KËMBËSORË DHE SHIGJETARË

Julius

Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa, ishte parulla popullore e fillimviteve 90′. Një masë e madhe shqiptarësh atëherë, u dukën shumë të ngutur për t’u bërë vetë evropianë, ky perceptim krijohej tek i shihje varur në anijet që linin vendin drejt Perëndimit. Armata e këtyre këmbësorëve të bindur për të ikur, shëmbëllehej në shprehjen e famshme: sikur Adriatiku të ngrijë, me çorape leshi e në Itali. Një shenjë prej qiellit pritej vetëm, a dy, për t’ia mbathur – frazë që përligjte këmbësorinë dhe zellin e trajtimit të çështjes, atëherë…

Po tani? Pas 22 vjetësh, ndodhemi në një krejt tjetër ambjent. Shqipëria akoma e tranzicionit si shenjim i mosfunksionimit institucional, gjen tek vetja një tjetër pikëpamje për temën Evropë. Ata këmbësorë të atëhershëm të ikur, ua kanë lënë vendin shigjetarëve vendas që po e shënjestrojnë Evropën nga larg, ndërsa publiku është akoma konfuz për të. Nuk mund t’a mohojë kush se ka një tjetër trajtim nga brezi i të rinjve të atëhershëm në këta të kohës së sotme. Ka rrjedhur shumë ujë vërtet, megjithëse Adriatiku nuk ngriu ndonjëherë këto 22 vjet.

Duke kërkuar arsyet e pse-së së këtij ndryshimi, do mund të gjeja daljen e pijes prej idesë utopike për Evropën që për ata të brezit 90′ që nuk e kishin as parë as shijuar, u shëmbëllente me Parajsën në tokë. Mungesa e grishjes prej ikjes, vjen gjithashtu dhe nga një stabilizim relativ i gjendjes në Shqipëri, qoftë si pasojë anësore e pranimit të realitetit, megjithëse një numër i lartë qytetarësh, akoma edhe sot do të shpreheshin pro për t’ia mbathur.

Nëse do e trajtonim sipas besimit të cilit kësaj kohe shqiptarët i falen më shumë, atij të tregut; do të thosha se produktet të cilat ia kemi eksportuar Evropës – pra njerëzit (kapitali më i çmuar) nuk na i kanë pranuar euroburokratët. Perceptimi gjerësisht i shqiptarëve si kriminelë, nuk u mungon produkteve mediatike evropiane, që prej të përditshmeve deri në filmat Hollivudjanë. Nuk është e rastësishme as kërkesa për rivendosje të regjimit të vizave, dhe ndonjë shigjetë nga do qeveri evropiane për mospranim të statusit kanditat të Shqipërisë në BE. Ndërsa produktet të cilët ia marrim Evropës, ia refuzojmë, nëse nuk janë produkte të kulturës materiale. Ka një problem midis shqiptarëve dhe evropianëve, që është i trajtës konceptual dhe jopërmasor (intangible), mund të thjeshtohet dhe si problem komunikimi. Me evropianët, nuk flasim të njëjtën gjuhë. Dhe nuk i referohem kombëtarësisë së gjuhës, por konceptualitetit. Cilësisht fjalori i qytetarëve shqiptarë, nuk përkthehet në gjuhë të njëjtë me atë që flasin evropianët. Një mënyrë për t’a kuptuar këtë është sfida që i bëhet shqipes në përkthime.

Nga ana tjetër duket sikur Evropa po na refuzon kulturalisht. Rasti i filmit “Taken” dhe sequel-it që po transmetohet në kinema këto ditë, duhet kuptuar si një politikë në vazhdimësi, e paratrajtuar më parë në disa forma, që prej atyre ekzotike, kur na reklamojnë virgjëreshat-burrnesha, deri prej antipatisë së theksuar të ndonjë gazetari mistrec evropian – nuk besoj se e ka harruar kush një farë A. A. Gill.

Kështu si pa e kuptuar kaluam nga një marrëdhënie dashurie platonike pa kushte me Evropën, në një ftohje të përgjithshme. Ndoshta qëndrimi më shumë se duhet në paradhomë, ndoshta zhveshja e mitit evropian si Parajsa mbi tokë, ndoshta populizmi i pafre i politikanëve “të integrimit”, ndoshta konfuzioni i burokratëve evropianë të hedhur në Shqipëri, midis rolit të tyre institucional dhe atij të pritshmërisë publike përmes prozhektorëve mediatikë, bënë të ndodhemi në këtë pikë. Ky ripërmasim i qëndrimit të Evropës ndaj nesh, dhe neve ndaj Evropës, ka krijuar një krisje e madje gati një ripërmasim identitar të vërejtur në media dhe blogje, midis “atyre” këmbësorëve (emigrantëve) dhe “këtyre” qytetarëve banorë të Shqipërisë, “shigjetarëve”. Apoteozë e kulturës përjashtuese, ndoshta?

E vërteta është që propaganda populiste politike e reklamimit të Evropës dhe integrimit, e ka bërë punën e vet. Duhet theksuar se për këtë keqtrajtim të Evropës prej politikës shqiptare, është tërhequr vëmendja më parë. Perceptimi për Evropën, më shumë se çdo gjë tjetër vuan prej semplicitetit. Flamuri blu me yje të verdhë si kartë në duart e një politikani populist, përmasohet analogjikisht si çek i bardhë dhe lugë floriri. Ndërsa në duart e një kritiku progresist, duhet të shfaqet si proces, jo vetëm politik, por edhe kulturalist. Për t’i bërë përsëri një referim kulturës materialiste identitare shqiptare, ka një keqkuptim në këtë mes shumë të përhapur, kur edhe idetë abstrakte trajtohen si të ishin materiale, domethënë si të xanuna. Oponenca ndaj populizmit fals pro-evropian, nuk mund të jetë ajo e hedhjes poshtë të idesë për Evropën. Kur diçka të tillë e shoh të ndodhë, gjendem para paradoksit sesi kundërshtues në dukje të euro-integrimit, ndodhen kulturalisht më lart dhe më evropianë se vetë populistët eurointegrues. Kundërshtuesit e populizmit “integrues” nga ana tjetër, duhet të tregojnë kujdes, sepse qoftë pa dashur dhe nën pretekstin e tezave neomarksiste dhe neokolonialiste, po investojnë të krijohet një kompleks i përmasave kombëtare në masat, ndaj Evropës dhe marrëdhënies me evropianët.

Problemi ndër të tjera është kulturalist. Dhe i duhen dhënë konture të trajtës kulturaliste. Është një rikthim i përhershëm, i fustanellës dhe frakut. Populistë që mbi fustanellë veshin frakun për dukje, kameleonë politikë që ndërrojnë ngjyra, politikanë shembëllim të kulturës klienteliste, “integrues” me bllok të zi në duar, nuk mund të përballohen përmes shabllonizmave. Evropa është sfidë. Na sfidon mënyrën sesi priremi të organizohemi, na sfidon idetë që kemi për Tjetrin, mënyrën sesi i përftojmë marrëdhëniet dhe dinamikën e tyre. Evropa na sfidon sesi mendojmë, sesi vishemi, se çfarë pëlqejmë, na sfidon sesi flasim. Evropa është sfidë, sfidë e arkaizmit, provincialitetit, klanizimit, formës së komformizuar identitare. Duhet t’i hedhim dorashkën… nëse duam t’a pushtojmë.

Nuk ka komente

  1. Ka një farë cinizmi të fshehtë ky shkrim.
    Shqiptarët që ikën në vitet 90′, nuk e bënë këtë për t’u evropianizuar, as se po kërkonin parajsën; ata ikën për t’i shpëtuar ferrit. Edhe tani shumë do të donin të iknin, vetëm se nuk i mban më njeri e jo se gjendja qenkësh stabilizuar.
    Natyrisht që abuzohet shumë nga të gjithë demagogët me afrinë ndaj kontinentit plak, por ky fakt nuk ka pse të na bëjë të hedhim dorashka andej-këtej. Nuk është Evropa që na sfidon; ne vetë jemi sfida e vetvetes.

    1. Nuk ka cinizëm, keqardhje mbase.

      Nuk e hedh poshtë këndvështrimin tuaj, por më duket shumë i ngushtë që ta adoptoj. Ndoshta perceptimi i secilit konturohet dhe nëpërmjet ndjesive personale. Por për disa njerëz, Evropa e para viteve 90′, dërgonte sinjale që kapeshin dhe përktheheshin si dëshirë për t’i përkitur atij ambjenti, asaj kulture që shihej, apo dëgjohej së largu. Ky perceptim u forcua dhe më pas, në fillimvitet 90’… televizionet italiane, këngët, filmat, ishin një realitet dhe e kishin të vetën pjesën ndjellëse.

      Kam për të thënë ca gjëra për këtë: “vetëm se nuk i mban më njeri”, por dua një konfirmim se çfarë do të thuash me atë shprehje?

      Evropa në fakt, përdoret si sistem referimi, edhe kur nuk e duam. Kështu për shembull, nëse flasim për bashkimin kombëtar, marrim rastin e bashkimit të Gjermanive dhe jo arabët, siç u bë një herë këtu, dhe shumë qime flokësh u ngritën përpjetë. Ajo që më intereson posaçërisht mua, është se po krijohet një ide dhe një distancë fiktive ndaj Evropës, që do të sillte komplekse më pas në marrëdhëniet me ta. Se ka komplekse e komplekse. Një të tillë, meqë jetoj në Greqi, unë ia dalloj të majtës greke. Ajo është e kompleksuar ca nga Evropa, dhe kjo nuk e ndih hiç në rrugën dhe ideologjinë e vet. Këtë lloj kompleksimi me një krahasim pedant, pa rrëmuar shumë në psikologji, e interpretoj si frikë për të jetuar në post-modernizëm. Dhe nuk shihet vetëm tek shqiptarët, por edhe në popujt periferikë evropianë, që vendosen përpara dilemës: liri apo siguri? Dhe kështu tolerojnë mini-diktatorë në vendet e tyre.

  2. Shume e koklavitur tema, Julius. Por ke te drejte.Europa per ne eshte sfide.

    Une kembesor jam, dhe kur (ngriu) deti,vrapin ketej e mbajta.Shpeshhere kthej koken pas, dhe per t’ju pergjigjur arbelos,nuk ikem per ti shpetuar ferrit, thjesht sepse parajsen se dinim c’ishte.Ikem. Ndoqem nje kimere ,nje vezullim ne shkretetire.Do ta shtjelloja me gjere e me gjate per ti bere nje analize pse europa eshte sfide per ne.Per bashkelexuesit po sjell ne vemendje vetem nje aspekt sa kurioz ,aq domethenes.Nder veshtiresite e para qe kam hasur ketej ka qene komunikimi me gjuhen e shenjave (tundja e kokes)universal dhe i thjeshte ne dukje.Pohimi dhe mohimi. Sa i vogel aq domethenes.
    Pershendetje jul.

  3. “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa, ishte parulla popullore e fillimviteve 90′…. Po tani? Pas 22 vjetësh, ndodhemi në një krejt tjetër ambjent…”

    Jul,

    Shume pesimist me dukesh sot.

    Mbyll syte per nje çast dhe thirri kujteses. Perpiqu te sjellesh ne mend se si ishim para 22 vjetesh ne raport me Europen, e nuk flas per aspektet materiale, nuk flas as per ca e ca si ti apo Xha Xhai e pak te tjere “te privilegjuar”. Flas per vendin ne pergjithesi e per masen.
    Me gjithe problemet e shumta e te pafundme ne çdo rrafsh, per 22 vjet kemi ndryshuar si nata me diten, e perseri nuk flas per aspektet materiale.

    Ritmet dhe dinamizmi yne, sipas meje, jane per t’u admiruar.

    Po bej nje pyetje paradoksale: Cili popull europian, po te kishte qene ne kushtet tona, do te kishte bere me shume? Sa kane ndryshuar vete popujt europiane ne keta 22 vjet? Sa dhe si kane ndryshuar fqinjet tane ne keta 22 vjet? Nuk e di ku ke qene ti apo miqte e tjere te blogut, por di qe, fjala vjen, Xha Xhai para 20 vjetesh ka qene ne Napoli. Te na thote pra ai sa dhe si ka ndryshuar shoqëria napolitane ne keta 22 vjet?
    Te jemi realiste…

  4. Edhe diçka…
    Europa ishte, eshte dhe do te mbetet ideal per shqiptaret, ne kuptimin kulturor, politik dhe social. Po ti, duke jetuar ne Greqi, me duket se je molepsur nga “kriza greke”. Grekeve nuk ua ka fajin Europa.

    1. Relapso, ajo që po vë re më shumë se gjithçka tjetër, ka të bëjë me qëndrimin ndaj Evropës. Më parë shqiptarët shfaqeshin shumë të zellshëm për t’i përkitur Evropës, ndërsa tani jo dhe aq. Sondazhet mund të jenë shumë të larta, por ato i kompromenton sempliciteti, që më së shumti e sheh Evropën jo si projekt, por si ftesë me lugë në brez. Besoj se kemi mendime të ndryshme për progresin që … kemi bërë, por këtë nuk e shoh përparësore. Ka një “rezistencë” ndër njerëzit për t’i përkitur Evropës kulturalisht. Do duket, nuk do e lënë pa komentuar këtë temë. Do e shohësh dhe vetë.

      Nisem nga kriza greke, sigurisht. Sepse kriza greke është krizë kulturore, dhe shumë mirë nesër mund të shndërrohet në krizë shqiptare. Ka një link aty, për “Fustanellën dhe Frakun”, hidhi një sy.

      Grekëve vërtet nuk ua ka fajin Evropa, nuk po them të kundërtën. Madje ajo çka më bëri të shkruaj është se pashë në shtypin shqiptar të shkruhet që “na e ka fajin Evropa”.

      Ja, këtu dhe këtu.
      E majta greke, pjesa që nuk qeveris, ka komplekse ndaj Evropës, për arsye ideologjike. Si Stefani, ashtu dhe Kajsiu, që ua lexoj me qejf shkrimet kam frikë se po ndihmojnë që të krijohet dhe ndër shqiptarë kompleksi. Do të ketë një pjesë të shoqërisë, si kudo, që do jetë reaksionare ndaj idesë për Evropën. Mos e shiko kështu si është tani shoqërinë shqiptare, të komformizuar “një komb një qëndrim”. Kemi qënë edhe më parë ne, “të gjithë bashkë, si një grusht”. : D

      1. I lexova keto shkrimet e Stefanit dhe te Kajsiut.

        Une nuk e kisha fjalen per aderimin ne Europen politike, por per ate tjetren te “fustanelles e te frakut”, per “Europen” si metafore, si sistem vlerash, si model ideal per t’u arritur, per ate Europe qe per ne qysh nga Naimi ka perfaqesuar diellin qe “lind nga perendon”.

        Aspektet politike, qurravitjet e Europes ndaj nesh e anasjelltas, hatermbetjet e ndersjella per vizat, kriteret, statusi i kandidatit e te gjitha keto mua me lene krejt indiferent.

        Une ta kisha fjalen per mijera studentet shqiptare qe çdo vit regjistrohen ne universitetet europiane, per faktin qe, fjala vjen, Kajsiu ne mengjes shkruan nje artikull per “Panoramen”, ndersa ne darke dergon nje artikull ne anglisht me email ne nje reviste prestigjioze nderkombetare, per ato qe ti quan sfida, per faktin se realisht kemi ndryshuar menyre te menduari, te sjelli, te foluri… Edhe pse nuk e veme re, sepse ndoshta e kemi kujtesen te shkurter.

        Sa per progresin qe kemi bere… kujtohu se ne vitin ’90, ekonomistet tane me te mire, Nano, Pashko, Ruli etj. nuk do te ishin ne gjendje te kalonin provimin e “hyrjes ne ekonomi” ne nje universitet çfaredo te Europes. Ndersa une asokohe lumturohesha e me dukej gje e madhe kur nje mik anglez “nga jashte shtetit” me dergonte edicionin ekonomik te Oxford-it te Historise se letersise angleze ne dy vellime, qe i kishte blere te tezgat e pazarit te se dieles e qe ishin tekste per shkollat e mesme.

        1. Mund të mos biem dakord për masën e progresit, por do duhet të biem dakord besoj, se ka një diferencim midis brezave të mëparshëm, sidomos atyre të lindur në vitet 60′, 70′.. mbase edhe 80′, dhe brezave të sotëm të të rinjve. Nuk ka më ethe të tilla, Relapso apo etje për të lexuar diçka të vlefshme, dhe cilësore. Në një farë mase jo krejtësisht për faj të të rinjve të sotëm. Kultura konsumeriste, edhe në arte, letërsi etj, e ka mbytur cilësinë.

          Dhe kjo do të sjellë një diferencim më pas në lidhje me Evropën e idealeve. Ndërsa ata që ishin të rinj në vitet 90′, ndoshta nuk ishin të pregatitur për t’u njohur me Evropën, kishin më shumë zell ta njihnin. Në kohët e sodit, nuk ka zell për njohjen. Individi e ndjen veten self-sufficient dhe prepotent.

          Dy janë cilësitë që i shoh unë masave në Shqipëri dhe që do ua vështirësonin marrëdhëniet komunikuese me të jashtmit, apo evropianët.
          1. Paaftësia për të përballuar kritikën. (shumë herë kritika shihet si fyerje)
          2.Shoqëria kryesisht konservatore shqiptare.

          Besoj se në të ardhmen do duken këto të dhëna.

          Aty merrem me të majtën sepse nuk dua që kjo të kultivojë ide reaksionare, që më pas do e dëmtojnë atë vetë. Edhe Kajsiu, edhe Stefani janë të majtë. Mbase është dhe fobi e imja xhanëm…

          1. Jo, ti ke kapur një gjë shumë të hollë, këtu: transformimin e shqiptarit “të ri” në të kundërtën e asaj që dëshironim të ishim, nëpërmjet katundarizimit. Ky është edhe shqiptari të cilit po i miklohen sot të gjitha forcat politike, duke e ftuar të tundë flamurin, ose të kremtojë identitetin e vet, pa asnjë arsye. Vëreni grindjet qesharake të këtyre ditëve, për vjedhje idesh nga një parti në tjetrën.

      2. Juliusx, nuk me duket se ka “rezistence” nder njerezit per ti perkitur Europes…rezistenca nenkupton ndergjegjesim per efektet dhe reagim te vullnetshem ndaj tyre. Ne Shqiperi numri i ketyre lloj “rezistenteve” eshte i paperfillshem (me shume zemergjeresi po them se jane nja 100 te tille, se me numerim te sakte nja 10 me dalin gjithsej :))

        Shumica e “njerezve” ne Shqiperi jane te shumellojshem:

        1. te varfer, te paditur (nga ata te “anes detit…”) qe as kane ditur as duan te dine per Europen dhe kulturen e saj.

        2. gjysem-te varfer, te paditur, megjithese afruar qyteteve, qe e shohin Europen me viza-luge-ne brez.

        3. ne piken dy do fusja edhe masen e madhe te emigranteve/studenteve qe edhe pse jetojne neper qytete europiane e pertej, kane kuptuar pakgje ose asgje nga c’i rrethon.

        4. te pasurit, edhe me te paditur se ata te paret, qe vene e vijne neper hotelet e dyqanet e Europes, dhe pandehin se jane tashme europiane e shkuar europianit.

        E keshtu me rradhe….ka shume padituri, indiferentizem, kapadaillek, megalomani boshe….e plot “virtyte” te cmuara shqiptare qe nuk kane lidhje fare me “rezistencen” ndaj Europes.

        1. Në fakt është pikërisht mungesa e ndërgjegjësimit që e perceptoj si rezistencë, në kllapa madje. Se kur të përmenden, nga “rezistencë”, do kthehet në rezistencë reale.

          Ndryshimi është se këto të dhëna që përshkruan:

          (…) ka shume padituri, indiferentizem, kapadaillek, megalomani boshe….e plot “virtyte” te cmuara shqiptare (…)

          mendoj se kanë lidhje me rezistencën.

    2. Se z. Autor te ka dhene xhevap vete dhe nuk para eshte mire te nderhyje nje tjeter. Po puna eshte se me duket disi e guximshme te thuash se “shqiptaret kane ideal Europen”. Ketu nis kalimi nga diskutimi ne nje plan teorik apo edhe si intelektual (megjithese nuk e di pse kjo fjale me duket se i perket perhere dikujt qe nuk e njoh) ne ate politik apo si politikan. Se nese ecim me kete logjike, apo meter arsyetimi fare mire nje dite dikush mund te thote (edhe ti) se: se shqiptaret qe jetojne ne Greqi nuk e duan Europen pasi jane molepsur nga Greqia. Jane dhe shume ata, nje 700 mije. Ec e merru me halle te reja pastaj.
      Nga ana tjeter, per respekt te z. Autor, qe une nuk e njoh fare, por meqe i ka hyre rruges se shkrimit duhet respektuar, ndoshta duhet te vije ne thonjeza fjalen -moleps- e jo krizen greke. Kot them se mos ma merr per keq.

      1. Theollogos,
        une mendoj vertet se shqiptaret kane ideal Europen dhe jo, fjala vjen, Turqine apo Greqine. Ato thonjezat i kam vene te “kriza greke” dhe mos m’i luaj se kane te bejne me dy shkrimet e meparshme te Juliusit “fustanella dhe fraku”, te cilet te ftoj t’i lexosh. Kuptohet qe nuk e kam fjalen per krizen aktuale financiare.

  5. “Nder veshtiresite e para qe kam hasur ketej ka qene komunikimi me gjuhen e shenjave (tundja e kokes)universal dhe i thjeshte ne dukje.Pohimi dhe mohimi. Sa i vogel aq domethenes.”

    .. dhe ti me siguri ke menduar se ato shenja ne i kemi se prapthi .

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin