VIJA E JIREÇEKUT (II)

Nga Read Me

Shqiptarët të vonuar në historinë e tyre, nuk e kanë parë veten as jetimë e as endacakë në Ballkan. Për ta kanë mjaftuar pak emra e periudha kyçe në histori. Ata flasin për origjinën e tyre prej një mblesërie të mundshme iliro-epirote; flasin për heronjtë e tyre si Pirro, Leka, Agroni, Teuta, Skënderbeu, etj; flasin për trashëgiminë dhe të bashkëjetuarit me kulturën greko-romake, flasin për religjionin e tyre utilitar e nominal kristiano-islamik, e kështu me radhë.

Si u duket shqiptarëve Jireçeku me vizoren e tij ndarëse? Tejet i ngurtë. Për shqiptarët, kjo ndarje si me thikë nuk ekziston. Për ta, është një lloj dogmatizmi historik të bësh një ndarje të tillë, qoftë edhe në imagjinatë, në territorin e sotëm shqiptar kulturalisht nën influencën e përbashkët greke-romake. Megjithatë,  nuk duhet të harrojmë se ndarja e Jireçekut e ka fillesën në shekullin e katërt pas Krishtit, kur paraardhësit e shqiptarëve janë të mbuluar nga një terr historik. Vllahët përmenden më shumë, ndoshta edhe më herët se shqiptarët (ose njëherazi), në shekullin e dhjetë. Edhe më vonë, dinastia asenide bullgaro-vllahe, pastaj edhe ata nuk bëhen të gjallë për dy-tre shekuj. Vllahët kur dalin përsëri në skenën e historisë, gjithmonë përshkruhen si blegtorë nomadë, gjithmonë në lëvizje migratore, duke u endur në një ekzistencë transhumance në periferi të qendrave urbane.

Në shekujt XIV-XV, ndoshta për shkak të fesë së njëjtë kristiane, kronikanët e udhëtarët e kohës, indiferentë e të paditur karshi periferive perandorake, me sytë gjithmonë nga qendrat, nuk bënin dallim midis vllahëve dhe shqiptarëve. Në këtë optikë, duhet përmendur edhe studiuesi gjerman Gustav Weigand, një udhëtar i palodhur, i njohur për prosllavizmin e tij. Ai nuk ishte historian i mirëfilltë, por puna e tij është përqëndruar në veçanti në kulturën vllahe: gjuhën dhe zakonet. Studimet e tij filologjike mbi vllahët mbeten objekt kritike prej vet studiuesve rumunë, pasi konfliktojnë me dinamiken e zhvillimit kulturor e historik të vllahëve sipas shkollës të autoktonisë rumune.

Weigand dhe teoritë e tij mbi origjinën e shqiptarëve, nuk kanë sjellë ndonjë evidencë solide historike apo gjeografike që t’i qendrojë në këmbë një analize të mirefilltë historike-gjuhësore, ndërkohë që lidhja, pikat e takimit midis rumanishtes latine dhe shqipes kanë një shpjegim në sferën e dhënie-marrjes në lingusitikën historike si pasojë e kontakteve, por jo të gjenezës etnike. Çfarë thotë Weigand për shqiptarët e vllahët? Së pari, ai mohon origjinën ilire të shqiptarëve. Se dyti, për Weigand, vllahët e shqiptarët janë thrakas me origjinë, me ndryshimin që vllahët janë thrakas plotësisht të latinizuar, kurse shqiptarët vetëm pjesërisht ose fare pak. Weigand njihet edhe si koinizuesi i termit politikisht korrekt “arumun”.

Eqrem Çabej, ka bërë një punë studimore hulumtuese të lavdërueshme si gjuhëtar, për të hedhur dyshimin e kundërshtuar tezat e studiuesin gjerman. Lingustika historike indo-evropiane, e vendos formimin e protoshqipes në jug të linjës së Jireçekut, ku shqiptarët lokalizohen në krahinat malore të Matit, Dukagjinit, Mirditës e në krahinën e Dardanisë (Kosovë në veri të vijës ndarëse).

Mendohet se ka dy periudha të zhvillimit të protoshqipes për periudhën romake-sllavo-bizantine. Më e hershmja shtrihet prej shekullit të parë pas Krishtit, deri në fillimet e shekullin të shtatë. Në këtë periudhë vërehen tre shtresëzime huazimesh prej kontaktit me latinishten. Nënshtresa më e hershme (e para) dhe e fundit (e treta), ka një inventar më të vogël fjalësh të huazuara, gjë që tregon për kontakte më të pakta ose zbehje kontaktesh me latinishten. Kurse nënshtresa e dytë (kësaj periudhe i takon kristianizimi i shqiptarëve dhe futja në masë e fjalorit ekleziast kristian) është më e pasur në huazime, që tregon për një kontakt më të dendur të shqiptarëve me botën romake. Periudha e dytë e zhvillimit të protoshqipes i takon shekullit të shtatë deri në të nëntin, ku vihet re një numër i madh huazimesh sllave(dyndja dhe presioni sllav në Ballkan), por duke ruajtur inventarin e fjalëve latine.

Në shekullin e nëntë dhe të dhjetë dinamika e dhënie-marrjes të huazimeve leksikore ndryshon përsëri. Fillon kontakti me gjuhën proto-(a)rumune, por huazimet ndryshojnë kahun. Huazimet bëhen më shumë prej protoshqipes në gjuhën proto-(a)rumune. Kjo tregon për një shpërngulje, lëvizje të vllahëve prej një territori të sllavizuar (si Bullgaria e sotme) në një territor ku protoshqipja flitej nga shumica (si Dardania). Njihen rreth 130-160 huazime leksikore solide nga shqipja në rumanisht.

Kjo i vendos shqiptarët në ekzistencë shumë më herët se sa sllavët e vllahët në krahinat e përmendura më sipër. Vija e Jireçekut bëhet edhe më e paaplikueshme për rastin e territorit të shqiptarëve, ku influencat greko-romake kanë qenë vetëm fasada kulturore, një prurje nga e kaluara, pa ndikim jetëgjatë dhe aktual në popullsinë e mbijetuar autoktone.

Instinkti i të mbijetuarit ndër shqiptarë ishte i një lloji të veçantë. Për të mbijetuar, shqiptarët dolën me vullnetin e tyre, për një kohë të gjatë nga skena dhe harta e historisë; sikur të mos ekzistonin. Të detyruar të jetonin në thellësi, në lartësira e terrene jo fort mikpritëse, u detyruan të bëheshin një me natyrën duke ngjeshur rradhët e tyre të rralluara. Thelbi i gjuhës së tyre mbijetoi për shkak të kujtesës të fortë primitive historike dhe të kokëfortësisë të izolimit. Sa herë rreziqet që preknin direkt ekzistencën e tyre zbeheshin, shqiptarët zbrisnin, turreshin poshtë luginave, në fushat e Shqipërisë perendimore, apo të Kosovës.

Marrëdhëniet e shqiptarëve me komunitetin vllah janë shembull i një dinamike të tillë, ku njëra kulturë asimilon paqësisht tjetrën. Kulturalisht vllahët e sotëm e shohin veten shqiptarë e si gjuhë amtare shumica kanë preferuar të përqafojnë shqipen. Vija e Jireçekut në territorin shqiptar mund të shihet më shumë si një ndarje fiktive jashtë realitetit të zhvillimeve historike e gjuhësore.

(fund)

Nuk ka komente

  1. Po te shihet me kujdes teksti dhe sidomos konteksti ne te cilin Jireçeku e vendos vijen e tij (ne “Historine e Serbeve”), kuptohet se ai nuk pretendonte t’u jepte pergjigje problemeve te prejardhjes etnike dhe gjuhesore te Shqiptareve apo te ndikonte ne njefare menyre ne to. Ai rreket vetem te pervijoje nje ndarje, qe ai vete e quan hipotetike, te ndikimeve mbizoteruese greke dhe latine ne Ballkan gjate nje periudhe kur as shqiptaret si njesi etnike dhe as shqipja si gjuhe cilesisht e re nuk ekzistonin ende. Jemi ne sot qe projektojme ne hipotezen modeste te Jireçekut synime dhe ndikime te cilat atij as qe i shkonin ndermend.

    Sa per Weigandin, askush deri me sot, perfshire Çabejn, nuk ka mundur t’i hedhe poshte argumentet e tij, qe mbeten pengesa kryesore per vertetimin e tezes se prejardhjes ilire.

    Thua me plot te drejte:

    “Vija e Jireçekut bëhet edhe më e paaplikueshme për rastin e territorit të shqiptarëve, ku influencat greko-romake kanë qenë vetëm fasada kulturore, një prurje nga e kaluara, pa ndikim jetëgjatë dhe aktual në popullsinë e mbijetuar autoktone”.

    Ky argument i Çabejt, i rimarre pas tij nga Demiraj, eshte pergjigjja me e mire qe mund t’u jepet pretendimeve akademike mbi lidhjen e shkurter: mbishkrime antike – popullsi autoktone.

  2. ”’Thelbi i gjuhës së tyre mbijetoi për shkak të kujtesës të fortë primitive historike dhe të kokëfortësisë të izolimit.”’

    Malet me te mira per mbijetese jane ato ku kalon lumi Drina, me kulmin ne Malin e Zi, do thoja pak a shume territoret e Autariateve (emri ka ngelur tek dega e Drinas, Tara ne Mal te zi). Pak a shume aty u krijua edhe shteti i pare serb.
    Jane larg detit, qe eshte i rrezikshem, larg rrugeve kryesore, qe jane te rrezikshme, larg Danubit qe eshte i rrezikshem.
    Pra si territore te ashpra malore dhe te barazlarguara nga burimet e rrezikut, deti, rruget kryesore e Danubi, ato jane vendi ideal.

    Por aty, nuk mbijetuam, ne vendin malor ideal nuk mbijetuam, e mbijetuam afer detit e afer rrugeve te rendesishme si Egnatia apo Nish-Shkup.

    Prandaj, kjo puna e izolimit malor, mua me duket jashtezakonisht e diskutueshme.

    Ndersa ajo puna e ‘kujteses se forte primitive historike’ eshte caze si teper metafizike, per t’u marre ne konsiderate.

    Jam me i prirur te besoj tek gjera te tjera, qe nxirren nga krahasime me historine e mevonshme, dmth karakteristikat qe qenia shqiptare i nxjerr gjate pushtimeve, kryesoret sjellja nen Bizantin dhe Turqine, natyrisht duke marre parasysh edhe faktin qe Roma ishte eksperte ne asimilimin e popujve, ne krahasim me Bizantin e Turqine.

    Nqs nisemi nga parimi se iliret nuk u latinizuan plotesisht, atehere padyshim qe ne territorin ilirik perkrah ilireve te latinizuar ka pasur shkalle te ndryshme te asimilimit, pra shkalle te ndryshme te latinizimit te protoshqipes, ne varesi te largesise ose perpjestim te drejte te largesise nga qendrat e medha qytetare.

    Per fat te keq nuk mund te hedhim dot hipotezen se shqipja qe njohim ka qene varianti me pak i latinizuar i ilirishtes.

    Sepse territori malor, me larg qendrave te medha latinizuese ka qene ai i sipercituari, territoret e autariateve ku serbet formuan shtetin e pare, atje ka qene ilirishtja me e paster, derisa popullata u serbizua.

    Per krahasim, mund te shikojme variacionet e shqipes keto 100 vjet.

    Fale purizmit, shqipja e Shqiperise ka me pak huazime sesa e Kosoves, ku gjenden shume barbarizma te pashoqe, jo vetem turke po edhe perendimore.

    Ne fillim, fale purizmit shqipja e qyteteve ishte me e paster se e fshatrave, te cilat ruajten me shume turqizma e greqizma, derisa edhe fshatrat hoqen dore nga ato.
    Nderkaq keto 20 vjet, shqipja e qyteteve ka perftuar barbarizma gjithfaresh nga gjuhet perendimore, te cilat s’kane depertuar ende ne fshat, pra fshati e ne veçanti fshati malor rimori perseri flamurin e shqipes me te paster.

    Pra, gjasat jane qe ne Autariati te kete qene protoshqipja me e paster.

    Mbetja e protoshqipes neper ishuj te gjere pergjate Ilirise, ne varesi te largesise nga qendrat latinizuese, na thote qe mbijetesa ne Jug te Ilirise, i detyrohet faktit gjeografik, thjesht sepse ishte ne Jug te Ilirise, pra larg Veriut te tmerrshem, ku s’ngeli barbar pa nderhyre.

    Kemi te faktuar nga historia se asnje fis sllav, nuk mori toka ne Shqiperi e Kosove, as prej Perandorit dhe as me force.

    Perndryshe njihen ata te Maqedonise me sklavinine e tyre apo te Serbise veriore e qendrore, te vendosur me force e me tej kroatet e serbet te vendosur ne Kroaci e Bosnje, ne vijim te konfliktit mes Bizantit dhe Khanatit Avar.

    Presioni demografik sllav ishte i pamjaftueshem per te asimliuar popullsite, gjeografia i impononte çdo fisi te madh sllav, zbritjen drejt Lugines se bute te Vardarit, drejt Selanikut e me tej drejt Greqise.
    Ne fakt, vete serbet para se vendoseshin ne Bosnjen Veriore, fillimisht kaluan nga Morava ne Vardar e ne drejtim te Selanikut, ku edhe iu njoh prej Perandorit prapatoka e Selanikut.
    Pastaj e braktisen dhe e kthyen mbi Danub, per te pranuar me vone Bosnjen Veriore.

    Trojet tona pane ifiltrimin e grupeve te vogla sllave qe shkeputeshin nga fiset e medha, psh zagorianet, te cilet u vendosen ne Greqi, por lane grupime ne Jugun tone.
    Keto grupe te vogla, pa pretendime politike, ndryshe nga sllavet e Maqedonise, serbet e kroatet, gradualisht u asimiluan ose u zhduken me force.

    Prandaj, mbijetesa e shqipes, mund te shpjegohet fare mire me mbijetesen e atyre ishujve gjuhesore qe mbijetuan ne Jug, fale nje presioni me te vogel sllav, krejt per shkaqe gjeopolitike.

    Nuk shoh ndonje arsye te forte, per t’i vendosur shqiptaret ne Luginen e tmerrshme te Moraves, nga Nishi ne Shkup, ku s’ngeli barbar pa kaluar, ne menyre qe te shpjegoje lidhjet me vllehet e Bullgarise, te cilet pastaj krijojne shtetin rumun e keshtu shpjegojne lidhjet gjuhesore te rumanishtes me shqipen.

  3. [ReadMe]Periudha e dytë e zhvillimit të protoshqipes i takon shekullit të shtatë deri në të nëntin, ku vihet re një numër i madh huazimesh sllave(dyndja dhe presioni sllav në Ballkan), por duke ruajtur inventarin e fjalëve latine.

    Nuk besoj se mund te mbrohet ky pohim.
    Ashtu si dhe ky i meposhtmi:

    Sa per Weigandin, askush deri me sot, perfshire Çabejn, nuk ka mundur t’i hedhe poshte argumentet e tij, qe mbeten pengesa kryesore per vertetimin e tezes se prejardhjes ilire.

  4. Për të mbijetuar, shqiptarët dolën me vullnetin e tyre, për një kohë të gjatë nga skena dhe harta e historisë; sikur të mos ekzistonin.

    Historia eshte ajo e qyteteve. Perderisa nuk bene ndonje qytet te tyrin, per historine zere se nuk ekzistojne shqiptaret. Ata permenden vetem ne lidhje me aferat e ndonje qyteti: psh ‘komisi’ albanez i Durresit (komis-kortes-i) mbeti autoriteti i vetem brenda mureve gjate rrethimit te Normanve etj etj.

  5. Vija e demarkacionit duhet te perkoje me ate midis Ilirise greke dhe Ilirise romake ( apo barbare). Nga c`kam lexuar ( nuk mund te citoj) kufiri midis tyre i bie diku mbi Lezhe. Organizimi i Ilirise ne kete forme u be ne kohen e Augustit, dhe duhet te kete permbajtur ne vetvehte nje reflektim te realitetit ne terren( romaket si natyre, por edhe revolucioni social augustian ne mos tjeter, se pari de se fundi ishin pragmatiste te kulluar) Por ajo qe me ka habitur sot e mot eshte realiizimi qe diferencat midis grupeve duhet te kene qene kaq te pakercyeshme sa qe vazhdojne e mbijetojne edhe sot, mbas mijra vjetesh.

  6. ”’Historia eshte ajo e qyteteve”’

    Pikerisht e qytetit si polis, politike dhe civis si civilizim, qyteterim.

    Kjo e prejardhjes eshte tematike e rrahur e ç’te rrahuri ne blog, perveç ne aspektin e historise si e polisit dhe qyteterimit.

    Nqs albanologjia do te beje ndonje hap para ne te ardhmen, sado modest, per mendimin tim do te ndodhe kur te kemi studiues te zote te gjeopolitikes dhe te qyteterimeve, sepse me gjendjen aktuale te provave nga deget e tjera kemi vetem rrethrrotullime.

    Mua ne fakt, shquarja e kesaj nevoje me shtyu tek kjo teme, perndryshe kam derdellitur ne te shkuaren sa me s’ka.

    Te menduarit gjeopolitik dhe efektet e gjeopolitikes jane te pranishme ne çdo faze te historise, kudo ne bote.

    Mbaj mend qe me ka terhequr shume vite me pare nje liberth i nje italiani, qe s’ia mbaj mend emrin, i cili merrej me imperializmin ilir ne kohen e ardianeve.

    I mesuar me broçkullat e piraterise nga historiografia e huaj apo te mbrojtjes se Atdheut dhe krijimit ante-litteram te ndonje shtet-kombi nga jona, mu duk sikur me hapi syte.

    Nje shtet qe ka qytet, nuk mund te jete i privuar nga te menduarit e vepruarit gjeopolitik apo i pakushtezuar prej saj ne veprime.

    Per fat te keq, ne jemi shume-shume prapa ne kete drejtim. Kush e di ndoshta ne te ardhmen ne historine tone do te integrohen edhe analiza te kesaj natyre.

  7. Read Me:
    <iMegjithatë, nuk duhet të harrojmë se ndarja e Jireçekut e ka fillesën në shekullin e katërt pas Krishtit, kur paraardhësit e shqiptarëve janë të mbuluar nga një terr historik. Vllahët përmenden më shumë, ndoshta edhe më herët se shqiptarët (ose njëherazi), në shekullin e dhjetë.

    Kjo që shkruan këtu më duket se anullon atë që kishe shkruar në pjesën e I-rë të shkrimit:

    Një tjetër shmangie linguistike nga ndarja e Jireçekut është edhe fakti që latinfolësit e fundit të mbetur në Ballkan (një variant i korruptuar i latinishtes), vllahët, ndodhen shumë më në jug të linjës të konceptuar prej Jireçekut.

    Nëse vllahët përmenden në shek. e X atëhere pse duhet t’i ketë parasysh Jireçeku kur ai flet për shek. e IV siç thua?

    Për ilustrim, pasazhi i Jireçekut (nga botimi shqip i “Historisë së Serbëve”):

    Marrëdhëniet etnografike ndryshuan nga përhapja e shpejtë e latinishtes dhe greqishtes dhe rënia e ilirishtes, prej të cilës rrjedh shqipja, dhe e trakishtes, e cila nuk përmendet më pas shekullit të 6. Kufiri midis latinishtes dhe greqishtes konstatohet shumë saktësisht sipas gjuhës së mbishkrimeve, gurëve kilometrikë dhe monedhave të qyteteve. Kufiri e la detin Adriatik në Lezhë, përshkoi malet e Mirditës dhe Dibrës në Maqedoninë Veriore midis Shkupit dhe Stobit, rrethoi Nishin dhe Remesianan me shtetasit e tij latinë, ndërkohë që Pautalia (Krystendili) dhe Serdica (Sofja) bashkë me krahinën e Pirotit i përkisnin zonës greke; në fund, ai drejtohej përgjatë shpatit verior të Hemusit në bregdetin Pontus. Zona e gjuhës greke kishte lidhje të drejtpërdrejtë me Helasin dhe Azinë e Vogël, latinishtja, e cila kishte shtrirjen më të madhe nga kufiri verior i Panonisë deri në Stobi, nga Ratiaria (Arcar) teposhtë, por ishte vetëm disa orë e gjerë, me perëndimin romak. Territorit latin i përkiste edhe Dacia trojane, por pas evakuimit të së cilës mbetën të pushtuar ende deri në kohën e Justinianit një sërë këshjtellash në bregune majtë të Danubit. Përveç zonës së mbyllur, në mes të latinëve kishte vetëm pak tregtarë grekë ose zyrtarë; po ashtu, përveç qytetit detar Durrësit, kolonitë e ndara romake (Stobi, Filipi (Philippi = Trajanopolis) etj.), nuk mundën të rezistonin përgjithmonë në mes të grekëve. Në mesjetë, midis Adriatikut dhe Pontusit janë folur dy dialekte romane, fillesat e të cilave arrijnë deri në periudhën romake perandorake: rumanishtja me prejardhje nga gjuha e prishur më shumë e romakëve të Danubit, dhe dalmatishtja e vjetër e lashtësisë, mbetjet e fundit të të cilës janë shuar në ditët tona në ishullin Veglia. Në vendet malore midis dy krahinave u zhvillua një gjuhë e përzier ilirishte – rumanishte, nga e cila rrodhi shqipja, fjalori i së cilës numëron më shumë se një të katërtën e elementëve romanë; si pasojë e pozicionit të mesëm ajo ka në fjalor disa përkime me rumanishten, herë me dialektin konservativ të romanëve të mesjetës nga Praevalisi dhe Dalmacia.

  8. Albanologjia eshte ne nje “impasse” prej shume dekadash. Ky vendnumero mund te kete shume arsye, por personalisht mendoj se kryesorja per kete situate eshte mungesa e interesimit per kete fushe nga linguiste serioze, jashte ndikimeve nacionaliste.

    A kemi arritur ne nje “dead end” ne albanologji? Ndoshta jo. Por sic e veren Hamp, te gjitha hipotezat per origjinen e shqipes, formulojne nje histori shume fragmentare, e ku informacioni historik/lingusitik eshte teper i manget. Kjo e ben te pamundur plotesimin e “puzzle-s”(mozaikun enigmatik) te shqipes. Per Hamp, nje gje mund te thuhet me siguri qe shqiptaret jane ne Ballkan perpara sllaveve, por se kur nuk dihet.

    Asnje hipoteze nuk fiton supremaci argumentuese mbi tjetren. Ne lidhje me shkrimin tim me siper, eshte nje perpjekje per te te bere te mendosh se, gjithmone ka nje mundesi tjeter per t’i pare gjerat. Perdorimi i ndarjes te Jericekut, nuk eshte dicka qe e “zbuloi” ai, thjesht e perdori per te argumentuar kryesisht origjinen e arumuneve.

    Mbishkrimet e perzjera ne pjesen perendimore te Shqiperise deri poshte ne jug tregojne qe kjo ndarje e humbet legjitimitetin. Dicka tjeter, mbishkrimet gjenden ne qendrat urbane, nuk gjenden ne periferi. Kjo te ben te mendosh se tutje ketyre qendrave urbane ka ekzistuar nje popullsi me kontakte ne distance dhe ku kulturat dhe gjuhet e sundimit mund te ndikonin vetem ne menyre marxhinale.

    Shqipja ka nje inventar latin qe mund ta perafrojme me shifren 20-25%. Inventari qe mbijetoi prej kontaktit latin ne shqip i perket dialektit romak perendimor. Pra ky inventar u krijua ne nje zona te izoluara qe kishte kontakt me latinet perendimore, qe ishin pergjate bregdetin te sotem shqiptar. Kjo nuk eshte e vertete per dialektet arumune, qe nuk u formuan ketu. Mund te vazhdoj gjate, por nuk e quaj te arsyeshme qe t’i futem nje prezantmi te tille.

    Schramm-i solli dhe nje here ne skene Weigard-in, nderkohe qe Weigard-i kishte perdorur hipotezat “obsolete”(te demoduara) te Robert Roesler per te bere te besueshme hulumtimet e tij filologjike.

    Eshte fakt qe iliret(ne perendim) dhe thrakasit(ne lindje) perziheshin diku ne kufirin lindor te Kosoves(ne vijen Prishtine-Shkup) me perendimin e Bulgarise. Schramm(1994), po ta lexosh(eshte perkthyer edhe ne shqip), ka nje “naivite” historike(e gjuhesore) kur ben nje lidhje midis kristianizmit te besseve ne shekullin e IV-V prej punes misionare te Niketes te Ramesianes(autori i Te Deumit) dhe shpernguljen e tyre me force prej Bizantit per te luftuar bullgaret ne trojet e sotme shqiptare ne shekullin e nente.

    Kjo njohje historike ka te pakten 10-15 vjet qe eshte bere e njohur e trajtuar ne sesionet shkencore historike/linguistike te mbajtura ne Shqiperi e gjetke, por nuk eshte marre shume seriozisht prej albanologeve.

    Ne lidhje me verejtjen e Hyllinit, eshte e vertete; ka nje rryme revizionuese se si eshte pare nderhyrja e Romes ne Iliri. Por me nje ndryshim qe nuk ishte imperializem ilirian, por imperializem romak dhe “pirateria ilirike” kishte synime ekspansioni dhe hegjemonie ne Ballkan, qe binte ndesh me Rome imperialiste. Periudha ilirike eshte me e ndritshmja per ne shqiptaret nese sadopak do te besojme ne nje origjine, lidhje te mundeshme me iliret e Teutes dhe Agronit.

  9. Nderhyrja ime e meparshme ishte pergatitur ne padije te komentit te Tannhauser-it, por me duket se perkon mire si nje shtese sqaruese me komentin e tij.

    Sic deshmojne zbulimet arkeologjike pergjate shekullit te XX ne territorin perendimor te Shqiperise, gjurmet e mbishkrimet te latinishtes perendimore romake, mbijetuan shekujve pas shekullit te IV.

  10. ”’Por me nje ndryshim qe nuk ishte imperializem ilirian, por imperializem romak dhe “pirateria ilirike” kishte synime ekspansioni dhe hegjemonie ne Ballkan, qe binte ndesh me Rome imperialiste. ”’

    Mire po ku eshte dallimi mes synimeve ekspansioniste ilirike drejt Greqise ndaj atyre te Romes imperialiste ?

    Qe iliret e kishin vetem ndaj Greqise, ndersa Roma ndaj Mesdheut ?

    Kush na garanton se aristokracia detare ilire, edhe nqs do kish korrur sukses ne Greqi, nuk do i drejtonte anijet ndaj Italise apo me gjeresisht Mesdheut ?

    Te gjitha talasokracite kane prirje imperialiste. Shteti ilir, ne mungese te Romes, do mund te ishte nje Venecie antike, qe del nga Adriatiku e mesyn drejt Mesdheut Lindor. Ne fund te fundit, pirateria shteterore nen Dhimitrin iu drejtua vete Egjeut.

    Problemi i atij shteti ishte se ardianet te cilet e krijuan dhe dhane familjen mbreterore, perfaqesonin aristokracine tokesore, ngaqe ardianet ishin fis malor e jo bregdetar.
    Problem kaq i mprehte saqe ardianet ishin te paret qe iu larguan luftes me Romen, me siguri te irrituar nga marrja e pushtetit prej aristokracise detare, nen Teuten e Rizonit.

    U perplasen dy filozofi, fuqia tokesore me fuqine detare, fitoi Roma.

    Nga kjo mund te mesojme diçka edhe per te ardhmen, qe Shqiperia nuk duhet te marre masa per krijimin e ndonje flote qe mund te na ktheje Italine ne armike.

    Italia na ka mbeshtetur kunder grekeve dhe jugosllaveve, sepse s’ka dashur anije greke apo jugosllave ne kanalin e Otrantos.
    Nuk do rivale ne ate kanal, e quan kanalin e vet.

    Prandaj modeli i fuqise tokesore te Bardhylit eshte e vetmja rruge e pershkueshme dhe e suksesshme.

    Jemi te denuar te jemi ballkanike tokesore dhe pavaresisht se syte i kemi nga Perendimi, e ardhmja jone eshte ne Lindje, jo vetem ne aspektin e Bashkimit, por ne çdo kontekst ku historia do te mund te na vendose ndonje dite.

    Mendja qe shtyn nga Perendimi, trupi qe shtyn nga Lindja, jemi vertet nje organizem anormal.

  11. Hyllin,

    Kur te fola per imperializmin romak, po i referohesha teorive revizoniste nga ana pertej ujrave te oqeanit. Pastaj, po te vazhdojme mbi kete teme, do te devijonim shume nga tema e shkrimit tim.

    Por mesova se Illiria mund te perballej me Romen(nese do te kishte aleancen detare-tokesore). Roma ne luften e pare punike kishte mobilizuar te pakten mbi gjysem milioni legjionare dhe nje flote detare me 300-400 anije luftarake.

    Iliria ishte nje bezdi e vogel per Romen. Duke mos dashur telashe me vone, e shtypi qe ne fillim pa problem.

    Roma ne ate kohe ishte republike. Kishte zgjeruar territoret, stabilizuar strukturat administrative qe prej tre shekujsh te pakten, Strukturat ushtarake, po e drejtonin gjithmone ne nje imperum, me ambicje imperiale.

    Sa larg ishte ishte Iliria prej zhvillimeve romake!

    1. …”Iliria ishte nje bezdi e vogel per Romen. Duke mos dashur telashe me vone, e shtypi qe ne fillim pa problem. …”

      Suetoni nuk do te ishte dakort me ju.
      Ai regjistron se revolta ilire ( e kohes se Augustit) ishte rreziku me i madh qe i ishte kanosur Romes , qe ne kohen e Hanibalit.

      Revolta e ilireve perkon me shkaterrimin e legjioneve romake te Variuos-it ( “budallai qe ndryshoi fatine e botes”) ne Gjermani, nga Arminusi.

      Nje historian shkruan se “komanda e larte romake nuk kishte pike dyshimi se Arminius do te kish krijuar nje aleance te madhe me iliret…”

      1. Bie dakord me ty ipare., Prandaj Romes iu desh 1-2 shekuj te nenshtronte plotesisht territoret ilire.

        Per periudhen e 229-210 pk, Roma duke perdorur sebepin e ankesave te kolonive greke, shkeli per here te pare ne brigjet lindore te Adriatikut.

        Arsyeja kryesore ishte agresiviteti, ambicjet hegjemoniste te mbreterise ilire. Me nje rruge, inkursioni romak kreu dy pune. I mbylli gojen ankesave greke dhe e mbyti ne djep cdo shkendije ekspansioni dhe hegjemonie ne Ballkan te ilirianeve. Fitorja ishte e lehte.

        Biles sot diskutohet, hidhet hipoteza qe takimi i famshem midis Teutes dhe konsujve romake(qe u shoqerua me vrasjen) te jete nje sajese ose ndryshe nga sa njihet ne histori, pra nje ngjarje e sajuar.

        Kujdes se keto gjera te mbeten midis nesh. Nuk duhet t’i marrin vesh historianet zyrtare shqiptare, sepse do te ekzagjeroje cdo gje ne favorin e ilirive. Illyrian grandeur. 🙂

    2. Nuk eshte e lehte te projektosh fuqine pertej detit.

      Formalisht Iliria kishte nen varesi Epirin. Ne betejen finale mes te dyjave, ishin rreshtuar 11 mije ardiane dhe 12 mije epirote, pra 23 mije ushtare.
      Nqs Epiri do kish respektuar vasalitetin, pa ndonje sforco te madhe, 22 mije ushtaret romake qe zbarkuan do mund te gjendeshin ne inferiotet numerik.

      Pa harruar ketu, qe flota ilire nuk i perballonte dot ne beteje te hapur anijet e renda romake, por ama ishte aq e shpejte sa t’i shkaterronte gjithe aspektin logjistik e t’a linte ushtrine romake pa furnizime ne territor armik (edhe sikur te fitonte ne toke), qe eshte tmerri i çdo gjenerali ne çdo kohe.

      Ne fakt, edhe pse Dhimiter Fari dorezoi Korfuzim me 100 anije e ardianet dezertuan, Roma hezitoi per muaj te drejtohej nga Shkodra, ndersa Teuta si per kunje te forces detare romake, strehohej ne nje fortese bregdetare si Rizoni.

      Ne fund ke te drejte, Roma sulmoi pse nje pushtet i dobet ilirik ishte garanci, jo me kot priti vdekjen e Agronit, kur stabiliteti i shtetit u cenua rende, si dhe u vertetua.

      Meqe ra llafi ishte zbarkimi me i madh i trupave pertej detit qe kishte bere Roma deri atehere. pasi ne Luften e pare punike nuk kishte zbarkuar me shume se 15000 trupa ne Tunizi.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin