LACAN-I MËSON

Këto ditë u botua në Tiranë libri “Mësimet e mia”, i Jacques Lacan-it (Onufri), i përkthyer prej meje, në konsultim të pandërprerë me Jolka Nathanailin, psikanalisten në Tiranë që e mundësoi këtë projekt që nga fillimi.

Libri u prezantua të premten që shkoi, në Muzeun Kombëtar; si dhe me një bisedë të drejtuar nga Rudina Xhunga, që do të transmetohet dikur në dhjetor në emisionin “Shqip”, të Top Channel.

Elsa Demo shkruante sot në “Shekulli” për këtë ngjarje (uroj) me rëndësi për psikanalizën dhe mendimin intelektual shqiptar.

Qasja ime ndaj Lacan-it është para së gjithash e një gjuhëtari të interesuar për marrëdhëniet midis gjuhës, ligjërimit dhe subjektit, veçanërisht në aspektin ligjërator (diskursiv) dhe tekstual.

Megjithatë, Lacan-i është të paktën dyfish i vështirë – në vetvete, ose për t’ia ndjekur mendimin; dhe në shqipërim, ngaqë shqipja nuk i ka ende mjetet konceptuale, ose edhe intertekstuale, për ta përcjellë këtë mendim.

Kam parasysh marrëdhëniet e psikanalizës së Lacan-it me filozofinë dhe semiologjinë moderne dhe bashkëkohore frënge dhe europiane; dhe veçanërisht shkëmbimet e tij me Heidegger-in, Foucault-në, Barthes-in, Kristevën, Derrida-n, Baudrillard-in dhe autorë të tjerë të mëvonshëm.

Gjithsesi, diku dhe disi duhet filluar – me shpresën jo dhe aq të fshehtë se të tjerët do të na i falin gabimet.

Prezantimi i librit, javën që shkoi, u shoqërua edhe me projektimin e një filmi për Lacan-in; dhe duke parë filmin, m’u kujtua një pasazh i tekstit, në të cilin psikanalisti frëng fton kolegët e vet më të rinj të luajnë me fjalët, për të zbuluar ambiguitetet; ashtu edhe “mund t’ju lindë ndonjë ide,” thotë ai.

Dhe më shkoi në mendje se, në këtë përmasë, psikanalizës shqip i duhet të kërkojë rrugët e veta, unike, pazgjidhshmërisht të lidhura me ambiguitetet dhe strukturat gramatikore konceptuale, ose formën e brendshme të shqipes.

(Për ta thënë në mënyrë provokuese – i duhet të pranojë karakterin kombëtar të simptomave, madje edhe të çrregullimeve mendore: neurozave dhe psikozave).

Këtu u kapa krejt në befasi nga zbulesa se, në shqip, deri edhe titulli i librit përmban një ambiguitet kolosal, që frëngjishtes natyrisht i mungon. Atje ku origjinali thotë Mon enseignement, ne themi Mësimet e mia.

Nuk ka ndonjë arsye që të na ketë detyruar ta themi kështu – thjesht na u duk, mua dhe Jolkës, se tingëllonte mirë.

Por nuk na shkoi mendja, në atë kohë, se folja mësoj në shqip ka dy kuptime në thelb të kundërta mes tyre, të cilat u përgjigjen foljeve anglishte to learn, përkatësisht to teach; çka do të thotë se, në ndërtimet me këtë folje, subjekti dhe objekti mund të ndërrojnë vend, së paku nga pikëpamja logjike. Krahasoni: unë mësoj anglishten, unë të mësoj ty anglishten, ti më mëson mua anglishten. Struktura nuk ndeshet vetëm me dhanore, ose me kundrinë të zhdrejtë: krahas unë i mësoj djalit notin, kemi edhe unë mësoj djalin të notojë; çka do të thotë se ndërtimi me kallëzore unë mësoj anglishten është thelbësisht i kundërt (sikurse është imazhi në pasqyrë i kundërt) me unë mësoj djalin (të notojë, etj.).

Që këtej edhe ambiguiteti në titullin Mësimet e mia – jo i qëllimshëm, edhe pse mungesa e qëllimit të vetëdijshëm nuk merret dhe aq seriozisht në psikanalizë: Lacan-i në shqip u mëson diçka të tjerëve, por ashtu mëson diçka edhe vetë, teksa u mëson të tjerëve. Shqipja thotë: nxjerr mësime (në thelb: mësoj [LEARN]); ose për fëmijën: bëji mësimet, pastaj luaj (sërish, fëmija learns) – por nga ana tjetër, mësimet e Konfucit (Teachings).

Nga pikëpamja semantike abstrakte, folja mësoj lidhet së paku me tri gjymtyrë logjike: subjektin që “mëson” (learns); objektin e dijes ose të mjeshtërisë që “mësohet” (anglishten, notin, etj.); dhe “mësuesin” (teacher), ose agjentin që e mundëson këtë të mësuar.

Dukuria ndeshet edhe në gjuhë të tjera – anglishtja learn e ka edhe kuptimin [TEACH], por si jostandard, ose arkaik; në frëngjishte, gjithashtu, apprendre përdoret me të dy kuptimet – edhe [LEARN] edhe [TEACH] (por enseigner jo); ndërkaq, në italishte imparare dhe insegnare dallohen qartazi. Këtu shqipja dallon prej anglishtes dhe frëngjishtes më tepër në shtrirjen e ambiguitetit.

Mos vallë ia kemi përçudnuar mendimin Lacan-it, duke ia përkthyer titullin me një shqipe që mund të lexohet në dy kuptime? Mos ia kemi vënë atij në gojë dhe në mendje një fjalë e një koncept të huaj?

Jo detyrimisht. Dihet se Lacan-i s’e përsëriste kurrë veten – përveçse kur ia theksonte publikut se nuk e përsëriste kurrë veten; ose se ia kish vënë vetes për detyrë që “kurrë të mos e [thoshte] diçka më shumë se një herë.” Prandaj – mendoni pak – nëse ka ndodhur vërtet kështu, atëherë autori i atyre konferencave që janë përmbledhur në libër, i ka mësuar [LEARN] ato që thotë aty në momentin që ua ka mësuar të tjerëve [TEACH]; sa kohë që ligjërata të tilla paraqiten si unike.

Të supozosh ndryshe, do të thotë të ndash ligjërimin nga të menduarit, në mënyrë gati folklorike – ose t’i biesh haptazi ndesh frymës së çka na mëson Lacan-i.

Kush i mban mend tezat e Marksit për Feuerbach-un, do ta kujtojë edhe atë pasazh të famshëm të tezës nr. 3, ku Marksi thotë, mes të tjerash, se “edukatori duhet ai vetë të edukohet.” Titulli që ia vumë në shqipe – pa dashur – librit të Lacan-it, e zgjidh këtë kontradiktë në mënyrën më të befasishme: jo nëpërmjet praktikës revolucionare, sikurse e pretendon Marx-i në tezën e vet, por nëpërmjet ambiguitetit: edukatori edukon dhe edukohet, në të njëjtën kohë; ose edukohet, teksa edukon të tjerët (në atë masë që edukon të tjerët).

Të paktën për Lacan-in kjo duket se qëndron – pa çka se u desh shqipja, për të na bindur.

Nuk ka komente

  1. Që në vit të parë të të mesmes s’e kam harruar këtë katrorin:

    Tirona jonë si mësoi
    fort e zuni inqisari
    kush e hypi, e teproi
    s’pati frykë nga Xhebari

    (Z.Bastari)

    Mësimi tek ne shkon e vjen nga pësimi, prandaj edhe simbolikisht justifikohet mirë dykahësia:)

    Ps: Urime për botimet e reja

  2. “…jo nepermjet praktikes revolucionare, sikurse e pretendon marx-i ne tezen e vet,por nepermjet ambiguitetit”,
    por, edhe per “praktiken revolucionare” mund te thuhet se ka ambiguitetin e vet, i cili , ne vetevete, mund te perfshije edhe “ambiguitetin” sipas autorit.

    Edhe ju XhaXhai veproni me nje lloj “praktike revolucionare”, sepse, pervec shkrimeve, jeni i perfshire edhe ne debatet me autoret dhe mysafiret e blogut.Ne fakt vete blogu eshte nje praktike revolucionare.
    ( E thashe kete se Marksi me intrigon perhere kur permendet).

    Urime per librin!

  3. Urimi im është i dyfishtë, XhaXha: si autor, për librin “Kundër purizmit” dhe si përkthyes, për “Mësimet e mia”. Kontribute të vyera, për të cilat, të gjithë kemi shumë nevojë.

  4. xha xhai: Kush i mban mend tezat e Marksit për Feuerbach-un, do ta kujtojë edhe atë pasazh të famshëm të tezës nr. 3, ku Marksi thotë, mes të tjerash, se “edukatori duhet ai vetë të edukohet.” Titulli që ia vumë në shqipe – pa dashur – librit të Lacan-it, e zgjidh këtë kontradiktë në mënyrën më të befasishme: jo nëpërmjet praktikës revolucionare, sikurse e pretendon Marx-i në tezën e vet, por nëpërmjet ambiguitetit: edukatori edukon dhe edukohet, në të njëjtën kohë; ose edukohet, teksa edukon të tjerët (në atë masë që edukon të tjerët).

    Nuk e kam fort te qarte se perse eshte futur ne kontekstin e shkrimit dhe te psikanalizes se Lacan-it ky citat i Marksit. Ne tezen e 3 Marksi nenvizon rolin aktiv te subjektit dhe nderveprimin e tij me rrethanat , kushtet sociale dhe kontekstin kohor ne dhe mbi te cilin vepron. Njerzit, sipas konceptit te Marksit, ndryshojne ose te themi ndikohen nga ndryshimi rrethanave dhe edukimit (psh ti xhaxhai ke ndryshuar qekurse ke shkuar ne USA dhe fale (ri)edukimit qe ke marre aty) por ata njekohesisht veprojne aktivisht mbi rrethanat ku ndodhen duke ndryshuar veten dhe rrethanat/kushtet sociale dhe materiale ne te cilat jetojne. Ndryshimi njekohshem i rrethanave dhe vete subjektit (self change) thote Marksi mund te KONCEPTOHET dhe KUPTOHET racionalisht vetem si praktike revolucionare.Nuk ju bejne pershtypje perse perdoren njekohesisht “KONCEPTOHET” dhe “KUPTOHET” (meqe jemi ne fushen e semiotikes dhe simbolikes)? Praktika revolucionare, nqs do ti referohemi filozofise marksiste, nenkupton nje veprimtari te ndergjegjeshme, transformuese ku “edukatori edukon (te tjeret) dhe edukohet (edhe vete).Dhe , mbi te gjitha, praktika revolucionare nenkupton ndrushimin e RRETHANAVE (sociale).Kurse psikanaliza e Lacan procesin e ndryshimit e mbyll brenda subjektit ose ne komunikimin ndermjet mesuesit dhe nxenesit dhe , ne kete kuptim, praktika qendron jashte ketij procesi. Nqs me “praktike” kuptoni procesin ligjerimor, transmentimin e kumtit nga mesuesi (edukatori) tek nxenesi (ai qe edukohet), ok, revolucioni eshte i panevojshem.
    Kur thoni se autori ato qe u thote te tjereve (i meson te tjeret) i ka mesuar aty per aty, pra akti krijimit ndodh njekohesisht me aktin e transmentimit te dijes, EDUKATORI na del pak si DEMIURG, Zoti Kreator qe dijet i prodhon aty per aty dhe nuk i merr asgjekundi.Mesuesi keshtu vizatohet si nje “tabula rasa” i cili ndersa u meson te tjereve dicka, meson/edukon edhe veten per shumecka (veteshkruhet nqs si pikenisje eshte nje “tabula rasa”)

    1. E kisha pak “tongue in cheek”, ose me gjysmë shaka; edhe pse unë besoj se edhe psikanaliza është praktikë sociale, sidomos po të lexohet mënyra si e koncepton Lacan-i marrëdhënien midis mjekut dhe pacientit (analizuesit dhe të analizuarit). Megjithatë, kujdes: po flasim për mësimet e Lacan-it, ose një raport mes mësuesit dhe nxënësit; që nuk është i njëjtë me atë të psikanalizës; në kuptimin që Lacan-i psikanalist pret të mësojë shumë prej pacientëve të vet, por jo dhe aq shumë prej studentëve të vet.

  5. Pergezime per librin dhe historine interesante qe na solle XhaXha. U bera kurioz per ilustrimin gjeometrik me rrypin e Mobius-it. Ka ndonje domethenie e lidhje me kontributin e Lacan-it apo eshte e rastesishme?

    Gjeometria/topologjia gjeodezike e nje objekti te tille eshte nje nga ato mrekullite e natyres(forma gjeodezike) dhe te fantazise ku humbet nocioni i orientimit.

    1. Sigurisht qe ka pasi Lacan-i eshte mbeshtetur shume ne pikepamjet e matematicienit Pierre Soury,ne veçanti (ekzistojne tre vellime te daktilografuara te ketij autori ne frengjisht, ne i disponojme ne Tirane nese deshironi) dhe per shume vite Lacan-i e linte te fliste ne seminaret e tij P. Soury-n. Lacan-i vete i perdorte shume format topologjike, fjongon e Möbius-in, shishen e Klein-it, por sidomos nyjen borromeane keto jane te pasqyruara ne seminarin e tij R.S.I. (reale, simbolike, imagjinare) te vitit 1974. Gjeni edhe konceptin e matemave i cili eshte nje lloj shkrimi qe Lacan-i e perdori shume ne periudhen e fundit te mesimdhenies se tij dhe ishte nje aspirim i tij per ta shprehur subjektin nepermjet matemes si forma me e perkryer e percjelles se psikanalizes. Mbi matematiken keni nje tekst ne shqip ketu ne faqen 4-5 http://nyjelakim.net/read/?p=67
      Ndersa me teper mbi matemen ne frengjisht gjeni ketu http://www.causefreudienne.net/etudier/essential/le-matheme-lacanien-l-ecriture-de-la-psychanalyse.html?symfony=307625f34a80ee95f56071fe4a5f559f
      se u zgjatem pak,,por e kemi vecanerisht pasion topologjine..

    2. Në fakt, e përdora fjongon e Möbius-it si ilustrim, sepse gjeta një paralelizëm midis topologjisë së saj (një faqe dhe një anë) dhe semantikës së foljes mësoj në shqipe – ku kuptimet e përkundërta “pasiv” [LEARN] dhe “aktiv” [TEACH], nga pikëpamja logjike, kalojnë rrjedhshëm (pa shkëputje) te njëri-tjetri.

  6. Për pjesën e fundit të postimit të Xha Xhait, ku vendoset një kontraditë mes Lacan dhe Marx-it…

    Mbrëmë po ndiqja aktivitetet e organizatës TEDx, ndër të tjera pashë prezantimin e politikanit anglez Rory Stewart.  Aty ai flet për demokracinë dhe defiçitet e saj, sidomos kur ajo eksportohet. Ndiqeni prezantimin, është mjaft interesant. Në fund, Rory nxjerr konkluzionin se demokracia është një “gjendje mendore” (state of mind). Nuk është sistemi më i mirë sepse ofron të mirat më të shumta materiale, apo sepse nëpërmjet aplikimit të saj ofrohen të mira anësore, ai ka një shprehje interesante: instrumentalizim i argumenteve.

    Dhe nuk është se këtë instrumentalizim nuk e kam hasur në ambjente shqiptare. E kam dëgjuar mjaft shpesh se “njerëzit nuk interesohen për … këto, ata duan punë dhe strehë”. Apo ndryshe “prej Evropës nuk duam gjë tjetër, mjaft të na japë para”. Nuk është se e kam dëgjuar vetëm në ambjente njerëzish të rëndomtë, por edhe prej njerëzve të kultivuar. Nuk mendoj madje se Marksi skualifikohet krejt, normalisht do të duhet dikush të ketë mjetet minimale në përdorim për të bërë një artikulim të saktë politik. Po çfarë ndodh kur këto mjete të nevojshme ekzistojnë, dhe njerëzit përsëri nuk i shkëputen një mendësie jo-demokratike. Këtë situatë mund ta shohë dikush shpesh të lëvruar në internet, meqë kjo na shërben si ndërfaqe për të hyrë në marrëdhënie me njerëzit. Për t’i njohur ata, në kuptimin e vet virtual (shpirtëror). Dhe këtu ajo që shfaqet, çalon jashtë mase.

    Tematika nuk është çështja e ndryshimit të gjendjes materiale – çka do e ofronte Marksi. Si i bëhet kur, nuk ekziston vullneti, i shprehur si mendësi, që gjendja të ndryshojë?

     

  7. Po kjo qenka Ngjarje (me N te madhe, sigurisht!) : Lakani ne shqip ! (besoj se se shpejti do te duhet ta ‘shqiptarizojme’ edhe emrin e tij, sikunder te Marksit,… etj etj).
    Nje pyetje te vogel xhaxha : perkthimi eshte bere nga frengjishtja besoj, jam ne rregull?
    O burra te blejme librin tani !
    Que de la joie ! 🙂

      1. Ah, dhe nje pyetje tjeter ‘teknike’ : vizita e Lakanit ne Shqiperi ne vitet ’70 ka qene teresisht rastesore (pasi ka vizituar Jugosllavine, ka bere edhe nje ‘kercim’ ne Tirane), apo ka qene e paramenduar ?
        faleminderit

        1. Kjo mbetet mister hë për hë – as im atë nuk ka ditur të më thotë gjë. Atë thjesht e ftuan (e thirrën) të merrte pjesë në darkën e shtruar në ambasadën franceze, së bashku me një psikiatër tjetër. Ka mundësi që Lacan-i të ketë ardhur thjesht nga kurioziteti, për këtë vend të mbyllur europian, që mbante miqësi të ngushtë me Kinën: vetë ai e njihte kinezçen! Gjithsesi, Lacan-i atë kohë as mbajti ndonjë leksion, as di të jetë takuar me ndonjë personalitet politik ose shkencor shqiptar. Me sa më kanë thënë mua, ai u detyrua ta ndërpriste vizitën menjëherë pas darkës në ambasadë, për shkak se e njoftuan se i kish vdekur e bija, që kish nga një martesë e mëparshme, në një aksident automobilistik në Francë. Kushedi kjo fatkeqësi ia ka sabotuar edhe programin e vizitës – por të gjitha këto janë ndërtuar në copëza kujtimesh të dëmtuara të tim eti, kur ishte tashmë i sëmurë rëndë, dhe disa rindërtimeve të sime mëje, që nuk di frëngjisht.

          1. Faleminderit per pergjigjen.
            Nese hipoteza e nje udhetimi rastesor bie (i ra rruga nga kjo ane e Ballkanit dhe beri nje ndalese), arsyeja kryesore qe shikoj me duket se lidhet me faktin se marksizmi (ideologji e praktikuar asokohe ne Shqiperi) dhe psikanaliza, ne se kane diçka te perbashket eshte pikerisht fakti i te qenit praxis-e. Po te kemi parasysh se Lakani ka qene nga ata teoricione qe interesohej mbi te gjitha per impaktin e puneve te tij, me duket evident interesimi i tij per ‘aktin revolucionar’ (Marksi), si analog i ‘aktit analitik’ (Frojdi).
            Arsye tjeter nuk shoh. Kersherine (ne sensin gjeografiko-historik) per vendet e ashtuquajtura komuniste besoj se Lakani e kish shuar prej kohesh…

  8. Mua me duket se eshte anashkaluar keqazi Hajdegeri, te pakten me ç’thote Elsa Demo ne artikull.

    Te thuash qe ‘e pandergjegjshmja strukturohet si e folme/gjuhe’ s’ke bere gje tjeter veçse i ke dhene nje interpretim psikanalitik shprehjes hajdegeriane, gjuha eshte banesa e qenies.

    Mund te jete qe zhvillimi i mendimit te tij lidhet thelbesisht me Soserin e Frojdin, nga pikepamja funksionale, por qofsha i gabuar, ky ka parazituar keqazi mbi Hajdegerin. Nuk eshte çudi qe Hajdegeri e shikonte shtrember.

    Kete punen e ambiguitetit te fjales mesoj, mendoj se e ka hasur çdo shqiptar qe ka mesuar italishten (besoj edhe frengjishten), kur ne fillim rendom ben gabimin ‘imparare’ per ‘insegnare’, madje vazhdon ende si lapsus kur mungon vemendja e folesit shqiptar ne italisht (apo frengjisht).

    Tani, sipas kesaj qe nxjerr xha xhai, i bie qe Lacan-i s’ka arritur te thote dot me titullin ne frengjisht ate qe duhet te thoshte se ambiguiteti i shqipes i rri me mire.

    Shqipja u perpoq ne nje faze qe te krijonte dy fjale, nxe dhe mesoj, prandaj nxorri edhe fjalet nxenes dhe mesues/mesonjes, ku nxenesi ”nxe”/impara dhe mesuesi ”meson”/insegna.

    Tani, te ‘Lacan-i meson’ kemi nje forme te nenkuptuar te ‘Lacan-i na meson’, perndryshe dikush qe s’e njeh Lacan-in, dmth nja 95% e shqiptareve e marrin sikur Lacan-i ‘po meson’/po nxe.

    Ambiguiteti ketu s’perftohet nga shqipja ne vetvete, por nga forma e nenkuptuar, qe perftohet vetem fale njohjes se gjere se subjektit.

    Ne pergjithesi, edhe nje subjekt i mirenjohur si ‘historia’, shpesh ka nevoje per nje ‘na’ para foljes mesoj, pavaresisht se qendron ‘historia meson’.

    Pra, gjuha shqipe -na- meson se vetem me subjekte te mirenjohura -na- e lejon ambiguitetin formal ne shprehje, pikerisht sepse folja ne vetvete mbart kundeshti.

    Me pak fjale, titulli duke e trajtuar Lacan-in su subjekt i mirenjohur ne Shqiperi, kur ai ne fakt eshte i panjohur fare, kryen nje dhune mbi gjuhen shqipe, e shtrengon shqipen t’i jape Lacan-it nje status qe ky nuk e ka.

    Per shumicen derrmuese te shqiptareve, Lacan-i mund te jete edhe ndonje ilaç kunder majasellit, ne kuptimin qe nese dikush do thoshte; sapo piva nje lakan kunder majasellit, nje me nje ishte, vetvetiu tek mendja e shqiptarit mesatar, lakani behet ilaç kunder majasellit, per t’u mbajtur mend.

    1. Gjuha është gjithnjë e tjetrit (e Tjetrit?). Dje, në një bisedë të rastit, Jolka Nathanaili (promotorja e këtij projekti) më përmendi një fjalë të Judith Miller-it (e bija e Lacan-it dhe psikanaliste), sipas së cilës “Subjekti është vraga që lë gjuha në trup” (po citoj nga kujtesa). Kjo do të thotë se Lacan-in frëngjisht e flet frëngjishtja, por Lacan-in shqip e flet shqipja.

      1. Si i thone tjetri jam edhe une per tjetrin, keshtu qe gjuha eshte edhe gjithnje imja.
        Problemi besoj qendron tek e verteta e Lacan-it, a a flet shqipja te verteten e Lacan-it, per rastin ne fjale ?
        Te vertetat e shkencave natyrore perdorin nje gjuhe universale, kurse ne rastin tone kemi nje te vertete dhe dy gjuhe qe e shohin ndryshe.

        1. Për Lacan-in nuk ka gjuhë universale, madje as në matematikë. Mbase kjo lidhet për ju me të vërtetën dhe duhet parë ç’do të thotë ‘e vërteta’ për ju dhe prej këtej mund të përpiqemi të zgjidhim diçka. Nëse kjo ‘e vërtetë’ nyjëtohet me Një-shin duhet të shpjegoheni më tej pasi gjuha është e përbërë nga ‘équivoques’ madje edhe përkufizohet si e tillë ka minimalisht një shënujes dhe një të shënjuar, për të mos përmendur vargun shënjues etj.. Që këtu ndeshim hullinë ndarëse, atë çka Lacan-i e quan ‘mos ekzistencës së raportit seksual’ që shfaqur haptazi nëpërmjet ankthit apo angështisë. Këtu raporti i subjektit me Tjetrin (gjuhën) nuk është sipas modelit spekular [tjetri dhe tjetri (i ngjashmi)] por është tërësisht jashtë kuptimor dhe jashtë pasqyrës. Tjetri është i shpuar, mbart një vrimë, thënë ndryshe është i vizuar ( A barré) dhe shënohet madje si subjekti i vizuar (S barré). Lacan-i flet Për këto çështje tek seminari X.

  9. Kur te lexon ty Hyllin, nuk eshte veshtire, te arrish ne nje fare ndjesie qe je shume armiqesor me nderhyrjet e tua. Mund te mos jesh dakort me dike, por kjo nuk do te thote ta shtypesh tjetrin me ate rulin e madh qe shtron rruget.

    Argumentet e tua, mbeten te tuat, pavarsisht se mund te frymezohen nga kontributet e Hajdegerit apo Lakanit. Mundohu te veshesh kepucet e tjetrit, para se te marresh hanxharin e te preses majtas e djathtas.

    Hajdegeri eshte po aq i panjohur sa edhe Lakani ne Shqiperi, nderkohe qe ne cdo librari perendimore mund te gjesh po aq libra prej tyre apo per te dy keta.

    Topologjine e kane perdorur te dy, secili per hesapin e vet. Lakani e ka kthyer ne nje term kyc per hesapin e vet dhe e perdor ate ne konteksin e psikoanalizes. Hajdegeri e perdor shume rralle(tre here gjithsej) sepse perdor dicka tjeter per te deftuar vendndodhjen e qenies.

    Lakanin une nuk e njoh, por jam i sigurte qe XhaXhai ka nje lidhje te hereshme me te dhe di se cfare flet.

    Shumica kane qene nxenes te Hajdegerit, perfshire edhe Lakanin, por secili e ka mjelur per te thene dicka autentike, apo per te eksploruar e hapur shtigje te reja ne fushat e ekspertizes se tyre.

    Kjo puna e te nxenurit apo te mesuarit nuk eshte shume me bereqet. Ne shqip folja mesoj nuk ka ambiguitet ne se e vendos ne konteksin e vet.

    Me duket eficient nga ana e Xhaxhait kur jep shpjegimin e vet se si duhet kuptuar perdorimi i kesaj folje ne konteksin e perkthimit te Lakanit nga ana e tij.

    Te nxenurit eshte vetem nje kahesh. Te mesuarit eshte dy kahesh.

    Mbetem pa pune…

    1. Në libër ka pasazhe të gjata ku Lacan-i shpjegon pozicionin e vet përkundrejt Heidegger-it. Nëse ky u fundit u la jashtë në artikull ose në ndërhyrjen time, kjo u bë për fajin tim jo të Elsa Demos; meqë unë s’jam aq kompetent, sa të flas për Heidegger-in në publik.

  10. Ju pergezoj per botimin e Lakanit per here te pare ne shqip!
    Te me falni, por doja te ngrija nje shqetesim, i cili nuk ka te beje me problemin e perkthimit te vepres, por me permbajtjen e tij. Me sakte, me “nxenien” e psikanalizes nga lexuesi shqiptar profan. Kam pershtypjen se ai eshte (keq)ushqyer, qe ne krye te heres, me idene se psikanaliza (frojdjane) eshte nje disipline shkencore, praktimi i se ciles sjell efekte terapeutike.
    E ne kushte kur mungon literatura kritike ne shqip per psikanalizen, “frojdizmi shqiptar” me duket se ka marre trajta dogmatike, ashtu sic dhe i kishte frojdizimi i hershem. Ne mos gaboj, eksizton ne shqip “Mjerimi i historicizmit”, ku Poper e quan psikanalizen te pafalsifikueshme, teori jo-shkencore (qe nuk do me thene se pohimet e saj nuk jane te verteta).
    Tashme, dalja e pare ne shqip e nje figure akoma edhe me kontraverse se Frojdi, me duket se e gjen serish gafil lexuesin profan.

    P.S. Ju lutem te korigjoni fjalet “psikanalisten e Tiranes” ne paragrafin e pare, sepse me duket nuk jeni shprehur korrekt.

    1. Një kritikë e hapur, analitike dhe intelektualisht e ndershme ndaj Lacan-it, madje edhe në nivelin e mediave, njëlloj do ta ndihmonte mendimin shqip të bënte përpara, duke iu qasur niveleve perëndimore.

      P.S. Korrigjimin sapo e bëra.

      1. Te falenderoj per mirekuptimin! Sidoqofte, bej pjese tek ata profane qe do te nxitojne per ta blere e lexuar.

  11. Eh mor Doc, c;na bere me fole. 🙂 E kam lexuar kete ne disa gazeta e po ashtu ne blogun a xha-xhait, qe e preferoj dhe e lexoj rregulisht. Shpesh them sikur te kemi me shume si ky…

    Gjithsesi, xha-xhai, e meqe nuk eshte fusha e tij, besoj se do me ndjeje per nje kritike miqesore e nuk do ma marre per keq. Ai ka bere mire qe ka sjelle librin etj, se publiku edukohet dhe nuk pretendon te jete ekspert mjeksor…POR.

    Psikoanaliza ka marre fund me kohe, sic the termat Neuroze/Neurotik etj, nuk perdoren ne Perendim per dekada te tera. Sot Bota perdor teknika te ndryshme e njera nder to eshte CBT, me perfaqesues Albert Ellis (-in) nje gjigant i mendjes dhe arsyes, i cili eshte quajtuar me influencial se Frojdi & Co ne psikiatrine/psikologjine e shekullit te XX.

    Nuk eshte me cfare te ndodhi, cfare do besh apo ja pashe asaj berryling a zbuluar dhe e preka pa dashje >>> pra me shkoi/apo/ e kisha mendja per s*x, ne vija te trasha kjo, por ne cfare pozicioni je dhe si do e rregullosh te ardhmen. Kete thote CBT e cila merret me sjelljen, emocionet dhe proceset konjitive.

    Chomsky e ka quajtur Zhakun “gallataxhi dhe sharlatan” disa jane treguar me te ashper duke a quajtur “psikiatri nga Ferri” e te tjere me akuza qe ka lene gjurme tek “koleget, familja, pacientet, te dashurat, femijet, kundershataret etj” duke lene nje “trashegimi prej lunatiku” po ashtu e kane quajtur narcistik, sadist dhe mgalomaniac, terma qe jo shume kolege te tij i kane marre gjate apo pas jetes.

    Derrida, Focault, Lacan dhe Deleuze,jane impresionues ne nivel Popullor, aspekting “celebritik” por ne rrethet e intelektualeve qe i shqyrtojne keto pune me me nge…nuk jane dhe aq…ne fakt po ti hysh thelle jane dhe te demshem! Megjitheate, urime xha-xhait dhe te shitet libri sa me shume, cdo liber ka vleren e tij dhe qe njerezit te kuptojne me shume eshte mire te lexojne me shume.

    Mendimi im personal eshte ky, Lacani sot [dhe as dje, por dje ishte pak me ndryshe] nuk ka vlere, nga ana mjeksore, filozofike apo me teper dhe as me pak…Ne mund ti akuzojme emrat a mesiperm [qe shume i permdendin te duken te kenduar- sigurisht moda/turma jane induktive] per shume gjera, po asnjehere per Integritet Intelektual.

    Me respekt per xha-xhain.

    P.A.B

    1. Duke falënderuar për urimet, dua të saktësoj vetëm se ky projekt, edhe pse ka pasur zotimin tim të plotë, nuk ka qenë nisma ime, por e një pale tjetër. Unë thjesht pranova propozimin për ta përkthyer librin, duke e parë si të dobishëm për rrethet intelektuale shqiptare dhe si sfidë për kulturën dhe gjuhën shqipe.

      Psikanalizën e kanë quajtur “the talking cure”, dhe mua më intereson veçanërisht elementi i “talking” në këtë emërtim; ose fakti që bëhet fjalë për diçka që ndodh dhe konsumohet edhe në nivelin e ligjëratës. Këtu Lacan-i ka thënë disa gjëra të cilat mua m’i kanë hapur disa dritare të mëdha; prandaj edhe shpresoj që t’ua hapin edhe të tjerëve.

      Nuk di sa mund të ndikojë ky libër, dhe psikanaliza e Lacan-it, në praktikën psikoterapeutike shqipe. Psikiatria sot në Shqipëri çalon nga shumë anë; dhe kam përshtypjen se të sëmurët mendorë, që nuk janë pak, nuk po i dëgjon kush – çka është e dhimbshme.

      Pa folur pastaj të gjitha ato që i quajnë patologji sociale dhe që metaforikisht mund t’i cilësonim si neuroza sociale e ndonjëherë edhe psikoza – përfshi edhe krimin në familje, që ka pushtuar kryetitujt e mediave prej vitesh.

      Natyrisht, krimi në familje nuk mund të luftohet duke i detyruar hetuesit dhe policët të mbajnë Lacan-in në xhep; por psikanaliza, edhe ajo e Lacan-it, mund të ndihmojë filozofët, antropologët, sociologët dhe juristët për të kuptuar çfarë po ndodh dhe pse; p.sh. pse burrat shqiptarë sot, në situata stresi familjar të skajshëm, po priren të vrasin gratë e tyre dhe jo, bie fjala, veten.

      Krimi është edhe ai një lloj komunikimi, edhe pse i dështuar. Burri që vret gruan, e cila e ka tradhtuar, komunikon diçka, kushedi edhe për viktimën vetë. Niveli simbolik i gjesteve të tilla nuk mund të jetë vetëm objekt i përsiatjeve në kafe – lypet një qasje tjetër, dhe këtu Lacan-i mund të ndihmojë, edhe pse tërthorazi.

    2. B.L, kam nje pyetje : cilet jane emrat e homologeve te Derrida-s, Focault, Lacan-it apo Deleuze-it, te cilet rrethet e intelektualeve (qe i shqyrtokan keto pune më me nge) i merrkan seriozisht ? (ne vend te ketyre qe ke cituar). Te pyes, qe te mund te zgjerojme apo edhe ndryshojme referencat. Faleminderit

  12. Lol, shkruajta ca gjera dhe pa dashje shtypa back button ne browser me pa emalin…dhe mu zhduk. Gjithsesi, lexo per Albert Ellis, blej libra te tij online..nese e ke seriozisth, nese jo rri tek filmat se aty ste nderhyn njeri 🙂
    Po ashtu Viktor Frankl mund te terheqe pak, per idete dhe jeten e tij.[Man’s search for meaning -mund te gjendet falas online, ja vlen te lexohet]
    Teoria A. Ellis, nese e lexon me vemendje, te ben ta kuptosh pse Psikoanaliza eshte e diskretituar me kohe, por nuk eshte ky problemi…. Kujdes me disa terma pasi artikulli ka kohe qe eshte shkruar.

    Ketu ke nje shkrim pikant per Bemat e Lacan, http://www.psychiatrie-und-ethik.de/infc/en/Shrink_from_Hell.htm

    Per ta mbyllur me nje thenie te tij, e mirekuptim me ty:

    The best years of your life are the ones in which you decide your problems are your own.You do not blame them on your mother, the ecology, or the president. You realize that you control your own destiny. Albert Ellis

    PoorAlbanianBoy

  13. Nje story te vogel…duke ju referuar zakonit-te-vjeter…eshte shume e veshtire te ndryshohen disa gjera dhe duhet kohe. Ne jemi prapa, flas ne Shqiperi. Veshtire te ndryshosh zakonin per ata qe postojne ne menyre vulgare, per ato qe jane mesuar me nje teori apo rritur me te apo nisur nga e shkuara dhe perseritjes konstante te dickaje te cilen jo shume kishin mundesi ta lexonin-mesoni [ref/Frojdit] tani bota e ka lene pas kete, ne akoma jemi tek Psikoanaliza.

    Dikur nje Profesor i imi, nje njeri mjaft fisnik tregonte kete, per te dhene me sponde “forcen e zakonit”
    – Kam nje kry/infermiere, te ciles i them prej 15 vjetesh ta ule zerin neper pavion [per vete vendin ku ndodhej- Psikiatri] por ajo ben te sajen, megjithese une nuk heq dore e ja kujtoj shpesh…ajo perseriB ertet, ashtu eshte mesuar ajo. 🙂

    Besoj qe ky illustrim mjafton, se si brazdat e nje sjellje te perseritur kthehen ne nje sjellje gati permanente dhe veshtire te ndryshohen…shume veshtire.

    Profesori? Well…nje burre i paharrueshme dhe Human, I rralle si Ai.
    Ulvi Vehbiu. Sigurisht A.V. e ka degjuar kete para meje. 🙂

    @ Stalker, one more time…te lexoj te blogu/forumi, megjithese nuk postoj. 🙂
    PoorAlbanianBoy

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: