NJË KILE BAMJE

Kësaj vere pazarin e shtëpisë e bëra unë. Si në plazh ashtu edhe në Tiranë. Kënaqësia më e madhe ishte blerja e perimeve, sidomos tek tregu i fshatarëve.

Fillimisht zarzavatet e frutat i blija në supermarket, pastaj dalëngadalë, pa e kuptuar, u zhvendosa drejt tregut të fshatarëve. Në një moment të caktuar këmbët më shpinin vetë drejt tregut fshatar. Arsyen e tradhtisë së supermarketit nuk e pikasa menjëherë. Ka plot njerëz që e parapëlqejnë tregun për arsye të ndryshme. P.sh. ka nga ata që shkojnë tek tregu fshatar sepse mund t’i ketë prodhimet më të freskëta. Ka nga ata që nuk e zëvendësojnë supermarketin thjesht për komoditet, sepse i blejnë të gjitha gjërat aty, përfshirë domatet e dardhat.

Arsyeja e tjetër që mund ta lëvizë peshoren në favor të tregut fshatar është çmimi. Normalisht çmimet e fruta-perimeve janë më të lira tek fshatarët. Tek e fundit, nëpërmjet fshatarit, rrugëtimi nga fusha tek konsumatori shkurtohet shumë. Fshatari e merr direkt prodhimin nga fusha e ta sjell në treg. Shpenzimet janë më të pakta. Teorikisht, se praktikisht prodhimi i tij mund të mërzitet në magazinë, ndoshta më shumë se prodhimet e marketit, që kanë kaluar nga shumica tek pakica nëpër disa duar. E mund të ketë çmim më të lartë. Gjithsesi, rruga e gjatë ndikon jo vetëm freskinë, por edhe çmimin. Të parën e ul, të dytin e ngre.

Edhe siguria e prodhimeve që blihen tek fshatari mund të konsiderohet tashmë mit. Thuhet se prodhimet bujqësore fshatarët i bëjnë bio, pra biologjikisht të pastra, pa plehra kimike shtesë e djallëzira të tjera që duan ta fryjnë prodhimin në kurriz të cilësisë e të shëndetit të qytetarëve. Jo të gjithë fshatarët e bëjnë këtë. Megjithatë, ka nga ata që i hedhin tokës kimikate të dëmshme, ose të rrezikshme në sasinë e përdorur, thjesht nga padija në trajtimin e duhur të tokës.

Ka konsumatorë që e bëjnë pazarin tek fshatarët për t’i ndihmuar ekonomikisht. Me të njëjtin çmim, me të njëjtën cilësi, preferojnë t’i blejnë perimet tek fshatari, me idenë se në këtë mënyrë ndihmohen familjet e atyre që punojnë në bujqësi e nuk kontribuohet për dhjamin e tregëtisë parazitare.

Parapëlqimi im për të blerë tek fshatarët nuk kishte as karakter pragmatik e as ideologjik. Pa e kuptuar shkoja gjithnjë tek fshatarët. Arsyen e kuptova më vonë, krejt papritmas, kur vura re çmimin e shkruar me dorë diku mbi arkën e domateve. Siç dihet, tek tregu fshatar jo gjithnjë vihen çmimet sipër prodhimeve. Prandaj edhe fjalitë “Me sa i ke bamjet?”, “Sa e ke kilen e mashurkave?”, “Sa lekë bëjnë domatet?”, “Sa janë këto?” janë nga më të përdorurat në pazar. E pra, kuptova përse rregullisht i blija zarzavatet jo vetëm tek tregu fshatar, por pikërisht tek ata që nuk i shkruanin çmimet.

Zgjedhja ime, mesa duket, nuk ishte e vetëdijshme, ajo e fshatarëve ndoshta. Arsyet që i shtyjnë ata të mos i shkruajnë çmimet mund të jenë të shumta. Kujt i shkon mendja menjëherë për keq, mendon se nuk i vënë me qëllim që t’ia veshin blerësit sipas xhepit. Zbret nga makina luksoze? Kilja e kumbullave do të shtohet pak. E ke të dashurën e përkëdhelur? Fiqtë do të kushtojnë më shumë. Je i veshur me Dolce & Gabbana? Kungujt do të rriten automatikisht. Me dy fjalë, çmim i personalizuar. Ka mundësi të jetë kështu, por e sigurtë nuk është.

Ithtari i ligjit mund të mendojë se nuk i vënë për të shmangur taksat, në mënyrë që kur t’i vijë kontrolli të thotë se nuk ishte aty për shitje malli. Akuzë pretekstuoze dhe e pabazuar. Tek tregu i fshatarëve zakonisht paguhet vendi që zë, jo sasia e mallit që shet. Pastaj nuk mund të zhduket për dy sekonda gomari me koshat plot. Në qoftë se ndodh mrekullia e kontrollit, natyrisht.

Mundet që çmimet nuk vihen për mungesë letre, stilolapsi, kohe, tradite, kostoje, dijesh, mukajeti…  Nuk shënohen, pikë. Pa ndonjë arsye të veçantë. Pyetja edhe mund të përmbyset. Pse duhet shkruar çmimi medoemos? Të thahet goja të pyesësh, ty? Apo harxhon frymën? Po të ishe shurdhmemec hajde de. Mos i ke me parà fjalët? Më duket sikur i dëgjoj ca zëra.

Nejse, përse-të e fshatarëve që nuk e shënojnë çmimin e produkteve në shitje mund të gjenden. Madje mund të jetë e njëjta arsye që më shtynte mua t’i blija tek ata që nuk e shkruanin. Për mua, siç e diktova më vonë, pyetja për koston e kiles ishte një farë “karremi”. Që andej kaloja me kënaqësi tek kureshti të tjera që lidheshin me cilësinë e produktit, prodhimin, transportin, tregtinë, politikën vendore, bujqësinë, pronat, hallet e fshatarit, e kështu me radhë; e po të mos silleshin rrotull klientë a myshterinj vijoja gradualisht deri tek problemet familjare. Disa ditë blerje dhe hallet e dhëndrit çapraz, nuses nursëze, krushqisë hundëpërjetë, komshinjve ziliqarë, bëheshin të miat. I mirëkuptoja njerëzisht të gjitha telashet e dëshirat, për sa e mundur i ndanim bashkë. E gjithë kjo falë çmimit të pashkruar.

Tani që po kujtohem mirë për bashkëbisedimet e shumta më lind një dyshim. Po sikur fshatari ta ketë përdorur çmimin e munguar si “karrem” për të folur me klientët? Më vjen ndërmend se edhe unë i tregova shumë për problemet që më rrethojnë, deri tek çështjet personale… Ja pra që edhe mungesa e një komunikimi sjell komunikim. Por kjo e ka zanafillën tek një nevojë njerëzore që çmim nuk ka.

Nuk ka komente

  1. “Por kjo e ka zanafillën tek një nevojë njerëzore që çmim nuk ka”

    Sa e vertete aq edhe e trishte. Harrove te shtosh se, nese nuk je i paguar, eshte po ajo nevoje njerezore qe te shtyn te shkruash ne kete blog. Se paku per mua, dhe besoj per shumicen e atyre qe shkruajne ne blogje, eshte keshtu. Blogjet tashme po zevendesojne marredheniet e dikurshme shoqerore, vizitat e ndersjella ne shtepi, takimet dhe bisedat e gjata ne kafe me miqte etj. Vetem se ketu ne blog nuk je me ti, ai i verteti, ai qe flet me fshataret kur blen bamje apo ai qe bisedon me miqte me nje filxhan kafeje te ftohur perpara. Ketu je bere Pishak, me ca sy qe kane marre formen e monitorit te kompjuterit dhe me nje ze qe ngjan me trokellimat e lehta te tastieres: nje entitet jo prej mishi e gjaku e nervash, por prej algoritmesh e impulsesh elektrike qe shnderrohen ne piksela. Sa e trishte!

  2. Shumë i mirë ky shkrim – tregu (pazari) si komunikim dyfarësh, edhe malli edhe mes vetë aktorëve ekonomikë. Me siguri, gjatë këtyre kontakteve mes shitësve dhe blerësve, fshatarëve dhe qytetarëve, vendësve dhe mysafirëve, vihen edhe bazat për një hapësirë të përbashkët, një commons, këtë herë si lingua franca, ose barasvlerë të parasë që ndërron duar gjatë transaksioneve, ose të likuiditetit të pronësisë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin