LOKALIZMI – SHKAK APO PASOJË?

Në debatet për standardin, shpesh dëgjon të sillet edhe argumenti se fëmijët gegë e kanë të vështirë ta përvetësojnë në shkallën e duhur, ngaqë ky është i mbështetur në toskërishten; për pasojë, në gjendjen e sotme të sendeve, këta fëmijë gegë, pasi të rriten, nuk do të konkurrojnë dot me moshatarët e tyre toskë, në hapësirat ku individët vlerësohen sipas meritës.

Argumenti është pasuruar tani edhe me hyrjen masive të faktorit kosovar në skenë; meqë – këtu dhe më poshtë flas në përgjithësi – fëmijët dhe të rinjtë kosovarë përjetojnë po aq, në mos më shumë vështirësi në përdorimin e standardit, duke e telegrafuar qartazi origjinën e tyre krahinore, sapo hapin gojën. Këtë fakt e kanë sjellë edhe në mbështetje të argumentit se standardi i sotëm i shqipes është përjashtues, sa kohë që ‘i lë jashtë’ shumë folës të dialekteve gege.

Çështja ka zanafillë gjuhësore, por ka përndryshe natyrë sociologjike, deri edhe politike; edhe pse interpretimi i saj varet nga argumentet me natyrë linguistike.

Për ta shkoqitur, brenda hapësirës dhe rrethanave që lejon blogu, le të nisemi nga premisa se standardi është diçka që nuk vjen natyrshëm, por mësohet – në shkollë, nga mediat, nga leximet, nga pjesëmarrja në hapësirën publike. Askush nuk lind në standard, por si qytetar është i detyruar, njëfarësoj, që ta përvetësojë dhe ta përdorë.

Le të nisemi edhe nga një premisë tjetër dhe pikërisht që përvetësimi i standardit nuk nënkupton aspak zëvendësimin e të folmes me standardin. Një banor i Gollokamjes, që mëson dhe përvetëson standardin, nuk e mëson këtë për të folur në standard me gjyshen e vet në Gollokamje; po për ta përdorur si banesë të qytetarisë së vet, ose për t’u përfaqësuar me të në publik.

Qytetari është vetvetiu poliglot: ai lind në të folmen e familjes së vet, pastaj gradualisht “zbutet” gjuhësisht në shkollë, duke përvetësuar një formë gjuhësore, e cila është e njëjtë për të gjithë qytetarët e shtetit përkatës; ndërkohë atij i duhet të mësojë edhe të folmen e vendit ku mund të ketë të filluar të banojë rishtas, sikurse i duhet të mësojë të shprehet në regjistra të ndryshëm: formal dhe informal, bisedor dhe libror, etj.

Kështu, sa për të sjellë një shembull anekdotik nga familja ime, ime më, e lindur në një familje gjirokastrite dhe e mëkuar me të folmen e atij qyteti, u zhvendos pastaj në Tiranë dhe mësoi njëkohësisht të folmen e lagjes ku jetonte (tironçe), dhe standardin në shkollë e më tej në universitet, atë standard të cilin e përdori gjithë jetën, si mësuese letërsie që ishte, sa kohë që vepronte në këtë rol; duke e mbajtur njëkohësisht të gjallë të folmen e Gjirokastrës në familje, sidomos kur fliste me të jëmën, gjyshen, motrat dhe kushërinjtë e vet; si dhe të folmen e qytetit të Tiranës (gegërishte jugore), me të cilën komunikoi, dhe vazhdon të komunikojë, me fqinjët e vet në lagjen ku jeton.

Ky rast nuk përbën ndonjë përjashtim, por është – ose të paktën duhej të ishte – tipik për qytetarin shqiptar, në raport me qytetarët e tjerë, institucionet publike dhe mediat. Nga pikëpamja ligjërimore, qytetari mund të përkufizohej jo aq si bartës dhe riprodhues steril i standardit, por si ai folës që mund të kalojë saktë dhe pa shumë mundim nga një regjistër gjuhësor në tjetrin, në pajtim me rrethanat.

Tani, si bashkëlidhet me këtë perspektivë realiteti i fëmijëve dhe të rinjve nga disa zona gege, në Shqipëri dhe në Kosovë, që nuk arrijnë të përvetësojnë standardin?

Me arsye, faktori kryesor i kësaj prapambetjeje ose refraksioni, nëse mund ta quajmë kështu, do të ishte shkalla e ulët e urbanizimit të këtyre fëmijëve dhe të familjeve të tyre; të cilët gjithsesi është gabim të përkufizohen, si grup social, me kritere gjuhësore ose gjeografike.

Urbanizimi nënkupton ekspozim dhe kontakt të përsëritur me Tjetrin, si individ dhe si kod pak a shumë abstrakt komunikimi; por edhe shkolla dhe në përgjithësi institucione më të mira; dhe nevojë më të madhe për të përvetësuar standardin, si mjet dhe kusht për të qenë anëtar, me të drejta të plota, i bashkësisë së qytetarëve.

Që në krye, fëmija që hyn në lidhje më fëmijë bartës të folmesh të tjera, nis të mësohet me diversitetin gjuhësor; dhe pranimi i këtij diversiteti do të ishte hapi i parë drejt përvetësimit të tij.

Sikurse nis të mësohet edhe me idenë se idiolekti i tij nuk është adamitik, por vetëm një nga të shumtit; dhe se komunikimi, në një mjedis qytetar, kërkon edhe negocimin e diversitetit, jo refuzimin e tij. Procesi i integrimit social e kërkon këtë shumëgjuhësi, përndryshe nuk do të kryhet dot i plotë.

Tani, ky proces do të lehtësohej edhe më, sikur fëmija të vinte nga një familje e përzier, ku prindët të ishin bartës të folmesh të ndryshme; dhe meqë përzierje të tilla ndodhin rëndom në qytete (së paku mes të folmesh që janë më të larguara mes tyre se ato tipike për familjet produkte të ekzogamisë) atëherë qyteti e realizon edhe tërthorazi kushtëzimin shumëgjuhësor.

Megjithatë, ndryshimi i strukturës dialektore të familjes nuk mund të ndodhë menjëherë; dhe numri i fëmijëve me prejardhje nga familje krahinisht homogjene do të mbetet i madh edhe për shumë kohë.

Përkundrazi, shkolla përfaqëson diçka tjetër; sepse ndryshe nga familja, shkolla është institucion publik. Ata fëmijë gegë (dhe toskë) që nuk e kanë përvetësuar standardin, kanë dështuar para së gjithash në shkollë, jo në familje.

Dhe, natyrisht, shkolla nuk ua mëson nxënësve mirë standardin, sepse vetë mësuesit nuk e njohin atë mirë, ose ngaqë niveli i tyre përgjithësisht lë për të dëshiruar.

Prandaj, argumenti (në thelb diskriminues) se shumë fëmijë gegë nuk e përdorin mirë standardin sepse standardi është i papërshtatshëm për gegët nuk qëndron si i tillë. Të njëjtët fëmijë gegë, nga të njëjtat familje, kur emigrojnë, e përvetësojnë shkëlqyeshëm standardin në shkollat e vendeve pritëse dhe shkëlqejnë në të gjitha fushat, duke kapur majat e dijes.

(Dëgjon ndonjëherë kundërargumentin se, për fëmijën geg, gjuha e huaj mësohet më lehtë sesa standardi, ngaqë ky i fundit është shumë i afërt me të folmen krahinore, ose në thelb e njëjta gjuhë; por po të ishte kështu, vështirësitë më të mëdha me standardin do t’i kishin fëmijët toskë!)

Po të lëmë mënjanë, për një çast, rënien e prestigjit të standardit dhe të cilësisë së arsimit pas 1990-ës si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, për të cilën kemi folur gjatë gjetiu; po të lëmë mënjanë edhe rastet e elitave shkodrane dhe kosovare për të cilat do të flas pak më poshtë; dhe po të arsyetojmë në parim, atëherë nuk mundemi veç të nxjerrim përfundimin se vështirësitë që ndeshin disa fëmijë dhe të rinj gegë sot me përvetësimin e standardit i duhen faturuar para së gjithash prapambetjes së madhe, ekonomike, sociale, arsimore dhe kulturore, të zonave përkatëse.

E përsëris, vështirësia është e natyrës sociologjike, jo gjuhësore; dhe lidhet me urbanizimin e ulët dhe izolimin e madh, social dhe kulturor, të shumë zonave të Gegërisë. Përkundrazi, atje ku urbanizimi ka qenë i lartë dhe izolimi i ulët, si në Tiranë, në Elbasan dhe në Durrës; atje ku gegë dhe toskë kanë rënë rëndom në kontakt me njëri-tjetrin, kanë shkuar në shkollë së bashku, kanë punuar së bashku, kanë lidhur familje së bashku, problemi i përvetësimit të standardit nuk ka ekzistuar kurrë.

Nga ky kornizim duhet të përjashtojmë, megjithatë, Shkodrën, dhe sidomos Shkodrën katolike, e cila, si model kulturor, nuk i përket shtetit kombëtar, por periudhës së mëparshme, ose shqiptarisë osmane – çfarë nuk lidhet fare me rolin e madh që luajtën dhe luajnë shkodranët në përgjithësi, dhe shkodranët katolikë në veçanti, për krijimin, konsolidimin dhe riprodhimin e kulturës kombëtare, në momentet më kritike të historisë.

Shkodra, të paktën Shkodra katolike, tradicionalisht ka pasur institucionet e veta; dhe këto institucione kanë riprodhuar kulturën lokale, ose shkodrane, në kushtet kur lokalja ishte e vetmja mënyrë për t’iu kundërvënë perandorakes, me shanse mbijetese.

Edhe kur kanë komunikuar me pjesën tjetër të shqiptarëve, edhe kur e kanë udhëhequr këtë pjesë tjetër, institucionet shkodrane dhe përfaqësuesit e tyre e kanë bërë këtë, më shpesh, si shkodranë, ose të veshur me kostumin lokal.

Vështirësitë e shkodranishtes dhe të modelit kulturor përkatës për t’u rimëkëmbur sot kanë lidhje, para së gjithash, me faktin që rrethanat historike dhe shoqërore të lavdisë së djeshme të Shkodrës nuk ekzistojnë më, kryesisht ngaqë katolikëve ua rrënoi institucionet komunizmi.

Shumë shkodranë katolikë kujtojnë se e ruajnë tani traditën kulturore shkodrane duke folur dhe shkruar në dialekt; pa çka se tradita kulturore nuk është fonetikë, as paskajore; por intertekst, ose komunikim i teksteve mes tyre në kohë dhe në hapësirë.

Nga ana tjetër, në Kosovë rezistenca ndaj standardit, që i ka rrënjët në prapambetje dhe izolim, po shërben tani edhe si platformë për lëvizjen kulturore të pavarësisë kosovare; e cila, në formën e vet më crudo, do të nyjëtohej si “ne kosovarët nuk e flasim dot standardin.”

Dhe këtë e dëgjon ndonjëherë nga po ata kosovarë, të cilët serbishten – gjuhë të qytetarisë së tyre jugosllave dje – e flasin në mënyrë të shkëlqyer, në të gjitha nivelet!

Por, ta përsërit edhe pse mund ta kem mërzitur lexuesin ndërkohë: standardi është para së gjithash gatishmëri për të qenë së bashku dhe për t’u ndier së bashku; nuk e zëvendëson identitetin lokal, por bashkëjeton me të; nuk e varfëron individin si ligjërues, por e pasuron atë; nuk ia ndërron thelbin, por i ofron një rol të ri të rëndësishëm përtej rolit që luan në familje dhe në mëhallë; duke e nxjerrë nga izolimi për ta afruar me bashkëjetesën në diversitet.

 

Nuk ka komente

  1. standardi është para së gjithash gatishmëri për të qenë së bashku dhe për t’u ndier së bashku; nuk e zëvendëson identitetin lokal, por bashkëjeton me të; nuk e varfëron individin si ligjërues, por e pasuron atë; nuk ia ndërron thelbin, por i ofron një rol të ri të rëndësishëm përtej rolit që luan në familje dhe në mëhallë; duke e nxjerrë nga izolimi për ta afruar me bashkëjetesën në diversitet.

    faleminderit xhaxha !

  2. “Dhe kete e degjon ndonjehere nga po ata kosovare, te cilet serbishten – gjuhe te qytetarise se tyre jugosllave dje – e flasin ne menyre te shkelqyer, ne te gjitha nivelet!”,
    kjo eshte e vertete, por po aq e vertete eshte , qe shumica derrmuese e shqiptareve qe flasin serbisht ,gjermanisht, anglisht etj, jane po aq analfabete sa shumica e emigranteve tane qe vetem sa flasin greqisht, italisht etj.

    Gjithashtu, po keta qe i zoterojne shkelqyeshem gjuhet e huaja, mund te thone: pse duhet te has veshtiresi ne pervetesimin e gjuhes time ashtu si tek nje gjuhe e huaj?!A nuk mund te behen ca ndryshime , ne menyre qe te lehtesohet pervetesimi i standardit?

    1. Gjithsesi, duhet të mësohemi me idenë se standardi nuk është parlament i gjuhës.

      Nga ana tjetër, sikurse kam shkruar gjerë e gjatë në blog para dy vjetësh, përpjekjet për të reformuar standardin tani vonë, në shumë gjuhë të mëdha të Europës, kanë dështuar; madje edhe gjermanët vetë dështuan!

      Në ndonjë rast, këto përpjekje kanë rrezikuar të krijojnë dy standarde; dhe përkatësisht dy grupime kulturore rreth secilit standard.

      Përfytyro një reformë të standardit shqip, që të përqafohet vetëm nga mediat pro-qeveritare: do të kishim një drejtshkrim të majtë, dhe një drejtshkrim të djathtë!

      Në parim, drejtshkrimi duhet reformuar herë pas here; por duke e përmirësuar nga brenda, jo për të akomoduar interesat lokale. Në praktikë, unë nuk shoh si mund të kryhet kjo reformë në këtë moment.

  3. nejse… problemi i vete standardit te shqipes eshte anshmeria e tij. kete besoj e kundershtojne ne veri dhe Kosove, jo idene e nje standardi te vetem.

  4. Sa e forte kjo per ‘izolimin’. I bite se kush s’ka pase kontakt fizik me tosket, osh i izolu. Te tjere, Tirone, Durres, Elbason, ku tokset kane depertu, meqe ma afer, qekan bo ‘qytetare’. Hajde analize hajde.

    1. E njëjta gjë vlen edhe për toskët – sa më kontakte kanë pasur me gegët, aq më shumë janë ‘ftilluar’, aq më shumë janë bërë ‘qytetarë.’ Shqipëria moderne, dhe qytetaria që lidhet me të, nuk është ‘ti në kullën tënde dhe unë në kullën time,’ – por produkt i bashkëjetesës, kontaktit, shkëmbimeve kulturore.

      Sa për veriun e Shqipërisë, ai dihet që ka qenë i izoluar, me përjashtim të Shkodrës dhe të zonave përreth. Izolimi i Veriut ka qenë dhe mbetet gjeografik (mali), por është rënduar sidomos edhe nga mënyra si u vizatuan kufijtë dhe u la jashtë Kosova dhe Dibra e Madhe nga njëra anë, pjesa në Perëndim të Shkodrës nga ana tjetër (Ulqini, etj.).

      Çfarë do të ishte Toskëria, sikur të kishin lënë jashtë Shqipërisë Korçën dhe Gjirokastrën?

      1. Aty ku tosket jane ne kontakt me geget, te njejten keta toske kane fute ne perdorim elemente te gegnishtes, si pjesorja e shkurtuar (ardhe, fillu…) si dhe paskajorja. Pse standardi te mos parasysh keta elemente qe shqipja e perzier i deshmon? Duke insisistu ne nje standard qe mohon keta elemente nderveprimi, nuk besoj se i bejme shume nder as kultures sone, as homogjenizimit te metejme te shqiptareve.

        1. Ajo shqipe qe ju e quani e perzier eshte gegnisht. E folmja qytetare e Tiranes, pavaresisht kush eshte bartes i saj eshte gegnisht. Nuk eshte shqipe e perzier.

          1. Megjithate, e kisha te fakti se tosket ne Shqiperine e mesme perdorin keto forma foljesh, po kjo jo doemos nenkupton se perdorin edhe elemente te tjera gege. Fundja, nese rezultantja e perzierjes se shqiptareve eshte pikerisht gjuha e Tirane, sido qe ta quajme, besoj se elemente te saj i hyjne ne pune nje planifikimi per nje gjuhe te perbashket.

            1. Gjuha e Tiranes nuk eshte rezultat i perzierjes se shqiptareve, por eshte gegnishte. Keshtu ka qene dhe keshtu eshte. Ju zoteri cekni nje problem qe njefaresoj eshte argument i mjaftueshem per te mbajtur ne fuqi normen ekzistuese qofte per arsye te seriozitetit ne respektimin e institucioneve, qofte edhe per ate harmoni dhe perpjestueshmeri qe nevojitet per te krijuar konvergimin ne gjuhe. Nese tosket ne Tirane dhe Elbasan arrijne te asimilojne gegnishten jugore kaq mire, atehere ku eshte ketu projekti politik ekspansiv i tyre me normen? Nese une dhe ju cedojme ne ligjerimin e perditshem, ne te vertete kemi transplantuar identitetin tone ne nje trup te ri per te marre ne finale nje tjeter identitet. Ate qe eshte i perbashket ne saje te bashkejeteses. Ky eshte argumenti politik qe aq shume perdoret nga ata qe kerkojne ndryshimin e normes. Ka edhe nje tjeter; kur dikush thote se geget nuk e asimilojne mire standardin(toskerishten sipas tyre) dhe ketej vene re se tosket e asimilojne shume mire gegnishten, madje natyrshem gegnishten jugore, atehere ketu kemi te bejme me nje problem shume serioz qe lidhet me diferencen mes pllakes tektonike gege dhe asaj tjetres. Ndaj edhe ne lemin kulturor si argument kjo qasje bie; perderisa nje komunitet nuk arrin dot te hapet dhe te perthithe elemente te nevojshem te qytetarise atehere ai nuk mund te marre dot primatin. Dhe kjo aq me shume kur ky komunitet nuk ka gjunje te imponohet qe eshte forma tjeter e ndryshimit. Nje problem i fundit qe do te doja kapja eshte edhe ceshtja numerike qe shpesh na sillet me nje lloj krekosje. Pra jemi shumice, standardin nuk e asimilojme, eja ta ndryshojme. Natyrisht ketu nuk synohen ceshtje te drejtshkrimit vetem, por edhe te tjera si paskajorja etj. Ka nje moment shume te pervijuar se fundmi qe lidhet me rikthimin potencial te shqiptareve qe banojne ne Greqi. Numerikisht ata balancojne te pakten brenda Shqiperise numrin total te popullsise (perafersisht), por per ata qe kane pervoje komunikimi me ta mund te kuptojne nje bjerrje te theksuar te shqipes, frenim te perdorimit leksikor dhe madje zhvendosje theksi ne fjale. Nuk mund te flase per sintaksen sepse nuk jam i fushes. Si mundet atehere ne keto kushte demografike te rishikohet nje norme e cila eshte pjese integrale e nje brezi, institucion per disa, investim kombetar per disa te tjere dhe e vetmja gjuhe e mesuar ne shkolle per nje pjese te madhe popullsie? Geget mesojne shume mire serbisht dhe kroatisht, sepse aty kishte kerbac. Ose do te mesosh gjuhen e te shpetosh nga mbetja ne nje qoshe, ose rri me gjuhen e fshatit e sic e gdhive ashtu do e ngrysesh. Pra eshte ceshtje edukimi dhe pse jo komunikimi mediatik.
              Standardi eshte ndertuar me parimin per te qene i hapur ndaj prurjeve te gjithanshme.

            2. Atehere, le te shpresojme se standardi po e shkurton gradualisht pjesoren dhe po e fut paskajoren brenda vetes. Keshtu besoj edhe polarizimet e krijuara do shuhen.

            3. Mund te shpresosh cdo gje. Por me aq sa di, Standardi nuk eshte pune miresie, as norme e ngritur mbi premisat e dialektit me babaxhan. Ka ca rregulla, ka ca edhe si parashikime, apo edhe pergjigje qe jane dhene. Natyrisht ka edhe nje bindje ne rritje qe po polarizon situaten, e cila nuk mund te fshihet pas asnje lloj patriotizmi qe hiqet si i hapur dhe korrigjues, por qe ne thelb fsheh ate pabesi qe e njohim mire tashme.

  5. Nga ana tjetër, në Kosovë rezistenca ndaj standardit, që i ka rrënjët në prapambetje dhe izolim, po shërben tani edhe si platformë për lëvizjen kulturore të pavarësisë kosovare; e cila, në formën e vet më crudo, do të nyjëtohej si “ne kosovarët nuk e flasim dot standardin.”

    I nderuar Xha xha, mund te me thuash, te lutem, duke cituar burimet natyrisht, se ku e mbeshtet kete pohim te fundit? Une shkoj ne Prishtine kater here ne vit, qendroj me muaj atje, kam kontakte te ngushta pune qofte me njerez te thjeshte, qofte edhe me Universitetin e Prishtines dhe Akademine dhe nuk me rezulton nje platforme e tille kultorure qe te pretendoje se “kosavaret nuk e flasin dot standardin”. Madje mund te them se nga gushti i ketij viti vura re nje prirje te perkundert, se paku ne qarqet intelektuale.

    1. Këtë frymë e gjeje të shprehur te gazeta ‘Java’ (e Migjen Kelmendit) e disa vjetëve më parë (në atë kohë edhe unë kisha një kolonë atje); por e dëgjova të ma konfirmonin edhe disa kolegë kosovarë – gojarisht – në konferencën e Durrësit, të vitit 2010; jo në formën ‘crudo’, natyrisht, por ideja ajo ishte, kryesisht në formën ‘standardi nuk është i përshtatshëm për kosovarët, përvetësimi i tij në shkolla ka dështuar,’ etj.

      1. Ndersa mua dy muaj me pare Rexhep Ismajli, gjuhetari me dinjitoz nder ata qe jane shprehur per ndryshime te bazes dialektore te standardit, me konfirmoi se “tashme kjo eshte nje çeshtje e mbyllur”.

  6. Deri me sot nuk me ka qelluar te shoh asnje gazete apo reviste serioze kosovare te shkruaje nje nje variant te ndryshem nga standardi, asnje tekst shkollor a universitar, asnje monografi te çfaredolloj fushe. Perjashtoj ketu, natyrisht, nje pjese te vogel te letersise artistike dhe… ndonje interviste gysmepirate ne youtube.

  7. Jam plotësisht dakord me Relapson mbi këtë pikë. Nuk ka kurrfarë platforme kosovare për ndryshimin e standardit. Vetëm ndonjë zë të izoluar që mëton të bie në sy duke hapur tema “djegëse”.

    Sa për shkodranishten besoj se, së paku që me fillimet e shekullit XX, ky variant letrar u integrua në letërsinë dhe kulturën e Rilindjes në të njëtën masë si toskërishtja apo elbasanishtja. Ndaj dhe nuk mund të flitet më për lokalizëm të theksuar.

    Lokalizmi i shkoranëve është më i vonë. Rrjedh nga izolimi që i bëri rregjimi komunist asaj bashkësie.

    1. Nga gjuhëtarët kosovarë që morën pjesë në Konferencën e Durrësit, 2010 (Bardh Rugova, Besim Bokshi, Blertë Ismajli, Hasan Mujaj, Imri Badallaj, Linditë Rugova, Rexhep Ismajli, Rrahman Paçarrizi, Bahtiar Kryeziu, Shkumbin Munishi) m’u duk se trysnia për rishikim dhe ndryshim të standardit në favor të gegërishtes ishte goxha e fortë, edhe pse ata natyrisht secili kishin pikëpamjen e vet dhe nuk është se mbanin ndonjë qëndrim si grup (tani nuk më kujtohet si dhe qysh, por mbaj mend që Bokshi dhe deri diku R. Ismajli kërkonin më fort ndryshime; gjithsesi aktet e konferencës janë botuar). Ndërkohë, ka edhe autorë që lëvrojnë një version kosovar të gegërishtes letrare, jo vetëm në fiction dhe poezi, por edhe në publicistikë dhe në media; pa përmendur të gjithë ata që flasin haptazi në dialekt, në të gjitha instancat publike.

      Sa për Shkodrën, kam pikëpamje tjetër: para 1945-ës nuk ka dashur gjë të integrohet, as t’i imponohet kujt, por vetëm të respektohet krahas vatrave të tjera kulturore shqiptare (Elbasanit, Tiranës, Korçës, Gjirokastrës, etj.), sipas një modeli kulturor policentrik. Institucionet kulturore katolike e shihnin këtë policentrizëm si të vetmen mundësi për të vazhduar të patrazuara punën, programin dhe misionin e tyre shqiptar, meqë përndryshe, gjatë një integrimi hipotetik, katolikët nuk kishin shumë shanse përballë të tjerëve, për shkaqe numerike, por edhe gjeopolitike të brendshme. Unë e kam studiuar disi ligjërimin letrar të autorëve të atyre viteve, si Mjedja, Nikaj, Fishta, Prenushi, Koliqi, Harapi; nuk mbaj mend të kem ndeshur ndonjë shenjë afrimi, bie fjala, me pjesën tjetër. Edhe revistat Hylli i Dritës dhe Leka, të cilat gjithashtu i kam studiuar (edhe pse jo nga pikëpamja e normës), shkruheshin me një gegërishte veriperëndimore urbane relativisht arkaike në drejtshkrim, dhe gjithsesi cilësisht të ndryshme nga elbasanishtja, që aso kohe pritej të funksiononte si një lloj standardi; çka më thotë se edhe publicistika shkodrane s’bënte ndonjë përpjekje kushedi çfarë për t’u ‘elbasanizuar.’ Por kjo është vetëm një përshtypje që kam; mirëpres kundërprova, nga kolegë më të informuar.

      1. Sa për çështjen e marrëdhënieve të elitës kosovare me standardin, më duhet të pranoj se mendimet e mia janë vetëm përshtypje personale. Mirëpo ndonëse shembulli juaj (i Konferencës së Durrësit) është një tregues, mbetet gjithsesi mjaft i kufizuar te gjuhëtarët. Mbetem i mendimit se, për shkak të një sërë arsyesh historike, elita kosovare (jo vetëm gjuhëtarët) mbetet mjaft besnike ndaj standardit.

        Për sa i përket çështjes së Shkodranishtes, kam përshtypjen se shumica e publicistëve shkodranë mendonin se gjuha e përbashkët do të lindte nga një shkrirje graduale dhe deri diku e natyrshme e dy varianteve kryesore, ndaj dhe mund të krijohet përshtypja se nuk bënë asgjë për gjuhën e përbashkët letrare.

        Mirëpo të mos harrojmë se qenë pikërisht shkodranët nismëtarët e Komisisë Letrare, e cila ndonëse arriti pak gjë, është gjithsesi një provë e një vullneti për bashkim. Është e vërtetë se ajo Komisi kishte intelektualë nga të gjitha trojet shqiptare, mirëpo katolikët shkodranë mbeteshin shumica dërrmuese.

      2. Sa per kete çeshtjen e fundit, mendoj se ke plotesisht te drejte. Pavaresisht vendimeve te “Komisise Letrare”, nuk pati asnje perpjekje per elbasanizim te shkodranishtes letrare. Te vetmit gjuhetare qe bene perpjekje per te perpunuar dhe zbatuar nje variant letrar te mbeshtetur ne elbasanishten, sipas meje, ishin Xhuvani dhe deri diku Mustafa Kruja.

  8. “Nga ana tjetër, në Kosovë rezistenca ndaj standardit, që i ka rrënjët në prapambetje dhe izolim… Dhe këtë e dëgjon ndonjëherë nga po ata kosovarë, të cilët serbishten – gjuhë të qytetarisë së tyre jugosllave dje – e flasin në mënyrë të shkëlqyer, në të gjitha nivelet!”

    Me fal, por shoh nje shperputhje ketu: “prapambetje’ dhe ‘izolim’ ne nji ane, e nga tjetra te folurit rrjedhshem te nje gjuhe te huaj – serbishtes – sikur nuk shkojne bashke. Serbishtja, me kroatishten, malazezishten, bosnjishten, ofrojne gjithe ate hapesine komunikimi kulturor.

    1. Si dukuri masive, i ka rrënjët në prapambetje dhe izolim; sa për intelektualët, këta dinë të mbijetojnë edhe në kushte prapambetjeje dhe izolimi të thellë. Shqipëria, që ishte vendi më i izoluar në Europë, nxori një shkrimtar të kalibrit botëror, Kadarenë, pikërisht në atë periudhë. Edhe Kosova e prapambetur dhe e nëpërkëmbur nxori intelektualë të elitës jugosllave. Individët e kapërcejnë prapambetjen më lehtë, relativisht, se komunitetet.

  9. Keto lloj diskutimesh nuk jane dukuri vetem shqiptare. Zera te pakenaqur qe kerkojne rishikim te standardit ka edhe ne gjuhe te medha e me histori te konsoliduar. Xha xhai i njeh mire, fjala vjen, ankesat per “padrejtesi historike” qe bejne hera-heres intelektuale te Jugut te Italise, sidomos te Napolit, por edhe te Sicilise, per te mos folur per Sardenjen, ankesa keto qe shpesh perfshijne edhe çeshtjen gjuhesore. Gjithsesi mbetet nje dukuri periferike, se ciles nuk i jepet peshe. Vetem ne marrim flake si pushke e jevgut.

  10. “standardi është para së gjithash gatishmëri për të qenë së bashku dhe për t’u ndier së bashku; nuk e zëvendëson identitetin lokal, por bashkëjeton me të; nuk e varfëron individin si ligjërues, por e pasuron atë; nuk ia ndërron thelbin, por i ofron një rol të ri të rëndësishëm përtej rolit që luan në familje dhe në mëhallë; duke e nxjerrë nga izolimi për ta afruar me bashkëjetesën në diversitet.”

    E ç’t’i shtosh me shume ketij pohimi qe i thote te gjitha? Fjalet e teperta jane fukarallek. Ndoshta Xha Xhai e ka botuar gjekundi te shtypur ne leter, por mua do te me kete shpetuar. Sa keq, sepse do te kisha dashur shume ta kisha cituar ne nje pune qe kam nder duar.

    1. Falemnderit ty dhe Fatmës, që e vlerësoni këtë qëndrim. Mund ta citosh drejtpërdrejt nga blogu, meqë ai tekst dje u shkrua.

        1. Jo, nuk bëj shaka. Një ideje nuk ia jep vlerën burimi, por përmbajtja; por duke cituar burimin, ti tregon respekt për autorin e idesë. Citimi nga materiale të botuara në ueb sot është krejt i pranueshëm, në të gjitha instancat, të paktën këtu ku jetoj unë; pa përmendur faktin tjetër që, në të gjitha kohët, autorët kanë cituar kumtime gojore të kolegëve të tyre.

          1. E di, e di, kam pare edhe une ketu ku jetoj botime qe ne fund, pas “bibliografise”, vene nje liste me “sitografi”, vetem se nese provon t’i verifkosh ato burime pas ndonje viti, zbulon se nje pjese e siteve nuk ekzistojne me! Ketu eshte problemi: nje citim duhet te jete i verifikueshem edhe pas qindra vjetesh. Personalisht u kam pranuar studenteve ne punimet e diplomave citime nga blogjet vetem si burim te dhenash gjuhesore, pa autoresi. E ketu del problemi i autoresise. A mund te citohet nickname-i?:)
            Nejse, per sa me perket, une e kam cituar emrin e vertete te autorit qe mendoj se “fshihet” pas Xha Xhait nga punime te tij te shtypura.
            Nickname-in Xha Xha apo Relapso mund ta perdore kushdo ne internet. Mua me ka qelluar nje here te me vjedhin “identitetin” te Respublica. Fillimisht u zemerova, sepse e perdoren per te fyer e per te sulmuar poshtersisht nje nga autoret e sitit. Pastaj u qetesova, sepse u kujtova qe askush nuk e di identitetin tim te vertete.
            Ndoshta do te vije ajo dite kur interneti te fitoje prestigjin e botimeve te shtypura, por tash per tash eshte ende heret.

            1. Xha Xhai është thjesht një pen name; nuk mbulon ndonjë të fshehtë.

              Ke të drejtë që burimet në ueb skadojnë shpesh – edhe pse shpresoj që kjo të mos ndodhë me blogun.

              Por do të përpiqem ta nxjerr shkrimin në një gazetë ose revistë; sido që Shekulli, për fat të keq, ka filluar të vërë caqe të rrepta për gjatësinë e shkrimeve, të cilat unë nuk kam ndërmend t’i respektoj për shkrime që i kam përfunduar tashmë.

              Në qoftë se ka ndonjë redaktor, mes lexuesve të blogut, që ka interes ta nxjerrë shkrimin më sipër, i lutem të lidhet me mua, duke më shkruar një e-mail ose edhe duke iu përgjigjur këtij komenti.

  11. “Standardi eshte para se gjithash gatishmeri per te qene se bashku…”.

    Ky pohim eshte i sakte, dhe nuk besoj se ka ndonje me mend ne koke , qe te jete kunder tij.Nje gje te tille , po t’i pyesesh , e thone edhe ata qe kerkojne ndryshim te standardit.
    Kryeargumenti i tyre ka lidhje te drejtperdrejte me kete pohim te XhaXhai-t.Ne menyre qe standardi te jete realisht funksional,te jete pikerisht keshtu sic thote XhaXhai, kerkohen ndryshime.

    Nuk behet fjale per zhberje te standardit, apo per nje standard te ri.Eshte qesharake te mendosh seriozisht, qe kerkohet nje standard me baze gegnishten!Eshte e pamundur per njemije arsye.Mirepo , agresiviteti i pales qe kerkon ndryshim i ka intimiduar ata te pales tjeter, sa edhe mundesine e ndonje permiresimi , e shohin si fundin e standardit(!) , madje edhe si fundin e kombit!

    1. Shume me vend kjo qe thote Oskeola. Mua nuk me ka rastistur te lexoj dicka nga xha xhai per mundesite e ndryshimit te standardit ne sherbim te te mires se pergjithshme, per perditesime, futje elementesh te gegnishtes, etj. Nuk pretendoj te kem lexuar gjithcka prej tij.

      1. O Maks, standardi nuk eshte nje kod qe mund te ndryshohet ne menyre paraprake me keshilla, sugjerime, vendime a ligje nga lart. Modifikimet a permiresimet ne standard i ben vetem bashkesia e levruesve te tij. Nje shembull:
        Sipas gramatikes normative e ardhmja e shqipes formohet nga pjeseza ‘do’ plus trajtat e se tashmes se lidhores: ‘te shkoj” etj., pra “do te shkoj”. Tani ka nje prirje qe po fiton terren gjithnje e me shume per te shmangur pjesezen “te”. Pra hasim gjithmone e me shume trajten e se ardhmes “do shkoj” ne vend te asaj normative “do te shkoj”. Kjo eshte nje prirje normale, e natyrshme dhe qe ndjek nje logjike te zhvillimit te brendshem te gjuhes, sepse ne fakt e ardhmja e shqipes nga pikepamja formale nuk ka vertet nevoje per pjesezen “te”. Kur te vije koha qe pjesa derrmuese e levruesve te shqipes te perdorin kete forme te re, atehere edhe tekstet normative do ta pranojne kete ndryshim, sepse s’do te kene rruge tjeter. Kjo eshte e vetmja menyre normale “per te permiresuar” standardin. Standardi duhet te pasqyroje prirjet mbizoteruese te vete bashkesise se perdoruesve te tij.
        Keshtu ka ndodhur, fjala vjen, me mbaresat e rasave te zhdrejta te shumesit te shquar qe dikur dilnin me “vet” (djemvet, libravet etj). Nje prirje analogjie çoi ne pergjithesimin trajtat me “ve” (djemve, vajzave) dhe hartuesit e rregullave normative asokohe, deshen s’deshen, e pranuan edhe pse kjo prirje i binte ndesh aspektit funksional, pasi rrafshonte dallimet mes paradigmes se pashquar dhe asaj te shquar te shumesit.
        Me fjale te tjera, se e zgjata shume, nuk ka burre nene a komision gjuhetaresh a qeveri qe t’i vendose nga lart paraprakisht keto ndryshime nese nuk pasqyrojne prirjet e natyrshme te gjuhes.

        1. Une nenvizova se tosket qe rrojne ne Tirane e shkurtojne keshtu jo pse ua kerkon kush, por sepse e tille eshte me sa duket prirja e vetvetishme. Domethene, me sa kuptoj, me jep te drejte ne perpjekjen per ta shkurtu pjesoren, sepse evolucioni ketu do e sjelle, pikerisht sic po favorizon edhe kohen e ardhshme pa pjesezen “te”?

          1. Këto ndryshime janë të ligjërimit bisedor, nuk është e thënë që t’i pasqyrojë standardi. Pasi krijohet, standardi ka logjikën e vet; dhe kjo logjikë synon stabilitetin në të gjitha rrafshet: fonetikë, gramatikë, leksik; sikurse shtrihet edhe në hapësirë, edhe në kohë – ashtu sigurohet vijueshmëri edhe në traditën e teksteve.

  12. Nese me lejohet, dua ta them mendimin tim nje here e pergjithmone e pastaj ta mbyll gojen e te mos flas me ne kete blog per kete çeshje se kam folur shume.
    Ndyshimi i bazes dialektore apo dhe futja e elementeve gege ne vetvete nuk ka asgje te keqe, veçse keto jane kerkuar ne nje forme paradoksale. Thuajse te gjithe ata qe kane parashtruar kerkesa te tilla e kane bere kete duke shkruar e duke folur ne standard, duke filluar me Arshi Pipen, Rexhep Ismajlin, Besim Bokshin, Bahri Becin, e deri te Kolec Topalli, per te permendur ata me te shquarit. Sikur vertet te donin ndryshime, ata duhej te jepnin shembullin te paret.
    Besoj se ju ka rene rasti te lexoni shkrime te Ardian Ndreces, i cili shkruan ne gegerisht. Ai nuk eshte gjuhetar, thjesht beson ne nevojen e ndryshimeve dhe shkruan ashtu siç do ta donte ai standardin. Fakti qe ka arritur te botoje ne organe ku shkruhet pergjithesisht ne standard, madje edhe te perfshihet ne tekstet shkollore te gjimnazeve shqiptare me pjese antologjike si nje autor qe levron gegerishten letrare, eshte nje sukses i madh per te, sepse mund te ndodhte t’i mbyllnin dyert. Nese keta levrues te gegerishtes letrare do te shtohen gjithmone e me shume me autore gjithmone e me prestigjoze aq sa te behen zoterues ne kulture, letersi, shtyp, televizion, shkenca etj., atehere dhe vetem atehere mund t’i kerkohet Xha Xhait dhe kolegeve te tij gjuhetare t’i pershkruajne, t’i sistemojne e t’i sanksionojne ndryshimet reale ne tekste te reja normative.
    Gjuha eshte nje organizem i gjalle veterregullues. Gjuha eshte me e mençur se te gjithe gjuhetaret. Gjuhetaret e studiojne, e pershkruajne, e shpjegojne kete organizem, por nuk mund ta ndryshojne ate.
    Per kete arsye une mendoj se keto diskutime jane jo vetem te kota, por edhe te demshme, sepse sherbejne vetem per te na futur ne sherr me njeri-tjetrin. Ne thelb ato deshmojne foshnjerine tone kulturore.
    Kush e njeh anglishten duhet ta dije se sa shume ka ndryshuar kjo gjuhe ne keta 100-150 vitet e fundit. Por keto ndryshime jane bere vetvetiu pa kongrese e konferenca. Te na thote Xha Xhai qe besoj se jeton ne Amerike, ç’do te benin amerikanet sikur dikush te kerkonte ndryshime ne gjuhe nga komisione gjuhetaresh a me keq akoma nga qeveria amerikane. Une besoj se do ta merrnin per te çmendur.

  13. Relaps ti ike po le ketu nje kontradikte, sepse e fillove me nje lavderim per standardin duke cituar Xhaxhain dhe e perfundove, bashke me nje dalje nga skena, se ndryshimi ne gjuhe nga komisione gjuhetaresh eshte çmenduri. Po pikerisht kjo ka ndodhur me standardin tone, i cili pra i bie te jete nje çmenduri, sipas teje, dhe e gjithe kultura jone e bazuar ne gjuhe i bie te jete e tille per nje gjysem shekulli.
    Ah kjo gjuha sa e lire eshte, aq e lire eshte, sa edhe mund te shterngohet dhe te artificializohet dhe te standardizohet e megjithate mund te poetizohet. Sa logjike eshte, aq edhe absurde ne lodra fjalesh, e megjithate mund te dixhitalizohet. Eshte edhe finoke, aq finoke sa mund t’ia ngaterroje kembet edhe gjuhetarit, qe e fillon me nje gje dhe e mbaron me te kunderten e saj pa e vene re. Ka edhe ca te tjera me logos e teo, por pare pritjen me kembet e para qe me keni bere ortodoksos e teologos me materialin e nevojtoros, po dal edhe une teatralisht nga skena per te impresionuar spektatoret. Po shkoj ti fus i dore tavell me ateiste, se vetem ata me kuptojne mue.

    1. Sandra shendet! Kujdes ne burg hapjen ne zar te pare! Ben vaki te bie shesh besh e hidhesh ne sulm. Se duan sira keto pune.

  14. Asnje nxenes i mire – me perjashtime shume te rralla – nuk studion(te) gjuhen shqipe ne Universitetin e Prishtines.Vite me rradhe, vit pas viti, eshte bere nje seleksionim negativ i mesimdhenesve te gjuhes meme.Vetem ndonje idealist i rralle, dhe qe ishte nxenes i mire, studionte shqipen.Une njoh vetem nje te tille (i cili me vone ”u be pishman” qe studioi shqipen, e jo anglishten; te cilen pastaj e mesoi vete dhe u be perkthyes i Steiner-it, kryeadministratorit te Kosoves).Ky qe njoh une, fliste ”gjuhen e njesuar” çdo kund, me çdo kend, dhe ne çdo rrethane – edhe me gjyshen e vet.
    Nxenesit e forte ”i merrte” mjekesia. Disa drejtime si, gjeografia, shqipja, frengjishtja, filozofi-sociologjia, etj. konsideroheshin si drejtime ”pa buke”.

    Edhe rrenimi i arsimit, qe nga viti 1990 deri ne vitin 2000 – plot nje decenie- ka lene pasojat e veta ne Kosove.

    Mbyllja hermetike e Shqiperise, poashtu ka lene pasoja. Kur u hap Shqiperia, ishte pothuajse kohe kaotike. Pastaj kur pritej stabilizimi i saj, ndodhi ’97-ta.

    Nje qe ishte diplomuar ne shqip, dhe ishte kthyer nga Gjermania pas çlirimit, kur kerkoi pune ne nje shkolle, u tallen me te dhe i thane ”prit edhe 20 vjet, ndoshta vdes ndonje arsimtar i kesaj lende”.
    Nje tjeter i diplomuar ne shqip, e pyet nje te aferm te vet se çdo te thote ”lektor” se po kerkohej diku nje i tille.I afermi mendon qe ky po tallet me te. Kur bindet qe ky nuk di ç’eshte lektori, i thote vajzes se vet qe ishte ne fillore, trego Nora çka ben lektori,dhe Nora thote ”lektori eshte ai qe korrigjon drejtshkrimin”.

    Pa kaluar çdo nxenes ”neper duar” te arsimtareve te afte te gjuhes shqipe, gjendja do te jete kjo qe eshte.

    Ne kete drejtim, TV-ja nuk mund te beje shume (e kam fjalen per Top-Chanel qe shikohet shume ne Kosove), sepse arsimimi i mirefillte – dhe mesimi i standardit eshte pjese e arsimimit – kalon ”neper duar” te shkrimit dhe leximit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin