MIRËQENIA E SHIFRAVE

Bindja se Produkti i brendshëm bruto (GDP) nuk është matësi i vetëm i mirëqenies shoqërore po përhapet gjithnjë e më shumë. Ekonomistët që e shikojnë aktivitetin ekonomik të lidhur ngushtë me etikën e kanë më të lehtë ta kuptojnë se lumturia e njeriut, ose më mirë mirëqenia e tij, nuk varet nga rritja e përhershme e produktit të brendshëm bruto. E megjithatë, rritja ose rënia ekonomike matet kryesisht nëpërmjet PBB-së, duke filluar nga qeveria deri tek organizatat ndërkombëtare, nga mediat tek institutet studimore.

Mirëpo ecurinë ekonomike të një shoqërie nuk e përcakton vetëm PBB. Arsyetimi nuk është i vështirë. Produkti i brendshëm bruto tregon vlerën me çmimet e tregut të të gjitha të mirave materiale dhe shërbimeve të prodhuara brenda shtetit në një periudhë të caktuar kohore (zakonisht një vit). Nëse PBB rritet, qeveria mund të mburret, meqë treguesi shënon përmirësimin e ekonomisë; nëse PBB ulet, opozita mund të kritikojë ashpër, meqë shenja negative tregon se ekonomia po shkon keq.

Le të marrim shembullin e shtëpisë. Kur ble shtëpi të porsandërtuar në Shqipëri, vlera e asaj shtëpie hyn me siguri në PBB e vitit. Vlera e saj do ta rrisë vlerën e produktit të brendshëm bruto të vendit. Paradoksalisht, PBB ecën mirë po të ndërtohen godina pafundësisht deri në metrin e fundit të plazhit ose të tokës bujqësore. Madje PBB rritet më shumë kur ndërtohen pallate të këqija, meqë këto kërkojnë mirëmbajtje të vazhdueshme, shërbime të vazhdueshme, energji të vazhdueshme. Kush beson verbërisht tek verbëria e tregut mund të paraqesë argumente se ky sistem rregullohet automatikisht nga tregu vetë. Mirëpo çështja nuk qëndron aty.

Vlera e shtëpisë matet lehtë, madje edhe vlera e gjithë pallatit me oborrin përballë. Po cilësia njerëzore që mbush apartamentet a futet në PBB? A mund të matet? Deri tani jo. Gjithkush nga ne do të ishte gati ta blinte më shtrenjtë apartamentin në rast se do ta siguronin se komshinjtë do të jenë “të hajrit”, të edukuar, të respektueshëm, të sigurtë. Vlera e shtëpisë bie kur ndryshon demografia e pallatit, ose cilësia e marrëdhënieve njerëzore. E pra PBB nuk është në gjendje ta masë siç duhet zhvillimin e një vendi, ose më mirë të një komuniteti.

Ka kohë që ekonomistët kanë studiuar vlerën e peizazhit natyror. Pra kodra, male, lumenj, ujëvara, liqene, të shndërruara në dollarë ose euro. Kjo është e lehtë për t’u kapur. Tek e fundit shtëpia që sodit pamje për t’u fotografuar e shkarkuar direkt në ekran të kompjuterit kushton më shumë. Puna ngatërrohet disi kur peizazhet nuk ngacmohen nga dora ose prania e njeriut. Megjithatë edhe në kësi rastesh vlera e peizazhit mund të matet. Mirëpo, ka gjëra që nuk maten dot saktë nga gjithpërfshirësi PBB. Si për shembull kapitali njerëzor, cilësia e jetës, shërbimet në arsim, shëndetësi, mjedis, etj.

Që PBB-në nuk e shikojnë të gjithë me adhurim është e ditur. Robert Kennedy foli kundër që më 1968-n, kurse ish Presidenti francez Nicolas Sarkozy themeloi një komision të posaçëm për të vlerësuar besueshmërinë e PBB. Merrnin pjesë ajka e ekonomistëve dhe specialistëve të botës, duke filluar nga nobelistët Joseph Stiglitz e Amartya Sen. Kush është kureshtar mund t’i gjejë kollaj rekomandimet e tyre për matjen e saktë të ecurisë ekonomike e të progresit social.

Problemi është se në Shqipëri vazhdon të matet vetëm PBB-ja. Që pas ardhjes së demokracisë, përjashto ndonjë vit të mbrapshtë për arsye madhore, nuk mbahen mend periudha me produkt bruto negativ. Qeveritë janë mburrur mandat pas mandati për performancë të mrekullueshme ekonomike, pa llogaritur aspak cilësinë e jetës, që do të thotë të marrësh parasysh edhe pabarazitë, ndryshimin e mjedisit, stresin social, solidaritetin, altruizmin, shanset e barabarta mes gjinive, zhvillimin e mbajtshëm, e kështu me radhë. Homo oeconomicus edhe pse oeconomicus është në thelb homo, pra njeri, që nuk e mat mirëqenien e vet vetëm me vlerën e prodhimit e të shërbimeve. Herët a vonë pjesa njerëzore do ta kundërshtojë tiraninë e shifrave, përqindjeve, grafikëve, që ia ndrydhin përmasat e shumëllojshme. Ose të paktën nuk do t’i pranojë notat e thata në dëftesa, pa shënime shpjeguese për sjelljen.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin