GAZETARI E VITIT ZERO

(Si nuk bëhet një lajm)

Merrni dhe analizoni gazetat e Pasluftës, na thoshte dikur një profesor i mjeshtërisë së gazetarisë. Ato mund t’i shërbejnë gjithçkaje por jo informimit të saktë të lexuesit dhe aq më pak historisë. Rëndom, nëpër to flitet për ngjarje të të gjitha niveleve, por asgjë nuk merret vesh se kur kanë ndodhur, ku kanë ndodhur.

Lajmi nuk është thashethem. Si i tillë ai nuk mund të ketë vlerë dhe të egzistojë pa iu përgjigjur dy pyetjeve: Kur? Ku?

Mu kujtua një gjë e tillë ndërsa po lexoja në gazetën Shekulli (në linjë) një lajm për burgosjen e një shqiptari nga gjyqtarë italianë sepse kishte vrarë me makinën e tij katër shtetas francezë, të cilët po shkonin në Kroaci.

 Iu ktheva disa herë lajmit jo që të kap kuptimin e vërtetë te togfjalëshit të dyshimtë aksidentoi për vdekje, por që të mësoj se kur ka ndodhur një gjë e tillë. Asgjë, asnjë informacion asnjë datë.

Nuk më mbetej veçse të kënaqesha duke mësuar se ku kishte ndodhur një fatkeqësi e tillë. Përsëri asgjë. Asnjë emër qyteti, madje as krahine.

Mbase do të kisha shans të merrja diçka me mend duke mësuar se gjykata e cilit qytet e ka dhënë dënimin. Edhe plotësimi i një kërkesë të tillë është parë si gjësendi e panevojshme nga gazetarët e Shekullit.

Përfundimisht më duhet të marr me mend se ngjarja do të ketë ndodhur në Itali, nisur nga shtetësia e gjykatësve.

Mjerim profesional!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin