SHPATULLAT E GJIGANTËVE

Shpresoj që për lexuesin e këtyre radhëve të mos jetë i huaj emri i Pierre Menard-it – ose i shkrimtarit protagonist të një tregimi të mirënjohur të Borges-it, i cili vendosi të rishkruajë Don Kishotin e Cervantes-it duke e kopjuar fjalë për fjalë e megjithatë duke krijuar një vepër krejt të re në proces e sipër, e cila doemos i referohet Don Kishotit ekzistues.

Çdo fjalë, çdo frazë, çdo paragraf në dorëshkrimin e Menard-it, edhe pse në dukje njëlloj si në origjinalin e kopjuar, merr kuptime të reja, vetëm e vetëm ngaqë Don Kishoti i Cervantes-it tashmë ekziston dhe i rëndon lexuesit në gjoks me praninë e vet mbytëse.

Doemos, me kusht që lexuesi ta njohë paraprakisht veprën e Cervantes-it. Përndryshe, eksperimenti dështon dhe mund të ketë të papritura, herë të këndshme dhe herë të pakëndshme.

Thonë se vetë Charlie Chaplin pat marrë një herë pjesë incognito, për shaka, në një konkurs të imituesve të Charlie Chaplin-it, duke u klasifikuar i treti. Tepër e lehtë t’ia faturosh padijes së jurisë këtë rezultat të papritur; shkak më i mundshëm do të ishte pedantizmi, meqë Chaplini do të ketë mbetur autentik edhe kur është përpjekur të imitojë veten, ndryshe nga imituesve të mirëfilltë.

Këtë kriter e zbatojnë ndonjëherë kritikët ekspertë të veprave të artit me autor të rremë, meqë këto vepra, të cilat paraqiten dhe pompohen si krijime “të humbura” të një kolosi, vetëm sa riprodhojnë stilin e mirënjohur të atij artisti, pa shtuar asgjë të re e pa kontribuar asgjë më tej.

Më ka ndodhur më se një herë ta përdor përftesën për rrengje.

Herën e parë kur, 15-vjeçar, merrja pjesë në një kampionat lokal të shahut, të klubit “Studenti”. Bashkë me mua, në të njëjtin kampionat, ishte regjistruar edhe një shok imi i afërt dhe partner i përhershëm shahu shtëpiak; të dyve na u duk qesharake, madje e papranueshme, që të mateshim me njëri-tjetrin; dhe ashtu vendosëm që të luanim një rreng.

Zgjodhëm, nga një libërth shahu rusisht, një lojë mes Alekhinit dhe Botvinikut, të zhvilluar në vitin 1936, në turneun e Nottigham-it. Aso kohe Alekhin-i sapo e kish humbur titullin e Kampionit të Botës, pas një match-i me holandezin Max Euwe (për ta rifituar në 1938); ndërsa Botviniku, ende në moshë të re, do ta fitonte po atë titull pak vjet më vonë, menjëherë pas përfundimit të Luftës II Botërore dhe vdekjes së Alekhin-it vetë. Gjithsesi, bëhej fjalë për dy nga shahistët më të fortë të botës, në ato vite.

E zgjodhëm atë lojë sepse ishte e shkurtër dhe e lehtë për t’u mbajtur mend, por edhe për shkak të fishekzjarrëve në fushë. Kureshtarët mund t’i hedhin një sy këtu.

Më vonë kam lexuar se shahistët e rinj i luajnë shpesh rrengje të tilla, duke përsëritur lojëra të kalibrit shumë të lartë, nga tradita e shahut botëror; edhe pse kështu mund të rrezikojnë të përjashtohen nga turnetë. Por sot, në periudhën kur të gjitha lojërat e një farë kalibri janë lehtësisht të vizitueshme në linjë, rrengu sikur e ka humbur lezetin.

Përkundrazi, në vitet 1970, në Shqipëri, lojën e Alekhinit me Botvinikun vështirë se mund ta kish parë njeri, e aq më pak ta mbante mend, së paku ndonjë nga publiku aq i ngeshëm, sa të ndiqte lojën tonë, në mjediset gjithë tym duhani të Klubit të Shahut, tek Estrada (sot kushedi “Teatri Metropol”).

capablanca_alekhine_1927Në këto rrethana, efekti Pierre Menard pati pasoja të ndryshme, në varësi të të prekurve. Unë (Alekhini) dhe shoku im (Botviniku) i ekzekutonim lëvizjet me saktësi dokumentare totale, por pa i kuptuar mirë implikimet e pa e vënë fare re në ç’fushë me mina po vraponim, si qenushët.

Nga ana tjetër, ata që na ndiqnin, arritën të gjithë në përfundimin se po ne luanim shumë keq, madje për faqe të zezë, si dy “kalamaj”, dhe se mund ta kishim fituar lojën pa problem, si njëri ashtu edhe tjetri, po të kishim bërë këtë apo atë lëvizje në këtë apo atë moment të lojës.

Në vend që ta zbavitnim publikun me një lojë kalibri, e zhgënjyem.

Dhe askush nuk njohu, në lëvizjet e mia, dorën e Alekhinit të madh; sikurse askush tjetër nuk dalloi, në lëvizjet e shokut tim, dorën e Botvinikut po aq të madh.

Ishim vetëm dy amatorë, që nuk dinim se çfarë po bënim me gurët në fushë, dhe që nuk meritonim as edhe vëmendjen e spektatorëve të rastit.

E megjithatë, ajo lojë i kishte në vetvete të gjitha: tensionin, dramën, të papriturat, përmbysjet, estetikën, harmoninë, sakrificat, sulmet për mat. Çfarë i mungonte ishte vetëm pritja e publikut për shenja të heroikes dhe sublimes, të nivelit të mjeshtrave të mëdhenj ndërkombëtarë ose prej Alekhini dhe Botviniku, në lojën e dy çunakëve.

Në fakt, në atë kohë, një lojë shahu perfekte mbetej atribut i mjeshtërve; dhe numri i lojërave të nivelit të lartë ishte relativisht i kufizuar. Përkundrazi, sot që, edhe me një kompjuter shtëpiak, mund të arrish nivelin e një Kasparovi ose të një Fischer-i, është shumë e lehtë të “prodhosh” një lojë (quasi) perfekte – mjaft ta vësh kompjuterin të luajë kundër vetes; të cilën pastaj ta mësosh përmendësh dhe ta luash para një publiku, me shpresë se do ta mahnitësh…

Dhe të mendosh, gjithsesi, se ka njerëz, madje edhe profesionistë të shahut, që ende gjejnë bukuri ose “art” në manovrat e kompjuterit!

Rrengun e dytë pata rast ta luaja në një lëmë sa të ndryshme nga shahu, aq edhe të ngjashme me të: në muzikë.

Pasi kisha mbaruar gjimnazin dhe kisha filluar vitin e stazhit të detyrueshëm në prodhim (në Fabrikën e Tullave, Vorë) kisha filluar të merrja mësime në fizarmonikë nga një usta i muzikës shqiptare, Ç.T., mik i tim eti.

Në atë kohë unë i bija disi kitarës dhe, në përgjithësi, e kisha idenë për muzikën – në nivel amatorial.

Ç.T. ngulte këmbë që unë të provoja dorën me kompozime; ngaqë, kushedi pse, i kish shkrepur në kokë të më ndihmonte në atë fushë. Por unë nuk është se kisha ndonjë dhunti kushedi çfarë për të kompozuar; jam i sigurt se motivet e vepërzave të mia s’ishin veçse huazime të pavetëdijshme e rimarrje stilemash dhe harmonish nga muzika e lehtë shqiptare dhe italiane, të cilat nuk ma impresiononin fare mësuesin.

Ngaqë isha mërzitur me detyrat që më jepte, m’u shkrep një ditë që të hidhja në partiturë “Norwegian Wood” të Beatles-ve, duke e tejshkruar, doemos, si vals.

Si tani e mbaj mend kur Ç.T. i hodhi një sy partiturës dhe as që begenisi ta dëgjonte pjesën në fizarmonikë, por tundi kokën e më tha: “nuk jemi atje ku duhet, nuk është kjo rruga për t’u ndjekur.”

Mësuesi im ishte kompozitor i shkëlqyer i muzikës së lehtë, por Beatles-at nuk i njihte; dhe në përgjithësi nuk dëgjonte muzikë pop (ndryshe nga ai, kompozitori Tish Daia, me të cilin gjithashtu kishim disa lidhje familjare, e njihte mirë jazz-in amerikan, veçanërisht bop-in).

Veçanërisht, kur përgatitej të shkruante ndonjë gjë për Festivalin e Këngës në RTV, Ç.T. veçohej nga bota dhe refuzonte të dëgjonte ndonjë lloj muzike në radio ose live, “për të mos u ndikuar” – asnjë magnet i rastit nuk duhej lënë t’i afrohej busullës së krijuesit.

Kish edhe huqe të tjera të çuditshme – më thoshte se kur kish kompozuar një herë një këngë për një komit të famshëm, e kish lënë mjekrën t’i rritej, për t’u njëjtësuar sa më shumë me heroin e vet (ajo këngë pati në fakt sukses të madh). Kushedi edhe tallej me mua, kushedi jo – nuk di ç’të them: talentin isha në gjendje t’ia nuhasja, finokërinë jo. Por këngën surprizë të Beatles-ve nuk ma vlerësoi fare – iu duk pleh.

Pierre Menard-i dështoi sërish; sepse pala tjetër nuk ia pikasi referencat.

Gjithsesi, rrengu im themelohej mbi këtë padije, njëlloj si në rastin e lojës së shahut më parë. Përndryshe, unë nuk do të kisha rrezikuar as të përjashtohesha nga Kampionati i Klubit Studenti, as të fyeja një njeri të moshuar dhe të respektuar, si Ç.T.

Të dyja këto shaka, për të funksionuar, duhej të mbeteshin të fshehta dhe shumë-shumë të shijoheshin në distancë, me palë të treta. Ha-ha.

“Norwegian Wood” është këngë e arritur, nga çdo anë që ta marrësh: e lehtë për t’u kënduar, e kapshme, me një kthesë harmonike intriguese në refren (dikur një kritik muzikor e pat quajtur “një nga këngët pop më origjinale të regjistruara deri më sot”). Megjithatë, virtytet e saj muzikore vështirë se mund të shkëputen nga konteksti: përkatësia në albumin Rubber Soul dhe shoqërimi me këngë të tjera atje, statusi i albumit vetë në diskografinë e grupit nga Liverpool-i, teksti, fakti që ishte këngë e Beatles-ve dhe jo e Supremes, pritja e saj nga publiku anembanë botës në 1966, lehtësia me të cilën u fut në repertorin e çdo kitaristi amator, enigma me të cilën e kish mbështjellë titulli, e kështu me radhë.

Natyrisht, asnjë nga këto veti kontekstuale nuk gjeje në versionin tim të këngës – me përjashtim të sekuencës melodike dhe të ritmit tresh bazë.

Kështu, rrengu në vetvete mund të ketë qenë i pashijshëm, madje i padenjë; por më pas më ndihmoi të marr vesh si funksionon vepra e artit, në raport me autorin dhe publikun; si dhe të kuptoj që një vepër në vetvete, jashtë kontekstit ku përftohet dhe riprodhohet normalisht, ose për të cilin është menduar (destinuar), mund edhe të zhvishet krejt nga të gjitha atributet që e bëjnë të jashtëzakonshme e që, gjithsesi, i ka në strukturën e vet.

Nuk ka komente

  1. Argumenti i xhaxhait mè kujtoi menjèherè njè epsod nga jeta studenteske. Né lèndèn e polifonisè, qè jepej nga njè pedagog mjaft larg nga studentèt, qè me gjithè moshèn e afèrt me ta, konsiderohej i mèrzitshèm, i paaftè dhe antipatik, dikush i çoi si detyrè me shkrim njè fugè tè Shostakoviçit, tè cili ai e “skuqi” me korigjimet me laps tè kuq dhe unè vetè, né njè rast tjetèr, né njè moment kur duhej tè çoja njè temè muzikore , tè pèrshtatshme pèr njè fugè, e marrè tekstualisht nga njè film historik amerikan tè shkruar nga John Williams, ma hodhi poshtè duke mè fyer pèr paaftèsinè time tè lindur.

    Ndèrkohè mè vjen ndèrmènd njè episod nga aktiviteti im si orkestrues né njè festival kèngèsh né njè qytet province, ku , duke rènè dakord me kompozitoren, vura si introduksion identik njè hyrje orkestrale tè marrè nga njè kèngè e huaj e atèhershme “33 anni” tè kènduar nga H. Iglesias.
    Komisioni i aprovimit i drejtuar nga komiteti i partisè sé rrethit, nuk dalloi aspak transplatimin preçiz, pèrkundrazi mè bèri komplimenta ….

    : http://www.youtube.com/watch?v=MCPm0tAMw3Y

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin