GISHTI I STATISTIKËS

statistika per njerezitStatistika publike ka gjithnjë lidhje me demokracinë. Kjo e vërtetë e vjetër, meqë shumë vende e kanë diskutuar me kohë rolin e statistikës në shoqëritë moderne, duket sot tejet aktuale për Shqipërinë. Thelbi i shkrimit të Xhaxhait, për censusin e fundit, më duket se shkon përtej pavarësisë dhe autoritetit të Institutit shqiptar të statistikës, sepse lidhet drejtpërdrejt me qëndrimin tonë ndaj institucioneve.

Përse kanë rëndësi numrat, përqindjet, pyetësorët, vlerësimet, grafikët, që nxjerrin periodikisht institutet statistikore? E thjeshtë: sepse në bazë të tyre veprojnë qendrat vendimmarrëse të shoqërisë, orientohet opinioni publik, ndikohet ekonomia, lëviz politika, e kështu me radhë. Shembulli që jepet në artikullin e lartpërmendur është tejet elokuent, por mund të merren edhe të tjerë që shkojnë përtej instrumentalizimit fetaro-politik. P.sh. le të marrim papunësinë. Në rast se shifrat e Institutit të statistikës, të çfarëdo vendi, tregojnë se papunësia është rritur, qeveria nuk mund të rrijë duarkryq, por duhet të marrë menjëherë masa për ta rregulluar prirjen e verifikuar. Në këtë kuptim, të dhënat e Instat-it rezultojnë përnjimend të vyeshme për qeverinë.

Mirëpo rregullat e lojës politike thonë se të dhënat e supozuara më sipër mund të bëhen armë e hatashme në duart e opozitës, e cila do të nënvizojë gabimet e mazhorancës në lëmin ekonomik. Mirëpo, politika e një vendi, edhe pse perceptimi në Shqipëri është absolutisht i përndrydhur, nuk bëhet vetëm nga qeveria qendrore, por edhe nga entet vendore, të cilat mund të ndërmarrin nisma kundër papunësisë në lokalitetet përkatëse. Vetë shoqëria civile, sikurse organizmat ndërkombëtarë, mund të promovojë veprimtari për nxitjen e punësimit.

Janë po ato rregulla loje që do ta bënin qeverinë të mburrej e opozitën të bënte mea culpa, në qoftë se statistikat do të dëshmonin për uljen e papunësisë. Përparësitë do të ndryshonin e vëmendja e politikës do të drejtohej gjetiu, atje ku dhemb dhembi i shoqërisë. Në këtë kuptim, është në të mirën e të gjithëve që statistika publike të thotë të vërtetën, sikurse është në të keqen e të gjithëve kur gënjen. Manipulimi ose keqmenaxhimi i statistikës dëmton interesin kombëtar, sepse depiston vëmendjen e publikut, edhe pse mund të sjellë ndonjë votë në kuti për ndonjë parti të caktuar.

Nga ana tjetër edhe vetë institutet statistikore (këtu është fjala për ato me funksion publik, jo institutet private) janë të interesuara të krijojnë marrëdhënie besimi me opinionin publik, duke u sjellë si institucion, pr ai pavarur, e jo si fondacion partiak. Në fakt, institutet e tilla në botë frymëzohen nga parime etike të larta kur prodhojnë statistika e/o parashikime për aspekte të ndryshme të shoqërisë, që jo gjithnjë janë të vakëta si numri i pajtimtarëve të telefonisë fikse, apo treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar. Ka statistika që prekin identitetin, ka të tjera që trajtojnë ekonominë e të tjera akoma që ngacmojnë moralin publik. Në të gjitha rastet, institutit duhet t’i interesojë njohja e temës së trajtuar, jo përdorimi i njohjes. Por kjo vlen edhe për shoqërinë e politikën shqiptare.

Është e qartë se në Shqipëri institucioni i statistikës publike – meqë për institucion bëhet fjalë – nuk e ka prestigjin që gëzojnë simotrat e veta në perëndim. E ndoshta me pa të drejtë, në disa aspekte. Gishtin nuk mund t’ua vësh vetëm ekspertëve ose drejtuesve të saj. Faj ka natyrisht edhe politika që e tërheq për mënge, e kushtëzon dhe e përdor atë, faj ka edhe opinioni që e pranon këtë dukuri të dëmshme në perspektivë për të gjithë. Kam frikë se humbja e besueshmërisë nuk rikuperohet shpejt, ngaqë paragjykimet ndaj punës së këtyre institucioneve do të vazhdojnë gjatë, edhe kur ta pasqyrojnë realitetin më së miri e me standardet metodologjike më të larta.

Me fjalë të tjera, jo vetëm statistika publike me shifra e përqindje, por edhe qëndrimi ndaj saj përbën pasqyrën e një vendi.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin