NUSJA GREKE E PAVARËSISË (III)

Julius

Për Ismail Qemalin u gjend një artikull në të cilin flitet sesi ky ka nënshkruar një marrëveshje me palën greke dhe aty shkruhet ndër të tjera se “Grekë dhe shqiptarë pa dallim feje jemi vëllezër, dhe miq, kemi interesa dhe rreziqe të përbashkëta”. Por, gjestet “anti-shqiptare” të Ismail Qemalit nuk mbarojnë këtu. Gjatë kohës që qëndronte në Bruksel (viti 1901), Plaku i Vlorës botonte një gazetë periodike e emërtuar  “Selamet” (Shpëtimi). Gazeta ishte tregjuhëshe, në shqip, turqisht dhe greqisht. Arsyen se pse botohet kjo periodike në greqisht, “anti-shqiptari” Ismail ka gojë dhe e thotë vetë: “Vendosëm botimin në greqisht, me qëllim që helenizmi të njohë më mirë çështjen shqiptare, dhe mendimet dhe qëllimet tona duke u bërë pjesë e jetës publike (në Greqi) të japim shkas që populli grek i një gjaku të gjykojë mbi dëshirat dhe vlerat e shqiptarëve me më shumë qartësi”. Akoma më tej në një prej publikimeve ai gjithashtu shkruan: “Ne shqiptarët dhe grekët, duhet të përpiqemi (…) për të drejtat e përbashkëta, kur të vijë dita”.

Disa gabime të Ismail Qemalit janë se helenizmin e konsideron jo vetëm identitet të banorëve të Greqisë së atëhershme, por me kufij më të gjerë. Ndërsa gabimi tjetër është që popullin grek e konsideron të një gjaku me shqiptarët. A nuk thotë njësoj Aristidh Kola, kur akoma shkon deri në Kosovë dhe shprehet se “ne (grekët), me ata jemi vëllezër”? Për ta bërë akoma më të qartë kontekstin historik në të cilin Ismail Qemali shkruan dhe thotë se grekë e shqiptarë “janë të një gjaku”, duhet të shkojmë nëpër mend se shumica e atyre njerëzve që realizoi revolucionin grek dhe i dha kësisoj pavarësinë Greqisë, ishin arvanitë. Apeli i një-gjakësisë në këtë kontekst merr kuptim. Akoma më tepër kuptim merr, nëse dikush njeh Anastas Kulluriotin – arvanitin e Greqisë që botonte periodiken Η Φωνή της Αλβανίας (Zëri i Shqipërisë), në mes të Athinës dhe që në vitin 1879. Mirë, gabimin e dytë të një-gjakësisë, stërnipërit e vet për shkak të kontekstit historik, mundet edhe t’ia falin. Po gabimin e parë? Helenizmi përtej trojeve të Greqisë së atëhershme? Sigurisht. Pa përmendur grekët e Azisë së Vogël, ata në zonën e Maqedonisë, qytetin e Selanikut e me rradhë, grekë kishte dhe në Epir. Për kohën në të cilën flasim, Greqia nuk kishte këto kufij që ka sot.

Dora D’Istria, dukesha e familjes tashmë rumune Gjika, e konsideruar me prejardhje shqiptare, ka qënë një figurë e rëndësishme e Rilindjes. Të paktën sipas historiografisë kombëtare. Ajo që burimet e informacionit në shqip rëndom fshehin, qëndron në faktin se mbështetja prej Dorës e kauzës kombëtare shqiptare, bëri që familja e saj ta mohonte atë. Nëse i lexojmë jetëshkrimin (në  sajtin kushtuar gjithë familjes së saj ghyka.com), aty do të gjejmë një grua rebele, antikonformiste, anti-estabilishment, jo kryeneçe po kryelartë, avokate e të drejtave të femrës, mendjehapur dhe shumë liberale për kohën e vet. Përveç çështjes shqiptare, Dora D’Istria ka qënë interesuar dhe për atë greke. Ka shkruar për revolucionin e Kretës të vitit 1866, ka shkruar për ishujt e Jonit, për këngët popullore greke, dhe madje është nderuar prej Parlamentit grek të asaj kohe me titullin e Qytetares së Nderit. Titull që vetëm tre femra e kanë marrë. Të mos harrojmë faktin që kjo grua e degjeneruar, u nda dhe nga burri, përveç proçkave të mësipërme. Por seriozisht, si këtë personalitet e kanë shndërruar në fetish kombëtar? Është si të duash të fshish me mëndafsh xhamat e makinës. Një femër moderne shqiptare, feministe, duhej që ta kishte idhull, inspirim, burim frymëzimi.

Devocioni dhe këmbëngulja në shpalljen e Pavarësisë prej gjithë pjesëmarrësve në të, ishte një akt në thelb renegat, heretik, anti-konformist, rebel dhe reaksionar ndaj parive të kohës. Si ndaj Portës së Lartë, ashtu ndaj dogmës së vjetëruar të kishës. Si mund të kuptohet ndryshe kundërvënia ndaj Perandorisë Osmane i një ish ministri të saj, siç ishte Ismail Qemali? Dhe ky nuk ishte i vetmi. A mos vallë nuk ishin nëpunës administrate të asaj perandorie po ashtu vëllezërit Frashëri? Po Isa Boletini? Meqë institucionet ndaj të cilave u kundërviheshin ishin të prapambetura, akti i Pavarësisë si sipërmarrje, do mund të kryhej me sukses, vetëm prej njerëzve Iluministë. Gjithashtu romantikë, idealistë, renegatë, heretikë. Ku fshihet kjo frymë e këtyre njerëzve?

Ëmbëlsira në fund. Theofanis Mavromatis. Ky është emri i lindjes që do i gjenit në regjistrat e kohës, atij personaliteti të shquar, ndoshta të vetmit dhe të paarritshmit në arealin e kulturës shqiptare. Fan Noli nuk dinte të shkruante shqip, përderisa vendlindja e tij, vërtet kishte qenë aksidentale. Por dhe e gjymtuar kishte qenë shqipja e atëhershme. Shqipërinë dhe shqiptarinë i mësoi në koloninë shqiptare në Egjipt. Fan Noli shkruante dhe greqisht, përpara se të njihej me përmasën e vet kombëtare. Në Egjipt kishte shkuar si mësues i greqishtes, parësisht. Fan Noli greqisht shkruante në “dimotiki”, gjuhën e sotme neogreke. Ishte ajo formë që për konservatorët atëherë konsiderohej “e degjeneruar” se ata përdornin “katharevusa”, ndërsa për përparimtarët si “frymë e re”. Në të njëjtën formë shkruante dhe Psallidas, filozofi i famshëm epiriot i lidhur me Zosimean. Këtë gjuhë që shkruajnë dhe flasin grekët e sotëm. Këtë gjuhë shkruante Noli, për të na bërë të ditur frymën e vet përparimtare. Nuk do mundej kush tjetër, nëse nuk e konsideronte veten përparimtar që të ndriçonte një komb të tërë.

Hidhuni një sy ndonjëherë nëse mundeni, gjithë atyre Rilindasve që janë marrë me gjuhën shqipe. Sidomos atyre që kanë vepruar në kufijtë që sot pak a shumë ndajnë Greqinë me Shqipërinë. Nuk duhet të bëj gjë tjetër, mjaft të sjell listën e nxënësve të Zosimeas. Akoma dhe ata që nuk janë përmendur aty, Koto Hoxhi, Pandeli Sotiri, Petro Nini, Jani Vreto. Të gjithë janë njohur me dijen nëpërmjet institucionesh të hapura dhe financuara nga Epiriotët me ndërgjegje greke, nga Arsache, Sinas, Zografos etj. Madje shumica e këtyre Rilindasve përpara se të ishin mësues të shqipes, kanë qënë mësues të greqishtes.

Gati të gjithë, kanë pasur të njëjtin rrugëtim, shpirtëror do denjoja ta quaja. Janë njohur me dijen nëpërmjet regjistrit të gjuhës greke, dhe pas kësaj, këtë regjistër të njohur e kanë përkthyer në shqip. Historia e gjuhës shqipe, do të ishte kështu, një histori përkthimi. Përkthimi mendor, ideor, përkthim idealesh. Do të ishte gjithashtu dhe një histori gjakimi. Dhe përzgjedhjeje. Midis hakmarrjes dhe dëshirës për të ditur.

Atëherë, çfarë ka ndodhur? Nëse e përkthejmë konfliktin si fetar, ia mohojmë peshën ungjillore mesazhit universal dhe ndriçues të Rilindjes. Me një qiri e simbolizonte veten Naimi, “Nelko” (Krishtbartës) e quan veten Kristoforidhi, dhe më ungjillori prej të gjithëve, ka qënë Petro Nini.

Nëse konflikti do të quhej parësisht etnik, atëherë do të hidhej poshtë marrëdhënia e veçantë me grekët. Të cilëve Rilindasit nuk u mohonin as racën (martuar me ta), nuk u mohonin as gjuhën (e kishin mësuar atë), nuk u mohonin as kulturën, as trashëgiminë. Por të gjitha këto, i donin në shqip. Shqiptaria e Rilindasve pra, ishte një proces i përftuar nëpërmjet dijes, ndërgjegjësimit.

Po flasim për grekë, akoma dhe për mite – ja ku është, miti modern i Prometeut.

(fund)

Nuk ka komente

  1. Te verteta keto qe thua. Shqiptaret gjithmone e kane njohur dhe e kane vleresuar Greqine, greqishten dhe greket.
    Por harrove te shtosh se kane qene greket ata qe nuk e kane njohur te drejten e shqiptareve per gjuhe, komb dhe shtet.
    Ja pikerisht kjo ka ndodhur.
    Meqe permende disa rilindes, lexo letren qe Naum Veqilharxhi i shkruan (ne greqisht) te nipit, pastaj po pate kohe hidhi nje sy vepres se Petro Nini Luarasit “mallkimi i shkronjave shqipe”, apo “kryengritjes shqiptare” te Mihal Gramenos. Te permend keta, sepse nuk kane qene studiues ne sherbim te politikave irredentiste shqiptare apo akademike manipulues te historise, por deshmitare te gjalle te ngjarjeve. Kjo sa per fillim! Pastaj po te duash, hidhemi nga ana greke e shohim se ç’kane shkruar e ç’kane punuar ata.

    1. Shqiptarët e atëhershëm, po. E kanë vlerësuar. Të sotmit jo dhe aq. Madje, për mendimin tim, (pedant deri në këtë moment), ajo arroganca shoqëruar me injorancën që i karakterizon shqiptarët sot, dhe që ti e shprehe tek tema e mëparshme, ka lidhje me refuzimin e pranimit të ndikimit prej fqinjëve (grekëve në këtë rast). Sepse në rast se ia mohon vetes ndikimet, atëherë bëhesh i vetë-mjaftueshëm. Detyrimi për ta parë ngjarjen pozitivisht, erdhi përmes një zbulimi që më bëri të jap një version se çfarë ka ndodhur aso kohësh në Epir. Epirotët bamirës, me ndërgjegje greke, kishin hapur shumë shkolla në greqisht. Në Qestorat ishte njëra (Zografeion), pastaj kishte në Përmet, Arsakeio, ka pasur në Labovë (Zhapa), dhe ishin pikërisht këto shkolla ku mësohej greqisht, që i bënë, apo i nxitën shqiptarët të mësonin shqip. Këtë e pranon Petro Nini vetë, tek “Mallkimi”. Mua kjo më duket shumë më interesante sesa të flas për pengesat e mundshme nga qarqe greke, apo të kishës. E kam fjalën tek një lloj antagonizmi pozitiv me fqinjët, që krijoi një traditë të tërë të letrave shqipe.

      1. Natyrisht qe ka pasur ndikime. Pergjithesisht intelektualet dhe rilindesit e jugut i kishin kryer shkollat ne Greqi, sikurse intelektualet e Veriut i kishin kryer shkollat ne Itali, France e Austri. Nuk besoj se ka njeri qe e mohon kete fakt. Ti shkrove me pare per gjimnazin “Zosimea” qe ishte nje nga vatrat e rrezatimit te kultures dhe te ideve perendimore jo vetem per Shqiperine, por para se gjithash per vete Greqine dhe Turqine. Vertet greket e shkolluan Petro Ninin, por pasi ky zuri te shkruaje shqip, i punuan gjemen, derisa e hoqen qafe fare. Qendrime te tilla nuk paten kurre as italianet e as austriaket, por vetem greket.
        Me fjale te tjera, greket thoshin: “une te nxora nga shpellat, te mesova shkrim e kendim, te bera njeri, madje gati-gati sa s’te bera grek, ndersa ti, ne vend qe te ma shperblesh duke punuar per mua, i bie hasha gjithe ketyre te mirave dhe ma quan veten shqiptar e te eshte ngritur mendja te behesh i barabarte me mua, komb me vete, me gjuhe te shkruar me vete, me shkolla e madje me nje shtet tendin!
        Ky eshte thelbi i problemit me greket dje dhe sot.

        1. Më duket me interes të pyesim, tani pas më se një shekulli, nëse prania e një Greqie të pavarur dhe aktivisht anti-osmane në Jug e ka ndihmuar, apo e ka penguar objektivisht programin e Rilindjes sonë kombëtare. Kjo s’ka të bëjë shumë, besoj unë, me veprimtarinë antishqiptare të klerit grek ortodoks mes shqiptarëve ortodoksë të Jugut.

          1. Zotni, a me te vertete nuk e kuptoni qe pengese behen ndjenjat shume te thella pro-ottomane te shqiptareve? Ne vitin 1878 kur vendet ballkanike perpiqeshin te lidhnin aleance midis tyre per t’u cliruar nga pushtimi ottoman, shqiptare bashkonin forcat me ottomanet, “sepse garantimi i teresise territoriale te Perandorise Ottomane, garantonte ne menyre indirekte teresine territoriale te Shqiperise”, ne Lidhjen Islamike te Prizrenit. A i shkon kesaj ajo fjala e urte se “per inat te sime vjehrre shkoj dhe fle me mullixhine”.

        2. Realisht, mohimi i këtyre fakteve u bë shkak për shkrimin tim. Apo më saktë, fajësimi prej këtyre fakteve. Kisha lexuar nëpër blogje se Ismail Qemali “fajësohet” ngaqë nënshkruajti marrëveshje me grekët, apo edhe vigani i kulturës kombëtare, Noli, se nuk ka ditur të shkruajë shqip. E kam fjalën që, dashur pa dashur, nëpërmjet mediave, sillen artikuj që shpjegojnë fakte, apo tema të veçanta por dija e përgjithshme apo e trashëguar mbi to është e mangët dhe sjell konfuzion. Unë u mundova të bëj një përqasje sistematike. Pra një shpjegim të marrëdhënieve shqiptaro-greke të asaj kohe. Dhe realisht, kjo çështje, mbi zonën e Epirit të asaj kohe dhe përplasjes kulturore, më duket jashtë mase intriguese për hulumtime më të thella.

          Ti thua më tej se “grekët e shkolluan Petro Ninin”, në fakt e kam të vështirë ta shoh në mënyrë monolitike këtë punë me grekët. Dhe ta shpjegoj sepse. Petro Nini u shkollua në shkollën e Qestoratit (Lunxhëri, Gjirokastër), ajo shkollë nuk ishte hapur nga “grekët”. Ajo ka qënë iniciativë private e një banori të zonës së Qestoratit – pikërisht Kristaqis Zografos. Zografos ka qënë nga Qestorati po aq sa ishte dhe Koto Hoxhi andej. E megjithatë, afilacioni kulturor i të parit ishte ai grek, dhe i të dytit ai shqiptar. Tani unë gjykoj se iniciativa e Zografos ka qënë parësisht pozitive. Donte të akulturonte banorët e zonës së vet, me një kulturë i të cilës ka qënë bartës. Ai hasi në rezistencë prej Kotos dhe nxënësit të tij, Petros të cilët kërkonin të promovonin një tjetër kulturë.

          I pamohueshëm ka qënë roli dogmatik konservativ i kishës greke të asaj kohe, është me të vërtetë i turpshëm mohimi i kultivimit të gjuhës shqipe prej tyre.

          Ndërsa për italianët që thua, edhe këta kanë marrë iniciativa italianizimi. Kam një shok nga ishulli Kalymnos (pjesë e Dodecanese), dhe ky po më thoshte se italianët përgjatë viteve që kishin në zotërim ishullin (1912-1947), ndërmerrnin iniciativa italianizimi të banorëve, kërkonin domethënë që të kishin ndërgjegje italiane. Po këtë gjë e kanë bërë në Azinë e Vogël përgjatë asaj kohe, por pa sukses të dukshëm.

          Madje, me pushtimin e Shqipërisë, edhe Musolini ka patur iniciativë italianizimin tonë.

          Pastaj prepotenca dhe arroganca janë tipare fatkeqe të përbashkëta që i ndajnë ballkanasit me njeri tjetrin. Po do një sugjerim për këtë, të këshilloj të lexosh nga Nikos Dimou “Fatkeqësia e të qenit grek” (The misfortune of being Greek). Po nuk më duket se ky është thelbi i problemit me grekët.

          1. Marreveshja e Ismail Qemalit me greket e cila me shume se marreveshje ishte nje lloj “letre mirekuptimi”, nenshkruar kur ai ishte deputet ne parlamentin turk, nuk eshte zbuluar tani. Ajo eshte e njohur dhe e cituar nga nga historianet, sepse greket ia permenden Qemalit hapur ne konferencen ambasadoreve ne Londer ne vitin 1913. Eshte pjese e akteve te konferences. Tjeter gje se gazetat dhe gazetaret tane “zbulojne” perdite fakte dhe dokumente te njohura. Gjithsesi ajo “leter mirekuptimi” mund te kete ndikuar vertet ne percaktimin e kufijve tane te jugut. Ismail Qemali si diplomat ishte mesuar te negocionte. Pazare te tilla ne prag te krijimit te shteteve kane bere te gjithe. Kujtoj sa per shembull marreveshjen qe beri Konti Cavour me francezet per ishullin e Korsikes. Askush nuk e akuzon sot per ate marreveshje.
            Nje pyetje per kuriozitet:
            Nuk kam lexuar ndonjehere te pretendohet se Noli nuk ka ditur shqip. Kush e ka thene dhe ku e ke lexuar?

            1. Kam bindjen se kishte arsye shumë të forta që të kryhej një marrëveshje e përbashkët reale. Një arsye ishte popullsia e përbashkët në Epir. Si greke ashtu dhe shqiptare. Besoj se negociatat nga të dy vendet i përgjigjeshin nevojës që të mos derdhej gjak mes palësh.

              Shiko pika 4.

               Grekë dhe shqiptarë pa dallim feje jemi vëllezër, dhe miq, kemi interesa dhe rreziqe të përbashkëta. Programi ynë i përbashkët konsiston në evolucionin kombëtar të secilës racë në kufijtë e saj historikë, sa kohë që do të ruhet gjendja aktuale në krijimin e një atdheu shqiptar të lire dhe të pavarur dhe rindërtimin e vendeve greke në qoftë se ndonjëherë regjimi aktual politik do të zhdukej.

              Synimi ideal i marrëveshjes, do të kishte qenë një ndarje paqësore e kufijve në bazë mirëkuptimi.

              Dhe të marrim parasysh gjithashtu që:

              – Greqia ishte thyer në luftën e vitit 1897 nga Perandoria Osmane.

              – Ekzistonte frika e rrezikut bullgar, apo pansllav. Selaniku është bërë grek për një qime floku…

               

              Për Nolin, jo se nuk dinte të fliste, nuk dinte të shkruante shqip! E citon vetë këtë fakt kur thotë se e mësoi prej gazetës “Albania”.

              Kufijtë nga sa di unë, mes Greqisë dhe Shqipërisë, janë vendosur me komision. Realisht, kufijtë i ka vendosur Koto Hoxhi, Pandeli Sotiri dhe Petro Nini. Dmth ata që punonin në terren për ndërgjegjësimin e banorëve se ishin shqiptarë!

            2. Marreveshja per te cilen flet artikulli qe citon ti, eshte e botuar. Marreveshja qe iu permend Ismail Qemalit ne Londer e qe thuhej se kishte per objekt kufijte e jugut, nuk eshte botuar kurre. Ne aktet e konferences ajo u paraqit ne doreshkrim nga pala greke dhe ne aktet e konferences citohet fakti qe u paraqit, por jo teksti i saj. Sot ajo konsiderohet e humbur. Ka studiues qe thone se ajo nuk ka ekzistuar, por fakti eshte se Ismaili ne Londer nuk e mohoi ekzistencen e saj.
              Sa per Nolin, eshte normale te mos dinte te shkruante shqip qysh ne vogeli, sepse nuk kishte bere shkolla shqip. Nuk kishim ende nje alfabet te perbashket. Cilido qe vendoste te shkruante shqip, e bente kete sipas qejfit.

            3. “Kufijtë nga sa di unë, mes Greqisë dhe Shqipërisë, janë vendosur me komision. Realisht, kufijtë i ka vendosur Koto Hoxhi, Pandeli Sotiri dhe Petro Nini. Dmth ata që punonin në terren për ndërgjegjësimin e banorëve se ishin shqiptarë”

              Nuk eshte kaq e thjeshte sa ç’e ben ti. Puna e komisionit nderkombetar te kufijve, peripecite, ecejaket, intrigat, mashtrimet, presionet mbi popullsine vendase, vrasjet dhe masakrat ne terren gjate atij procesi, jane histori me vete.

      2. E c’lodh koken a derebardhe? Kot me kot, sikur do te marre vesh njeri? Tani qe kaluan 100 vjet, neper emisione, historiane e historiane, veshur alla frenga kuq e zi dalin e thone se “ka dokumente qe edhe Syrja Vlora me te birin, Eqremin i thoshin Malos se; ne nuk duam te ikim nga Perandoria”. Pa lene menjane se marreveshja e 22 janarit 1907 parashikon hapje te shkollave shqipe ne Jug me para te grekeve. Natyrisht ishin bejleret e Jugut, mylsimane qe kundershtuan marredheniet me Greqine dhe ketu vijme te lemi i pastudiuar i levizjeve demokgrafike qe ka imponuar Ali Pashe Tepelena, sepse eshte ky qe ne mos shqiptarine, e perforcoi elementin shqiptar, bukeshkale dhe harram ne te dy krahet. Te mos harrojme se edhe nje bythelepires si Faik Konica e akuzon Malon si “spiun te grekeve”. Kjo eshte historia jone. Sot kur mbushen barkun me buke filluan te lehin te gjithe. Me tha mire nje kepucar tirons: njeriu (kupto shqiptari) eshte si puna e qenit, leh aty ku i hedhin per te ngrene. Sa per pengesat e supozuara te kishes ne leme te gjuhes kombetare ne meshim, kushdo mund te lexoje librin e Dhimiter Bedulit “Gjuha shqipe ne Kishe”, ku flitet me fakte se ishin prifterinjte vendas dhe jo nje politike e mirefillte nga Patriarkana ajo qe i vuri ledh perpjekjeve per perhapjen e shqipes. Dhe kjo mund te perputhet fare mire me kujtimet e Sejfi Vllamasit, i cili tregon sesi familja Qafezezi ne Kolonje beri njeren per t’i vene shkopinj ne rrota Petro Luarasit dhe Shahin Kolonjes per gjuhen shqipe se sic e donte zakoni “nuk u bene keta zorrqelburit te hapin bucen ne keto ane, se komandojme ne”. Nuk i ka plasur njeriu bytha per kete vend, thjesht ka qene zenke fshati. Se na eshte treguar sikur komploti nis me alienet.

        1. Sa per pengesat e supozuara te kishes ne leme te gjuhes kombetare ne meshim, kushdo mund te lexoje librin e Dhimiter Bedulit “Gjuha shqipe ne Kishe”, ku flitet me fakte se ishin prifterinjte vendas dhe jo nje politike e mirefillte nga Patriarkana ajo qe i vuri ledh perpjekjeve per perhapjen e shqipes

          Ben mire qe ate fjalen ‘vendas’ ta zevendesosh me ‘greke’, e pastaj e sheh sa huq te del paragrafi.

  2. Shkrimi me siper eshte mitizues ndaj Rilindjes, dhe thjeshtezues i problemit, i cili per mendimin tim duhet te shihet si pjese e agjentures greke ne Perandorine Turke. Isa Boletini nuk ishte kunder Perandorise, por ishte fanatik pro rendit te vjeter.

    E gazeta ”Selamen” qe botonte “Plaku i Vlores” nuk perkthehet “Shpëtimi” por Paqja. Ve bast qe autori i ketij shkrimi punon ne ndonje institucion shteteror te Tiranes, ku punetoret e tyre brymosen me delirin e madheshtise te aventurierve, qe quhen Rilindas.

    1. (…) i cili per mendimin tim duhet te shihet si pjese e agjentures greke ne Perandorine Turke.

      haha.

      Ve bast qe autori i ketij shkrimi punon ne ndonje institucion shteteror te Tiranes, ku punetoret e tyre brymosen me delirin e madheshtise te aventurierve, qe quhen Rilindas.

      hahaha.

      Titullin e gazetës e rregullova në shkrim, emërtimi i duhur ka qënë “Selamet”.

  3. Ismail Qemali ishte diplomat, nuk ishte ideolog i Rilindjes.

    Ti vjen e i sjell llafet e diplomatit si me pas qene llafe ideologu. Kush xhanem e mban Ismail Qemalin per ideolog, ku e ke lexuar ?

    Zosimea ishte vater helenizmi, qe pati nje perqindje e cila nuk u helenizua por i doli kunder eshte krejt normale ne historine e shkollimit ne gjuhe te huaj.

    Edhe sot ke terroriste islamike qe jane diplomuar ne Perendim, madje ne Amerike apo universitete amerikane neper bote.
    Po , kjo nuk eshte se i ben universitetet amerikane apo perendimore, vatra te terrorizmit.

    Si ne te gjitha shkrimet, edhe kesaj radhe ngaterron kekun me byrekun.

    Xha xha, po te mos ish Greqia do ishin shkolluar gjekundi tjeter. Ajo eshte si puna e lumit, qe nje grykederdhje ne det do e gjeje, preferon rrugen me te shkurter, po nqs del ndonje vargmal para, nuk e ka problem t’i bjere perqark.

    Nje gje eshte e sigurte qe pa Greqine, ne do te kishim perveçse Pavaresine edhe Camerine.

    1. Pa Greqine nuk do te kishte Toskeri, e pa Toskeri nuk ka ideologji te Rilindjes sic e njohim sot. Zosimea eshte fermenti i ideve te Rilindjes e kete jo ti, qe je nje zero, por te dale kush te doje nuk e mohon dot. Edhe Voskopoja me heret eshte shembull i nje hapesire multietnike, por unipolitike ortodokse. Dhe eshte Voskopoja nje shenje e faktit se shpirti kulturor i Jugut eshte ne emerues te perbashket me boten helene. Por Kostandinopoja ka qene perhere shume e vemendshme ndaj zhvillimit politik, shume e zgjuar per te lene te harlisen bimet e vellazerise. E kemi edhe sot shembullin te kryeministri.

      1. Pa tosket s’do kishte Greqi, kete thote historia. Historia thote qe tosket emigruan ne Gerqit e te njohur si arvanite vune themelet e gjakut mbi te cilin ngrihet Greqia e madje s’ka fare kuptim greku modern, pa rolin tosk ne Gerqit.

        Ato qe thua ti rrezik as me i marri nder greke nuk i thote se i duken teper marrezira edhe per marrezine e tij.

        E di ku gjen marrezira te tilla me oke, tek minuta e 8 e ketij dokumentari

        Ti qenke bere per t’u lidhur mor trim, se ben vaki kafshon robte rruges.

        1. Qenka lufte e brendshme jona atehere. Ca do ti dhe Shqiperia ma shpjegon dot? Behet Shqiperia edhe pa tosket.
          Dikush me ka nisur nje shkrim dhe thote neper rreshta: Zemra ime kishte kohë që shkumëzonte e ngarkohej si Vjosa në Shënëndre. Cfare reference! Desh e humbem, duke besuar naivisht te nje unitet qe permbi te gjitha na vret kengen dhe zemerimin qe na ka mbajtur gjalle.

          1. Ca ke humbur, kengen; na bashkoi Vjosa ?
            Ngadale se na shtere lotet nga mallengjimi.

            Toske e gege kane hedhur gjithnje vickla kunder njeri-tjetrit e do vazhdojne t’i hedhin per pune ndarje pushteti e epersie.
            Pushteti eshte krimbi qe i ndan shqiptaret, keto muhabetet e tjera, jane ereza qe mbulojne mutin ne themel.
            E ai krimb nuk i ndan ne toske e gege me shume sesa i ndan ne fise e krahina.

            1. Pse mallengjehesh ti Hyllin? He se te mban Kreshniku.Ose po qe, nderroi emrin se eshte me e lehte. Ti rrezik dashnoren e fundit qe ke patur do i kesh folur me nofken Harta. Me siguri veten e konsideroje kompas.

            2. Kaq e kishe ‘terbimin’ daku, e di une qe ben kastile ti, ta kerkon puna. Po thuajua edhe te tjereve, se te marrin per te rrezikshem.

            3. Kaq sa ti dua edhe une te di, por nuk po arrij dot. Sqaroi ti “te tjeret” per rrezikun greko-ortodoks ne hapesiren virtuale shqipshkronjese.

  4. ”’Tani unë gjykoj se iniciativa e Zografos ka qënë parësisht pozitive. Donte të akulturonte banorët e zonës së vet, me një kulturë i të cilës ka qënë bartës.”’

    Obobo, edhe Zografosi qe meritonte koqen e plumbin doli pozitiv.

    Tani mungon qe fjalorin tregjuhesh te Teodor Kavaliotit, ta quajme gur themeli te Pavaresise, kur qellimi i atij fjalori ishte helenizimi i shqiptareve dhe vlleheve.

    Cfare debati te besh ketu mora aman, ketu eshte t’ia mbathesh vrapit.

  5. Nuk e kuptoj qëllimin e këtij pseudo-diferencimi diplomat vs ideolog.

    Zosimea ishte vatër iluminizmi. Shiko shumëllojshmërinë e studentëve të saj. Kishte ortodoksë, myslimanë kishte nga shqiptarët jugorë, kishte veriorë, kishte nga të gjithë. Vatër helenizmi për të gjithë këta? Si do ishte e mundur? Shiko afërsinë gjeografike të Janinës, rolin e qytetit dhe mendësinë e tij, dhe prejardhjen e studentëve me afërsinë e zonës. Shiko akoma, ndër lëndët që bëheshin atëherë, mjaftojnë vetëm dy për t’ia dhënë rolin Zosimeas si vatër iluminizmi: greqishte e vjetër dhe frëngjisht. Në atë Ballkan prapanik, nuk kishte shumë mundësi, nuk kishte afër dete ku të rridhte uji që të çonte në regjistrin gjuhësor të një vendi përparimtar për kohën (Franca) dhe në themelet e qytetërimit evropian modern (kultura e lashtë greke).

    Si do e merrje Çamërinë, nuk e kuptoj? Ti po mbaje sytë nga Stambolli herën e fundit që të pashë. Stambollit që i duhej dhe atij vetë reformim, që e realizoi, me Ataturkun.

    Ndërsa Zografos, ishte kusht i nevojshëm për të aktivizuar reagimin e shqiptarëve që të mësonin gjuhën e tyre. Ishte nxitje. Tani që kujtohem, dikur Xha Xhai ka përmendur një rast sesi misionarët katolikë, kur deshën të krishtëronin japonezët, aktivizuan reagimin e tyre për të promovuar kulturën e veçantë të tyre (nëse e mbaj mend drejt)

    Fundja, stërmbesë e Koto Hoxhit, është martuar (thonë) me stërnipin e Zografit. Simbol më i mirë paqeje nuk do gjendej.

    1. Eshte e vertete qe ne baze te Zosimeas ishte greqishtja e vjeter dhe midis shume iluministeve qe nuk donin te merrnin njohuri te filozofeve te lashte greke indirekt, te perkthyer ashtu-keshtu ne gjuhe te tjera, preferuan te ndjekin studimet ne Janine.

      Ka ndikuar apo jo dashuria per gjuhen me te lashte te shkruar per te shprehur dhe debulese helenike do pare ne kompleks me zhvillimet historike te kohes.

      Megjithate komshinjte japin e marrin me njeri tjetrin dhe mundohen te kene marredhenie shume te mira mes tyre, pasi nuk kane mundesi te zgjedhin komshinje te rinj, pavaresisht se kush perfiton me shume a me pak nga njeri tjetri.

      Mbase dhe ekonomikisht ishte me me leverdi studimi ne Janine sesa ne shtete te tjera me te largeta europiane; ose ose edhe nami i thesarit te lashtesise greke i terhiqte si sirenat.

    2. “Ndërsa Zografos, ishte kusht i nevojshëm për të aktivizuar reagimin e shqiptarëve që të mësonin gjuhën e tyre. Ishte nxitje.””

      Kjo po qe eshte shkencore !
      Ligji III i Njutonit :per cdo veprim lind nje kunderveprim.
      Ose sipas Nastradinit : pas nje dite me shi vjen nje me diell.
      Ose ne shqipen e Buzukut : sa me shume tradhetare , aq me mire se do lindin me shume patriote..
      Eureka ! Hallall..

      1. Po pra levdojme e festojme tradhtine se na mundeson reagimin ndaj saj.
        I thurim himne se keqes se fale saj mund te mesojme te miren.
        Rrofte Sllobodani se pa Sllobodan s’do kishim UCK e nderhyrje amerikane.

        Kjo eshte esenca e serise se shkrimeve te Juliusit ne PTF: t’i themi logjikes ik pirdhu ne emer te iluminizmit.

  6. E veçanta e ketij blogu eshte se ketu lexon gjera dhe degjon njerez qe ne jeten e perditshme nuk te shkon mendja kurre se mund t’i takosh, pa le me te debatosh me ta. Eshte nje perzierje eksplozive e injorances, e mllefeve dhe e frustracioneve te femijerise, e ndikimeve nga lexime te pjesshme dhe mbi te gjitha e krizes se identitetit qe ka ngerthyer disa bashkeqytetare qe kane vendosur te mos jene me shqiptare, por nderkohe nuk e dine ende se ç’jane.
    Me kujtohet nje kronike qe kam lexuar keto kohet e fundit mbi ate sportistin shqiptar qe eshte bere deputet grek e qe greket e kundershtonin duke i uleritur ne fytyre:
    “Alvane, grek nuk do te behesh kurre!”
    Sa e trishte!

    1. Fol hapur per ke e ke kete. Fol ne emer te iluminizmit dhe ndershmerise intelektuale qe beson se i ke, se keto atribute te “shpetojne” nga aftesia te fyesh dike. Jepi, ver gishtin dhe fol albanezce. Se kjo e folura albanezce eshte pak e veshtire por duhet. Emra, pseduonime pa teori te pergjithshme se mbase ngreme ndonje dolli per ty!

  7. Nëse konflikti do të quhej parësisht etnik, atëherë do të hidhej poshtë marrëdhënia e veçantë me grekët. Të cilëve Rilindasit nuk u mohonin as racën (martuar me ta), nuk u mohonin as gjuhën (e kishin mësuar atë), nuk u mohonin as kulturën, as trashëgiminë. Por të gjitha këto, i donin në shqip. Shqiptaria e Rilindasve pra, ishte një proces i përftuar nëpërmjet dijes, ndërgjegjësimit.

    Po flasim për grekë, akoma dhe për mite – ja ku është, miti modern i Prometeut.

    ___________

    Lexova me vemendje te tre pjeset, Juliusx, dhe duke mbritur tek paragrafi permbylles, pra mesazhi qe meton te qemtosh nga historia e marredhenieve greko-shqiptare, dua te mendoj me dashamiresi qe gjerat i shikon me naivitetin e nxitur mbase nga deshira e mire.Por historia nuk mund te lexohet keshtu dhe faktet nuk mund te qemtohen keshtu dhe, kryesorja, faktet e koleksionuara (Kryengritja kunder Tanzimatit,Pashalleku i Janines, Zosimea , tratativat per federate greko.shqiptare dhe, nusja greke e I.Qemalit, ) nuk mund te montohen thjeshtesisht ne funksion te nje veshtrimi idilik te nje realiteti me kompleks ku, se paku, duhet bere dallimi ndermjet dy rrafsheve: raportet e fqinjesise, marredheniet dhe lidhjet njerzore ne zona me popullsi te perziere dhe rrafshi tjeter,ai politik, shteteror, fetar dhe kulturor , si u soll dhe si ndikoi ne lehtesimin/pengimin e projektit shqiptar kombformues dhe shtetformues? A mund te neurtralizoje Zosimea si vater e iluminizmit Megaliidhene? Nqs mjaft nga figurat e Rilindjes tone Kombetare permes gjuhes greke te shkollimit moren diturite, si u soll Kisha ortodokse dhe qarqet greke kur keta patriote metuan te celnin shkollat ne gjuhen shqipe? Rilindasit nuk u mohonin grekerve gjuhen prej se ciles mesuan, as rracen te cilen shpesh me romantizmin e tyre e shikonin si te perbashket por ceshtja eshte si u sollen greket kur Rilindasit metonin qe, nisur nga keto shenja (rraca, gjuha dhe trashegimnia e tyre e dallueshme prej grekeve) te kerkonin mevetesine si komb dhe shtet?
    Eshte gje e bukur te rilexosh historine per te nxjerre ne siperfaqe pikat e takimit, kontaktit, bashkepunimit dhe bashkejeteses midis grekeve dhe shqiptareve por eshte , e thene butesisht, naivitet, te shikosh Greqine si vatren prej nga Rilindasit /”Prometheu” vodhi zjarrin e mevetesise. Perkundrazi, edhe nqs eshte keshtu, lexoje mitin per se mbari dhe coje deri ne fund narrativen e persekutimit te Prometheut pikerisht sepse vodhi zjarrin nga Perendite!
    Dhe e fund, por jo nga rendesia, titullin qe i ke vene shkrimit ,si ta lexojme, perves se si cinizem: “nusja greke e Pavaresise”!! (me priken e mbajtur peng te Camerise ne vitin 1913)Kjo ishte krushqia me greket dhe dhurata ne pajen e Pavaresise? Oh, deri ketu jo, Julius!

    1. Përshëndetje Spiritus, gëzohem që të shoh këtu.

      Hiqja naivitetin lirshëm fare postimeve, mos e merr parasysh, sepse po do të më japësh një shfajësim, nisur dhe ti gjithashtu nga dëshira e mirë. As e meritoj të më lexosh kështu. Përzgjedhjen time të mesazhit, e kam bërë të ditur më lart, ndërgjegjshmërisht:

      “Do të ishte gjithashtu dhe një histori gjakimi. Dhe përzgjedhjeje. Midis hakmarrjes dhe dëshirës për të ditur.”

      Kështu që nuk do të duhet të më shfajësosh naivitetin, do të duhet të më kuptosh përzgjedhjen.

      Po do një sugjerim sesi ta shohësh, shihe, si idealizmi i humbur i Rilindasve si mesazh universal, që nuk ka nevojë as për të bërë viktimën as për armikun për të qëndruar në këmbë. Qëndron në këmbë vetë. Dhe mungonte nga sofra e përvjetorit të Pavarësisë, kështu që unë ia shtrova banketin këtu.

      Po do t’i shtosh postimeve pjesën e vuajtjeve të Prometeut, bëje, unë nuk do të kundërshtoj. Nuk do e bëj pjesë timen ama, sepse në fund të fundit besoj se do ngelet një justifikim, siç dhe përsëri u bë, për herë të n-të këto 100 vjet shtet, për të justifikuar realisht një elitë të kalbur, një pushtet të qelbur. Më mjaftojnë këto 22 vjet shtet dhe mënyrës se si ky funksionon, për të mos e bërë. Nuk i them, Spiritus, ato që lë pa thënë. Nuk dua të kthehen në armiq, justifikim dhe ngushëllim. Tortë dhe mish qingji.

      Kështu, e merr dhe përgjigjen time: Zosimea qëndron mbi çdo Megali Idea.

      Që të hyjmë në temë, besoj se e sheh, si person të kultivuar që të njoh, se nevoja e rishkrimit të historisë qëndron – por jo e veshur me meskinitetin politik të ditës dhe ditëshkurtësisë. Për mua është nevojë imediate, sepse edhe ti do e kesh vënë re, copëza të saj përdoren si armë për të denigruar grupe dhe komunitete brenda shqiptare. Ke qënë besoj, dëshmitar kur Fan Nolit kanë kërkuar t’ia ulin vlerat, sepse nuk dinte të shkruante shqip prej lindjes, dhe kjo e pa kontekstualizuar me vendlindjen e veçantë të Nolit, kushtet e kohës dhe mungesat në lëvrim të shqipes. E njeh gjithashtu, besoj, profilin apo arketipin e personave që e kanë bërë. Ke qënë gjithashtu dëshmitar kur në publik është thënë “ajo është kisha e gjakprishurve”, apo “ortodoksia është mallkimi i Shqipërisë” po nuk reagove me të njëjtin zell, si tani këtu. E vërteta nuk mund të jetë e njëkahshme dhe të vektorizohet sipas njërit drejtim vetëm. Nuk mund të shkojë drejt denigrimit të një komuniteti vetëm, për hir të vetëkënaqësisë, vetëmjaftueshmërisë, krenarisë fallco e të tjera… Këtë besoj e kupton. Tek ty të kam aq besim sa mund të investoj në një marrëdhënie të ndërsjelltë komunikimi.

      Ajo histori të cilën na e kanë lënë të shkruar, i përgjigjet tashmë një bote që nuk ekziston më. Jo vetëm kaq, por po prodhon mendje “të sheshta” (flat, huazuar prej anglishtes), dhe qëndron në këmbë për shkak të inercisë, dhe në të investohet nëpërmjet konformizmit dhe konservatorizmit. Do të duhet së pari të biem dakord për këtë.

      Historia “e re”, si nevojë për tu shkruar, do duhet të nxjerrë në pah të vërtetat “e fshehura” të së parës. Të fshehura për arsye të ndryshme. Një shteti të deklaruar ateist i kish qënë jashtë mase konveniente dhe një mjet për të konformizuar masat, deklarimi i çdo feje si reaksionare. Më pyet: si u soll kisha ortodokse? Të të përgjigjem me parantezë: a më siguron se çdokush që e mëson të vërtetën e supozuar, nuk do mbajë qëndrim në inerci me konformizmin antifetar? Se kur më thonë “gjak-prishur” ti nuk reagon. Më fol gjithashtu për sigurinë fizike të komunitetit ortodoks, kur ky është përdorur këto 20 vjet si scapegoat për revanshizëm politik. Më jep ti përgjigje për këto.

      Akoma më tej, tek mesazhi vetë, a nuk duhet bërë i ditur fakti që gjuha e përdorur në kishë, deri para Pavarësisë, ka qënë gjithnjë ajo greke? A nuk duhet bërë i ditur botërisht gjithashtu, fakti i pamohueshëm se greqishtja ka një regjistër gjuhësor dhe fjalori të shkruar këtu e katër mijë e ca vjet? Se ndryshe, afërsia e ortodoksëve shqiptarë me grekët, bëhet shprehje e frustrimit dhe pamjaftueshmërisë e të qenit shqiptar. Siç po ndodh, në një tjetër temë, ku fatkeqësia e pamundësisë për të gjetur shkrime të vjetra shqip, në antagonizëm me ato katolike, i vishet KOASH-it.

      Kam dhe ca më tepër, hipotezat e qëndrimit të atij që rëndom është supozuar si “kisha ortodokse”, variojnë dhe janë të shumta. Njëri qëndrim është ai ideologjik, konservator. Në Athinë është bërë luftë me viktima në fillim të XX-të, dhe shkaku ka qënë gjuhësor. Ishte koha kur duhej dalluar midis përdorimit të regjistrit të “katharevusa”, dhe “dimotiki”. A nuk mendon se ky konservatorizëm ka ndikuar në çështje gjuhësore për kishën? Kur në fund dihet, kisha gjithnjë ka mbajtur qëndrim konservator. Si kundërfakt jashtëkohor, për këtë mund të sjell alfabetin e gjuhëve sllave, që nuk është quajtur më kot “cirilik”, përveçse për nder të atij që e krijoi dhe ky ishte Cirili, një murg ortodoks.

      Një arsye tjetër e mundshme, që e përmend theollogos, ka qënë lokalizmi. Dhe këtu kujtoj fakte të tilla që shqiptarë ishin ata që Petro Ninin e lidhnin kur Filareti i Kosturit e kërkonte. Një tjetër shpjegim, nuk vjen pa u lidhur me varësinë e Patriarkanës prej Portës së Lartë. Dhe varësia ka qënë jo vetëm teorike, por dhe literare. Ka pasur Patriarkë që janë varur literalisht prej Sulltanit. E ky bashkëpunim, qoftë “nga halli”, ka pasur ndikimet e veta dhe në terren. Kujtoj për këtë gjë akoma, se Patriarkana e Stambollit dora vetë, edhe revolucionin për pavarësi të grekëve, e ka mallkuar, tre herë. Atëherë, si të shpjegohet ky fakt i Patriarkanës së grekëve, kundër vetë… grekëve?

      Dhe së fundi, qoftë parësisht qëndrim etnik, a nuk ndjen detyrim ndaj: Anastasit, Kristos, Kostandinit, Petros, Pandeliut, Theofanit, Aleksandrit, Andonit, Janit, Kotos, Sevastisë, Uranisë, Elenës, Thimios, Theodhorit, Mihalit, Themistokliut, të thuash se këta, si shumë e shumë prej Rilindasve, ishin ortodoksë? A pe ndonjë nga këta të ftuar në banket për 100 vjetor?

      Zosimea, Spiritus. Kuptoj, duket kompromentuese – sepse greke megjithëse rastësisht e tillë, unë këtë zgjedh. Kjo përzgjedhje nuk qëndron e pakontekstualizuar me aktualitetin e jetuar përditë. Ishte greke materialisht, si ndërtesë, ishte ndërtuar me para greke, nga vëllezër grekë. Po nuk ka qënë idealisht greke. Idealisht ishte iluministe. Dhe iluminizmi nuk ka kombësi. Kostoja e mohimit është vetë-mjaftueshmëria, justifikimi i injorancës, arrogancës dhe mungesës së vullnetit për ta luftuar, pragmatizmi patetik i ditës, konformizmi i mbijetesës, arsyetimi i frikës, kafshërimi i vetes dhe i tjetrit në një garë të pandalur therrjesh, shkëmbime vetëm thikash e hanxharësh, tragjedizëm, papërgjegjshmëri, viktimizim. Zosimea simbolizon mjetin dhe mesazhin e munguar i këtij 100 vjetori që pohon se liria dhe pa-varësia fitohet nëpërmjet diturisë.

      Nuk ishte Greqia vatra nga morën zjarrin e mëvetësisë. Ishte arsimimi. Po me këtë Rilindasit u njohën nëpërmjet regjistrit të gjuhës greke, dhe në arealin e kulturës greke. Është shumë e rëndësishme kjo hallkë: arsimimi. Si faktor për pavarësi. Nuk është naiviteti nxitja ime, është një përgjigje ndaj denigrimit të personazheve të tilla si Ismail Qemali, Fan Noli dhe të tjerë

      Më jep ti një tjetër sintezë se çfarë ka ndodhur, nëse e mendon këtë punë ndryshe.

      Për tu bërë pak romantik, titullin shife si Ismaili sytë e Kleoniqit.

      p.s ndjesë për vonesën e replikës, shkaqe teknike…

      1. Julius,
        Dua të them që në fillim se të mirëkuptoj dhe jam në një mëndje me ty për disa nga cështje dhe shqetsimet që ti ke ngritur në komentin replikues. Cdo rishikim I historisë është edhe këndvështrim, interpretim dhe përherë është rreziku që, në kontekstin e instrumentalizimit të Historisë, historia të rishkruhet duke pastruar terrenin nga mitet e vjetra për ti hapur rrugën miteve të reja. Mesazhi qe kerkon të japësh, pra rigjetjen, rinxjerrjen në dritë të atij filli bashkëpunues midis grkëve dhe shqiptarëve dhe evidentimin e një trualli komunikimesh të ndërsjellta ( kontributi aravanitasve në revolucionin grek dhe rolin e kultures greke në formimin illuminist të Rilindasve tanë ), të mbuluar nga shtresat e konfrontimeve në kontekstin e lëvizjes kombëtarë shqiptare.
        Ideali themelor i Rilindasve, ylli i tyre polar , qe do të qartësohej përherë e më shumë, varësisht nga pjekuria e tyre politike dhe konteksti historik (perballë PO dhe fqinjëve lakmitarë ) ishte bërja e Shqipërisë, mëvetësia e saj. Dhë ky objektiv kalonte nga gjuha shqipe, si shtëpia e shpirtit të kombit, e të qënurit shqiptar-Lëvrimi gjuhës shqipe kërkonte shkolla e libra në shqip. Kjo ishte pika ku bashkohet por edhe ndahen Rilindasit me fluksin grek dhe grekomanët . Ky raport kaq i komplikuar , kjo dilemë mes ndarjes dhe bashkëpunimit , ky raport dashuri dhe urrejtje, duket fare qartë në veprimtarinë e Anastas Byku, botues i gazetës “ Pellasgos” dhe polemika e tij me ata që ai i quan “Filoalbanistët”.Projekti për alafabetin grek është i pranishëm edhe tek “ Shoqëria e të shtypurit shkronja shqip” por po kaq të bollshme janë kundërfaktet që provojnë rolin pengues të Klerit grekoman, të Patriarkanës e cila kishte padyshim mbështetjen e Portës së Lartë. Është e vërtetë se Rilindasit ortodoksë por edhe bektashinj “ pinë ujë” në burimet e kulturës helene, u arsimuan në Zosimea, morën në programin e asaj shkollë bazat e iluminizmit, shkruan në greqisht por iluminizmi i tyre frymëzohej nga iluminizmi francez, dielli për ata lindte andej nga përëndon.
        Ideali i tyre kombetar nuk binte ndesh me idealizmin dhe mesazhin universal të paqes e miresisë mes popujve. Mjafton për këtë poema e N.Frashërit “Dëshira e vertëtë e shqiptarëve”. Por…nga gjith ato më parë, dua më shumëë Shqipërinë, thotë kënga Jul.
        Akoma më tej, tek mesazhi vetë, a nuk duhet bërë i ditur fakti që gjuha e përdorur në kishë, deri para Pavarësisë, ka qënë gjithnjë ajo greke?
        Kjo është e vërtetë por këtë fakt ti e lexon si avantazh apo pengesë në aksionin e Rilindasve?
        Për të tjerat, për akuzuat lidhur me rolin e ortodoksisë dhe Kishës ortodokse një pjesë e përplasjeve vijnë për shkakun e Janullatos. Kurse akuzat dhe paranojat për të parë pas cdo ortodoksi një grekoman dhe antishqiptar më duken idiote. Dhe jam shprehur për këtë në debatin e nisur në ppu, i cili, sipas meje, më shumë se parimor, ishte një larje hesapesh personale. Por përtej personales, ka një frymë që kërkon të përzjejë fetaren me kombëtare por edhe kjo frymë apo ky fluks vjen si reagim ndaj një realiteti ku fetarja luan kundër kombëtares herë hapur e herë tinëz.
        Dhe së fundi, qoftë parësisht qëndrim etnik, a nuk ndjen detyrim ndaj: Anastasit, Kristos, Kostandinit, Petros, Pandeliut, Theofanit, Aleksandrit, Andonit, Janit, Kotos, Sevastisë, Uranisë, Elenës, Thimios, Theodhorit, Mihalit, Themistokliut, të thuash se këta, si shumë e shumë prej Rilindasve, ishin ortodoksë? A pe ndonjë nga këta të ftuar në banket për 100 vjetor?
        Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje do të risillja në vëmëndje shkrimin që ti citon ( Kalendari shkollave shqipe).Eshtë interesant se të njëtën pyetje shtronte aty një komentues por mesa vura re, në anën tjetër të barrikadës. Mesa kuptoj, pika e ndarjes është Janullatos.
        Zosimea simbolizon mjetin dhe mesazhin e munguar i këtij 100 vjetori që pohon se liria dhe pa-varësia fitohet nëpërmjet diturisë.
        Fitohen EDHE përmes diturisë.Dhe fuqizohen e zhvillohen përmes diturisë.Ja ku mbritëm në mesazhin e pastër të Rilindjes: dhe drita e diturisë, përpara do të na shpjerë. Do ti japim Zosimeas atë që i takon, por do të përmendim edhe therroritë e Prometheut te perndjekur nga Perënditë prej të cilëve mori zjarrin e diturisë.
        Megjithate, mbetet interesante studimi dhe rivleresimi , pa syzat ideologjike te historigrafise komuniste, i raporteve greko /shqiptare ne periudhen e Rilindjes e deri ne pragun e shpalljes se Pavaresise.

        1. Është e vërtetë se Rilindasit ortodoksë por edhe bektashinj “ pinë ujë” në burimet e kulturës helene, u arsimuan në Zosimea, morën në programin e asaj shkollë bazat e iluminizmit, shkruan në greqisht por iluminizmi i tyre frymëzohej nga iluminizmi francez, dielli për ata lindte andej nga përëndon.

          Eshte e vertete qe shikonin nga Perendimi, por jo me larg se Macchia Albanese ku ‘krye-gjyshi’ i gjithe Rilindjes Shqiptare, ishte nje me origjine nga Morea: Girolamo de Rada. Retorika e I.Qemalit dhe A.Kolias e ka krejt origjinen tek De Rada. De Rada pastaj eshte lidhja e vetme e Shqiptareve me Iluminzmin (via Victor Hugo etc etc). Nuk eshte aspak Zosima!

    1. Molla e Kuqe eshte ne Serbine e sotme. Ky toponim eshte sot legjende, shenjon piken me veriore deri ku kane jetuar shqiptaret si etni shumice.
      Molla e Kuqe sot sherben vetem si perkujtim i nje gjenocidi qe kishte bere Serbia ne shek. 19, ne lufte e siper kunder Perandorise Osmane.
      Shqiptaret e shperngulur nga Toplica dhe Sanxhaku i Nishit jane quajtur muhaxhir, dhe shume nga ta e mbajne mbiemrin muhaxhiri.

      1. A nuk di dikush nje sqarim tjeter per kete pune? Mesa une di, koncepti i Molles se Kuqe eshte koncept i shpikur nga Sulejman Kanuni kur donte te merrte Vienen dhe i tha vezirit te tij shko ne Vjene e me merr mollen e kuqe – kizil elma – qe nenkuptonte kupolat e kuqe te kishave. Me kalimin e kohes ky term u perdor per te treguar kufirin me te larget te Dar al Islamin me Darin e Kaurreve. E per kete ekziston edhe fjalia, Ta ve kufirin te Molla e Kuqe. A ka dikush pak me shume info per kete pune?

        selam te gjitheve

  8. Disa gabime të Ismail Qemalit janë se helenizmin e konsideron jo vetëm identitet të banorëve të Greqisë së atëhershme, por me kufij më të gjerë. Ndërsa gabimi tjetër është që popullin grek e konsideron të një gjaku me shqiptarët. A nuk thotë njësoj Aristidh Kola, kur akoma shkon deri në Kosovë dhe shprehet se “ne (grekët), me ata jemi vëllezër”?

    Nuk di a mund te quhen vertet ‘gabime’. Vija e tij e mendimit eshte e njetrajtshme me ate vije mendimi qe ka nje arvanit. Psh: ideja kryesore e gjithe keti debakli ka lidhje te ngushte me shume me ceshtjet identitare te grekut sesa Shqiptarit.

    Nje arvanit sot, kujton se ka lidhje te ngushta me grekerit e lashte, bash sic i duket qe kane edhe kusherinjte e tij qe nderruan llagapin (e bene ‘shqiptare’ per ta e ‘turk-alvanos’ per grekerit) Keshtu qe kur degjoj qe A.Kola ve shenje barazimi mes alvanosit dhe helenit, e ka me te lashtit muhabetin. Keshtu edhe I.Qemali..po mendoka si arvanit.

    1. Të mos harrojmë se ai ishte diplomat, në fund të fundit. Kjo mund të ishte gjuhë diplomatike që artikulohej ndaj atyre që u bëhej e kuptueshme kjo gjuhë. Dmth mund të themi se nuk fliste “si arvanit”, por u fliste arvanitëve. Dhe synonte të grishte një lloj solidariteti me këto akte.

      Një arvanit sot në erën e informacionit e ka të qartë prejardhjen e vet. Para disa muajsh ishte një emision tek një nga kanalet kombëtare të Greqisë, ku fliste për prejardhjen e arvanitëve. E bënte të qartë se vinin prej Shqipërisë jugore.

      Kjo më sipër ishte dhe arsyeja që A. Kola nuk “ngjiti”, se ai mbështeste fuqimisht një prejardhje të përbashkët mitike. Nuk di të ketë lënë pasardhës ideologjikë Aristidhi.

      1. Një arvanit sot në erën e informacionit e ka të qartë prejardhjen e vet. Para disa muajsh ishte një emision tek një nga kanalet kombëtare të Greqisë, ku fliste për prejardhjen e arvanitëve. E bënte të qartë se vinin prej Shqipërisë jugore.

        Ky i gjori s’e paska haberin fare packa se eshte ne epoken e informacionit. Kush i tha ketij qe vijne nga ‘jugu i shqiperise’?

        Per ata qe jane te interesum ne kete epoke ‘informacioni’ ka:

        1. Te dhena
        2. pastaj ka informacion
        3. pastaj ka dituri
        4. e pastaj, se fundmi, ka filozofi

        Fatkeqsisht, njeriza ne kete epoke ‘informacioni’ ka ngec ende te kategoria e pare. Mos i kendoni kenge dmth:)

        1. Heu, jo mos ua ki merakun, janë rehat fare ata. Arvanitët e zonës së Evros, të thonë se janë me origjinë nga Vithkuqi, nxjerrin dhe fotografi, ja Vithkuqi thonë, ky këtu është. Urdhëro faqja e wikipedias për Vithkuqin. Në zonën e Korçës të thonë se është, një qytezë e vogël, i bëjnë edhe një etimologji Vithkuqit. Kuqin e dinë ata, për vithet nxjerrin dy tre versione.

          Pashë në një blog madje, ishte botuar ideja për federatë e Kollokotronis-it dhe Farmaqit. E po qeshnin duke imagjinuar sesi do kthehej ai slogani që përmend Relapso më lart: nuk do bëhesh shqiptaro-grek kurrë o sllavomaqedon! Pastaj shtonin versione: nuk do bëhesh shqiptarobullgarogrek kurrë, o italogjermanofrancez. Kështu që janë rehat ata. Të bëjnë të fala madje. Ti shif mos i ndihmon tia gjejnë etimologjinë “vitheve” të erës së informacionit.

  9. Juliusx

    1- Nuk e kuptoj qëllimin e këtij pseudo-diferencimi diplomat vs ideolog.

    2- Të mos harrojmë se ai ishte diplomat, në fund të fundit.

    Ho me, bie shi kur them une e del dielli kur them une.

    Ismail Qemali or tunxh ka qene autonomist deri ne prag te Pavaresise dhe asnje autonomist, te cilet ne 1878, quheshin sulltaniste, nuk ka qene ideolog i Rilindjes.

    Merita e tij ishte aftesia diplomatike dhe fakti qe shumica e bejlereve shqiptare donin nje ish-autonomist e familje te njohur bejleresh ne krye, ne menyre qe te kishin me shume shanse te ndanin pushtetin pas Pavaresise.

  10. Spiritus, shkruan:

     Kjo ishte pika ku bashkohet por edhe ndahen Rilindasit me fluksin grek dhe grekomanët . Ky raport kaq i komplikuar , kjo dilemë mes ndarjes dhe bashkëpunimit , ky raport dashuri dhe urrejtje, duket fare qartë në veprimtarinë e Anastas Byku, botues i gazetës “ Pellasgos” dhe polemika e tij me ata që ai i quan “Filoalbanistët”.

    Pikërisht pra, pikërisht. Del nevoja për të bërë publike këtë marrëdhënie, këtë ndërthurrje në atë areal deri më dje të përbashkët. Anastasi nuk ka qënë i vetmi. Vangjel Meksi është një tjetër, Evlogji Kurilla është akoma një tjetër, deri diku Grigor Gjirokastriti dhe akoma më. Kjo ndërthurrje, apo  përplasje kulturore, ka qënë jashtë mase komplekse dhe del jashtë stereotipizmit dhe likuidimit të dikujt si “armik” apo jo. Byku për shembull, çuditërisht është shumë afër A. Kolës, kur ky i fundit ndër të tjera ka deklaruar se: shqiptar është një grek i pacivilizuar. Atëherë si ta marrësh këtë?

    Kjo është e vërtetë por këtë fakt ti e lexon si avantazh apo pengesë në aksionin e Rilindasve?

    Unë këtë fakt nuk kam sesi ta lexoj si avantazh apo pengesë, ky është fakt i pavarur ndaj lëvizjes së Rilindjes. Dhe në kontekstin e prurjes, nuk mund që të bëhet me faj KOASH-i se pse nuk gjenden në jug “dorëshkrime të vjetra” të shqipes, siç po gjejnë katolikët. Ky fakt pra, duhet përsëri të artikulohet publikisht, dhe jo të gjendet justifikimi se “fajin e ka KOASH-i”. Ti kaq gjë nuk është se nuk e kupton llogjikisht.

     Dhe jam shprehur për këtë në debatin e nisur në ppu, i cili, sipas meje, më shumë se parimor, ishte një larje hesapesh personale.

    Po ëhë… ashtu. Personale. Ai robi pardje “lau” përsëri ca hesape “personale”, me një tjetër ortodoks. Dhe ishte interesante të shihje fashistin se çfarë artikulimi dhe arsyetim gjeti. Si ka mundësi ky, që hesapet “personale” i ka veç me ortodoksët? Nuk është se po shfajësoj tjetrin këtu, nëse arrite ta vësh re shkëmbimin që tashmë është fshirë. Po këtë këtu e ke parë?

    Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje do të risillja në vëmëndje shkrimin që ti citon ( Kalendari shkollave shqipe).Eshtë interesant se të njëtën pyetje shtronte aty një komentues por mesa vura re, në anën tjetër të barrikadës. Mesa kuptoj, pika e ndarjes është Janullatos.

    As ka të bëjë me Janullatosin kjo gjë, po fare. Ma ndiq edhe një herë arsyetimin:

    – Jemi në një shtet komunist. Fetë deklarohen reaksionare, të gjitha. Dhe ne të gjithë ateistë. Të thoshe atëherë se: kisha greke e pengoi përhapjen e gjuhës shqipe, nuk dëmtonte asnjë komunitet, asnjë person.

    – Jemi në një shtet tranzicioni, liria fetare është e garantuar. Të thuash në kontekstin e ri që kisha greke e pengoi përhapjen e shkronjave shqip, jep disa mesazhe: e thua se kërkon në këtë mënyrë të denigrosh komunitetin ortodoks, e thua se kështu ka qënë e vërteta, e thua se do të barazosh toskët me grekët dhe t’i shohësh për rrjedhojë si armiq, etj! Kështu që ky mesazh, është i detyrueshëm dhe nevojë të shoqërohet me faktin se: shumica e Rilindasve na ishin ortodoksë. Ortodoks ishte për shembull Dhaskal Todri, edhe shqiptarë ishin ata që e vranë rrugës për në Voskopojë realisht, nuk e vrau Ndriu siç iu bë ekranizimi. Bënte vaki e shkonte gjallë, do kishte dhe Ramiu ndonjë dokument të shtypur në shqip, t’i mburrej shokut të vet katolik. Po ja kështu pra.

    Do ti japim Zosimeas atë që i takon, por do të përmendim edhe therroritë e Prometheut te perndjekur nga Perënditë prej të cilëve mori zjarrin e diturisë.

    Mirë, mirë po duhet kujdes kur shpërndahen thika, se bëhen mjet i vetëm politik ato, dhe therren njerëz me to. Që të të them dhe tjetrën, nuk është “naivitet”, është nevojë, e ngutshme madje që ato lloj marrëdhëniesh të atëhershme të sqarohen në kontekstin e sotëm, dhe si përgjigje e realitetit të sotëm. Është nevojë të sqarohet ai realitet, kur thuhet për Nolin se “nuk dinte shqip”, për ta denigruar, apo për Ismailin se ishte “filogrek”. Madje Noli, ka tipare jashtëzakonisht të çmuara mbinacionale, nuk mund të rrijë dikush pa përmendur se ky përkthente Shekspir e Ibsen që në fillim të shek. XX në “dimotiki”, kur versioni i vjetëruar i “katharevusas” mbajti deri në vitin 1974 në Greqi! E kupton se çfarë do të thotë kjo, apo jo? E kupton se çfarë do të thotë të jesh gati një shekull përpara bashkëqytetarëve të atëhershëm të tu? Noli ka qënë nga të paktët atëherë që shkruante në njërën nga dy gazetat e vetme të kohës në atë gjuhë! Si të mos i gjesh lidhje Nolit me iluminizmin, kur ky nga fundi i jetës së vet shkruante: Bet’hoveni dhe Revolucioni Francez?

    Nuk e ka gabim Lubonja kur shkruan se “tiparet nacionale i thjeshtëzojnë njerëzit”. Nuk janë të dhëna të montuara të miat në shkrimet, janë bërë me qëllim! Si të kuptohet fetishizmi i Elena Gjikës dhe mohimi i faktit se ka qënë mohuar prej familjes së vet, për shkak të deklarimit të prejardhjes shqiptare të saj, përveçse i lënë në hije sepse kundërshtonte patriarkalizmin që me kaq pompozitet është bërë pjesë e shqiptarëve tashmë? Si të kuptohet Bajroni, kur ky na jepet i fetishizuar e nuk bën gjë tjetër veç “na mburr racën”, dhe kaq? Si të kuptohet psh afilacioni i vet ndaj lëvizjeve revolucionare të kohës siç ishte revolucioni grek?

    Nuk kishte si të mos përfshiheshin tipare të tilla si idealizmi, altruzmi, dëshira dhe etja për dijen, e madje në një formë ungjillore të saj, atë të dëshirës për ta  shpërndarë atë. Ungjill do të thotë lajm i mirë.  Nuk kishte sesi këta njerëz të mos ishin të tillë, kur po investonin ndaj vendit më të varfër e të prapambetur të rajonit, me burimet më të vogla të mundshme dhe të prodhuara prej tyre vetë me mund e djersë. Akoma më tej, kishin mbi kokë presionet nga institucionet më të forta të kohës, shoqëruar me konservatorizmin e tyre, e bashkë me këto dhe injorancën dhe pengesat e disa bashkëkombësve. Duhej një dozë e fortë humanizmi dhe idealizmi për të kryer të atilla akte.

    Po nga ana tjetër, ka dhe një gjë në këtë mes, e cila ngelet pa thënë. Nëse Rilindasit e atëhershëm përfshihen në atë lëvizje që aktivizoi Revolucioni Francez, i duhet gjetur një përgjigje gjithashtu vonesës. E kjo nuk mund të jetë veç kritike…

    Nuk i shkruajta kot, Spiritus, jo. Më duket se e njëjta periudhë e atëhershme po kthehet, qoftë në të kundërt. Do duhet të bëjmë pyetje dhe japim përgjigje përsëri.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin