SHFAQJA E SHQIPTARËVE NË GOOGLE

Javës që shkoi, te një takim i artistëve shqiptarë në NYC (APEN Artist Event), më tërhoqi vëmendjen një vepër e Helidon Gjergjit, e thjeshtë në ekzekutim por e thellë në koncept, e cila shfrytëzonte një funksion të mirënjohur të motorit të kërkimit Google për të qëmtuar disa të vërteta rreth imigrimit dhe imigrantëve.

E kam fjalën për një funksion të njohur si “vetëplotësim” ose “Autocomplete” (në anglishte), dhe që, kur është aktivizuar, i plotëson automatikisht pyetjet dhe kërkesat e përdoruesve, në bazë të një algoritmi kryesisht statistikor.

Kështu, nëse unë nis të shkruaj në dritaren e kërkimit “Why do cats…” Google do të më rekomandojë, menjëherë, “Why do cats purr” dhe “why do cats meow”; pas gjase, ngaqë këto janë pyetjet që i vijnë motorit më shpesh, prej përdoruesve, dhe që nisin me fjalët “why do cats…”, ose fjalët që shkrova unë.

Se si funksionon pikërisht funksioni “Autocomplete”, e gjeni të shpjeguar në këtë faqe; këtu mjafton të vërejmë se sugjerimet e ofruara mbështeten të gjitha në pyetje reale të përdoruesve, radhiten sipas popullaritetit dhe vjetërsisë (më të rejat kanë përparësi ndaj më të vjetrave), etj. Algoritmi i saktë është sekret, por dihet me siguri se baza është thjesht statistikore.

I nxitur nga punimi i Gjergjit, më shkoi mendja që ta përsëritja eksperimentin e tij me emrin tonë kombëtar, në anglishte dhe ndonjë gjuhë tjetër: shqiptarët, Albanians, albanesi

E nisa eksperimentin me vargun w Albanians, meqë shumica e fjalëzave pyetëse në anglishte fillojnë me w-; siç mund të pritej, më rezultoi se shumica e google-uesve duan të dinë për fenë e shqiptarëve, dhe më tej për racën dhe kombësinë.

w Albanians

Sikurse do ta shohim edhe në vijim, pyetjet për fenë, racën dhe kombësinë do të shfaqen, në mënyra të ndryshme, në të gjitha instancat; kjo nuk tregon gjë të madhe, pse është më shumë efekt i përzgjedhjes sime që, nëse nisem nga shqiptarët, si grup kombëtar ose etnik, doemos që pyetjet do të kenë të bëjnë me karakteristikat identitare të grupit.

Megjithatë, po të vështrojmë më në hollësi, rezultatet fillojnë të marrin kuptim. Nëse futim në dritaren e kërkimit fjalët race dhe Albanians:

race Albanians

Do të shohim se, përveç pyetjes se ç’race i përkasin shqiptarët, shumë përdorues kanë shkruar se “fizikisht, shqiptarët janë raca më e bukur në Europë”, ndërsa të tjerë kanë pyetur nëse shqiptarët “janë racë e pastër.”

Nga ana tjetër, duket sikur italianët kanë një vështrim shumë më praktik të çështjes së racës shqiptare:

perche gli albanesi

Dhe meqë jemi në lëmin e racës, ja ç’forma merr pyetja që nis me “are Albanians…”

are Albanians

Ku cilësimi racor vihet në një radhë me etnicitetin (A janë shqiptarët sllavë? A janë shqiptarët arabë?); nga ana tjetër, pyetja nëse shqiptarët janë të bardhë, shoqërohet me pyetje të tipit:

are Albanians white

Ku përkatësia e shqiptarëve në “racën e bardhë” shkon krah për krah me pyetje në lidhje me fenë ose karakterin (A janë të rrezikshëm shqiptarët? A janë të këqinj? A janë të çmendur?).

Kalimi nga pyetja [Are Albanians…] te përgjigjja shoqërohet me një rrëshqitje drejt vlerave negative:

Albanians are

Ku, sipas rastit, një shumicë përdoruesish të Google-it shpjegojnë se shqiptarët janë arabë ose magjypë, ose thjesht “bad.”

Këtyre duket sikur u kundërvihen të tjera turma, të cilat pyesin nëse Hitleri i kishte xhan shqiptarët:

Albanians did

Dhe me Hitlerin hyjmë kështu në histori.

Një nga enigmat më urgjente të historisë folklorike të shqiptarëve është nëse këta rrjedhin apo jo prej ilirëve.

Albanians illyrians

Sikurse shihet nga renditja, diskursin në këtë fushë e kanë zaptuar “armiqtë” e shqiptarëve, të cilët nuk duan që këta të jenë pasardhës të ilirëve fisnikë.

Nga ana tjetër, ka njerëz – dhe po të gjykosh nga renditja në listën e Google-it do të jenë të shumtë – që besojnë se Grekët e lashtë ishin shqiptarë.

were Albanians

Të tjera kokëçarje të historianëve të Internetit kanë të bëjnë me islamizimin e shqiptarëve, si dhe me kohën kur këta “arritën” në Kosovë:

when Albanians

Edhe për Skënderbeun ka disa paqartësi : a ishte mysliman ? A ishte shqiptar? Dhe – në fund të fundit – sa i gjatë ishte ky njeri?

was Scanderbeg

Të tjera pyetje për shqiptarët, kërkojnë arsye për të sotmen e tyre, ose edhe thjesht për qenien:

why Albanians

Pyetje si këto më lart përmbajnë në premisë argumente shumë më domethënëse, se përgjigjet që kërkojnë: serbët dhe shqiptarët e urrejnë njëri-tjetrin; dhe, sidomos, shqiptarët nuk qenkan të bardhë.

Më të sakta janë pyetjet e kësaj kategorie në shqipe:

pse shqiptaret

Italianët, nga ana e tyre, edhe në këtë temë tregohen më praktikë:

come gli albanesi

Ja edhe një pyetje e sugjeruar që, në vetminë e vet, përmbledh tërë lagështinë dhe akullsinë e raporteve ndëradriatike, së paku në këto njëzet vjetët e fundit:

dove gli albanesi

Ku pra, ku zbarkojnë shqiptarët?

Materiali i mësipërm, i mbledhur në formë eksperimentale, lejon disa vërejtje me natyrë paraprake – dhe pikërisht, që diskursi për shqiptarët në Internetin (sidomos anglofon) është i fokusuar në çështje të racës, etnicitetit, origjinës dhe fesë (përfundim, në thelb, tautologjik); dhe që për shqiptarët mbizotëron një vështrim sa negativ, aq edhe racial ose biologjik; në kuptimin që ata tërheqin vëmendjen më shumë si racë, se si kolektivitet.

Gjithashtu, nga sa më lart, duket sikur ky diskurs për shqiptarët, së paku në anglishte, ose kontrollohet nga “armiqtë” tradicionalë të tyre (kryesisht fqinjët), ose shtjellohet nga pozita mbrojtëse (pasive-agresive), pra nga shqiptarë që u përgjigjen akuzave, insinuatave dhe fyerjeve që marrin në forumet e të tjerëve.

Në nivelin e turmës, ose të asaj krijese kolektive, instinktive dhe impulsive, që flet dhe flitet në Google, shqiptarët dalin të përfaqësuar, veçse kryesisht si element i huaj, ose ndërhyrës, përveçse kur gjejnë aq forcë, sa të kundërpromovojnë tezat e tyre njëlloj absurde, si ajo e Hitlerit që i ka dashur a vlerësuar shqiptarët (pa çka se se këta të fundit ishin të vetmit që i shpëtuan të gjithë hebrenjtë… etj.). Natyrisht, nuk mund të presësh më shumë, në një nivel ku diskutohet seriozisht nëse shqiptarët janë apo jo magjypë.

E megjithatë, vështirë të mos mendosh se situata, me karakteristikat e tanishme, varet edhe nga fakti që shqiptarët, si kulturë, nuk kanë nxjerrë dhe dhënë pothuajse asgjë, që t’i bëjë tërheqës për të tjerët, anembanë botës, në nivelin e konsumit imediat (të cilit i përgjigjet edhe Google, së paku nga pikëpamja statistikore). Kështu, nëse marrim një popull tjetër çfarëdo, p.sh. kenianët, dhe pyesim “Why are Kenyans…”, Google do ta plotësojë pyetjen tonë kështu:

Kenyans

Dhe kjo thjesht ngaqë atletët kenianë kanë bërë emër të mirë për veten dhe kombin dhe kulturën e tyre, falë rezultateve që kanë arritur në nivel botëror.

Në këtë kuptim, kenianët njihen më shumë për çfarë “bëjnë”, ndërsa shqiptarët për çfarë “janë.”

E kotë të shtoj se, për disa prej nesh, së paku në nivelin e diskursit publik online, të jesh shqiptar është një lloj profesioni (madje profession de foi), në mos përkushtimi.

Rreziku i kësaj situate, nëse mund të flitet për rrezik, është se brezi i ri e merr informacionin kryesisht online; dhe kësisoj u ekspozohet më shumë se ç’mund të pranohet normalisht diskurseve me ngjyrim të fortë racist dhe revanshist, ku bota del po aq e ndarë në tribu të ndryshme, sa edhe një videolojë me temë fantahistorike.

Në këtë kuptim, nuk është për t’u habitur edhe që shumë prej bashkatdhetarëve tanë, të ngecur në limbon e pseudo-informacionit online, ta marrin seriozisht këtë model të botës dhe të formësohen intelektualisht në tonalitetin e revanshit.

Nuk ka komente

  1. Ne kete kontekst mu kujtua dhe hedhja ne gjyq e Google pikerisht per insinuatat e dala nga funksioni autocomplete nga ish zonja e pare (gruaja e presidentit) e Gjermanise vetem para pak muajsh. Per zonjen ne fjale fill pas nje skandali te te shoqit dolen fjale se kishte punuar ne te shkuaren si prostitute e klasit te larte. Nga vete natyra e tij ky lloj lajmi i katapultua ne rang to pare te autocomplete dhe zonja tashme e ka hedhur ne gjyq google per kete, (per mendimin tim me shume te drejte).

    Modelet komjuterike me baze statistikore dominojne tashme aplikimet ne inteligjencen artificiale psh. per perpunimin automatik te gjuhes se folur, perkthimet automatike, makinat pa shofer etj. Ne pjesen derrmuese modelet nuk jane shume te sofistikuara por thjesht shfrytezojne sasite jashtezakonisht te medha te te dhenave qe zoterojne firmat.

    Mirepo kur vjen puna tek ceshtje qe prekin vlera individuale apo shoqerore si reputacioni i nje individi apo grupi ato jane te papershtatshme pasi nuk marrin parasysh as gjera baze si privatesia e lokaliteti. Une kam rezervat e mia ndaj vete modeleve te pastra statistikore por problemet me te medha vijne nga cilesia e te dhenave qe qarkullojne ne internet, dhe menyra si perhapen ato ne nje medium si Interneti ku nuk ka barriera natyrore. Psh. ne Amerike me perjashtim te mbase zones perreth Nju Jorkut shqiptaret nuk njhen fare. Perse numri sic duket i madh i kokekatroreve shqiptare ne Itali duhet te ndikoje dike nga Kalifornia kur ky ben nje kerkim?

  2. Eni me sa e kuptova une problemi nuk eshte nese njihen apo jo shqiptaret, por se nese dikush e degjon kete fjale dhe do te dije me shume kur shkruan Albanian ne google dhe fillon te formoje nje pyetje, google orienton ate cka meson, duke e drejtuar kah ligjerimi virtual mbi racen dhe ligesine e shqiptareve.
    Ne lidhje me ushtrimin, komplimente eshte vertet interesant. Do sugjeroja ta aplikoje dhe per google image, pasi edhe analiza e imazhit do te ishte interesante, duke lejuar mbase edhe te shohim si perkon imazhi me tekstin, qe te provojme origjinen tone nomade, jo per gje 🙂

  3. Kush i njeh thëniet komedianit me origjinë ruse, Yakov Smirnoff?

    Këtu mund të gjeni disa.

    Për këtë punën e google do mund të ishte: Në Amerikë (apo perëndim përgjithësisht), njerëzit përdorin google. Në Shqipëri google të përdor ty!

  4. Ajo qe doja te thoja eshte qe keto algoritme jane te manipulueshme, aq me teper per grupe margjinale si shqiptaret. Nje rast ekstrem eshte psh. te vesh nje “robot” qe ben 100 kerkime ne sekonde mbi prejardhjen aliene te shqiptareve dhe brenda pak oreve e gjen tek autocomplete. Nuk ka bile nevoje fare te kete manipulime te vetedijshme nga “grupe armiqesore”. Mjaftojne kerkimet ne anglisht qe behen ne Itali apo Greqi ku shqiptaret kane nje histori, imazh e profil te caktuar dhe autocomplete i shpalos te njejtat paragjykime e fobi dikujt nga Kalifornia ne nje kontekst krejt tjeter. Pra lokaliteti ka humbur.

    Nje analogji eshte ti thuash nje gruaje dicka qe mund te jete bile statistikisht korrekte fjala vjen qe grate futen ne shkolla per te gjetur burre dhe ne rastin me te keq te presesh dacken qe mund te hash. Une mendoj se duhet te mesojme ti fusim dacka algoritmeve sic po e ben dhe ish zonja e pare e Gjermanise.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin