SI TË SHOKOHEMI

Shekulli njofton për numrin e divorceve në Tiranë, në një shkrim me titullin “Divorcet në kryeqytet, shifra shokuese.”

Shkrimi u referohet të dhënave të Gjykatës së Tiranës, sipas së cilave “rreth 1223 familje” (po, mund të kenë qenë edhe 1222.5) i kanë dhënë fund martesës, dhe një numër i ngjashëm e kanë nisur procesin e divorcit.

Me një llogaritje të thjeshtë, “i bie që në Tiranë ndahen 3 çifte në ditë dhe po aq depozitojnë edhe kërkesën për divorc.”

Deri këtu mirë. Lexuesi i vëmendshëm do të kërkonte, të paktën, një krahasim me numrin e divorceve disa vite më parë, etj.; ose ndonjë të dhënë më tej për demografinë dhe sociologjinë e të divorcuarve, ose për cilin prej partnerëve e niston zakonisht procesin.

Por jo – na thuhet vetëm se shkaqet e divorcit “janë të shumta” (zbulim i madh) dhe se mes tyre “janë shtuar edhe ato për tradhti bashkëshortore” (ndoshta më parë çiftet ndaheshin vetëm për arsye metafizike).

Asgjë nuk ka shokuese në këto divorce, me përjashtim të faktit që Shekullit i duken të dhënat shokuese.

Përtej krahasimeve me të shkuarën, me qytete të tjera në Shqipëri ose kryeqytete të tjera në Ballkan dhe gjetiu në Europë, shifra e 3 divorceve në ditë nuk i thotë lexuesit asgjë.

Po ashtu, divorci është ngjarje e dhimbshme madje e rëndë për një familje, por në krahasim me alternativën – vijimi i të jetuarit në çift, në kushte të dhunës psikologjike ose fizike, të traumës ose të mospajtimit total – mund të jetë i mirëpritur.

Jo më kot konsiderohet, me të drejtë, si faktor emancipimi shoqëror.

Magritte's Divorce. Mandragoo

Natyrisht, Shekulli e merr përsipër vetë të komentojë për të dhënat: “Këto shifra shqetësuese tregojnë se familja shqiptare po kalon një moment të thellë krize.”

Në fakt jo. Shifrat nuk janë shqetësuese në vetvete dhe nuk janë të mjaftueshme, për të nxjerrë përfundimin se familja shqiptare po kalon një moment të thellë krize (çfarë mund të jetë ky “moment i thellë” xhanëm?).

Ja edhe një e dhënë tjetër që pothuajse anashkalohet: “përveç divorceve, të dhënat e Gjykatës së Tiranës tregojnë [se numri i] grave që kërkojnë urdhër mbrojtje[je] është shtuar.”

Unë këtë do ta shihja si arsye për t’u shqetësuar dhe simptomë të krizës: dhunën brenda familjes, veçanërisht të burrit ndaj gruas; por, edhe brenda këtij konteksti, fakti që më shumë gra kërkojnë urdhër mbrojtjeje mund të shihet gjithashtu si hap përpara, ose tregues i emancipimit.

Tërthorazi, fakti që më shumë gra po kërkojnë mbrojtje nga gjykata, kundër burrave ose ish-burrave të tyre, tregon se divorci po nistohet prej grave vetë – dhe kjo është për t’u përshëndetur, sado e dhimbshme.

Shkrimi është shembull i gazetarisë inkompetente, jo vetëm ngaqë i paraqet të dhënat të cunguara (pa krahasime me të shkuarën ose gjetiun), i interpreton shtrembër dhe në mënyrë emocionale (duke e paraqitur divorcin si të keqe sociale) dhe nuk arrin të kapë thelbin e çështjes – dhe pikërisht që divorci është një mënyrë për të dalë nga kriza e familjes, sidomos për të kundërshtuar dhunën mbi të cilën shpesh ndërtohen marrëdhëniet bashkëshortore.

Kjo nuk është gazetaria që i duhet publikut shqiptar, por vetëm një “ua!” e pataksur, e nivelit të muhabetit te manikyristi. Në fakt, lexuesi ka nevojë të ndriçohet, jo të ushqehet me pilula emocionale të gatshme.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin