PUNA E TË MITURVE

Kush vjen për pushime në Shqipëri rrezikon t’i kalojë nën peshën e ndjenjës së fajit. Kudo që shkon nëpër lokalitete turistike do të gjesh të mitur në punë. Fëmijë që nuk i kanë kaluar as të 13-t bëjnë lloj lloj punësh, madje shpeshherë shumë të rënda për moshën.

Ndjenja e fajit të kaplon në çadrën e plazhit, kur lodhja jote më e madhe është kthimi në shpinë për t’u thekur më mirë, ose lyerja me kremin e radhës, kundër ose pro nxirjes së lëkurës. Pikërisht në çastin e mundit tënd të përditshëm, dëgjohet nga larg si litani e përvuajtur zëri i një fëmije që rendit artikuj për shitje. Pas pak sekondash të shfaqet i ngarkuar si kafshë pune me gjithfarë xhinglash e produktesh (domino, letra, fara, banane, kikirikë, bajame, etj.) duke t’i ofruar për blerje. Dielli në kupë të qiellit, temperatura pothuajse 40 gradë, bluzën me djersë të e re e të vjetër, ai të vështron me sy të vuajtur e të zgjat duart e rreshkura nga vapa.

Ndjenja e fajit të bllokon edhe kur shkon në restorant. Në vend të kamerierit të shfaqet një djalë i imët, i ndrojtur, i papërvojë. Qëndrimin mundohet ta ketë si i rritur, shtiret i sigurtë, si garip fshati ose qyteti, por një pyetje e thjeshtë jashtë standardit e huton dhe i nxjerr në pah brishtësinë e moshës. Edhe ai duket i këputur, i djersitur deri në palcë, me duart e vogla që nuk i kapin dot pjatat e mëdha duke u dridhur nga pasiguria. A mund të hash në këto kushte?

Pushuesi në Shqipëri mund t’i hasë dendur të miturit në punë. Duke filluar nga prezantuesi i dhomës së plazhit, me çelës në dorë, deri tek prerësi i biletës në autobus, me bileta në dorë. Përveç të verbërve, që nuk duan t’i shikojnë, reagimet janë të ndryshme. Në plazh, shitësin e vogël, dikush e mëshiron duke i blerë banane edhe kur s’i ha, dikush i bërtet pse bananet janë të qullëta, dikush e tregon si shembull edukimi për fëmijët. Këta të fundit kanë dy lloj përqasjesh. Të parët duke e treguar si shembull negativ: “E shikon të keqen mami? Po nuk studiove si ai do të përfundosh”. Të dytët si shembull heroizmi pozitiv: “E shikon atë djalin e vogël? Bravo i qoftë! Edhe ti duhet të punosh gjatë verës se je bërë dembel”. Të njëjtat reagime has edhe në restorant, me ndryshimin e vogël që përballë ke krikëllin e birrës dhe jo pijen freskuese të plazhit.

Kur nuk pajtohesh me këtë gjendje dhe kur zbulon se je krejtësisht i pafuqishëm përballë një dukurie të papranueshme si puna e të miturve, ndjenja e fajit të ngërthen edhe më keq. Komunikimi me fëmijët është i vështirë; janë të ndrojtur, të hutuar, moshën e deklarojnë haptazi më të madhe seç është në vërtetë, largohen të frikësuar se mos i dëgjon kush. Fjalët “Ti nuk duhet të punosh në këtë moshë” i tingëllojnë të pakuptimta, kurse “Kush të ka futur në punë” i tingëllojnë të dyshimta. Ndoshta nuk e kuptojnë pse je kundër punës së tyre. Me siguri i kanë udhëzuar të bëjnë veç punën e të mos merren me “gjepura pa bukë”. Me “punëdhënësit” e tyre është e pamundur të flasësh dhe ndoshta e rrezikshme. Gjithsesi, ndjenja e fajit rritet sa më shumë që ndërgjegjësohesh se puna e të miturve bën pjesë në normalitetin e jetës së përditshme.

Me peshën e brengës kërkon në internet ligjet shqiptare. “Strategjia kombëtare për fëmijët”, miratuar nga qeveria shqiptare më 31.05.2005, është dokument i përsosur, përjashto pranimin (kapitullimin) se “aktualisht nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e fëmijëve që punojnë dhe llojet e punës që ata bëjnë”. Sa për përcaktimin e dukurisë nuk ke ç’kërkon më shumë:

Ka dy lloj kategorish të fëmijëve që punojnë: Fëmijë që punojnë në sektorin formal të ekonomisë, si në rrobaqepësi, fabrikat e prodhimit të këpucëve, në ndërtim etj. që janë kryesisht të moshës 15-18 vjeç; fëmijët që punojnë në sektorin joformal të ekonomisë, kryesisht në rrugë, si: shitës ambulantë, lypsa, pastrues të makinave në semaforë etj. si dhe në një nga format më të këqija të punës së fëmijëve që është edhe trafikimi i fëmijëve për qëllim shfrytëzimi, si për shfrytëzim seksual, për vjedhje, përfshirje në aktivitete të paligjshme etj.

Nga dokumenti strategjik mëson se Shqipëria ka firmosur një sërë konventash ndërkombëtare për punën e fëmijëve dhe se është hartuar një kuadër ligjor që parandalon punën e fëmijëve ose vendos kufizime në punësimin e tyre. Megjithë përpjekjet e bëra pranohet zyrtarisht se hapa përpara nuk janë bërë:

Në Kodin e ri të Punës rikonfirmohet mosha 16 vjeç si moshë punësimi për fëmijët dhe parashikohet një mbrojtje të veçantë për fëmijët që punojnë. Edhe ndryshimet e fundit të Kodit të Punës rikonfirmuan mbrojtjen e veçantë për fëmijët e punësuar, si dhe harmonizimin e legjislacionit tonë me Konventat e ratifikuara. Megjithatë sipas treguesve te shumëfishtë të një studimi te realizuar nga INSTAT dhe UNICEF në vitin 2000 numri i fëmijët që punojnë ka shënuar rritje. Vlerësohet se rreth 30 % e fëmijëve të grupmoshës 16-18 vjeç janë të zënë në punë, veçanërisht ky numër është më i madh në fshat, ku shumë fëmijë të kësaj moshe nuk vazhdojnë shkollën, por punojnë në bujqësi.

“Strategjia kombëtare për fëmijët” vijon me politikat e zbatuara, problemet e ngritura, programet e së ardhmes. Shkruar saktë e qartë, sipas standardeve dhe gjuhës teknike ndërkombëtare. Po kështu aspekte të tjera ligjore. Vendimi i Këshillit të Ministrave (Nr. 384, datë 20.5.1996) Për mbrojtjen e të miturve në punë, në zbatim të ligjit nr. 7961, datë 12.7.1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, i nyjëton mirë kushtet kur duhet e nuk duhet të punojë një i mitur. Ka disa raste që ligjeve shqiptare nuk ke ç’t’u shtosh, tek e fundit janë shkruar nga ekspertët ndërkombëtarë ose janë përkthyer direkt nga legjislacionet e huaja demokratike. Edhe për punën e të miturve s’ka asgjë për të shtuar, përveç fakteve se puna e të miturve vazhdon të jetë problem edhe shtatë vjet më vonë nga miratimi i strategjisë për mbrojtjen e tyre.

Pavarësisht nga ligjet, seminaret e konventat ndërkombëtare, puna e fëmijëve nuk shkon nga pikëpamja etike. Fëmijët nuk duhet të bëjnë punë që nuk i përshtaten moshës e gjendjes së tyre psikofizike. Mirëpo, kjo është bërë kaq normale në shoqërinë shqiptare saqë nuk dallohet prej saj si patologji sociale. Prandaj bëhesh padashur dëshmitar klientësh që i fishkëllejnë kamerierit fëmijë dhe bëjnë pazar me fëmijën shitës, pa marrë as mundimin e hipokrizisë, të paktën përballë bijve të vet të përkëdhelur me të njëjtën moshë.

Bëhesh dëshmitar, ndoshta bashkëfajtor… Ndaj edhe ajo ndjenja e fajit të bren e të mundon gjatë pushimeve, por edhe më tutje.

Nuk ka komente

  1. Jam shume dakord me qendrimin tuaj ne lidhje me kete plage sociale dhe besoj se kushdo qe e lexon shkrimin tuaj eshte patjeter dakord . Mirepo ndersa po e lexoja shkrimin mu kujtua nje dokumentar francez per fermeret ne jug te frances . Protagoniste e dokumentarit ishte nje familje ku : burri , gruaja dhe femijet e vegjel te gjithe punonin ne vresht dhe me bagetine .Kjo familje merrej si shembull i suksesit. Por te njejten gje kam vene re edhe ne dokumentaret per fermeret ne SHBA ku e gjithe familja (perfshi edhe femijet) punon jashtezakonisht shume. Ajo qe me intrigon eshte pyetja : po femijet qe punojne vreshtin e familjes a llogariten tek te shfrytezuarit?!

    1. Të gjitha legjislacionet e vendeve të zhvilluara i mbrojnë të miturit në punë. Kjo nuk do të thotë se ata nuk mund e nuk duhet të punojnë. P.sh. edhe një vajzë katër vjeçe mund të punojë për realizimin e një reklame X, madje paguhet mirë për këtë. Mirëpo punëdhënësi duhet t’u marrë leje autoriteteve përkatëse, sikurse prindërve apo kujdestarëve të fëmijës.

      Ligji shqiptar është i qartë në këtë pikë. Me sa di unë, vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 384, i datës 20.5.1996 Për mbrojtjen e të miturve në punë (i azhurnuar me VKM nr. 499, datë 6.5.2009) thotë se

      Kushtet e punës të punëmarrësve nën moshën 18 vjeç, duhet t’u përshtaten moshës së tyre. Punëdhënësi nuk u propozon atyre asnjë punë të një natyre të tillë që mund t’u dëmtojë shëndetin, zhvillimin fizik, psikologjik, moral e social ose t’u komprometojë edukimin.

      Përgjithësisht legjislacionet që e mbrojnë të miturin e nënvizojnë faktin që puna duhet t’u përshtatet fëmijëve dhe nuk duhet t’u cenojë atyre disa aspekte të rëndësishme, midis të cilave edhe edukimin. Legjislacioni shqiptar, njëlloj si në vende të tjera, e lejon punësimin nga 13 vjeç e lart, por vetëm me disa kushte:

      Qysh nga mosha 13 vjeç e lart të miturit mund të punësohen vetëm në kuadrin e një sistemi formimi me alternatin ose të një stazhi në ndërmarrje, me kusht që ky punësim të kryhet sipas kushteve të miratuara nga inspektorati i punës.

      Për të miturit nga mosha 14 deri në 16 vjeç ligji shqiptar e lejon punën, por vetëm gjatë pushimeve shkollore, vetëm për punë të lehta dhe vetëm me autorizim nga inspektorati i punës. Me “punë të lehta” nënkuptohet çdo punë që nuk dëmton sigurinë, shëndetin, zhvillimin e të miturve, me “punë të rrezikshme” nënkuptohet çdo punë që ka ekspozim të dëmshëm ndaj agjentëve fizikë, biologjikë dhe kimikë, që paraqet rreziqe aksidenti, që vë në rrezik shëndetin, për shkak të temperaturave shumë të ulëta ose shumë të larta, a për shkak të zhurmave e dridhjeve të forta.

      Kushte të ngjashme kanë vënë edhe vendet europiane, por që normalisht respektohen, ose që duhen respektuar.

      Fotografinë e djalit me banane e kam bërë vetë. Ishte 12 vjeç. Ai nuk duhej të punonte në ato kushte, në atë vapë, me ato orare të gjata, në asnjë mënyrë. Vendin e kishte në rërë, të luante me top e të futej në det si moshatarët e vet.

  2. Anadollalleku shihet edhe ketu. Hibridi kapitalist shqiptar nuk i afrohet as atij te shekullit te 17te. Te gjithe marrin p-jese ne koferenca por “Luli i vocer” eshte prap aty pas 90te vjetesh. Na rrofshin institucionet e reja, por kush ka kohe te merret me ta!!!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin