KUR PLAS SHATLLI

M’u desh një ditë të përktheja në shqip termin anglisht space shuttle, që i referohet një mjeti transporti të mirënjohur anembanë botës.

Vetë termi anglisht, është një metaforë, meqë e quan anijen në fjalë sipas ngjashmërisë me sovajkën (angl. shuttle), pjesë e vegjës që lëviz në mënyrë karakteristike, me vajtje-ardhje; ose edhe një vegle të ngjashme në makinën qepëse.

Shqipja e quan sovajkën edhe drugë dhe mëqik, duke treguar në këtë pikë një shkallë pasurie të admirueshme – edhe pse fiktive (kush i thërret sovajkës drugë, nuk përdor as sovajkë as mëqik; ndryshimet në shenjues nuk i përgjigjen ndonjë ndryshimi në të shenjuar; këto sinonime janë thjesht leksikografike, ose janë kafshë të ndryshme, që i kanë futur me zor në të njëjtin kafaz në Zoo).

Megjithatë, fjalorët anglisht-shqip që unë detyrohem të përdor – i Pavli Qeskut dhe i Ramazan Hysës nuk më ndihmuan shumë.

Qesku, te fjala shuttle, jep përkthimin e një Moon shuttle si “anije kozmike vajtje-ardhje në Hënë” – term që autorit do t’i jetë telegrafuar nga e ardhmja, meqë në botën e sotme kjo anije ekziston vetëm brenda Star Trek-ut.

M’u desh të shkoja te fjala space, ku të gjeja space shuttle, të përkthyer si “anije kozmike vajtje-ardhje, sovajkë kozmike.”

Për mendimin tim, meqë space shuttle është një lloj shuttle, ajo duhet dhënë e përkthyer në zërin e shuttle, jo në zërin e space – por nuk po ankohem shumë.

Në fakt, fjalori i Hysës e jep space shuttle thjesht si “anije kozmike” (kjo është njësoj si ta përkthesh fjalën dog si “gjitar”, ose fjalën guitar si “vegël muzikore”) – njëlloj si Leka, Simoni, që italishten navicella spaziale e japin si “anije kozmike.”

Të dy fjalorët, edhe i Qeskut edhe i Hysës, janë botuar shumë kohë pasi shuttle-i i NASA-s filloi ecejaket në qiell.

Ramazan Hysa, përkundrazi, e përkthen shuttle-in e vegjës si “drugë, sovajkë, mëqik”, duke treguar edhe një herë virtuozitetin e shqipes me fjalë që nuk i hyjnë askujt në punë – cili prej nesh ka parë dhe, aq më pak, ka punuar me vegjë këto 10-15 vjetët e fundit?

Përkundrazi, kur vjen puna për t’i dhënë lexuesit terma të cilët janë vërtet problematikë, të dy fjalorët zbythen.

Hysa e bën këtë në mënyrë spektakulare, ose duke ia dhënë vrimës që ka në fjalor një dorë të lehtë stukoje.

Qesku përpiqet disi, por propozimi i tij, “sovajkë kozmike,” nuk më rezulton të jetë përdorur ndonjëherë, të paktën së fundi (gjej vetëm një hit në Google).

Ky autor s’e ka gjetur dot guximin ta përkthejë shuttle thjesht si sovajkë, duke përfituar nga fakti që termi sovajkë, në shqipe, në kuptimin “pjesë e vegjës”, është praktikisht i vjetëruar.

Anglishtja thotë space shuttle, edhe për ta dalluar këtë anije nga trenat dhe autobusët shuttle, që lidhin mes tyre pika tranziti ose shpejtojnë lëvizjen e njerëzve brenda një hapësire të caktuar, p.sh. aeroportit – problem që shqipja nuk e ka.

Përndryshe, perifrazimi i tipit “anije kozmike që bën rrugë vajtje-ardhje” është i padobishëm për përkthyesit – të cilët, me siguri, japin e marrin më shpesh me shuttle-in e NASA-s, sesa me mëqikun.

Unë deri edhe kamion hapësinor do ta gjeja më të pranueshme – sepse sovajka e NASA-s asgjë më tepër se kamion nuk është; ose, fundja, edhe traget.

Kujt merr përsipër të hartojë fjalorë si këta më lart, nuk duhet t’i mungojë guximi për të ofruar zgjidhje, aty ku gjuhës i mungojnë; dhe aq më e vërtetë është kjo në rastin e shqipes, e cila ende mezi ecën, në lëmin e teknologjive.

Përndryshe, në Shqipëri, shuttle-it të NASA-s i thonë të gjithë shatlli. Si tani më kujtohet dita kur ndodhi aksidenti me Challenger-in, në 28 janar 1986, dhe një shoku ynë erdhi pa frymë te Derri, në rrugën e Durrësit, për të na thënë: “Ka plas shatlli, ka plas shatlli!” dhe asnjë prej nesh nuk e merrte vesh ç’kish ndodhur tamam.

Nuk ka komente

  1. Nuk e mora vesh, pse nuk te pelqen “anije kozmike”? Edhe “anija” vete e vjen, pra udheton vajtje-ardhje. Sa per “shuttle”-in e aeroporteve, ne vakt eshte thjesht autobus qe si te gjithe autobuset ben po ate rruge vajtje-ardhje.

  2. Qe ta banalizoj ca punen, çdo gjuhe ka menyren e vet te pasqyrimit te realitetit, apo te “prerjes” se realitetit, po te perdorim fjalet e Hjelmslev-it. Per ne shqiptaret “shuttle-i” eshte anije kozmike. Qe te perdor nje shembull nga ata te zakonshmit e teksteve shkollore te gjuhesise, si duhet t’i perkthenim fjalet e ndryshme qe ne arabishte shenojne lloje te ndryshme te reres se shkretetites, apo ato qe ne gjuhen e eskimezeve shenojne lloje te ndryshme te debores? Ne kemi vetem “rere” dhe “debore”. Me ato do te kullandrisemi.

    1. Arsyeja, për mua, është se “anije kozmike” nuk mjafton, është tepër pak.

      Ta quash shuttle-in “anije kozmike,” je duke varfëruar gjuhën. Sikurse e thashë më lart, është si t’i thuash qenit “gjitar”, ose alabardës “armë.”

      Natyrisht, ka një kufi se sa i hollësishëm dhe specifik do të jetë emërtimi (Queneau, te “Exercices de style” e ka ilustruar bukur këtë, në kapitullin Noms propres, por edhe, nga një anë tjetër, te Précisions), por besoj se kultura e ngritur rreth shqipes e ka aq sofistikim, sa t’ia gjejë një emër shuttle-it, dhe të mos e emërtojë me hiperonimin e vet.

      Anije kozmike ishte edhe “Columbia”, edhe moduli hënor “Eagle”; sikurse është edhe “Enterprise” e Star Trek-ut.

      Por shuttle-i duhet emërtuar sipas specifikës së vet – ajo anije nuk të shpie gjëkundi tjetër, por veç shkon e vjen në orbitë të ulët rreth Tokës.

      Është një kamion i rëndomtë.

      Merr pjesë tërthorazi në eksplorimin e kozmosit, por t’ia shtosh mbiemrin “kozmike” i ke bërë nder të pamerituar.

      Tani, shembulli që sjell me emrat e rërës në arabishte (do të shtoja edhe: me emrat e borës në arabishte) më duket se nuk qëndron mirë; sepse fakt është që ne e dimë se çfarë është shuttle-i; dhe sa kohë që e dimë, meritojmë të kemi edhe një emër për të.

      Një emër që të tregojë jo vetëm se shuttle-i është anije kozmike, por edhe se çfarë e dallon nga anijet e tjera kozmike.

      Fjalorët anglisht-shqip, në një botë ideale, do të luanin rol të dorës së parë në pasurimin e shqipes. Të paktën, në këtë botën tonë aspak ideale, të mos i lëmë të na e varfërojnë gjuhën.

      1. Faleminderit per sqarimin.
        Une dija se Shuttle-i eshte anije kozmike, por keto hollesirat e tjetra teknike e astronomike qe kerkojne te behet dallimi gjuhesor nuk i dija 🙂

  3. Shkrimtaret e zhanrit fantastiko-shkencor kane luajtur nje rol te madh ne koinizimin apo popullarizmin e shume termave qe perdoren sot ne shkence, si psh Wells, Lewis per “spacecraft” dhe “spaceshift”.

    Dakord qe termi kozmik nuk duhet te perdoret per nje mjet transporti rreth hapsires tokesore, apo shkuarjes e ardhjes ne planetet apo satelitet branda sistemit tone diellor. Udhetimit dhe kthimet jashte ketij sistemi jane te paimagjinueshme sot per sot per teknologjine dhe jetegjatesine njerezore.

    Ne lidhje me space shuttle une e shoh te thjeshte kete pune. Nuk me tingellojne keq psh variantet “vajtjeardhesi hapsinor”(qiellor ose jashtetokesor) apo “ecejaku” “shkuarjeardhes hapsinor”.

    Me tingellon me mire vajtjeardhesi hapsinor ose qiellor. Ne se ngjit si variant kam zene radhen i pari per te drejten e autoresise.

        1. Kot po diskutonim – ecejaku si fjalë duket e menduar mirë (ja, sa bukur ka zënë vend në shqipe marrëdhënie), por kjo nuk i jep vetvetiu shans për t’u përdorur. Këto zhvillime s’i kontrollojmë dot me arsye vetëm, edhe pse sa më shumë që t’i diskutojmë mes nesh, aq më shumë shtohen shanset që fjalët t’i përdorim me kujdes.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin