E-POSTIERËT

posta-elektronikeA mund ta konceptojmë jetën sot pa postën elektronike? Pothuajse e pamundur. Edhe kur nuk kemi asnjë adresë elektronike, jemi të rrethuar nga njerëz që shqiptojnë ose shkruajnë shenja e fjalë të çuditshme: @, gmail, hotmail, yahoo, etj. Përdorimi i e-mailit po rritet vrullshëm dita ditës në Shqipëri e kudo në botë. Falë faktit që është falas, por jo vetëm. Adoleshentët hapin një adresë çfarëdo, porsa mësojnë t’i bien tastierës së kompjuterit; të rriturit e kanë postën elektronike prej kohësh, por marrin adresa të reja sapo firmosin divorcin; të moshuarit, edhe kur duan të shijojnë vetëm stolin në lulishte, gjenden me dy adresa elektronike të aktivizuara nga nipi e mbesa njëkohësisht.

Pas shumë vitesh përdorimi e shpërdorimi të e-mailit mund të bëhet një bilanc i përdoruesve të këtij mjeti që po karakterizon epokën tonë. Të bindur se galeria e postierëve modernë është edhe më e pasur, po i ndajmë sipas tipologjisë, me shënimin se çdo referim është krejtësisht i rastësishëm përveç rasteve autobiografike.

Standardi – përdoruesi standard i postës elektronike ekziston vetëm në manuale, ose në udhëzimet e serverit të postës. E përdor e-mailin me kujdes, vetëm kur duhet e sa duhet, duke respektuar privatësinë. Në shoqërinë njerëzore kjo figurë është si njëbrirëshi, thuhet se është parë diku por nuk dihet nëse jeton përnjimend.

Ekzistencialisti – dërgoj e-mail, ergo sum. Kjo është filozofia e atyre që po nuk dërguan disa e-maile në ditë nuk e konsiderojnë jetë jetën që jetojnë. Kur në postën elektronike nuk vijnë mesazhe fillojnë krizat e para ekzistencialiste. Përse nuk më shkruajnë? Përse kjo heshtje? Cili jam unë? Ekzistencialisti gëzohet kur i vijnë edhe mesazhe spam, kurse mesazhet me virus i hap vetëm për t’u ndjerë i gjallë nga adrenalina e rrezikut të mundshëm.

Përcjellësi – është ai që subjektin e mesazheve e ka gjithnjë të shënuar me shkronjat “fwd” që tregojnë përcjelljen në anglisht. Dallohet nga mungesa e fantazisë, është ndërmjetës jo krijues, divulgator jo origjinal. Në vite nuk ka mësuar si ta ndryshojë objektin e mesazheve, pa kuptuar që del disi shëmtuar kur bën vetëm aktin e përcjelljes.

Dekonspiruesi – duket sikur nuk ekziston, por herët a vonë del në skenë. Është ai që nuk di ta përdorë funksionin e fshehjes së marrësve të mesazheve (BCC, blind carbon copy – kopje informuese e fshehtë). Ti bën gabimin e pafalshëm t’i dërgosh një mesazh nga adresa jote personale, ose atë të punës, që e mban xhelozisht të fshehtë që mos ta përmbytim me plehra e njoftime çfarëdo, ai ta fut adresën si kopje informuese (CC) në një mesazh për Miss Albania, Festivalin europian, ose tortën e pavarësisë, bashkë me gjithë shqiptarët që jetojnë në Ballkan e më gjerë.

Indiferenti – ka një raport të ftohtë me postën elektronike. E hap rrallë e për mall. Mesazhit tënd i përgjigjet pas një muaji, i bindur se po të bën figurë të mirë me shpejtësinë e tij. Sa herë që hap faqen e postës i duhet të kujtojë ID-në e fjalëkalimin, që e mban në portofol, afër kartëvizitave e kartëmonedhave.

Nostalgjiku – nuk haset kollaj por ekziston në natyrë. I lexon e-mailet, zakonisht me ndihmën e djalit, ose nipit, por pastaj të kërkon adresën tënde të shtëpisë e të përgjigjet me letër të shkruar. Ndonjëherë edhe me stilograf.

Monotoni – ende nuk e di që marrësi i postës e dallon fare mirë dërguesin. Nuk ka nevojë të prezantohet sërish. Ai në vend të subjektit shkruan “nga Filani”, pastaj në mesazh përsërit: “Jam Filani që po të shkruan”. Në fund nuk harron të firmoset me emër e mbiemër.

Grafomani digital – nuk duhet ngatërruar me ekzistencialistin, sepse nuk shkruan për të afirmuar vendin e vet nën këtë qiell. Ai shkruan se dëshiron të shkruajë, dërgon mesazhe se i pëlqen të dërgojë. E-mailet për këtë person janë marihuanë, kokainë, viagra, pije alkoolike, të marra së bashku. Ndonjëherë përfundon në filtra, si dërgues i bllokuar, sepse sistemi e merr për postë të bezdisshme (spam). Është një nga rastet e pakta kur sistemi nuk gabon.

Celebrativi – ndryshe nga grafomani, ky e përdor postën elektronike vetëm me raste festash. Dërgon kryesisht kartolina virtuale për vitin e ri dhe urime për datëlindjen. Së fundi, postën e hapi gjithashtu me rastin e festës së pavarësisë.

Koleksionuesi – është ai që ka dhjetëra adresa e-mailesh. Sapo del një server i ri ai hap llogari të re. Ka përqasje fetishiste me adresat e postës elektronike, i pëlqen të ketë shumë adresa edhe pse i përdor rrallë ose kurrë.

Profesionisti – adresat elektronike ky i mban rreptësisht të ndara. Ajo e punës është për punë, ajo personale është për komunikime të ndryshme, ajo për “atë” është vetëm për arsye sentimentale.

Spastruesi – ky gjendet pothuajse në çdo përdorues e-maili, por kur e hap postën vetëm për ta shtypur butonin “delete” (fshije) merr pamjen dhe rolin e terminator-it të mesazheve elektronike. Kënaqësia e fshirjes ndalet vetëm kur gabon. Mënyrën për ta nxjerrë mesazhin nga koshi i plehrave nuk e njeh, ndaj mërzitet përkohësisht. Derisa fillon të luajë sërish me butonin fatal.

Harraqi – është figurë e vjetër që shfaqet në kohëra moderne. Vuan nga amnezia virtuale sepse nuk kujtohet kurrë ta hapë postën për të lexuar mesazhet. Është tmerri i kutive të e-postës, të cilat rezultojnë gjithnjë plot e nuk nxënë as mesazhet urgjente e të lehta. I vjen ndër mend për e-mailin kur e takon rrugës dhe e pyet nëse e lexoi postën që i dërgove dy javë më parë. Aty kujtohet se ka dy vjet që nuk e hap.

I përpikti – është ai përdorues i e-postës që i përgjigjet të gjitha mesazheve që i mbërrijnë. Madje edhe atyre që gjenerohen automatikisht nga serverët anonimë, deri edhe atyre që të thonë shprehimisht: nuk duhet t’i përgjigjesh këtij mesazhi (no-reply).

Bashkëlidhësi – nuk dërgon mesazhe me internet në qoftë se nuk bashkëlidh diçka. Zakonisht bashkëlidh arkiva të tërë, që mezi mbahen e dërgohen nga postat. Të gjitha mesazhet e bashkëlidhësit fillojnë kështu: “Po të bashkëlidh…”.

Fanatiku – me lindjen e postës elektronike ky ka eliminuar çdo mjet tjetër komunikimi. Nuk shkruan letra me dorë, nuk telefonon, nuk thërret me video, nuk dërgon sms, nuk flet me gojë. Dërgon vetëm e-mail. E kap paniku kur shërbimi i postës pëson avari.

Fjalëpaku – është ai që e përdor e-postën në vend të celularit. I bie shumë shkurt. Më shkurt se cicërimat. Në fakt nuk kuptohet përse nuk përdor sms-të e zakonshme. Ndonjëherë shkruan e-mail me titull më të gjatë se vetë mesazhi.

Enigmatiku – ky të dërgon rregullisht e-mail pa e shkruar subjektin (temën, lëndën). Arsyet nuk dihen, ndoshta ka alergji ndaj titujve, ndoshta nuk e di që mesazhet mund të kenë subjekt, ndoshta e ka nga përtacia… Fakti është se të kërkosh një e-mail të dërguar prej tij, d.m.th. pa subjekt (subject) është njëlloj sikur të kërkosh gjilpërën në kashtë.

Deleguesi – nuk di ta administrojë postën e vet elektronike. Nuk di ta hapë, ta shfletojë, të shkruajë. Gjithshka ia lë djalit, vajzës ose gruas (kur e ka të re). Po të jetë i pushtetshëm ia lë sekretares. Deleguesi i kërkon të printuara e-mailet, përndryshe nuk di t’i lexojë në ekran. Mesazhet që mund të marrësh prej tij s’janë gjë tjetër veçse përkthimi digital i letrës që ka shkruar me stilograf. Deleguesi duket demokrat, plot mirëbesim, por i tillë nuk është.

Estetiku – i jep më rëndësi formës se përmbajtjes. Mesazhet i ka me sfonde, imazhe, emotikone, pamje të animuara, ngjyra të bukura, por përmbajtja lë për të dëshiruar; kur ekziston, natyrisht.

Në qoftë se më sipër nuk e gjen veten, ose ndonjë mikun tënd që të bombardon me postë elektronike, je i lutur ta shtosh vetë kategorinë ku bën pjesë.

Nuk ka komente

  1. Në qoftë se më sipër nuk e gjen veten, ose ndonjë mikun tënd që të bombardon me postë elektronike, je i lutur ta shtosh vetë kategorinë ku bën pjesë.

    Jo jo, aty jemi… aty jam edhe unë. Por jo vetëm në një.

    Por një gjë më bën përshtypje. Nuk e kam kritikë, më tepër është një “problem” edhe personal me përshtatjen dhe gjetjen e termave, sidomos të këtij.
    Koncepti “divulgare” nuk mund të zëvendësohet me një të tipit “tellallis”, apo “përpalloj” apo “përhap”.
    🙂

  2. Nuk e di a duhet shtuar si e-kategori e vecante nje shoku im ne Ugande, diku, qe me nis periodikisht oferta per te vjele bashkerisht 1) trashegimine e shefit te vet te aksidentuar me gjithe avion, vetem pak muaj me pare (vijon linku i lajmit nga BBC-ja), 2) bilancin e mbylljes se nje miniere diamantesh ne Lesotho – perfshire stokun, 3) pensionin e akumuluar ne bankat zvicerane te te ndjerit shkelqesi, babait te tij, ish-minister i jashtem c’prej dekolonizimit, e ku e di sa oferta te tjera qe, te pakten si tekste, nuk kane te paguar me para, kaq me fusin ne ‘trip’, si i thone kosovaret, me kredhin me baseta neper filma franceze te ’70-s, nga ata me aktore dhe muzike italiane. Domenthene ketij shokut i duhet thjesht nje shtetas i huaj i besueshem, me sakte te dhenat i tij bankare, per te shmangur ca ligje diskriminuese ne Monako, Austri apo Liban, ku edhe duhen kryer transaksionet e nekrodollarit: ngaqe nuk i kam kthyer ndonjehere dot pergjigje, nuk kam kuptuar mire “pse pikerisht une”, po eshte kujdesur vete tjetri te ma beje me dije se emrin, apo profilin tim, e ka zgjedhur me kujdes neper zyra keshillimore.

    Kohet e fundit, i intriguar nga heshtja ime e pashpirt ne vite, ka nisur te me shkruaje ne gjini femerore: “I dashur zoteri, pershendetje! Une qe ju shkruaj jam Hafsatou Dinkenba, vejusha e te ndjerit ….” – vijon linku.

    Cka me premtohet eshte akoma me paftyresisht eksituese. Nuk rezistoj dot pa nxjerre nga sirtari syzet e zeza, per ta shpene leximin deri ne fund.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin