GASTARE KUDO

Dita më e lumtur e blogut “Gastare” do të jetë dita kur nuk do të dijë se ç’të sinjalizojë. Sot për sot duket ditë e largët, po të shikosh lajthitjet e mediave shqip që botohen në linjë, por shpresa e Gastare-s për të vdekur sa më parë mbetet fisnike, përderisa mungesa e gafave gazetareske, do të thotë në thelb rilindje e shtypit shqiptar. Në fakt, një shtyp që e respekton veten, e mbi të gjitha lexuesin, një shtyp që e adhuron gjuhën e mbi të gjitha korrektesën, nuk u lë hapësirë blogjeve që ushqehen me gabimet e tij.

Që ku lindi “Gastare” më ka brejtur një pyetje: “Gabimet që botojmë në këtë blog i përkasin vetëm redaksisë në linjë apo edhe gazetës vetë?”. Me fjalë të tjera, gabimet e botimit virtual përkojnë me botimin në letër? Përgjigjja ndaj kësaj pyetje nuk e delegjitimon aspak qenien e blogut vetë, i cili merr energji pikërisht nga marrëzitë e shtypit shqiptar në internet. Mirëpo kureshtja ekzistonte gjithsesi.

Kësaj vere, nga çadra e plazhit e deri në trotuaret e kryeqytetit, nuk iu ndava shtypit shqiptar. E bleva, e shfletova, e lexova rregullisht. Megjithatë, nuk mund të them se e lexoja me po aq vëmendje e plotësi siç e lexoja në linjë. Pavarësisht nga kjo, vura re me keqardhje se gabimet e gafat nuk mungonin as në letër. Nuk mund ta them me saktësi shkencore, por vura re se shumë gabime përkonin me ato në internet, kurse disa të tjera më dukeshin krejt të reja. Ndoshta për faj të formatit ndryshe. Fakti është se letra nuk i bën esëll redaktorët e gazetave shqiptare.

Të them të vërtetën, thellë thellë shpresoja që botimi në letër të mos kishte gabime. Në këtë mënyrë mund t’ua vinim gabimin djelmoshave që merren me edicionin në linjë të gazetës, ndoshta edhe vetë programuesve të faqes virtuale, ose thjesht punonjësve teknikë të redaksisë në linjë. E kisha gabim. Gabimet në letër ishin shpeshherë të njëjtat me ato të botimit në internet. Kjo do të thotë se “pathologjia” e gazetave shqiptare është më e thellë seç mund të mendohet. Nuk ka të bëjë vetëm me një pjesë të redaksisë, por me gjithë gazetën e konceptin e komunikimit me lexuesin.

Për ta lehtësuar edhe gazetarinë shqiptare, sipas proverbit italian “mal comune mezzo gaudio”, mund të shtoj se gabime gjendeshin kudo. Nuk po them diçka të re, për sa kohë interneti shqiptar argëtohet me tabelat e dyqaneve apo me njoftimet e botuara sa andej këndej. Por unë e kam fjalën për komunikimin institucional, që mëton kontroll më të rreptë se ai i fshatarit që shet domate e qepë. Si të thuash, më shumë më shqetësojnë titujt e gazetave me gabime se sa njoftimi për shitje shkruar me dorë të pavendosur, më shumë më hidhëron shqipja e shkarravitur në faqet zyrtare të Republikës se sa në blogjet personale.

Fotografinë këtu pranë, që tregon një reklamë të “Fiera del Levante”, panairit të famshëm puljez, e bëra buzë Lanës, një ditë vape gushti. Më bëri përshtypje që një akt kaq i dukshëm siç është reklama (a nuk i kërkohet kësaj shikueshmëri sa më e lartë?) nuk kishte pasur në realitet vëmendjen e duhur. Përkthimi i reklamës në shqip – meqë duket qartë se është përkthim – ishte bërë shkel e shko, pa kurrfarë kujdesi. E nuk lipset ta analizojmë tekstin e saj rresht për rresht. Ato pak fjalë mund të ishin shqipëruar e shkruar më mirë, të paktën për faktin se do të zmadhoheshin e do të tërhiqnin vëmendjen e qytetarëve anembanë vendit.

Raste të tilla mund të gjenden kudo, nga tabelat e dyqaneve deri tek reklamat në media, nga njoftimet tek “Çelësi” deri tek ligjet në gazetën zyrtare. Por a mund të krijohen “Gastare” për çdo fushë? A mund të kërkohet pa fund në të gjitha baltrat? Sepse është për të qeshur, por edhe për të qarë.

Nuk ka komente

  1. Pishak, me pelqen shkrimi dhe natyrisht i bashkohem shqetesimit qe ti ngre. Duke qene se jetoj ketu ne Tirane, ndeshem perdite me tabela te shkruara keq, reklama dhe menu restorantesh , akte noteriale apo njoftime vdekjesh neper shtyllat, gjithcka. Dikur madje dola me aparat rrugeve dhe i fotografova nje pjese te tyre, ndoshta i publikoj ndonje dite ne blogun tim.

    Mua me vjen keq per dicka, qe me duket se pak a shume e kam gjetur te shprehur dikur edhe prej Xhaxhait : me vjen keq se ajo c’ka une perceptoj eshte qe i gjithe ky mish-mash nuk vjen thjesht prej faktit qe shqiptaret nuk po dine me ta shkruajne gjuhen, kete ku ma gjen, por prej faktit qe shqiptareve sot as qe u intereson nese e shkruajne mire gjuhen.

    Ps : personalisht nuk me tingellon mire perkthimi i “online” si “ne linje” ; nuk e di, ndoshta sepse “ne linje” mban nje ngarkese tjeter ne shqip…ne linjen e partise. Sfida i mbetet Xhaxhait per nje fjale tjeter 🙂

    1. Natyrisht, problemi shkon përtej rregullave drejtshkrimore. Në PTF kemi kohë që e trajtojmë temën e gjuhës dhe cilësinë e saj në publik.
      Shembulli që dhashë më sipër, reklama e përkthyer e panairit “Fiera del Levante”, ka fillimisht nja dy gabime në orar. Mund edhe t’ia fal përkthyesit që fjalën “e hënë” e ka shkruar pa “ë”-në e fundit, por xhevaire të llojit “arredimi”, “agrikultura ushqimore”, apo “makinat Premium”, janë të pafalshme. Jam i bindur se ka plot njerëz që i njohin shumë mirë rregullat gjuhësore, sikurse jam i sigurtë se çështja nuk ka të bëjë aq me teknikën e gjuhës se sa me respektin që kemi ndaj saj, e si rrjedhim ndaj vetes.
      Sa për përkthimin “në linjë” të fjalës “online” nuk di ç’të them. Më tingëlloi më mirë se në anglisht, ndaj e parapëlqeva. 🙂 E kam parë që përdoret. Mund të gjenden variante të tjera…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin