BOTË PARALELE (II)

Pas pasqyrimit të gjendjes social politike të Greqisë, dhe të forcave përfaqësuese tipike të elektoratit grek, le të hedhim sytë më në brendësi të gjendjes. Zgjedhjet elektorale të Qershorit nxorrën parti të parë ND-në. Pasok-u, pasi kishte marrë pjesën e luanit të pushtetit gjatë 30 viteve të fundit, pagoi pjesën më të madhe të humbjes, duke u tkurrur në elektoratin e vet, në masën 12%. Rënie historike për ish partinë e lavdishme në pushtet. Ama e djathta tradicionale konservatore, fitoi…

Arsyet? Ka shumë. Ish lideri i saj, K. Karamanlis, u tregua largpamës dhe hoqi dorë prej menaxhimit të pushtetit në kohë krize. U realizuan zgjedhjet parlamentare në vitin 09′ dhe përgjegjësinë për t’u përballuar me krizën e mori Pasok, me Papandreun. Kështu, në zgjedhjet e fundit këta u penalizuan më shumë. Gjithashtu ND ndërroi lider, dhe zgjodhi për kryetar një person që nuk kishte qënë këto vite të krizës lider i partisë së vet, apo në vijën e parë të politikës. Në këtë mënyrë ND përfitoi pafajësinë dhe heqjen e përgjegjësisë (të përkohshme) në lidhje me krizën.

Por gjithashtu kompleksi evropian i të majtës alternative, partisë Syriza, hyri në lojë. Syriza mbajti qëndrim shumë radikal ndaj Evropës politike. Deri aty sa të mbështeste idenë që Greqia të dilte nga zona euro. Lideri i saj iu dorëzua populizmit më së fundi, dhe retorika më tepër se realitetit, i përgjigjej asaj që elektorati i vet donte të dëgjonte: grekët nuk kanë faj, ne nuk paguajmë – faji është i të huajve.

Prej këndvështrimit të tij dhe elektoratit të vet klasik, kjo ishte diçka e kuptueshme. Syriza nuk ka qënë në pushtet, as elektorati i vet jo. Vetë Evropa, luajti përsëri rolin e vet historik, duke mbështetur edhe një herë të djathtën greke. Mbase një zgjidhje intuitive, sepse negocion më mirë me dikë që ka kompleksin e bashkëfajtorit sesa me dikë që ka kompleksin e rebelit. Gjithashtu neomarksizmi i Syriza-s, mund të bëhet i frikshëm, sidomos kur flet për konfiskime pasurish të të pasurve, rishpërndarje të parasë publike, politikë anti-bankierëve etj.

Pra, mendimi im është se e djathta e sotme në pushtet u sponsorizua për të qënë aty. Përdori frikën, mungesën e përgjegjësisë dhe të fajit për krizën me tërheqjen gati makiaveliste prej politikës të ish-liderit të vet, krijoi një front të gjerë anti të majtës, dhe më së fundi, po qeveris me një koalicion të aty-për-atyshëm trepartiak. Gjithashtu mendimi im është se duhej ky shkëmbim brenda-tradicional, midis dy ish partive të mëdha. Si për t’i gjetur një jastëk të butë krizës që ka pllakosur vendin fqinj.

Të dhënat nga zgjedhjet e fundit që u zhvilluan në Qershor, janë gjithashtu interesante për t’i vërejtur. Kështu e majta e re greke, Syriza, fitonte shumicën në zonat qendrore urbane të vendit, kryesisht në zonën e Athinës. Për herë të parë pas shumë vitesh në politikën greke rrëzohet miti se: fiton zgjedhjet ajo parti që fiton zonën B të Athinës. E djathta vërtet fitoi, por shumicën e elektoratit të vet, e gjeti në periferi.Për këtë mjafton të shihet harta elektorale. Për ND këtu dhe Syriza këtu.

Interesant është gjithashtu vëzhgimi mbi demografinë e shpërndarjes së votës. Në votuesit nga 18 deri në moshën 55 vjeç, Syriza është parti e parë, ndërsa ish forcat e mëdha tradicionale të politikës greke, kanë shumicën në votuesit +55.  Gjithashtu një evolucion progresist i shkëmbimit të votës mund të vërehet nëse situata zgjedhore krahasohet me atë të tre viteve më parë, zgjedhjet e 2009-ës. Të dy partitë tradicionale merrnin gjithsej 70% të elektoratit. Ndërsa në zgjedhjet e Qershorit, përqindja e tyre ishte 42%. Kemi një ndërrim votash të rangut 30%, nuk i thonë pak, votat e sistemit dypartiak afërsisht janë përgjysmuar. Sistemi dypartiak ka plot 40 vjet i rrënjosur, dhe historiku i vet, identifikohet me atë të Greqisë pas Juntës.

Ndërsa Syriza shfaqet si parti e parë në sondazhet e ditëve të fundit, AiA po zë vendin e tretë. Një arsye për të shpjeguar këtë dyzim në elektoratin grek, vjen prej vetë gjendjes kritike ku ndodhen fqinjët. Kriza sociale dhe politike e shtyn elektoratin drejt ekstremeve. Ka një pjesë njerëzish që shprehen se do votojnë për Agimin, si formë dënimi për gjithë sistemin politik. Të tjerë mund të ndihen të frustruar ngaqë shohin sesi po u ngushtohet hapësira publike në komunitetet dhe lagjet ku jetojnë, dhe bëjnë fajtorë për këtë emigrantët. Një pjese akoma të elektoratit ia dikton bindjet e veta dhe dogmatizmi, apo konservatorizmi i vlerave tradicionale, dhe e përjetojnë kohën që kalojmë si përdhosje ndaj bindjeve të tyre.

Greqia duket e ndarë në mes, midis frikës që shfaqet përmes konservatorizmit, dhe progresit – i cili nga ana e vet nuk po konturohet ashtu si duhet akoma. Por këtë ndarje e sheh nëpërmjet lëvizjeve sociale të secilës pjesë elektorati. Ndërsa Agimi i Artë proteston për shfaqjen teatrale me regjizor një qytetar shqiptar banues të Greqisë, deputetë të Syriza-s i shkojnë për mbështetje. Ndërsa AiA mësyn ndaj emigrantëve, Syriza manifeston kundër terrorit ndaj tyre.

Kjo gjendje krize e përgjithshme, e bashkërenditur me aftësinë e mediave sociale (social media quhen në Greqi blogjet dhe aktivistët e internetit), po e shfaq gjithnjë e më shumë ndarjen kulturore. Secili arketip greku dhe votuesi, po shfaqet gjithnjë e më shumë si qenie sociale dhe politike. Dukshëm shihet nëse dikush e kërkon armikun te i huaji, emigranti, apo kërkon të dobëtin ta mbrojë. Nëse mbështet dhunën si përgjigje ndaj një sistemi të tërë të krimbur, apo manifeston gjetjen e një zgjidhjeje mbi të gjitha politike. Greqisë po i testohet kapaciteti i vet social, mendor dhe i vlerave që përmban.

Nga ana tjetër, qëndrimi i kastës së vjetër të sistemit, populistëve dhe krijuesve të këtij qerthulli në të cilin ndodhet i zhytur vendi, shumë herë nuk ndihmon. Nuk bëhet fjalë për prepotencë, çka do të rezultonte fatale, por të shohësh krijuesit e kësaj gjendjeje të shfaqen në televizione kombëtare, që shumë herë u shkojnë pas avazit, konsiderohet si fyerje për qytetarët. Nëse ndjenja e padrejtësisë do të përkthehet si tradhëti në masat, thotë një filozof i njohur grek, atëherë këtë vend ka për ta marrë lumi.

Do ketë shumë ngjarje si ajo për gazetarin grek që u arrestua sepse publikoi listën e famshme Langarde. Një sistem politik tashmë i degjeneruar, nuk ka as mundësinë minimale të fshihet apo të manipulojë publikun. Dhe publiku grek, sidomos pjesa më e qytetëruar e tij do të reagojë. Besoj dhe të paktën shpresoj që do ndodhë. Dhe në fund të fundit, nuk e shoh këtë situatë pa e paralelizuar me gjendjen politike në Shqipëri. Të dy vendet ballkanike, e jo vetëm ato, po vuajnë prej atij koncepti që quhet future shock. Një sistem politik i tërë demaskohet dhe diskretitohet në të gjitha hallkat e pushtetit të vet, që prej qeveritarëve, deri në mediat proqeveritare dhe agjentëve që fshihen pas tyre. Do ketë trazira, mbase dhunë psikologjike, shtetërore, politike, presion, do nxirren fakte të reja kompromentuese për sistemin politik, do sfidohen vlerat dhe morali i publikut, por në fund pjesa e shëndetshme e shoqërisë, do të reagojë.

(vijon)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin