AUTOSTRADA E PLAZHIT

Plazhi i Divjakës është përnjimend i bukur. Pishnaja pa fund, ajër i pastër, rërë e bardhë, det i qetë. Pastaj sheh dorën e njeriut, në trajtën e autokolonave, e të vjen ndër mend teto Ollga e “Zonjës nga Qyteti”, me thënien e saj të famshme: “Kanë shitur gomarët për të blerë biçikleta”. Mirëpo në këtë rast duhet parafrazuar: “Kanë shitur gomarët për të blerë makina”.

Përshoqërimi të vjen natyrshëm, por mjafton të shohësh targat e automjeteve që hyjnë në plazh për të kuptuar se nuk është fjala për katundarët përreth. Vijnë nga i gjithë vendi, edhe nga emigracioni. Pastaj, fshatarët përreth janë të zënë me punën në fushë dhe diellin e marrin direkt duke mbledhur bostan, madje pa përdorur kremra të shtrenjtë nxirës. Makinat e shumta, luksoze, sportive, fuoristrada, të vjetra, jashtë mode, rrangalle, amerikane, europiane, aziatike, që ulërijnë nëpër rërë, kanë të gjitha diçka të përbashkët: rrugën në plazh.

Këtu në Divjakë njerëzit nuk përdorkan shapka për të dalë në rërë. Përjashto plazhistët normalë, hiq ditorët e autobusëve çekosllovakë, që vijnë nga Lushnja, por në rast festash edhe nga Fieri apo Elbasani, të tjerët ndërrojnë marrsha për t’iu afruar detit. Rruga kryesore, ose më saktë rruga e vetme që e anashkalon detin përmes pishave, nuk përdoret shumë. Tabela nuk ka, por të gjitha makinat marrin në të djathtë nga plazhi e futen në rërë. Plazhi i Divjakës është shumë i gjerë, në kuptimin që brezi i rërës është rreth 250 metra nga pylli, në rrëzë të të cilit kanë lindur ato pak ndërtesa që përdoren nga pushuesit e nga banorët.

Kështu makinat, rrugë pas rruge, marsh pas marshi, rrotë pas rrote, kanë hapur dy rrugë. Njëra është më afër pishave, tjetra më afër detit. Të dyja paralele me detin dhe me pyllin. Makinat shtyjnë njëra tjetrën, ndonjëherë parakalohen me vrull, lënë pas pluhur saharaje, enden nëpër rërë, derisa gjejnë vend ku të parkohen në plazh. Çadra ngulet jo shumë larg makinës: në shenjë zbulimi, siç bëjnë ata që ngjiten në Himalaje ose ata që zbulojnë tokë të paprekur.

Deri këtu nuk ka ndonjë problem të pazgjidhshëm. Duhet pak kujdes kur kalon rrugën, duke parë majtas, djathtas, para, mbrapa, e meqë jemi në Shqipëri, mundësisht edhe sipër, duhet marrë kundërgaz për të kaluar rërën e ngritur nga automjetet si furtuna në shkretëtirë, duhet qepur goja se mos lëshon ndonjë mallkim që rrezikon të dëgjohet nga drejtuesi, duhen shmangur komente për muzikën që del me zhurmë nga xhamat e makinave, e të tjera masa të zakonshme si këto.

Problemet e vërteta fillojnë në rrugën e tretë. Atë afër detit, madje ngjitur me detin, afër plazhistëve. Nuk e di si quhet: autostrada e rërës, rruga e vipave, bulevardi i garipave,… Dikur i thoshim rëra e plazhit. Ajo hapësirë që të ndan nga shezlongu yt tek uji i detit, ajo pjesë e rërës ku ndonjëherë bisedohet, luhet me top, merret dielli, shëtitet, hidhen shikime, mbushen sytë, e të tjera veprimtari të pafajshme si këto. Në plazhin e Divjakës të gjitha këto shndërrohen në rrezik për jetën. Ti gjuan për gol e topi përfundon në rrotat e makinës, ti mbush mushkëritë me ajër e të hyjnë gazrat e skapamentos, ti vrapon drejt ujit e pret në radhë si para semaforit.

Është vërtet e papërshkrueshme ndjenja kur je para detit e të kalojnë makinat si në bulevardin e qytetit. Pamja është me gjithë mend absurde: disi familjare kur fokusohet tek makina, sfondi-det është krejtësisht pa vend, rëra duket e ngjeshur si asfalti, rruga ka ngjyrën e rërës, ti je me mbathje plazhi. Do të humbisje në paradoks sikur mos ta kishe mendjen tek fëmijët që luajnë top në plazh, duke penguar ecjen e automjeteve buzë detit.

Makinat që kalojnë janë të shumëllojshme, sikurse shoferët e tyre. Ke romantikun: atë që sfidon peripecitë e rrugës, mjaft që t’ia tregojë perëndimin të dashurës mu në buzë të detit. Gjen fetishistin: atë që përdor të dashurën e vet (makinën) për t’i treguar perëndimin pranë valëve të detit. Sheh guximtarin: atë që nuk ka frikë t’ia lagë rrotat e para makinës me ujë të kripur. Admiron pastërtorin, atë që e çon automjetin të marrë avdes me dyer të hapura. Kap përtacin, atë që urren të ecë e në vend të këpucëve mbath makinën. Dallon shëndetistin, atë që kujton se jodi i bën mirë edhe pompaçisë jo vetëm tiroideve.

Pronari i çadrave të plazhit bën kategori më vete. Ai e përdor pjesën afër detit thjesht si tranzit, për të parkuar pranë pronës. Makinën luksoze e ka thjesht për të shenjuar territorin. Vendoset mu në hapësirën ku ngjyrat e çadrave dhe shezlongëve ndryshojnë, hap dyert e makinës, ngre zërin e radios, ia kris muhabetit me çadrën afër. Ka raste që kjo makinë kthehet në kullë vrojtimi, sepse që aty pronari kontrollon punën, fluksin, pushuesit, xhiron. Raste të tjera automjeti kthehet në bunker me të gjitha komoditetet e kohës: ajër i kondicionuar, video, muzikë, telefon. Ndërkohë që pushuesit e tjerë, që kanë paguar 200 lekë për çadrën, piqen në vapën e gushtit, ai shijon freskinë e ajrit të kondicionuar e të parfumuar posaçërisht.

Kjo çështje, me sa duket, nuk ka zgjidhje. Edhe pse e ndaluar, plazhi është kthyer në autostradë dhe si e tillë ka oraret me më shumë trafik e oraret ku kalojnë pak makina. Çështja duhet marrë me filozofi. Edhe policët, që kalojnë herë pas here për kontroll, ta shpjegojnë dukurinë sociologjikisht, nëpërmjet “karakterit të shqiptarëve që nuk e do rregullin e nuk i respekton rregullat”. Fakti është se pushuesit e Divjakës nuk do të vuajnë nga trauma e paspushimeve. Falë makinave buzë detit do ta bëjnë kthimin në punë në mënyrë graduale.

Nuk ka komente

  1. Me qelloi edhe mua njehere te shoh dy vetura njera ne krah te tjetres te parkuara mu ne mes te reres dhe rreth 10-15 metra nga bregu i detit. Diku me poshte 2 cadra dielli te ngritura dhe nje tufe me plazhista qe kishin zbarkuar me keto dy mjetet. E vecanta e kesaj ndodhie ishte se ky plazh ndodhej ne nje nga fshatrat bregdetare te greqise. Epo thashe me vehte nuk jane vetem shqipot te pa gdhendur por edhe keta greket njesoj si ne qenkerkan. Nejse, nuk kaloj shume kohe dhe lukunia mbylli cadrat, mblodhen batanijet dhe shezllonet portative dhe u drejtuan nga 2 veturat per te ikur. Ne kete moment degjova se te gjithe ata flisnin shqip.

  2. Me dhembi ky shkrim, ma hidheroi diten. Une e dua shume plazhin e Divjakes, qe per mua ndoshta nuk eshte me i bukuri por eshte padyshim me i dashuri. Ndaj keto rreshta me trishtuan. Mendoja, qe Divjaka, do i kishte shpetuar se paku lukunise shqiptare e cila bregdetin e shkaterroi nga veriu ne jug. Divjaka per mua eshte nje oaz, nje kopesht i madh, i fresket. Fakti qe ne Divjake ende nuk eshte ndertuar beton, dhe ende nuk eshte shkaterruar pylli me pisha e ben ate kaq te mire. Por eshte e tmerrshme tek shoh njerezit qe e perdhosin keshtu kete dhurate te natyres. Une e di qe shqiptaret nuk kane respekt dhe dashuri per natyren, per ujin, per token dhe nuk lodhem ta kerkoj prej tyre, por Bashkia e Divjakes, duhet te nderhyje urgjentisht per te mos lejuar makinat te shkelin reren. Eshte e pafalshme, eshte e dhimbshme..Imagjinoj se cmund te bejne keta kodosher sikur tu shkelesh oborrin e shtepise se tyre?!

  3. Pishak, makinat që përshkruan ti nuk janë makina, por tanket e një ushtrie pushtuese, ose vegla që shkelin.

    Në realitet, tanku si makinë ushtarake dhe si armë ka shumë funksione, por në një kontekst civil, urban, joluftarak, është para së gjithash një përbindësh që shkel, ose një palë zinxhirë të përbindshëm.

    Këta që shkelin rërën e plazhit të Divjakës me tanket e tyre, kanë zbritur të bëjnë plaçkë, në atë pak Shqipëri që u përket, në letër, qytetarëve të vet.

    Plaçka nuk është doemos pasuri materiale, por edhe konsum i një të mire natyrore, si deti ose rëra. “Tanku” i ndihmon ata ta përvetësojnë qoftë edhe simbolikisht këtë të mirë të përbashkët, ta quajnë “të tyren” sa kohë që janë aty.

    Ka një logjikë sado perverse, në faktin që, në një shoqëri si jona, ku deri 20 vjet më parë makinat private nuk lejoheshin, këto të përfundojnë tani të përdorura si instrumente të zaptimit.

    1. Xhaxha, ke shumë të drejtë. Toni i shkrimit nuk ma lejonte të shpjegoja indinjatën time kur shihja ato makina-tanke në plazh. Së pari të pushtonte ndjesia e dhunës. Në fakt, ato makina ushtronin dhunë mbi të gjithë ne vdekëtarët e thjeshtë, duke e privatizuar rërën e plazhit, duke injoruar të drejtat legjitime të tjetrit, duke përdhosur të mirën publike. Përveç kësaj, kjo e mirë publike dhunohej fizikisht sepse ndotej, dëmtohej, shkatërrohej. Për arsye individuale, private.

      Po të shikoje gjurmët në plazh (ish-rërën) të dukej sikur kishin kaluar autoblinda. Këtë ndjesi ta përforconte pamundësia për të reaguar. Çfarë mund t’i bëhet autoblindës? T’i gjuash me rërë? Me guaska? Policët, të cilëve ua shpreha shqetësimin, shprehën vetëm vullnet të mirë, por ma justifikuan vazhdimin e situatës me karakterin e shqiptarëve. Me thënë të vërtetën “e bënë të tyren”, më nderuan ushtarakisht me dorë.

      Logjika perverse qëndron tek makinat, deri dje të anatemuara, sot të adhuruara; por edhe tek pushuesit. Ruajtësit e rendit m’u dukën disi të habitur që një qytetar shkoi e u ankua për këtë problem, në vend që të admironte fjalën e fundit të teknologjisë mekanike. “Jam një qytetar pushues, iu prezantova, ende nuk jam bërë pushues qytetar”, por nuk ma kuptuan ku e kisha fjalën.

      Që ishin autoblinda e dalloje nga arroganca, kurse këtë të fundit e dalloje nga shpejtësia me të cilën ecnin automjetet në plazh, si dhe nga mospërfillja që tregonin ndaj plazhistëve që ruanin gjithë frikë fëmijët, topat, raketat, e lojërat e tjera që përdoren zakonisht në breg. Në makinën-tank-autoblind ai ndjehej i sigurtë, i blinduar në status symbol-in e ëndërruar, i përkedhelur nga komoditetet teknologjike, por mua më dukej i vetmuar e i mjerë. Qytetarisht.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin