IDENTITETI NË TEKSTET

Vite më parë, sollën në Alb-Club përkthimin e poezisë Amparo, të Federico García Lorca.

Për çudinë time, vargjet që në spanjishte tingëllonin:

Amparo
¡qué sola estás en tu casa
vestida de blanco!

Përkthyesi i kish sjellë kështu:

Ç’qenke kështu i vetmuar,
në shtëpi Amparo, i trembur,
dhe krejt në të bardha
i kredhur?

Tani, dihet se kush përkthen poezi ia lejon vetes pak licencë krijuese, vetëm se këtë herë përkthyesi e kish bërë mashkull Amparon femër, duke ia ndërruar krejt frymën poezisë – apo jo?

Meqë autori i shqipërimit ishte student në Turqi, supozova se i vetmi shpjegim për lajthitjen ishte që ky e kish kthyer Lorca-n nga turqishtja, një gjuhë që nuk ka gjini gramatikore.

Këtë mund ta ilustroj me përkthimin e të njëjtave vargje në anglishte, që tingëllojnë kështu:

Amparo,
how lonely you are in your house, 
dressed in white!

As nga ky tekst nuk merret dot vesh nëse Amparo është vajzë apo djalë. Në fakt, anglishtja të lejon të shprehësh një atributin e ndjesie (lonely), pa të detyruar të specifikosh gjininë e kujt e përjeton këtë ndjesi (ndryshe nga shqipja: i vetmuar/e vetmuar).

Përkthyesin tonë, të cilit nuk duhet edhe t’i biem shumë më qafë (meqë të gjithë lajthitim, sidomos kur fillojmë të përkthejmë), e kishin ngatërruar besoj dy supozime të pagarantuara: se Amparo është emër djali (në fakt jo, është emër vajze, megjithëse del me një mbaresë jotipike për emra vajzash); dhe tjetri se Lorca, duke qenë homoseksual në jetë, do t’i shkruante vargje dashurie një mashkulli.

Natyrisht, shqipërimi i gabuar i poemthit Amparo të Lorca-s mund të lexohet edhe si tekst ironik, ose si një lloj përftese post-moderne; ku identiteti homoseksual i autorit gjen shprehje në ndërrimin e gjinisë së objektit të poezisë.

Atje ku Lorca s’mundej, mundi përkthyesi.

Tek e fundit, nuk është e thënë që subjekti përftues i tekstit poetik (ose “uni” lirik) të përkojë me autorin e tekstit në gjini ose në shijet seksuale. Asgjë nuk na pengon, bie fjala, që unin lirik të Amparo-s ta përfytyrojmë si femër homoseksuale.

Ky incident i vogël gjinor m’u kujtua kur flisnim për çfarë që na lejohet të dimë rreth autorit të një teksti, dhe marrëdhënien mes këtij informacioni dhe tekstit vetë.

Kështu, unë ende nuk e di nëse personi që përdor pseudonimin Kasandra në komentet e fundit është mashkull apo femër; shumë-shumë, lejohem të supozoj se ky person dëshiron të paraqitet si femër, ose t’i japë identitet femëror subjektit të teksteve të veta (në kuptimin e subjektit të thëniezimit).

Identiteti luan në komunikim rol më të madh nga ç’kujtojmë. Për shembull, fakti që Mémoires d’Hadrien e ka shkruar një grua, Marguerite Yourcenar, ndikon në leximin që i bëhet asaj vepre. Pa përmendur pastaj rastin e Anne Frank, etj. ku elementi autobiografik mbizotëron.

Një eksperiment letrar: është e mundshme të shkruhet, edhe në shqipe, një roman dashurie, në vetë të parë, që përshkruan marrëdhënien mes rrëfimtarit – të paidentifikuar ndryshe – dhe një gruaje, të identifikuar mirë.

Kur them është e mundshme të shkruhet, e them në kuptimin që mund të mënjanohet çdo referencë ndaj gjinisë së rrëfimtarit – p.sh. në vend që të thuhet: “Sot në mëngjes u ndieva shumë i lodhur,” do të thuhet: “Sot në mëngjes më kish kapluar lodhja.”

[Tek e fundit, George Perec kërreu një roman të tërë, La disparition, pa e përdorur shkronjën e, me përjashtim të dy zanoreve të emrit të autorit vetë.] [Edhe një shënim tjetër: nëse e mbaj mend mirë, në të folmet e Përmetit, gratë e kanë zakon t’i drejtohen vetes në gjininë mashkullore: “Ç’të them unë i shkreti?”; sikur kjo të ish bërë normë për shqipen letrare, do ta ndërlikonte problemin tonë edhe më tej.]

Le të themi se teksti ynë eksperimental është shkruar nga një autor që identifikohet si mashkull në kopertinë dhe në faqen e copyright-it; në ç’rast vetvetiu e si rregull do ta interpretojmë rrëfimtarin si mashkull, të dashuruar me personazhin tjetër femër.

[Ky do të ishte interpretimi i parazgjedhur ose default; përndryshe, shih edhe Sikur të isha djalë, e Haki Stërmillit, sa për të sjellë një shembull ku gjinia e rrëfimtarit nuk përkon me gjininë e autorit.]

Le të supozojmë, më në fund, se një ditë zbulohet versioni i paredaktuar i romanit; dhe shihet se aty, disa herë, autorit i kanë shpëtuar fjali të tipit: “Sot në mëngjes u ndieva shumë e lodhur.” Këto fjali tregojnë se autori qenka nisur të përshkruajë një marrëdhënie lesbike, por në mënyrë të tillë që kjo të mos deduktohet dot haptazi, ose gramatikisht e leksikalisht, nga teksti i romanit.

Redaktori, që e ka ditur këtë synim të autorit, e ka ndihmuar këtë ta mbajë tekstin të pastër, duke ia hequr ndonjë referencë gjinie që i kish shpëtuar në dorë të parë.

Pra, tani dihet se romani bën fjalë, “në të vërtetë” (në kuptimin që mund të marrë kjo shprehje në kontekste letrare), për një marrëdhënie lesbike – por të përcjellë në mënyrë asnjanëse (gender-neutral).

Në anglishte (ose edhe turqishte) kjo do të realizohej lehtë, ose shumë më lehtë se në shqipe, ose në italishte; sepse anglishtja i ka të kufizuara referencat gramatikore ndaj gjinisë (në disa përemra: he/she, him/her, his/her por si rregull jo në mbiemrat).

Eksperimenti na sugjeron se, kur kemi të bëjmë me tekste, çfarë lihet jashtë është po aq e rëndësishme për identitetin e personazheve, të rrëfimtarit (atij që thotë “unë”) dhe të kallëzimtarit (atij që e përcjell tekstin), sa edhe çfarë përcillet me fjalë.

Amparo, në përkthimin anglisht ose turqisht të poemës së Lorca-s, dhe për lexues që nuk dinë gjë rreth kulturës spanjolle, mbetet me gjini të paspecifikuar. Shqipëruesin tonë kushedi e kish pështjelluar ajo çfarë dinte për Lorca-n homoseksual, po aq sa edhe padija për kulturën burimore (ose për atë që Amparo është emër vajzash).

Në romanin tonë imagjinar, marrëdhënien mes dy personazheve e interpretojmë si heteroseksuale për shkak të konvencioneve jashtëletrare; por edhe identifikimit që bëjmë mes rrëfimtarit dhe autorit të romanit (ose kalimit nga njëri “unë” te tjetri).

Një shembull këtë herë real: Fjalori i Khazarëve, i Milorad Pavic-it, është botuar gjithnjë në dy versione, një “femër” dhe një “mashkull”, të cilat dallojnë mes tyre nga një pasazh i vetëm.

Në rastin e romanit tonë imagjinar, pas zbulimit të sekretit, kritikët me siguri do të gjenin shumë aluzione “femërore” në tekstin neutral të veprës.

Është e habitshme sa shumë ndikojnë ato që dimë në çfarë mësojmë rishtas.

Tek e fundit, edhe nga një karakter që e quan veten Kasandra, nuk mund të presim veçse parashikime të zymta, kobe të cilat nuk do t’i besojmë dot, edhe pse të sakta. Ndoshta nuk do t’ia falnim vetes, kulturorisht, sikur ky karakter ta kish quajtur veten kështu krejt rastësisht (i frymëzuar, p.sh. nga idhulli i tij, këngëtarja jazz Cassandra Wilson), ose pa e njohur fare Homerin.

Nuk ka komente

  1. Me kujtohen disa miq te mij qe kishin emrin Edip. Prinderit i kishin intelektuale, e prape kur mendon tragjedine edipiane, thua me vete po keta s’mund te gjenin emer tjeter me optimist per femijen e tyre??? Ky pohim s’ka te beje shume me artikullin, por vetem ne ate qe disa here emrat dalin pothuajse fare nga konteksi qe kane pasur shekuj me pare ose perfaqesojne ndonje ane te vecante te nje personazhi qe nganjehere e dine vetem ata, (personi ne fajle) dhe prinderit e tij. Mbani mend kur u vnin femijve emrin “Revolucionare”, shkurt Nare nga terbaci.

  2. Shif kush flet, babi i virtualitetit shqiptar. Meqe me kujtove Al-Clubin, por te gjithe veteranet e virtualitetit shqiptar dyshojne per ty per shktaterrimin e forumit. Edhe pse me motivacion te drejte, meqe struktura funksionuese dhe grafika e forumit ishin teper te vjeteruara, ti shpike nje mori llagapesh qe grindeshin me njeri tjetrin per hiç mos gje. More ku je, gje e papare as ne ferr. Fraza pa pike kuptimi, por ndertuar ne menyre te tille qe dukej sikur kishin, biles te thelle. Asnje nuk mirrte vesh se çfare po ndodhte, derisa u paralizuan te gjithe.

    Per kete nuk kam asnje fakt, por eshte tregues fakti me Maks Gjerazin, qe komentuesit naiv qe hynin e dilnin ne blog e mbanin person te vertete. Pati nga ata qe u habiten, me kujtohet nje fyçke qe komentonte çdo dite, mbeti e mrekulluar kur doli libri, e marifeti doli ne shesh.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin