LIBËR I RI

Libri im Kundër purizmit ka dalë tashmë në treg dhe të interesuarit mund ta gjejnë, përveçse librarive, edhe te stendat e shtëpisë botuese Dudaj, në Panairin e Librit që hapet pasnesër në Tiranë. Së shpejti kësaj vepre do t’i bëhet edhe një prezantim live, për datën dhe orën e të cilit do të njoftoj në blog.

Në vijim, teksti paraqitës i kopertinës së pasme:

Çfarë të bëjmë përballë huazimeve të freskëta nga gjuhët perëndimore, si italishtja dhe anglishtja, që kanë vërshuar në shqipen publike, sidomos në mediat?

Të gjithëve na vrasin veshët dhe, një palë e zhurmshme prej nesh po kërkon me të madhe që të ndërhyhet për ta “pastruar” shqipen nga fjalët e huaja të panevojshme.

Si edhe në periudhën e Rilindjes Kombëtare, politikat e pastrimit të gjuhës po risillen si e vetmja alternativë mirëfilli kombëtariste, për t’i bërë ballë trysnive globalizuese dhe për t’ia ruajtur kulturës shqiptare identitetin.

Teksa akademikët vijojnë të bëjnë thirrje për forcimin e përpjekjeve për “pastrimin dhe pasurimin” e leksikut, pa çka se këto dy lloje ndërhyrjesh në gjuhë anulojnë njëra-tjetrën, ndesh në amatorë patriotikë që po rreken të zëvendësojnë deri edhe emrat e vendeve me burim të huaj, pa çka se shumë prej këtyre janë përdorur vijueshëm që në Mesjetë.

Nga shumë anë, po kërkohet (s)pastrim – në gjuhë, në kulturë dhe në politikë, në emër të rikthimit te një thelb shqiptar autentik, i cili qenka korruptuar, nëpërmjet kontakteve tona me tjetrin.

E gjithë kjo, në një kohë kur nuk ka asnjë shenjë, as provë që ndërhyrja policore në leksik dhe përndjekja e fjalëve sipas prejardhjes së tyre mund të ketë ndonjë efekt pozitiv në zhvillimet e gjuhës; dhe kur po duket haptazi se “ndotësit” e shqipes dhe entuziastët e (s)pastrimit të saj veç ushqejnë dhe riprodhojnë njëri-tjetrin.

Ky libër përcjell një polemikë të autorit kundër qëndrimeve puriste në leksik dhe në toponimi, të cilat e varfërojnë gjuhën, traditën dhe mendimin, duke ia cunguar e ndonjëherë hequr përmasën historike kulturës dhe identitetit shqiptar, për ta zëvendësuar atë me një vizion sa idealist, aq edhe të gënjeshtërt të marrëdhënieve tona, si shqiptarë, mes nesh dhe me Tjetrin.

Nuk ka komente

  1. Urime per librin!

    “Nga shume ane,po kerkohet (s)pastrim – ne gjuhe, ne kulture dhe ne politike, ne emer te rikthimit te nje thelb shqiptar autentik, i cili qenka korruptuar,nepermjet kontakteve tona me tjetrin.”

    XhaXhai, keni te drejte kur flisni ne kontekstin gjuhesor.
    Por, e drejta duket sikur largohet nga ju kur flisni per per nje prirje te pergjithshme spastrimi.
    Kontaktet tona me tjetrin , me te vertete na kane infektuar, pikerisht ne ate aspekt per te cilin ju shqetesoheni! Si shembull,per kete, mund te merret fare mire nje vend i hershem i bashkimit europian, qe e kemi fqinj dhe qe ka shkuar aq thelle ne ate lloj spastrimi , per te cilin po behet fjale, sa cdo lloj nderrmarrje e tille nga ana jone do te ngjante si loje kalamajsh.

    Shqiperia eshte vendi i vetem i rajonit, qe vetem per keto lloj spastrimesh nuk mund te qortohet dhe akuzohet. Nese ka ndonje prirje qe mund te shqetesoje ndokend,kesaj i duhet gjetur shkaku, ashtu si cdo semundjeje qe me se pari i behet diagnoza.
    Shkaqet aty jane dhe nuk duhet patur ndroje se,duke i permendur, mund te biem ne kundershtim me idete qe mund te kemi.

  2. me pelqen shume fotoja ne kopertine dhe i gjithe simbolizmi i ngjyrave, formave, figurave, shenjave! Besoj ne te njejtat ide te Xhaxhait per zhvillimet tona gjuhesore, purizmin dhe pasurimin e leksikut.

  3. Urime per librin e ri, Xha Xha!

    Isha per nje jave ne Kosove.Ne Prishtine, ne librarine prane Institutit Albanologjik (Toena), e bleva librin ”Folklori i elitave”. Po ne Prishtine, ne nje librari te posahapur te shtepise botuese pejane ”Dukagjini”, ne rrugen Nene Tereza, ne qender te qytetit, e gjeta librin ”Fraktalet e shqipes”. Pasi i kerkova shiteses nese ka ndonje liber te Ardian Vehbiut, ajo hapi kompjuterin dhe gjeti se ka tete libra ”Midis zhgenjimit dhe mitit”. Kerkuam se bashku por nuk e gjetem kete liber; une gjeta ”Fraktalet…” qe nuk ishte ne listen e kompjuterit.

    Suksese te reja, Xha Xha! Sukseset tuaja jane suksese te kultures shqiptare.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin