GEGËRISHTJA E KOLONIZUAR

Herë pas here lexon shkrime, në gazeta dhe në mediat elektronike, nga autorë që përpiqen të sfidojnë “hegjemoninë” e standardit në shkrim dhe të shkruajnë në ndonjë formë të gegërishtes.

Motivet për këtë janë të shumta dhe si rregull mbeten të padeklaruara; shpesh gegërishtja është për këta autorë një formë e ligjërimit bisedor ose intim, e cila ua bën më të lehtë të shprehen; më rrallë, të shkruarit në gegërishte vjen si deklarim ose pozicionim haptazi ideologjik dhe politik.

Një gjë mbetet, megjithatë, e sigurt: praktikisht asnjë prej këtyre autorëve nuk e ka mësuar ta shkruajë gegërishten në shkollë.

Dhe bash për këtë arsye, nga ligjërata e tyre, duket sa e vështirë ta shkruash mirë një variant të një gjuhe përballë standardit dhe si sfidë ndaj standardit, në rrethanat kur ty vetë të ka kolonizuar, kulturorisht, standardi.

Lexoja këto ditë një prozë pak a shumë informale, intime, të çlirët, të poetes E.M., e cila edhe më parë ia ka hapur derën, në shkrimet e veta, gegërishtes.

Çfarë më tërhoqi vëmendjen te ky shkrim, megjithatë, dhe më bëri t’i shkruaj këto dy rreshta, është paragrafi i mëposhtëm (të cilit ia kam rregulluar pak alfabetin):

Për herë të parë kam shku në Tiranë, kur jam ba 13 vjeç. 13 vjeç kam hangër për herë të parë akullore. 13 vjeç kam pirë për herë të parë arranxhatë. Dhe nuk shkova në Tiranë, për të ngrënë akullore, as për të pirë arranxhatë […]

Në këtë paragraf të shkurtër, pjesorja e së njëjtës folje ha del më parë në formën gegërishte hangër, dhe pastaj në formën toskërishte ngrënë.

E njëjta folje, e njëjta pjesore, dy forma të ndryshme, në distancë prej jo më shumë se 10 fjalësh.

Jam i sigurt se autorja, kur flet me njerëzit e vet në familje ose në rrugë, përdor rregullisht pjesoren hangër; sikurse jam i sigurt se në shkollë asaj ia kanë mësuar formën ngrënë, si formë të standardit shqip.

Normalisht, një folës me kompetencë gjuhësore normale është në gjendje të kalojë lehtë nga njëri regjistër në tjetrin, p.sh. të flasë gegërishte dhe të shkruajë në standard. Të gjithë e kemi bërë këtë dhe e bëjmë; veçanërisht të gjithë ne që jemi rritur në Tiranë, dhe që kemi folur toskërisht në shtëpi me gjyshërit, gegërishten e Tiranës në rrugë (de rigueur) dhe standardin në shkollë.

Ndërrimi i regjistrit është normal; përzierja e regjistrave, si në shembullin më lart shqetëson.

Nga pikëpamja thjesht gjuhësore, do të vëreja se paragrafi më lart, sikurse krejt shkrimi i E.M., tregon se gegërishtja e shkruar e pjesës dërrmuese të autorëve përkatës tashmë është kolonizuar nga standardi dhe, në rastin më të mirë, nuk është veçse një shqipe standard e suvatuar me trajta fonetike dhe morfologjike të gegërishtes; ndërsa në rastin më të keq, një përzierje formash paralele, ose recetë për rrëgjim të shprehjes dhe të mendimit.

Çfarë shfaqet në shkrime të tilla nuk është aq gegërishtja, sesa ideja ose dëshira e një gegërishteje, në trajtat e subversionit ndaj standardit.

Kjo gegërishte fiktive është më shumë kazmë sesa mistri; ajo shkatërron, shpesh pa ndërtuar asgjë; pështjellon pa sjellë ndonjë rregull alternativ.

Dy pjesore paralele, të së njëjtës folje, brenda praktikisht të njëjtës fjali, tradhtojnë një kompetencë gjuhësore të lënduar për vdekje.

Prej kohësh kam shpjeguar, në publik, nevojën që gegërishtja të studiohet, si variant letrar, në shkollën e mesme; krahas standardit; jo gegërishtja e katundeve dhe e krahinave, por gegërishtja variant letrar, me të cilin kanë shkruar Fishta, Gurakuqi, Migjeni dhe autorët kosovarë para vitit 1972, dhe që ekziston deri e kodifikuar në një sistem rregullash drejtshkrimore.

Ashtu edhe bartësit dialektorë të gegërishtes do të mësoheshin, gradualisht, me idenë se të qenët bartës i një të folmeje gege çfarëdo nuk kualifikon askënd për t’u vetëshpallur si sfidues i hegjemonisë së standardit.

Shqipja e shkruar – si toskërishte letrare, si gegërishte letrare, si arbërishte letrare – ka, për fat të mirë, një traditë të vetën, të kristalizuar në vepra që janë pjesë e pasurisë kulturore mbarëkombëtare.

Me qindra, në mos mijëra njerëz, ia kanë përkushtuar jetën kësaj letrarishteje, duke u munduar që t’u japin shqiptarëve një shqipe të shkruar moderne, harmonike dhe dinjitoze në format e veta.

Sa kohë që të shkruarit e shqipes standard në mediat nuk është sanksionuar gjë me ligj, kushdo është në drejtën e vet të eksperimentojë me variantet letrare dhe të distancohet, me mënyrën si shkruan, nga hegjemonia e standardit.

Megjithatë, shembuj si ai që solla më sipër, dëshmojnë se orvatje të tilla për subversion nuk mbështeten nga ndonjë kompetencë gjuhësore alternative e pranueshme; dhe se gegërishtja, e sjellë kësisoj në mediat nga ithtarët e saj, nuk është veçse fantazmë, simulakër ose deri edhe dordolec i asaj tjetrës, të traditës.

Nuk ka komente

  1. Gegnishtja e shkruar dhe e levruar mire, ashtu sic flitet ne burim, nuk perben subversion. Jane qelbezimet e kesaj kohe qe jane subversion i idiotizmit dhe vanitetit ndaj nje strukture qe e ruan integritetin me heshtje. Keta qe metojne te thyejne drynin imagjinar te standardit me nje gegnishte te arnuar me vegime fjalesh te perrallave te gjyshit, thjesht i bejne subversion gegnishtes. Dhe me gjase do te jene pikerisht keta foles te nje tregimi kallf qe do te varrosin te verteten e atij dialekti me ngritjen ne fuqi te ligjerimit te idiolekteve*(sic ne PTF) zhurmuese. Koha do te beje te sajen; do te shpetoje me te miren, ose ate qe ky brez do e kuptoje si te tille. Kjo lloj gegnishte e tipit Bollywood po levrohet si forme e mesazhit politik dhe revanshit vetem ne media, ne shtyp. Le te njohim rolin e ketij te fundit si rrufeprites i te pegereve te kohes sone, me c’rast mundet edhe t’ia sherbejme si medaljen e fundit te mirenjohjes ne kete 100 vjetor.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin