NJERËZ TË FRONTIERËS

Nëse e pranojmë se shqiptarët kanë jetuar për një kohë të gjatë – ose me shekuj – në frontierat e perandorive (më parë bizantine, më pas e sidomos osmane; shih shkrimin paraprirës), atëherë duket e arsyeshme të pyesim nëse rrethanat e jetesës në frontierë mund të kenë ndikuar në historinë e tyre, veçoritë etno-antropologjike dhe marrëdhëniet e tyre me botën.

Kështu, nuk do shumë mund për të dalluar, si karakteristikë e frontierës, marrëdhënia e posaçme e shqiptarit me armën dhe identifikimi i tij si luftëtar profesionist; sikurse edhe është përdorur prej osmanëve, madje është dërguar edhe poshtë e lart në perandori, për të shtypur revoltat, rebelimet dhe trazirat gjithfarësh. Disa mund ta quanin këtë veçori mercenarizëm, ose gatishmëri për ta nxjerrë në shitje virtytin luftarak, ose për të nxjerrë bukën me të.

Në fakt, frontiera si truall nuk lejon që kultura materiale të organizohet rreth punës, si burim i pasurisë dhe i mirëqenies; meqë në frontierë pasuria e krijuar dhe akumuluar me punë mund të humbasë në çastin e parë që një ushtrie i qëllon të kalojë andej; pasiguria përfton një kulturë të organizuar rreth dhunës dhe teknologjisë së dhunës, çka përfshin jo vetëm armën dhe aftësinë për të luftuar, por edhe mënyrat për t’u mbrojtur nga tjetri, p.sh. arkitektura e kullës.

Dhe meqë përmendëm Tjetrin, këtu nuk mund të mos vijë në vështrim prania e përditshme, alarmante, e armikut në jetën e banorit të frontierës; sidomos e fqinjit armik, ose të kujt jeton përtej – sa kohë që frontiera vetë, nga pikëpamja e kujt jeton aty, nuk është veçse marrëdhënie hostile me fqinjin; sikurse shembëllzohet më qartë se kudo gjetiu në Eposin e Kreshnikëve dhe marrëdhëniet e shqiptarëve me shkjaun. Tipikisht, armiku mund të sulmohet për plaçkë ose të mposhtet në betejë, por jo të shkatërrohet e të asgjësohet përfundimisht në luftë; meqë frontiera nuk mund veç të funksionojë si hapësirë homeostatike, ku pas çdo përplasjeje me tjetrin vjen riprodhimi, ose ripërtëritja e palëve ndërluftuese.

Gjithnjë në raport me Tjetrin, vjen këtu në vështrim rituali i skajshëm i trajtimit të Mikut në kanunet anembanë shqiptarisë, në veri dhe në jug; trajtim i ekzagjeruar deri në absurd, nga i cili mund të deduktohet se i huaji, i ardhuri, jabanxhiu, udhëtari, kalimtari i panjohur nëpër frontierë, me status zero, është me përkufizim i rrezikuar për vdekje, ose për t’u grabitur dhe dhunuar menjëherë nga vendësit; prandaj edhe preokupimi me sigurinë e mikut tradhton, aty për aty, një realitet të sunduar nga pasiguria totale.

Poeti rilindës Asdreni, kur e vizitoi Shqipërinë në 1903, shkruan ndër të tjera: “Këtu jeta e njeriut ka aqe fort të pakë vlerë, sa në ngjet që udhëtari të shpëtojë gjallë, kjo detyrohet më tepër atij që i gjun, se nuk do që të prishë një plumb për një njeri.” (*)

Dhënia e besës (versioni gojor i salvancondotto, ose guidaticum) mikut, do interpretuar edhe si një orvatje për ta kompensuar disi paligjshmërinë e frontierës, ose gjithëpushtetin e dhunës; meqë agresioni i pakriter ndaj çdo të huaji nuk është as në interesin e vendësve.

Popullsitë e frontierës i ruajnë periferitë e Perandorisë, duke shërbyer në mënyrë të ngjashme me rruazat e bardha në gjak e duke ofruar një përgjigje të parë imunitare, ndaj trupave të huaj. Kjo do të shpjegojë edhe marrëdhëniet e tyre të posaçme me qendrën ose pushtetin qendror; të cilat shfaqen nga njëra anë si klientelizëm dhe nga ana tjetër si privilegje (venome) të cilat pushteti qendror ia njeh këtij apo atij fisi, kësaj apo asaj krahine, përkundrejt “besnikërisë.” Megjithatë, historikisht kjo besnikëri i ka kaluar gjithnjë më të fortit (“tek është kordha, edhe besa”), çka nuk ka përbërë kurrë ndonjë sekret, as motiv për t’u ndier keq.

Si rregull, krerët e fiseve dhe të krahinave shqiptare të frontierës kanë kërkuar pará për shërbimet e tyre; madje ndonjëherë edhe thjesht për të mos kaluar në shërbim të kundërshtarit. Këtë vartësi nga paraja e tjetrit e kundërpeshon dëshira e papërkulshme për liri, ose për të mos iu nënshtruar kujt – që, në terma praktikë, përkthehet si refuzim për të paguar taksa, për shërbim të detyruar ushtarak dhe në përgjithësi për t’u integruar në hapësirën e një shteti të rregullt.

Një krahasim mund të bëhet, në këtë kontekst, midis shqiptarëve të Perandorisë Osmane dhe kozakëve të Rusisë; krahasim që, megjithatë, duhet të mbajë parasysh se frontiera ku jetonin dhe luftonin kozakët ishte kryesisht fushë, ndërsa frontiera e shqiptarëve më shumë mal.

Tradicionalisht, këto tipare historike të shqiptarëve, të cilat ndeshen sot e kësaj dite të degraduara, atavike ose edhe të kthyera mbrapsht, janë përshkruar dhe interpretuar si pasoja të një ekzistence në zgrip, ose në mbijetesë; një interpretim ky që i ka rrënjët, në thelb, te një vizion paranoid i marrëdhënieve mes nesh dhe të tjerëve. Koncepti i frontierës, përkundrazi, mundëson një interpretim të ndryshëm, që merr parasysh jo vetëm armiqësitë por edhe aleancat; dhe kushedi i integron shqiptarët e djeshëm më mirë në dinamikat ballkanike dhe më gjerë, brenda Perandorisë Osmane; në një kohë që, pas gjase, shpjegon më mirë edhe reliktet e mendësisë së frontierës, në veset tona të sotme dhe patologjitë sociale bashkëkohore.

(*) Asdreni – Nga Durrësi ndë Tiranë, Albania, Bruksel, 1903, f. 138; cituar sipas P. Misha, Arratisja nga burgjet e historisë, Botimet Toena, Tiranë 2008, f. 30.

Nuk ka komente

  1. Eshte cik teper i zellshem kalimi nga brezi kufitar i konceptuar pergjithesisht si kulturor e fetar, administrativ e politik, gjeografik, ushtarak,ekonomik etj ku mund te bihet dakort, ne specifikimin si brez ushtarak e deri krahasimin me kozaket.

    Ate qe kerkon ti e gjen ne kufirin austro-turk, sidomos ana austriake ka pasur gjithnje nje brez ushtarak, qe e forcoi dhe zgjeroi pas paqes se Karlovacit, pas se ciles iu drejtua Europes.
    Ai brez shtrihej pergjate gjithe Saves e me tej Danubit e Transilvanise jugore.

    Perndryshe hiq gjysmen e dyte te shek 19, pasi u krijuan shtetet serbe, greke e malazeze, Shqiperia etnike ka sherbyer kufi vetem detar dhe kjo mund te shpjegoje gjendjen e mizershme te Ultesires Perendimore, qe perndryshe ka qene pergjate historise zemra ekonomike e territorit qe gjendet ne RSH.

    Por nuk eshte se Turqia gjeti keq nga bregdeti, se Venecia apo Mbreteria e Napolit merreshin ose me detin ose s’merreshin fare.
    Mund te quhet nje mase e domosdoshme, mbajtja e kenetave, pengimi i tregtise me italiket etj, por jo se kishte ndonje shqetesim serioz ndonjehere, te atille qe t’i jepte status ushtarak.

    Eshte thjeshtim abuziv, madje karakteri me i thelle i brezit kufitar eshte ai kulturor e fetar, me perplasje historike prej shek 8, Rome-Bizant e mandej mes te kater feve.

    Ka pasur momente te gjata urgjence ushtarake, si ne shek 19 apo nen Bizantin, hiq shek 11-12, por nuk eshte pamja ushtarake qe i jep elementet me te forta ketij koncepti.

  2. Ndoshta kjo shpjegon dashurine e madhe qe ka populli Shqiptar per ate Amerikan..po flas per ‘the real America’, Ate te ‘frontieres’, qe perben 50% te votes dhe eshte komplet jashte ujdheses normale te qyteterimit perendimor.

    1. Ai bllok 50%-sh duket me i gatshmi ti mbroj vlerat baze perendimore — lirite individuale, lirine e shprehjes, etj — me cdo kusht. (me disa hipokriza te veta, patjeter)

      Ne dekadat e fundit kemi mjaft shembuj se sa te gatshme jane shoqerite “me perendimore” Evropiane ti dorezojne vlerate e tyre (si lirine e shprehjes) balle barbarizmit. Krejt ne emer te idealeve me ‘madhore’ te diverzitetit, ‘barazise’, multikulturalizmit etj, etj. Natyrisht nese del ne mbrojtje te ketyre vlerave, kolektivistet me superior (sipas postimit tend) mezi presin te te shfaqin si ksenofob, racist, ____ophobe…

      1. Per cfare vlerash e ke fjalen? Per ‘une, Zoti dhe pushka ime’? Kur paskan dale keto si vlera baze perendimore? Se per ‘lirine e shprehjes’ as qe ma merr mendja se u behet vone atyre. S’me duket fort e arsyeshme t’u vishet kjo merite atij 50 perqindshi qe s’ka dale kurre ndonjehere jo nga Amerika, po as nga shteti i tyre e bile as nga county! Zot na ruaj nga ‘mbrojtes’ te tille!

        1. Flet per karikaturizimin e tyre, asnje grup nuk del mire ashtu. Mire eshte ta zgjerosh “information bubble” pak ndoshta te behet me e veshtire ti cnjerezosh pastaj.

          1. Gentk, une nuk permenda gjekundi per ‘cnjerezim’ as thashe qe ata nuk jane njerez. Sa per grupim, ate e bere ti i pari kur the qe ‘ai bllok 50%-sh duket me i gatshmi ti mbroj vlerat baze’. Pastaj zakonisht kur diskutojme ne keto nivele, eshte e pamundur te mos u shpetojme disa pergjithesimeve, keshtuqe une i qendroj asaj qe ‘une, Zoti dhe pushka ime’ i permbledh sakte vlerat e amerikaneve te frontieres. Edhe qe ata ne pergjithesi nuk kane kontakt me boten e jashtme perseri qendron. Po neqoftese mbrojtja e vlerave perendimore i eshte lene atyre, atehere duhet shpjeguar se per cilat vlera e ke fjalen, dhe perse Anglia, Franca, Gjermania etj nuk i mbrojtkan dot me ato vlera.

  3. Duke i parë me një sy të kujdesshëm fjalët “border” dhe “frontier”, bile, mua më duket nganjëherë që ato shprehin dy koncepte të kundërta. Sa më i kontrolluar, i mirënjohur, i matur me milimetër i pari, aq më i papërcaktuar, ikanak, flu tjetri. Edhe Kafka, në do tregime të vetat e ka dhënë mjaft mirë çdo të thotë të jetosh në frontierë. Je si një punë hijeje.
    Tjetër gjë që më vjen në mend, ndoshta pa lidhje, është një figurë mitike (ndonëse e afërt në kohë dhe fort “e politizuar”) e fëminisë sonë (kalamajtë tanë nuk e dinë ç’është): ajo e partizanit. Me këtë lexim që i bën Xha Xhai termit “frontier”, mua më vjen të mendoj që partizani (dhe në Shqipëri kishte shumë) është figurë tipike e frontierës. Nuk e di a kam për këtë sensacionin e duhur! Më erdhi ndër mend kjo lidhje kur kujtova fjalët e këngës “The Partisan” (kënduar nga Leonard Cohen, por në fakt këngë e rezistencës franceze). I madhi Leonard, si kanadez që është, e këndon në dy gjuhë alternon anglisht-frengjisht. Që në vargun e parë “when they poured across the border” (kur u derdhën nga kufiri – e ka fjalën për gjermanët), përdoret fjala “border” si kufi mes shtetesh. Por është vargu i fundit i strofës së katërt (“the frontiers are my prison”: frontierat janë burgu im, pra) që fjala “frontier” (me që ra fjala, në anglisht ka hyrë nga gjuha frënge) shpallet me gjithë ankthin dhe të panjohurën që mbart. Dhe vargu i fundit i këngës, pastaj, mbarimi i luftës jepet: “then we’ll come from the shadows” – do të dalim nga hija. Por këtu ka një “enigmë” të vogël: përkthyesi në anglisht i tekstit këtu ka përmbysur vargun francez që është (pak a shumë) “ne do të hymë në hije”. I shkon e gjithë kjo partizanit si “kreshnik” modern i frontierave.

  4. Frontierat zakonisht jane konsideruar si hapsira per ekspansion, zgjerim te nje qyteterimi te caktuar, zakonisht nepermjet forces ushtarake. Duke filluar me Aleksandrin e Madh, pasi u zaptuan qyteterimet e njohura perreth qyteterimit helen, hapsirat gjeografike me tej ishin te tilla, jashte njohjes ekzistuese se cfare do kishte pertej.

    Konkuestadoret e zgjidhen problemin e frontierave shpejt ne shekullin 15-16, duke shfarosur ne menyre brutale popullsite vendase.

    Ne Afrike frontierat fillonin me eksplorime qe me vone sillnin me pas kolonizimet dhe tregetine e sklleverve. Kurse ne Ameriken veriore frontierat zgjaten disa shekuj, duke avancuar pak nga pak drejt perendimit, ku popujt ekzistues, ne rastin me te mire shtyheshin me tej ne perendim, ose asgjesohen fizikisht, prej pionereve evropiane qe krijonin qendrat e tyre te reja urbane.

    Tani te kthehemi tek hapsirat ballkanike, ose me ngushtesisht ne hapsirat qe populloheshin nga popullsite shqipefolese, ose si variante te shqipes. Shperndarja e kesaj popullsie, nuk kishte kufij te ngrire, shtrirjet e tyre tkurreshin ose zgjeroheshin ne varesi te perandorive qe nominalisht kontrollonin keto territore apo te presioneve te etnive te tjera qe leviznin brenda ketyre perandorive.

    Mendoj se kur flitej per marredheniet e popullsive shqipefolese brenda nje ekzistence te tille, ishin njelloj si baticat e zbaticat ne ate qe mund te quhet “borderlands”, toka kufitare. Borderlands ishin toka kufitare midis dy etnive te ndryshme, midis etnive gjysem te pavarura dhe qyteterimeve perandorake(qendrave urbane), ose ndoshta edhe midis fiseve te fuqishme indipendente.

    Duke qene se nuk kontrolloheshin nga qendrat, borderlands duhet te njihnin e te perdornin disa kode qe do te bente te mundur jetesen ne keto kushte te njelloj gjysem indipendence.

    Qofte per greket, qofte per romaket, qofte per turqit, qofte edhe per etnite shqipefolese vete, hapsirat midis nuk ishin frontiera, por borderlands. Hapsirat e lira ne zoterim te etnive indipendente nuk kishin vlerat e frontierave, sepse ishin brenda territoreve te perandorive; cdo sakrifice per t’i vene ne zoterim ishte e pajustifikueshme.

    Komunikimi ne keto hapsira, borderlands, administrohej me kodet lokale, te domosdoshme, per te bere te mundur vazhdimesine e ekzistences se etnive qe conin nje jetese te tille. Mallrat duhet te qarkullonin, krahina te ndryshme ishin specializuar ne prodhime dhe teknologji te ndryshme, duhet te shkembenin prodhimet e tyre. Njerezit kishin krijuar mekanizmat e tyre te marreveshjes.

    Suliotet ishin shembull qe devijonte nga nje mekanizem i tille. Si suliotet kishte fise te ngjashme ne veri te Shqiperise, ose disa kapiteneri arvanitase qe jetonin ose nepermjet plackitjeve, mercenarizmit, apo here pas here duke rrembyer tregetare, apo ofiqare, qe i lidhte puna me keto grupime ne borderlands. Por kete zanat nuk e benin te gjitha krahinat shqipefolese.

    Ekzistonte edhe nje lidhje tjeter midis qyteterimeve dhe borderlands. Nje pjese e popullsise qe jetonin larg qendrave, por qe komunikonin me to per tregeti kryesisht, duke qene ne kontakt te vazhdueshem, beheshin gjithnje e me shume pjese e jetes urbane, duke u shperngulur drejt qendrave.

    Nderkohe, beheshin edhe ura lidhese midis qendrave urbaneve dhe malesive te borderlands. Historiane te antikitetit deshmojne se si ilirianet e periferise, kur ndodhin trazira ne qytetet si Durresi dhe Apollonia, thirreshin ne ndihme nga kushurinjte e tyre te urbanizuar.

    1. Më shkoi edhe mua termi borderlands në mendje, por u stepa, sepse borderland presupozon një border (kufi); ndërsa për shqiptarët dhe shumë të tjerë, nën Perandorinë Osmane, ky border (kufi) ishte më tepër hapësirë sesa vijë.

      Gjithsesi, unë s’e kam përdorur termin frontierë në kuptimin që i japin sociologët dhe gjeografët e ekspansionit amerikan drejt Perëndimit (p.sh. Turner, që përmend Spiritus-i); me gjithë disa pika takimi që nuk mungojnë. Referimi im është kuptimi që fjala e solli me vete në anglishte, kur ka hyrë nga frëngjishtja – shih edhe komentin e Ben Dedes më lart.

      Dhe meqë ra fjala, Wikipedia i jep borderland dhe frontier si sinonime, në kuptimin e parë të frontier.

      1. Po Xha Xha. Duke patur parasysh sensin e shkrimit tend, u shtyva te beja kete shtese.

        Borderlands zakonisht konsiderohen edhe si “badlands”, hapsira te pazhvilluara, te pacivilizuara, etj.

        Front eshte edhe rrenja e Frontier, pra flitet per nje perballje me dicka qe nuk ravizohet ndoshta qarte, por eshte atje ne distance, perpara.

        Prandaj edhe kur perdoret si front qe derivon pastaj frontier, flitet per nje aspirate, perpjekje per te avancuar “to conquer”, nenshtruar, pushtuar e sunduar territore e ndoshta popullsi te huaja(ne se nuk eshte imperative per t’i shfarosur ato).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin