DREJTËSIA ËSHTË E MUNDUR

Në një vend pothuaj normal, drejtësia nuk ka nevojë për mësime, ajo vetëm se jep të tilla,  ndërkohë që për shkak të asaj që shohim çdo ditë,  studentët shqiptarë të drejtësisë leksionin e tyre të parë do të duhej ta merrnin duke vizituar një qoshk shtëpie të vjetër tiranse,  që shpresoj se qëndron  ende në këmbë aty ku rruga Dull Keta bashkohet me rrugën e Dibrës.

Një monument i vërtetë i pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Është pikërisht shtëpia që në hartën këtu lart shënohet me një pikëçuditje.

Sikundër mund ta vërejë gjithkush, konfiguracioni i rrugës ku gjendet ajo shpreh një lloj non sensi urbanistik. Rruga është krejt e ngushtë në hyrje,  për shkak të pranisë së shtëpisë në fjalë, pastaj merr gjerësinë  normale dhe  vazhdon deri te dera e një vile të bukur, që i përkiste Musa Jukës, ministrit të brendshëm të monarkisë shqiptare.

Si banor i asaj rruge, historinë e këtij “absurditeti”,  urban, pra ngushtësinë e papërligjur në hyrje të rrugës  kam patur rast ta mësoj  shumë herët,  por meqë ajo që dëgjoja më dukej e pabesueshme, u detyrova të takoj mjaft njerëz që e kishin jetuar atë ngjarje. Të gjithë jepnin të njëjtin version, të cilin po përpiqem ta përmbledh këtu.

Diku në mesin e viteve ‘30 rruga  në fjalë nuk ekzistonte. Më saktë ekzistonte si pjesë e kopshteve të disa prej familjeve të vjetra e të nderuara tiranase si Këlliçi, Agalliu, Bulku, Merepeza etj.  Kur ministri i brendshëm ndërtoi vilën e tij (që me gjithë natyrën e saj pak koloniale mbetet nga shembujt më të bukur të arkitekturës së atyre viteve), atij i doli një problem jo i vogël. Lidhja e saj me rrjetin rrugor realizohej vetëm nëpërmjet rrugicash anësore aspak komode për të kaluar. Zgjidhja më e mirë mbetej një rrugë e re, nga dera e vilës deri te Rruga e Dibrës.

Në këto kushte ministri nisi të marrë takim me fqinjët e tij të rinj, pronaret e bahçeve që shtriheshin para vilës së tij të re. Ai u propozoi atyre nga një napolon flori për çdo metër katror tokë.

Shuma ishte e konsiderueshme, por nuk ishte vetëm kjo që i shtyu pronarët e kopshteve të pranonin t’i shisnin  ministrit disa dhjetëra metra  katrorë tokë. Qendra e Tiranës po modernizohej, shumë prej atyre familjeve kishin makinat e tyre, tregtia qe zhvilluar dhe kopshtet nuk e kishin më atë funksionin e tyre të parë, shkurt të gjithëve u interesonte të hapej një rrugë që do të zgjeronte frymëmarrjen e lagjes dhe lehtësonte qarkullimin.

Të gjithëve me përjashtim të njërit; të pronarit të shtëpisë që ishte në krye të asaj që do të bëhej rruga e ardhshme.  Im atë thoshte se ishte një hoxhë i një familjeje modeste, një burrë shtatvogël dhe mjaft i ndershëm dhe i sjellshëm.

Ngjarja u muar vesh, por në fillim u interpretua si një lloj mënyrë për të ngritur çmimin e tokës. Zyrtarisht nuk dihet se çfarë ka ndodhur, por dolën  zëra se hoxhës së vogël  iu propozuan shuma të mëdha me të cilën mund të ngrinte një vilë të re, kudo që të donte.

Përsëri ai nuk pranoi dhe gjithçka  tregonte se po përgatitej një lloj beteje midis Goliatit dhe Davidit, por ku ky i fundit këtë herë nuk kishte asnjë shans qoftë edhe të nxirrte nga xhepi hoben e tij. Pastaj po qe se kundërshtimi vazhdonte gjatë, nuk përjashtohej edhe një pretekst koti, një gjobë për shkelje të ndonjë ligji, një plumb mbas shpine  apo (hamëndësoj) gjësendi tjetër me të cilën jemi mësuar të karikaturizohet ajo kohë.

E pra asgjë nga këto. Ministri, si të gjithë qytetarët  iu drejtua gjykatës mbretërore ku depozitoi ankesën e tij për shkak të pengesës që i paraqiste ai hoxha i vogël. Mundet që edhe të ketë “manovruar” pak duke e paraqitur rrugën si të “dobisë publike”.

Nuk e di, por po qe se ka vepruar kështu, nuk do të ketë qenë gjësendi fort e lehtë ta kundërshtoje një gjë të tillë.  Vizioni obsesional  i perspektivës urbanistike të A. Zogut ishte gjësendi mjaft e njohur. Tirana  po rikonfigurohej e çahej gjithandej nga rrugët dhe bulevardet.

Gjithnjë kam menduar se A. Zogu duhet të ketë qenë i vetmi monark në botë që ndërtoi një bulevard pa patur ende qytetin. Të paktën njëri prej tyre, Bulevardi i Madh i Tiranës shtrihej tutje Lanës,  ku përfundonte qyteti, midis djerrinash ku kullosnin dhitë dhe ku hapej sezoni i gjuetisë së i kafshëve të egra. Thuhej se deshte të shkonte edhe më tej, por nuk e lejuan kushtet e kredisë italiane.

Kjo parantezë ishte vetëm për të kuptuar se  konteksti “gjeopolitik” nuk shkonte në të mirë të kundërshtimit proverbial të atij hoxhës.

E pra, doli që arsyet e shtetit nuk mund të ishin arsyet e gjykatës. Vendimi i saj hodhi poshtë kërkesën e ministrit të fuqishëm të Punëve të Brendshme. Ai u ftua të gjente zgjidhje tjetër. Shtëpinë e hoxhës nuk kishte të drejtë ta prekte kush pa vullnetin e tij. Dhe ajo ndodhet sot aty ku i ngrit nja tetëdhjetë vjet më parë.

Aktet e këtij rasti gjykimi mund të gjenden fare kollaj në arkivat e Shtetit, por asgjë nuk i bën më shumë nder traditës juridike të drejtësisë shqiptare se ai qoshk shtëpie diku në krye të Rrugës së Dibrës.

Ai provon se modeli dëshpërues i drejtësisë së sotme nuk është kongjenital, se  nuk ka qenë gjithnjë kështu, se drejtësia shqiptare ka ditur të ulë në gjunjë pushtetin dhe t’i imponojë atij vendimet e saj. Dhe natyrisht që ishte në nderin e atij pushtetit që pranonte vendimin e një pushtetit tjetër.

Nuk ka komente

  1. Ky eshte nje nga ato raste kur drejtesia ka funksionuar, por kjo nuk do te thote aspak se drejtesia ne kohen e Zogut ka qene ne nivele shume te larta. Jam i mendimit qe drejtesia asokohe ka qene me afer emrit te saj se sa ne kohen tone (ku duhet te paguash nendore qe gjykatesi te jape te drejte edhe kur ai e di qe ti ke te drejte). Ajo qe me terheq me shume vemendje ne kete histori (te cilen e kam degjuar edhe vete) eshte fakti i respektimit te prones (e individit po ashtu), shoh se si nje gjykate vlereson pronen ne vitin 1930 me shume se sa nje gjykate apo nje shtet vlereson pronen ne vitet 1990-2012 (nuk po flas per komunizmin). Madje akoma me i hidhur behet ky gjykim kur kjo prone eshte vleresuar me shume nga pushtuesi italian se sa nga cliruesit shqiptar.

    Duke iu rikhtyer drejtesise, mund te pohojme se asokohe ka pasur gjykates me te mire se sa sot. Kjo per shume arsye; mbase sistemi e kish me te veshtire te futej ne nje shoqeri qe kishte disa tradita qe i mendonte me vlera. Ndoshta sepse shoqeria vazhdonte te besonte ne vlera dhe ideale, ndoshta sepse shtresa e mesme (pra juriste e avokate) nuk kishin dhe dale edhe aq te pangrene nga perandoria otomane, ndoshta sepse shqiperia nuk kishte kaluar mallkimin komunist (qe per historianin Fischer eshte sa e sa here me i rende se sa sundimi osman). Kjo eshte dicka per tu diskutuar? Pse ky degjenerim shoqeror qe reflektohet dhe ne drejtesi?

  2. Mua shpjegimi me duket fare i thjeshte, pa ngaterruar fare studentet e juridikut.
    Morali i fabules, nje hoxhe ne Tiranen e viteve 30 ishte ”ende” i paprekshem.

    Hoxha ne fjale jo vetem qe s’ishte Davidi i rastit, por ishte kocke e forte, se te bente rremuje gjithe lagjen ku kishte xhamine e vet, per te mos thene gjithe Tiranen.

    Kjo çeshtje me siguri ka kaluar nga vete Zogu, perderisa kemi nje konflikt autoritet civil vs autoritet fetar dhe ai gjykatesi ka dhene vendimin qe ka marre Zogu.

    Ne nje shtet rrumpalle si i Zogut eshte shume e giximshme te mendosh, se sikur ai te mos ishte hoxhe por nje qytetar dosido, gjykata do kish dale kunder ministrit.

    Ky karakterizimi i hoxhes si tip gjynahqari, si me pas qene i fundit i katundit, ka me shume vlera artistike sesa lidhje me realitetin e asokohe.

    Per 28 Nentor, s’na mjaftoi gjella me kocka zogu qe na gatoi Sala, duhet te gelltisim edhe çorben e Lyssit ne PTF.
    Shume dobet kesaj radhe Lyss, na ke mesuar me gjera te tjera.

  3. Me sa di une, Hyllin, gjyqi nuk u zhvillua as kunder xhamise dhe as kunder hoxhes si fetar. Pra, per mua, nuk kemi nje konflikt midis autoritetit civil dhe atij fetar. Padia u ngrit per siperfaqen e nje shtepie ku ai kishte po aq pjese sa edhe vellezerit e tij veç e veç. Theksoj se nuk ka qene as muezin dhe as funksionar ne Komunitetin mysliman. Ata qe e kane njohur flasin per nje fakir fukara, fort me i parendesishem se sa nje nepunes i vogel. Nejse, mendje mendje kjo dynja…

  4. Dhe drejtesia triumfoi !

    Per cilen arsye ky ‘fakir fukarai’ nuk deshi te pranonte ate oferte te majme, te nje vile ?
    Nuk qendron mbi asnje logjike normale ai refuzim dhe hoxha ne jepet si njeri normal.

    Ne kete mes ka patjeter lidhje konflikti i Zogut me klerin fetar, ne rastin tone me ate myslyman.
    Tani o do e marrim hoxhen per te marre perderisa s’pranoi oferten ose do e marrim per normal dhe ne funksion te diçkaje shume me te madhe se ai dhe prona e tij, e cila shpjegon refuzimin dhe vendimin e gjykates.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin