PJATAT E PALARA

Jo gjithnjë studimet na konfirmojnë çka dimë prej kohësh. Studimi norvegjez, sipas të cilit çiftet ku burri jep ndihmesën e vet në punët e shtëpisë ndahen më shumë se të tjerat, pra ku punët bëhen kryesisht nga gruaja, pati jehonë të natyrshme në mediat perëndimore. Me fjalë të tjera, ky studim na thotë se në çiftet e sotme, të martuara ose jo, burri që lan enët, hekuros, gatuan, bën pazarin, etj. praktikisht ndihmon jo gruan, por ndarjen ose divorcin.

Lajmi është sensacional. Nuk e di nëse komshiu im, model për gjithë pallatin, është në dijeni, por kur ta marrë vesh, tenxherja me fasule do t’i bjerë nga duart. Deri dje e kisha shumë inat. Dalja e tij në ballkon për të nderur rrobat, si retë shiun paralajmëronte zënka në të gjithë pallatin. Tek i shkundte rrobat e bardha borë, tek i varte një për një me kujdes, tek i përkëdhelte kur i kapte në tel, ai ndoshta nuk e dinte se, përveçse superyll, ishte njëkohësisht ëndrra e ankthi i gjithë pallatit përballë. Gratë e adhuronin me sy të paralizuar, burrat e shigjetonin me sy të egërsuar.

Dy ishin pikat kulmore të spektaklit në ballkon. E para kur varte rroba të bardha, çarçafë, këllëfë jastëkësh, e mbi të gjitha ndonjë të brendshme të gruas. Këtu vështrimi i grave përballë pezullohej nga mahnitja, përhumbej në mendime, ndërronte regjistër ngadalë, shndërrohej në mishërues e më pas kthehej me stil nga burri përkatës. Si për t’i thënë: “Je i mjerë, o mashkull, je kot fare. Shikoje burrin e vërtetë, shikoja bardhësinë vezulluese të rrobave, shikoje me sa ëmbëlsi ia lan dhe ia nder gruas të brendshmet. Kurse ti as ti heqësh s’di më, o mish me dy sy!”. Pika tjetër kulminante ishte kur hekuroste teshat me durim e profesionalizëm. Perdet i jepnin dritares dinjitetin e skenës, lëvizjet e sigurta me hekur përvijonin protagonistin, njerëzit përballë formonin publikun gjysmë të fshehur të platesë. Spektakël i vërtetë.

Çdo sukses i denjë për këtë emër shoqërohet nga zilia. Burrat e pallatit, edhe për t’i bërë ballë furisë së grave, hapën fjalën se komshiu ishte homoseksual. Shoqëruar me argumente idiote, si bukuria e bashkëshortes, fustani me të çarë, dekolteja e ekzagjeruar, punët që janë vetëm për gra, e të tjera banalitete si këto. Sulm i shëmtuar, përveçse i turpshëm. Ndaj dhe përfundoi siç nisi. Nga asgjëja në asgjë.  Përjashto dy fije dyshimi, kryesisht mashkullor, të tjerët ishin të bindur se ishin thashetheme të rëndomta. Zërat u shuan ngadalë, ashtu siç u rrit barku i bashkëshortes, që në krye të nëntë muajve bëri dy binjakë, që ngjanin si dy pika uji, jo vetëm mes tyre por edhe me të atin.

Personalisht nuk e kam zili. E kam bezdi, se më krijon komplekse. Pas spektaklit të parë, kur e pashë se si i lau dhe i hekurosi rrobat, u përpoqa edhe unë ta imitoj. Lava pjatat, dyshemenë, rrobat. Pastaj i hekurosa. Mirëpo, kur gruaja u kthye në shtëpi nuk foli fare. Asnjë fjalë. Hoqi xhaketën, vuri përparësen dhe iu fut punës nga e para. Lau pjatat, dyshemenë, rrobat. Pastaj i hekurosi. Sikur unë mos t’i kisha bërë fare. Pastaj, për të mos më demoralizuar më tha: “Rëndësi ka qëllimi i mirë. Do të mësosh”. Më pas, duke përgënjeshtruar indiferencën e zakonshme ndaj supermodelit, shtoi duke treguar me kokë nga pallati përballë: “Ai s’ka nevojë, se i di të gjitha”. Buzëqeshja denotonte mirëkuptim, përzier me pak rasenjim. Në fakt nuk u demoralizova. Herës tjetër i futa gjithë entuziazëm rrobat në lavatriçe, mirëpo ngatërrova pluhurin larës, futa të zezat me të bardhat, gabova temperaturën e ujit. Të gjitha rrobat ndryshuan ngjyrë e gjatësi. Pavarësisht se m’u tha se e kisha bërë qëllimisht, nuk është e vërtetë. Qëllimi im mbetej i mirë. Desha të imitoj idhullin.

Lajmi i çifteve që prishen se i ndajnë punët e shtëpisë krijon jo pak probleme. Pikë së pari me interpretimet. Kur lexova se në Shqipëri janë shtuar shumë ndarjet e divorcet, mendova automatikisht se burrat shqiptarë kanë filluar të lajnë pjatat e të pastrojnë shtëpinë. I përfytyrova të gjithë burrat me përparëse me lule duke shkundur qilimët në ballkon. Mirëpo lindin edhe pyetje të çuditshme. Po familjet që kanë blerë ndërkohë enëlarëse a rrezikojnë të ndahen? Nëse aparati shtëpiak ndizet nga burri quhet sikur i lan ai enët? Duhen bërë studime të mëtejshme.

Deri dje kujtoja se çifti i lumtur ishte ai përballë, kurse martesa ime ishte në rrezik të përhershëm për sa kohë nuk angazhohesha seriozisht në punët e shtëpisë. Sot po lëkundem. Studimi shpjegon se përqindja më e lartë e ndarjeve ndodh sepse bëhet fjalë për çifte moderne. Janë çifte ku femra ka pavarësi ekonomike, arsim të lartë, mendësi të hapur. Kjo e bën më të realizuar e më të emancipuar, çka e rrit mundësinë e ndarjes nga bashkëjetuesi ose bashkëshorti. Po ç’hyn femra këtu? Po flitej për burrat. Gjithsesi,  lëkundjet shndërrohen në tronditje, për faktin se studimi vjen nga e civilizuara Norvegji, jo nga ndonjë vend i prapambetur, por edhe për arsyen se pak kohë më parë studimet na rrëfenin se burrat që lajnë pjatat janë më të lumtur.

Si i bëhet? T’i lajmë apo mos t’i lajmë pjatat? Dilemë jetike për çdo burrë në glob, sidomos për ata të Çajupit, që lozin e kuvendojnë, por edhe për ata që pozojnë për ballinat e Men’s Health. Zgjidhja më e mirë do të ishte të vazhdonin siç e kanë nisur që në fillim, derisa studimet të na thonë se çfarë bën gruaja ose bashkëshortja kur burri lan enët ose shkon në stadium me shokët, kur gatuan në shtëpi ose darkon në birrari, kur hekuros këmishën ose bën shopping. Si të thuash, kur flitet për çiftin, duhet folur për të dy, jo vetëm për burrin. Pra duhet parë edhe ana tjetër.

Mos vallë është kjo arsyeja që tani gjithë burrat e pallatit shikojnë përtej perdeve gruan e komshiut?

Nuk ka komente

  1. Fakti qe nxjerr studimi eshte i habitshem ne pamje te pare. Por nje analize pak me e thelle na thote dy gjera. E para, fakti nga studimi thote qe burrat qe ndihmojne grate ne shtepi ne menyre substanciale dhe ndarja e cifteve ku keta burra bejne pjese korrelojne statistikisht.

    E dyta, studimi po ta marresh holle holle nuk na thote shume. Nuk duhet ta harrojme asnjehere qe korrelacioni nuk eshte e njejta gje me zinxhirin shkak-pasoje. Pra ndihma ne punet e shtepise fare mire mund te mos kete fare te beje me shkakun e ndarjes dhe mund te jete vetem nje pasoje e shkakut te vertete te problemeve potenciale te ciftit. Fjala vjen, dhe ketu po spekulloj, shkaku i vertete mund te jete qe femrat qe ju a kerkojne partnereve te marrin persiper nje perqindje te larte te puneve mund te kene te ardhura me te larta se burri, mund te jene me te pavarura ekonomikisht (e ben me te lehte ndarjen), me fleksible ndaj konceptit te marteses (derisa vdekja te na ndaje!) etj. Pra a na thote studimi ndonje gje te re mbi shkaqet. Jo dhe aq mendoj une. Thjesht mund te kuptohet nga burrat kini kujdes kur e gjeni veten duke bere shume pune shtepie, dhe pikerisht kini kujdes me masen e korrelimit qe gjen studimi. Statistike pra jo shaka i thone.

    1. Nje pyetje te thjeshte: nje femer ndihet e perkedhelur me mire, kur partneri i saj lan pjatat dhe carcafet, apo kur ai nuk ben asnje nga keto, por e sheh (le te themi e zhvesh me sy) partneren nderkohe qe ajo lan pjata dhe nder carcafe?
      PS: Mundet fare mire qe edhe ne kete rastin e dyte, lidhja shkak pasoje te kerkohet gjekund tjeter, por gjithsesi them se pyetja ka njefare vlere.

  2. Kjo puna e burrit qe lan pjatat, ne fakt, eshte nje tregues i keqkuptimit te barazise mes burrit dhe gruas.Eshte keqkuptimi tipik i shtreses se mesme te shoqerise ne pergjithesi, e cila friken e perhershme qe ka nga shperberja e familjes,mundohet ta largoje me lloj lloj recetash, si prsh burri qe lan pjatat!

    “Po c’hyn femra ketu?Po flitej per burrat.”
    Natyrisht qe hyn. Kur thuhet se emanicipimi(ekonomik, politik,social) i femres sjell si pasoje edhe nje shtim te numrit te divorceve, ndarjeve, thuhet nje e vertete.Sa me shume te emancipohet femra, aq me shume shkeputemi nga jeta patriarkale, e si rrjedhoje edhe nga…. familja!

    Mund te duket e papranueshme per moralin e kesaj kohe, por keshtu eshte.
    Ne e shohim patrirkalizmin si dicka negative , qe duhet zhdukur, dhe nga ana tjeter i meshojme me force vlerave te familjes. Paradoksi qendron ne faktin se baza, themeli, qeliza, adn-ja e patriarkalizmit eshte vete familja.
    Eshte pikerisht, kjo arsyeja se pse Kisha dhe gjithe moralistet konservatore, cdo qe ka lidhje me emancipimin, e shohin si nje rrezik ndaj familjes.Dhe kane te drejte.
    Divorci,aborti,po edhe martesat brenda gjinise, te gjitha keto bien ndesh me vete familjen, jane kanceri i saj.Aq fort eshte ngulitur koncepti i familjes ne trurin e njerzve , sa e kane shume te veshtire te kuptojne, se familja eshte nje zhvillim historik.Ka lindur ne nje periudhe te caktuar dhe mund te vdes, ose te pakten, nuk do te jete aspak ne perputhje me konceptin tradicional qe kemi per te.

    Sa per burrat qe hekurosin apo bejne pune shtepije, edhe ketu tek ne, kjo eshte tipike per shtresen e mesme; shtresen me te mykur ne paragjykime, vese, fobi e paranoja.

  3. Kam përshtypjen se më shumë se me larjen e enëve, kjo ka të bëjë me rutinën që instaurohet zyrtarisht në jetën e çiftit. Sepse mirëmbajtja e vetes nëpërmjet mirëmbajtjes së ambjentit ku jeton, kalon domosdoshmërisht nëpërmjet rutinës. Rregullshmëria dhe qëndrueshmëria e rutinës, aleatë në disa aspekte familjarizuese, janë po aq armiq të jetës në çift, meqënëse zbehin skajshëm tërheqjen ndaj bashkëshortit/partnerit.
    Gjithashtu kam idenë se ndarja e punëve përballohet ndryshe nga kategoria e meshkujve (meqënëse lidhur me femrat, kjo nuk përbën lajm) të rritur me përgjegjësi për veten dhe mundësisht në ambjente më pak patriarkale (se sa ambjenti shqiptar), dhe ndryshe nga meshkuj të cilët e përjetojnë situatën si thyerje tabush. Në rastin e parë besoj se më shumë se sa imponim i një rutinë shtëpiake, bëhet fjalë për një bashkëndarje të ndërgjegjshme të punëve. Në rastin e dytë ndjesia e imponimit të diçkaje të perceptuar si e panatyrshme, reflektohet edhe në ftohjen që zë përherë e më shpesh çiftet sot.
    Nëse i shtojmë kësaj edhe faktorë si pavarësia e të dyve, jo vetëm e femrës, në terma socialë, ekonomikë e profesionalë, arsyet për të qenë sa më gjatë bashkë vijnë e esencializohen jashtë mase.
    Për të mos folur për studimet vetë, që atë që mbrojnë sot, e kundërshtojnë ciklikisht nesër.

  4. Kriza ne familje( po shikoj tagged) , apo kriza ne cift , nuk shkaktohet aspak nga arsyet qe renditen shpesh ,duke filluar nga ato ekonomike, sociale dhe deri tek ato qe kane te bejne me karakteristikat individuale si karakteri.Keto jane vecse pretekset.

    Besoj se arsyeja kryesore eshte mungesa e deshires fizike, e terheqjes fizike.
    Nje cift , ku nuk ka terheqje fizike, eshte i ekspozuar ndaj rrezikut permanent te ndarjes.Eshte taman si organizmi pa imunitet, qe mund te infektohet nga viruse te llojeve nga me te ndryshmet.
    Menjehere sapo tretet kjo lloj deshire, partneret fillojne e shikojne tek njeri-tjetri vese qe nuk i kishin vene re me pare.
    Prsh, gruas , burri i se ciles lante pjatat, ky gjest apo zakon i burrit te vet qe me pare e mrekullonte, ne rastin kur nuk ka me terheqje ndaj tij, pikerisht ky virtyt i tij i neveritet, i duket si nje ves i peshtire.

    (Kur shenova ‘terheqje fizike’ e pata fjalen per ate qe me delikatese quhet dashuria ne cift, sepse kjo eshte ne thelb).

    Natyrisht , per ata te cilet besojne tek familja si entitet i perjetshem, si celula, atomi, bethama e shoqerise , keto jane te papranueshme dhe shkojne e gjejne strehe tek ndjesi alternative si miqesia, respekti e deri tek dashuria hyjnore per te afermin!! Por asgje , bile as dashuria hyjnore nuk mundet ta mbushe boshllekun qe krijon mungesa e terheqjes fizike.

  5. Kapercimi stereotipeve gjinore dhe marrja nga burri ne familje e roleve qe tradicionalisht kane qene te femrave, paradoksalisht prodhon efektin e kundert te barazise gjinore: meshkujt te tille “feminizohen” ne syte e femrave (te karieres).Thelle ne psiqiken e tyre, pertej dogmave mbi barazine gjinore, femra te tilla me personalitet te forte, plotesohen me meshkuj “te forte”. Femrat e pavarura ekonomikisht, sidoms ato te sferave te larta te hierarkise ne boten e biznesit ose ne profesione te lira, jane te prirura ta shtrijne kete pavaresi edhe ne menaxhimin e seksualitetit te tyre.Studimi, nga ana tjeter, nuk ofron te dhena te tjera psh sa% e meshkujve qe angazhohen ne punet e shtepise, jane te papune dhe si korrelon kjo me shkallen e divorceve?

  6. Studimi shpjegon se përqindja më e lartë e ndarjeve ndodh sepse bëhet fjalë për çifte moderne. Janë çifte ku femra ka pavarësi ekonomike, arsim të lartë, mendësi të hapur. Kjo e bën më të realizuar e më të emancipuar, çka e rrit mundësinë e ndarjes nga bashkëjetuesi ose bashkëshorti.

    Sigurisht qe behet fjale per ciftet moderne, se ajo fotografia me larje pjatash ishte nje shashke. Thjesht thelbi i artikullit eshte qe femres te emancipuar (nga cfare xhanem..se emancipmin une ne anglisht e degjoj vetem me reference ndaj skllaverise) nuk i hyn me ne pune nje mashkull. Sado qe te perpiqet i shkreti te laje pjatat..aha…ka dale jashte loje. You rekomandoj monologun hapes te filmit Roger Dodger..e shpjegon kete ‘kataklizme’ me mire se une.

    1. Burri që është burrë, i blen gruas një pjatalarëse (merreni me ç’kuptim që t’ju vijë për mbarë).

  7. Meshkuj e femra do t’i hyjnë në punë njëri tjetrit sidoqoftë, është në dualizmin e gjërave, në natyrën e gjërave që të plotësohen me njëri – tjetrin. Natyrisht të përfytyrosh një mashkull me përparëse e fshesë në dorë si ikonë e mashkullit që bashkëpunon, është po aq ekstreme sa një mashkull që dredh nonstop zinxhir e telekomandë. Ashtu siç s’ka asgjë të bukur tek njëri që nuk shqitet nga divani e tjetra që rend lart e poshtë me fshesë elektrike në dorë. Nuk është e thënë t’i bëjnë bashkarisht, apo vetëm ekskluzivisht në rolet – shashkë. Duhen parë si role që kërkojnë ndërkëmbim. Një përfytyrim më normal është ai i të kthyerit nga puna e të mos gjeturit të shpisë çorap, por në kushte normale. Dy duar ka një grua, po aq dhe një burrë, ndërkohë që pjata e detersivë nuk kanë gjini. Mund të mos dish të bësh ndarjen e rrobave në lavatriçe apo të hekurosësh, por fare mirë mund t’i ndesh rrobat që të mos kalben në lavatriçe, ose të bësh pazarin.

  8. “Burri qe eshte burre i blen gruas ne pjatalarese”-ky eshte burri modern patriarkal.

    Burri qe eshte burre e rreh gruan me konop- ky eshte burri primitiv patriarkal.

    P.S :Xha Xhai shaka ishte.

  9. Mbi pjatat e palara.

    Kjo historia e pjatave te palara dhe mbijeteses se ciftit, ngjan me ato ilacet popullore per semundjet kronike, qe kushedi se per cfare arsyeje apo nevoje, qarkullojne me faza ne psiken kolektive.
    Shamani apo doktori popullor i radhes shkon nga plakat e lagjes e deri tek doktori i specializura ne jeten seksuale te njeriut.

    Se me thene te drejten, une histori pjatash te thyera, dhe efektin e tyre mbi jeten e ciftit, kisha degjuar, por per rolin e pjatave te palara, ne sigurimin e lumturine njerezore, kjo ishte hera e pare qe e shoh. Por kam ndjesine se eshte me e komplikuare se kaq.

    Sidoqofte, cilado arsyeja, ne qytetin ku jetoj une, ciftet, pavaresisht nga gjendja e pjatave ne lavaman, ndahen shume. Psh ne zyren time, te gjitha grate e races se bardhe, me rezultojne se jane te ndara nga burrat e tyre. Edhe tek femijet e tyre, kur arrijne ne moshe, sheh se fenomeni perserit veten: edhe ata resultojne te ndare.
    Ka nje lehtesi, me dimensionet e nje pafajesie feminore, ne marrje vendimesh te kesaj natyre nga ana e ciftit, si per tu bashkuar, ashtu edhe per tu ndare, edhe atehere kur nje gje e tille lidhet me interesat e me shume se dy protagonisteve kryesor.

    Te njejten fenomen e shoh edhe ne klasen e tim biri. Ai shkon ne nje shkolle djemsh. Nga 32 djem, hiq aziatiket, thuajse te gjithe jane me prinder te ndare. Madje ka raste kur keta djem kane disa nena dhe disa baballare, jo doemos biologjik. Cfare eshte interesante ne nje rast te tille, jane disa vecori e fenomene plotesisht te vezhgueshme qe lidhen me kete grup moshe. Keta kane hyre ne nje periudhe kur ne menyre instiktive fillojne dhe eksplorojne kufinjte e vehtes dhe botes perqark tyre.
    Ata eksperimentojne me lirine personale, me tabute qe deri ne ate moment i perkasin vetem botes se te rriturve, sic puna e mardhenieve seksuale, perdorimi i alkolit apo drogave te ndryshem, me reagimin ndaj pushtetit te cdo lloj natyre, si ai i familjes, ai social apo administrativ, me te lejueshmen dhe te palejueshmen, me te pranueshmen dhe te papranueshmen. etj, etj.
    Simbas gjasave, ata femije qe jetojne ne familje te divorcuara jane shume me te lire ne mundesite dhe zgjedhjet e tyre se sa ata qe jetojne ne familje me dy prinderit biologjik. Jane me teper keta femije qe fillojne te pijne cigare me heret se sa te tjeret, qe eksperimentojne me drogat nga me te ndryshmet, qe jane aktiv nga ana seksuale sapo kjo eshte biologjikisht e mundeshme. Jane keta femije qe e konsiderojne cdo rregull apo shtrengese, ne rastin me te mire te shtrueshme per debat dhe ne rastin me te keq si kushte fakultative.

    Pershtypja ime nga te jetuarit per nje kohe relativisth te gjate ne nje shoqeri postmoderniste, ku simbas se ciles, te gjitha realitetet jane konstrukte sociale dhe si te tilla te ndryshueshme, eshte se duke e vene theksin ne transformimin e individid ne qytetar, shteti, si faktori kryesor dhe misherimi me i arrire i nje qyteterimi, po ngarkohet me pergjegjesi gjithnje e me te shumta ne numer e ne peshe. Ne proces kemi nje lloj tranformim te tij nga mbrojtes interesash, ne perfaqesues interesash.
    Dhe interesi me i larte nder qytetare ngelet ai i lirise. I lirise se pafund, brenda kornizes se nje shoqerie,ku shteti behet garantori apo misherimi i saj. Nga njera ane eshte individi dhe nga ana tjeter eshte shteti. Ne krahun e individi eshte familja, me ciftin burre e grua si nukleus te ekzistences se vet. Ne krahun e shtetit eshte qytetari, me lirine e vet si nukleus te ekzistences se shtetit.

    Mundet qe te jem dhe ta shoh gabim, por mendoj se forca motrice (motorrike) ne avancimin e te drejtes se shtetit, apo pushtetit te shtetit ka pasur dhe ka nje dimension seksual. Nuk e di se kush ka pasur rol me te madh ne transformimin e shoqerise me ngjyrat e sotme, revolucioni industrial i viteve 1800 apo revolucioni seksual i viteve 1960. Por duke qene se ideja eshte me e rendesishme se sa materia, une ngre doren dhe votoj per kete te dyten. Ne ndihme te argumentit tim do te permendja edhe faktin se preokupimi kryesor social i sotem ne shoqerite post industriale, problemi kryesor qe ka nevoje per zgjidhje, eshte dhe mbetet ai i te drejtave tashme jo politike, por seksuale te qytetarit, i cili per aq kohe sa i neshtrohet plotesish idese qe perfaqeson shteti, si individ eshte i lire dhe mund te marre cdo forme qe ai e mendon te mundeshme fizikisht . Per momentin ky individ ka deshire te jete aseksual,metrosexual, heteroseksual, homoseksuale, lezbik, transgjenderm, hedonist, mazokist, etj epitete pa fund, por pak a shume te te njejtes natyre. Si pasoje hapesira publike mbizoterohet me konstrukte artistike, kulturale, ideore apo edhe praktike,qe lidhen me avancimin apo frenimin e deshirave te kesaj natyre. Synimi i sotem qe u mekohet te gjitheve duke filluar qe nga femijet e moshes parashkollore, eshte jo qe te jesh me i miri, te synosh per me te miren , per me te bukuren, ne mos per me te vlefshmen, por qe te jesh vetja jote. Te jesh i lire te shprehesh kete “vehte”, kete “une” ne te gjitha menyrat e mundeshme, qofte kjo ne kurriz edhe te normave sociale pre-ekzistuese te shoqerise. Ka nje idealizim te kesaj lirie personale, duke e bere ate nje arketip te kultures se sotme.

    Perpjekja per te gjete “un-in” primordial, nuk eshte e re. Ky “un” eshte nje pjelle e natyres, i cili lind ne natyre dhe u neshtrohet ligjeve te saj dhe jo te shoqerise. Ai e jeton jeten simbas moralit te nature dhe jo moralit korruptues te shoqerise.
    Taciti kur shkruante per gjermanet “barbare”te Rinit, ai e bente lexuesin qe virtytet e tyre ti krahasonte me dekadencen korruptuese te qyteterimit romak.
    Ruso-i ngrinte permendore te “noble sauvage” ne librat e tij. (pavaresisht se praktikisht 7 femijet e vet i dergoi ne jetimore meqe ishin barre per te)
    Nice, ne emer te ketij “noble sauvage”, mbas shfaqes se “Tristanit dhe Isolde”-s se Wagnerit, shkoi dhe infektoi vehten me sifilis ne nje bordello te Laipcigut.
    Ky “noble sauvage” e sheh me meshire njeriun e mjere e te civilizuar, i cili s`ka kurajo, s’ka force, dhe eshte i paafte t`i siguroje vetes qofte buken e dites apo strehen e kokes. Ky njeri i civilizuar eshte nje idiot moral, nje figure per tu tallur. Ai nuk e jeton jeten e vet ne asnje moment sepse ai e torturon kete jete ne kerkim te pasurise apo ndereve, te cilat edhe kur i fiton, s`jane tjeter vecse disa iluzione rreshqitese. “Sauvage”-i yne nga ana tjeter, eshte i palodhur, i afte per ti dale zot vetes, i panenshtruar ndaj lodhjes dhe privimeve. Ai eshte nje qenie fantastike, ku madje edhe vete injoranca e tij eshte nje virtyt. I paafte per te lexuar apo shkruar, ai nuk e ka idene se cfare rreziqeve u shpeton. Sepse shkenca dhe arti jane prinderit e korruptimit. “Sauvage”-i yne i bindet vetem pushtetit te Natyres, nenes se tij te dashur. Dhe ne kete mes, barbari i vertet eshte njeriu i civilizuar.

    Por si me cdo gje tjeter ne natyre, ka nje kohe per cdo gje. Ka nje kohe per te bere lufte, ka nje kohe per te bere paqe. Ka nje kohe per gezim e per hidherim. Ka nje kohe per lodhje dhe pune, ka nje kohe per ndenje e pushim.
    Simbas mendimit te shoqerise se sotme, tani eshte koha per shke…im. “Sauvage”-i yne e ka natyren aty , te neshtruar, brenda grushtit. ne maje te gishtave, brenda ekranit te sheshte te plazmes ndricuese. Dhe per sa i perket koncesioneve seksuale qe ofron shoqeria, se cfare tjeter eshte jeta e nje cifti sot, pervecse ekskluzivitetit seksuan ndaj njeri-tjetri, mjafton te mos lash pjatat, dhe paresia ne kete ekskluzivitet eshte dhe behen akoma me e qendrueshme dhe e sigurte.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin