KUR TË VIJNË MENDTË…

zorroQë seksioni i komenteve të pamoderuara, në faqet e mediave online më shumë e dëmton se e ndihmon fjalën e lirë, këtë e kishim ditur dhe e kemi shprehur shpesh në blog, sikurse edhe e kemi vënë në zbatim, me rregullat e moderimit.

Prandaj nuk mundemi veçse të mirëpresim artikuj si ky i sotmi në NYT, ku përmenden rezultatet e studimi të efekteve të komenteve ndaj leximit të materialit kryesor; studim i mbështetur në reagimet e gati 1,200 lexuesve të një shkrimi në një blog çfarëdo.

Studimi konfirmoi bindjen, jo vetëm timen por edhe të shumë autorëve që shkruajnë rregullisht në Internet, se komentet “e ashpra” radikalizojnë përvetësimin dhe trajtimin e temës, madje edhe, më keq akoma, ndryshojnë interpretimin që ia bën lexuesi materialit vetë.

Vetë NYT i moderon me kujdes komentet, çfarë duket në cilësinë e diskutimeve që pasojnë lajmet dhe editorialet dhe opinionet e botuara në atë gazetë. Ndërkohë, media të tjera, ose edhe blogje me peshë, kanë shkuar më tej dhe i kanë hequr krejt faqet e komenteve.

Arsyet për këtë vetëkuptohen – një media çfarëdo, kur nuk është publike, ka një synim të caktuar, që zakonisht lidhet me natyrën e mesazhit që kërkon të përcjellë. Hapësira e komenteve duhet disiplinuar, në këtë kontekst, në pajtim me synimin në fjalë.

Mjafton t’u hedhësh një sy faqeve të gazetave shqiptare online, për të parë rezultatet e një eksperimenti spontan, ku komentuesve u lihet porta gjithnjë e hapur. Në këto faqe autorët e shkrimeve gjithnjë sulmohen ad hominem, fyhen dhe përdhosen; ose flitet rregullisht kundër Sali Berishës dhe/ose Edi Ramës, edhe sikur tema të jetë për Rripin e Gazës ose rripat e sigurisë në automjet; dhe, për më tepër, ka një numër anonimësh të cilët e kanë “xanun” hapësirën e komenteve, duke e përdorur atë për të kultivuar persona-t e tyre dhe formuar gjithfarë klikash, që me shkrimin ose lajmin kryesor nuk kanë lidhje.

Në këto faqe mediash, krijohet kështu një strukturë me dy nivele: një nivel u përket autorëve të shkrimeve, opinionistëve dhe komentatorëve të nënshkruar, të cilët kanë fytyrën dhe reputacionin e tyre publik; niveli i dytë, është kapur tashmë nga elementë në thelb të panjohur ose maska, të cilët kultivojnë synimet e tyre, në papërgjegjshmëri totale.

Konflikti, në këtë mes, është midis të drejtës së fjalës të autorëve dhe të drejtës së fjalës të turmës; duke i konsideruar të parët si persona që marrin përsipër përgjegjshmëri publike duke u identifikuar; ndërsa të dytën si një masë që refuzon të identifikohet, duke refuzuar, ipso facto, edhe përgjegjshmërinë që vjen me lirinë e fjalës.

Duke parafrazuar një thënie të revolucionarëve amerikanë të fundshekullit XVIII, do të themi se “nuk mund të ketë liri të fjalës pa përgjegjshmëri.”

Dhe meqë flasim për mediat e Tiranës, të mos harrojmë se jemi praktikisht në fushatë zgjedhjesh; dhe partitë politike këtë herë e kanë marrë shumë seriozisht pjesëmarrjen, propagandën dhe kundër-propagandën online; pa llogaritur pastaj se ç’bëjnë shërbimet sekrete, shqiptare dhe të së tjerëve, të cilat kanë fonde taksapaguesish për të shpenzuar në këtë sektor.

Hapësira e pamoderuar e komenteve në mediat, si çdo hapësirë publike e lënë pas dore e në mëshirë të improvizimit, do të përfundojë në duart e forcave të errëta – çka, në kontekstin tonë, do të thotë në duart e aparatit agjitativ të partive politike.

Shpesh më thonë në këto raste: mjafton t’i shpërfillësh komentet që përmbajnë fyerje, ose që dalin nga tema, ose që i bien të njëjtit fyell. Ky lloj argumenti qëndron, së paku në teori; por një ndezje debati mes të panjohurish i ngjan një zënieje me grushta në autobus – të gjithë e dimë se kush zihet është me siguri kastravec (edhe kur nuk është fjala për ndonjë marifet hajdutësh, për të tërhequr vëmendjen); dhe si i tillë nuk meriton kurrfarë vëmendjeje; e megjithatë të gjithë ndalim frymën dhe bëjmë sehir, të hipnotizuar.

Po edhe kur zihen dy qen, dreqi ta hajë, na pëlqen të ndalemi e të shohim; tundimi është më i fortë se arsyeja. Një komentues që i përvishet autorit me libër shtëpie, është pothuajse i sigurt se do të tërheqë vëmendjen e komentuesve të tjerë; dhe në proces e sipër, po t’i besojmë edhe studimit të cilit i referohet NYT më sipër, do të shkatërrojë edhe pritjen, ose leximin e artikujve.

Më së fundi, komunikimi i mirë, ose i një niveli të caktuar, kërkon një farë distance optimale. Disa gjëra që thuhen, bie fjala, në një mbledhje të shteteve anëtare të NATO-s, rreth tryezës përkatëse, nuk do të thuheshin dot, sikur pjesëmarrësit t’i futje të gjithë në një qeli të vogël burgu; ose t’i ulje në sediljet e ngushta të një kamioni ushtrie. Po ashtu, një ballo ose është me maska, ose është pa maska; versionet e përziera do t’u shërbenin veç maskave.

Një pjesë e mirë e mediave të Tiranës doemos do të angazhohen seriozisht në fushatë, duke u vënë në dispozicion të kësaj apo të asaj pale; dhe në këtë rast askush nuk duhet të dyshojë se edhe hapësira e komenteve, në këto media, do të vihet në shërbim të agjit-propit partiak. Përndryshe, një hapësirë diskursi publik të pamoderuar, e braktisur deri edhe nga zelltarët e partive politike, nuk mund të prodhojë veçse populizëm nga më i mërzitshmi (edhe pse populizmi sot është i modës, aq sa të paraqitet si “alternativë” ndaj politikës së vjetër).

Në këtë mes, vjen një moment që çdo media, që nga gazeta më e madhe online e deri te blogu më i vogël, duhet të nisë të pyesë veten nëse do t’i interesojë vërtet që të përdoret prej të tjerëve apo jo. Në rastin e blogut tonë, këtë e kemi vendosur prej muajsh – duke ua mbyllur në thelb dyert mysafirëve të paidentifikuar, të paktën sa të çelet koha, dikur nga vera.

Të vetëdijshëm se edhe ky vendim, tek e fundit, përbën një qëndrim politik të caktuar; por që të paktën është yni, jo i të tretëve, as në shërbim të interesave të tyre.

Nuk ka komente

  1. Komentet e pamoderuara shprehin, mire a keq, mendimet dhe qendrimet e lexuesve per tezat e artikullit: sa me te mprehta te jene temat e trajtuara ne artikull, aq me te “zjarrta” do te jene komentet e pamoderuara, perfshire qendrimet dhe gjuhen ekstreme.
    Aq e vertete eshte kjo sa edhe ne kete blog me se nje here jane lexuar komentet e gazetave te pamoderuara si tregues te pulsit publik mbi çeshtje te caktuara.
    Mbetet problemi i fyerjeve personale, por tek e fundit edhe ato jane pjese e po atij pulsi.

    Komentet e moderuara, varesisht nga zelli moderues i moderatorit, ka rrezik te behen thjesht nje zgjatim i artikullit.

    1. Po ja, se po bëj një parantezë ad hominem edhe unë, ty nuk të është fshirë ndonjëherë ndonjë koment këtu (me sa mbaj mend) – por nuk besoj se i konsideron ato që ke shkruar si “zgjatime të artikullit”, apo jo?

      1. E vertete! Por siç e thashe, kjo varet prej zellit te moderatorit. Madje mund te them se une, po te isha ne vendin tend, nuk do t’i kisha bere dot balle tundimit te censuroja disa komente acaruese dhe, sipas meje, pa vend, qe kam pare ne kete blog.

        Po une e kisha fjalen per gazetat dhe jo per blogjet. Ka nje dallim te madh midis gazetave online dhe blogjeve. Keto te fundit ekzistojne ne funksion te komenteve dhe fale tyre. Shpirti i blogjeve eshte debati. Ndersa gazetat jane kryesisht mjete informacioni. Komentet jane “thele mbi bisht”.
        Nuk di a te ka rene ne sy prirja e komenteve qe botohen keto kohet e fundit nga disa gazeta shqiptare si p.sh. Panorama dhe Mapo, pa folur per gazeten “55” :-).

    2. Komentet e pamoderuara nuk shprehin mendimet dhe qendrimet e (te gjithe) lexuesve. Nga shume studime dime qe mesatarisht rreth 95+ % e lexuesve heshtin. Dhe ai 5% qe komenton nuk eshte i shperndare rastesishem ne menyre qe ti perdoresh per te ekstrapoluar mendimet e te gjithe lexuesve. Moderimi ka te beje me teper me disa rregulla te thjeshta etike qe pjesemarresit duhet te ndjekin dhe qe anonimiteti i ben te veshtira per tu ndjekur.

      1. Nuk di se ku i ke lexuar keto studime, por une mendoj se komentuesit jane shume me pak se 5% e lexuesve. Te marrim per shembull kete blog. Sipas “numeratorit geiger” ne krah te djathte te ekranit, ketu lexesit kane hyre 1,652,637 here. Sikur te kishin komentuar 5%, do te kishim mbi 80 mije komente. Nuk besoj se jane kaq shume. Mendo per nje çast faqet online te gazetave te medha qe kane qindra mijera lexues ne dite.
        E megjithate nuk mund te mohohet se komentuesit perbejne kampionin me aktiv te lexuesve.

        1. Relapso, numeratori mat vizitat e shumta te vizitoreve. Sot ka patur 1000 vizita prej 500 vizitoresh; qe do te thote se shume prej jush i riktheheni blogut disa here brenda nje dite. Mos harrojme se nje pjese e mire e vizitoreve perfundojne ketu rastesisht nga Google dhe interesi i tyre per te komentuar eshte pothuajse zero.

          Gjithsej ne blog ka patur 24,323 komente deri sot.

          Kur e pashe artikullin ne fjale tek NYT ja nisa 2xha-it me komentin “fenomeni Emigranti”. Pa dashur t’i bie fort te qafe ketij personazhi te PPU, dua te theksoj se gjithmone vija re se nderhyrjet e tij ne nje teme menjehere ia ndryshonin tonin debatit aty. Shpesh here nje link per YouTube apo foto mjaftonte per t’i sinjalizuar lexuesit te ardhshem se si t’i qasej temes.

          Qe te jem e qarte, Emigranti aty nuk eshte i vetmi qe sillet ashtu, por tek ai e kam pare te spikatur, fale popullaritetit te tij. Ka patur tema ku ne pergjithesi komentet kane qene pozitive dhe me te nderhyre nje si Emigranti komentet kane ndryshuar vije. Imagjinoni nje person qe futet ne valle dhe i terheq te tjeret pas vetes, pa i dhene shume rendesi ritmit te muzikes…

  2. Moderim po, por si ?

    Ka nje problem moderimi, krahasimisht me jomoderimin, dhe eshte pikerisht pamundesia per te pasur nje forme te qendrueshme dhe standarde, ose si te thuash, nje praktike te normezuar e cila te zbatohet ne te gjithe mediumet. Dua te them, moderimi “xhaxha” nuk perafrohet hicfare me moderimin “Muc”. Psh ne Respublica sot kalon nje koment i tille :

    “Eshte i gjithi perbuzes, diskreminues, cinik deri ne rracizem. kerkon deri ne semundje psikopatike ti kontrolloj te gjithe ne blogun e tij dhe nuk ngopet.”

    etj etj

    Se kujt i drejtohet helmi besoj e kuptoni vete.
    Tani, une jam i bindur 100 %, dhe vec te tjerave ndaj kam dhe kaq respekt per PTF, qe nje koment i tille ketu nuk do kishte shans te kalonte filtrat, ndaj cilitdo autor.

    Ne kete kontekst, mendoj seriozisht se nje moderim i keq eshte frikshmerisht me i demshem sesa mosmoderimi. Eshte ofenduese te thuash publikisht se po moderoj dhe te kalosh te tilla sulme ordinere ndaj autoreve.

    Ne te gjithe jemi dakort sot se sa vrullshem po fiton terren “gazetaria” online kundrejt mediave tradicionale, por a jemi realisht te pergatitur per kete ? Sepse edhe kjo kerkon nje platforme te veten ku te shtrihet, pergatitje shkencore-teknologjike, akademike dhe profesionale etj etj. Nese ka korrektore neper gazetat ( gje te cilen ne web mund ta lehtesojne softet ), perse nje pjese e ketyre te mos trajnohen per moderatore ? Seriozisht ! Me manuale te vetat, pergatitje te posacme, dhe mbi te gjitha, mbi nje lloj standardi te mbarepranuar e miremenduar duke respektuar disa parime bazike, dhe jo mbi shije te njerit apo tjetrit.

    Pra dakort me moderimin, po si ?

    1. Ne fakt ky koment u shfaq sot ne mengjes dhe per nje cast mendova ta nxjerr si shembull per te ilustruar argumentin ne fjale por mendoj qe nuk duhet te kufizohet debati duke marr parasysh kesi ekstremesh.

  3. Ne fakt ky lloj ekstremiteti ne Respublica dhe faqe te ngjashme ( kryesisht versionet online te gazetave, me apo pa moderim ) eshte pothuajse rregull, jo perjashtim. Ketu them se biem dakort. Vetem se kur nuk ka fare moderim, une jam i prirur te fajesoj komentuesin. Po kur ka moderim ?

    Dhe natyrisht qe nuk duhet ta kufizojme ketu debatin, komenti im besoj se shkon me gjere sesa kaq.

    1. Në fakt, e ka marrë ferra uratën, që nga momenti kur moderuesi e sheh veten si të mveshur me ndonjë lloj pushteti, dhe e përdor pastaj këtë pushtet për synimet e veta – që nuk kanë fare të bëjnë me shkrimin dhe autorin e shkrimit.

      Në fakt, puna e moderatorit është po aq e pushtetshme sa edhe ajo e pastruesit të nevojtoreve. Nuk e bën kush me pasion, por qytetërimi e kërkon që dikush gjithnjë ta bëjë, përndryshe na “mlo m*ti”.

  4. Shkrimi i mesiperm sqaron me se miri, se ky medium eshte i konturuar sipas rregullave te nje hapesire te caktuar komunikimi. Dhe sigurisht keto rregulla e bejne me te sigurte dhe me te qarte kete hapesire. Ketu qendron dallimi me shume mediume te tjera qe jane kthyer ne “pazar” fjalesh.

    Mediumet online qe te jene te vlefshme, duhen konceptuar si “ore mesimi” ku cdo kush mund te shprehi mendimin e vet brenda rregullave te miresjelljes, mirekuptimit dhe perqendrimit tek ideja. Kjo eshte sfida e shoqerive sot anembane botes virtuale, ku sic thote Dominique Wolton sfida per te shpetuar komunikimin, do te jete sfida e shekullit te ri.

    1. E drejtë po më duket ideja që shkrimit, në momentin që bëhet publik, i duhet njohur, respektuar dhe mbrojtur e drejta që ta krijojë vetë kontekstin që dëshiron.

      Tek e fundit, një media online, që ofrohet falas, mund gjithnjë t’i përzgjedhë autorët që shkruajnë aty, por jo lexuesit përkatës.

  5. Ndaj lexuesit nuk imponohen, ata veteofrohen ne keto mediume. Si rrjedhoje, kur hyn tek “shtepia” e tjetrit, duhet te respektosh rregullat qe gjenden aty. Sepse sot lehtesia e komunikimit te krijon pershtypjen e gabuar se eshte me e lehte te merresh vesh, prandaj pikerisht keto mediume po vertetojnense fundi i ditsnacave fizike zbulon shtrirjen e pabesueshme te distancave kulturore.

    Pra, te gjithe ata qe duan te marrin pjese tek kjo hapesire komunikimi, mendoj se duhet te pranojne “tjetrin” dhe te mbrojne identitetin e tyre.

  6. Sa per artikullin e NYT do te thosha se eshte ne linje me prirjen e pergjithshme. Pas nje periudhe disavjeçare “kaosi” dhe iluzionesh qe e konsideronin web-in si realizimin e demokracise se persosur, analistet dhe specialistet e komunikimit sot e pranojne se kjo hapesire po i nenshtrohet gjithnje e me shume logjikes se hierarkive “te natyrshme” shoqerore.

    Sikurse thote artikulli i NYT, tashme “na doli shejtani nga shishja”.
    O burrani ta fusim perseri atje ku ishte, se na prishi gjakun.

    Vini re p.sh. se sa shpejt u pershtat me kete prirje shpresa me e fundit e informacionit te lire e te pakontrolluar nga pushtetet, Huffington-i.

  7. Gjithsesi jane shume, çka deshmon edhe aftesine e moderuesit per te mos ia moderuar shume hovin komentuesve.

    Ajo çka me shqeteson mua nuk eshte censurimi i komenteve banale, boshe dhe fyerjeve personale. Jam i bindur se keto perbejne nje perqindje te paperfillshme te komenteve dhe duhen censuruar ne mos tjeter per arsye higjiene shoqerore.

    Qe te kuptohemi, problemi eshte te censurimi i komenteve qe nuk i shkojne pas midese autoreve apo qe i bien ndesh politikes se gazetes.
    Kam provuar nja dy here te komentoj te gazeta Mapo duke u rrekur te kundershtoj me argumente tezat e artikullit, pa fyer askend, por komentet nuk jane botuar. Kjo sipas meje deshmon se ajo gazete ka nje politike te sofistikuar te kontrollit dhe perdorimit te komenteve, te cilat behen keshtu nje mjet tinezar ne duart e botuesit per te manipuluar publikun. Ky eshte thelbi i çeshtjes!

    1. Gazeta MAPO merr shkrime të miat (pa i paguar) me dy mënyra – (1) duke i kopjuar nga ResPublica dhe (2) me kërkesë personale që më bën Alfred Lela.

      Unë jam gjithnjë dashamirës me gazetat që kërkojnë të nxjerrin shkrime të miat nga blogu; dhe me z. Lela nuk kam pasur probleme, është treguar gjithnjë shumë korrekt.

      Megjithatë, më ka qëlluar një herë që të futesha atje për të lënë koment në një shkrim, ku një pikëpamje imja deformohej në mënyrë shtazarake; dhe e kam nënshkruar komentin – por nuk ma kanë kaluar.

      Moderatorët në këto raste kushedi bëjnë politikën e gazetës; nuk mirëmbajnë hapësirën e komenteve si hapësirë publike, por më tepër si terren stërvitor, ku eksperimentohet me manipulimin e turmës.

      Këtë madje e bëjnë edhe kur nuk e kanë fare idenë se çfarë janë duke bërë aty.

      Të vjen edhe keq të ankohesh; i shkrova një herë një kryeredaktori që e kam mik, dhe iu ankova për ca komente në një shkrim timin, që e kishin kaluar masën. Më tha: “po e pushoj atë vajzën që merret me komentet, se nuk kam ç’të bëj tjetër.”

      Mbase ma ka thënë edhe për të më qetësuar, por vetë ideja se një autor i shqetësuar me degradimin e komenteve mund të qetësohet po të pushojnë nga puna moderatorin është edhe ajo shqetësuese 🙂

      1. Shpesh here ne komentet e ketij blogu ju 2xha keni nderhyre, me plotesisht te drejte, per te mos devijuar diskutimet apo abuzimi me fjalen e shkruar. Gje shume e fisme per ju dhe te mireseardhurit ‘pa trokitur’.

        Pra, udherrefyesi ,nese mund ta quaj keshtu, eshte i domosdoshem. Po do kohe ne dispozicion, do perkushtim do dhe njohuri e jo te shnderrohet ne nje macok qe ndjek minjte ( fjale jo komode) si psh tek Respublica ku ndonjehere qorrohesh nga syte me ‘DELETED’.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin