SHIBBOLETH

dhelpraRrëfen Libri i Gjyqtarëve në Bibël (Kapitulli 12) se dy fise semite, efraimitët dhe gileaditët, patën një herë një betejë të madhe mes tyre, e që u mbyll me fitoren e gileaditëve. Pas fitores, këta e bllokuan lumin Jordan, që të kapnin të gjithë ata efraimitë që, pas disfatës në betejë, rrekeshin të ktheheshin në tokat e veta.

Rojet gileadite ndalnin çdo njeri që kërkonte të kalonte lumin dhe i kërkonin të thoshin një fjalë të vetme: shibboleth (që në hebraishte ka kuptimin “kalli gruri”).

Efraimitët nuk e kishin bashkëtingëlloren sh në dialektin e tyre, prandaj e shqiptonin fjalën me s: sibboleth – dhe pas kësaj shkoheshin në thikë. Dyzet e dy mijë efraimitë u vranë kështu, përfundon rrëfenja.

Histori të ngjashme i ndesh gjithkund, edhe pse jo kaq të përgjakshme. Një barcaletë që ka pasë qarkulluar dikur Tiranë tregonte për një myzeqar që e kapën duke shitur barishte në pazarin e Tiranës, dhe i kërkuan të largohej, me ç’rast ky filloi të ankohej, duke thënë se ishte edhe ai “tiranás”.

Shibboleth-i luan rol të madh në praktikat sociale, duke përcaktuar kush i përket grupit, dhe kush është “i jashtëm,” outsider. Në çdo sub-kulturë urbane gjen fjalë ose zakone ose shenja me këtë funksion; kushdo prej nesh mund të sjellë shembuj dhe anekdota të vetat.

Një ndodhi e kohëve moderne heq një paralele të frikshme me ngjarjen biblike – në tetor 1937, refugjatët haitianë përgjatë kufirit me Republikën Dominikane nisën të identifikohen duke u kërkuar të shqiptonin fjalën perejil (majdanoz); kush nuk e kalonte këtë provë, do të pushkatohej, me urdhër të drejtpërdrejtë të presidentit dominikan Rafael Trujillo – thuhet se midis 20,000 dhe 30,000 vetë u vranë, në çka do të njihej më pas si “masakra e majdanozit.”

Theksi i “gabuar” nuk është thjesht theks “i gabuar”, që mund edhe të ndreqet; por paralajmërim për Tjetrin dhe kobin që sjell Tjetri.

Një numër studimesh të kohëve të fundit, të përmbledhura në këtë shkrim të Corriere della Sera, kanë treguar se aftësitë tona për të pikasur ndryshmërinë biologjike tek Tjetri varen nga procese neuro-psikike që ndodhin në katër zona të ndryshme të trurit; dhe mjafton theksi “i huaj” për t’i aktivizuar këto procese, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës dhe e syve, ose lloji i flokëve dhe forma e nofullës ose e qepallave.

E gjithë kjo mund të duket e të tingëllojë si truizëm, vetëm se disa kërkues kanë gjetur një lidhje midis kësaj sjelljeje rezultat i qindra mijëra vjetëve procesesh evolucionare, dhe frikës sonë, njëlloj të motivuar nga pikëpamja evolucionare, prej sëmundjeve ngjitëse.

Refuzimi i shkaktuar nga theksi “i keq” rezulton kështu i njëjtë, për nga mekanizmi dhe natyra neuropsikike, me refuzimin e Tjetrit nga frika se mund të na ngjitë një sëmundje; dhe i sëmuri dhe i huaji vijnë e shndërrohen në dy pamje të së njëjtës Tjetërsi për t’u shmangur.

Kur qëmtuam, me R. Devolen, në reportazhet e mediave italiane për zbarkimin e refugjatëve shqiptarë në brigjet e Puglia-s, për librin tonë La Scoperta dell’Albania, gjithnjë gjetëm bashkëlidhje, ndonjëherë të sforcuara herë tjetër metaforike, me sëmundjen ngjitëse – të cilat e kishin megjithatë një bazë reale, në kushtet higjienike të mjerueshme në anijet që kapërcyen Adriatikun.

Gjithsesi, frikën që të huajt sjellin sëmundje – e themeluar sa në kulturë aq edhe në neurologji – e gjen në gjithfarë mitesh, gojëdhënash dhe rrëfenjash në kultura nga më të ndryshmet. Në Mesjetë, mjaftonte një anije e infektuar me murtajë, që të sillte vdekjen dhe katastrofën për një qytet, një zonë dhe një qytetërim të tërë.

Një popull i lidhur me detin, si italianët, e kishin të pirografuar, në kujtesën e tyre kolektive, kujtimin e tmerrit që mund të vinte me një anije, një dërgatë a një lundërthyer të shfaqur befas në brigjet.

Pa folur pastaj për leprozët, të cilët zhvendoseshin nëpër Europë, me një farë nomadizmi pervers, dhe që ishin të detyruar ta lajmëronin “tëhuajsinë” e tyre duke u rënë këmborëve, si bagëtia.

E keqja, në këto rrethana, i tejkalon caqet e etikës – i sëmuri fatal kushedi ka nevojë për mbrojtjen tënde dhe mëshirën; por të vret, në atë masë që i afrohesh dhe tregohesh i mirë me të.

Tirana, që prej shpalljes së saj kryeqytet, ka qenë gjithnjë laborator i refuzimit të theksit dhe i përftimit të brenda-grupeve dhe jashtë-grupeve, thjesht në bazë të shqiptimit. Sot dukuria shqetëson kryesisht të ardhurit nga Veriu, sipas rastit të njohur si “malokë”, “çeçenë” ose “tropojanë”; por vetëm 30-40 vjet më parë, theksi jugor do të përqeshej njëlloj, nga vendësit; dhe klikat e çunave të rrugës shpesh ndaheshin përgjatë vijave të atyre që thoshin “Tirona” (shqiptimi i duhur) dhe “Tirana” (shqiptimi i të ardhurve nga Jugu).

Kush shqiptonte sipas dialektit jugor, ose edhe letrarishtes, do të shmangej njëlloj si të kishte tifon ose fruthin.

Paralelizmi mes theksit të huaj dhe sëmundjes ngjitëse shkon edhe më tej – sikurse dihet, ndryshimet në shqiptim përhapen sipas ligjësish të ngjashme me ato të epidemive; duke u “ngjitur” nga një folës te tjetri. Njihet mirë, në historinë e gjuhëve letrare të Europës, prejardhja e r-së uvulare të frëngjishtes që nga shqiptimi karakteristik i të folmes pariziane; sikurse njihet dhe është përshkruar përhapja e ngjashme e th-së në spanjishten kastiliane.

Sa për shqipen, unë do të përmendja këtu rënien e ë-së fundore të patheksuar në shqiptimin letrar të Tiranës (të gjithë shqiptojnë mir, askush nuk thotë mirë, si në Korçë); ose zbutja e r-së, deri në kalimin nga shqiptimi me dridhje (si r-ja e rusishtes, veçanërisht e spikatur në theksin e një rusi që kërkon të flasë anglisht), në shqiptimin fërkimor, ose shumë të butë, që e dëgjon sot, veçanërisht në vajzat dhe gratë, në të gjithë regjistrat e shqipes urbane.

Në të dy këto raste, ka qenë fjala për “infeksione” fonetike të standardit dhe, dora-dorës, edhe të dialekteve të toskërishtes, me burim nga gegërishtja. Kështu mund të interpretohet, kushedi, edhe mbijetesa këmbëngulëse e fjalëve gege si kangë, nanë, etj. në tekstet e këngëve, gjatë viteve 1970-1980 – pra jo thjesht si vijim i traditës, por edhe si imitim brenda një shkolle të kristalizuar të të kënduarit shqip (imitimi nuk kërkon arsye, as kulturë; edhe zogjtë imitojnë këngët e njëri-tjetrit).

Klasat që kanë pushtetin, i mbajnë gjithnjë gati shibboleth-ët e tyre; dhe nëse është e vërtetë se kultura e themeluar mbi standardin tosk ende bën ligjin, së paku në Tiranë, është po aq e vërtetë se kjo kulturë vetvetiu përfton të kundërtën e vet – e cila mund të marrë forma të sofistikuara, si në rastin e shkodranishtes letrare të viteve 1930; ose edhe thjesht brutale, si tropojanizimi i disa institucioneve të rendit, në këto vitet e fundit; ose edhe identifikimi dhe linçimi i personelit të SHIK-ut, në Shqipërinë e Jugut, gjatë kaosit të vitit 1997.

Çfarë na intereson, nga studimet që përmenda më lart, është se fobia ndaj theksit të huaj i ka rrënjët jo vetëm në kulturë dhe në sociologji, por edhe në neurologji – dhe se kjo fobi mund të kontrollohet më lehtë me arsye, sesa të zhduket krejt nëpërmjet edukimit dhe bindjes.

Këtu gjejmë edhe një argument të mëtejshëm, në të mirë të konsolidimit të një shqipeje standard, si lingua franca të shqiptarëve; duke e parë këtë konsolidim si një lloj terapie sociale, në shkallë të gjerë, ndaj frikës ekzistenciale prej Tjetrit.

Nuk ka komente

  1. Në vitet ’90 qarkullonte një anekdotë në Kakavije e cila donte policët grekë të kufirit t’u kërkonin emigrantëve shqiptarë të shqiptonin fjalë greke me tingujt [γ] dhe [χ] që nuk i ka shqipja (kryesisht fjalën γαμώτο) për t’i dalluar nga minoritarët.

  2. Te trishtueshme keto histori por te verteta. E kur shikon Tironen qe e kane zaptuar te ardhurit (outsiders) ndjehesh keq, sepse shume shpejt proves se shqiptimit per ti shpetuar thikes do ti nenshtrohemi ne, tironesit. Cfare mund te bejme per te shpetuar? Te bejme lufte apo te mesojme dialektin e malokeve?

    1. As luftë, as mësim malokërishtesh, por zhvendose kryeqytetin aty ku “malokët” mirëpriten, sepse kryeqyteti duhet të jetë edhe i atyre malokëve.

    2. Duhet të qytetarizoheni.
      Qyteti lindi si vendtakim i njerëzve nga shtresa dhe me nevoja të ndryshme. Nëse nuk arrini ta bëni këtë, pra të bashkëjetoni, ju me ata “malokët”, atëherë ka diçka që nuk shkon në qytetarinë tuaj, dhe jo në katundarinë e tyre, sepse ju më sipër tregoheni po aq katundarë sa katundaria nga e cila doni të shpëtoni, duke dashur të ruani qytetarinë tuaj katundare, pra duke mos dashur me gjet një rrugë të ndërmjetme, siç në krye të herëve gjetën gjithë katundarët që krijuan qytetet e para.
      Qytetaria juaj, nuk është mirëflli qytetari, pra në respekt të normave – të cilat evoluojnë -, por qytetari katundare, që kërkon të ruaj, me fanatizëm konservator, “qytetarinë” e vet.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin