ARTI I MIRËMBAJTJES SË PIEDESTALEVE

Shqiptarët – si shoqëri dhe si shtet – u treguan të paaftë për të ndëshkuar, qoftë edhe simbolikisht, krimet e panumërta të kryera nga regjimi totalitar kundër qytetarëve të vet: vrasjet pa gjyq, dënimet e rënda për motive politike, torturat në hetuesi, konfiskimet e pasurisë, internimet, ndëshkimet e familjarëve të viktimave, trajtimin çnjerëzor të të burgosurve politikë, përndjekjet e njerëzve në bazë të biografisë.

Kësisoj, ne nuk u ndamë dot me të kaluarën, as gjetëm dot paqe.

Edhe pse qëndrimi qytetar ndaj regjimit të djeshëm ka munguar në masë sa të madhe, aq edhe zhgënjyese, interesi i publikut për protagonistët e viteve totalitare mbetet artificialisht i lartë – po të gjykosh nga materialet e shumta që gjen në mediat për atë periudhë.

Megjithatë, këto materiale, siç kemi pasur rast ta themi shumë herë, nuk sjellin ndonjë reflektim të ri për atë periudhë, por ose janë ripërtypje pozicionimesh politike të vjetruara, ose synojnë ta risjellin të shkuarën, të përzgjedhur e të filtruar, për t’ia kundërvënë së sotmes.

Në përgjithësi, materialet arkivore, intervistat dhe rrëfimet për bëmat e udhëheqjes komuniste në vitet 1944-1990 i përmbushin të gjitha kriteret për t’u klasifikuar si një formë e pornografisë dokumentare.

Kështu, meqë fjalimet e plenumeve të KQ dhe diskutimet në Byronë Politike tashmë janë shteruar si burime, gazetat u janë vërsulur dosjeve të gjyqeve kundër “grupeve armiqësore” në vitet 1970-1980, duke botuar – pa kurrfarë aparati kritik – deponimet nënshkruara prej të pandehurve,  dëshmitë (e inskenuara) dhe deklaratat e pranimit të fajit, të cilat qartazi duket se janë përpiluar nga hetuesit vetë, kanë dalë nga laboratorët e policisë sekrete ose nga stilografi i vetë Enver Hoxhës.

Efekti i materialeve të tipit “si deshëm ta vrisnim Enver Hoxhën me bastun” është toksik, qoftë për brezat e rinj, që nuk e kanë idenë se ç’ndodhte në atë kohë; qoftë për të gënjyerit e viteve 1970-1980, të cilët vdesin që të gënjehen nga pak edhe sot.

Paralelisht me këtë pornografi dokumentare, e cila mbështet shpifjen, intrigën në oborrin e Hoxhës dhe poshtërimin e viktimave të dhunës totalitare, po shtjellohet edhe rehabilitimi, me mënyra djallëzore, i përgjegjësve kryesorë për krimet e pashembullta dhe të dokumentuara të periudhës komuniste, si Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu.

Nëse njëfarë nostalgjie e turmës për udhëheqës karizmatikë dhe të kërbaçit, mund edhe të kuptohet, sa kohë që shoqëria civile i ka qëndruar larg, ndoshta qëllimisht larg, ndarjes së qytetëruar me krimin totalitar, përkundrazi, është vështirë të kuptohet, dhe aq më pak të përligjet, qëndrimi i sotëm i disave, përfshi këtu edhe opinion leaders dhe historianë, të cilët haptazi po lëvdojnë cilësitë e udhëheqësve totalitarë, duke i prezantuar dhe rehabilituar këta si “burra shteti,” dhe duke anashkaluar, qëllimisht, krimet e tyre të rënda, që krime ishin madje edhe brenda kuadrit ligjor të kohës.

Në vetvete, figura historike si Hoxha dhe Shehu e kanë luajtur rolin e tyre në histori dhe tashmë nuk kanë ç’të bëjnë më, përveçse të vihen në dispozicion të atyre që duan t’i përdorin. Nëse rehabilitimi folklorik i udhëheqësve të shtetit totalitar mund të interpretohet si simptomë e zhgënjimit total, të miletit, me klasën e tanishme në pushtet dhe profilin etik të pushtetarëve sot, atëherë analistët dhe historianët që i hipin këtij kali të zgjebosur veç po duan ta shfrytëzojnë zhgënjimin e turmës, për qëllime të mbrapshta politike.

Turma i kujton me mall Hoxhën dhe Shehun, mes të tjerash, edhe si interpretë protagonistë të dhunës arbitrare dhe të kërcënimit politik masiv; sepse turma, që të riprodhohet në cilësinë e saj thelbësore si kope bagëtish, ka nevojë të mbajë në këmbë figurën e bariut, madje qoftë edhe kur ky bari tashmë s’mund të jetë veçse dordolec.

Intelektualët, përkundrazi, u heqin qimet nga xhaketat këtyre dordolecëve jo sepse i ka marrë malli për t’u ndier të kërcënuar prej tyre, por sepse e shohin këtë si një okazion të vyer, për të marrë drejtimin e kopesë; çka edhe mund ta arrijnë, po të kemi parasysh se diskursin kritik ndaj totalitarizmit, të paktën sa u takon aspekteve thjesht kriminale të atij regjimi, e ka monopolizuar një klikë e vogël dhe vetë-shërbyese e së djathtës, të cilën e motivon më shumë dëshira për të larë hesapet, sesa bindja që pa u ndarë me të shkuarën komuniste shoqëria shqiptare nuk i bën dot të vetat ato parime politike që formalisht tashmë i ka përqafuar. Përkundrazi, e majta vazhdon t’i ruhet kësaj teme me mendjeshkurtësi karakteristike, meqë ende dëshiron votat e nostalgjikëve; dhe nuk ka as energji, as kapacitet që ta ripërkufizojë veten si alternativë ndaj pseudo-majtizmit politik të djeshëm.

Hoxha dhe Shehu kanë vdekur dhe u janë tretur kockat; sistemi totalitar në Shqipëri nuk ka asnjë shans që të kthehet; prandaj rehabilitimi i udhëheqjes totalitare duhet parë i tëri në kontekstin e sotëm politik, të zhgënjimit me retorikën integriste, pluralizmin, Europën, tregun e lirë; por edhe të ndezjes së retorikës kombëtariste, të ksenofobisë dhe të etjes për t’iu qasur dilemave dhe sfidave të shumta politike siç iu qas Aleksandri i Madh nyjës gordiane: me shpatë.

Në thelb, rrëmbushja e kalkuluar për Hoxhën, Shehun dhe lakejtë e tyre nuk shqetëson pse është shprehje e nostalgjisë për të djeshmen; por sepse përfaqëson një vullnet politik të sotëm i cili nuk e pranon dot pluralizmin, dialogun, negocimin, kompromisin dhe të tjera karakteristika themelore të aksionit politik në një shtet modern dhe demokratik, si ai që parashkruan Kushtetuta; meqë pluralizmin, dialogun, negocimin dhe kompromisin i konsiderojnë si të fëlliqura tashmë përfundimisht, nga abuzimi i paskrupullt që ka bërë me to klasa e sotme politike, për të qëndruar me çdo kusht në pushtet.

Kjo do të thotë edhe se Hoxha dhe Shehu, të rehabilituar si “burra shteti”, nuk po u shërbejnë aq komunistëve të vjetër e të rinj, që ende qarkullojnë në kulisat e politikës në Tiranë; por pikërisht fashistëve të vetvetishëm në mes tonë, ose të gjithë atyre që shpresën për shërim e shohin te higjiena e arbitraritetit në emër të “rregullit”, e ushtrimit të forcës dhe e dhunës së kulluar. A nuk ta thonë vallë, në Itali sot e kësaj dite, që Mussolini të paktën i detyronte trenat të vinin në orar?

Nuk ka komente

    1. Ke te drejte. Mafja eshte aty. Duhet nje Andreot qe t`i mbledhe nen nje cader, e ta vere ne radhe qendren, cilado qofte ajo.

      Por, s`e di nese e kam me shaka apo megjithemend kete me lart… tha

  1. … dhe jo vetem… keto zhurma rrekin me shume te perligjin pozicionin e nje udheheqesi te forte, Sali Berishes, qe deshiron ta vere veten ne histori e te ngulet ne rradhet e udheheqesve historik te shqiperise… lodra me Mehmet Shehun ka te beje me rolin e tij si Kryeminister, sic eshte edhe prijesi i bagetise sone, e nuk cuditem qe prapa ketyre skenimeve te jete Sala, sikur se publikisht del e i sulmon.

    Loje interesante: se pari e vendos veten perballe ketyre figurave historike si kundershtar i denje politik, por se pari duhet t’i lartesoje ato (nepermjet librave te Fevziut mbi Enverin, Zogun apo te ndonje kumtese te porositur mbi Mehmet Sheun), e pastaj e vendos veten ne rradhen e tyre si pushtetar, duke misheruar me gjasme kompleksitetin historiografik te ketyre personazheve.

    I vetmi shpetim eshte qe shqiptaret te kuptojne se nuk kane personazhe historike pozitive (te vleresuar nga rezultati dhe prizmi kombetarist), ne rastin me te mire kane ca figura ambivalente, e ne rastin me te keq shqiptaret te kuptojne se jane udhehequr nga perbindesha e bajraktare.

    Cmitizimi i personazheve historike fillon me ate te Skenderbeut, e pastaj bie e gjithe kalaja e ndertuar me letra kronikanesh puthadores. Vetem atehere populli do te marre historine e vet ne dore e nuk do te pres (goje- e anaus-hapur) nga prijesit e tij te rradhes.

  2. Edhe mua me vjen per te vjelle sa here shikoj rehabilitimin si “burra shteti” te Hoxhes apo Shehut.
    Sepse gjithmone me ka ardhur per te vjelle nga “burrat e shtetit”.
    Sepse gjithmone me ka ardhur e me vjen per te vjelle nga shteti (i cilitdo vendi qofte).

    Pune kendveshtrimesh- tha.

  3. Gjithë respektet për gazetën e re opozitare “Dita”, po një gjë nuk rri dot pa thënë: ato temat e përditshme me dosjet e komunizmit, mbajnë era zift.

  4. Problemi është, që gjithkush që erdhi në pushtet pas rënies së komunizmit ishte i interesuar që në momentin e parë vetëm për ruajtjen e tij për qëllim përfitimi personal.
    Në Shqipëri nuk pati asnjëherë një grupim politik i cili ishte i interesuar për “sqarimin e të keqes”.
    Unë pyes shpesh veten, nëse kjo ka të bëjë me faktin, që shoqëria shqiptare nuk përjetoi asnjëherë ndonjë fazë “sqaruese” apo “ndriçuese”, prej nga ku do ti buronte në këto 20 vitet e fundit nevoja apo dëshira për të reflektuar.
    Diktatura komuniste ishte një vijim i një sistemi feudal ekzistues. Raportet midis klasës sunduese dhe asaj të sunduar nuk ishte e nevojshme të shpikeshin, ato ekzistonin prej gjithnjë. Diktaturën, gatishmërinë për t’u nënshtruar, frikën për të mos kundërshtuar nuk e prunë komunistët, por e gjetën në sistemin mesjetar patriarkal e injorant, në të cilin vegjetonin shqiptarët.
    Komunistët vetëm i përdorën këto forma duke ju bërë përshtatjen historike të nevojshme. Shteti i diktaturës së proletariatit, lufta e klasave e kështu me radhë. Këta që erdhën më vonë e morën këtë mizerje në dore dhe vetëm sa e zhveshën e veshën me petka të reja. Demokracia, NATO-ja, ekonomia e tregut, Evropa e kështu me radhë.
    E gjithë kjo është vetëm farsë. E gjitha është një mashtrim ashiqare.
    Në këtë pikë unë nuk jam dakord edhe me një qëndrim, i cili shprehet gjithnjë e përsëri, që sistemet nuk mund të krahasohen me njëri – tjetrin, ngaqë ai dje ishte kriminel dhe i pakrahasueshëm si i tillë me këtë të sotmin, i cili është vetëm i korruptuar. Në qoftë se nuk e kam gabim, edhe Xhaxhai ndjek pak a shumë këtë linjë kur shprehet krahasueshëm.
    Është naive të besohet se diçka ka ndryshuar, pasi edhe nëse ka ndodhur diçka e tille, kjo nuk ka ndodhur ndër shqiptarë. Mua më duket e rëndësishme kjo. E përsëris, ai ndryshim në dukje i dy sistemeve nuk është produkt i proceseve shoqërore në Shqipëri, por përshtatje në kushtet globale.
    Iku diktatori komunist, pasi ai format nuk ishte më kompatibël në planin global. Pra në atë batak kulturor ku vegjetojnë shqiptarët mbaroi vetëm një stinë e filloi një e re, ku nuk nuk shumohen ato lloj parazitësh, por këta të tjerët.
    Në dukje mua personalisht më ngjan se kemi madje një regres në këto 20 vjet. Njeriu socialist, të cilin asnjëherë nuk do ta dimë se çfarë mendoi vërtetë, ishte sidoqoftë më i mbrujtur nga pikëpamja etike. Shqiptari i vitit 1989 ishte si evropian evropianolindor shumë më tepër evropian se ai mesjetari i sotëm. Maskarallëku ka buisur nga çdo vrimë dhe unë nuk e gjej të arsyeshme se pse kjo fëlliqësirë e sotmja nuk u dashka krahasuar me atë kasaphanë të së djeshmes.
    Njerëzve u duhet mbajtur pasqyra përpara hundës.
    Kastës politike në pushtet, apo më gjerë akoma, elitave të sotme politike shqiptare nuk ju duhet lënë të paktën pa thënë, se e shpunë Shqipërinë në hale.
    Për të marrë ama, e morën nga Ferri!
    Janë dy gjëra të ndryshme, por që mund të krahasohen për bukuri.
    Për dikë haleja është më për ibret se ferri. Për dikë tjetër është ndoshta e kundërta.
    Madje duhen krahasuar. Se në fund të fundit, nëse do të rrojë Shqipëria nesër, duhet parë se në ç’themele po ngrihet së fundi. Ato të Republikës së Enver Hoxhës e Mehmet Shehut ishin vërtetë themele më shumë për burgje, por sot duken sikur ishin më të hajrit se këto të sotmet. Mënyra (shumë antinjerëzore) se si funksionoi shteti i Diktaturës së Proletariatit ishte e bazuar në ligj dhe ishte e parashikueshme. Republika ishte konkrete. Shteti kishte konture të dëshiruara e realizuara në vijim të një platforme politike apo ideologjike. Në këtë proces u poq edhe qytetari, me një vetëdije fatale për t’u nënshtruar, por në emër të “publikes së imponuar”, dhe jo të kapriçove të ca kumarxhinjve, pushtëve apo psikopatëve. Shteti i sotëm është një aksident. Është i dështuar. Është gropa.
    Edhe në këtë prizëm duhen parë gjërat. E thjeshtuar shumë; me kë do të duash të kesh të bësh më shumë, me një turmë të bashkëburgosurish të organizuar forcërisht në një formë jetese të caktuar, apo me një turmë kusarësh, që nuk njohin asnjë rregull. Unë nuk i jap dot një përgjigje për të qenë kësaj pyetje, prandaj edha kam ikur, prandaj edhe nuk e kthej kokën pas.
    Por ka shumë arsye primare për t’i shtruar këto lloj pyetjesh, ngaqë përgjigjet vetëm ne mund t’i japim. Se sa për ata nesër (pas 200 vjetësh), kur t’i referohen kohës tonë, Enver Hoxhën e Mehmet Shehun do nderojnë e për këtë nuk duhet pasur as edhe dyshimi më i vogël.

    1. Një e keqe e madhe, në këtë mes, është se nuk ka pasur ndarje, shkëputje të institucionalizuar, mes dy “sistemeve” – as në nivel shtetëror, as në nivel partiak, as në nivel qytetar. Krimet e shumta, të panumërta, të papranueshme të periudhës totalitare zakonisht janë zbardhur vetëm në mënyrë sporadike, dhe sipas interesit privat të zbardhësit.

      Përndryshe, çështja që mund të diskutohet, në kontekstin tonë, është nëse mund të ekzistonte një sistem si ai i Shqipërisë në gjysmën e dytë të shekullit XX pa dhunën totalitare dhe krimin e organizuar të regjimit, kundër qytetarëve të vet.

      Njerëz si Mehmet Shehu, ose kushedi edhe Enver Hoxha, nuk i lidhte asgjë me komunizmin; në një situatë tjetër, mund të kishin përfunduar në krye të një regjimi fashist. Këta të gjithë e panë Luftën Na-Çl si një mundësi të rrallë për të marrë pushtetin, dhe ashtu edhe vepruan.

      Këtu nuk përjashtohet as roli i shërbimeve sekrete të vendeve të tjera, me të cilat këta të dy patjetër janë komprometuar.

      Megjithatë, një gjë që duhet sqaruar, është se dhuna kriminale që këta e nxitën dhe e ekzekutuan, ndonjëherë edhe personalisht (çka është dokumentuar) nuk ka qenë aq e nevojshme për të mbajtur në këmbë sistemin, sa për t’i mbajtur këta në krye të sistemit.

      Zakonisht të thonë, në këtë moment, se ashtu ka qenë koha atëherë – kohë kur jeta e njeriut nuk vlente. Çka edhe qëndron, me kusht që të pranojmë edhe se këtë kohë, me ato karakteristika, e përftuan njerëz si Hoxha dhe Shehu.

      Mund të pyetet, në fund, edhe nëse ka ndonjë mënyrë tjetër, përveç dhunës, për t’i detyruar shqiptarët të veprojnë në mënyrë etike – meqë situata e sotme tregon se, të lënë në punën e tyre, shumë prej qytetarëve të atij vendi shndërrohen në reptilë.

      Kësaj pyetjeje i janë përgjigjur me argumentin se përgjegjësi kryesore për shkatërrimin moral të shqiptarëve mban pikërisht totalitarizmi, i cili i eksternalizoi mekanizmat e censurës; ose ua shkuli njerëzve super-egot, për t’i projektuar pastaj të gjitha në shtet (duke mënjanuar fenë, në këtë proces).

      Diçka që mund të quhet edhe paternalizëm shtetëror.

      Vijmë atëherë te pyetja nëse mund të qeveriset dhe të mbarështohet shoqëria shqiptare, si e tillë, përveçse nëpërmjet frikës nga shkopi, nga kërbaçi, nga çomanga.

      Për fat të keq, unë kësaj pyetjeje i jam përgjigjur duke u larguar nga Shqipëria.

      1. E keqja e madhe e mos shkeputjes qytetare me te shkuaren me se paku do te thote frike nga perballja me veten. Por ky opsion mbetet logjik, pra do te vlente si te thuash ne cdo rast dhe per cdo vend nese simptoma do te paraqitej e ketille. Ne fakt logjika shpesh nuk gjen perligje ne mjedisin tone, e per rrjedhoje ajo sugjeron hipoteza teorike. Une mendoj se praktika e ketyre 20 vjeteve na jep nje model, apo nje dinamike te sjelljes se shoqerise per te kuptuar pse-ne jo vetem te krimit te djeshem, por edhe inaktivitetin tone.Ne sikunder sot edhe dje thjesht jemi zhvendosur ne nje sistem duke rrezuar normat juridike te se shkuares. Por ndergjegja jone nuk ka levizur nga vendi; mbetemi te bllokuar kushedi se ku si shoqeri; pavaresia, monarkia, komunizmi dhe demokracia ngjajne si vegime, si akte te nje sonambuli qe nuk mban mend gje cfare ka bere dhe eshte i pandergjegshem per ate qe ben. Nuk sheh asnjehere. Ate thjesht duhet ta ruash edhe nga vetja. Krimi nuk mund te ekzistoje pa moralin; ate duhet qe dikush ta denoncoje. Ndaj ne nje fare kendveshtrimi, dokumentacioni i kohes, ai qe u quajt ketu pornografi dokumentare, mundet te shihet fare mire si bota jone paralele edhe per keto dite qe po flasim. Ne nje mbledhje Byroje, ku dikush akuzon dhe kerkon denim me vdekje, mundet fare mire qe te jete edhe dikush prej nesh qe ngre doren dhe miraton; ne nje gjyq sabotatoresh do te ishim (jemi) deshmitare, diku shfaqemi si censore, ne nje vend tjeter si autor te nje letre anonime. Ka mes nesh qe enderrojne te jene oficere te Ministrise se Brendshme, prokuror, apo edhe gazetar te propagandes komuniste. Jane aty brenda, endrra te vrara, te ngurtesuara apo edhe te pergenjeshtruara. Shume pak mbetet jashte. Shume pak e kane ndjeshmerine per te refuzuar. Ndaj edhe kjo liri e jona, qe ishte vetem ceshtje kohe, mbetet ne kurthin e nje “dialogu” te aktualizuar vetem ne mentalitetin tone, pa mundur me te legalizohet si lende e diksursit legal. Jemi ne kushtet kur e shkuara, ndonese jetojme ne “liri”, na rifut ne autocensure te dyfishte: dje nga frika e sistemit dhe ligjit, sot nga mashtrimi i zbuluar reciprok per njeri-tjetrin, mbi te cilin mbahet heshtje, pse ndryshe do konfrontoheshim me rregullat e reja te nje shoqerie formalisht te lire. Ndoshta shumekush prej nesh jeton ne boshllekun e nje kohe ndaj se ciles u edukua ta trajtonte si armiqesore. Ketu edhe ndoshta fatkeqesisht ndjen se ka talentin e vet kryesor.

    2. pifto, më gjen në të njëjtën linjë dhe mua mendimi tënd.

      sidomos këtu:

      Unë pyes shpesh veten, nëse kjo ka të bëjë me faktin, që shoqëria shqiptare nuk përjetoi asnjëherë ndonjë fazë “sqaruese” apo “ndriçuese”, prej nga ku do ti buronte në këto 20 vitet e fundit nevoja apo dëshira për të reflektuar.

      Kjo nuk është ide e izoluar, ekziston dhe në disa qarqe europianiste të mendimtarëve grekë, dhe pak a shumë përkufizohet kështu: vendet e Ballkanit përgjithësisht, nuk e kanë përjetuar asnjëherë epokën e iluminizmit.

      përsëri dakord me këtë:

      Diktaturën, gatishmërinë për t’u nënshtruar, frikën për të mos kundërshtuar nuk e prunë komunistët, por e gjetën në sistemin mesjetar patriarkal e injorant, në të cilin vegjetonin shqiptarët.

      edhe me këtë:

      Mua më duket e rëndësishme kjo. E përsëris, ai ndryshim në dukje i dy sistemeve nuk është produkt i proceseve shoqërore në Shqipëri, por përshtatje në kushtet globale.

      Një fakt tepër i thjeshtë për këtë pohimin më lart, është lindja e mediave televizive private. Këto nuk ishin produkt vullneti të shtetit të shqiptarëve, por ironikisht, produkt i anarkisë. Deri në vitin 1997, mediat televizive private prej shtetit nuk lejoheshin. Ky fakt duket tepër absurd, nëse shohim rolin tepër aktiv të këtyre mediave sot! E madje edhe mangësitë e dukshme të këtyre mediave, po njësoj kuptohen prej inercisë së ndalimit të tyre të atëhershëm.

      Unë kam bindjen se shteti komunist i atëhershëm, ka qënë një shtet “klasik” i shek. 20. Nacionalist, konformizues, masivizues, industrial. Ka pasur atë fytyrë që reflektohej tek kultura e përgjithshme e shqiptarëve të atëhershëm. Asgjë më shumë, asgjë më pak. Por si model nuk është i riprodhueshëm më, besoj. Qëndron jashtë kontekstit kohor të sotëm.

  5. Piedestalet (pasuri materiale kombetare) jepen me qera nga partite politike per buste e monumente, sa here ndjejne asfiksi elektorale.

    Politika ja ka ndjere lezetin kesaj buburrisjeje te herepas’hershme : ca per t’i trembur si pula e ca per t’i trimeruar si kaposha dhe ‘furriku’ mbetet gjysem i ngrohte e gjysem i ftohte , vezet gati lluk nxjerrin zogj rakitike…

    Kjo mirembajtje e piedestaleve eshte si pastrimi i gropave septike qe vijne me shume ere kur i ngacmon. ( Me falni per ‘parfumin’ )

  6. Eshte mjaft e gjetur 2xha analogjia qe i ben si “pornografik” trajtimit te monizmit nga ‘elita’ e sotme, kryesisht nga kasta politike, por jo vetem.

    Tema ne pergjithesi (qe trajton ky artikull) eshte e nenvleresuar, e pak-trajtuar ose e keqperdorur.

    Besoj venia e thelbit (dhe ne komentin qe ben me pas) tek mosndarja me komunizmin, eshte njeheresh shkaku dhe pasoja e ketij trajtimi pornografik dhe trushpelares qe i behet sot asaj periudhe dhe krimeve barbare te zhvilluara ne afro 5 dekada.

    Pertej boshlleqeve politike dhe shteterore, mendoj populli vete eshte duke u zhvatur (sa me shume kalon koha nga ai sistem) nga shansi per te bere nje fare katarsi–dhe ringritje–dhe kjo ka pasoja serioze per te ardhmen e nje populli/kombi, duke i shtuar keshtu ‘mutacionet gjenetike’ dhe njeheresh shanset per te riperseritur historira te tilla te trishta.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin