DILEMA E STADIUMIT

stadiumiHerët a vonë kombëtarizmi ulet në shkallët e stadiumit. E dëshmon historia, e tregon përvoja. Sporti nuk është vetëm një nga përfaqësuesit e identitetit kombëtar/lokal, por edhe ngjizësi i tij, sepse me ritualet e veta sporti celebron e riprodhon komunitetin që e ndjek me pasion. Studiuesit e kanë vënë re prej kohësh se stadiumi, sidomos ai i futbollit, përbën skenën ideale ku formësohen ndjenjat identitare të spektatorëve. Duke filluar nga himni kombëtar që interpretohet në fillim të ndeshjes, nga krenaria e lojtarëve që e këndojnë, deri tek ngritja e flamurit kombëtar, vendosja e tifozëve sipas rangut e përkatësisë, apo deri tek ngjyrat e fanellës. Lojtarët në fushë shndërrohen në gladiatorë modernë, që nuk “luftojnë” për rezultatin e ndeshjes, por për ithtarët në shkallët e stadiumit, sepse mbi shpatullat e tyre rëndojnë ëndrrat e bashkësisë që përfaqësojnë. Në fushën simbolike të stadiumit sintetizohen deri miliona individualitete, që njëjtësohen me ata që konkurrojnë, në luftën e përbashkët për fitore.

fusha e lojës i ngjason fushës së betejës nuk është e vështirë da dallosh. Njerëz me uniforma të ndryshme që përballojnë njëri tjetrin, heronj që dallohen në terren për guxim e trimëri, kapitenë që frymëzojnë skuadrat në dyluftim, gjeneralë që sfidohen me strategji, taktika e kurthe… E më kryesorja, kundërshtari, që fare lehtë shndërrohet në rrafshin simbolik si armiku. I qartë, i identifikueshëm, i luftueshëm. Kufiri ndarës mes nesh dhe atyre, mes të mirëve e të këqijve, mes miqve dhe armiqve, shfaqet më dukshëm se vija ndarëse e fushës. Ai projektohet në rrjetat që mbajnë veçmas tifozeritë e stadiumit, në ekranet televizive që ndiqen nga miliona njerëz, në zërat e komentuesve të ndeshjes.

Magnetizmi i stadiumit i tërheq të gjitha ndjenjat politike të tifozëve. Lidhja mes sportit e politikës është tejet e fortë. Historia e Shqipërisë na ofron mjaft raste kur gjatë totalitarizmit, sportistët nuk shkonin të përfaqësonin sportin shqiptar në arenat ndërkombëtare, por shkonin “me mision” për të përfaqësuar kombin e socializmin, çka e tejkalonte shpirtin e garës sportive, meqë ngarkesa emocionale kishte ngjyrime të forta politike. Vetë propaganda e regjimit i pomponte këto “misione”, sidomos kur i përshtateshin retorikës totalitare, siç ishte rasti i ekipeve të qitjes, që me karakteristikën sportive e plotësonte më së miri diskursin e luftës politike.

Sporti ndërkombëtar rrëfen se ka pasur plot raste kur kompeticioni i fushës është zhvendosur në shkallët e stadiumit, madje edhe jashtë tij. Por në këto raste rezultatet e përleshjes kanë qenë gjaku e dhimbja, shumë më të prekshme se sa golat e pikët. Pra stadiumi është vendi ideal për farkëtimin e identiteve, por edhe të ndarjes, nga të cilat kombëtarizmi merr forcë e vitalitet, kurse ky i fundit, siç dihet, mund të bëhet gjeneratori i politikës. Gjithsesi, kur flitet politikën në stadium, nuk mund të mos jesh dakord me Xhaxhain që në shkrimin “E kuqja dhe e zeza” thotë:

Përzgjedhja e stadiumit, si një vend të veprimit politik, mund të jetë frymëzuar nga arsye thjesht taktike – meqë në stadium njerëzit mblidhen vetvetiu; por orvatja për të mbrehur pasionin sportiv vjen me rreziqe që i tejkalojnë ndjeshëm dobitë e oportunitetit taktik. Mjaft të krahasohet stadiumi me agoran, ose pasthirrma tribale e tifozit me logosin e qytetarit në dialog me qytetarë të tjerë, për të kuptuar se nga futbolli politikës shqiptare asnjë e mirë nuk do t’i vijë ndonjëherë.

Në këtë kuadër, merr nuanca tejet interesante deklarata për shtyp e Aleancës Kuq e Zi, e cili i kundërvihej deklaratës së kryeministrit shqiptar për vendimin e Fifa-s lidhur me ndeshjet e kombëtares kosovare. Ja ç’thotë si fillim deklarata:

Pak ditë më parë Federata Botërore e Futbollit, FIFA, mori vendimin që kombëtarja e Kosovës të lejohet të luajë ndeshje miqësore me kombëtaret e vendeve të tjera, një akt ky i përshëndëtur me shume emocione nga shtetasi Sali Berisha, i cili pati deklaruar se mezi pret të shohё përballjen e parë të kombëtares së Kosovës së bashku më shumë tifoza kuqezi. (28 Dhjetor 2012)

Pa premisën e mësipërme deklarata e AKZ-së do të dukej krejt pa kuptim. Ç’të keqe ka ta përshëndesësh vendimin e Fifa-s për lejimin e ndeshjeve miqësore të Kosovës me vendet e tjera? A nuk po kërkon Kosova të njihet si shtet dhe entitet më vete nga vendet e tjera të botës? Parimi “Një komb, një kombëtare”, për hir të së vërtetës më pak i njohur nga slogani tjetër “Një komb, një qëndrim“, del si platformë politike, kurse Berisha konsiderohet si shkatërrues i saj. Andej nga fundi i paragrafit, disa fjalë të deklaratës tingëllojnë disi enigmatike për profanët e futbollit, sepse nuk kuptohet përse ndarja e supozuar shkakton largimin e futbollistëve më të spikatur nga fanella kuqezi. Gjithsesi, duket sheshit loja kombëtariste me fjalën “kuqezi”, që përkon me fanellën, por edhe me lëvizjen politike që bën deklaratën.

Pjesa tjetër e deklaratës i qartëson pak gjërat. Pyetja e mëpasshme retorike ka rol të dyfishtë. Nga një anë kemi referimin ndaj politikës së Berishës, i cili po “kërkon të unifikojë pasaportat e kombit”. AKZ-ja duket e shqetësuar për kthimin djathtas të politikës berishiane. Edhe pse manovra e fundit e Berishës mund të jetë kryekëput konjukturale, siç mendojnë disa analistë,  ngaqë së shpejti vendi do të hyjë në fushatë elektorale, problemi i autorësisë së diskursit kombëtarist i shqetëson ata që kishin krijuar një farë brand-i, ose flamuri, rreth idesë së bashkimit kombëtar. Berisha u ndihmua edhe nga festat e 100-vjetorit të Pavarësisë, dekori i të cilave, por edhe retorika e përdorur, synoi ta shpronësonte AKZ-në nga ideja e bashkimit si markë e depozituar, duke e përvetësuar atë politikisht. Shqetësimi se mos shumë lojtarë kosovarë do të ikin nga kombëtarja e Shqipërisë duket përnjimend patetike, për sa kohë duket qartazi se argumenti bëhet në mënyrë të instrumentalizuar.

Si mundet që shtetasi Sali Berisha në të njëjtën kohë që kërkon të unifikojë pasaportat e kombit shqiptarë për bashkëkombasit dhe nga ana tjetër përshëndet një vendim të FIFA, pasoja e të cilit do të ndihet menjëherë tek kombëtarja aktuale e Shqipërisë, pasi shumë lojtarë janë shqiptarë nga Kosova të cilët kanë deklaruar se me krijimn e kombëtares së Kosovës do të largohen drejtë saj.

Deklarata e AKZ-së, pasi riafirmon vullnetin e saj për bashkim kombëtar, tregon se ka kërkuar unifikimin e kampionateve të futbollit të Shqipërisë e Kosovës. Sulmi në fund, për bastet e korrupsionin, është i pakualifikueshëm (edhe pse i vërtetë), sepse e ul nivelin e ligjëratës, e cila pavarësisht nga mënyra se si shtrohet, e se si shkruhet (shqipja ka plot gabime), mbetet i denjë për debat kombëtar.

Aleanca Kuq e Zi ka kërkuar muaj më parë nga të dyja federatat shqiptarë të futbollit në Shqipëri dhe Kosovë unifikimin e kampionateve të futbollit ndersa shtetasi Berisha përshëndët ndarjen zyrtare të spektrit të sportit dhe kulturës me dy Shqipërive. Sigurisht shtetasi berisha kerkon te jet i pari në fshatin e tij dhe po rrënon fushat e futbollit në pallate, ligen e futbollit në vatër bastesh dhe korrupsioni si dhe ndarjen e kombëtares kuqezi në ndasi mes dy shteteve shqiptare.

Po ta lexosh mirë deklaratën në filigran, përtej taktikave të mjerueshme të politikës provinciale shqiptare, lexohet qartë frika nga stadiumi, çka s’do të thotë se është shkruar në mënyrë të vetëdijshme. Stadiumi është palestra e përkryer e identiteteve: “Ne”, ose “E Jona”, nuk mund të stërviten pa skuadrën tjetër, “Ata” ose “E Atyre”. E pra, një stadium ku përleshën përfaqësuesit e Kosovës e të Shqipërisë u kall datën atyre që nuk e përfytyrojnë dot sportin jashtë vizionit politik. Ndeshja Shqipëri – Kosovë do t’i dukej ndokujt si prova e dy identiteteve të ndara e të dallueshme, e në mos të tilla, gjithsesi të manipulueshme, përderisa në stadium simbolikisht përballen kundërshtarë me flamuj të ndryshëm, me fanella të ndryshme, me lojtarë të ndryshëm. Pa menduar për tifozët që do të ulërinin në krahët e kundërt të stadiumit.

Ky vizion utilitarist i sportit në përgjithësi dhe i futbollit në veçanti, nuk mund të konsiderohet i vjetruar, ngaqë përdoret sot e kësaj dite, por i prapambetur padyshim. Në botë, sporti po shndërrohet në biznes, ku paraja bën ligjin, saqë po bëhet gjithnjë e më e vështirë të flasësh për aktivitete sportive. Kjo prirje është negative, meqë kemi të bëjmë gjithashtu me instrumentalizim, anipse për qëllime ekonomike, sikurse futbolli shfrytëzohet për arsye politike.

Megjithatë, duhet kujtuar se sporti i vërtetë mundëson mbi të gjitha njohjen, respektin e ndërsjellë, pranimin e tjetrit, kontaktin e vazhdueshëm; e kur konceptohet në mënyrë të pastër, është mjet i shkëlqyer për t’i afruar popujt, qytetet, bashkësitë, njerëzit. Përbën ilaç të shkëlqyer për të luftuar paragjykimet e fanatizmat e çdo ngjyre. Tek e fundit, nuk duhet harruar, se stadiumi është vendi ku njerëzit shkojnë për të kaluar kohën e lirë, së bashku me familjet, kur është e mundur. Njerëz që argëtohen në shkallët e stadiumit, ndërsa njerëz të tjerë zbaviten duke luajtur në fushë: çka duhet të na bëjë edhe më shumë njerëz.

Nuk ka komente

  1. “Dilema e stadiumit”, Pishak, me kujton prape se sa paralel shkojne ekzaltimi kombetarist me ekzaltimin kampanilist, sado kontradiktore qe duken. Shpesh barten nga i njejti grup dhe ne te njejten kohe.

  2. Kundërshtia është vetëm në pamje të parë. Mekanizmi që i nxit ekzaltimet është i njëjtë. Koncepti relativisht i ri Glocalization, tregon pikërisht bashkëekzistencën e përmasës lokale (vendore) me atë globale (ndërkombëtare) dhe ka të bëjë edhe me identitetet, bashkëqendërsia e të cilave i anashkalon konfliktet e mundshme.

    1. po, vertet, ne menyren si micro dhe macro bashkeveprojne jane te ngjashme. Vetem se glocalizimi si proces (edhe kur kapercen marketimin si fushe dhe eshte pjese e sjelljeve te grupit) eshte gjithnje proces i jashtem, nje lloj adaptimi i organizuar nga lart ose se jashtmi, dhe jo pjese e reagimit emocional te turmave… ndoshta mund te analizohen lidhjet e tij me psikologjine kolektive, por sigurisht qe nuk lind e rritet si fenomen aty, por eshte me shume nje reagim per te shpetuar nga nje lloj abuzimi apo ndryshimi te padeshiruar ne rrethana e kushte. Ndjenjat nacionaliste e campaniliste rriten e ushqehen brenda turmes jo si nevoje adaptimi ndaj ndryshimit, njera pjese nuk lind si pasoje e tjetres, dhe sidomos jane ne thelb dukuri qe lidhen me emocionet e grupit.

  3. ”’E pra, një stadium ku përleshën përfaqësuesit e Kosovës e të Shqipërisë u kall datën atyre që nuk e përfytyrojnë dot sportin jashtë vizionit politik.”’

    Persa kohe qe ato quhen ‘kombetare’ te futbollit, nuk ka si te mos u kallet data atyre, qe nuk njohin 2 kombe shqiptare me dy kombetare.

    Ajo eshte sfide konceptuale qe i behet kombit, si sfida e dikurshme RFGJ-RDGJ.

    Ne kemi si kapiten te kombetares nje shqiptar nga Kosova, i cili ka deklaruar disa here, se ai vete nuk i koncepton dot dy kombetare.

    Qe me kete sfide koceptuale u duhet perballur per zgjidhje ne boten konceptuale, per kete nuk duhet patur pike dyshimi.

    Nje zgjidhje do te ishte, qe ne Shqiperi e Kosove, skuadra e Kosoves, te quhej
    ‘Rajonalja e Kosoves’ ose ‘Krahinorja e Kosoves’, duke i njohur keshtu rolin e Kombetares asaj te Shqiperise, qe eshte Kombetarja legjitime e shqiptareve.
    Ose mund edhe te quhet ‘Shteterorja e Kosoves’.

    Nje Kombetare e Kosoves eshte absolutisht e papranueshme, se sfidon ligjet e hapesire-kohes.

    Sporti perpara se te bashkoje zemrat e perveluara te njerezimit anembane planetit, le te bashkoje njehere nen emrin e Kombetares ata qe i perkasin nje kombi.

    Shtetasi Sali Berisha, kryeminister i Shqiperise, por jo kryeminister shqiptar apo i shqiptareve, ne vend qe te pershendese Kombetaren ilegjitime te Kosoves, do bente mire te vazhdonte me koherencen e pashaportes per te gjithe shqiptaret, apo aq e pati thuaj, i futi nje fende pashaportuale, si e ka zakon ne kesi rastesh, sa per te kapur ndonje peshk budalla.

  4. Po mire o Hyllin, a nuk duam ne te njihet Kosova si shtet i pavarur? Se na hutuat tani, njohja e skuadres kombetare afron me idene e njohjes se Kosoves si shtet i pavarur, apo jo? Mos djegim etapat tani, me endrra bashkimi, qe nuk jane ne asnje axhende (te atyre qe kane gje ne dore dmth). As pavarsine e Kosoves nuk e beme vete, as bashkimin nuk e bejme dot me parrulla e duke tundur flamurin.

    1. Nuk e di çfare do ti per Kosoven, po une pavaresine e Kosoves e konceptoj ne funksion te bashkimit jo si qellim ne vetvete.
      Pavaresia e Kosoves nuk mund te zhbeje Kombetaren dhe te merret si diçka ‘e mire’.
      Ky akt mund te parandalohet me bashkimin e kampionateve dhe me deklarimin e nje kombetareje te perbashket.

      Shteti i Kosoves do te hape nje thes me probleme te natyres parimore, sa me shqiptar do te jete si shtet.

      Jo vetem me kombetaren, po ta zeme cili shtet do marre persiper kujdesin per shqiptaret e FYROM-it, ata te Malit te Zi apo te Serbise ?
      Ka shume gjera per te cilat Shqiperia me Kosoven do te perplasen sapo Kosova te kete status nderkombetar te percaktuar.

      Per momentin kalojne ne heshtje, por neser do te perbejne nje sfide te mprehte.
      2 shtete te nje kombi, qe vetenjihet si i tille, jane anomali per kohet moderne.
      Nuk ka asgje ekzaltante tek pasja e dy karrigeve ne OKB, dy skuadrave te futbollit, etj.

      Shteti modern nuk ka ardhur vetem si produkt i Pavaresise se kombeve, por edhe si bashkim i shume shteteve ne nje te vetem, rastet e Italise dhe Gjermanise.

      Uniteti dhe konservimi jane finalitete fiziologjike te çdo organizmi, perfshire edhe etnine.

      Me dy kombetare kemi nje dukuri qe ndikon ne zhberjen e unitetit dhe konservimit, pra dy kombetare jane kunder finalitetit te organizmit shqiptar.

      Perndryshe nqs skuadra e Kosoves duhet te krijohet me se s’ben, atehere le te quhet shteterorja apo krahinorja e Kosoves, ne menyre qe te mos stimulohet konceptualisht shperberja.

      Stimulimi konceptual i shperberjes eshte ne themel te shtetit austriak,i perbere nga gjermane etnike po aq sa Gjermania, pra luan rol te rendesishem me kalimin e kohes, nuk mund te anashkalohet si formalizem i thjeshte.

      1. Ndoshta nuk e thashë qartë në shkrim. Futbolli është lojë, sport, argëtim. Kur kombi ngatërrohet me kombëtaren, brenda e jashtë stadiumit, ka diçka që nuk shkon. Ose në sport, ose në politikë.

        1. Pishak, nese do besh nje search te shpejte ne google me fjalekycet ‘football’ dhe ‘nationalism’, do shohesh mbi 6 milione rezultate.
          Qe do te thote se, ne futboll, por edhe me gjere ne sportet ne pergjithesi, pjesa “kombetare” luan nje rol te vetin si te thuash…me perkufizim.

          Dhe jo domosdoshmerisht nuk shkon dicka ne politike apo ne sport, mendoj une. Perkundrazi, ndoshta eshte me mire qe pikerisht aty te shfryhen dufet nacionaliste sesa ne sheshet.

          Me kujtohet si tani ajo nate kur mundem Greqine ketu ne Tirane. Ka qene nje terapi e shkelqyer per shfryrjen e pademshme te shqipove, e pazevendesueshme me asgje tjeter do thoja.

          1. Me sa kuptoj po i referohesh thënies së vjetër latine “panem et circenses”. Histori e vjetër, për të cilën kemi folur e do të flasim ende në PTF. Por nuk po përdorja përqasje elitare ndaj problemit.
            Nuk e mohoj që ka implikime të futbollit (pra stadiumit) me politikën, përndryshe nuk do ta kisha shkruar artikullin. Por ti ndoshta i referohesh çështjes identitare çka është tjetër gjë. Politika e përçudnon sportin, e vë nën zgjedhë, e manipulon. Pasojat dihen, shpeshherë janë tragjike.
            Personalisht, edhe identitetet që përplasen simbolikisht në fushë, do t’i kisha inkuadruar gjithnjë brenda lojës. Të gjithë ne, përfshirë edhe kundërshtarët, duhet ta dimë se po luajmë, po zbavitemi, po kalojmë kohën. Si të thuash, po i biem topit sa andej këtej. Për qejf.
            Sa për frustracionet kombëtare, të siguroj se nuk zgjidhen me një ndeshje futbolli. Mund të fashiten, sepse hareja e stadiumit mund të të japë adrenalinën e duhur, por efekti mbetet kalimtar, e gjithsesi loja e vërtetë bëhet në një “fushë” tjetër. Për këtë je me siguri dakord me mua.

          2. Peshperitesi s’ka nevoje per gogllim, per faktin e thjeshte qe kombetarja nuk eshte skuader te cilen e zgjedh ne baze kriteresh sportive.

            Tifon per Kombetaren e ben per shkak te identitetit, ashtu si tifon per skuadren e qytetit apo nje nga skuadrat e qytetit.

            Per sportivitet, apo identitet sportiv vetjak, dikush zgjedh ta zeme Juven, Milanin, Barçen, Realin, apo nje kombetare te huaj ne Boteror, por skuadra e qytetit dhe Kombetarja, jane ne baze identitetit te perbashket, qytetar apo kombetar.

            Identiteti sportiv vetjak mund ta çoje dikend qe te zgjedhe nje skuader pse eshte fituese, pavaresisht bukurise se lojes, ose anasjelltas bukuria pavaresisht fitores, dikend tjeter sepse sheh shpirtin e sakrifices.

            Kombetaren e ke peshqesh, pavaresisht ne luan mire apo keq, e perbere nga lojtare te shitur apo te ndershem, te sakrifices apo te lekut.

            Identiteti kombetar per dike mund ta kete peshen zero ne sport, prandaj ky person do perzgjedhe mbi kriterin e identitetit sportiv vetjak.

            Por Kombetarja nuk ekziston per hir te ketyre personave, per keta ajo mund te mos ekzistoje.
            Perndryshe ekziston pikerisht sepse ka persona te tjere qe duan te tifojne duke u bazuar tek pesha e identitetit kombetar ne sport, pavaresisht identitetit sportiv vetjak.

            Nje Kombetare e Kosoves, nuk mund te ekzistoje pa nje identitet kombetar kosovar dhe persa kohe qe ne Kosove shqiptaret kane identitet kombetar shqiptar, e vetmja Kombetare eshte ajo e Shqiperise.

            Gjerat ne fakt jane te thjeshta, po sporti i koklavitjes eshte gjithnje terheqes.

            1. E kishim fjalën tek përdorimi i stadiumit nga politika e nga kombëtarizmi. Tema është hulumtuar nga shumë studiues, duke filluar nga emrat klasikë, pikërisht sepse ka pasur ndikim tek njerëzit, gjithnjë në mënyrë negative. Mirëpo muhabetin ta zhvendosin qëllimisht tek ekzistenca e kombëtares, apo tek skuadrat e tjera të futbollit, çka nuk vihet në diskutim nga askush.
              Po të vazhdojmë kështu, duke e manipuluar diskursin sikurse stadiumin, frika ime është se mos herët a vonë do të më trokasin në derë e do të më kërkojnë provën e biletës së stadiumit, mungesa e të cilës mund të shndërrohet në epitet, por edhe në internim (në mos i vërtetë, me siguri kulturor).
              Shkallët e stadiumit unë i kam frekuentuar si për të ndjekur kombëtaren, ashtu edhe për të shkruar parulla lavdie (kur isha në shkollë). Dua thjesht ta frekuentoj stadiumin i lirë, pa etiketa, pa akuza.
              Kam përshtypjen se ka tipa që tremben se mos nesër, në rast se do të luajë skuadra e Kosovës me atë të Shqipërisë, do t’i pyesin: “Për kë bën tifozllëk?”. Apo do të kërkohet bojkoti si një herë e një kohë?
              Le ta lemë futbollin në hesap të vet. Dikur fëmijët këndonin: “Topi rrotullohet, portës i afrohet…”.

            2. Sigurisht qe pyetja per ke ben tifozllek mes Shqiperise dhe Kosoves eshte problematike, pikerisht per shkak se ekzistenca e ekipit varet nga identiteti kombetar.
              Mua me duket anormale qe kjo pyetje te mos shkaktoje probleme, duke marre te mireqene qe ne Kosove eshte nje kombetare e bazuar tek identitet kombetar i ndryshem nga ai shqiptar.

              Mbase ty e Berishes ju duket normale qe te kete nje identitet kosovar te ndryshem nga ai shqiptar, por sikur e thashe persa kohe qe Berisha pohon qe do t’u jape pashaporten per faktin e thjeshte qe ata ne Kosove kane identitet shqiptar, nuk mund te pershendese edhe identitetin kombetar kosovar, se ka paradoks.

              Kete paradoks ka pahnxjerre AK-ja ne deklarate dhe nje Zot e di si mund te nxirret logjik nje paradoks i tille.

              Pastaj, ne ne teori mund te flasim gjithe diten si duhet te jete sporti, nuk jam kunder.

            3. Qëllimi im modest është të kuptojmë çfarë ndodh pas dukurive kolektive, në stadiume, sheshe, televizione, etj. Po të nisesha nga qasje justifikuese, të llojit “gjithnjë kështu ka ndodhur”, “që në kohërat e lashta”, “është normale”, “njerëzit kështu e duan”, etj. nuk do të shkruaja një rresht në jetën time. Se gjithnjë turmat kanë shkatërruar, gjithnjë stadiumet janë manipuluar, gjithnjë politika i ka futur hundët, gjithnjë politikanët kanë mashtruar, gjithnjë mediat kanë përpunuar… Dakord, gjithnjë ashtu ka ndodhur, por të paktën ta njohim mekanizmin, kur të shkojmë hareshëm së bashku në stadium, në shesh, në qendrën e votimit, në televizion. Kot, teorikisht, për kunj.

        2. Pishak, nuk ka diçka qe s’shkon, per ty ka diçka qe nuk shkon.

          Greket e lashte me ane te Olimpiadave, praktikisht ngjizen ndergjegjen e tyre etnike. Gjyqtaret e nje Olimpiade i kane dhene kombesine/etnicitetin greke maqedonasve te lashte.
          Koloseu ne Rome apo Hipodromi i Kostandinopojes, kishin rol politik te dores se pare. Ne kete te fundit, Justianiani mblodhi rebelet per diskutime dhe pasi mbylli dyert i vrau te gjithe.

          Ti edhe mund ta rrafshosh historine e lidhjeve te sportit me politiken, per te nxjerre diçka qe nuk shkon, kjo eshte e drejta jote, ashtu sikunder eshte e drejta ime qe te mos i mbyll syte.

          Nuk eshte vetem ne rangun e kombetareve, por edhe ne skuadrat e kampionateve, ka shpesh nje perqasje me politiken e brendshme. Ti duhet ta dish shume mire sesi gjykohet politikisht ne Itali, Lazio apo Roma, njera e djathte, tjetra e majte, Juventusi apo Livorno e me radhe.
          Ndokush ne Greqi, Angli apo Amerike mund te na flase per skuadrat e atjeshme.

          Ti flet per sportin ideal dhe sinqerisht jam dakort me ty, sporti ideal duhet te jete ashtu si thua ti.

          Por, nqs reflektimi mbi sportin ideal sherben per te kritikuar lidhje praktike te specifikuara, nuk kemi gje tjeter perpos nje goditjeje poshte brezit.

          Persa kohe qe lidhjet praktike jane universale, eshte e drejta e AK-se qe te gjykoje kryeministrin duke u mbeshtetur tek keto lidhje praktike universale.

          Ti mund t’i besh kritike AK-se qe pse ajo mbeshtetet tek lidhjet universale dhe nuk perfaqeson nje ze ideal jashte normalitetit ne çeshtjet e sportit, por ta kritikosh pse ka kritikuar kryeministrin, i cili per me teper nuk ka kurrfare lidhje me ‘zerin ideal’ ne çeshtjet e sportit, do te thote thjesht t’i japesh Berishes nje mbrojtje qe ai s’e meriton, duke pare sportin nen kryeministrimin e tij 8(-13) vjeçar.

          Deklarata e AK-se, nxjerr zbuluar demagogjine e Berishes ne çeshtjen kombetare, duke u bazuar tek nje e vertete ne lidhjet praktike te sportit me politiken.

          Ne boten reale te referimit, AK-ja eshte ne rregull dhe Berisha i gabuar, ne boten ideale te referimit AK-ja eshte e gabuar dhe Berisha ne rregull.

          Por eshte pak si teper komode t’i besh thirrje botes ideale te referimit kur vjen puna tek çeshtjet politike, si e thashe me lart eshte sikur te kesh te drejte t’i gjuash kundershtarit poshte brezit, çka ne sport eshte e pandershme.

  5. Përdorimi i kombëtares së futbollit për qëllime politike kushedi do të mund të përligjej, nga pikëpamja e përdoruesve, sikur kjo kombëtare të kish ndonjë farë rezultati për të qenë, ndonjë gjë për t’u mbajtur mend, ndonjë gjest heroik për t’ua dhuruar turmave.

    Përndryshe, të politizosh ndeshjet dhe interesin për një kombëtare futbolli që nuk shkëlqen për asgjë, është kundërprodhuese – e rrit frustrimin e njerëzve, veçanërisht të atij takëmi njerëzish që e shohin dhe e gjejnë veten të organizuar në shkallët e stadiumit dhe ku, për fat të keq, japin gjithçka më të keqe nga vetja: përdhuninë, racizmin, ksenofobinë, urrejtjen për tjetrin, idiotizmin.

    Aq më qesharake është t’i shndërrosh ndeshjet e kësaj kombëtareje mediokre në manifestime të kombëtarizmit, me flamuj dhe koreografi kuqezi, dhe me protagonistët që fillojnë e ndihen me peshë në zhvillimet politike dhe, mosozot, historike të vendit.

    Futbollistët le të luajnë futboll dhe të kënaqin publikun e tyre; kur pasurohen shumë, le të merren me bamirësi të ndryshme, qoftë edhe brenda fushës futbollistike; por futbolli dhe politika nuk mund të takohen veçse në llucë.

    1. “Përdorimi i kombëtares së futbollit për qëllime politike kushedi do të mund të përligjej, nga pikëpamja e përdoruesve, sikur kjo kombëtare të kish ndonjë farë rezultati për të qenë, ndonjë gjë për t’u mbajtur mend, ndonjë gjest heroik për t’ua dhuruar turmave.”

      Po Xhaxha, e kemi nje rast te tille : Barcelona.
      Ja nje video se cfare ndodh ne mes te nje El Clasico me Realin.

      [youtube http://www.youtube.com/watch?v=itO_AwaJlj8&w=560&h=315%5D

      Tani, besoj se biem dakort bashke qe edhe kjo nuk mund te perligjet, apo jo ?

      Aspekti i meritave sportive ketu del ne plan te dyte, nuk ka pike relevance. Si fanatiksat e Laprakes ne Qemal Stafa, edhe katalanet e Barcelones ne Camp Nou, shprehin haptazi nje qendrim politik ne stadium, duke e shfrytezuar kete te fundit per arsye jashtesportive ; i drejte apo jo ky qendrim eshte tjeter gje.

      A duhet te ndodhe keshtu ? Idealisht jo, dakort me Pishakun.
      Vetem se duhet te kuptojme edhe qe, ne nje rast te tille hipotetik, edhe futbolli vete nuk do kishte peshen qe ka sot.

      1. E kisha thënë – nga pikëpamja e përdoruesve. Edhe ti edhe unë e dimë se politika kërkon të përdorë gjithçka që mundet; dhe këtu futbolli nuk përbën gjë përjashtim; por të paktën të kishim një futboll për të qenë, siç e ka Barcelona.

        1. Hidhu xha xha, si hidhen 100 mije aksioneret e Barcelones, qofte ne stadium duke blere bileta e qofte duke paguar borxhet e Barcelones me leket e veta.

          8 milion shqiptare nga nje kuote sipas te ardhurave, per te çuar Kombetaren ne majat e futbollit.

  6. Panem et circense, eshte thirrja e famshme e Juvenal-it, qe ai perdor kunder degjenerimit te epokes se tij, kesaj “turme te Remusit”, sic e quante ai.

    Per ta kuptuar me mire idene mbas ketyre fjaleve, te cilen shume historiane e shohin si denoncimin me te hapur republikan te epokes, paragrafi i fjaleve do lexuar i plote:

    ” Tani qe asnje nuk i blen me votat tona, publiku prej kohesh ka hequr dore nga preokupimet e tij; njerez qe dikur zgjidhnin ata qe komandonin, konsuj, legjione, apo cdo gje tjeter, tashti nuk perzihen me, por kane nje deshire te ankthte vetem per dy gjera: buk dhe cirk…”

    Ne kohen e Claudius-it, Roma kishte 159 dit pushime zyrtare ne vit, nga te cilat 93 i kushtoheshin lojrave te ndryshme, te gjitha keto me shpenzimet e shtetit.

    Por meqe jemi tek Juvenali, e me shpresen se Pishaku nuk do ta keqkuptonte nje diversion te vogel ( megjithese e pare nga nje kend tjeter, ka lidhje me procesin se si njerezit transformohen ne “turma” te Remus-it ( apo edhe te shqiponjit – sic e permend Xhaxhai diku tjeter), diku me ra te lexoja reagimin plot me mllef te dikujt qe kish derguar nje perkthim te Satirave te Juvenal-it per tu upload-ur ( si mund te perkthehet kjo ne shqip?) ne ebooks ne Amazon.
    Amazon e kish refuzuar duke argumentuar se Juvenal nuk eshte nje autor i konfirmuar. Dhe se gjithashtu autori nuk mund te kete vetem nje emer. Por duhet te kete edhe mbiemer .
    Mbas disa ditesh ai merr nje email tjeter, kete radhe nga departamenti qe merresh me prodhimin e kapakut te (e)librit, me te cilen i terhiqesh vemendje se emri i autorit ishte i shqiptuar gabim . Nuk shkruhet dot Juvenal.

    I do shtuar nje –e- ne fund… tha.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin