KUDO QË SHKELIM, VEÇ NDERIME

Lajmi kryesor sot në Shekulli online, së paku për një copë herë, ishte se z. Ramush Haradinaj kish marrë titullin “Nderi i Qarkut të Beratit.”

Duke pasur në mendje çfarë ndodhi javën që shkoi me një titull të ngjashëm që u tha se e kish marrë z. Kreshnik Spahiu i AKZ-së, po lejohemi të kemi rezerva edhe këtë herë.

Ose ndoshta jo – z. Haradinaj është vërtet, që nga dita e sotme, “Nderi i Qarkut të Beratit.”

Por ka diçka që nuk shkon me këta tituj që jepen poshtë e lart, pa sens mase dhe ndonjëherë pa kuptim; dhe që janë të shumtë kushedi sepse nuk kushtojnë asgjë, pa çka se, pikërisht ngaqë nuk kushtojnë gjë, nuk mund të jepen kështu ad libitum.

Ca javë më parë, dëgjuam edhe që prof. Rexhep Qoses i ishte refuzuar titulli “qytetar nderi” i Tropojës.

Kjo edhe pse, sipas një logjike elementare, duhet të jesh së paku një farë qyteti, para se të shpërndash qytetari të Nderit; ndërsa refuzimin në fjalë e kish shpallur botërisht Komuna e Tropojës.

Kjo do të përbënte arsye, besoj, që komunave të mos u lejohet, me protokoll, tash e tutje, të shpërndajnë qytetarí nderi.

Vetëm para pak ditësh dëgjuam edhe për kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, që mori titullin Doctor Honoris Causa nga universiteti Sun Moon në Seul të Koresë së Jugut. Më parë Thaçi e ka marrë këtë titull edhe nga Shkolla e Gjenevës për Diplomaci.

Së paku nuk do të na e mohojnë dot, ne shqiptarëve, se u hapim intelektualëve dyert e pushtetit.

Gjithsesi, kur ia refuzuan në Tropojë Rexhep Qoses titullin “Qytetar nderi” (ende më qeshet, kur e shkruaj këtë fjali), e bënë me një motivacion që meriton të citohet:

Për marrjen e një titulli të tillë duhet që personi i propozuar të ketë dhënë një kontribut ku të ketë përfituar komuniteti i kësaj komune.

Dhe këtë nuk ke si ta kundërshtosh – edhe pse Komuna e Tropojës, që ka ndërmarrë arsyetime të tilla juridike, mund edhe të kish shkuar më tej, dhe të kish zbuluar se një autoritet administrativ lokal, i cili nuk ka tagër t’i japë kujt titullin e zakonshëm të qytetarit, nuk mund të japë dot as qytetarí nderi.

Qytetarit të zakonshëm, në Shqipëri, i njihet ky titull nga Kuvendi Popullor, ose Kushtetuta – jo nga entet lokale.

Së paku, Universiteti Sun Moon (më qeshet edhe me këtë emër universiteti), u jep tituj doktori studentëve të vet, prandaj mund t’ia japë edhe z. Thaçi, ose kujtdo zyrtari tjetër të lartë kosovar që i bie rruga andejza.

Tek e fundit, vëmendja për Kosovën dhe politikën kosovare në Universitetin Sun Moon të Seulit ka qenë gjithnjë maksimale.

Të kthehemi tani te z. Haradinaj. Sipas kriterit (precedentit) të vendosur dhe të interpretuar nga Komuna e Tropojës, ky nuk ka arsye pse të përfitojë titullin “Nderi i Beratit”, sepse – së paku me sa di unë – nuk ka dhënë ndonjë kontribut të veçantë për Beratin.

Por të paktën atij ia kursyen një honoris causa nga Universiteti i Beratit, edhe pse dinjitari nga Kosova e vizitoi atë institucion dhe mori pjesë në një ceremoni ku e mbuluan me vlerësime jo vetëm për rolin e tij si komandant të UÇK-së gjatë “Çlirimit të Kosovës”; por edhe “përballjen me Tribunalin e Hagës” – a thua se paskësh qenë fjala për qëndresën burrërore të Georgi Dimitrovit, në gjyqin e Leipzig-ut.

E megjithatë, kushedi në Berat ashtu duan të bëjnë, siç e kanë edhe të drejtën, që nuk mund t’ua vërë askush në dyshim.

Dhe ndoshta Universiteti i Beratit përnjëmend ka dashur t’ia japë doktoratën honoris causa  udhëheqësit kosovar, por pastaj e ka parë të udhës të mos i bëjë karshillëk universitetit Sun Moon (dhe z. Thaçi). Në situata të tilla delikate, veç prudenca të nxjerr faqebardhë!

Jurisprudencë në Tropojë, prudencë në Berat, tha.

Gjëra pa zarar – do të më përgjigjen; të paktën popullin ta lëmë të shprehë entuziazmin e vet e të festojë, si në rastet e ngjashme të z. Spahiu dhe të z. Thaçi (por jo të prof. Qoses, i cili nuk i përmbushte kriteret, për qytetarinë e nderit në Tropojë).

Të gjitha këto lejohen, me kusht që ne të tjerëve, lexuesve të shtypit, të mos na përplasen fytyrës si lajme; sepse veç lajme nuk janë, por më tepër ngjarje të sendërtuara, për t’u dhënë një dorë varak rutinave protokollare.

Nuk ka komente

  1. shume flitet per universitetin e beratit, por eshte filial i universitetit ish-ufo sot me emrin e cuditshem “albanian university” dhe te mendosh se para ca kohesh ishte bere problem ky emertimi i huaj, keta nuk kane as ndonje program ne gjuhe te huaj … universiteti i beratit nuk ekziston … ishte vetem nje fantazem e perpjekjes se fatos nanos per te marre ca vota andej nga berati (shfuqizimi i vendimit te keshillit te ministrave http://www.ikub.al/ligje/509220001/Article-Per-shfuqizimin-e-vendimit-nr-547-date-03-08-2005-te-Keshillit-te-Ministrave-Per-hapjen-e-shkolles-universitare-publike-Universiteti-i-Beratit-.aspx) … keshtu qe sot me roba te tjera dhe kembe te reja universiteti i beratit jep diplomat e UFOs … gjynah qe ja paskan kursyer titullin … universiteti evropian i jep me bresheri .. ndersa zv/rektor nderi i Sun Moon-it eshte z. Lisen Bashkurti i Aleances dhe jemi perseri tek aleanca

  2. Shtypi shqiptar eshte cope-cope nga te gjitha anet. Kam pershtypjen se ka me shume gazeta sesa shqiptaret mund te pertypin dhe nuk kane se me ç’t’i mbushin. Per te mos folur pastaj per gjuhen dhe cilesine e shkrimeve, qysh nga shkrimi i emrave vetjake vetem ne rasen emerore e deri te hollesira te kota si, fjala vjen, markat dhe targat e makinave te perfshira ne aksidente.

    1. Kam pershtypjen se ka me shume gazeta sesa shqiptaret mund te pertypin dhe nuk kane se me ç’t’i mbushin.

      Ata që i kanë hapur gazetat, duket se e kanë gjetur zgjidhjen: i mbushin me qoka. Do tu vesh, se të kanë ardhur.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin