NA ISHTE NJË HERË FJALËKALIMI

Që kur teknologjia ka hyrë vrullshëm në përditshmërinë tonë, fjalëkalimi është bërë pjesë e pandarë e jetës. Sa herë na lipsen shërbime të ndryshme, jemi të detyruar të shkruajmë fjalëkalime ose kode të ndryshme  (p.sh. PIN – Personal Identification Number). Dëshiron ta lexosh postën elektronike? Fut fjalëkalimin. Ke nevojë të flasësh me dikë në telefon? Fut Pin-in. Të duhen para për drekë? Fut kodin tënd në ATM.

Sa herë na japin një fjalëkalim të ri, na përmbytin me këshilla teknike për të rritur sigurinë. Përdorni fjalë jo të zakonshme, fusni numra brenda fjalëkalimit, ndërrojeni fjalëkalimin periodikisht, e kështu me radhë. Pavarësisht se teknikët e trajtojnë fjalëkalimin si diçka të thatë, secili nga ne e di fare mirë se fjalëkalimi, edhe ai më i ngatërruari që kemi shpikur ndonjëherë, ka të bëjë në një farë mënyre me identitetin tonë. A thua e ke harruar fjalëkalimin e parë? Çfarë kuptimi kanë ato shkronja e numra për ty? Përse zgjodhe atë fjalëkalim pikërisht në atë periudhë të jetës?

Me kalimin e kohës, në bazë të shërbimeve e mjeteve që përdor, fjalëkalimet shtohen e depozitohen si librat në bibliotekë. Në fillim ke vetëm një e-mail, pastaj të bëhen papritur tre katër të tilla, pa përmendur llogaritë me pseudonime. Po fjalëkalimin e blogut? Kujdes, nuk duhet ta harrosh Pin-in e celularit, iPhone-it, iPad-it, fjalëkalimin e faqes tënde personale, të forumit të diskutimit, të hyrjes në serverin e punës, facebook-un, fjalëkalimin e kompjuterit personal, llogarinë në twitter, të dhënat e faqes ku ble filma, llogarinë bankare, kodin për të bërë biletat e avionit, e shërbimet online që kërkojnë identifikim. Praktikisht të gjitha. Kundër çdo sugjerimi teknik, ti i mbledh fjalëkalimet në një skedar të vetëm informatik dhe i “mbron” të gjitha me një fjalëkalim paternalist. A mbahen çelësat të mbyllur me çelës?

Thonë se fjalëkalimet janë në krizë. Herët a vonë, por më shumë herët se sa vonë, do të përdoren gjithnjë e më pak. Djallëzira të tjera elektronike janë shpikur ndërkohë për të identifikuar përdoruesit e shërbimeve në linjë, duke filluar nga token e deri tek celularët e fundit modernë. Ndoshta fjalëkalimet do të përfundojnë si dinozaurët. Pas pak kohësh, do të na kërkojnë të afrojmë syrin në kamerën e uebit për të na lexuar iridën e syve, do të na skanojnë shenjat e gishtërinjve, do të na servirin numra të pjellë nga algoritme jashtëtokësore, ose do të na kërkojnë një qime floku për Adn-në. Do të vijë koha kur do t’i lexojmë fjalëkalimet e dikurshme si ditar të jetës. Për të lexuar postën elektronike vendos datëlindjen e vajzës, fjalëkalimin e facebook-ut e ndërrova kur më la e dashura, për t’u futur në blog përdor fjalëkalim jashtëzakonisht të ngatërruar: nuk do të kem qenë i kthjellët në ato çaste.

A e keni parë botën ndonjëherë me sytë e fjalëkalimeve? E përfytyroj atë fjalëkalimin e parë: të thjeshtë, elementar, të shkurtër. Si e ndjen vallë veten përballë kodeve alfanumerikë të sotëm? Gjithë komplekse. Po ato që ndërrohen vazhdimisht nuk e ndjejnë veten disi të përdorur? Ka nga ata njerëz që kanë vetëm një fjalëkalim për çdo shërbim online. Lum si gratë e tyre për besnikërinë që tregojnë. Këto fjalëkalime e ndjejnë veten të sigurta, por jo në duart e hacker-ëve. Fjalëkalimet e shëmtuara mezi presin të bëjnë rinoplastikë; të vjetrat kënaqen me ndonjë lifting ose botox për rrudhat. Të rejat janë gjithnjë e më të sofistikuara, por ndonjëherë edhe njëpërdorimshme. Bëjnë pjesë në shoqërinë e fjalëkalimeve të lëngshme. A thua ka xhelozi mes fjalëkalimeve? Përse më ngatërron gjithnjë me atë tjetrën? Nuk i pëlqej? Ka nostalgji për ish-in? Mua më harron gjithnjë. Dikush tjetër thotë: mua më ka zgjedhur vetë, atë ia ka dhënë sistemi me zor (shkesi).

Fjalëkalimet përdoren thatë, në mënyrë burokratike, si parullat e dikurshme gjatë luftës, ose në ushtri. E di parullën? Kalo. Po kundërparullën? Nuk lejohet. Kujdes, nga kuajt e Trojës. Mos ia trego fjalëkalimin armikut. Megjithatë, fjalëkalimet e kanë një histori e kuptim të vetin. Nuk janë aq shterpë. Ndoshta gjen edhe poezi brenda tyre. Qenushi i parë, macja e shtëpisë, dashuria e paharruar, nofka e shkollës, autori i preferuar, emri i nënës, datëlindja e…

Me siguri do të vijë koha kur fjalëkalimet nuk do të përdoren më. Pikërisht në atë çast do të bëhen edhe më të sigurta. Madje edhe për atë që si fjalëkalim, vendos fjalën fjalëkalim.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin