. Praktika e uebit njeh mundësinë, që kundërshtarë të një mendimi, medie apo autori të organizohen më vete. Kush ofron një mendim me substancë i ka shanset që të arrijë një nivel të tërheqjes së vëmendjes publike të ngjashëm apo të krahasueshëm me kundërshtarin e vet. Kështu për shembull ekziston një faqe (WWW.bildblog.de) e cila i kundërvihet me sistem gazetarisë manipuluese bulevardesh të hapësirës gjermanishtfolëse. Palët në këtë diskutim për arsye konceptuale nuk mund të bien dakord të shkëmbejnë në të njëjtat forume dhe e kryejnë këtë nga distanca. Bukuri. Ama kush i qaset diskutimit me një predispozicion destruktiv, shkon automatikisht në dreq dhe nuk gjen vend si në njërën ashtu edhe në tjetrën anë.
    Kam përshtypjen se xhaxhai i ngjir së thëni, që kush dëshiron marrë pjesë në një diskutim është bujarisht i mirëpritur, pavarësisht se sa kritik mund të jetë pozicioni i tij. Madje është pikërisht ky “mendim tjetër”, që blogu i tij kërkon medoemos ta qasë pranë vetës dhe kjo është më se evidente.
    Këmbëngulja e tij për të moderuar ka të bëjë vetëm me nevojën impertinente për të larguar nga hapësira e e PTF njerëz që urinojnë publikisht.
    Ku është problemi këtu?
    Nëse dikush ka për të thënë vetëm “ik mor trap”, le ta bëjë këtë në blogun e tij “ik-mor-trap” dhe gjasat janë të mëdha, që të mbledhë rreth vetes lexues të mjaftueshëm që ju intereson kjo puna e trapeve.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin