RIPËRDHOSJA E TEME SEJKOS

U bënë disa ditë që Gazeta Shqiptare boton pjesë nga procesverbali i gjyqit kundër grupit të Teme Sejkos, në maj të vitit 1961.

Teme Sejko, që para se t’i perëndonte ylli ishte kundëradmiral i flotës detare shqiptare, ra viktimë e intrigave të ndërlikuara brenda kupolës komuniste, gjatë procesit të dhimbshëm të shkëputjes së Shqipërisë nga sfera e ndikimit politik, ideologjik dhe ushtarak sovjetik.

Dihet dhe është dëshmuar tashmë se atë e kanë torturuar në mënyrën më çnjerëzore gjatë hetuesisë, prandaj deponimet e tij në gjyq nuk kanë kurrfarë vlere.

Ose më mirë, e vetmja vlerë e këtyre deponimeve është të tregojnë prapaskenat, intrigat dhe pisllëqet e luftës së brendshme për pushtet, në atë periudhë kritike për regjimin e Enver Hoxhës; si dhe të ndihmojnë historianët e asaj dhune çnjerëzore që paraqitej si “drejtësi” nën komunizëm.

Vetë Enver Hoxha, në vitin 1982, thuhet të ketë deklaruar në një mbledhje të Byrosë Politike se procesi i Teme Sejkos dhe komploti për të cilin u akuzua ky oficer i lartë “ është mbuluar me një mister dhe ngjan me një legjendë të çuditshme shumë të dyshimtë.”

Në gjyqin kundër tij, në mars të vitit 1983, ish-ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu ka deklaruar se Teme Sejkon e kanë vrarë aksidentalisht, duke e torturuar, pas vendimit të gjyqit që e dënonte me vdekje.

Natyrisht, si në rastin e gjyqit kundër Teme Sejkos, ashtu edhe në rastin e gjyqit kundër Kadri Hazbiut, është fjala për deponime të dhëna pas presionesh të rënda në hetuesi, duke përfshirë torturën dhe kërcënimet ndaj njerëzve të familjes.

Kjo do të thotë se deponime të tilla vlejnë vetëm si dokumente të dhunës që ushtronte shteti totalitar ndaj viktimave të radhës.

Botimi i tyre, në gazeta të përditshme, pa kurrfarë aparati kritik, me përjashtim të një vërejtjeje në hyrje se “gjyqi u zhvillua pas rreth një vit hetuesi ku presioni dhe dhuna, bënë që dëshmitë e grupit të çamëve të jenë të zbutura e të manipuluara.”

Nëse është kështu, atëherë cili është pikërisht synimi i Gazetës Shqiptare në botimin e paçavureve të tilla?

Dhe gjithsesi, pavarësisht nga synimi, të cilin as e dimë as e paragjykojmë dot, njohja me materiale të tilla nga brezat që nuk e kanë shumë idenë as për periudhën komuniste, as për mënyrën si vepronte aparati represiv totalitar, mund t’i marrin për të përnjëmendta sajimet e Sigurimit të Shtetit dhe gënjeshtrat që Teme Sejkoja dhe të tjerët ishin detyruar të thoshin, qoftë nën tortura, qoftë duke u kërcënuar.

Po sjell këtu vetëm një shkëmbim mes prokurorit dhe Sejkos vetë nga ç’ka botuar Gazeta, për të kuptuar se çfarë farse i shërbehet lexuesit:

PROKURORI: – I pandehuri Teme Sejko, pushteti popullor u mori kapitalistëve fabrikat, bankat dhe i ktheu ato në pronë të përbashkët. Çfarë do të ndodhte me to, me vendosjen këtu të kapitalizmit?
I PANDEHURI: – Ato do të ktheheshin përsëri në duart e atyre që i kishin pasur.
PROKURORI: – Po me koncesionet e huaja çfarë do të ndodhte?
I PANDEHURI: – Do të rivendosej plotësisht situata që ekzistonte para kësaj. Koncesionet do t’u ktheheshin atyre që i kishin zotëruar.
PROKURORI: – Si duhet t’ju konsiderojë ju populli pas kësaj?
I PANDEHURI: – Si armiq, ashtu si dhe jemi.
PROKURORI: – Shokë qytetarë! Paraqitje më të mirë dhe më të qartë të qëllimeve të kësaj organizate kriminale dhe pjesëmarrësve të këtij komploti, imperialistëve amerikanë, revizionistëve jugosllavë dhe monarko-fashistëve grekë, se sa e bëri i pandehuri Teme Sejko, nuk mund të ketë.

Vendoseni tani këtë pisllëk, në kontekstin e fatit të familjarëve të kundëradmiralit, pas rrëzimit të tij:

Teme Sejko u pushkatua […] Po kështu është pushkatuar edhe Taho Sejko, eshtrat e të cilit nuk dihet ku janë. Tragjedia e familjes Sejko vazhdoi pafundi: Sulo Sejko, vëllai i Temes […] u ndoq e u persekutua nga Sigurimi i Shtetit dhe u gjend i vdekur në thellësitë e një pusi. Sakaq, djali i vogël i Teme Sejkos, Sokoli, ish-punëtor i Kombinatit të Tekstileve në Berat, u pushkatua me akuzën për sabotim të pronës socialiste në moshën 23-vjeçare. E ëma, Shpresa, një ditë teksa po i shpinte bukë të birit në burg, u përball me policin e shërbimit, i cili i tha aty për aty: “Merre me vete çfarë ke sjellë, se Sokoli nuk është gjallë, hëngri gjysmën e lekut dhe iku në atë botë”. Më vonë, Shpresa, një grua fisnike nga Korça, nuk i përballoi dot tragjeditë dhe u hodh nga kati i katërt i shtëpisë, duke i dhënë fund jetës në mënyrë makabre. Rajmondi, djali i madh i familjes Sejko, mundi të mbijetojë i vetëm pas 10 viteve burg që bëri për agjitacion e propagandë.

Duke botuar – si të mirëqena – aktet e një procesi farsë, të kurdisur, dhe të gënjeshtërt, Gazeta Shqiptare nuk po i shërben të vërtetës, por mbulimit të krimit dhe reputacionit të një regjimi, i cili jo vetëm vrau, burgosi, internoi, persekutoi dhe u shkatërroi jetën mijëra e mijëra njerëzve të pafajshëm, por edhe hodhi themelet sociologjike të këtij shteti të shëmtuar që ka sot Shqipëria.

Nuk ka komente

  1. Teme Sejko, Kadri Hazbiu, Beqir Balluku e njerez te ketij kalibri, nuk eshte se jane te pafajshem, ngaqe regjimi shpiku akuzat kunder tyre. Mire jane te pafajshem per krimet per te cilat u akuzuan e pushkatuan, por ata kane kryer krime ndaj te pafajshmeve te vertete.

    Keta jane te gjithe intrigante oborri dhe me intriga moren e mbajten pushtetin nga intrigat perfunduan para skuadres se pushkatimit.

    Temja si filosovjetik i thekur, nuk ma merr mendja se ka qene jashte intrigave sovjetike, prandaj e kane pushkatuar. Edhe Mehmet Shehu ne BS e beri akademine ushtarake po s’e pushkatoi kush.

    Pas prishjes me BS-ne u hoqen qafe gjithe filosovjetiket, te cilet dyshoheshin per besnikeri te pamjaftueshme ndaj Enverit dhe meqe Sigurimi bashkepunonte me KGB-ne, nuk eshte aspak çudi qe ne listat e Sigurimit te gjendeshin gjithe spiunet shqiptare te KGB-se dhe rrjedhimisht gjithe figurat qe kishin lidhje miqesore me spiunet.

    Mos te harrojme qe Hrushovi beri spastrim te kupolave komuniste ne gjithe Lindjen, fale filosovjetike te atyre vendeve, prandaj logjika enveriste e spastrimit te filosovjetikeve ishte politikisht e sakte, e ftohte dhe mizore, por e sakte. Ndoshta Hrushovi s’donte ta rrezonte, por ama ku dihej gje me siguri asokohe, logjika induktive te çonte ne perfundimin qe meqe u hoqen gjithe kupolat staliniste, heret a vone do i vinte radha edhe Enverit.

    Sa per krimet e regjimit, ka krime te tjera qe e tipizojne me mire natyren kriminale te tij, sesa rasti i Teme Sejkos. Ky sherben per te kuptuar natyren intrigante e makiaveliste te kupoles komuniste.

    .

    1. Teme Sejkoja ishte një oficer i lartë i flotës ushtarake – një post nga ku nuk bëje dot krime të rënda, edhe po të doje.

      Vërtet, kishte studiuar në BS, por atje kish studiuar edhe Mehmet Shehu, siç e thua ti. Madje edhe Ramiz Alia. Por kujdes: Mehmetin s’e pushkatoi kush, sepse ishte ai që pushkatoi i pari.

      Rëndësi ka që të gjendej gjithnjë gishti që të shkrepte këmbëzën.

      Ne nuk e dimë nëse është ngatërruar Sejkoja me ndonjë komplot apo jo. Skenarin që u lexua në gjyq, edhe një fëmijë do ta kishte shkruar më mirë: është shembull i idiotizmit juridik.

      Çfarë dimë, është se ai u torturua, u dënua dhe u ekzekutua si qen: dhe kjo pikërisht e shembëllzon dhunën totalitare.

      Thua “ka krime të tjera që e tipizojnë natyrën kriminale të regjimit.” Për këtë s’di ç’të them, por me mënyrën si arsyeton ti më lart, mund të përligjet çdo krim i regjimit: p.sh., edhe ata tregtarët që u torturuan për të treguar ku e kishin fshehur floririn, ndoshta e kishin fituar atë flori me spekulime gjatë luftës… E kështu me radhë.

      Pastaj, edhe sikur Sejkoja të mos ketë qenë i pafajshëm, mbetet fati i familjes së tij – dhe ky e tipizon natyrën kriminale të regjimit po aq sa edhe fati i çdo familjeje tjetër.

      Këtu flasim për njerëz, Hyllin; që kanë pasur vetëm një jetë për të jetuar, dhe kanë shkuar për dhjamë qeni, vetëm e vetëm që Enver Hoxha të mbante pushtetin.

      1. Jo, jo çdo krim nuk perligjet, por dihet mire qe spastrimet filluan qe gjate Luftes, me Mustafa Gjinishin ( per te mos thene me Qemal Stafen). Kupola komuniste perbehej nga grup i mire te rinjsh arriviste, mizore e te paskrupuj, te cilet sa gjenin rastin ekzekutonin tjetrin. Nuk eshte vetem faji i Enverit, ishte nje grup neperkash qe hanin kokat e njera-tjetres.
        Eshte e lehte t’ia ngjeshesh Enverit te gjitha, ky i njihte mire me cilet kishte te bente dhe dinte t’i perdorte njeri kunder tjetrit.
        Gjithe historia nga Gjinishi tek Kadri Hazbiu, perbehet nga njerez qe vrasin shoket e pastaj vriten prej shokesh te tjere, me Enverin si kryeintrigant, kuptohet.

        Familja po sherben per tipizim, por Teme Sejkoja si person nuk vajti aq lart keshtu si qengj mes kopese se ujqve.

        Enveri e mori pushtetin me intriga e vrasje, prandaj legjitimiteti i tij ishte gjithnje i dobet mes kupoles, çka e detyronte te bente spastrime sapo nuhaste se ndokush vinte ne dyshim legjitimitetin e pushtetit te tij.
        Besnikeria varet shume nga legjitimiteti i pushtetit, kur ky buron nga intrigat e vrasjet, atehere dhe besnikeria eshte gjithnje e ulet, te kujton me shume legjitimitetin e uzurpatorit, perballe mbretit legjitim. Ne fund te fundit te gjithe mendojne se me vrasje e intriga mund ta kene ata vete pushtetin.

        Historia e spastrimeve ne komunizem ngjan me intrigat e Papatit ne kohen e Borgia-ve.

  2. ne fakt Teme Sejko nuk eshte pushkatuar por eshte mbytur dhe pastaj masakruar barbarisht me goditje ne koke (me kazme!!!) dhe ka vdekur.

    nga pohimi i vrasestit/ deshmitarit/ ekzekutorit/ torutruesit te tij:

    “Si e zbritën kufomën te gropa, shkova edhe unë. Për t’u siguruar për vdekjen e Temes, unë me një kazmë që gjeta aty pranë, i rashë Teme Sejkos në kokë disa herë derisa iu prish fare koka. Më kazmë e qëlluan edhe shokët e tjerë. Pasi e hodhëm në gropë, e mbuluam me baltë dhe e larguam.”

    http://www.panorama.com.al/2011/08/03/deshmia-e-gardianit-si-ja-morem-frymen-teme-sejkos/

  3. Një nga problemet që shoh në trajtimin e diktaturës, është mbidoza e informacionit për të dhe natyra fragmentare e lajmeve që jepen. Sillen pjesë pjesë të shkëputura, shumë herë të palidhura dhe trajtojnë çështje specifike. Unë druhem se nuk ka për tu bërë ndonjëherë një trajtim dinjitoz, për aq kohë sa mungon autoriteti që ta kryejë. Decentralizimi i dijeve, dhe mjeteve të informacionit, ndikon që kjo të mos kryhet. Për ne që nuk e kemi jetuar në mënyrë të ndërgjegjshme atë kohë, është tejet i vështirë bilanci. Ca kohë më parë, dijet klasike merreshin në shkolla dhe auditorë. Ishin të centralizuara. Tani, jo vetëm që niveli i atyre dijeve lë shumë për të dëshiruar, siç është vënë re dhe këtu në blog, por gjithkush merr dije alternative nëpër media dhe blogje online. Secili mbart dijet historike si pjesë e vetes, dhe pak a shumë si profil i ka të personalizuara.

    Sipas kësaj, ka një të vërtetë dhe është një ankesë e drejtë ajo që shfaqet përgjithësisht kur thuhet se: krimet e diktaturës nuk janë dënuar. Realisht, duan të shprehin pakënaqësinë, mendoj, prej mungesës së autoritetit që ta bënte një gjë të tillë. Ta shprehte këtë në formë argumentuese dhe institucionale. Nuk e di sa do jetë e mundur kjo.

  4. Mund te jete cdo gje, por qe shteti i sotshem te jete pasoje e komunizmit kete nuk besoj se mund ta gelltise njeri lehte. Kushdo qe merr dhe lexon kujtimet e protagonisteve te politikes se viteve ’30 e sheh shume mire se cfare eshte bere: intriga, pusi, shitje dhe blerje, vrasje pas shpine e deri edhe bashkepunim i hapur me te huajt. Kosova qe nuk e kaloi komunizmin e Enver Hoxhes vuan po aq, ne mos me shume nga simptomat e hajduterise dhe refuzimit per te marre pergjegjesi si te ne. Po si zakonisht ne do arrijme te bejme gjurmime historike me metoden negative; per ne tani e ka fajin enverizmi, per enverizmin, Zogu, per Zogun, periudha osmane, per kete te fundit ikja e arberve dhe konvertimi fetar, per keto mund te gjendet shpjegim te sjellja e ilireve e deri te pellazget. Ja u vertetua edhe origjina. Ja edhe ky ketu ka dhene nje shembull: http://www.gazetatema.net/web/2012/08/31/iliret-romaket-dhe-iliro-albanet-e-finiqit/. Po kete si ta shpjegojme se vertet jemi buzequmesht ne ceshtjet e komunizmes, por kaq e mbajme mend mo. Po ishin xixe sitet, te sharronin duart po te prekje gje. Edhe ne Kosove periudha serbe, pastaj osmane, feja e deri te dardanet. Ky tjetri, qe i njeh punet e nacionalisteve nga brenda, pranon qe firmetaret ishin oportuniste, kupola komuniste ca neperka intrigante etj. Po mire une pyes, ngaqe edhe nuk di shume dhe nuk jam aq i lecitur: po kur paskan qene te ketille, po nuk ju duket se ka vrare pak ai? Kot per thellim akademik pyes?

    1. Theollogos, kur them që Shqipëria e sotme është bijë e së djeshmes kam parasysh: (1) shkatërrimin total të pronës private si realitet fizik dhe si institucion; (2) imponimin e idesë së shtetit si kujdestar dhe baba të popullit; (3) edukimin e masave me idenë e barazisë dhe të titullimit; (4) asgjësimin e mekanizmit meritokratik; (5) kultin e fshatit dhe të fshatarit; (6) përbuzjen për intelektualin dhe për shkëlqimin; (7) kultivimin e idesë së eksepsionalizmit shqiptar; (8) kultivimin indirekt të idesë se Perëndimi do të na shpëtojë të gjithëve; (9) kultivimin e monizmit në politikë; (10) shkatërrimin e konceptit se pasuria mund të arrihet nëpërmjet punës; (11) shkatërrimin e aftësisë për të vendosur një marrëdhënie normale me të huajt; (12) frikën instinktive të fshatarit ndaj çdo lloj kooperativizmi dhe bashkëpunimi; (13) shkatërrimin e fesë si institucion dhe të rolit të fesë në jetën shpirtërore të individit; (14) denatyrimin e lidhjeve të njeriut me territorin. Ç’të vazhdoj më?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin