NA JEPNI KËLLIRË

Që prej botimit të librit Skënderbeu dhe pas polemikave që e shoqëruan botimin, historiani zviceran Oliver Jens Schmitt, profesor i Historisë së Europës Juglindore në Universitetin e Vjenës, ka shërbyer si kokë turku për të gjithë historianët amatorë të kombëtarizmit shqip, të cilët e kanë parë si burimin potencial të çdo të lige që mund të thuhet për shqiptarët në histori.

Libri i tij i fundit, Shqiptarët: Një histori midis Lindjes dhe Perëndimit, i botuar nga K&B, 2012 me përkthimin e Ardian Klosit, kish kaluar disi në heshtje, po të mos ishte kujtuar gazeta Tema, me një lajm që rimerrte, në mënyrë krijuese, një njoftim për këtë libër, të gazetës austriake Der Standard, të datës 14 janar 2013.

Përkthimi që ia bën Tema artikullit të Standardit është, të thuash pak, krijues.

SchmittAtje ku gazeta austriake shkruan se Schmitt-i dekonstrukton mitin e “qëndresës së vazhdueshme” të shqiptarëve kundër osmanëve, statusit të tyre prej viktime dhe fatit të të qenit “të sunduar prej të huajve”, Tema thotë se Schmitt-i “shkruan se nuk ka pasur një kryengritje të vazhdueshme ndaj Perandorisë Osmane.” Atje ku gazeta austriake thotë se “në krye askush nuk iu kundërvu osmanëve në krye më fort se këta të krishterë të Ballkanit, por më pas ishin shqiptarët, së bashku me boshnjakët, që shërbyen edhe si shtylla kurrizore e Perandorisë Osmane”, Tema thotë thjesht se “shqiptarët e boshnjakët ishin si shtylla kurrizore e Perandorisë Osmane.”

Schmitt-i i thotë Standard-it se Skënderbeu “u mbështet” (wurdeunterstützt) edhe nga vllehët, sllavët dhe grekët; Tema këtë e jep: “Skënderbeu luftoi bashkë me vllehët, sllavët dhe grekët.”

Më në fund, atje ku Standard-i thotë se Schmitt-i e kritikon hipotezën/idenë e vijueshmërisë iliro-shqiptare:

Schmitt kritisiert die Vorstellung einer “illyrisch-albanischen Kontinuität”

Tema përkthen kështu:

Schmitt thotë se nuk ka një vazhdimësi iliro- shqiptare, siç pretendojnë shqiptarët, duke theksuar se nuk ka gjetur asnjë element të tillë.

Të gjitha pjesët e nënvizuara i ka shtuar përkthyesi nga xhepi, në mënyrë që historiani i Universitetit të Vjenës të shndërrohet nga kritik i një hipoteze të kritikuar rëndom, në mitvrasës. Dhe vëreni, gjithashtu, që askund nuk shprehet yni se “nuk ka gjetur elemente të vijueshmërisë iliro-shqiptare”, sikurse ia vë në gojë gazeta e Tiranës.

E gjithë kjo katrahurë në një lajm njëzet-rreshtash, ku Schmitt-i quhet historian “austriak”, dhe ku titulli i librit të tij përkthehet ndryshe nga ç’ka dalë në shqip, çka më lejon të mendoj se autori i lajmit te Tema nuk e di që libri i Schmitt-it është përkthyer tashmë në shqip dhe është botuar.

Titulli që ia zgjedh Tema shkrimit: “Schmitt provokon sërish: Shqiptarët e pranuan Perandorinë Osmane, ishin fetarë dhe s’kanë lidhje me ilirët” shërben si çelësi i sol-it për partiturën – duke u treguar lexuesve se me ç’ton ta trajtojnë lajmin.

Tani, Schmitt-i si historian ka plot për t’u kritikuar, sikurse edhe është kritikuar nga kolegë të tij historianë dhe albanologë.

Por kjo nuk e përligj asfare shndërrimin e tij në gogol të mitologjisë kombëtariste shqiptare, ose në këtë proces karnevalizimi të historiografisë dhe historiografëve europianë, i cili i shërben më shumë ndërzimit të turmës kokëtrashë, për ta kthyer atë kundër pluralizmit të dijes, kritikës dhe kushedi edhe vetë Europës.

Dhe turma kokëtrashë nuk vonon të përgjigjet: në komentet që pasojnë artikullin e Temës, zvicerani quhet “plehrë homoseksual”, “bajgë”, “i paguar nga serbët”, “historian qesharak”, “palaço i Austrisë”, “antishqiptar”, “karagjoz”, “palaqo”, “i paguar nga turku”, “Arschloo”, “pseudointelektual”, “pallë profesor”, “klloun”, “paçavurre”, “i paguar nga qarqe shoviniste”, “qelbanik i pashoq”, “buzqumësht”, “peder mashkull”, “spurdhjak”, “a[r]gjent serbo-rus”, “pseudohistorian”, “legen austriak”, “qurrash buzëqumësht”, “kalama”, “mitoman”, “fajtor për vdekjen e Ardian Klosit”, “delirant”, “kurvë”, “superkurvë antishqiptare”, “mut Austrie”, etj., për më shumë se 200 komente, nga të cilat vetëm 3-4 e ruajnë masën dhe arsyen.

Çorbë fort e keqe është duke u gatuar.

Nuk ka komente

  1. Nuk e kam marre kurre seriozisht gazeten Tema dhe as sharlatanet qe shkruajne ne te. Gjithsesi nje reagim publik ky sharlatanizem i radhes e meriton.
    Per kete arsye i sugjeroj Xha Xhait ta botoje kete shkrim ne nje nga gazetat kryesore te vendit.

  2. Traduttore traditore.

    Qenka per dajak gazetari i Temes, veç ne paste lexuar librin dhe i kompleton frazat, perndryshe ka hedhur nje provokim te rende.

    Puna eshte qe shqiptaret tani e presin nje gje te tille nga ai njeri dhe gazetari u ka sherbyer pritshmerine me nje pjate te majme shtremberimesh ose edhe shpifjesh.

    Problemi i ketyre profesoreve te Historise se Europes Lindore eshte se profilizohen dhe Shmiti mesa dime eshte profilizuar si sllavist, çka nuk eshte e veshtire te zbulohet per shkak te bibiliografise qe ka perdorur, por ka korrur sukses si albanolog dhe ambicia per karriere e fame i ka thene te nderroje drejtim.

    Mirepo, sllavisti me albanologun nuk puqen fare me njeri tjetrin, sidomos ne çeshtje ku shkenca opton per tezen qe i jep pergjigje me shume pyetjeve.

    1. Jo, nuk besoj ta ketë lexuar librin në shqip, sepse edhe titullin ia jep gabim. Kushedi e ka lexuar gjermanisht…

      Sot pasdite shfletova pak librin e Schmitt-it, për të parë edhe një herë se çfarë thoshte për lidhjet iliro-shqiptare.

      Dhe ja ç’gjeta pikërisht (f. 45; theksimi im):

      Prej gjuhës ilire shumë pak gjë është ruajtur; është e pamundur ta rindërtosh atë. Prej kësaj rrjedh se vërtet që ka tregues për vijimësinë ilire-shqiptare, por dëshmi nuk mund të sillen.

      Tani krahasoje këtë me çfarë ka shkruar përkthyesi i Temës!

      1. “Mirepo, sllavisti me albanologun nuk puqen fare me njeri tjetrin,…”
        Megjithate e perplotesojne fare mire e me begati njeri tjetrin. N. Jokli ishte sllavist dhe duke shetitur (virtualisht) neper Ballkan per hesap te studimeve te tij ne sllavistike, ra ne kontakt me shqipen dhe folesit e saj. Edhe studiuesit e arumanishtes kane qene frutdhenes ne perfundimet per shqipen, jo se njihnin mire kete te fundit, por se e dinin se çfare nuk ishte arumune, rumune etj..
        Shpesh mendoj se ka qene fatkeqesi qe ndonje grekolog i madh nuk eshte marre seriozisht me shqipen (jane marre, por ne menyre anesore), dhe kjo pune mbeti ne dore te Aristidhit. Per pasoje, ndikimet e greqishtes se vjeter te shqipja i kane kerkuar ata per te cilet kjo gjuhe (greqishtja e vjeter), nuk ka qene domeni i tyre i pare. Rezultati: nuk kane gjetur gjesendi te madhe. Mbase nuk ka dhe provon se iliret e greket e lashte kurre nuk kane qene fqinje te afert, por kjo nuk eshte thene ende nga ndonje autoritet i greqishtes se vjeter. Ndonje qe e njihte mire, si dr. Hahn, nuk e provoi veten ne lemin e gjuhesise, por ne historine e lashte.

        1. Ti po jep shembuj te hershem kur s’ishin kristalizuar ende qendrimet dhe kishte bollek hapesirash.
          Mirepo, si nga ana sllave si nga ana shqiptare, u prodhuan ne mase studiues, keshtu qe u kalua ne shoshe gjithçka.
          Tani eshte tmerresisht e veshtire te gjesh diçka te re, aq sa studiuesit po e bejne si Muhameti, nqs s’shkon dot Muhameti tek mali, vjen mali tek Muhameti, dmth nese s’gjejme dot diçka te re, te rene e fabrikojme duke kritikuar te vjetren.

          Grekologet i rrine larg shqipes e shqiptareve, qe te mos djegin duart, e ka provuar Hammond-i dhe ka djegur duart.
          Nga tanet, kush e ka provuar ka ardhur me teza triumfaliste.

  3. Gazetarisë shqiptare nuk i mungon vetëm etika, por edhe kërkesat minimale të profesionalizmit. Natyrisht, nuk duhet t’i përgjithësojmë mediat, por është ca e vështirë t’i shpjegosh disa dukuri nëpërmjet mekanizmave të zakonshëm. Përse vallë ta ketë bërë gazeta Tema këtë broçkull?
    Normalisht, në sistemin e mediave botërore, do të thuhej për “audiencë”, për të rritur lexueshmërinë, shikueshmërinë, etj. Ndoshta, por mediat shqiptare nuk bazohen në sistemin e audiencës, në kuptimin që nuk ka ndonjë matës të saktë të shitjes së tyre, që më pas të përcaktojë tarifat e reklamës për të gjitha mediat. Si të thuash me fjalë të thjeshta, nuk është çështje paresh. Në parantezë: mua nuk më merr malli për ndonjë sistem matjeje të audiencës, madje e konsideroj pozitive mungesën e tij në Shqipëri.
    Atëherë përse lulëzojnë shkrimet e informacionet shtrembëruese në mediat shqiptare? Këtu duhet të rrëmojmë në sipërfaqshmërinë e gazetarisë nga një anë dhe tek pozicioni politiko-ideologjik i medias nga ana tjetër. E në qoftë se këto veprime bëhen nga të gjitha mediat, atëherë duhet parë në ideologjinë kombëtare e në sistemin mediatik.
    Sidoqoftë, veprime të tilla janë të papranueshme. Nga çdo pikëpamje.

    1. I dashur Pishak,
      po të vësh re, i gjithë spektri publik, përfshi doemos edhe gazetarinë, është zhvendosur dukshëm djathtas, sidomos në nacionalizëm qorr. Natyrisht që edhe festimet e 100 vjetorit të pavarësisë e kanë ndikuar këtë rrëshqitje, por shkaku në të vërtetë duhet kërkuar në dështimin përfundimtar të proceseve të pritura transformuese të ndryshimeve politike pas diktaturës komuniste, të cilat nuk erdhën kurrë. Si qytetarit të thjeshtë të zhgënjyer, ashtu edhe elitës politike të dështuar ju mbeti vetëm “shqiptaria” si strehë për të gjetur shpëtim. Të parët gjejnë atje melhemin “vërtetë që sot jemi një hale, por dikur kemi qenë dikushi!” dhe të dytët gjetën atje atë strehën e fundit e njëkohësisht të mrekullueshme të maskarenjve, që nuk u ka mbetur gjë më tjetër.
      Ky regres është fatal dhe i parevokueshëm. Trushpëlarja publike është përfundimtare, e një forme të përsosur dhe gjithëmbuluese. Të gjithë janë gati të të nxjerrin sytë për Shqipërinë, ndërkohë që kufoma e republikës u qelbet e pakallur përpara hundës. Qytetarë marroqë të një shteti të dështuar.

      1. …”po të vësh re, i gjithë spektri publik, përfshi doemos edhe gazetarinë, është zhvendosur dukshëm djathtas, sidomos në nacionalizëm qorr…”

        Arsyeja ka te beje, mendoj une, me cmimin. Te jesh i majte ne politike, bindje, kulture apo shoqeri, eshte e kushtueshme. E kushtueshme jo vetem, por perfshi ketu edhe dimensionin monetar te saj.

        Te qenit i djathte eshte me pak i kushtueshem per nje shoqeri.

        1. nuk eshte vetem ceshtje cmimi, eshte nje lloj idealizimi qe e karakterizon zakonisht te majten, nje deshire per te sakrifikuar edhe nga priviligjet per te perkrahur nje ceshtje apo grup te menjanuar… por te majtet ne shqiperi (ndoshta edhe gjekundi tjeter) jane i nje lloji te vecante te skizofrenise, qe mendojne e pretendojne per ideale por veprojne si fataliste (nuk kemi cfare te bejme)… i besoj ata te majte qe therrasin per politika te majta e nderkombetarizem, jane vertet te sinqerte, por i besoj edhe kur te njejten kryejne poshtersira, jane gjithashtu te sinqerte…

          sa per shkrimin, kam idene se eshte me shume budallalleku i gazetarit(perkthyesit) qe mundohet t’i pershtase paragjykimin e vete mbi studjuesin, se mendimin e studjuesit mbi paragjykimin e vete.

  4. Seriozisht mbase nuk ia vlen ta marrësh, po ndonjëherë sytë në llagëmet e komenteve sidomos, ia vlen t’i hedhësh. Thjesht për të kontrolluar se mos janë bllokuar tubacionet, dhe ka rrezik të dalin në sipërfaqe fekalet.

    Kështu për shembull, ka disa muaj që dikush na i ka “eksportuar” pseudonimet virtuale të disa pjesëmarrësve në Peizazhet.

    Dikush po flet si juliusx, me përcaktim derogativ në kllapa.

    Dikush akoma si rong>”Artan Vehbiu“.

    Dhe, Relapso, dikush po flet dhe në pseudonimin që mban ti, (nuk e di nëse është i nevojshëm sqarimi se për asnjë moment nuk kam dyshuar se mund të jesh ti).

    Nuk e di kush mund të jetë ky tipi që flet në pseudonime të të tjerëve, shumë “interesante” zgjedhja, më duhet të them; krijimi i frymës së animozitetit nëpërmjet përdorimit të identitetit virtual të tjetrit. Me demek, kështu duhet që t’i shihni këta – të banalizuar. Shkon kjo akoma, me frymën e përgjithshme “na jepni këllirë”. Kjo frymë i rrit, si dielli zhardhokët e patateve në serra.

    1. Hej dreq o pune!
      Sigurisht qe nuk jam une. Nuk marr mundimin as ta lexoj “Temen” e jo me te komentoj ne te.
      Nuk eshte hera e pare qe me vjedhin pseudonimin. E kane bere edhe te ResPublica.
      Kur te vjedhin emrin, si ne rastin e “Ardianit Vehbiut”, nuk ka dert, se kushdo e kupton se eshte skutheri. Po kjo e pseudonimit eshte pune dreqi.

    2. Ky pis pisi jo vetem qe me paska vjedhur pseudonimin, por ka marre edhe nje pasazh nga komentet e mia te PTF dhe e ka futur te Tema.

      Deklaroj per miqte e PTF se komentet me pseudonimin tim jashte ketij blogu nuk jane te miat.

  5. I nderuar,
    tani te merremi me fjalet e gjindjes, nuk eshte ndonje gje fort e mencur. Reagimi qe ka nje artikull, eshte i paperpunuar, eshte ne te nxehte, eshte i trashe, nuk mund te pretendojme tani qe njerezve te thjeshte, apo edhe te sofistikuar tu kerkojme bilance historike dhe ligjerata konferencash. Askush nuk mund ta pretendoje kete, ca me pak ne. Une nuk e kam lexuar librin, madje nuk di cte them per Schmittin, pervec faktit qe pse merret me historine tone apo Skenderbeun ne vecanti, me ben te ndihem mire. Nqs duam te gjejme ndonje shkale, edhe e gjejme, tek kushdo, edhe tek engjejt. Por Kastrioti e ka shkruar me veper historine e tij. Ka folur heret historiografia boterore per te. Nuk ulet kurre vlera e tij, perkundrazi. Tani, dreqi e mori, mos ta marrim edhe Schmittin si dikush qe na paska qene pas Skenderbeut. Edhe ai, ca letra ka shfletuar..varet si i spjegon pastaj. Po ja me thoni ju lutem, mire nuk paska vazhdimesi midis ilireve e shqiptareve, por greket na paskan vazhdimesi..vllehet na paskan e sllavet po njesoj. Ndofta i di Schmitti, keta bashkepunetoret greke, sllave e vllehe, te Kastriotit, pasi ne skemi degjuar..Cilet jane keta? Vetem nje dere malazeze iu bashkua Lidhjes, askush tjeter. Per cilet greke e ka fjalen Schmiti, kur kishte Bizant ne ate kohe, me sa di ende nuk kishte rene Kostandinopoja?
    Te rrime shtrember e te flasim drejt. Kastrioti e hodhi veshtrimin nga Papati, ate kishte aleat, pse jo dhe vasal i tij. Madje dhe me Venedikun pati konflikt.Te flasesh per mbeshtetje te Kastriotit nga “vllehe” , greke apo sllave eshte e cuditshme. Ndofta do na dalin edhe “maqedonasit’, lexo (Fyrom) te cilet kane mbeshtetur Skenderbeun..

    1. I nderuar,

      ju sugjeroj që t’ia lexoni Schmitt-it librat, nëse vendosni të flisni për të dhe, aq më keq, të distancoheni prej tezave të tij.

      Përndryshe, komenti juaj është jashtë teme – meqë ne këtu nuk diskutojmë veprën e historianit zviceran, por mënyrën si e ka përcjellë Tema shkrimin e gazetës Der Standard për Schmitt-in.

      1. Mire dakord,kerkoj ndjese por aktualisht nuk kam mundesi ti gjej librat, megjithese ngahera nuk eshte e nevojshme te hash te gjithe tenxheren, per te provuar cfare shije ka gjella. Per Temen, e thashe paksa, qe komentet e njerezve nuk priten te jene kaq te filtruara..Historianet po, mund ta bejne nje gje te tille.

        1. Por, thelbi i shkrimit tim është se këto komente u provokuan nga një artikull qëllimisht i shtrembër, nuk erdhën vetvetiu, së paku këtë herë. Pra, unë nuk po them gjë specifike për komentet (edhe ngaqë unë nuk pres asgjë nga komentet e një faqeje që nuk moderohet); por vetëm po shpjegoj se këto komente, në rastin konkret, u nxitën nga të pavërtetat e shkrimit që komentohej.

        2. Jashte teme, kjo e shijes se gjelles, praktikohet duke i hedhur nje sy bibliografise, nja 90% e punimeve qe kane pretendime shkencore, gjykohen nga bibliografia, ia vlen apo jo te lexohet dhe rendom nuk lexohen, se kush ka nge te lexoje lloj-lloj sallatrash me pretendime shkencore qe hidhen ne treg.

          Nje 10% qe kane bere njefare emri, shpetojne nga gjykimi bibliografik, po jo nga syri kritik, ne fakt vetem populli synon te gjeje miratimin e bindjes se vet, ata qe merren me ate pune,duan qe vepra t’i rezistoje goditjeve gjithefaresoj, siper e poshte brezit, para se t’i japin mbeshtetje si punim me vlere.

          Pak a shume si don te beje xha xhai me bashkeautoret, futuni njehere si komentues, rezistojini mjedisit, krijoni nje profil, pastaj beni autorin.

          Kete e ka me ate 90% e panjohur, se atij 10%, ia boton me te pare.

  6. veshtire te mos mendosh se po bejne eksperimente ne boten virtuale shqiptare. dikush, nje “pavlov” le te themi, nderton nje “artikull” ku te gjitha elementet jane te gabuara (qe nga titulli, nga origjina e historjanit, nga perkthimi etj), e hedh ne qarkullim dhe pret reagimet. te cilat reagime jane ato qe prisnim.

    quod erat demonstrandum

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin