TIRANA KULTURORE DHE HISTORIKE

nga Xhabyni

Shtysa për këtë shkrim u bë takimi rastësor me një turiste të huaj, e cila kishte ndalur mu përballë Sahatit të Tiranës (kështu kam dëgjuar tim gjysh dhe tim atë ta quajnë atë ndërtesë) dhe po vështronte qetësisht ndërtesën dhe atë çka ishte shkruar në krah të saj. Pasi më pyeti fillimisht nëse mundet ta ndihmoja dhe t’i jepja ndonjë ide mbi Tiranën dhe se çfarë mund të vizitonte, ajo u tregua e gatshme që për rreth tridhjetë minuta të dëgjonte disa fjalë të pakta mbi qytetin tim të lindjes.

Për t’u njohur me qytetin nuk duhet shumë kohë, sepse gjithçka që ti duhet të shohësh apo më saktë gjithçka që ka mbetur ende gjallë dhe mund të shihet, gjendet brenda një perimetri të vogël. Fjala vjen, në bulevardin “Dëshmorët e kombit” sheh thuajse gjithë historinë e Tiranës: një xhami të vjetër e periudhës osmane, një kala e një shtëpi të një familjeje me peshë në Tiranë, godina të regjimit fashist, godina të regjimit komunist dhe po kështu viktima të regjimit post-komunist.

Ndërsa i përshkruaja ndërtesat e regjimit fashist, më saktë godinën e bashkisë, zonja në fjalë më pyeti për jetën kulturore në qytetin e Tiranës. Kjo pyetje më bëri të mendoj më thellë për jetën kulturore në metropolin e shqiptarëve, e befas i bëra një pyetje vetes “A kemi ne Tiranë kulturore?”.

Vendosa t’i tregoj Teatrin kombëtar dhe u zhvendosa në rugicën në krah të bulevardit dhe aty ajo pa një godinë të lodhur e të këputur të teatrit; në stendat e promovimit të pjesëve teatrale nuk kishte kurrfarë lajmërimi. Ajo e pa me vëmendje dhe me një tundje koke, a thua se lexoi sikletin tim për ndonjë pyetje të mundshme, tundi kokën dhe drejtoi gishtin për nga lulishtja që nodhej mu përballë nesh. I tregova se ajo përballë nesh ishte Galeria e Arteve dhe ndjeva një farë lehtësimi kur pashë që zonja i shpejtoi të afrohej, për të vështruar më nga afër galerinë.

Ndërsa po më pyeste se kur është ndërtuar si godinë ajo ndali mu tek pedonalja e cila asokohe ishte e mbushur me birrë dhe qofte. “Po kjo çfarë është?” nuk dija aspak se çfarë t’i thoja “Kjo është një rrugë për këmbësorë e cila të dërgon në kalanë e Tiranës, një kala jo shumë e hershme por që ka shërbyer si garnizon ushtarak” ajo hodhi sytë për rreth  a thua se po kërkonte një rrugicë të vogël për të parë një udhë kalimi deri tek kalaja, por kjo rezultoi tërësisht e pamundur. Vendosi të shkojë drejt Galerisë e cila ishte e mbyllur sikundër Teatri dhe Kulla e Sahatit.

Me kureshtjen e një fëmije më pyeti “Po kjo godina këtu e mbuluar?” dhe gishtin e drejtoi nga Hotel Dajti. “Kjo është një nga ndërtesat më të veçanta në qytetin e Tiranës. E ka ndërtuar një artitekt italian i viteve 30’, ka funksionuar gjithnjë si hotel deri në vitet 90’. Tani nuk e di se çfarë funksioni do të luajë, disa thonë që do të bëhet pjesë e Bankës Qendrore” fytyra e zonjës sikur u habit më shumë se sa herët e tjera dhe këtë duket se e vuri re dhe nga fakti se unë ia kuptova habinë ndaj vendosi të ecte akoma më shumë.

Ndërsa i përshkruaja objektet e ndryshme në Tiranë, jo pak herë më duhej t’u përgjigjesha pyetjeve të tipit “Ka ndonjë kinema verore në Tiranë? Po ndonjë festival për të rinj? Ndonjë shesh ku zakonisht mblidhet rinia?” të gjtiha këto pyetje më turbulluan goxha, në fakt në Tiranë ka pas ekzistuar që në vitet ‘20 një kinema verore, por sot e kësaj dite nuk ekziston më (edhe pse fare mirë vende të mira dhe që mund të bëhen kinema të tilla ka në qytet). Po ta mendosh hollë-hollë, nuk ka asnjë eveniment për të rinjtë që të organizohet nga Bashkia apo Ministria si koncerte ose spektakle; e të mendosh se kur vjen fjala për ditë festash “zyrtare” si 8 Dhjetori, themelimi i PD-së, ose 21 shkurti e kështu me rradhë, pushtetet angazhohen të sjellin deri edhe Rihanën në Tiranë.

Një Tiranë e çuditshme e vdekur kulturalisht, me një teatër në gjumë dimëror (në mes të verës), me një galeri të mbyllur, me godinat më të rëndësishme historike në gjëndje të mjeruar (dhe më pas bashkia flet për turizëm në objektet e sistemit totalitar, ndërsa Piramida është shëmtuar dhe lënë pasdore në mënyrë brutale), me një pedonale që mban era qofte,  me një jetë kulturore të mbyllur në katër muret e një lagjeje që deri më dje ishte djepi i udhëheqësve sypetrita të vendit.

Kjo është Tirana kulturore dhe historike që u prezantojmë turistëve të huaj!

 

Nuk ka komente

  1. Kjo turistja me kujton nje tjeter te huaj qe shoqeroja para pak vitesh e qe me pyeste a kane njerezit televizore neper shtepi. Dhe per t’iu pergjigjur pyetjeve te saj:
    1. Po, ka nje kinema verore. Ajo prane Akademise se Arteve.
    2. Po, ka disa sheshe e lulishte ku mblidhet rinia. Po kjo nuk perben ndonje problem sepse vende e qytete te ndryshme kane dinamika te ndryshme. Psh ne Itali rinia mblidhet neper sheshe. Ne vende te tjera mund te mblidhet ne klube a qendra rinore etj.
    3. Po, ka disa festivale per te rinj. Sapo u be njeri dje tek ish fusha e aviacionit tek 21 Dhjetori. Para disa ditesh pati edhe nje festival nderkombetar xhazi.

    Pavaresisht se e kuptoj shqetesimin tuaj me duhet te them se problemi kryesor sot ne Tirane nuk eshte se mungojne veprimtarite. Problemi kryesor, mendoj une, eshte cilesia e tyre si dhe shperdorimi qe u behen fondeve publike qe shkojne per to. E thene popullorce per ate turisten. Ne jemi kafshe po jo aq kafshe sa kujtoni ju se jemi.

  2. Për Turin:
    Nuk duhet të kemi merak në se ndonjë turist i huaj mendon keq për ne. I gjori (turisti), ka marrë mundimin dhe ka ardhur deri tek ne, dhe nuk ka pse të habitemi aspak në se mendon keq për ne, për shkak se vetë ne bëjmë shumë pak për tua ndyshuar mendimin të tjerëve. Psh, nuk mundet ndokush të ketë mendim pozitiv, për ata, që per të shitur ca qofte më shumë, mbyllin edhe një nga të paktat gjëra (pedonalen), që do tu krijonte tek vizitorët e huaj një mendim jo negativ.
    Thoni se në Tirane paska një kinema verore. Gëzohem për këtë, jam një fans i tyre dhe më mungonte prej kohësh. Nuk di kë të bëj fajtor që ekzistencën e kësaj kinemaje e mësova vetëm sot: paaftësinë time per t’u informuar, apo paaftesinë e të tjerëve për të informuar të tjerët. Megjithatë, në kinema e vetmë verore në kryeqytetin e një vendi…
    Tek fusha e aviacionit kalova atë mbrëmjë që po montohej skena. Në se të nesërmen, dikush do më pyeste se ku mund të shihte një festival për të rinj (ju thoni se aty u organizua një i tillë), unë do i përgjigjesha me ngritje supesh. Më thoni dhe mua se ku u informuat për këtë. Megjithatë, një (po e quaj) festival për të rinj në një mbrëmje shti dhe një “festival” nërkombëtar xhazi, për kryeqytetin e një vendi…
    Mungojnë pra, edhe aktivitetet, edhe fondet për aktivitete, edhe administrimi i atyre pak fondeve që mund të jenë, edhe shumë gjëra të tjera. Imagjinoni në një vend tjetër të botës, se ç’aktivitete do organizoheshin me rastin e 100 vjetorit të Pamvarësisë, krahasojeni me ç’ka ndoh këtu dhe pastaj, pos u bëni merak të klasifikoni në se jemi aq kafshë sa kujtojnë të huajt apo më pak.” Ne jemi kafshe po jo aq kafshe sa kujtoni ju se jemi”, u thoni ju të huajve, por unë nuk munda të kuptoj mendimin tuaj: jemi më shumë apo më pak kafshë se sa ata kujtojnë?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin